Sunday, November 26, 2006

Kosova nuk mobilizon më shoqërinë serbe

Serbia para sfidave: Udhëtim në kohën e ndryshimit

Kosova nuk mobilizon më shoqërinë serbe

Kosova më nuk është çështja që e mobilizon tërë shoqërinë serbe. Kjo ka qenë domethënia e bojkotit të gati gjysmës së votuesve serb ndaj Referendumit mbi Kushtetutën e re të Serbisë. Në një vend ku po bie sistemi, të rinjtë duket se janë kthyer me sy e vesh kah Evropa. Shumë prej tyre kanë telashe me liderët nacionalistë. “Kosova e lirë-Serbia e lirë”, tha një prej tyre. Të rinjtë atje nuk karakterizohen me ndjenjat nacionaliste. Ata janë opozitë e Koshtunicës dhe liderëve të tipit të tillë. Ata në fakt, janë opozita e fuqishme që po vjen në Serbi.

Shkruan: Burim Ramadani, Beograd/Prishtinë


Neda Janiq nuk pajtohet me politikat e qeverisë së vendit të saj. Ka mendim krejt të kundërt me autoritetet qeveritare shtetërore jo vetëm për një çështje dhe mëton kah Evropa. Studentja e drejtësisë në Universitetin e Beogradit kundërshton pikëpamjet e profesorit të të Drejtës Ndërkombëtare, i cili tashmë disa vjet u bë ndër figurat më të rëndësishme të kohës post-Millosheviqiane, kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica.
Çështja e Kosovës, thotë ajo, është pothuajse e përfunduar, porse Serbia ka shumë e shumë probleme të brendshme me të cilat duhet të merret seriozisht në mënyrë intensive. “Vetëm të shohësh sistemin arsimor tonin dhe e sheh në çfarë gjendje jemi”.
Ajo ka fituar një konkurs të realizuar nga Fakulteti i Drejtësisë për oratori, ndërkaq emërtimi i shpërblimit është domethënës për të. “Young European” (Evropiani i Ri). Janiq beson në vlerat evropiane dhe për këtë kundërshton plotësisht atë që po ndodh në vendin e saj, ‘luftën’ për mbajtjen e Kosovës brenda territorit të saj. “Kosova e lirë-Serbia e lirë”, thotë ajo.

Evropiani i Ri

Porse, të udhëtosh në Beograd dhe të takosh të rinj të kryeqytetit të bukur, por vërtet të lodhur edhe në dukje, kupton se Neda Janiq nuk është e vetmja që mendon në këtë mënyrë. Rreth njëzet të rinj beogradas duan të kenë miqësi me kosovarët dhe duan që shteti i Kosovës sa më shpejt të zyrtarizohet.
Ata, madje, kanë mendim edhe më të përparuar se shumë zyrtarë evropianë, të cilët merren me çështjen e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Erhard Busek, koordinatori special për Paktin e Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore, është njëri prej këtyre zyrtarëve. Për disa vjet me radhë, austriaku Busek ushtron këtë detyrë dhe disa të tjera që kanë të bëjnë me integrimet evropiane të të gjitha lëmive. “European Forum Alpbach”, që udhëhiqet nga ai, bashkon në malet e Tirolit austriak, Alpbach, të rinj, politikanë dhe studiues të lëmive nga më të ndryshmet, derisa shumica prej tyre janë nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Lindore. Tashmë, i deklaruar shumë herë në publik në favor të pavarësisë së Kosovës, Busek thotë se kjo do të arrihet porse do të duhet edhe një periudhë pas përfundimit të procesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës.
“Sipas të gjitha gjasave, propozimi i Ahtisarit për Kosovën do të jepet pas zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi. Kosova nuk do të jetë në mënyrë të menjëhershme e pavarur. Duket se do të jetë një lloj vetë-administrimi mjaft i gjerë deri në pavarësimin e plotë të Kosovës”, tha Erhard Busek, të dielën në Beograd, gjatë një debati me përfaqësues të vendeve të rajonit, ndër ta edhe të Kosovës. Madje, Busek kujdeset që rajoni i Ballkanit të ndjejë veten më mirë pranë Evropës dhe për këtë ai përdorë një emërtim tjetër për rajon.
“Për të qenë më afër Evropës më mirë është që të përdoret termi Evropa Jug-Lindore në vend të termit Ballkan”, thotë ai.
Serbia në kohën e fundit dhe muajt e fundit po përballet me një sfidë tejet të rëndësishme. Kosovën. Autoritetet serbe e kanë matur ndjeshmërinë e kësaj çështje në popullatë. Është parë se ka humbur kjo ndjeshmëri. Përgjigjja e qytetarëve serbë ndaj kësaj sfide dhe thirrje qeveritare për njohësit e situatës në Ballkan ka qenë domethënëse. Të paktën kështu e mendon Helmar Dumbs, korrespodent në Beograd i gazetës austriake “Die Presse”. Ai ka përcjell rrjedhën e referendumit nëpër Serbi, ndërkaq gjatë njërës prej dy ditëve të votimit ka qëndruar edhe në Kosovë.
“Kosova më nuk është çështja që e mobilizon tërë shoqërinë serbe. Kjo ka qenë domethënia e bojkotit të gati gjysmës së votuesve serb ndaj Referendumit mbi Kushtetutën e re të Serbisë”, thotë ai.
Gazetari Helmar Dumbs mendon se zgjedhjet në Serbi do të jenë të rëndësishme, porse nuk pret ndonjë ndryshim faktik aty. Këmbëngul në mendimin e tij se Koshtunica mundohet që në çdo mënyrë të mbetet në pushtet. “Ai (Koshtunica) do të mund të bënte koalicion me secilën parti të mundshme serbe për të qëndruar në pushtet. Rasti më i keq do të ishte nëse do të bëjë koalicion me Partinë Radikale. Por, kjo nuk mund të largohet si mundësi”, thotë Dumbs. Ai ka telashe me të kuptuarit e shpenzimeve që bën Qeveria e Beogradit për serbët e Kosovës.
“Buxheti i Serbisë nuk është gjithaq i mirë. Pse ata po investojnë aq shumë në serbët e Kosovës? Duhet të kthehen e të rregullojnë jetën e brendshme të qytetarëve të Serbisë”.
Porse, zgjedhjet në Serbi megjithatë duket se ndikojnë në afatin e përmbylljes së procesit mbi statusin e Kosovës. Gazeta ‘Kurir’ shkruante se ka mësuar që zgjedhjet do të mund të mbahen më 17 dhjetor. Por, Ivana Milosavleviq mohon një mundësi të tillë sa i përket datës. Ajo është sekretare organizative e Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Serbisë, të udhëhequr nga presidenti i tashëm serb, Boris Tadiq.
“Koshtunica kërkon të mbahen zgjedhjet rreth këtij afati, porse kjo është e pamundur për disa arsye. Ne në partinë tonë besojmë se zgjedhjet do të mbahen krejt në javën e fundit të vitit 2006 ose në javën e dytë të vitit 2007”, thotë ajo.
Milosavleviq thotë se sikurse partia e saj, edhe ajo e konsideron veten të moderuar. Nuk heziton të thotë se Kosova është e humbur për Serbinë dhe nuk sheh kurrfarë mundësie konflikti. “Kam disa miq shqiptarë nga Kosova”, thotë ajo.
Sidoqoftë, mundësia e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës pas përcaktimit të statusit të Kosovës duket se varet shumë nga vetë rezultati i zgjedhjeve në Serbi.
Gazetari Helmar Dumbs thotë se kjo nuk do të mund të arrihej nëse Koshtunica mbetet në pushtet. “Nëse Koshtunica mbetet në pushtet, ai kurrë nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Kosovën. Të tjerët do të normalizonin marrëdhëniet dhe do ta pranonin shtetin e Kosovës brenda pak vjetësh”.

