Monday, February 26, 2007

Simfonia kosovare

Loja pa fitues

Simfonia kosovare

Identiteti kosovar është identitet politik, jo nacional. Qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve kanë nga një shtet amë afër ose relativisht larg. Porse, me shumë elemente Kosova ka identitetin e saj politiko-shtetëror. Kosova ka partitë e saja politike të veçanta nga të tjerët, ka jetën politike të organizuar ndryshe, ka sistem të dallueshëm politik, ka jetën publike të sajën dhe pas disa muajsh do të ketë edhe simbolet e saj shtetërore. Identitetit kosovar i është prirë edhe me Simfoninë e Dytë Kosovare të Rexho Mulliqit


Shkruan: Burim Ramadani



I
Linjat definuese të procesit mbi statusin e vendit duket se po dëshmojnë që Kosova është shteti më i ri që po formësohet edhe formalisht në kontinentin evropian. Rruga nëpër të cilën ka kaluar vendi ynë natyrisht se është e gjatë dhe e mbushur me dhunë, gjakderdhje, mosbesim, intolerancë dhe shpeshherë e gjendur nën hegjemoni shtetërore serbe. Një proces relativisht i gjatë ndërkombëtar për përcaktimin e statusit të Kosovës, i filluar në fund të vitit 2005, tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe me përfundimi i kësaj faze do të rezultojë me një shtet të ri, Kosovën. Por, cili është ky shtet? Çka dallon nga të tjerët? Çka e karakterizon atë? Cilat janë orientimet dhe vizionet e këtij shteti? Tek e fundit, kush është populli i tij, kush janë kosovarët? Këto doemos janë pyetjet më të shpeshta që në jetën e përditshme shtrohen për secilin prej nesh dhe prej të tjerëve. Përgjigjet në këto dhe pyetje të tjera nuk janë të lehta, nuk mund të jepen shpejt, kërkojnë kohë, mund, dhe mbi të gjitha kërkojnë vullnet të përbashkët. Konkretisht, këto përgjigje duhet të rrumbullaksojnë identitetin e Kosovës. Debati i kohës së fundit, në fakt i iniciuar qysh pas luftës, për fat të keq nuk ka marrë ndonjë orientim të qartë dhe të duhur mbi atë se kush është apo do të jetë Kosova dhe kosovarët. Kemi parë këtyre viteve debate krejt sipërfaqësore, reagime emocionale ndaj ideve të të tjerëve, porse jo konkurrencë argumentesh mbi ide të caktuara.

II
Identiteti kosovar është identitet politik, jo nacional. Me gjithë elementet e izoluara që shprehin dallueshmëri të caktuar, qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve kanë nga një shtet amë afër ose relativisht larg. Asnjëri prej këtyre komuniteteve nuk është pa atdhe të dytë. Pos Kosovës, ndjenja për atë që quhet prejardhje e këtyre komuniteteve lidhet me shtetet tjera në rajon ose pak më larg. Shqiptarët e Kosovës ndjejnë Shqipërinë si atdhe të tyre të përbashkët me Kosovën, sikurse serbët e Kosovës ndjenjë Serbinë si atdhe të tyre të përbashkët me Kosovën. Renan thotë se “identiteti kombëtar është një plebishit i përditshëm” dhe kjo do të thotë se gjithnjë ekziston mundësi për ‘krijim’ identitetesh, porse për këtë njerëzit duhet të ndjehen ashtu. Derisa njerëzit në dy vende të ndryshme ndjehen njëjtë, ata nuk mund të kenë identitet të veçantë kombëtar. Derisa një shqiptar i Prizrenit dhe një shqiptar i Vlorës ndjejnë vlerat e njëjta kombëtare dhe përkatësi të përbashkët kombëtare, kjo do të thotë se nuk ‘ka kushte’ për identitet kombëtar kosovar. Në këtë relacion, identifikimi i një identiteti të dallueshëm kombëtar në Kosovë, sikurse interpretohet nga disa, është thjeshtë një aventurë e pa-rezultat. Përndryshe, nuk ka mundësi, tash për tash, të jepen përgjigje ose të identifikohen elementet e identitetit kombëtar. Si do të dallonim ne kosovarët në elementet më të rëndësishme të një identiteti kombëtar, si gjuhën, kulturën, traditën, prejardhjen biologjike. Të gjitha janë të ngjashme me ‘atdhetë’ e kosovarëve.

