Sunday, January 28, 2007

Vula ndërkombëtare për Kosovën

Koment

Vula ndërkombëtare për Kosovën

Propozimi i presidentit Ahtisaari duket se është i favorshëm për Kosovën dhe se nuk ka befasi në këtë aspekt. Pakoja me një numër relativisht të madh të anekseve është gjithëpërfshirëse dhe nuk lë pa përgjigje asnjë çështje të hapur. Dokumenti e bën Kosovën me pothuaj të gjitha atributet shtetërore. Më tutje, margjinalizohet luajtja e një roli nga autoritetet e Beogradit. Serbia nuk do të mund të ketë aspak ndikim, as me nevojën për stabilitet të brendshëm politik dhe as me kërcënime. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të matur dhe të durueshëm. Përfundimi i procesit do të ketë vulën e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë

Shkruan: Burim Ramadani


I
Javën e kaluar edhe zyrtarisht filloi faza përfundimtare e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Presidenti Ahtisaari i bëri të ditur propozimin e tij Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Grupit të Kontaktit. Pati vlerësime në rrethe të ngushta e të gjera, reagime e përshëndetje, porse vlerësimet e komentet nga palët priten pas fundit të kësaj jave. Kjo për shkak se kryendërmjetësi ndërkombëtar do t’i dorëzojë zyrtarisht Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij për të ardhmen e Kosovës.
Sidoqoftë, janë tri elemente që mbeten të debatohen në këtë mes: nëse propozimi është ai që është pritur nga qytetarët e Kosovës?; si do të rrjedh procesi në ditët/javët në vijim dhe kush janë tashmë faktorët që vërtetë përcaktojnë zhvillimet e mëtutjeshme?; dhe çka i nevojitet më së shumti Kosovës në këtë kohë? Të tri këto elemente janë pjesë e një tabloje të përbashkët të asaj që quhet tashmë stadi i fundit i procesit të zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës. Përgjigjja konkrete politike dhe analiza teorike-praktike për këto elemente do të jepte një qartësi në mënyrën e arritjes së rezultatit ose përfundimit.

II
Propozimi i presidentit Ahtisaari duket se është i favorshëm për Kosovën dhe se nuk ka befasi në këtë aspekt. Pothuaj e tëra ajo që është e pritur nga analistët gjakftohtë dhe njohësit e mirë të procesit, edhe duket se është thënë në atë dokument. Pakoja me një numër relativisht të madh të anekseve është gjithëpërfshirëse dhe nuk lë pa përgjigje asnjë çështje të hapur. Dokumenti i Ahtisaarit e bën Kosovën me pothuaj të gjitha atributet shtetërore. Kjo mbetet të shihet publikisht prej 3 shkurtit. Kjo ka të bëjë vetëm me propozimin e presidentit Ahtisaari, jo me atë që do të mund të ndodh më tutje.
Disa elemente këto tri-katër ditët e fundit janë komentuar me të madhe në media, por janë edhe disa elemente tjera që kanë rëndësi të veçantë. Ta themi për shembull se Ahtisaari flet për shtetësi të atyre që jetojnë në Kosovë (citizenship) e jo për banorë; për kufij e jo për kufij administrativ (‘borders’ e jo ‘boundaries’), për Forcat e Sigurisë së Kosovës (ushtrinë), e të tjera të rëndësisë së tillë. Propozimi i tij është më i favorshëm se sa që ka mundur të jetë edhe sa i përket decentralizimit edhe qytetit të Mitrovicës.