Pasaporta brenda ‘territorit’

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, mëton të mbajë Kosovën brenda territorit të Serbisë. Sipas tij, askush nuk ka të drejtë që t’i merr Serbisë 15 për qind të territorit të saj. Mirëpo, deklaratat e tij dhe të politikanëve tjerë të Serbisë nuk ka dyshim se janë të kota dhe kundërthënëse në vetvete. Udhëtimi i një shqiptari në Beograd hedh poshtë një tezë të tillë. Secili nga vendet e rajonit habitej për procedurën tejet të rëndë që një shqiptar nga Kosova me Dokument të Udhëtimit të UNMIK-ut duhet të kalojë për t’iu mundësuar hyrja në Serbi.
Ishte ndërhyrja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Zyrën e UNMIK-ut në Beograd për të më mundësuar të kaloj kufirin. Një studiues i ri gjerman, Martins, i cili po kalon tri javët e para të qëndrimit të tij gjashtë mujor në Beograd, nuk e ka të qartë pretendimin e liderit serb mbi Kosovën. “Nëse ajo që thotë Koshtunica është e vërtetë, atëherë kjo i bie sikur unë të nisem nga Hamburgu për në Berlin me pasaportë dhe me 100 ndërhyrje nga qeveria”, thotë ai.
Por, Serbia nuk e ka të vetmen telashe me Kosovën. Ajo ka një telashe mjaft të madhe me Tribunalin e Hagës. Gjenerali Ratko Mladiq besohet se fshihet në Serbi dhe mosdorëzimi i tij në Hagë ka qenë shkaku i ndërprerjes së negociatave për Stabilizim-Asociim midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Serbisë. Mladiq është njëri prej atyre që studiuesi dhe udhëtuesi Michael Ignatieff i quan “zotërit e luftës”. Gjenerali serb dyshohet për rol të madh, urdhra dhe pjesëmarrje në krime kundër njerëzit dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnjë.
Bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq, duket të jetë e vendosur të mos vazhdojë negociatat me Serbinë para se kjo e fundit të bashkëpunojë plotësisht me Hagën. Gerhard Jandël, ambasador i Austrisë në Beograd, thotë se nuk ka kurrfarë mundësie që ky kusht të tejkalohet pa u përmbushur. “Serbia duhet patjetër të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës dhe zonja Del Ponte beson se Mladiq është këtu në Serbi”, tha ai gjatë një takimi në Beograd me të rinjtë nga rajoni.
Porse, diplomati Jandël e thotë këtë edhe për shkak të kredibilitetit të BE-së. Komisioni Evropian i ka shtyrë afatin Serbisë për përmbushjen e këtij kushti, por kjo e fundit nuk është angazhuar rreth kësaj. Evropianët u detyruan t’i ndërprejnë negociatat për stabilizim-asocim.
“Përndryshe, do të qëndronte thënia se afatet e evropianëve nuk vlejnë. Kur një vend nuk e përmbush kushtin, Bashkimi Evropian thjesht e shtyn afatin”, thotë Jandël, i vendosur këtë radhë për të ndryshuar këtë qasje.

Sistemi po bie

Sido që të jetë, ajo që vërehet sot në Beograd lidhet me shumëçka të kaluar. Ndërtesat e vjetra, që dikur kanë qenë vërtetë madhështore, nuk kanë shkëlqim. Rrugët nuk kanë shkëlqim, parqet janë përplot mbeturina të hedhura. Nuk mund të vëresh në Beograd meremetime të fasadave të ndërtesave apo edhe të atyre që nuk kanë fasada. Një mik më thoshte “Sistemi po bie”. Kjo ndoshta mund të përshkruaj më së miri Beogradin e sotshëm.
Me qindra e mijëra njerëz që ecnin nëpër rrugët e kryeqytetit të Serbisë, ndoshta edhe nuk e vërenin këtë. Porse, të rinjtë e drejtuar kah Evropa e thoshin pa hezitim. “Është krejt e qartë dhe e vërtetë. Sistemi po bie”. Megjithatë, të rinjtë serbë ishin krenar me Kalemegdan-in e tyre dhe bukurinë e një hapësire të tillë. Porse, statuja e vendosur aty përshkruhej prej tyre si vlerë paqeje. Madje, ajo përshkruhej si moment i përshëndetjes së kundërshtarëve të dikurshëm. Por, mbetet të shihet kur Serbia do të përshëndet shtetin e pritshëm të Kosovës. Të rinjtë atje nuk karakterizohen me ndjenjat nacionaliste. Ata janë opozitë e Koshtunicës dhe liderëve të tipit të tillë. Ata në fakt, janë opozita e fuqishme që po vjen në Serbi.
Kosova më nuk i mobilizon ata, sikurse edhe një pjesë të madhe të shoqërisë serbe.
Botuar në "Zëri" më 08 nëntor 2006

Kush është profesori John McGarry?