III
Kosova ka identitetin e saj, por ky identitet është politik. Bazuar në shumë elemente specifike, Kosova ka identitetin e saj politiko-shtetëror. Kosova ka partitë e saja politike të veçanta nga të tjerët, ka jetën politike të organizuar ndryshe, ka sistem të dallueshëm politik, ka jetën publike të sajën. Ndërkaq, pas disa muajsh, do të ketë edhe simbolet e saj shtetërore, përfshirë edhe flamurin dhe himnin. Do të ketë ambasadat e saj, ambasadorët dhe atashetë. Ky është identitet kosovar dhe bazohet në jetën politike. Orientimi politik i Kosovës është një bazë tjetër e këtij identiteti. Ky orientim ka elemente unike brenda orientimit të përbashkët të rajonit drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.
Kosova ka jetën e saj mediale, megjithëse mbetet për të rregulluar funksionimi i duhur i përbashkët për të gjitha komunitetet. Po ashtu, këtu ekziston një jetë e veçantë sportive. Angazhimi i javëve të fundit të ekipit basketbollistik të komunitetit serb “Bambi” në garat kampionale të Kosovës fuqizon në masë të madhe këtë identitet.
Dhe, reagimi i qytetarëve të Kosovës përballë të gjitha këtyre elementeve që krijojnë identitetin politik-shtetëror të Kosovës nuk është aspak refuzues. Përkundrazi, kosovarët shprehen të kënaqur me dallueshmërinë e politikës dhe jetës publike të Kosovës. Investimi në këtë lloj identiteti kosovar nuk është i vogël dhe disa thonë se ka filluar qysh para më shumë se njëzet vjetësh. Porse, ekzistimi i këtij identiteti mund të formësohet si i realizuar vetëm me krijimin e shtetit të Kosovës.

IV
Nuk aspak e lehtë të përcaktohen saktë veçoritë e një vendi të vogël që po kalon hapat e fundit për t’u bërë shtet i barabartë me të shtetet tjera. Aq më pak, kur popullsia e këtij shteti nuk është homogjene dhe kur qytetarët e saj i përkasin kombeve që nuk përfshijnë brenda kufijve të vetë shtetëror edhe hapësirën ku ata jetojnë. Identiteti kosovar më nuk çështje e parakohshme për debat. Këtë identitet po e krijojmë ne qytetarët e Kosovës në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Në fakt, ky është një proces ndërkombëtar. Porse, në këtë proces të krijimit të identitetit kosovar duhet të marrim parasysh edhe disa elemente që janë unike për rajonin dhe sidomos për hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Dhe këto elemente nuk janë të shumta, por megjithatë janë vërtetë të fuqishme dhe mund të shërbejnë si bazike. Identitetit kosovar mund t’i shtohen në këtë kontekst edhe një element i identitetit të veçantë kulturor, Simfonia e dytë “Kosovare” e kompozitorit Rexho Mulliqit e shkruar në vitet e 1970-ta si vepër orkestrale. Pjesë të kësaj Simfonie janë përdorë me vite të tëra dhe vazhdojnë të përdoren edhe më tutje nga muzikantët e Kosovës. Megjithëse kjo në shikim të parë duket më e thjeshtë, në realitet kjo do të thotë më shumë se sa një simbolikë. Kjo do të thotë element i dallueshmërisë kulturore. Kritikët patën thënë se Simfonia e dytë “Kosovare” është para së gjithash frymëzim i kompozitorit nga mjedisi, njerëzit dhe historia e Kosovës. Janë pikërisht këto elemente që përbëjnë një identitet.
(Botuar në "Zëri" më 26 shkurt 2007, fq. 10)

