Sunday, April 29, 2007

Realiteti i pamohueshëm

Loja pa fitues

Realiteti i pamohueshëm

Edhe po të kishin lexuar disa mijëra faqe raportesh, punimesh studimore e lajmesh rreth Kosovës, pamja që i është paraqitur në Krushë të Vogël ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit i ka dhënë një leskion që njerëzit në rend të parë janë qenie njerëzore me vlerë të barabartë. Ata kanë parë “Kosovën në gjashtë ngjyra” të përgatitur për t’iu bashkuar familjes së shteteve sovrane

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ambasadorë të nivelit më të lartë ndërkombëtarë, diplomatë karriere, qytetarë të vendeve të ndryshme botërore, njerëz të pasur, me përvojë të gjerë politike e me kredo personale e profesionale kanë lënë anash të shtunën të gjitha përkatësitë e tyre. Të ardhur nga New York-u, pesëmbëdhjetë ambasadorët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kanë ndier veten ndoshta më shumë se asnjëherë se janë qenie njerëzore dhe se janë të barabartë me të gjithë njerëzit tjerë të botës. Kjo ka ndodhur në Krushë të Vogël të Kosovës, kur diplomatët e lartë ndërkombëtarë janë pritur nga gratë e veja, fëmijët jetimë dhe burrat e paktë që kanë mbijetuar tmerrin e luftës së viteve 1998-99 në Kosovë. Me një grumbull fotografish të të vrarëve e të zhdukurve nga forcat e regjimit të Millosheviqit, banorët e vuajtur të Krushës së Vogël kanë përfaqësuar në mënyrën më të pastër dhimbjen e popullatës shumicë të Kosovës, të cilët iu nënshtruan pak vite më parë një tentim-gjenocidi të menduar, organizuar dhe realizuar nga shteti serb.

II
Aspak dyshime nuk mund të vëhen mbi realitetin e historisë së fundit të Kosovës. Vendi, qytetarët dhe gjeneratat të plota janë ballafaquar me disa faza të rënda të zhvillimeve të përgjithshme historike e politike. Ambasadorët në Këshillin e Sigurimit qëndruan në Kosovë për dy ditë, ndërsa kanë parë me sytë e tyre dhe kanë prekur me duart e tyre një histori të tërë gjeneratash të vuajtura e të trishtuara. Edhe po të kishin lexuar disa mijëra faqe raportesh, punimesh studimore e lajmesh rreth Kosovës, pamja që i është paraqitur në Krushë të Vogël i ka dhënë atyre një leskion që njerëzit në rend të parë janë qenie njerëzore me vlerë të barabartë. Sidoqoftë, pesëmbëdhjetshja e madhe ndërkombëtare është ballafaquar me arritje signifikante në Kosovë. Vendosja e bashkësisë ndërkombëtare, krijimi i institucioneve, zgjedhjet e drejta e të lira, krijimi i mekanizmave për jetën e të gjitha komuniteteve këtu, arritjet në përmbushjen e standardeve dhe zhvillime të tilla kanë qenë faktet kryesore që i janë paraqitur mysafirëve nga Këshilli i Sigurimit.

III
Ambasadori inicues i kësaj vizite është gjetur i prekur në mesin e njerëzve me dhimbje të pashërueshme për humbjen e numrit të madh të anëtarëve të familjeve të tyre. “Edhe unë jam qenie njerëzore” ka thënë njeriu më i rezervuar në komunikimet e këtyre ditëve, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin. Sigurisht se ai me kolegët e tij janë ndier në siklet emocional edhe nga një punim fotografish që i është dorëzuar atyre gjatë takimit me Qeverinë e Kosovës. “Kosova në gjashtë ngjyra” i ka sqaruar po ashtu atyre gjashtë stade të zhvillimeve në vend. Me 70 fotografi të lidhura me një disenj të mirë, ambasadorët kanë marrë një shpjegim për situatën e paraluftës, fillimin e përkeqësimit të situatës, vrasjet individuale, masakrat kolektive, dëbimin e shqiptarëve, shkretëtimin e Kosovës, kthimin e njerëzve në trojet e veta dhe dhimbjen për të pagjeturit.