Kush është profesori John McGarry?

John McGarry ka lindur në Belfast të Irlandës Veriore në vitin 1957 dhe është shkolluar në St. McNissi’s College (Garron Tower, County Antrim), Trinity College Dublin dhe në University of Western Ontario. Ai ishte profesor i Shkencave Politike në King’s College, University of Western Ontario (1989-98) dhe në University of Waterloo (1999-2002). Tash, McGarry është profesor i Studimeve Politike dhe udhëheqës i hulumtimeve mbi nacionalizmin dhe demokracinë në Queen’s University (Kingston, Ontario).
McGarry është botues i ‘Irlanda Veriore dhe Bota e Ndarë’ (2001); E ardhmja e Irlandës Veriore (1990), Politikat e Rregullimit të Konfliktit Etnik (1993), Shteti i Armëpushimit: Irlanda Veriore pas 25 vjetësh të luftës (1995) dhe bashkë-autor i ‘Politikat e Antagonizmit: Të kuptuarit e Irlandës Veriore (1993 dhe 1996); bashkë-autor me Brendan O’Leary i ‘Konflikti i Irlandës Veriore: Angazhimet konsociacionale’ (2004).
Për më tepër, ai ka shkruar shumë artikuj mbi rregullimin e konfliktit, veçanërisht mbi konsociacionalizmin, secensionin, autonominë territoriale dhe lëvizjet popullore të drejtuara nga shteti, në përmbledhje të ndryshme dhe revista si ‘Ethnic and Racial Studies’, ‘Nationalism and Ethnic Politics’, ‘Nations and Nationalism’, ‘Political Studies’, ‘Journal of Conflict Studies’ etj.
Fushat e tij të interesit përfishijnë konfliktet etnike, nacionalizmin, menaxhimin e konflikteve etnike, ndarjen e pushtetit (konsociacionalizmi), autonominë territoriale, globalizimin dhe nacionalizmin minoritar, politikat e Irlandës Veriore, nacionalizmin në Skoci dhe Uells, si dhe politikat në shoqëritë e ndara.
Në fakt, John McGarry radhitet si njëri prej studiuesve më të shquar të teorisë së konsociacionalizmit dhe është ekspert i studimeve mbi çështjen e Irlandës Veriore.

Intervistë ekskluzive me John McGarry, profesor në Queen’s University

John McGarry: Secesioni i serbëve të Kosovës është opsion i pamundshëm

“Katër shtyllat e konsociacionalizmit janë mirë të njohura: Serbët do të duhet të kenë afërsisht 10 për qind, ose eventualisht pakëz më shumë, të pozitave në ekzekutiv; Ata do të duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë proporcionale në tërë sektorin publik; Do të duhet po ashtu disa forma të autonomisë për serbët, në natyrë territoriale për ata serbë që janë të koncentruar në veri të Kosovës dhe jo-territoriale për serbët tjerë që janë të shpërndarë në tërë Kosovën; mundësisht, por jo domosdoshmërisht, veto të kufizuar mbi lloje të caktuara të legjislacionit për interesa speciale të serbëve, si për shembull të drejtat në arsim”

Intervistoi: Burim Ramadani

Nuk ka dilema se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, porse ajo duhet t’i bind serbët e Kosovës që ta pranojnë pavarësinë e saj, në mes tjerash duke krijuar institucione bashkëpunuese me Serbinë. Kosova mund të aplikojë në diçka të ngjashme me atë që ka aplikuar Irlanda Veriore për të arritur paqen e brendshme. Në të njëjtën kohë, duhet t’u jep serbëve të Kosovës ndarje të drejtë të pushtetit në ekzekutiv në mënyrë proporcionale bazuar në popullatën në vend, dhe po ashtu edhe në sektorin publik, përfshirë këtu edhe forcat e sigurisë.
Kështu ka thënë ndër të tjera John McGarry, studiues me famë botërore mbi politikat e rregullimit të konflikteve etnike dhe mekanizmat e funksionimit të shoqërive me ndarje të thella, gjatë një interviste për “Zërin”, të realizuar në formë të shkruar. Profesori i Studimeve Politike në ‘Queen’s University’ në Ontario të Kanadasë tha se në Marrëveshjen e Irlandës Veriore të vitit 1998, qeveria britanike krijoi institucione të cilat lejuan Irlandën Veriore të bashkëpunojë me Republikën e Irlandës. Kjo ishte për të kënaqur aspiratat e katolikëve (nacionalistëve) të Irlandës Veriore që të kenë lidhje me Republikën dhe kjo masë ishte jetike që të sjell paqen në Irlandës Veriore. Sipas tij, mundet që Kosova duhet të bëjë diçka të ngjashme. McGarry theksoi se kushti i vetëm i domosdoshëm për pushtet-ndarjen konsociacionale është liderët që kanë vullnet për të ndarë pushtetin dhe të cilët mund ta bëjnë këtë pa i larguar nga vetja mbështetësit e tyre.

Zëri: Ju keni analizuar shumë konflikte etnike të ndryshme në tërë botën. A mund të na thoni se cilat janë metodat që janë apo duhet përdorur nga shteti apo strukturat politike në rregullimin e konflikteve etnike dhe tejkalimin e përçarjeve etnike në shoqëri?

