Sunday, June 24, 2007

Përballja me historinë në Dachau

Loja pa fitues

Përballja me historinë në Dachau

Ngjarjet që rrëfehen, fotografitë dhe gjërat që shihen me sy në Dachau të tmerrojnë dhe mund të shohësh fëmijë gjermanë 13-14 vjeçarë duke qajtur me zë. Ata qajnë nga tmerri që bënë gjyshërit e tyre dhe kjo është mënyrë e rrallë e përballjes me historinë - gjë që i mungon Serbisë dhe serbëve

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kur kishte ndërruar itinerarin e vizitës në Munich për dhjetë minuta largim me veturë tjetër, Adolf Hitleri i pati shpëtuar një atentati që do ta vriste atë pak javë pasi kishte filluar luftën me Poloninë në shtator të vitit 1939. Hitleri thjeshtë i kishte shpëtuar një sulmi me bombë më 8 nëntor 1939, duke u larguar papritur nga salla e mbledhjes. Tentues atentatori Johann Georg Elser ishte për kohë të gjatë kundërshtar i partisë së Hitlerit, ndërsa prej fillimit të luftës me Poloninë ai ishte i bindur se vetëm vdekja e Hitlerit mund të parandalojë ngjarjet më të këqija. Elser u arrestua të njëjtën mbrëmje derisa tentonte të kalonte kufurin e afërt me Zvicrën dhe u dërgua në kampin famëkeq të përqendrimit në Dachau. Aty u vra në vitin 1945, pak ditë para çlirimit të Gjermanisë dhe këtij kampi. Dachau ka qenë kampi i parë i përqendrimit që Hitleri, Himleri dhe Partia Nacional-Socialiste kishin hapur në vitin 1933 dhe ky vend u bë tmerr për dhjeta mijëra njerëz kundërshtar të Hitlerit, në mesin e të cilëve edhe 110 komunistë nga Shqipëria.

II
Kalimi nga një fazë historike në tjetër nuk ka qenë asnjëherë i lehtë pavarësisht nëse bëhet fjalë për agresorët apo luftëtarët e lirisë. Sidoqoftë, përballja me historinë është provuar të jetë elementi më i rëndësishëm për ngritjen dhe zhvillimin e kombeve. Gjermanët, edhe pas mbi 60 vjetësh të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk hezitojnë të tregojnë të gjitha gjeneratave atë që ka bërë Hitleri. Po të shkosh në Dachau në fillim të qershorit, do të shohësh pothuaj për çdo ditë grupe të mëdha të nxënësve fillorë apo të mesëm. Është e obligueshme për shkollat fillore dhe të mesme gjermane në Bavari që mësuesit e historisë t’i spjegojnë nxënësve në vendin e ngjarjes për të bëmat e Hitlerit dhe shtetit të tij. Derisa nuk ka dyshim se ngjarjet që rrëfehen, fotografitë e atyshme dhe gjërat që shihen me sy të tmerrojnë, mund të shohësh fëmijë gjermanë 13-14 vjeçarë duke qajtur me zë. Ata qajnë nga tmerri që kanë bërë gjyshërit e tyre dhe kjo është mënyrë e rrallë e përballjes me historinë, gjë që i mungon Serbisë dhe serbëve.

III
Kohë më parë, përkatësisht prej përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, Serbia humbi tërësisht sovranitetin mbi Kosovën dhe mënyra e vetme e ndikimit mbeti përmes enklavave që deshëm apo s’deshëm funksionuan për të shantazhuar të gjitha proceset e brendshme politike. Porse, askush asnjëherë në Beogradin zyrtar nuk mendoi se çka kishte ndodhur gjatë viteve të mëparshme në Kosovë. Dhe, kjo detyrimisht të çon në mungesë të vullnetit për përballje me historinë ose me atë që quhet ‘e kaluara’. Nëse Serbia nuk bëri kampe përqendrimi në Kosovës, njerëzit ishin të tillë në shtëpitë e tyre, duke mos guxuar të dilnin as në oborr e as në rrugë. Nëse ekzekutimet nga pjesëtarë të Al-Qaeda-s që i shohim në internet ndodhin këto ditë, jo shumë vjet më parë të njëta pamje ke mundur të shohësh edhe në Kosovë dhe ato janë bërë nga trupat e uniformuara të Serbisë. Nëse dikush mund të ketë pasur ideologji (të paktën) të ngjashme me Hitlerin në Ballkan, ai ishte Millosheviqi dhe në përgjithësi kishin të njëjta qëllime.