IV
Asnjëherë nuk është dashur të deklarohet se ambasadorët e Këshillit të Sigurimit nuk kanë pse të vijnë në Kosovë. Pavarësisht kohës dhe rrethanave kur është inicuar kjo vizitë, nuk është dashur dhe nuk duhet të frikësohemi nga realiteti që është ndërtuar në Kosovën e pasluftës. Qytetarët, institucionet dhe bashkësia ndërkombëtare kanë investuar angazhim dhe mund të madh në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës. Përgjatë mbi shtatë vjetëve prej fillimit të administrimit ndërkombëtar në Kosovë, rindërtimi i jetës politike, shoqërore dhe qytetare ka arritur një stad të rëndësishëm, përkundër të metave evdiente që kemi si shoqëri. Kosova dhe elitat udhëheqëse, sikurse edhe qytetarët, janë të orientuar qartë kah ndërtimi i sistemit demokratik, konsolidimi i demokracisë dhe arritja e nivelit të një shoqërie moderne. Janë tri elemente që dallojnë shoqëritë moderne: ndryshimi kulturor, zhvillimi ekonomik dhe prania e institucioneve demokratike. Të tri këto elemente sigurisht se kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm dhe për punë të madhe, porse orientimi, mekanizmat dhe politikat zhvillohen drejt kësaj.

Botuar në “Zëri” më 30 prill 2007, fq.

Sunday, April 22, 2007

Partitë kosovare dhe ideologjitë e pazbërthyera

Loja pa fitues

Partitë kosovare dhe ideologjitë e pazbërthyera

Mosprofilizimi i partive politike në Kosovë është dhe mbetet e meta kryesore që kanë paraqitur vlerat intelektuale dhe akademike të elitës udhëheqëse të këtyre partive. Ato nuk kanë arritur që të përcaktohen për ideologjinë që duan të përfaqësojnë para elektoratit vendas dhe në raportet rajonale e ndërkombëtare

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vota, programi, partia, ideologjia dhe kandidati në shoqëritë e zhvilluara demokratike janë të lidhura ngushtë mes vete. Oferta me të cilën qytetarëve të vendit të caktuar u paraqaqitet një parti ose një kandidat ka substancë pothuaj permanente, porse të freskuar me elemente të ndryshme. Të gjitha këto elemente janë të rëndësishme për një qëllim: konvertimin e interesave të qytetarëve me votën e tyre dhe anasjelltas. Porse, opinioni publik e di a priori se cilat do të jenë bazat e programeve që do të paraqesin kandidatët nga partitë e caktuara. Fatkeqësisht, opinioni publik dhe votuesit kosovarë janë të privuar nga kjo ndjenjë dhe duket se kështu do të jetë edhe një kohë relativisht të gjatë. Faji për këtë është tek mosprofilizimi i partive politike në Kosovë, të cilat konceptualisht nuk dallojnë në mënyrë të theksuar. Mosprofilizimi i tyre është dhe mbetet e meta kryesore që kanë paraqitur vlerat intelektuale dhe akademike të elitës udhëheqëse të këtyre partive, duke mos arritur që të përcaktohen për ideologjinë që duan të përfaqësojnë para elektoratit vendas dhe në raportet rajonale e ndërkombëtare.

II
Vendi të cilin partitë politike duan ta zënë në kompasin e spektrit politik duhet të jetë i përcaktuar mbi bazën e një ideologjie konceptuale, parimore dhe substanciale. Besimet e elitave udhëheqëse të partive politike duhet të jenë themelet e përcaktimit të këtij vendi. Në Kosovë kjo nuk ka ndodhur asnjëherë qartë e mirë, prandaj kjo duhet të jetë një prej qëllimeve dhe punëve kryesore të vlerave të vjetra e të reja brenda partive vendore. Nuk është e debatueshme orientimi kah demokracia i partive tona politike, por bëhet fjalë për mosqartësimin e pozicioneve bazë të tyre. Tri partitë e mëdha politike, për shembull, kanë vetëm nga një element dallues me të cilin janë paraqitur viteve të fundit. Sidoqoftë, ato janë të përziera në kuptimin e programit që prezantojnë dhe elementeve ideologjike që përfaqësojnë. Qasja e tyre mbi çështjet e përgjithshme ekonomike, sociale, integruese, arsimore, shëndetësore, kulturore etj., nuk janë unike dhe nuk paraqesin debat konkret. Ta marrim për shembull një element interesant që krahason në një aspekt ndoshta edhe banal debatin e këtushëm. Kandidati i djathë francez për president në Francë, Nicolas Sarkozy, ka premtuar heqjen e taksës për punën jashtë orarit, pasi që të jenë përbushur 35 orë punë në javë.