Konsociacionalizmi ndihmon ‘prerjen’ e argumenteve për ndarjen e Kosovës

McGarry: Të gjitha shoqëritë seriozisht të ndara kërkojnë institucione konsociacionale ose federale. Nuk ekziston alternativë tjetër demokratike, veçmas nga secesioni (shkëputja). Sipas pikëvështrimit tim, secesioni për serbët e Kosovës nuk është një opsion i pranueshëm.
Zëri: Teoria e konsociacionalizmit është fusha në të cilën ju punoni për disa vjet. Në fakt, cili qëllimi i kësaj teorie?
McGarry: Qëllimi i konsociacionalizmit është t’i jep secilit grup në shoqëritë seriozisht të ndara një ndarje të drejtë të pushtetit, kështu që këto grupe nuk janë të armiqësuara nga institucionet shtetërore.
Zëri: Kosova tash është në fund të procesit negociator mbi statusin e saj, të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari. Por, përçarja midis dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe serbëve, mbetet e thellë. Këtu janë rreth 90 për qind shqiptarë dhe rreth 10 për qind serbë. A mendoni se konsociacionalizmi është i domosdoshëm të aplikohet në Kosovë?
McGarry:
Zakonisht, një minoritet e vogël prej 10 për qind realisht nuk mund të insistojë në konsociacionalizëm. Sidoqoftë, kur ai minoritet është i koncentruar gjeografikisht dhe është i ndihmuar nga shteti-amë në fqinjësi, pozicioni i tij negociues është i forcuar. Si rezultat, unë mendoj se serbët e Kosovës do të kenë nevojë një ndarje të pushtetit. Dhënia e konsociacionalizmit gjithashtu do të ndihmojë në prerjen e ndonjë argumenti për ndarje (të Kosovës).
Zëri: Si mund të aplikohet konsociacionalizmi dhe në fakt çfarë masash politike duhet të aplikohen për t’u arritur një demokraci konsociacionale në Kosovë?
McGarry: Katër shtyllat e konsociacionalizmit janë mirë të njohura: I) Serbët do të duhet të kenë afërsisht 10 për qind, ose eventualisht pakëz më shumë, të pozitave në ekzekutiv; II) Ata do të duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë proporcionale në tërë sektorin publik – në legjislaturë, forcat e sigurisë, shërbimin publik etj.; III) Do të duhet po ashtu disa forma të autonomisë për serbët, në natyrë territoriale për ata serbë që janë të koncentruar në veri të Kosovës dhe në natyrë jo-territoriale për serbët tjerë që janë të shpërndarë në tërë Kosovën; IV) mundësisht, por jo domosdoshmërisht, veto të kufizuar mbi lloje të caktuara të legjislacionit për interesa speciale të serbëve, për shembull të drejtat në arsim.
Zëri: Serbët e Kosovës janë të orientuar kah qeveria e Serbisë, e cila ka disa struktura paralele shtetërore në Kosovë, dhe pohon që Kosova duhet të jetë pjesë e saj, derisa shqiptarët presin që statusi final të jetë pavarësia e Kosovës. Në fakt serbët e Kosovës nuk e njohin si qeveri të tyren qeverinë e Kosovës dhe nuk marrin pjesë në institucione. Si mund të tejkalohet kjo situatë dhe që serbët të njohin si të tyret institucionet e Kosovës?
McGarry:
Kjo është një çështje e vështirë, e cila do të jetë më lehtë për t’u zgjidhur kur Serbia dhe Kosova do të hyjnë në Bashkimin Evropian, por kjo nuk do të ndodh edhe për një kohë shumë të gjatë. Në Marrëveshjen e Irlandës Veriore të vitit 1998, qeveria britanike krijoi institucione të cilat lejuan Irlandën Veriore, që është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, të bashkëpunojë me Republikën e Irlandës. Kjo ishte për të kënaqur aspiratat e katolikëve (nacionalistëve) të Irlandës Veriore që të kenë lidhje me Republikën. Kjo masë ishte jetike që të sjell paqen në Irlandës Veriore. Mundet që Kosova duhet të bëjë diçka të ngjashme. Nuk ka dilemë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, por ajo duhet të që të përpiqet të krijojë institucione bashkëpunuese me Serbinë në interes të bindjes së serbëve të Kosovës që të pranojnë pavarësinë e saj.

Zëri: Në fakt, ndarja e pushtetit, një model i menaxhimit të konfliktit, është i sanksionuar në Kornizën Kushtetuesë të Kosovës dhe është aplikuar të paktën rreth tre vjet, kur koalicioni serb “Kthimi” (‘Povratak’) ka marrë pjesë në institucione. Por, që nga marsi i vitit 2004 serbët e Kosovës refuzojnë pjesëmarrjen edhe pse i kanë të rezervuara dhjetë ulëse në Parlament dhe dy ministri në Qeveri. Kështu që, kjo nuk ka funksionuar. Cila janë, të themi, parakushtet për aplikimin dhe funksionimin e parimeve konsociacionale?

Kushtetuta e re e Kosovës duhet të përfshijë parimet konsociacionale

McGarry: Kushti i vetëm i domosdoshëm për pushtet-ndarjen kosociacionale është liderët që kanë vullnet për të ndarë pushtetin dhe të cilët mund ta bëjnë këtë pa i larguar nga vetja mbështetësit e tyre. Liderët po ashtu duhet të merren vesh që shteti në të cilin ata ndajnë pushtetin është legjitim. Unë mendoj se shanset që serbët e Kosova ta shohin këtë si legjitime do të rriten nëse institucionet, siç janë ato që i përshkrova në pyetjet më më lartë (të pestën), do të merren parasysh.

Zëri: Ekziston një nismë për fillimin e draftimit të Kushtetutës së Kosovës. A duhet që parimet konsociacionale të përfshihen në këtë Kushtetutë dhe si duhet të bëhet kjo?
McGarry:
Po, definitivisht. Nëse mbrojtjet pushtet-ndarëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetuë, minoritetet do të jenë të brengosura se ato (mbrojtjet) do të mund t’i largohet shumë lehtë. Nuk jam aq i sigurt se se çka mendoni kur pyesni se ‘si duhet të bëhet kjo’. Garancitë munden thjesht të përfshihen në Nenet e Kushtetutës.
Zëri: Një nga karakteristikat e konsociacionalizmit është proporcionaliteti ose përfaqësimi i bazuar mbi popullatën. Nëse kjo aplikohet si e tillë në Kosovë, serbët e Kosovës do të kenë më pak ulëse në Parlament sesa që kanë tash (të paktën sot ë rezervuara). Cilat janë masat tjera që i ofrojnë këtij minoriteti sensin e të qenit të sigurt?
McGarry:
Keni të drejtë. Disa aranzhime konsociacionale mbi-përfaqësojnë minoritetet. Sidoqoftë, mbi këtë gjë duhet të kihet shumë kujdes këtu, meqë mbi-përfaqësimi mund thjesht të armiqësojë shumicën. Një nga arsyet pse aranzhimet konsociacionale të Qipros kanë dështuar në vitin 1963 ishte shkaku se turqit ishin në mënyrë radikale të mbi-përfaqësuar. Qipriotët grekë refuzuan këtë dhe ata vazhdojnë të bëjnë kështu, duke i dhënë kështu mënyrën kur ata votuan mbi planin e OKB-së mbi Qipron pas pak vjetësh.
Mënyrat tjera për t’i dhënë moniritetit një sens të sigurisë është përmes mënyrës së një vetoje të kufizuar dhe përmes mënyrës së institucioneve përtej-kufitare siç sugjerova në përgjigjjen time në pyetjen e pestë.

