Thursday, December 28, 2006

Filloni me ‘akademikët’, përfundoni për akademikët

Memo për rektorin e ri të UP-së

Filloni me ‘akademikët’, përfundoni për akademikët

Ose: Nuk duhet habitur pse profesorë të universitetit janë në atë nivel sa që brenda vetëm 25 fjalive të shkurtra të bëjnë 38 gabime elementare në gjuhën shqipe dhe as pse pretendojnë se Joshua S. Goldstein apo Giovanni Sartori mbetet nën nivelin e njohurive të tyre

Burim Ramadani

Nëse mund të thuhet se një kaptinë e tërë e mjegullisë legale apo edhe e legjitimitetit në Universitetin e Prishtinës është mbyllur me zgjedhjen e rektorit të ri, para këtij të fundit ka mbetur po ajo mjegulli funksionale dhe përmbajtësore që ka pasur universiteti publik deri më tash. Rektori i ri, zgjedhja e të cilit ka plotësuar dhe respektuar rregullat legale, sigurisht se do të ketë punë të mëdha përpara vetes nëse do që të arrijë t’i kthejë këtij universiteti vlerën që së paku përafërsisht duhet ta ketë, në mënyrë që edhe vetë të përfitonte legjitimitetin e liderit të duhur dhe të suksesshëm.
Rektori tashmë duhet të vendos (nëse nuk ka vendosur ende) se cilën qasje të veprimit dhe punës së tij do ta përvetësojë. Pra, nëse do të fillojë aksionet nga lartë-poshtë, apo nga poshtë-lartë. Apo thënë më mirë, nëse do të fillojë të godet në kokë apo në gishta të këmbëve. Do t’i preferoja qasjen e parë, sepse pikërisht kjo ka munguar apo thënë më mirë pothuaj nuk ka ekzistuar fare në këtë universitet që është lodhur me një situatë çfarë ka mbizotëruar deri më tash.
Se çfarë duhet bërë nuk është gjithaq e pakuptueshme dhe e pakapshme. Të fillohet me stafin akademik, me një vlerësim të përgjithshëm të tyre, të njohurive, punës, veprës, rezonimit, aftësive dhe mënyrës së tyre të komunikimit. Kjo duhet përfshirë pa kurrfarë dallimi sikurse ata që janë shkolluar vetëm në Prishtinë, po ashtu edhe ata që janë shkolluar në universitetet e jashtme.
Rektori dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të duhej të habiteshin nëse do të shënonin 38 gabime elementare në gjuhën shqipe brenda vetëm 25 fjalive shumë të shkurtra të një profesori të ri, të shkolluar jashtë dhe me ambicie për t’u pushtetizuar brenda universitetit. Kjo është skandaloze, porse aspak nuk do të duhej të ishte e habitshme duke ditur nivelin që ka brenda ‘shtëpisë’ së tij. Sigurisht se rektori nuk pretendon se ligjërues të tillë nuk ka në universitetin që ka marrë ai përsipër ta udhëheq.
E habitshme do të ishte sikurse ligjërues të tillë do të fuqizoheshin, të merrnin lëvdata, të merrnin detyra shtesë brenda UP-së, me çka do të ndikonte tek ta të vazhdonin pa përmirësim punën me gabime të shumta që kanë bërë deri më tash.
Rektori dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të duhej të habiteshin nëse do të shënonin se një ligjërues i UP-së në asnjë mënyrë nuk pranon të ketë bërë as gabimin më të vogël në vlerësimet e qëndrimet e tija. Nuk do të duhej të habiteshin edhe nëse ligjëruesi në UP mendon se di më shumë se Joshua S. Goldstein edhe se ky i fundit nuk ka njohuri më shumë se ai për Aktin Final të Helsinkit. Nuk do të duhej të habiteshin as, në rastin tjetër, kur ligjëruesi që flet rreth demokracisë thotë se nuk ia vlen as të debatohet për tezat e Giovanni Sartori-t rreth saj.
Në rastin e kundërt, kjo do të nënkuptonte nevojën e bërjes së një ftese drejtuar Goldstein-it për t’i ndjekur disa ligjërata intensive të paktën tri-javëshe në UP për të kuptuar më mirë dokumentet e caktuara, apo që plaku Sartori të mund të shkonte vetëm në bufe të Fakulteteve e jo të nderonte e të nderohej nga UP-ja nëse rastësisht do të kapërcente kah Prishtina.
Mirëpo, kjo nuk është e tëra dhe nuk duhet as pretenduar se rastet e këtilla në UP janë me numër një-shifror. Rektori dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të duhej të habiteshin nëse do të shënonin se ligjërues të tillë janë shkolluar në universitetet e jashtme të një klase më të lartë se vetë UP-ja. Rektori mund dhe duhet ta merr me mend se cila është forma e tyre e komunikimit, e transmetimit të njohurive, përvojave apo thjesht dijes që kanë përfituar. Ajo me dy fjalë është absurde dhe skandaloze.

P.S

Rektor i dashur, ky do të duhej të jetë caku apo koka ku duhet goditur. Mbetet të vendoset nëse UP-ja do të vazhdojë të prodhojë njerëz të diplomuar apo të nxjerrë studiues.
Botuar në "Zëri" më 3 korrik 2006, fq. 12

Mbiemri i pavarësisë

Vështrim

Mbiemri i pavarësisë

Ne duhet dhe duam të ndërtojmë një shtet funksional, një shtet të të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi të mundshëm. Në bazë të këtij synimi, sigurisht se na duhet mbështetja, përvoja dhe ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare dhe si rrjedhojë duhet të marrim në konsiderim mundësinë e dhënies së një mbiemri statusit politik të vendit tonë