III
Vetëm nga një element i theksuar i dallon tri partitë e mëdha politike në vend. Ato gjatë fushatave të fundit elektorale kanë vënë në dukje tri elemente unike, të cilat patjetër duhet të shtjellohen, zbërthehen dhe evaluojnë në koncepte. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka elementin e ‘lirisë’, që në demokracitë evropiane lidhet me lirinë individuale dhe tregun e lirë. Dinjiteti i individëve, liria dhe përgjegjësia, solidariteti, subsidiariteti, drejtësia, sundimi i ligjit dhe demokracia janë vlerat kryesore që mbrohen dhe promovohen nga partitë popullore. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ‘drejtësinë sociale’, që në fakt i referohet konceptit të një shoqërie të drejtë, ku ‘drejtësia’ është më shumë se administrimi i drejtë i ligjeve. Ajo është e bazuar në idenë e një shoqërie që i jep trajtim fer individëve dhe grupeve, si dhe që shpërndan përfitimet mes tyre. Këto janë vlerat social-demokratike ose në vende të ndryshme edhe socialiste. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me elementin e saj të ‘qendrës’, nuk ka përcaktuar ende fuqishëm se cilat do të jenë benefitet e saj nga të dy krahët (majtë dhe djathtë) në kontekstin kosovar.

IV
Vlerësimet që dalin nga analizat e partive të ndryshme evropiane pohojnë se ka definime të ndryshme të demokracisë. Nga perspektiva e tregut të lirë, demokracia duhet t’i jep secilit lirinë e përfitimit nga mundësitë e dhëna. Nga perspektiva socialiste, demokracia mund të funksionojë vetëm nëse shteti rregullon shpërndarjen e pasurisë që realizohet nga forcat e tregut. Sipas mendimit konservator dhe liberal në kuptimin evropian, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë, por kjo nuk nënkupton se liberalët nuk marrin parasysh disa role të dobishme për shtetin. Kjo strukturë beson se shteti ka përgjegjësi të caktuara për ndihmesën ndaj të papunësuarve, të hendikepuarve dhe të moshuarve. Sipas mendimit socialist, ndërkaq, shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi në mënyrë që të arrihet më shumë barazi në shoqëri. Ata thonë se nëse forcat e tregut kanë lojë të lirë për të luajtur, atëherë hendeku midis të pasurve dhe të varfërve do të jetë më e gjerë. Është vetëm shteti ai që ka autoritetin e domosdoshëm për të rishpërndarë të ardhurat nga të pasurit tek të varfrit. Në këtë kontekst, partitë tona kanë për detyrë të qartësojnë pozicionin e tyre dhe vlerat që duan të mbrojnë.

Botuar në “Zëri” më 23 prill 2007, fq. 09

Sunday, April 15, 2007

Nga tranzicioni në tranzicion

Loja pa fitues

Nga tranzicioni në tranzicion

Nëse nuk llogaritet një tranzicion i llojit tjetër nga viti 1989 deri në vitin 1999, shoqëria kosovare pas tetë vjetësh tranzicioni po përgatitet për të hyrë në një fazë të re tranzitore, që do ta përgatiste atë për fazën e ardhshme po ashtu tranzitore. Shoqëritë post-komuniste dhe post-konfliktuoze e dinë kur futen, por nuk e dinë se kur do të mund të dalin nga tranzicioni