Zëri: Por, si mund të aplikohet një karakteristikë tjetër e konsociacionalizmit, vetoja reciproke. Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e këtij lloji të vetos?
McGarry: Përparësia është se minoriteti do të jetë i sigurt. E meta e saj është se shumica mund të armiqësohet. Po ashtu, ekziston një rrezik i lartë i bllokimit. Mbi-përdorimi i vetos së tyre nga qipriotët turq ishte një arsye tjetër pse marrëveshja e tyre konsociacionale ka dështuar.
Është larg mendsh se një minoriteti të vogël prej 10 për qindësh t’i jepet një veto e barabartë me shumicën prej 90 për qindësh. Më e mira që mund të pritet këtu është një veto e kufizuar për minoritetin, për shembull një veto e plotë permanente vetë mbi disa çështje të rëndësisë speciale për minoritetin siç është arsimi, kultura ose gjuha, ose një veto të kufizuar në kohë, suspensive, mbi një gamë më të gjerë të çështjeve.

Zëri: Çka sa i përket decentralizimit, cilat janë relacionet e tij me parimet e konsociacionalizmit? Procesi i decentralizimit në Kosovë është pjesë e procesit ndërkombëtar mbi statusin e Kosovës dhe pritet që ai të jetë një nga pjesët kryesore të propozimit të Ahtisarit mbi statusin.

Decentralizimi – pjesë vitale e konsociacionalizmit

McGarry: Po, decentralizimi është pjesë vitale e konsociacionalizmit. Disa observues mendojnë se konsociacionalizmi është i kufizuar në autonominë jo-territoriale, por kjo është e gabuar. Konsociacionalizmi po ashtu këshillon autonominë territoriale kur minoritetet etnike janë territorialisht të koncentruara.
Zëri: Por, si duhet të veprohet dhe çfarë sistemi elektoral duhet të zbatohet? Këtu kemi sistem elektoral proporcional me lista të mbyllura dhe një zonë elektorale. A duhet kjo të ndërrohet?
McGarry:
Ky është një sistem i drejt elektoral, i cili mund të ruhet. Alternativa tjetër është sistemi proporcional me zona të shumëfishta elektorale. Kjo do të kishte si përparësi sigurimin e përfaqësimit të serbëve madje edhe nëse ka një grumbullim të ulët në zonat serbe. Në anën tjetër, një zonë e vetme elektorale përbën një stimulin për serbët që të votojnë. Një sistem proporcional me shumë zona do të ishte po ashtu më pak proporcional se sa me një zonë të vetme.
Zëri: Sa gjatë duhet të zbatohet konsociacionalizmi? Si ndikon kjo në konsolidimin e një shoqërie vërtetë demokratike?
McGarry:
Pyetje e mirë. Mund të pohohet se konsociacionalizmi është një sistem më së miri i përshtatshëm në tranzicionin nga lufta në paqe, i cili mund të largohet pas tranzicionit. Sidoqoftë, nëse minoritet janë për të vendosur një marrëveshje konsociacionale, atyre duhet t’u ofrohet garanci se sistemi nuk do të ndërrohen në afat të afërt apo të mesëm.

Botuar në "Zëri" më 24 nëntor 2006

Demokracia konsociacionale e Kosovës

Kosova si Frankenstein

Demokracia konsociacionale e Kosovës

Vitet e ardhshme të funksionimit të shtetit të Kosovës do të jenë të karakterizuar pikërisht nga konsociacionalizmi. Vetë bisedimet e deritashme në Vjenë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje të quajtura si teknike kanë të bëjnë kryekëput me konsociacionalizëm, megjithëse kjo nuk është theksuar. Kushtetuta e shtetit të Kosovës do të sanksionojë vende të garantuara për serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe ato lokale, sikurse edhe në tërë sektorin publik, dhe parime tjera të tilla

Shkruan: Burim Ramadani

I
Për ata që kanë dëgjuar dhe lexuar rreth teorisë së konsociacionalizmit ose ndarjes së pushtetit midis grupeve të ndryshme në shoqëritë me ndarje serioze, intervista e botuar në “Zëri” me profesorin John McGarry sigurisht se zgjon interesim. Aq më shumë, kur Kosova po ballafaqohet me fundin e procesit negociues mbi statusin e saj final dhe me propozimet për gjetjen e mënyrës më të mirë të akomodimit të komunitetit serb në Kosovën e pavarur. Me një akomodim të tillë në mënyrë të duhur sigurisht se do të mund të arrihet tejkalimi i ndarjeve në shoqërinë tonë. Interesimi i këtij lloj lexuesi rritet sidomos për faktin se John McGarry sot është një prej studiuesve më të shquar botëror rreth kësaj teorie, sikurse edhe elementeve tjera të politikave për rregullimin e konflikteve etnike.
Por, si dhe mbi çfarë baze mund të arrihet stabiliteti politik në shoqëritë me ndarje serioze? Ekziston një teori në shkencën politike që sheh përgjigjen në këtë pyetje në ndarjen e pushtetit midis grupeve të ndryshme etnike. Kjo teori e ndarjes së pushtetit është quajtuar po ashtu si “teoria konsociacionale” (“consociational theory”). Termi ‘konsociacional’ është përdorur rrallë në gjuhën e përditshme, por është bërë me rëndësi si një term teknik në shkencën politike.