Shkruan: Burim Ramadani


I
Procesi i bisedimeve për statusin e ardhshëm politik të Kosovës, me përmasat e përgatitjeve fillestare të bashkësisë ndërkombëtare, nuk vë në dyshim faktin se brenda një kohe relativisht të shkurtër do të jep rezultat. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për mëse gjashtë vjet për momentin e tashëm. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar tashmë faktikisht ka pranuar nevojën e tejkalimit të situatës së deritashme. Kjo situatë e pasluftës, me pak fjalë, do të përshkruhej si një kohë e lodhshme, e vështirë, e paksuksessshme, burokratike dhe e tensionit për të gjitha palët.
Megjithë diskutimet e shumta dhe shpeshherë përmbajtësore, deri më tash vërehen tri pozicione. Vullneti dhe pozicioni i qytetarëve të Kosovës për pavarësi të vendit është i qartë dhe i pamohueshëm. Pozicioni i Serbisë është mbetja e Kosovës nën sovranitetin e Unionit Serbi-Mali i Zi. Ndërkaq, vullneti i bashkësisë ndërkombëtare mbetet në përputhje të plotë me të qenit palë e tretë – kompromisi. Në një llogaritje të thjeshtë e të cektë, barazimi i këtij ekuacioni del pavarësia me një ose disa ‘mbiemra’.

II
Mbiemri i pavarësisë së Kosovës do të mund të përcaktohet në bazë të shumë e shumë premisave, si dhe të vetë procesit të bisedimeve për statusin. Deri tash, pavarësisë sonë të ardhshme i janë dhënë mbiemrat – e kushtëzuar, me kusht, pa sovranitet, nën mbikëqyrje. Mirëpo, asnjëri prej këtyre koncepteve nuk është shtjelluar në mënyrë të saktë dhe të gjerë për përmbajtjen dhe mundësinë e funksionalitetit. Ne duhet dhe duam të ndërtojmë një shtet funksional, një shtet të të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi të mundshëm. Në bazë të këtij synimi, sigurisht se na duhet mbështetja, përvoja dhe ndihma konkrete e bashkësisë ndërkombëtare dhe si rrjedhojë duhet të marrim në konsiderim mundësinë e dhënies së një mbiemri statusit politik të vendit tonë.
E para dhe e vetmja prapashtesë që do të mund të korporohej pa ndonjë vështirësi proces-penguese në pavarësinë tonë është “pavarësia e kushtëzuar”. Por, çfarë forme duhet të ketë kjo në praktikë? Assesi nuk duhet lejuar dhe pranuar që pavarësia e kushtëzuar të kuptohet si pavarësi me kusht. Ky do të ishte interpretimi më i ngutshëm dhe më banal i një statusi të tillë të përkohshëm, pas pavarësisë së vendit. Debati duhet koncentruar në mundësitë e implementimit të një pavarësie të kushtëzuar dhe në mundësitë e funksionalitetit të saj.

III
Janë dy aspekt të cilat duhet shtjelluar për këtë koncept – aspekti ndërkombëtar (që duket të ketë rëndësi të madhe për ne) dhe ai i brendshëm.
Në aspektin ndërkombëtar, pavarësia e kushtëzuar e Kosovës nuk duhet të vë në dyshim karrigen e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ajo nuk duhet të vë në dyshim aftësinë e Kosovës për të krijuar marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet tjera të rajonit e botës si palë e barabartë. Po ashtu, pavarësia e kushtëzuar nuk duhet të vë në dyshim aftësitë e Kosovës për marrëdhënie ekonomike e tregtare me shtetet tjera. Doemos, këtu duhet të futen edhe marrëdhëniet e aspekteve tjera, si ato të fushës së kulturës, sporteve, arteve deri tek fushat humanitare. Kosova, po ashtu, duhet të ketë aftësi të merr obligimet e veta për të gjitha aktet juridike e politike ndërkombëtare.
Në aspektin e brendshëm, pavarësia e kushtëzuar assesi nuk duhet të vë në dyshim formimin e ushtrisë së vendit, policisë kompetencëplote, shërbimit inteligjent dhe mekanizmave të mbrojtjes së përgjithshme. Ky mbiemër i pavarësisë nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e institucioneve vendore, qofshin ato qendrore apo lokale. Kjo lloj pavarësie nuk do të duhet të ndikojë në krijimin e raporteve të mira të ndërsjella mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përkundrazi, kjo do të mund të nxiste edhe më tutje - qoftë sipas vullnetit, qoftë sipas obligimeve – respektimin e të Drejtave të Njeriut dhe integrimin e brendshëm të të gjitha komuniteteve. Po ashtu, institucionet e Kosovës duhet të jenë kompetencëplote në luftën ndaj korrupsionit (brenda dhe jasht tyre) e krimit të organizuar. Kosova me pavarësi të kushtëzuar doemos duhet të ketë kompetenca të plota në sistemin e saj të drejtësisë.

IV
Pavarësia e kushtëzuar do të duhet të ketë një element shumë të rëndësishëm për funksionalitetit e saj – praninë ushtarake dhe civile të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo do të duhej të realizohej në përgjegjësi të organizatave rajonale, siç janë Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe OSBE-ja. Derisa prania ushtarake do të mund shihej në mënyrë direkte si kërkesë e qartë e qytetarëve të Kosovës, prania dhe funksionimi i BE-së dhe OSBE-së është e pamohueshme se do të ketë rol të madh dhe vital në organizimin, funksionalitetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të gjitha aspektet.
Prania e BE-së nuk do të kushtëzojë institucionet e vendit në shtrirjen e tyre në territorin e Kosovës. Por, kjo do të mund të sqarojë prapashtesën “e kushtëzuar” në mënyrën më të mirë në raport me minoritetet, veçanërisht me serbët e Kosovës. Kompetencat e BE-së, që në fakt është konsekuenca direkte e prapashtesës “e kushtëzuar”, duhet të mbulojnë në mënyrë të plotë marrëdhëniet mes komuniteteve në Kosovë. BE-ja në këtë fushë duhet të ketë rolin kryesor, qoftë financues, garantues apo edhe monitorues.
Thënë shkurtazi, nuk duhet të shmangim konsiderimin e një mbiemri të tillë të pavarësisë sonë. Ekzaktësisht, nëse kjo do të funksionojë, atëherë pse të mos e kuptojmë si ndihmë për ne dhe institucionet tona. Ndërsa, sa i përket minoritetit serb vlen të thuhet se secili komunitet në rajon do të ishte i kënaqur me faktin se BE-ja do të kujdeset për të drejtat e tyre.