Sunday, February 18, 2007

Rreziku për ndarje të vetë-vendosur

Loja pa fitues

Rreziku për ndarje të vetë-vendosur
Vënia në tavolinën ndërkombëtare dhe fuqizimi i opsionit për ndarjen e Kosovës ka mundësi të ndodh dhe ekziston vetëm një faktor që është edhe vendimtar për realizimin e këtij opsioni: trazirat në Kosovë. Tashmë nuk ka dilemë se Kosova do të jetë e pavarur, sikurse duhet thënë me zë të lartë se trazirat e mundshme shkaktojnë ndarjen e vendit. Shumica shqiptare duhet të jetë skajshmërisht e përgjegjshme dhe e kujdesshme në mënyrë që të mos krijojë hapësirë dhe ambient për dhunë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Situata e sigurisë në Kosovë pas 10 shkurtit domosdoshmërisht ka pësuar një goditje ndryshuese, porse jo në të mirë. Brishtësia e saj është shumëfishuar, ndërsa nevoja për funksionalitet, parasëgjithash, të institucioneve vendore është ngritur shumë. Shumica shqiptare, në anën tjetër, ka për obligim qytetar dhe patriotik të ruajë deri në nivel maksimal durueshmërinë, besimin dhe qetësinë gjatë pjesës së fundit të procesit të shumëpritur mbi pavarësimin e vendit. Tashmë nuk ka dilemë se Kosova do të jetë e pavarur, sikurse duhet thënë me zë të lartë se trazirat e mundshme shkaktojnë direkt ndarjen e Kosovës. Ky është rreziku kryesor me të cilin përballet Kosova dhe për këtë duhet pasur kujdes të shtuar. Vënia në tavolinën ndërkombëtare dhe fuqizimi i opsionit për ndarjen e Kosovës ka mundësi të ndodh dhe ekziston vetëm një faktor që është edhe vendimtar për realizimin e këtij opsioni: trazirat në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin konstruktiv që kanë për detyrë të luajnë në tërë këtë proces. Në veçanti, këtë rol duhet ta luajnë liderët e zgjedhur politik, të pozitës e opozitës, udhëheqësit e institucioneve të pavarura, shoqëria civile, mediat, si dhe shërbimet e grupet jolegale, e po ashtu misionarët kuazi-religjioz të vullnetit të popullit të përbashkuar rreth Manifestit të "Vetëvendosjes". Këta të fundit nuk duhet të bëjnë interpretime injorante dhe duhet t’i qartësojnë edhe vetvetes se jorrallë herë realizimi i parimit të vetë-vendosjes ka qenë më i ngushtë se pavarësia.
II
Protesta e dhunshme në Prishtinë dhe mundësitë për përsëritjen e saj ngrenë rrezikun për ndarjen e Kosovës. Apo thënë thjesht, nuk ka dëshmi më të fortë se shumica shqiptare nuk i lë vend pakicës serbe në shtetin e Kosovës nëse gjatë këtyre muajve kemi trazira të dhunshme, prandaj e vetmja zgjidhje do të bëhej ndarja territoriale e vendit. Edhe kështu si jemi, Serbia ka insistuar dhe vazhdon ta bëjë këtë për opsionin e ndarjes. Ish-kryeministri i vrarë serb, Zoran Xhinxhiq, kishte nisur një aktivitet të fuqishëm para disa vitesh për këtë opsion. Presidenti i tashëm serb, Boris Tadiq po e vazhdon këtë, sidomos kohës së fundit. Aleati i vetëm për ta në Kosovë, pos serbëve lokalë, është dhuna dhe janë organizatorët e dhunës. Me çfarë racionaliteti dhe argumenti politik mund të sigurohen serbët e Kosovës se ata do të mund të jetojnë në mënyrë të barabartë me ne shqiptarët, nëse një grup kaq i vogël anarkistësh arrin të shtrijë ndikimin e vet dhe të shkaktojë trazira? Nëse 17 dhe 18 marsi i vitit 2004 ka dhënë si pasojë rreth 20 faqe me garanci për serbët e Kosovës në pakon e Ahtisarit, dhuna e mundshme e tashme ka vetëm një pasojë: ndarjen apo realizimin e projektit famoz të Xhinxhiqit. Ky nuk është vullneti i popullit shumicë në Kosovë. Vullneti i tij përfaqësohet në procesin ndërkombëtar që udhëhiqet prej presidentit Ahtisari dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ky proces bashkëdyzon në mënyrë adekuate realizimin e aspiratës sonë me vlerat njerëzore e demokratike Perëndimore, pjesë e të cilave ne synojmë të jemi.