II
Nocioni i ‘demokracisë konsociacionale’ është sajuar dhe popullarizuar në fundin e viteve të 1960-ta nga shkencëtarët politikë Gerhard Lehmbruch (1967) dhe Arend Lijphart (1968) me qëllim të përshkrimit të sistemeve politike në Austri, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë, të cilat nuk reflektojnë plotësisht format më tradicionale të sundimit të shumicës. Ky term në fakt është hartuar në masë më të madhe nga politologu holandez Arend Lijphart për të shpjeguar mekanizmat e qëndrueshmërisë politike në shoqëritë me ndarje të thella shoqërore. Këto katër shtete devijuan nga norma demokratike evropiano-perëndimore në atë se popullatat e tyre ishin thellë të ndara në vija etnike, linguistike, kulturore, fetare dhe ideologjike. Në secilin rast, qasja konsociacionale e ndarjes së pushtetit u adaptua si një mënyrë për të shmangur polarizimin potencial dhe destabilizimin në implementimin e çiltër të sundimit të shumicës.
Konsociacionalizmi në Austri, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë ka shfaqur katër tipare të përbashkëta: së pari, pushteti ekzekutiv ishte ndarë përmes një koalicioni të madh të liderëve të të gjithë segmenteve domethënës të shoqërisë; së dyti, zyrat publike, emërimet e shërbimit civil dhe fondet publike u alokuan midis segmenteve të ndryshme në proporcion me shtrirjen (madhësinë) e tyre përkatëse mbi tërë popullatën; së treti, secili segment kishte mundësi që të ruante një nivel të autonomisë politike dhe kulturore; së fundmi, liderët e segmenteve të ndryshme ruajtën veton reciproke mbi vendimet që shiheshin prej tyre si diametralisht të kundërta me grupet e tyre përkatëse.

III
Vitet e ardhshme të funksionimit të shtetit të Kosovës do të jenë të karakterizuar pikërisht nga kjo teori, konsociacionalizmi. Vetë bisedimet e deritashme në Vjenë midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje të quajtura si teknike (hiq këtu bisedimet për ekonomi) kanë të bëjnë kryekëput me konsociacionalizëm, megjithëse kjo nuk është theksuar. Në formën e shtruar gjatë këtyre bisedimeve, përkatësisht gjatë këtij procesi, decentralizimi, të drejtat e komuniteteve, si dhe ruajtja e mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare janë pjesë e ndarjes së pushtetit midis komuniteteve të përçara në shoqërinë tonë kosovare. Pikërisht për këtë, edhe propozimet dhe vetë vendosja mbi statusin e Kosovës pritet të përmbajnë elemente të demokracisë konsociacionale. Pa dilemë, Kushtetuta e shtetit të Kosovës do të sanksionojë vende të garantuara për serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe ato lokale, sikurse edhe në tërë sektorin publik. Po ashtu, aty do të përfshihen edhe parime tjera të tilla.
Tek e fundit, problemet e jostabilitetit mund të tejkalohet përmes një sistemi të shpërblimit. Në një shtet konsociacional, të gjitha grupet janë të përfaqësuara në skenën politike dhe ekonomike. Konsociacionalizmi ka ndihmuar në arritjen e paqes dhe gjithëpërfshirjes gjatë tranzicionit drejt demokracisë edhe në Afrikë të Jugut e në shumë vende tjera. Atje, elitat kanë njohur potencialin për kolaps ekonomik dhe kanë reformuar sistemin. Porse, nuk do të thotë se Kosova duhet të sanksionojë konsociacionalizmin për një kohë tepër të gjatë.

IV
Gjithnjë e më shumë, konsocionalizmi është shikuar si sinomin i demokratizimit dhe shtet-ndërtimit në rastet e shoqërive të segmentuara. Duke pasur në mendje këtë, duhet të ketë precizitet në dallueshmërinë e koncepteve të “konsocicionalizmit”, “konsolidimit” dhe “demokratizimit”.
Konsociacionalizmi duhet të shihet si një fazë parapërgatitore për demokraci dhe konceptualisht të veçuar nga konsolidimi pasues i demokracisë. Konsolidimi, në anën tjetër, është faza e zhvillimit të traditës, ku sistemi demokratik, institucionet dhe vlerat bëhen pjesë e traditës politike lokale si një çështje e natyrale dhe si një fakt i jetës. Demokratizimi ose tranzicioni për në demokraci, pastaj bëhet proces përmes së cilit një shoqëri e caktuar lëviz nga faza parapërgatitore në një stad të konsolidimit demokratik; dhe gjatë këtij tranzicioni, elitat politike duhet të bëjnë zgjedhje të ‘rënda’ sa i përket adaptimit dhe implementimit të rregullave demokratike dhe reformave.
Këto dallime konceptuale e bëjnë të qartë se konsocionalizmi nuk siguron vetvetiu formulën për suksesin afat-gjatë demokratik dhe se ai duhet të ‘evolvojë’ me qëllim që të bëhet demokraci.

Botuar në "Zëri" më 24 nëntor 2006

Konceptet për dhe prej LDK-së

Kosova si Frankenstein

Konceptet për dhe prej LDK-së

Në këtë parti po ballafaqohen dy lloje grupesh të anëtarësisë: meritorët e funksionimit dhe përfituesit e funksionimit të partisë. Nëse mund të huazohet dhe përshtatet argumentimi i Max Weber-it, në LDK ballafaqohen njerëzit që jetojnë për politikën (lexo: partinë) dhe ata që jetojnë prej saj. Padyshim se në mesin të dyja grupeve mund të gjenden njerëz të cilët mund të klasifikohen si të dyanshëm

Shkruan: Burim Ramadani

I
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme të zgjedhjeve të brendshme të saj. Ekziston pajtueshmëria edhe për datat e mbajtjes së kuvendit qendror zgjedhor dhe për disa prej kritereve të propozuara. Kështu LDK-ja po hyn në fazën e zgjedhjes së kryetarit të dytë të saj. Por, me këtë nuk mbaron e tëra. Partia më e madhe në vend është duke u ballafaquar me një luftë mjaft të ashpër të brendshme politike. Dikush e quan legjitimim fraksionesh, dikush veprim klanesh, dikush fillimin e ndarjes së madhe të LDK-së e dikush në formën më të butë të mundshme në këtë moment, konkurrencë të fuqishme për lider. Sidoqoftë, ajo që po ndodh në LDK tash e dhjetë muaj nuk do të mbarojë me përfundimin e zgjedhjeve dhe legjitimimin e strukturave të reja të partisë. Kjo parti do të vazhdojë të përballet me konkurrencë të fuqishme edhe për një kohë relativisht të gjatë. Kjo konkurrencë dosido do të rishfaqet hapur në kohën e pas-statusit, përkatësisht në kohën e zgjedhjeve të reja të parlamentare dhe lokale.