Botuar në "Zëri" më 7 nëntor 2005, fq. 10

Friday, December 22, 2006

Kryeministri që humbi besimin e partisë së tij

Portret i kryeministrit të deritashëm, Bajram Kosumi

Kryeministri që humbi besimin e partisë së tij

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për më pak se një vit, prej se ka marrë detyrën në postin kryesor ekzekutiv të vendit. Por, ai nuk arriti të bind partinë të cilës i takon se ka fuqinë, aftësinë dhe angazhimin për të qenë ‘kryeministër i pavarësisë’ së Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

As vetë nuk e ka menduar se karriera e tij politike do të mund të lakohej e të përballej me ndryshime kaq të mëdha brenda një kohe relativisht të shkurtër. Numri dy i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për më pak se një vit, prej se ka marrë detyrën në postin kryesor ekzekutiv të vendit, kur paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj, ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës. Por, ai nuk arriti të bind partinë të cilës i takon se ka fuqinë, aftësinë dhe angazhimin për të qenë ‘kryeministër i pavarësisë’ së Kosovës. Disa muaj para përmbylljes së procesit të definimit të statusit të Kosovës, Bajram Kosumi nga Tugjeci i Dardanës ka dhënë dje dorëheqje nga detyra e shefit të Ekzekutivit, pas kërkesës së bërë nga vetë AAK-ja.

Dy ditë pat menduar për të pranuar detyrën e kryeministrit

E kishte marrë detyrën me propozimin direkt të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ndërsa sipas burimeve të gazetës, ai nuk ka qenë i preferuar në atë kohë nga kryetari i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Më 8 mars të vitit 2005, ish-kryeministri Haradinaj gjatë paraqitjes së tij publike për të lajmëruar dorëheqjen nga ai post për shkak të ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës, pat propozuar që në vend të tij të zgjedhet Bajram Kosumi, nënkryetar i AAK-së dhe atë kohë ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në një intervistë dhënë në maj të vitit 2005 për një revistë në Kosovë, Kosumi pat deklaruar se momenti kur është nominuar për të udhëhequr qeverinë ka qenë shumë i vështirë.
“Jam nominuar në rrethana të vështira. Në të njëjtin moment kam marrë dy informata: e para ishte aktakuza ndaj Ramushit, ndërsa tjetra nominimi për kryeministër. Ka qenë vërtetë moment i vështirë. Ramushin, përveç kryeministër dhe kryetar të partisë sime, e kisha mik privat dhe familjar. Andaj, në ato çaste kam ndier dhimbje. As që kam menduar për nominimin tim. Kam menduar se çfarë mund të bëjmë ne që kjo punë të ec sa më mirë, që të ruhet qetësia në Kosovë. Duke e përcjell Ramushin, i kam thënë: “Unë ende nuk kam thënë as po e as jo për kryeministër”. Pastaj kam menduar dy ditë rresht, deri në momentin kur kam vendosur”, pat thënë Kosumi.
Ndërkohë, më 23 mars të vitit të kaluar, Kosumi është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës për kryeministër të ri të vendit, duke trashëguar pothuaj komplet përbërjen e qeverisë që kishte udhëhequr Haradinaj. Ai, më pas, ka bërë disa ndryshime në kabinetin e tij, duke lënë kështu një numër të vogël të këshilltarëve që kishte trashëguar nga paraardhësi i tij.
Mirëpo, dinamika e qeverisë së udhëhequr nga Kosumi kishte rënë dukshëm në krahasim me atë të Haradinajt. Edhe ai vetë, në një intervistë në maj 2005, kishte thënë se miqtë e tij e shohin si dembel. “Zakonisht miqtë e mi thonë se jam pak dembel, se përtoj të punoj etj. Është e vërtetë se u kam ikur takimeve, se nuk kam pasur shumë dëshirë të kem takime të shpeshta. Mirëpo, tash po e vërej se ky post është sfidues. Tërë ditën punoj dhe ndodh që t’i kem 15 takime. Më tepër se 12 orë pandërprerë në takime, në lëvizje, andaj vetëm në shtëpi kam kohë të vërej se saj jam lodhur”, pat thënë ai.
Sidoqoftë, angazhimi i filluar nga paraardhësi i tij, sidomos, në implementimin e standardeve kishte pësuar rënie, deri edhe në vlerësim mjaft kritik teknik dhe politik nga UNMIK-u dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti.