III
Misionarët kuazi-religjoz të Lëvizjes "Vetëvendosje" kanë bërë dhe po bëjnë interpretime injorante të tërë kësaj që po ndodh në dhe rreth Kosovës. Me një stil të përzier mes Ajetollahëve iranianë, kryeproletarëve komunistë dhe revolucionarëve latinoamerikanë, udhëndriçuar nga idhulli i tyre – anarkisti Chomsky, Kurti dhe bashkëmisionarët e tij të ngushtë nuk e kuptojnë se nuk fillon e mbaron çdo gjë me vetë-vendosjen. Jo rrallë herë kanë ndodhur raste që kanë dëshmuar se parimi i vetë-vendosjes në realizim është më i ngushtë/vogël se pavarësia e një vendi. Në botën akademike ka vite që debatohet mbi këtë. Sa për të sqaruar këtë qasje, mjafton të përmenden katër pyetjet themelore që ngrenë dilema jo të parëndësishme dhe të paqëndrueshme rreth parimit të vetë-vendosjes: 1) Kush është populli? 2) Cila është hapësira/territori ku mund të ushtrohet ky parim? 3) Kush e përbën shumicën apo cili është raporti mes shumicës dhe pakicës? dhe 4) A duhet apo çka i ndalon të ushtrojnë vetë-vendosjen edhe pakicat në atë territor? Prandaj, jo çdo gjë gjen përgjigjen në parimin e vetë-vendosjes. Përndryshe, historia e njerëzimin nuk do të ishte përshkruar me luftëra të gjata dhe të pandalshme. Kurti dhe të tjerët do të duhej të jenë koshientë rreth kësaj çështjeje, sikurse edhe të mos interpretojnë rrejshëm. Si është e mundur që Kurti me bashkëmisionarë të synojnë ndryshimin e tërë rendit botëror vetëm që të arrijnë realizimin e vullnetit të tyre. Vetëm një forcë mbi fuqinë amerikane do të mund të ndërronte këtë proces dhe këtë rend botëror.
IV
Shumica shqiptare duhet të jetë skajshmërisht e përgjegjshme dhe e kujdesshme në mënyrë që të mos krijojë hapësirë dhe ambient për dhunë. Të gjithë duhet menduar në mënyrë strategjike dhe në këtë frymë kanë diskutuar edhe filozofë të shumtë me mijëra vjet. Edhe Sun-Tzu ka thënë se mënyra më e mirë për t’iu shmangur rezultatit të dhunshëm është të menduarit në mënyrë strategjike. Ndjekja strategjike e vetë-interesit nuk është një pseudo-shkencë e ftohtë dhe amorale, por morali i veprimit të atyre që i dinë tmerret e betejave dhe kërkojnë t’i shmangen atyre. Prandaj, aspekti i sigurisë mbetet gjithnjë çështje e rëndësishme, kjo edhe për vetë faktin se qenia njerëzore për nga vetë natyra e saj përshkruhet nga të paktën tri elemente, ndërsa e para prej tyre është frika. "Çfarëdo që ne mund të mendojmë ose pretendojmë, sjellja njerëzore është e prirë nga frika-phobos, vetëinteresi-kredos dhe nderi-doxa", ka thënë Tukiditi. Të drejtat e qytetarëve të Kosovës nuk mbrohen me anarki. Nuk janë vetëm shtetet tiranike ato që shkelin të drejtat e njeriut dhe në këtë mënyrë shkaktojnë shqetësime të sigurisë. Autorë botëror thonë se kjo tashmë shkaktohet më së shumti nga kaosi dhe parregullsia. "Kërcënimi më i madh i të drejtave të njeriut të thjesht në shekullin e njëzetenjë shpesh vjen më shumë nga kaosi dhe pa-rregulli, sesa nga tirania shtetërore…Liria bëhet çështje vetëm pasi të krijohet rendi", thotë Michael Ignatieff. Prandaj, duhet të krijojmë dhe respektojmë me fanatizëm rendin, për të krijuar hapësirë për liri.
(Autori është Këshilltar Politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar në "Zëri", më 19 shkurt 2007, fq. 11