II
Lufta e brendshme politike në LDK nuk ka motivet në dhjetë muajt e fundit. Kjo vetëm sa është sipërfaqësuar në këtë kohë, porse motivet shihen në një kohë më të largët. Në fakt, debatet e para patën filluar qysh në shtator të vitit të kaluar, porse ato nuk arritën të ngiten në nivelin e ndryshimeve të brendshme. Grupimet që tashmë janë të zyrtarizuara përkrah kandidatëve për kryetar të partisë nuk ka dilemë se nuk janë të rastësishme. Ato përfaqësojnë dy koncepte mjaft të kundërta funksionale brenda partisë. Thjesht, ato paraqesin dy sub-koncepte brenda konceptit të LDK-së. Në këtë parti po ballafaqohen dy lloje grupesh të anëtarësisë: meritorët e funksionimit dhe përfituesit e funksionimit të partisë. Nëse mund të huazohet dhe përshtatet argumentimi i Max Weber-it, në LDK ballafaqohen njerëzit që jetojnë për politikën (lexo: partinë) dhe ata që jetojnë prej saj. Padyshim se në mesin të dyja grupeve mund të gjenden njerëz të cilët mund të klasifikohen si të dyanshëm.
Meritorët e funksionimit të LDK-së janë ata që kanë punuar me vjet të tëra, të cilët kanë qenë të pazëshëm sa i përket nevojës për funksionimin e mirëfilltë demokratik të brendshëm, që kanë gëzuar dhe gëzojnë respekt të anëtarësisë së gjerë të partisë dhe qytetarëve tjerë vullnetmirë. Megjithatë, ky lloj anëtarësh nuk e kanë parë veten të akomoduar në mënyrën e duhur. Edhe vetë presidenti i tashëm i vendit dhe kandidati kryesor për kreun e partisë, Fatmir Sejdiu, në një kohë tjetër ka qenë mjaft larg vendimmarrjes së partisë, megjithëse është zyrtar që ka njohur dhe është njohur personalisht nga numri më i madh i aktivistëve në terren. Thjesht, postet zyrtare të meritorëve të funksionimit të LDK-së kanë qenë jorelevante në raport me vendimmarrjen.
Përfituesit real të funksionimit të partisë janë në anën tjetër. Të prirë nga ish-kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, shumë prej mbështetësve të tyre jetojnë prej politikës. Vetë Daci nuk njihet për aktivitetin e tij të brendshëm partiak. Madje, këta nuk e kanë një element që është mjaft i rëndësishëm në politikë: njerëzit duhet të të njohin dhe duhet t’i njohësh ata personalisht. Megjithatë, shumë prej tyre gjithnjë kanë qenë më afër vendimmarrjes partiake, sidomos në vitet e fundit. Megjithatë, në këtë grup ka përjashtime dhe Adem Salihaj është njëri prej tyre që i takon të dy grupimeve.

III
Porse, fundi i procesit zgjedhor, përkatësisht zgjedhja e kryetarit dhe organeve të reja drejtuese nuk mbaron luftën e brendshme. Kjo luftë në fakt do të mund të ketë konsekuencat dhe vazhdimësinë e saj. Numri i anëtarëve që dy grupimet do të fitojnë në Këshillin e Përgjithshëm dhe vetë Kryesinë qendrore do të jetë në masë të madhe përcaktues për kualifikimin e asaj që quhet fitore e garës. Ministrat, deputetët, renditja në lista për zgjedhje parlamentare dhe lokale, drejtorët e agjencive dhe anëtarët e bordeve të ndryshme do të jenë vështirë të përcaktohen nga kjo parti pa koordinimin e dy grupimeve. Nga zhvillimet e deritashme, duket se LDK-ja po hyn në këtë ‘valle’. Mbështetja që kanë të dy grupimet, në nivelin më të ulët sillet rreth 30 për qindëshit të votave potenciale. Kjo madje mund të përafrohet në dy organet drejtuese të partisë, duke e sjell kështu si të kryer situatën e tillë të pas-zgjedhjeve.
Në rast të kundërt, nëse fitorja e njërit grupim është shumë e thellë dhe grupi tjetër do të mbetet me më pak se një e pesta e votave të kuvendit qendror, atëherë sigurisht se do të jemi dëshmitarë të një situate tjetër, asaj të largimit të disa individëve nga partia.

IV
Ajo që po ndodh në LDK sot, besohet në masë të madhe se do të ndodh edhe në partitë tjera. Kjo madje mund të tejkalojë kufijtë e konkurrencës dhe luftës së brendshme politike të LDK-së. Ndoshta, këtë parti e ka ‘shpëtuar’ nga çarja shumë e madhe vetë faza e procesit të statusit final të Kosovës. Përndryshe, ‘virusi’ i LDK-së do të kap me siguri edhe partinë më të madhe opozitare në vend, Partinë Demokratike të Kosovës të Hashim Thaçit. Nuk ka dyshim se pakënaqësia e një pjese të anëtarësisë së kësaj partie është duke u rritur tërë kohën, ndërkaq çështja e prezantimit të partisë së tyre ka filluar të shpërndahet. Kjo sidomos vërehet pak kohë pasi Fatmir Limaj i është kthyer partisë dhe është zgjedhur në postin e nënkryetarit politik, që është i nivelit të nënkryetarit të parë nëse bëhet krahasim postesh me organizimin e LDK-së. Sfida e PDK-së do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe lokale të pas-statusit. Mund të ndodh që kjo parti të ketë një kuvend qendror të jashtëzakonshëm dhe rezultatet e zgjedhjeve do të jenë përcaktuese rreth kësaj.
Botuar në "Zëri" më 20 nëntor 2006

Perëndimi dhe Islami – harmonitë e përkohshme në përplasjen afatgjate

9/11 - pesë vjet më pas

Perëndimi dhe Islami –harmonitë e përkohshme në përplasjen afatgjate

Është gabim të konsiderohet se veprimet ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit tashmë pas 9/11 janë drejtuar kundër shteteve/vendeve dhe/ose besimtarëve të islamit. Veprimet e tilla duhet parë nën dritën e një luftë të qartë kundër një ‘filozofie’ të domosdoshmërisë së akteve terroriste si mjet për “nxjerrjen e fytyrës së islamit të vërtetë”, duke goditur, siç shprehen udhëheqësit e këtyre organizatave, “të pafetë që duan të pushtojnë tokat e Allah-ut”