Popullariteti në rënie

Ndërkohë, raporte të mediave kanë vënë në spikamë një lloj brishtësie në udhëheqjen e qeverisë së vendit, derisa edhe hulumtime të ndryshme të opinionit publik kishin dhënë rezultate zhgënjyese sa i përket popullaritetit të tij, përkatësisht kishin vërejtur një rënie mjaft të madhe të popullaritetit të tij. I pari, prej njerëzve të afërm të tij, që kishte drejtuar akuza të rënda drejt tij dhe disa këshilltarëve të afërt të kryeministrit, ishte zëdhënësi i tij, Daut Dauti, kur më 8 shtator kishte dhënë dorëheqje nga detyra e tij.
Kjo dorëheqje dhe akuzë kishte pasuar pas një skandali të publikuar në mediat kosovare për udhëtimin e shtrenjtë të Kosumit nga Turqia pas pushimit të tij veror. Kosumi pat deklaruar një ditë më vonë se avionin special për t’u kthyer në Prishtinë, që llogaritej të ketë kushtuar rreth 25 mijë euro, ia kishin paguar miqtë e tij, ndërkaq në ditën vijuese kishte bërë të ditur se në fakt bëhej fjalë vetëm për një mik, ministrin e Energjetikës dhe Minierave, Ethem Çekun.
Në anën tjetër, Kosumi si kryeministër është sfiduar edhe nga partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës. Disa anëtarë të qeverisë së tij, përfshirë këtu edhe zëvendësin e tij Adem Salihajn, ishin akuzuar përmes një dosjeje që PDK-ja i kishte dërguar UNMIK-ut për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Megjithatë, Kosumi nuk kishte bërë asnjë ndryshim në qeverinë e tij dhe pat deklaruar se drejtësia duhet të thotë fjalën e vet për këtë.
Mirëpo, Kosumi ka pasur probleme në formulimin e politikave dhe qëndrimeve të qeverisë edhe për faktin se rrjedh prej një partie shumë më të vogël se sa partneri kryesor në koalicion LDK-ja. Gjatë një interviste të paradokohshme për “Zërin”, Kosumi pat deklaruar se për një kryeministër që vjen nga një parti që nuk e ka si e vetme shumicën në Kuvend, gjithmonë është vështirë dhe gjithnjë kërkon një mund më shumë, një angazhim më shumë për t’i harmonizuar qëndrimet në çështjet themelore të organizimeve dhe proceseve. “Edhe për mua do të thotë është njësoj, më është dashur një angazhim i madh për të arritur harmonizimin e qëndrimeve me partnerët tanë në koalicion”, pat thënë ai.
Megjithatë, Kosumi nuk ka paraqitur asnjëherë raport në Kuvend për punën e Qeverisë së udhëhequr prej tij. Raporti i punës së 100 ditëshit të parë, ndonëse ishte paralajmëruar të paraqitej nga vetë Kosumi në Kuvend, është publikuar vetëm në letër rreth 50 ditë më vonë.
Kosumi, ndërkohë, është ftuar nga kryetari i ndjerë, Ibrahim Rugova, të jetë pjesë e Ekipit Negociator të Kosovës për bisedimet rreth statusit të ardhshëm të vendit dhe ka qenë pjesëtar i delegacionit deri dje. Por, Kosumi ka qenë edhe më parë i angazhuar në momentet e rëndësishme të historisë së Kosovës.

Angazhim qysh prej vitit 1981

Në vitin 1981 Bajram Kosumi ka qenë një ndër organizatorët e demonstratave të studentëve, që patën filluar më 11 mars. Si student i vitit të tretë në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filologjik, Kosumi, që shokët e kanë thirrur Lami, ishte arrestuar më 26 mars të vitit 1981, për t’u dënuar më pas me 15 vjet burgim. Ai është liruar nga burgu më 28 nëntor të vitit 1991, pasi kishte vuajtur 9 vjet e dy muaj burg, kryesisht në Beograd. Më pas, Kosumi kishte vazhduar të merret aktivisht me politikë, duke punuar si gazetar në të përjavshmen “Zëri” dhe më pas në Partinë Parlamentare të Kosovës (PPK), parti kjo që ka funksionuar deri në vitin 2000, kur është bashkuar me disa parti tjera për ta formuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Kosumi, në ndërkohë, pak kohë para dhe gjatë luftës, kishte bashkuar partinë e tij me atë të akademikut Rexhep Qosja, në Lidhja e Bashkuar Demokratike (LBD). Si nënkryetar i kësaj partie, që është shuar pas zgjedhjeve të para lokale të vitit 2000, Kosumi ishte anëtar i delegacionit kosovar në bisedimet që janë mbajtur në Rambuje të Francës, në shkurt-mars 1999.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, Bajram Kosumi është emëruar ministër i Informimit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, të udhëhequr nga tashmë lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.
Kryeministri që dha dorëheqje dje, pat thënë më parë se analizat që janë bërë rreth tij kanë paraparë të ardhme të madhe politike. “Disa analiza që janë bërë, para dhe pas luftës, kanë prognozuar për mua të ardhme edhe më të madhe politike. E kam fjalën për një analizë që e ka bërë ICG, 7-8 muaj pas luftës. Në analizë është thënë se kryetari potencial, i ardhshëm i Kosovës, është Bajram Kosumi”, pat thënë në një intervistë të mëhershme. Kurse, ai pat përzgjedhur cilësime të tilla për figurën e tij për t’u lënë vend në kopertinën e librit të fundit “Koncept për mendimin e ri politik”.
Megjithatë, ai kishte thënë në po të njëjtën intervistë se nuk i pëlqen politika.
“Sinqerisht, politika nuk më pëlqen shumë. Më herët aktivitetin tim nuk e kam cilësuar politik, por patriotik. Pas luftës fillon politika e vërtetë. Politika është mision fisnik. Nuk është e vërtetë se politika është e keqe, e poshtër etj. Mund të ketë politikanë të këqij dhe politikanë të mirë. Politika si mision e ka udhëheqjen e një populli, të një shteti ose të një procesi. Ky është mision humanitar, sepse e ndihmon një proces që të ec më lehtë në rrugën e tij. Në këtë aspekt unë e çmoj politikën. Por, ajo që e bën politikën të keqe janë njerëzit të cilët e keqkuptojnë dhe e shfrytëzojnë si vegël për të arritur synimet personale”, pat theksuar ai.
Sidoqoftë, Kosumi ka qenë aktiv dhe mbetet i tillë në politikë. Ai mbetet të ushtrojë mandatin e padorëzuar të deputetit në Kuvendin e Kosovës.


Për çka do të mbahet mend Bajram Kosumi si kryeministër?

Bajram Kosumi është kryeministri i parë që ka ardhur me propozim publik të një kryeministri në dorëheqje, kryeministri i parë që ka ushtruar më parë edhe detyrën e ministrit, kryeministri i parë që ka qenë i burgosur politik, kryeministri i parë që del nga gjenerata e studentëve organizatorë të demonstratave të vitit 1981, kryeministër që nuk lëshoi edhe mandatin e deputetit, kryeministër gjatë kohës kur janë hapur bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, kryeministër kur vendi ka mbetur për disa ditë pa kryetar pas vdekjes së kryetarit Rugova, kryeministri i parë që është takuar jozyrtarisht me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq në Londër, kryeministri i parë ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri i parë që është detyruar të jap dorëheqje para skadimit të mandatit të tij.