Sunday, February 11, 2007

Protestat si mjet për instalim sistemi

Loja pa fitues

Protestat si mjet për instalim sistemi


Nëse ai grup i qytetarëve shprehnin revoltën e tyre me rrjedhën e procesit mbi statusin final të Kosovës, propozimin e kryendërmjetësit Ahtisari dhe punën e Grupit Negociator, organizatori i saj në mënyrë të hapur ka për qëllim ngritjen personale politike, instalimin e një sistemi të ri e të tejkaluar përmes revolucionit anarkik, hedhjen poshtë të çdo gjëje të bërë nga të tjerët, zhvleftësimin, nënçmimin dhe fyerjen e intelegjencës së qytetarëve vullnetmirë kosovarë, minimin e një procesi të shumëpritur dhe për të cilën është sakrifikuar jo vetëm shtatë vjet pas luftës dhe qëllime të ngjashme të ulëta


Shkruan: Burim Ramadani
I
Pamjet dhe njoftimet e kësaj fundjave nga Prishtina kanë rishqetësuar opinionin publik të tronditur të Kosovës. Rrugët kryesore të Prishtinës u mbuluan të shtunën me zhurmë, gurë, shkopinj e gaz lotsjellës, ndërsa të dielën u njoftua për vdekjen e dy personave të lënduar një ditë më parë. Një protestë e filluar si kundër propozimit të presidentit Ahtisari mbi statusin e Kosovës dhe punës së Grupit Negociator u kthye në një protestë të dhunshme, anarkike, tentim-revolucionare e institucionshkatërruese. Nuk është që protestimi në këtë apo çfarëdo kohe tjetër paraqet diçka të papranueshme, porse koncepti, forma dhe qëllimi janë çështjet që determinojnë rrjedhën dhe arsyen e shprehjes së pakënaqësive të mundshme. Forcat e sigurisë, në anën tjetër, ekzistojnë si formacion legal për të mbajtur rendin dhe qetësinë publike, përfshirë këtu edhe sigurinë e përgjithshme të brendshme e të jashtme në një vend dhe si pjesë të punës së saj ka edhe përdorimin legjitim dhe legal të forcës. Ndërsa, dimensioni i tretë në këtë aspekt gjithsesi mbetet koha, ndjeshmëria dhe përcaktueshmëria e saj.
II
Dhe, cilat në fakt kanë qenë këto elemente të protestës së një grupi qytetarësh të Kosovës të organizuar të shtunën nga Lëvizja e Çe Gevarës së Ri (Che Guevara Junior)? Cili ishte koncepti i kësaj proteste, në çfarë forme dhe në fund të fundit çka kishte për qëllim organizatori i saj? A kishin tjera qëllime protestuesit e tjera qëllime organizatori? Nga ajo që të paktën u pa gjatë kësaj fundjave, domosdoshmërisht duhet bërë një dallim të qartë dhe të zëshëm midis qëllimeve të dy niveleve të kësaj proteste. Nëse ai grup jo i madh i qytetarëve shprehnin revoltën e tyre me rrjedhën e procesit mbi statusin final të Kosovës, propozimin e kryendërmjetësit Ahtisari dhe punën e Grupit Negociator të Kosovës, organizatori i saj në mënyrë të hapur ka për qëllim ngritjen personale politike, instalimin e një sistemi të ri përmes anarkisë, hedhjen poshtë të çdo gjëje të bërë nga të tjerët, zhvleftësimin, nënçmimin dhe fyerjen e intelegjencës së qytetarëve vullnetmirë kosovarë, minimin e një procesi të shumëpritur dhe për të cilën është sakrifikuar jo vetëm shtatë vjet pas luftës dhe qëllime të ngjashme. Mjafton të përmendet