Shkruan: Burim Ramadani

I
Nga tranzicioni, përmes tranzicionit, për në tranzicion. Ky mund të jetë formulimi përshkrues për situatat që kalon shoqëria kosovare që nga përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999. Duke huazuar elementet kryesore të formulimit për demokracinë nga ish-presidenti amerikan, Abraham Lincoln (nga populli, prej popullit, për popullin), interpretimi i karakteristikave të përvojës së shoqërisë së Kosovës mund të jetë pothuajse unik. Prej një faze mjaft të gjatë që është vlerësuar si tranzicion i pasluftës, përmes një faze të re shumë më të shkurtër prej 120 ditësh pas miratimit të Rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova do të futet në një fazë tjetër të tranzicionit. Stadi i ri tranizitor nënkupton përmbushjen e vendosjes së statusit të shtetit të pavarur të Kosovës, nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. E tërë kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës, përkatësisht shoqëria kosovare është e lodhur nga mundimet sociale e politike për një kohë të gjatë. Nëse nuk llogaritet një tranzicion i llojit tjetër nga viti 1989 deri në vitin 1999, shoqëria kosovare pas tetë vjetësh tranzicioni po përgatitet për të hyrë në një fazë të re tranzitore, që do ta përgatiste atë për fazën e ardhshme po ashtu tranzitore. Vazhdimi i mundimeve sociale e politike për kosovarët, do të thotë nevojë për politika më të avancuara.

II
Në kohën kur iu dha fund okupimit serb mbi Kosovën që kishte kaluar në tentim-gjenocid, kosovarët u futën në ‘jetën e re’ të lodhur dhe fragmentuar përbrenda. Faza tranzitore prej vitit 1999 deri më 2007 doli të ketë ngritje dhe rënie të shpeshta të motivit për progres dhe besim në politikën si proces. Tri vitet e para filluan me një angazhim të përgjithshëm. Pos rifillimit të jetës së rregullt të qytetarëve kosovarë, filloi edhe periudha e ndërtimit të institucioneve vendore lokale e qendrore. Të përshkruara në fillim me një entuziazëm të lartë, institucionet vendore u ballafaquan me mungesë të kapaciteteve, përvojës dhe mbi të gjitha me mungesë të kompetencave për punët të cilat qytetarët kërkonin të kryheshin. Kjo shkaktoi rënien e motivit dhe rriti pakënaqësitë e që së bashku me padurimin për moszgjidhjen e statusit të vendit kulmoi në mars 2004. Pas pak kohe, rifilloi faza e përpjekjeve dhe politikave për të tejkaluar këtë fazë, ndërsa me këtë u afrua koha e fillimit të diskutimeve mbi statusin final të vendit. Kosovarët i janë rrekur këtij procesi me seriozitetin më të madh për shkak të një entuziazmi të lartë, gjë që ishte paraqitur publikisht pas rundeve të para të bisedimeve në Vjenë. Ky nivel i kënaqësisë me procesin pësoi rënie dhe në kundërshtim të procesit dy veta u vranë në Prishtinë, ndërsa kthimi i entuziazmit mund të arrihet me shpalljen e pavarësisë.

III
Ndonëse ditët e para të pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga bashkësia ndërkombëtare do të duken të veçanta për historinë tonë, puna që pritet të bëhet në katër muajt e parë është mjaft voluminoze. Atëherë fillon faza tranzitore prej 120 ditësh, gjatë së cilës të pothuaj të gjitha kompetencat nga administrata ndërkombëtare do të kalojnë në institucionet vendore. Kësaj i shtohet edhe një numër i madh i obligimeve që kosovarët duhet të përfundojnë për këtë kohë të caktuar. Një numër i madh i ligjeve duhet të draftohen e miratohen, duhet të vendoset për Kushtetutën, simbolet shtetërore të vendit, ndërsa në këtë grumbull përfshihen edhe ligjet e rëndësishme të shtetit, siç është ligji për zgjedhjet, ai që vë kornizat për riorganizimin territorial, përkatësisht qeverisjen lokale. Sidoqoftë, askush nuk e mohon punën e madhe që duhet bërë gjatë këtyre 120 ditësh, porse askush nuk e përmend se ku dhe si do të përballet me tërë këtë qytetari i Kosovës. Sigurisht se do të duhet të ketë një mirëkuptim nga ana e qytetarëve për fazën e mbushur me plotë detyra e punë për katër muaj rresht. Pozita e qytetarit të Kosovës në ditën e parë të pavarësisë, sikurse edhe në ditën 121 të pavarësisë do të jetë pothuajse e njëjtë me atë të sotme. Duhet pasur të qartë se derisa institucionet vendore do të kenë për qëllim marrjen e përgjegjësive, qytetarët duan të avancojnë në statusin e tyre.