Botuar në “Zëri”, më 2 mars 2006, fq. 4 dhe 5

Thursday, December 14, 2006

Futbolli si luftë moderne

Finalja e kampionatit botëror dhe “qytetari evropian”

Futbolli si luftë moderne

Loja e futbollit jo rrallë herë ka nxitur ndjenjat nacionaliste. Kjo ndodhi edhe të dielën në kampin e KFOR-it në Prishtinë. Francezët dhe italianët, të dy palët ‘qytetarë evropianë’ që nga fillimi i nismës për bashkimin e Evropës, u dhanë rëndësi primare theksimit të përkatësisë së tyre nacionale ndaj njëri-tjetrit. Ushtarët e një embleme (NATO) u ndanë në “Ne” dhe “Ata”

Përparim Isufi & Burim Ramadani

Është pak minuta para orës 20 dhe Filip Somer tashmë ka fikur kompjuterin e tij. Jashtë bën pak vranët, terri nuk ka rënë ende dhe ushtarët enden shkujdesshëm pa ditur ku të ndalin për ta parë meçin historik, përballjen e e gjigantëve. Somer është aty. Për një çast ai duket të ketë harruar se jashtë, në patrullime mijëra ushtarë janë nën komandën e tij. Ka vënë nën sqetull fanelën franceze dhe në dorë mban flamurin trekolor. Pak dert pse veshur e mban uniformën. Pak dhembje ndjen ato çaste edhe për gradën e gjeneralit. Pak minuta më vonë të gjitha do t’i hedhë në ujë. Hyn brenda në bar-in ku shërbehen ushtarët francezë dhe sa çel e mbyll sytë del jashtë me imazh tjetër. Është kapiten. Ka veshur fanelën me numrin 10 në shpinë dhe mbi numër emrin magjik për Francën moderne “Zidane”, atë që pa dyshim sot mund t’u bëjë konkurrencë edhe Napoleonit, Sharl de Golit... e le më Zhak Shirakut fytyra e të cilit, kur shfaqet në ekranin televiziv, nuk ngjall as të 100-tën ndjenjë emocione si në rastin kur Zinedin Zidan e shqelmon topin apo i bën të humbur kundërshtarët me driblimet e tij.

“Koka magjike” dhe “koka tragjike”

“Ejani! Mos më lini vetëm!”. Ky është apeli që zëvendëskomandanti i KFOR-it, Filip Somer u bën ushtarëve të tij në përpjekjen e tij për të shkuar 50 metra larg, aty ku tashmë ushtarët italianë kanë rregulluar skenografinë dhe presin fillimin e ndeshjes. Krejt si në fushë futbolli, Somer dhe Di Napoli shkëmbejnë flamujt e shteteve të tyre. Ndahen pak anash dhe i pari nxjerr celularin nga xhepi për t’i telefonuar boss-it të tij, një gjenerali tjetër italian (Gjyzepe Valoto) të cilin, për dallim nga ta, e ka përcjellë fati ta përjetojë emocionin e finales në vendlindje.
Zidan, sido që të jetë, ka kokën e cila bën historinë. Tetë vite më parë, koka e tij ka shënuar dy golat të cilat i sollën Francës titullin e parë botëror në Stade de France. Ky është episodi i “kokës magjike”. Tjetri i përket “kokës tragjike” të Zidanit. Tetë vite pasi ishte gjetur mirë afër portës së Brazilit, koka e Zidanit hyn në histori për të keq. Siril Patry, rreshter francez që shërben në KFOR, mendon se largimi i Zidanit ka bërë që morali i francezëve në fushë të bie dhe penalltitë e tyre të ekzekutohen veç sa për ta përmbushur një obligim. Një frymëzues i “gjelave” edhe po të donte nuk mund të zgjidhte mënyrë më të hidhur për t’i dhënë fund karrierës.
Duket të ketë qenë një marrëveshje interne e KFOR-it, e bërë me vend, që vendi i tretë në kampionat të shërbejë përderisa ushtarë të shteteve finaliste të argëtohen duke shikuar ndeshjen nëpër bar-et e bazës ushtarake në periferi të Prishtinës. Të dielën në mbrëmje, ushtarët gjermanë kanë pjekur mish dhe u kanë shërbyer italianëve dhe francezëve.
Zymtësia është ajo që i bashkon pamjet në fytyrat e Fabien Bartezit në Berlin dhe të Siril Patryt në kodrën mbi Prishtinë ku ai i shërben shtetit të tij në misionin paqeruajtës. Përderisa i pari ka mbetur për një kohë i mbështetur për shtyllën e portës, i dyti, krejt i zbehur, shikonte në inat kolegët e tij italianë duke valëvitur flamujt kombëtarë atëherë kur gjithçka ishte kryer, Fabio Groso kishte shënuar dhe Italia për herë të katërt qe shpallur kampion bote në sportin më të popullarizuar në botë.
“Ne kemi dominuar lojën, por kështu e ka futbolli. Pas largimit të Zidanit morali i francezëve ra ndjeshëm. Ne i kishim aksionet më të mira. Jam shumë i mërzitshëm. Zemra po më qan”, thoshte Siril.
E në kampin tjetër, gëzim i pafund. Është një gjeneral që u jep shpirt ushtarëve të tij, sado që ata kanë pak nevojë për t’u frymëzuar nga Prishtina, sepse këtë frymëzim e marrin përmes pamjeve televizive që u vijnë nga Berlini, zërave emocionues të komentatorëve në RaiUno dhe gëzimeve të idhujve të tyre në fushën e gjelbër pas përfundimit të ndeshjes. Të gjithë janë në delir, kanë mbetur pa frymë nga stresi që u kanë sjellur 120 minutat që i lanë pas. Për frymëzuesin Di Napoli, të pushtuar nga atmosfera, nuk bën ndonjë dallim ta festosh titullin e kampionit në shtëpi pranë familjes, apo në një mision paqeruajtës, shumë kilometra larg shtetit. “Larg familjes? E gjithë kjo është familja ime”, është përgjigja automatike e gjeneralit mustaqesh.