Che Guevara dhe kështu përshkruhet më së miri organizatori i kësaj proteste. Megjithatë, nuk duhet hezituar të thuhen publikisht disa nga të metat dhe aspektet negative të këtij personazhi. Komandanti popullor Che ishte revolucionar me bindje komuniste, refuzuese dhe nënçmuese e fyese ndaj atyre që mendojnë dhe veprojnë ndryshe, për të mos thënë edhe veprime krejt armiqësore. Porse, nëse ai kishte forcën fizike e grupore të armatosur, organizatorit të kësaj proteste kjo i mungon. Ky të paktën ka stilin e dukjes së komandant Che-s, ka gjuhën popullore dhe synimin e instalimit të bindjeve të tija përmes revolucionit anarkik.
III
E drejtë është pikëpamja se forcat e sigurisë janë një prej pak elementeve kryesore që tregojnë funksionalitetin e një shteti apo vendi që pretendon të jetë shtet. Askush dhe askund nuk mund të pretendojë se policia duhet t’i lë të paprekur njerëzit të thyejnë e të shkatërrojnë institucionet publike. Kushdo qofshin pretenduesit e shkatërrimit të institucioneve, forcat e sigurisë duhet të veprojnë në masën adekuate për kryerjen e detyrave të tyre. Policia ekziston për të mbajtur rendin, qetësinë, sigurinë publike, jetën dhe pronën e qytetarëve të vendit, objektet dhe pikat vitale të shoqërisë dhe shtetit. Ato kanë për detyrë për të ruajtur institucionet qendrore publike dhe për reaguar ndaj atyre që kishin apo kanë këto qëllime krejtësisht të papranueshme. Sidoqoftë, as policia nuk largohet nga përgjegjësia dhe hetimet ndaj pjesëtarëve të saj janë pjesë e domosdoshme e zhvillimeve të mëtejshme.
IV
Çdo veprim analizohet, zbërthehet dhe vlerësohet mbi bazën e dy parimeve krejt iniciale: kohën dhe hapësirën. Të dy këto bien në kundërshtim me konceptin, formën dhe qëllimet e protestës të së shtunës. Koha e tashme dhe muajt në vazhdim kanë nevojë për qetësi, stabilitet politik e institucional dhe siguri në Kosovë. Nuk do të mund të arrihet asgjë prej gjëje në këtë proces përmes dhunës, protestave të llojit të së shtunës dhe destabilitetit.
Hapësira ku protestohet prapëseprapë është e gabueshme. Procesi për përcaktimin e statusit final të Kosovës është një proces ndërkombëtar dhe është mirë një zhvillim i tillë. Edhe nëse duhet, nuk ka vend të saktësuar ku duhet të reagohet përmes sulmit dhe aq më pak ai vend është Prishtina. Institucionet dhe Grupi Negociator po përfaqësojnë në mënyrë të denjë, demokratike, evropiane dhe moderne vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Shtetësia e Kosovës nuk fitohet përmes izolimit në vetvete dhe kundërshtimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, sikurse që nuk është fituar deri më tash. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të durueshëm dhe të mos bien në provokime të askujt. Gjithçka që do të mund të nxiste reagimet e tyre të ashpra është kundër Kosovës, është kundër përmbylljes së suksesshme të vullnetit të qytetarëve të vendit për pavarësi. Është vetëm një opsion që mund të nxitet përmes dhunës: ndarja e Kosovës. A na duhet kjo?