IV
Ndërkohë që përfundon faza tranzitore 120 ditëshe, qytetarët e Kosovës do të përballen me fillimin faktik të fushatës parazgjedhore nga partitë politike të vendit. Kështu ata do të ballafaqohen me fillimin e një faze të re tranzitore për implementimin e vendosjes së statusit të Kosovës. Mandati i institucioneve aktuale pavarësisht nga përbërja e tyre do të jetë i drejtuar kah fillimi i zbatimit të vendosjes mbi statusin. Më pas, zgjedhjet që do të mund të mbahen më së largu nëntë muaj pas Rezolutës do të vendosin se kush do të vazhdojë zbatimin e vendosjes. Mandati i qeverisë së parë të paszgjedhjeve do të jetë zbatimi i Pakos së Ahtisaarit. Vetëm me një angazhim tejet konkret do të mundësojë zbatimin e këtyre obligimeve për një mandat qeverisës. Mosarritja e kësaj do të ngjallte reagime dhe pakënaqësi të qytetarëve të Kosovës. Askush nuk do ta ketë të lehtë të durojë fillimin dhe mbarimin e një faze të re tranzitore nëse ajo do të zgjatet. Problemet sociale do të mund të kalojnë në kriza sociale dhe politike në vend, prandaj pas statusit udhëheqja e Kosovës duhet të jetë e konkretizuar në veprimet e veta dhe e fuqishme në implementimin e politikave. Tranzicioni i ri megjithatë nuk dihet se kur mund të përfundojë. Shoqëritë post-komuniste dhe post-konfliktuoze e dinë kur futen në tranzicion, por nuk e dinë se kur do të mund të dalin nga tranzicioni.


Botuar në “Zëri” më 16 prill 2007, fq. 10

si dhe në gazetën "Shqip", Tiranë: 18 prill 2007, fq. 11

- shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=16709

Sunday, April 8, 2007

Shtegu dalës i misionit të pamundshëm

Loja pa fitues

Shtegu dalës i misionit të pamundshëm

Misioni fakt-mbledhës i ekipit të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë do të merr një kohë të shkurtër në funksion të asaj që quhet blerje e kohës. Porse, ambasadorit rus në mekanizmin ekzekutiv të OKB-së nuk do t’i mbetet shumë për të folur më pas. Rezultati doemos do të jetë pozitiv dhe kjo për shkak të punës së institucioneve të Kosovës në planet dhe veprimet për standardet

Shkruan: Burim Ramadani

I
Presidentit Ahtisaari i është dhënë një mision i pamundshëm. Ky ka qenë formulimi më interesant nga politikanët joshqiptarë të rajonit të Ballkanit, kryeministrit bullgar Sergey Stanishev. Sado që mund të interpretohet në forma të ndryshme, formulimi i këtillë patjetër se ka konstatuar diçka ekzistuese. Ai duke u munduar të sqarojë qëndrimin e qeverisë së Sofjes mbi planin e kryendërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, në fakt ka përshkruar procesin nga një qasje të cilën nuk e ka pasur pothuaj askush në rajon. Misioni i Ahtisaarit sikurse është proklamuar në fillimin e procesit para mbi një viti ka rezultuar të jetë i pamundshëm. Arritja e një marrëveshje apo kompromisi sa i përket substancës së problemit midis dy palëve nuk ka qenë i mundur asnjëherë dhe as që është dashur të pritet se do të ndodh. Përshkrimi që ka dhënë kryeqeveritari bullgar do t’i futej në punë diplomacisë ruse dhe kjo mundësi nuk duhet të mos mendohet. Tek e fundit, diplomatët rus do të mund të përdorin pothuaj të njëjtin formulim në momentet kur do të jenë të detyruar të shpjegojnë abstenimin e tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Qeverisë ruse nuk i kanë mbetur shumë variante për të gjetur ‘arsye’ për përdorimin vetos së tyre ndaj planit Ahtisaari.