III
Rrjedha e procesit mbi përcaktimin e statusit të Kosovës në javët në vijim pritet të jetë me kthesa të lehta djathtas e majtas. Por, drejtimi vlerësohet se është i qartë dhe kthesat nuk mund ta dëmtojnë cakun. Propozimi i Ahtisaarit do të komentohet nga të dyja palët, ndërsa komentet e tyre megjithatë nuk do të kenë ndikim në përmbajtje. Beogradi zyrtar nuk pritet të pranojë as përmbajtjen si të tillë dhe do të përsëris qëndrimet krejt të ndryshme me dokumentin. Prishtina, ndërkaq, do të mund të jepte disa vërejtje konkrete, por që nuk do të mund të inkuadroheshin si të tilla në dokument.
Në vazhdim, faktorët e rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare do të rrugëtonin më tutje. Reagimet nga Rusia në Grupin e Kontaktin, të bëra edhe të premten e kaluar, do të jenë preokupimi kryesor i pjesës tjetër të këtij organizmi. Porse, në një formë apo tjetër, reagimet nga Rusia nuk do të pengojnë rrugën sado që mund ta zgjasin atë.
Këshilli i Sigurimit në debatin e tij mbi dokumentin Ahtisaari do të shfuqizojë Rezolutën 1244/99 dhe një Rezolutë të re do t’i hap rrugë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këta në fakt janë edhe faktorët që e përcaktojnë rrjedhën e përfundimit të procesit. Në këtë relacion veprimesh e fuqish, në mënyrë tejet të madhe margjinalizohet luajtja e një roli nga autoritetet e Beogradit. Serbia nuk do të mund të ketë aspak ndikim më tutje, as me nevojën për stabilitet të brendshëm politik dhe as me kërcënime. Përfundimi i procesit do të ketë vulën e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë.

IV
Pa dyshim se e tërë ‘procedura’ për publikimin e këtij propozimi ka ngritur dilema dhe brenga te shumë njerëz mbi rezultatin e këtij procesi. Ose, thënë më mirë, dyshimin e madh se elita politike në vend nuk është e aftë të bëjë ndonjë ndikim të madh ne procesin dhe rezultatin si të tillë. Po ashtu, kemi edhe elementin i frustrimit të qytetarëve me këtë proces. Edhe në Kuvendin e Kosovës të premten u vu në spikamë kjo. Por, ajo që na duhet tash më së shumti është stabiliteti dhe ruajtja e rendit dhe e sigurisë në Kosovë. Publikimi i propozimit të Ahtisaarit besohet se do të ketë ndikim te një apo grup tjetër. Megjithatë, qytetarët e Kosovës duhet të vënë në rend të parë qetësinë, stabilitetin e vendit dhe sigurinë e përgjithshme. Sfidat ndaj kësaj janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, porse qytetarët e Kosovës dhe në rend të parë popullata shumicë duhet të jenë tejet të kujdesshëm. Secili veprim i pamatur shkakton tendosje dhe prishje të rrjedhës. Kosovës nuk i duhet të ndodhet në situata të tilla.

(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar më 29 janar 2007, e hënë, në të përditshmen “Zëri”, fq. 10

Sunday, January 21, 2007

Arend Lijphart: Pushtet-ndarja është e domosdoshme për Kosovën

Intervistë ekskluzive me themeluesin e teorisë së pushtet-ndarjes në shoqëritë me ndarje të thella

Arend Lijphart: Pushtet-ndarja është e domosdoshme për Kosovën

“Mendoj se konsociacionalizmi është i domosdoshëm për Kosovën... një mënyrë e mirë për përfaqësimin e minoritetit serb do të ishte përcaktimi në Kushtetutë se 10 për qind ose edhe 15 për qind e ulëseve në qeveri duhet të jenë për serbët... kur të bëhet absolutisht e qartë se nuk do të ketë bashkim me Serbinë dhe se nuk do të ketë ndarje të Kosovës ku pjesa e serbëve do t’i bashkohej Serbisë, minoriteti serb do të pranojë këtë fakt të jetës dhe të merr avantazhin e mundësive për të marrë pjesë në politikën e Kosovës”