(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar në "Zëri" më 12 shkurt 2007, fq. 12

Sunday, February 4, 2007

Fuqia e interpretimit

Loja pa fitues

Fuqia e interpretimit

Bërja e panevojshme e vlerësimit të tretë të implementimit të "Marrëveshjes" do të jetë një prej sfidave kryesore të lidershipit kosovar. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të duhej të përfundojë mandantin gjatë vlerësimit të dytë, që në fakt koincidon me fundin e mandatit të qeverisë së parë të passtatusit. Fuqia e tij supreme interpretuese dhe ekzekutive nuk do duhej të zgjaste më shumë. Kryendërmjetësi Ahtisaari me propozimin e tij, pa e përmendur, i ka dhënë përfaqësuesit të ri ndërkombëtar në Kosovë kompetencat e 'homologut' të tij në Bosnjë dhe Hercegovinë

Shkruan: Burim Ramadani
I
Qoftë si rregull i shkruar apo i pashkruar, interpretimi i çdo vendimi apo marrëveshje i takon ekskluzivisht atij që e merr atë. Ky është rregull që ka përcjell dhe do ta përcjell edhe Kosovën në të gjitha aspektet, porse këtu situata ndryshon. Vendimin për Kosovën e marrin të tjerët, jo kosovarët. Rrjedhimisht, interpretimin për vendimin e bëjnë të tjerët, jo kosovarët. Për shtatë vjet, korniza ligjore mbi të cilën ka funksionuar Kosova është interpretuar nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra (tashmë e njohur për ne) Ligjore e OKB-së në New York. Pas kaq vitesh, Kosova përballet me një situatë të ngjashme nga ky aspekt, edhe pse me ndryshim të formës. Interpretuesi do të jetë sërish New York-u tashmë në bashkërendim me Brukselin. Kështu do të rrjedhin zhvillimet e mëtejshme në rendin pozitiv dhe politik në vend. Megjithëse liderët e Kosovës nuk kanë theksuar deri më tash se prania e ardhshme ndërkombëtare do të ketë autoritet/fuqi/pushtet të gjerë dhe në njëfarë mënyre suprem, kryendërmjetësi ndërkombëtar me propozimin e tij, pa e përmendur, i ka dhënë përfaqësuesit të ri ndërkombëtar në Kosovë kompetencat e 'homologut' të tij në Bosnjë dhe Hercegovinë.
II
Pakoja e presidentit Ahtisaari ka përcaktuar një prani ndërkombëtare jo të lehtë sa i përket autoritetit mbikëqyrës dhe interpretues. Përkatësisht, fuqia e pranisë së ardhshme ndërkombëtare ekziston pikërisht në autoritetin për të interpretuar. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) do të interpretojë të gjitha veprimet ligjore dhe politike të vendorëve dhe të gjitha mundësitë për fleksibilitet ose jofleksibilitet brenda "Marrëveshjes" mbi statusin final. Nuk do analizë të thelluar se çka do të thotë të kesh fuqinë e interpretimit. Këtë e ka pasur për vite me radhë bashkësia ndërkombëtare dhe jemi dëshmitarë të fuqisë politike të përfaqësuesve të saj në Kosovë. Përfaqësuesit vendorë kosovarë nuk kanë pasur këtë pushtet dhe nuk do ta kenë të paktën edhe për disa vjet. Tashmë, në mënyrë të drejtpërdrejtë interpretimi kalon nga UNMIK-u në PCN dhe shoqëria kosovare do të mund të përballet me situata të ngjashme që kanë ndodhur gjatë këtyre shtatë vjetëve. Dhe, kur flitet për "Marrëveshjen" nënkuptohen të gjitha fushat e veprimit politik dhe juridik në Kosovë. Përfshirë madje edhe certifikimin e zgjedhjeve, edhe pse herën e fundit kur janë mbajtur zgjedhjet më 2004 është menduar se autoritetet kosovare tashmë janë të përgatitura plotësisht për organizimin dhe procedimin e plotë të zgjedhjeve të ardhshme.