IV
Kthimi i kokës mbrapa për të parë se ç‘ndodhi është një domosdoshmëri. Përballja me historinë është pjesë e veçantë e shkencës politike, sociologjike apo asaj historike. Aq më parë që serbët e kuptojnë këtë domosdoshmëri, aq më shpejt ata do të arrijnë të kthjellen dhe të normalizohen si komb. Po të ndodhte kjo nga viti 1999, situata në Ballkan tashmë tetë vjet më pas do të ishte shumë më ndryshe. Kosova do të ishte e pavarur, Serbia do të mund të ishte kandidate për anëtarësim në BE dhe raportet mes nesh do të ishin normale. Serbët nuk duhet ende ta shohin kombin e tyre si viktimë, sepse nuk kanë qenë të tillë. Ata kanë qenë thjeshtë agresorë dhe tashmë janë humbës, pavarësisht politikave të proklamuar gjoja për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në vendet tjera të ish-Jugosllavisë. Kujdesi për bashkëkombasit që janë minoritet në shtetet tjera ishte në fillim politika e Hitlerit, konsekuencat e së cilës edhe gjeneratat e tashmë më të reja obligohen t’i shohin nëpër kampe e vende të ndryshme. Përballja me historinë është zhvillim kombëtar.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 25 qershor 2007, fq. 11

Sunday, June 17, 2007

Bllokimi unilateral

Loja pa fitues

Bllokimi unilateral

Në rastin e pavarësimit të Kosovës edhe pa Rezolutë, nuk ka veprim unilateral për njohjen e pavarësisë nga vendet Perëndimore në krye me SHBA-të. Veprimi unilateral po ndodh nga Rusia, e cila me veton e saj në Këshillin e Sigurimit bllokon lëvizjet e vendeve demokratike për pavarësimin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tre burra të brengosur për gjendjen në të cilën tashmë ndodhet procesi për vendosjen e statusit të Kosovës bisedonin këto ditë me qasje të ndryshme ndaj ‘fajtorëve’. I pari thoshte se bashkësia ndërkombëtare ka qenë dashur ta zgjidh statusin e Kosovës në vitin 1999 kur NATO-ja kishte bombarduar Serbinë dhe OKB-ja vendosi administrim në vend. I dyti fajësonte liderët vendorë të para, gjatë dhe pas luftës për papërgjegjësi qytetare për shkak të mosarritjes së unitetit të brendshëm politik dhe patriotik dhe për këtë shkak faktori vendor pothuajse asnjëherë nuk është llogaritur si faktor i rëndësishëm për veprime më të shpejta në këtë proces. I treti bënte kombinimin e të dy qasjeve dhe thoshte se të dyja palët janë fajtore në nivel të njëjtë. Fakt është që të tre kishin të drejtë në aspektin që ata analizonin zhvillimet, porse e vërteta është se të tre ishin injorantë. Ata dhe shumë të tjerë simplifokojnë jetën politike dhe proceset e zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore. Nuk mund të kuptojnë funksionin e sistemit ndërkombëtar, vendimmarrjen në politikë dhe nuk janë në gjendje të shohin realitetin global e lokal të ngjarjeve.

II
Tetë vjet pas tërheqjes së forcave (ky është interpretimi i përfundimit të luftës në Kosovës sipas të Drejtës Ndërkombëtare) të Serbisë, lufta politike për Kosovën ka arritur në pikë shumë të lartë. Ndërsa, realiteti ndërkombëtar është krejt ndryshe nga ai i tetë vjetëve më parë. Vitet 2000 dhe 2001 kanë ndryshuar në shumë aspekte raportet e forcave dhe zhvillimet ndërkombëtare. Në natën e fundit të vitit 1999, detyrën e presidentit të Rusisë e mori Vladimir Putin, një ish-zyrtar i Shërbimit Sekret rus, i cili për më pak se tetë vjet e ka sjellë Federatën në një prej aktorëve kryesorë të sistemit ndërkombëtar. Studiuesit tashmë diskutojnë tezën e rifillimit të Luftës së Ftohtë, derisa shumë prej tyre mundohen të argumetojnë se kjo është ‘fazë e marrëdhënieve të tensionuara’. Në anën tjetër, SHBA-të të tronditura nga 11 shtatori 2001, po udhëheqin Luftën globale kundër Terrorizmit, porse kundërthëniet me Rusinë nuk janë të pakta dhe janë parimore. Raketat në Poloni e Çeki, Irani, terrorizmi, Iraku, energjia, Kaukazi etj. janë disa nga kundërthëniet e tashme SHBA-Rusi, të cilave i shtohet edhe pozicionimi i ngurtë ndaj çështjes së Kosovës.