Italianët nuk ia kanë harruar Trezegesë golin e vitit 2000

“Sa mirë që lojën e Francës e humbi David Trezege, pikërisht ai para gjashtë vjetësh na ka dhënë golin vendimtar në Kampionatin Evropian të vitit 2000 dhe tash jam shumë i gëzuar që ai e humbi penalltinë”. Gjenerali italian Di Napoli nuk ia ka harruar e as falur sulmuesit francez Trezege golin në vitin 2000 me të cilin i pat shkaktuar humbje Italisë më finale të Kampionatit Evropian. Madje, gjenerali musteqosh që udhëhiqte tifozët ushtarakë italianë në kampin e Shtabit Qendror të KFOR-it në Prishtinë, tërë kohën mbante flamurin kombëtar rreth qafës dhe në fund u shpreh se Italia është më e mirë se Franca në futboll dhe se e ka merituar plotësisht kupën botërore.
Ai ka marrë urimet nga pala kundërshtare, përkatësisht nga gjenerali francez Somer menjëherë pas përfundimit të penalltive me anë të të cilave Italia u shpall për të katërtën herë në histori kampione e botës në sportin më të popullarizuar në glob.
Italianët nuk kanë ndonjë dallim nga ‘nxehtësia’ e ballkanasve dhe për këtë do të mund të bindej secili që ka pasur rastin të sheh ndeshjen finale të Kampionatit Botëror “Gjermania 2006” në kampin e Shtabit Qendror të KFOR-it në Prishtinë. Të nxehur jashtë mase, të veshur me ndërresa të kombëtares së tyre në futboll që i mbanin mbi uniformat e tyre ushtarake, duke pirë birra, duke brohoritur pothuaj 130 minuta pa ndalur, duke valëvitur flamujt kombëtarë të Italisë, ushtarët italianë kanë ndjekur dhe në fund festuar fitoren e përfaqësues së tyre derisa rrinin në ndërtesën e drunjtë “Casa Italia” (Shtëpia Italia).
Vetëm 100 metra larg tyre, ushtarët francezë të KFOR-it ndiqnin ndeshjen dhe bënin tifo për të adhuruarit e tyre. Edhe këta me ndërresa të përfaqësues së tyre, me flamuj, me birra. Të udhëhequr nga zëvendës komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Filip Somer, një gjeneral francez, ushtarët e ardhur nga Franca në mision në Kosovë bënin tifo shumë më të qetë dhe më të përmbajtur në krahasim me italianët.
Gjithsesi, ndjenjat nacionaliste të të dy palëve mund të vëreheshin pothuaj në çdo element. Dy palët shikonin ndeshjen në kanalet televizive të vendeve të tyre, shanin lojtarët kundërshtarë sa herë që ata ndërhynin në mënyrë të ashpër, ndërsa rrinin të qetë dhe të pazë kur të adhuruarit e tyre gabonin.

“Ne” dhe “Të tjerët”

Loja e futbollit jo rrallë herë ka nxitur ndjenjat nacionaliste. Kjo ndodhi edhe të dielën në kampin e KFOR-it në Prishtinë. Francezët dhe italianët, të dy palët ‘qytetarë evropianë’ që nga fillimi i nismës për bashkimin e Evropës, u dhanë rëndësi primare theksimit të përkatësisë së tyre nacionale ndaj njëri-tjetrit.
Ushtarët ‘evropianë’ në Kosovë shumë lehtë u ndanë në “Ne” dhe “Ata”. Francezët ndaleshin dhe dëgjonin brohorimat e italianëve, duke thënë dëgjoni “Ata”, derisa italianët bënin po të njëjtën gjë, duke thënë “Ata”.
Megjithë investimet në një kapacitet të lartë human e financiar që Franca dhe Italia, sikurse edhe vendet tjera evropiane, kanë bërë në ndërtimin e një identiteti të përbashkët të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, rastet e tilla sikurse ndeshjet e futbollit ri-nxisin ndarjet në “Ne” dhe “Të tjerët”. Të dyja palët i dhanë rëndësi të dielën gjuhës, traditës, historisë dhe organizatës të quajtur shtet të tyre, derisa kishin lënë mënjanë të paktën disa prej përkatësive të tyre të përbashkëta, siç është religjioni apo evropianizmi.
Tek e fundit, autorë me famë botërore kanë vënë re se raste të tilla kanë ndodhur edhe më herët dhe pohojnë se kjo është vështirë për t’u tejkaluar. Sikurse që thotë edhe studiuesi Jorg Shtajner, fatkeqësisht në Evropë ndeshjet ndërkombëtare të futbollit shumë herë kalojnë përtej afirmimit të identitetit nacional dhe keqësohen në një fanatizëm nacionalist, sikurse ka qenë rasti i ndeshjes midis Anglisë dhe Irlandës në shkurt të vitit 1995. Shembull i tillë është vërejtur edhe në vitin 1996, kur në gjysmë finale të Kampionatit Evropian të futbollit janë ndeshur Anglia dhe Gjermania. Në atë kohë, mediat më të njohura të Anglisë e kanë prezantuar ndeshjen si një “Përsëritje e Luftës së Dytë Botërore”.
Pothuaj e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë këtij kampionati botëror. Anglezët kanë humbur nga portugezët në çerek-finale, ndërsa menjëherë qytetarët anglezë reaguan me ndjenjë nacionaliste. Sigurisht se nuk pritej dhe nuk do të mund të ndodhte që anglezët t’i shpallnin luftë portugezëve, por ata deklaruar atë që kishin mundësi më të lehta ta bënin. Anglezët thanë thjesht: “Nuk do të kalojmë pushimet në bregdetin e Portugalisë”.