III
Porse, fuqia e pranisë së ardhshme ndërkombëtare nuk ka të bëjë vetëm me disa segmente. Ajo në fakt është gjithpërfshirëse apo supreme. Në pikën 11.1 të Përmbledhjes Ekzekutive të Propozimit të Ahtisarit, ndër të tjera thuhet se: "Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) do të vishet me kompetenca të veçanta që do ta lejojnë atë të marrë veprimet e duhura për të mbikqyrur dhe siguruar zbatimin e suksesshëm të Marëveshjes. Këto kompetenca përfshijnë autoritetin për të anuluar vendime apo ligje të miratuara nga autoritetet kosovare dhe për të ndëshkuar apo hequr nga pozita ata zyrtarë veprimet e të cilëve PCN-ja gjykon që nuk pajtohen me frymën e Marrëveshjes. PCN gjithashtu do të jetë autoriteti vendimtar në Kosovë për sa i përket aspekteve civile të Marrëveshjes". Kjo është e njëjtë me dispozitat famoze të Rezoultës 1244/99 ku thuhej se PSSP-ja paraqet autoritetin përfundimtar në fushën ligjore, gjyqësore dhe ekzekutive. Bazuar në këtë formulim të ri, dalin të paktën tri pyetje që duket se kanë të njëjtën përgjigjje: A është dashur që përfaqësuesi i ri të ketë këto dhe kompetenca të veçanta shtesë? A është dashur kjo të pranohet pa kundërshtime nga pala kosovare? A mundet të ndryshohet kjo? Ndërsa, përgjigjja e vetme e përbashkët për këto pyetje mund të jetë: Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një përfaqësues të saj në Kosovë, të cilit mund t'i besojë angazhimet e mëtejshme në pjekjen e shoqërisë kosovare dhe elitës politike sipas frymës së "Marrëveshjes".
IV
Për të fuqizuar më shumë këtë përgjigjje mjafton të shihet një formulim tjetër në Pakon e Ahtisarit. Në pikën 16 të Përmbledhjes Ekzekutive thuhet se "Mandati i PCN-së do të vazhdojë deri sa Grupi Drejtues Nndërkombëtar të vendosë që Kosova ka zbatuar kushtet e Marrëveshjes" dhe në pikën 6 të kapitullit mbi Prezencën Ndërkombëtare thuhet se "GDN-ja do të bëjë vlerësimin e parë të implementimit të marrëveshjes (zgjidhjes) së statusit pas dy viteve". Nuk është përcaktuar kur do të jetë vlerësimi i dytë dhe nëse do të ketë nevojë edhe për një vlerësim të tretë. Në fakt, bërja e panevojshme për të pasur vlerësim të tretë të implementimit të "Marrëveshjes" do të jetë një prej sfidave kryesore të lidershipit kosovar. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar do të duhej të përfundojë mandantin gjatë vlerësimit të dytë, që në fakt koincidon me fundin e mandatit të qeverisë së parë të passtatusit. Qeveria e dytë e passtatusit nuk do të duhej të merrej me implementim të "Marrëveshjes".
(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar më 5 shkurt 2007, në "Zëri", fq. 9