II
Presioni i vendeve që kanë paraqitur rezerva apo kundërshtime ndaj planit të presidentit Ahtisaari i kanë dhënë edhe një shtyrje kohës së diskutimeve direkte mbi propozimin për pavarësinë e Kosovës. Misioni faktmbledhës i ekipit të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë do të merr një kohë të shkurtër në funksion të asaj që quhet blerje e kohës. Porse, ambasadorit rus në mekanizmin ekzekutiv të OKB-së nuk do t’i mbetet shumë për të folur më pas. Rezultati doemos do të jetë pozitiv dhe kjo për shkak të punës së institucioneve të Kosovës në planet dhe veprimet për standardet. Asnjë raport i kujtdo qoftë tashmë nuk mund të gjejë diçka tjetër, pos asaj se Kosova është e gatshme për vendimin mbi propozimin e Ahtisaarit. Kjo është përcaktuar edhe në vitin 2005, kur ambasadori Kai Eide kishte vlerësuar se janë pjekur kushtet për të filluar procesi i bisedimeve. Në ndërkohë, pothuaj të gjitha vlerësimet që ka bërë administrata ndërkombëtare sa i përket përmbushjes së standardeve kanë qenë pozitive. Ta marrim shembull themelimin e nënstacioneve policore në vendet e banuara nga komunitetet pakicë apo themelimin e Këshillave Komunale për Siguri Publike. Këso shembuj do të renditen në raportin e të gjeturave nga misioni fakt-mbledhës që do të zhvillohet gjatë fundit të këtij muaji.

III
Përkushtimi i institucioneve kosovare dhe qytetarëve shumicë të Kosovës duhet të vazhdojë edhe në ditët, javët dhe muajt në vijim. Konsolidimi i angazhimeve të kosovarëve duhet t’i prijë përkushtimit të gjithmbarshëm në këtë fazë të fundit të procesit mbi pavarësimin e vendit. Kjo do të kishte dy përparësi. Së pari, do të ndihmonte në politikat e vendeve Perëndimore në mbështetje të planit Ahtisaari dhe së dyti do të krijonte një pakt të heshtur të brendshëm me qëllim të ruajtjes së stabilitetit. Kosovarët kanë nevojë më shumë se asnjëherë deri më tash për konsolidim në të gjitha aspektet e jetës politike e qytetare. Mosmarrëveshjet e paraqitura publikisht në Ekipin e Unitetit të para disa ditësh, morën një kohë relativisht të madhe të debatit të brendshëm politik. Pos debatit mbi nevojën ose aventurën e krijimit të një koalicioni të ri qeverisës, vëmendja dhe përkushtimi i brendshëm ishte edhe sa i përket stabilitetit dhe rrezikut nga protestat e brendshme. Energjia që institucionet dhe organizmat e brendshëm i kanë kushtuar këtyre dy çështjeve patjetër se ka qenë e nivelit të lartë, derisa ky përkushtim do të duhej të drejtohej në procesin mbi statusin. Tashmë jemi në pjesën e fundit të shtegut drejt pavarësimit dhe në fakt kësaj faze mund t’i thuhet edhe shtegu dalës.