Intervistoi: Burim Ramadani

Politologu holandez, Arend Lijphart, është themelues i njërës prej teorive më të rëndësishme botërore që merret me strategjitë e rregullimit të shoqërive me përçarje të thella dhe funksionimit të demokracisë në ato shoqëri. Demokracia konsociacionale (pushtet-ndarëse) si term është hartuar nga Lijphart në vitet 1967-68, në Kongresin Botëror të Asociacionit të Shkencës Politike në Bruksel, për të shpjeguar mekanizmat e qëndrueshmërisë politike në shoqëritë me ndarje të thella shoqërore. Profesori Lijphart është teoricient me autoritet të gjerë në botë, ndërsa ligjëron në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Kalifornisë në San Diego të Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka me qindra punime shkencore dhe me dhjetëra libra universitar, dhe po ashtu mbi mbi 30 çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare për sferën akademike. Në vitin 1989, Lijphart ishte zgjedhur në Akademinë Kombëtare të Arteve dhe Shkencave, ndërsa nga vitet 1995-96 ai ka shërbyer si president i Asociacionit Amerikan të Shkencës Politike.
Intervista e profesorit Lijphart për “Zërin” është realizuar në formë të shkruar dhe fokusohet në nevojën e aranzhimeve konsociacionale për Kosovën.

Zëri: Ju jeni themelues i teorisë së konsociacionalizmit (pushtet-ndarjes). Në Kosovë, vetëm kohëve të fundit studiuesit kanë filluar të mendojnë dhe të shkruajnë rreth kësaj. A mund të na shpjegoni në pika të shkurtra se çka në fakt është konsociacionalizmi?

Qëllimi i pushtet-ndarjes është funksionimi i demokracisë

Lijphart: Qëllimi bazik i demokracisë konsociacionale (demokracisë pushtet-ndarëse) është të bëjë të mundur që demokracia të funksionojë në shoqëritë me ndarje të thella. Dy karakteristikat më të rëndësishme janë ato që unë i quaj “koalicioni i madh” (që do të thotë se të gjitha grupet e rëndësishme në një vend janë të përfaqësuara në ekzekutiv – unë po ashtu e kam quajtur këtë si pushtet-ndarja ekzekutive), si dhe autonomia segmentale ose kulturore (që do të thotë se secili segment/grup mund të vendos vet sa i përket çështjeve të rëndësishme, veçanërisht arsimit dhe kulturës); Nëse një segment/grup jeton në territor të definuar mirë, njëra prej mënyrave të krijimit të kësaj autonomie është federalizmi ose decentralizimi i fortë. Dy karakteristikat tjera të rëndësishme të demokracisë pushtet-ndarëse janë proporcionaliteti (sa i përket përfaqësimit politik dhe pozitave të shërbimit civil) dhe një veto e kufizuar. Mënyra më e mirë, sigurisht, për të pasur proporcionalitet është përfaqësimin politik është të përdoret metoda e përfaqësimit proporcional.

Zëri: Ku është zbatuar dhe sa ka qenë i suksesshëm në vende të ndryshme?