Botuar në “Zëri” më 11 qershor, fq. 5. Artikulli është refleksion i finales Itali-Francë të cilën autorët e kanë përcjellë në shoqëri të ushtarëve italianë dhe francezë të KFOR-it. Autorët janë gazetarë të së përditshmes “Zëri” në Prishtinë

Tuesday, December 12, 2006

Kosovo Albanians cautiously optimistic about the future

Kosovo's Albanians -- the province's majority population -- differ in their views of what the final status of Kosovo will be. Some feel certain that Kosovo will soon become an internationally recognised sovereign state, while others are not sure how or when this will happen. However, all agree on one thing: the province cannot remain under Serbian authority.
"I don't know what kind of independence there will be, but I am sure that Kosovo is on a good track," University of Pristina economics student Afrim Kabashi says, adding that unity among Kosovo's leaders is crucial. "I am not saying that they aren't united, but they should be closer to each other," he says.
A fellow student, Ard Matoshi, urges Kosovo's people to be patient as the status issue is resolved. "I am angry with the delay of the process, but when I remember what kind of progress has been achieved during past years in Kosovo, I think we don't have a reason to be pessimistic and intolerant," Matoshi says.
According to Zijadin Gashi, a journalist with the daily newspaper Zeri, the public is alarmed by the apparent hesistancy and disagreement among Contact Group members. These delays are "the main factor that is creating suspicions and turmoil",Gashi believes, adding however that the long-term picture provides reason for optimism. "Kosovo is oriented towards the EU. I think that over the next several years, we will fulfil all the criteria for being a member of the Union," he says.

Burim Ramadani, of the University of Pristina, thinks there can only be one outcome of the status process, despite the delays. "We are at the end of a quite long process of negotiations and transition. I think that the status settlement is going to be fully based on the people's political will -- no doubt, everyone knows this will is for Kosovo independence," he says.
Ramadani is confident that Kosovo will be a "consociation state" -- with the minority communities granted the necessary rights to represent their interests and their goals. "As consociation theory says, a large scale of decentralisation, community rights, constitutional design and the electoral system will guarantee that minorities, in particular Kosovo Serbs, will have power within the political structure of Kosovo."
However, status will not solve all of the province's long-term challenges. "Kosovars are going to have to face real problems," Ramadani said. "The large level of corruption could be the most dangerous thing in post-status Kosovo, as well as organised crime."
Bekim Ukaj, a law student, believes democratic institutions, a good justice system and economic growth are the keys to a brighter future for Kosovo. "These are necessary parameters for a well-functioning state," he says.
Some -- particularly the unemployed -- are sceptical that things will change for the better. Since 1999, says Smajl Sinani, he has been hearing pledges of independence and economic development. "The leaders promised us that we will have enough work places and the integration process will help to work not only in Kosovo, but also abroad," Sinani says.
His wife wants their family to leave and work outside the province. "I will work anywhere -- we have five children, who many times have had nothing to eat," she says.
Kosovo is a province in southern Serbia which has been under UN administration since 1999. While Serbia's nominal sovereignty is recognized by the international community, in practice Serbian governance in the province is virtually non-existent. The province is governed by UNMIK and the local Provisional Institutions of Self-Government, with security provided by the NATO-led Kosovo Force (KFOR).
---------
In the first of two articles concerning expectations about Kosovo's future, SETimes correspondent Blerta Foniqi-Kabashi discusses status and other issues with members of the ethnic Albanian majority.
By Blerta Foniqi–Kabashi
for Southeast European Times in Pristina – 11/12/06

Si u mbyllën në zhveshtore të Sallës së Kuqe udhëheqja e LDK-së dhe e institucioneve?

Reportazh ekskluziv

Si u mbyllën në zhveshtore të Sallës së Kuqe udhëheqja e LDK-së dhe e institucioneve?

Si reaguan pjesëtarët e sigurimit të presidentit Fatmir Sejdiu me të filluar përleshja në sallë? Si u vendosën zyrtarët më të lartë të LDK-së dhe institucioneve në zhveshtore të Sallës së Kuqe? Cilët zyrtarë të lartë të partisë ishin aty? Kush shqetësohej dhe kush relaksonte atmosferën e zymtë në zhveshtore? Cilit zyrtar i dolën lotët? Çfarë temash bisedoheshin aty?

Burim Ramadani

Me të filluar përleshja në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ku mbahej Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), zyrtarët më të lartë të partisë dhe njëherit të institucioneve të vendit janë futur në njërën prej zhveshtoreve të kësaj salle. Për mbi 20 minuta, zyrtarët e lartë të partisë kanë qëndruar aty nën tymin e duhanit dhe duke biseduar për atë se çka ndodhi dhe si duhet të veprohet më tej. Nuk kanë munguar edhe lotët, porse nuk munguan as qeshjet dhe batutat nga zyrtarë të lartë.