IV
Përfundimi i procesit të filluar në pjesën e dytë të vitit 2005 i ka dy variante. Porse, sido që të jetë, pavarësimi i Kosovës do të kalojë vetëm përmes variantit të parë, i cili do të përcaktohet përmes Këshillit të Sigurimit. Sipas kësaj logjike të rrjedhës së zhvillimeve, Këshilli i Sigurimit do të vijë në ditët e fundit të prillit në Kosovë për misionin faktmbledhës. Më pas, gjatë pjesës së parë të muajit maj do të paraqitet raporti i këtij ekipi dhe në bazë të tij do të më pas në pjesën e dytë do të zhvillohen diskutimet e mëtejshme. Ndërsa, gjatë muajit qershor Këshilli i Sigurimit do të arrinte që përmes një Rezolute të re të pranojë planin e Ahtisaarit. Gjatë votimit të kësaj rezolute do të kishim dy abstenime, të paktën një votë kundër dhe dymbëdhjetë pro. Kjo do të hapte rrugën që Kuvendi i Kosovës të nxjerrte Deklaratën e Pavarësisë dhe kjo do të pranohej ndërkombëtarisht. Varianti i dytë i mundshëm është ai që nuk do të merrte miratimin e Këshillit të Sigurimit. Askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk do të parapëlqente këtë varinat të zhvillimeve. Deklarimi i Pavarësisë nga kosovarët, megjithëse do të mund të njihej nga një pjesë e madhe e botës, do të vë në pah probleme praktike në funksionalitet. Misioni i pamundshëm, atëherë, do të ishte emërtimi i punës së Ahtisaarit.


Botuar në “Zëri” më 9 prill 2007, fq. 10

Sunday, April 1, 2007

Vazhdojnë angazhimet...

Loja pa fitues

Vazhdojnë angazhimet...

Data 3 prill nuk duket se do të vendos për ndonjë hap vendimtar për statusin. Debati i së martës mund të vendos një mekanizëm tjetër për të konstatuar zhvillimet në Kosovë – atë të vizitës së ekipit të ambasadorëve në Kosovë. Sidoqoftë, në këtë rrjedhë zhvillimesh ndërkombëtare për Kosovën, vetë kosovarët kanë nevojë të vazhdojnë përkushtimin në punën e tyre

Shkruan: Burim Ramadani

I
Nëse shumë herë deri më tash është thënë se e tërë bashkësia ndërkombëtare i ka kthyer sytë e veshët kah Kosova, tashmë po ndodh e kundërta. E tërë shoqëria kosovare, institucionet dhe elita politike kah kthyer sytë e veshët kah bashkësia ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër do të ketë diskutimin e parë rreth propozimit të presidentit Martti Ahtisaari për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Diskutimi i 3 prillit megjithë pritjet e mëdha, duket se nuk do të prodhojë ndonjë hap përpara sa i përket përfundimit të procesit. Ndërkohë që institucionet kosovare do të kenë fjalën (për herë të parë) në Këshillin e Sigurimit, puna e tyre për çështje që lidhen me përgatitjet për kohën e pas-statusit mbetet edhe më tutje e papërfunduar. Prishtina i ka dhënë fund angazhimeve në bisedimet direkte me Beogradin, porse kanë mbetur edhe disa çështje tjera të cilat kërkojnë përkushtim të plotë të kosovarëve. Të paktën, tashmë e kemi të qartë se cila është rëndësia e vendosjes sa më të shpejtë të simboleve të shtetit të Kosovës, çështje e cila para pak vitesh konsiderohej dhe vlerësohej në kategori të ndryshme si e panevojshme, nëse jo edhe më ashpër. Porse, jo vetëm simbolet duket se janë prioritare për elitën politike në Kosovë. Puna konkrete duhet të jetë e shpejtuar edhe për Kushtetutën, ligjet, përgatitjet për zgjedhje...

II
Rrjedha e diskutimeve në Këshillin e Sigurimit më 3 prill tashmë është pothuajse e qartë. Të paktën deklarimet e udhëheqësve të vendeve që përfaqësohen në Këshillin e Sigurimit kanë treguar se ky debat nuk do të ketë pajtueshmëri të caktuar. Ambasadorët e tri vendeve anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca) do të mbrojnë qëndrimin pro ndaj propozimit të presidentit Ahtisaari, gjegjësisht pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Rëndësia e mbështetjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e këtyre shteteve padyshim se është vendimtare. Mbështetja e dy të parave ka mundësuar çlrimin e Kosovës nga regjimi Millosheviqian, rindërtimin e shoqërisë kosovare dhe përgatitjen për hyrjen në fazën finale. Kjo mbështetje do të jetë e domosdoshme edhe tash, por edhe në një periudhë të paktën afat-mesme në aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e një familjeje Perëndimore. Në anën tjetër, dy vendet tjera të përhershme në KS të OKB-së do të paraqesin qëndrime të ndryshme. Derisa ambasadori kinez me tone të buta do të shpreh rezerva ndaj planit Ahtisaari, ambasadori rus do të vazhdojë fjalitë e mbetura në gjysmë të udhëheqësve të tij Putin e Lavrov. Në mos më shumë, ai do të insistojë për vazhdimin e bisedimeve dhe përcaktimin e një ndërmjetësuesi tjetër.