Shkruan: Burim Ramadani

Pesë vjet më parë, ngjarja e tmerrshme terroriste që ndodhi në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa dyshim se ka rritur mbështetjen për konceptin e përplasjes së civilizimeve, që është dhënë të paktën dhjetë vjet më parë, sikurse edhe ka vënë në pikëpyetje ose zbehur argumentet e kundërshtarëve të tij. Domosdoshmërisht, sulmet terroriste në Kullat Binjake në New York, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën rreth tre mijë njerëz, kanë hapur një fazë të re, fatkeqësisht edhe më negative, të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Islamit, përkatësisht Krishtërimit dhe vendeve islamike apo njerëzve që Islamin e përjetojnë si burim për luftimin e të ‘pafeve’.
Në librin e tij famoz, “Përplasja e civilizimeve” Samuel Huntingtoni rreth 10 vjet më parë ka parashikuar rritjen e konfliktit midis civilizimeve, në mënyrë të theksuar midis Perëndimit dhe Islamit. Megjithatë, studiues të tjerë thonë se ky koncept së pari është dhënë nga një studiues tjetër, një islamolog i njohur britanik, Bernard Lewis. Sidoqoftë, koncepti i përplasjes së civilizimeve tashmë disa vjet të paktën praktikisht është përcjellë dhe/ose mbështjellë me luftën kundër terrorizmit, e cila ka marrë hov pikërisht pas ngjarjes së pesë vjetëve më parë.
Sulmet terroriste në New York patjetër se merituan të ndëshkoheshin, më saktësisht kjo duhej drejtuar kundër atyre që morën përsipër këto sulme. Organizata më e njohur terroriste në botën e sotme “Al-Qaeda”, si dhe udhëheqësi i saj Osama Bin Laden, sigurisht se bën pjesë në grupin e njerëzve fundamentalistë ekstrem, të cilët përçojnë idetë e luftimit të ‘të pafeve’, sikurse njihen në Islam njerëzit me përkatësi të tjera fetare dhe ateistet.
Megjithatë, është gabim të konsiderohet se veprimet ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit tashmë pas 9/11 janë drejtuar kundër shteteve/vendeve dhe/ose besimtarëve të islamit. Veprimet e tilla duhet parë nën dritën e një luftë të qartë kundër një ‘filozofie’ të domosdoshmërisë së akteve terroriste si mjet për ‘nxjerrjen e fytyrës së islamit të vërtetë’, duke goditur, siç shprehen udhëheqësit e këtyre organizatave, ‘të pafetë që duan të pushtojnë tokat e Allah-ut”.
Madje, lidershipi i disa prej vendeve më të fuqishme islamike kryesisht në Lindje të Mesme do të duhej të ishin bashkëpunëtorë të afërt me Perëndimin në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve. Ata do të duhej të zgjidhnin rrugën e mirë për shpëtimin e jetëve të njerëzve që udhëheqin, sikurse edhe t’u kthejnë atyre dinjitetin personal në nivel me atë të qytetarëve aktivë të Perëndimit.
Sidoqoftë, ajo që është fakt historik dhe që vazhdon të ekzistojë edhe sot (disa e thonë se do të ekzistojë edhe për shumë kohë më pas) është ekzistenca e kundërshtive herë-herë të thella midis pjesëtarëve të dy prej feve më të mëdha monoteiste në botë, krishterimit dhe islamit. Sikurse dihet, tek të dy këto besime, e po ashtu edhe në judaizëm, ekziston një debat i gjerë i brendshëm për mënyrën e trajtimit të tyre dhe vendin që ato duhet të zënë në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe ushtarake të shteteve dhe njerëzve në përgjithësi. Siç thotë edhe Karen Armstrong në librin e saj “Beteja për Zotin: Fundamentalizmi në Judaizëm, Krishtërim dhe Islam” (origjinal: The Battle for God: Fundamentalism in Judaism, Christianity and Islam), të tria këto besime po kalojnë në një periudhë të debatit intensiv të brendshëm midis fundamentalistëve dhe të moderuarve.
Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta. Apo, siç Bernard Lewis e përshkruan debatin e një kohe më të gjatë pothuaj një shekulli të vendeve islamike, rreth asaj se ku është gabuar në tërë historinë e mbizotërimit të Islamit mbi ‘të pafetë’ dhe ngritjen e këtyre të fundit mbi shtetet/vendet islamike (Shih: librin e tij What Went Wrong?). Kjo ngritje, megjithatë, sipas autorëve të ndryshëm ka filluar prej shekullit të tetëmbëdhjetë dhe është rritur edhe më shumë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, derisa shekulli njëzet e fillimshekulli i njëzetenjë vetëm ka vulosur përparësitë e Krishtërimit (lexo: vendeve të krishtera) ndaj vendeve islamike.
Përplasja midis këtyre dy qytetërimeve ekziston, sepse ka ekzistuar për mbi një mijë vjet. Por, megjithatë, midis tyre ka pasur edhe periudha të larta të harmonisë, sintetizimit kulturor dhe ndërveprimit të ideve. Një shembull që islamologu dhe profesori i të drejtës ndërkombëtare Akbar Ahmed, në librin e tij ‘Pas terrorit: Promovimi i dialogut midis civilizimeve’ (origjinali - After Terror: Promoting Dialogue among Civilizations), jep për këtë tezë, është fakti se një korpus i tërë i mendimtarëve të vjet grekë, sikurse edhe filozofët e mëdhenj Platoni dhe Aristoteli, patën mbetur të panjohur dhe të harruar derisa myslimanët i përkthyen ata në kohën e Spanjës myslimane, që mundësoi evropianët t’i përkthejnë më pas ato nga gjuha arabe në atë latine dhe nga kjo e fundit në gjuhën frënge dhe atë angleze. Për shekuj të tërë, para rreth një mijë vjetësh, procesi i rizbulimit të grekëve në Evropë ka ardhur përmes myslimanëve.
Megjithatë, është fakt se pas 11 shtatorit 2001, e djathta në SHBA dhe mediat kanë popullarizuar tezën e Huntington-it dhe tashmë në tërë botën njerëzit flasin rreth përplasjes së civilizimeve. Sidoqoftë, Kosova dhe liderët e saj janë përcaktuar qartë mbi këtë çështje. Kosova duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie, besimi, race apo të tjera, ndërkaq orientimi i saj i qartë është rruga drejt procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike.
Botuar në "Zëri" më 11 shtator 2006