Paria e LDK-së dhe institucioneve në zhveshtore

Për pak sekonda pasi filloi konflikti fizik në sallë, zyrtarët më të lartë të LDK-së, janë drejtuar nga sigurimi i tyre për në një zhveshtore të ngushtë në anën e djathtë të Sallës së Kuqe. Aty janë ngujuar për mëse gjysmë ore presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, nënkryetari i parë i deritashëm i LDK-së, Eqrem Kryeziu, kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri, ministri i Arsimit, Agim Veliu, ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, deputetët Naim Jerliu, Sabri Hamiti, Agim Krasniqi, Nekibe Kelmendi, Ragip Zekolli, kryetari i komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, këshilltarët e presidentit, Skënder Hyseni e Muhamet Hamiti, kryeshefi ekzekutiv i Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti, disa delegatë të tjerë, pjesëtarë të stafit të Kuvendit dhe pak gazetarë.
Stafi i sigurimit të presidentit Sejdiu rrethuan atë një njërën prej qosheve më të sigurta të zhveshtores së ngushtë. Nekibe Kelmendi në fakt erdhi në këtë ambient të sigurt pak minuta pas të tjerëve. Të gjithë u munduan dhe i gjetën asaj një karrige për t’u ulur. Deputetja Kelmendi mbante gojën dhe hundën të mbyllur me faculetë letre për shkak të një gazi të lëshuar të sallë, sipas të gjitha gjasave nga anëtarët e stafit të sigurimit të zyrtarëve të lartë.
Për pak sekonda pjesëtarët e sigurimit të këtyre zyrtarëve u siguruan se dyert në të dy daljet e kësaj zhveshtoreje janë të sigurta, duke vënë madje edhe një karrige në njërën prej këtyre dyerve. Nekibe Kelmendi dhe Kolë Berisha u sistemuan në dy ulëse, derisa të gjithë të tjerët qëndroni në këmbë. Kolë Berishës, ndërkaq, ka pasur momente edhe kur i emocionuar dhe i dëshpëruar me tërë atë që ka ndodhur, edhe i kanë dalë lotët.
Të gjithë zyrtarët dënonin ngjarjen që kishte ndodhur pak minuta më parë, ndërkaq shumica prej tyre nuk ndalnin cigaret. E tërë zhveshtorja ishte mbushur me tym cigareje, derisa joduhanpirësit, megjithëse në zë më të ulët, kërkonin që të ndaleshin cigaret për shkak të “mjegullës” së krijuar.
Po ashtu, pjesë e bisedës të zyrtarëve të lartë të LDK-së kishte të filluar të jetë pyetja nëse është më mirë që momenti i rrahjes nuk është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, apo më mirë sikur të ishte transmetuar. “Ma mirë është se vërtetë do të bëheshim horë”, thoshte zëvendëskryeministri Lutfi Haziri. “Prap se prap, kamerat kanë qenë gjatë gjithë kohës aty edhe ata do t’i qesin në televizion krejt çka ka ndodhur”, thoshte ndërkaq ministri Haki Shatri.

Relaksimi që vjen nga Eqrem Kryeziu

Porse, megjithëse zyrtarët ishin të shqetësuar për atë që ndodhi, numri një i LDK-së deri të shtunën, Eqrem Kryeziu, ka qenë personi relaksues i situatës. Dukshëm i padisponuar dhe i zhgënjyer, Kryeziu ka bërë të relaksohet situata me komunikimin e tij të pandalshëm me pothuaj të gjithë të “fshehurit” në zhveshtore. Me cigaret që i zëvendësonte pothuaj tërë kohën në llullë, Kryeziu ka gjetur momente për të thënë se është indiferent ndaj asaj që ndodhi dhe se jeta duhet të vazhdohet më tutje.
Ai më tutje ka përsëritur disa herë se çështja e listës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm është tashmë çështje e kryer pasi që Kuvendi me aklamacion e ka votuar përbërjen e propozuar prej 107 anëtarëve. Konstatimi i tij në fakt ishte ajo që vërtetë ndodhi në Kuvend, kur pak sekonda para se të fillonin grushtimet në sallë, kuvendi me aklamacion votoi për listën. Porse, kjo edhe nuk mbahej mirë në mend nga vetë disa prej të cilëve kishin ngritur dorën për të votuar për. “A e kemi kryer a? A e kemi votuar a?”, pyesnin disa prej tyre Kryeziun.
Më tutje Kryeziu nuk hezitonte që, në funksion të relaksimit të asaj situate shqetësuese, të thoshte se si gazetarët kanë pasur të drejtë në parashikimet e tyre për një Kuvend të nxehtë dhe me tensione. “Kam menduar se je djalë i mençur më herët dhe kur të kam parë duke thënë se do të jetë një Kuvend i nxehtë dhe me tensione kam thënë vetmevete se po e tepron dhe se nuk ke fare ide se si do të shkojë Kuvendi. Megjithatë, tash më kthehet mendimi pozitiv se je i mençur për shkak se parashikimi që ke dhënë doli të jetë i saktë”, i ka thënë Kryeziu njërit prej pak gazetarëve të pranishëm në zhveshtore, duke bërë të reagonin duke qeshur disa nga zyrtarët e lartë të partisë. Ndërkohë, pas disa minutave të mbyllur, në zhveshtore ka mbërritur një nënkolonel i Shërbimit Policor të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar reagimet e zyrtarëve të LDK-së duke thënë “erdhi policia, erdhi policia”. Nënkoloneli mustaqosh ka thënë më pas se situata është nën kontroll dhe me zë të lartë ka shtuar se presidenti mund të dalë nga zhveshtorja. Porse, kjo nuk është pranuar nga shefi i njësitit të sigurimit të presidentit. “Nënkolonel, më vjen keq por nuk mund të pranoj që presidenti të del nga këtu. Unë jam përgjegjës për sigurinë e presidentit dhe pa u arrestuar njerëzit me armë në sallë, presidenti nuk lëviz nga këtu”, ia ka kthyer shefi i sigurimit të presidentit.
Nuk ka kaluar shumë kohë, dhe nënkoloneli është kthyer sërish në zhveshtore duke bindur sigurimin e presidentit se çdo gjë është nën kontroll. “Hajde po dalim, e kryejmë shpejt dhe po shkojmë”, dëgjoheshin të thonë zyrtarët e lartë të LDK-së.
Ndërkaq, pas rifillimit të punimeve të Kuvendit, e tërë puna është kryer pothuaj për më pak se pesë minuta. Presidenti i vendit ka thënë se lista e Këshillit të Përgjithshëm është miratuar dhe ka kërkuar që shtimi i numrit të këtij Këshilli të ndryshohet në Statut të partisë, ndërsa më pas delegatët kanë miratuar Deklaratën Politike të Kuvendit.
Për kohën pas qetësimit të situatës, të gjithë delegatët e mbetur në sallë kolliteshin pa të ndalur, sipas të gjitha gjasave për shkak të gazit të përdorur në sallë. Me të përfunduar Kuvendi, të cilin të mbyllur e shpalli Fatmir Sejdiu, policia ka kontrolluar një nga një pothuaj të gjithë delegatët dhe të pranishmit në sallë, duke dalë nga ajo.
Botuar në "Zëri", më 11 dhjetor 2006, fq. 4