Lijphart: Do të thosha se sukseset e pastra janë Holanda, Belgjika, Zvicra dhe Austria, ndërsa në pjesë tjera të botës, India. India është një shembull veçanërisht i rëndësishëm për shkak të numrit të madh të popullatës, dallimeve ekstreme në religjion dhe gjuhë, dhe po ashtu për shkak të faktorit të pafavorshëm të varfërisë. Po ashtu, do të cekja se Afrika e Jugut ka qenë një sukses i madh. Tranzicioni i saj drejt demokracisë është bërë nën kushtetutën e përkohshme pushtet-ndarëse (1994-99). Malejzia po ashtu ishte një sukses i pastër gjersa regjimi është mjaft autoritar për t’u quajtur demokraci. Dhe, Libani ishte një sukses për mjaft dekada derisa u prish për shkak të luftës civile. Një shembull i pastër i dështimit është Qipro, ku konsociacionalizmi pati filluar më 1960 dhe dështoi më 1963.
Por, çka u themi ne njerëzve që thonë se pushtet-ndarja nuk funksionon dhe për këtë shohin vetëm Libanin ose raste të ngjashme kritike. Përgjigjja e parë e rëndësishme është se nuk ekziston tjetër alternativë reale ndaj konsociacionit. Pa dyshim një sistem i pastër mazhoritar nuk mund të funksionojë. Së dyti, kur ai dështon, kjo mund të ndodh për shkak të faktorëve të pafavorshëm ose kjo mund të ndodh për shkak të formës së veçantë të konsociacionit që është zgjedhur, i cili nuk është ideal. Për shembull, Libani ishte një shtet konsociacional i pastër deri në vitin 1975, por kishte një formë të konsociacionit që kishte plasaritje të mëdha, siç është një formë të ngurtë të proporcionalitetit që bënte minoritetin e krishterë në një shumicë politike; gjithashtu Libani kishte një faktor të pafavorshëm të intervenimit të shpeshtë nga fuqitë e jashtme (Siria, Izraeli, Palestinezët). Prandaj, kur dështon pushtet-ndarja, kjo nuk do të thotë se ne duhet të gjejmë një zgjidhje që është e ndryshme nga konsociacioni. Ne vetëm duhet të gjejmë një formë më të mirë të konsociacionit. Një mënyrë tjetër për të thënë këtë është se për të funksionuar demokracia në një shoqëri thellësisht të ndarë, konsociacioni është një parakusht i domosdoshëm, por jo një kusht i mjaftueshëm. Pra, kjo është e domosdoshme, por nuk do të thotë se kjo patjetër do të funksionojë.

Zëri: Siç e dimë, konsociacionalizmi është zgjidhja më e mirë për shoqëritë me ndarje të thella. Kosova tash është në fund të procesit negociator mbi statusin e saj, por, përçarja midis dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe serbëve, mbetet e thellë. Këtu janë rreth 90 për qind shqiptarë dhe rreth 10 për qind serbë. A është i domosdoshëm konsociacionalizmi për Kosovën?

Lijphart: Po, unë mendoj se konsociacionalizmi është i domosdoshëm për Kosovën. Ka një problem potencial kur një vend ka një shumicë shumë të madhe dhe një pakicës shumë të vogël, le të themi pakicë me rreth 1 apo 2 për qind. Në raste të tilla ndoshta konsociacioni i shkallës së plotë do të ishte jopraktik, sepse kjo do të sillte vështirësi që të jepte një përfaqësim aq të vogël të minoritetit në qeveri. Por, nëse një minoritet është rreth 10 për qind, unë nuk shoh asnjë problem në dhënien e ndarjes proporcionale në qeveri, si dhe autonominë mbi bazat territoriale ose jo-territoriale.

Zëri: Si mund të aplikohet konsociacionalizmi dhe në fakt çfarë masash politike duhet të aplikohen për t’u arritur një demokraci konsociacionale në Kosovë?

Lijphart: Edhe pse nuk i di detajet e situatës në Kosovë, unë do të thosha se një mënyrë e mirë për përfaqësimin e minoritetit serb do të ishte përcaktimi në Kushtetutë se 10 për qind ose edhe 15 për qind e ulëseve në qeveri duhet të jenë për serbët. Po ashtu, do të rekomandoja përfaqësimin proporcional, të cilin Kosova veçmë e ka. Po ashtu, do të ishte e dobishme një rregullore që specifikon pjesëmarrjen proporcionale në shërbimin civil. Federalizmi ose decentralizimi do të bënte një sens të mirë. Kushtetuta duhet që në mënyrë të pastër të përcaktojë autonomi të caktuar (për shembull sa i përket arsimit) dhe të drejtat e minoriteteve.