III
Procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës është e qartë se nuk do të mund të bllokohet. Përfundimi i këtij procesi tashmë nuk kërkon edhe shumë kohë, porse kërkon edhe shumë angazhim. Përkushtimi i këtillë është parë që në ditët e para tek shtetet kryesore mike të Kosovës. Shtetet tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, që nuk kanë veto, po ashtu do të luajnë rol të rëndësishëm në këtë fazë finale. Edhe pse disa prej tyre janë shprehur të painformuar rreth zhvillimeve në Kosovë, hapi i tyre nuk pritet të jetë në kundërshtim me vullnetin e kosovarëve. Porse, data 3 prill nuk duket se do të vendos për ndonjë hap vendimtar për statusin. Debati i së martës pritet të vendos një mekanizëm tjetër për të konstatuar zhvillimet në Kosovë – atë të vizitës së ekipit të ambasadorëve në Kosovë. Një vendim i tillë do të mund të merrej në bazë të kërkesës ruse dhe instistimit të ambasadorit rus. Mirëpo, kjo nuk do të ndryshonte diçka në vendimin e ardhshëm pro planit Ahtisaari. Në fakt, kjo do të digjte kartën e Rusisë për shkak se padyshim raporti i ekipit të ambasadorëve do të përmbajë vlerësim pozitiv për të arriturat këtu. Sigurisht se nuk do të bëhej fjalë për një mision sikur të Kai Eide-s, por një vizitë të shkurtër për vlerësimin e fakteve. Arritjet në terren janë pozitive dhe për këtë ka pasur angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës.

IV
Në këtë rrjedhë zhvillimesh ndërkombëtare për Kosovën, vetë kosovarët kanë nevojë të vazhdojnë përkushtimin në punën e tyre. Periudha që e pret Kosovën sfidohet nga çështje të ndryshme. Ato kërkojnë procedim të shpejtë dhe zgjidhje në kohë optimale. Ta marrim për shembull çështjen e zgjedhjes së simboleve të reja shtetërore të Kosovës. Përfundimi i kësaj çështje nuk ka të bëjë vetëm në nivelin përfaqësues apo identifikues, por edhe në atë praktik. Qytetarët e Kosovës do të ndjejnë nevojën e ekzistimit të simboleve kosovare menjëherë pas përfundimit të fazës katër mujore të tranzicionit. Kur atyre do t’u duhet të nxjerrin pasaportën e Kosovës, sikurse edhe dokumente tjera, institucionet veçmë do të duhej të kishin përfunduar përzgjedhjen e simboleve. Përndryshe, me çfarë pasaporte do të pajisen kosovarët? Mungesa e përcaktimit të shpejtë të simboleve, qofshin ato edhe vetëm të përkohshme, do të ndjehet praktikisht te qytetarët e Kosovës në ditën e parë të pavarësimit. Kjo do të nxiste frustrimin apo edhe reagimin e tyre. Kushtetuta, ligjet, përgatitjet për zgjedhje e çështje të tjera po ashtu janë sfida për elitën kosovare. Riorganizimi territorial, më konkretisht, do të determinojë kohën e mbajtes së zgjedhjeve lokale e të përgjithshme në Kosovë. Prandaj, Ekipi i Unitetit, institucionet, partitë politike, mediat dhe qytetarët e Kosovës kanë ende punë për të bërë. Nuk mbaron gjithçka me pavarësimin, atëherë fillojnë angazhimet e reja.

Botuar në “Zëri” më 02 prill 2007, fq. 10