Zëri: Në fakt, ndarja e pushtetit, një model i menaxhimit të konfliktit, është i sanksionuar në Kornizën Kushtetuese të Kosovës dhe është aplikuar të paktën rreth tre vjet, kur koalicioni serb “Kthimi” (‘Povratak’) ka marrë pjesë në institucione. Por, që nga marsi i vitit 2004 serbët e Kosovës refuzojnë pjesëmarrjen edhe pse i kanë të rezervuara dhjetë ulëse në Parlament dhe dy ministri në Qeveri. Kështu që, kjo nuk ka funksionuar. Cila janë, të themi, parakushtet për aplikimin dhe funksionimin e parimeve konsociacionale?

Dy kushtet e pafavorshme për Kosovën

Lijphart: Ju thoni se që nga viti 2004 konsociacioni nuk ka funksionuar. Unë do të thosha se duhet që edhe më tutje të provohet kjo. Cila është alternativa reale? Sigurisht do të mund të bëhen disa ndryshime, të cilat edhe më tutje do t’i takonin konsociacionit dhe të cilat do të kënaqnin më shumë minoritetet. Cilat janë parakushtet? Nuk mendoj se ekzistojnë parakushtet në kuptimin se nëse një faktor i veçantë është i keq, konsociacioni është i pamundshëm. Por, ka faktorë që e bëjnë më të vështirë konsociacionin. Gjatë punës sime, unë kam identifikuar rreth dhjetë kushte. Dy kushte të rëndësishme favorizuese janë: së pari, nëse kemi të paktën tri grupe; dhe së dyti, mungesa e një fuqie të jashtme ndaj së cilës një apo më shumë grupe ndjejnë lidhje/lojalitet. Pa dyshim, të dy këta faktorë janë të pafavorshëm në rastin e Kosovës. Por, më lejoni të them sërish: këta faktorë e bëjnë këtë të vështirë, por jo të pamundur. Në Irlandën Veriore po ashtu ekziston problemi i shumicës përball pakicës, por mendoj se në një periudhë paksa të gjatë, pushtet-ndarja do të funksionojë atje.

Zëri: Serbët e Kosovës janë të orientuar kah qeveria e Serbisë, e cila ka disa struktura paralele shtetërore në Kosovë, dhe pohon që Kosova duhet të jetë pjesë e saj, derisa shqiptarët presin që statusi final të jetë pavarësia e Kosovës. Në fakt serbët e Kosovës nuk e njohin si qeveri të tyren qeverinë e Kosovës dhe nuk marrin pjesë në institucione. Si mund të tejkalohet kjo situatë dhe që serbët të njohin si të tyret institucionet e Kosovës?

Lijphart: Nuk kam një zgjidhje të mirë për këtë. Mbase kur të bëhet absolutisht e qartë se nuk do të ketë bashkim me Serbinë dhe se nuk do të ketë ndarje të Kosovës ku pjesa e serbëve do t’i bashkohej Serbisë, minoriteti serb do të pranojë këtë fakt të jetës dhe të merr avantazhin e mundësive për të marrë pjesë në politikën e Kosovës.

Zëri: Sa gjatë duhet të zbatohet konsociacionalizmi? Si ndikon kjo në konsolidimin e një shoqërie vërtetë demokratike?

Lijphart: Mendoj se duhet të zbatohet aq gjatë sa është e domosdoshme, aq sa Kosova vazhdon të jetë një shoqëri e ndarë. Shih shembullin e Zvicrës, ku konsociacionalizmi ka ndihmuar për t’i bërë grupet e ndryshme gjuhësore të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, por atje edhe është rregull që qeveria duhet të jetë një trupë multi-gjuhësore. Përfaqësimi proporcional do të ishte i mirë madje edhe kur grupet në Kosovë bëhen më të afërta, më miqësore njëri me tjetrin. Nuk shoh ndonjë problem që të vazhdojë decentralizimi. Ndoshta në periudhë afat-gjatë, përfaqësimi i tillë i minoritetit nuk do të jetë i domosdoshëm, por mendoj se do të ishte gabim që tash të vendoset se kjo do të tejkalohet të themi pas 10 ose 20 vjetësh.
Botuar më 22 janar 2007 në "Zëri", fq. 8.