III
Tentativa ruse për bllokimin e pavarësinë së Kosovës është akt unilateral dhe kjo duhet të largojë nga fjalori politik vendor fjalën veprim unilateral të shteteve Perëndimore për njohjen e shtetësisë sonë. Bllokimi që vjen nga Rusia është unilateral dhe nuk merr parasysh qëndrimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare relevante dhe shteteve tjera me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe pa Rezolutë nuk është skenar i veprimeve unilaterale, bllokimi nga vetëm një shtet është i tillë. Tek e fundit, propozimi për pavarësinë e Kosovës është dhënë nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtiaari, dhe atë e përkrahin të gjithë, pos Rusisë dhe natyrisht Serbisë. Vendet tjera me të drejtë veto kanë përkrahur pavarësinë, Kina nuk ka marrë ndonjë pozicion të qartë, ndëra vendet veç e veç tashmë kanë vënë Kosovën në prioritetet e politikave të tyre të jashtme dhe përkrahin pavarësinë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja mbështesin pavarësinë dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që do t’i kenë në të ardhmen.

IV
Tek e fundit, pse duhet të themi se njohja pa Rezolutë është veprim që shkel OKB-në? Po të dëgjojmë interpretimin e juristëve fanatikë, kjo do të kuptohej ashtu, mirëpo realiteti politik nuk është plotësisht realitet juridik dhe si i tillë ai duhet të shihet i kombinuar edhe me realitetin ekonomik, shoqëror, atë të fuqisë dhe të zhvillimit të procesit. Me një veto bllokuese Rusia po luan rolin e vepruesit sipas interesave të caktuara të brendshme apo të jashtme, porse jo ndërkombëtare – rol të cilin do të duhej ta kishte në mesin e priroiteteve të politikës së saj të jashtme. Sidoqoftë, Kosova duhet të pavarësohet më së largu deri në shtator të këtij viti, prandaj jemi duke hyrë në fazën kur shtetet Perëndimore nuk do të interesohen për Rezolutën si paraprirëse të pavarësisë, por do të kujdesen për pavarësinë si paraprirëse të një Rezolute të caktuar. Megjithatë, në rast të pavarësimit pa Rezolutë kujdesi në terren duhet të jetë vërtetë i shtuar dhe për këtë duhet ta marrin përgjegjësinë shtetet Perëndimore dhe kosovarët. Kosova duhet të njihet në kufijtë ekzistues dhe ata nuk do të duhet të jenë të prekshëm në asnjë mënyrë.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 18 qershor 2007, fq.

Sunday, June 10, 2007

Fundi i pritjes

Loja pa fitues

Fundi i pritjes

Kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, që u pa qartë në këto ditë, pos faktit se ka thyer shpresat për miratimin e shpejtë të Rezolutës, ka një anë pozitive. Tashmë pastër dihet kush duhet të prijë në zhvillimin e ngjarjeve. Vetë presidenti Bush tash është lojëtari kryesor. Dështimi i tij nuk duket i mundshëm. Siç tha ai, “Time is up”. Tashmë, janë dy mundësi për pavarësimin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kur mediat njoftuan pak ditë më parë se një opsion tjetër është dhënë në Samitin e G8-s për të pritur edhe gjashtë muaj vendosjen e statusit të Kosovës, e para gjë që më ka ra në mend ishte telefonata. Me telefon në dorë mbeta me minuta të tërë. Problemi ishte se nuk dija çfarë t’i them atyre që doja t’u telefonoja. Në gjendjen emocionale në të cilën isha, vështirë se nuk do të mvështesja opsionin e mbushjes së rrugëve me njerëz. Prandaj, qetësimi i ndjenjave ishte i domosdoshëm, edhe pse i vështirë. Kjo në fakt duket se ka qenë e ngjashme me shumë njerëz në Prishtinë, të cilët po ashtu nuk dinin çfarë të thonin. Tek e fundit, çfarë do të thoshin ata që dilnin në publik dhe përcaktonin madje datat e përfundimit të procesit? Që maji nuk qenka, por as fillimi i qershorit? Mendova se niveli i njerëzve matet jo duke folur shumë para të tjerëve, por duke dëgjuar me kujdes të tjerët, prandaj vendosa të dëgjoj edhe më tutje raportet e agjencive të mëdha ndërkombëtare të lajmeve. Pritja e një individi për disa minuta nuk ishte e ndonjë rëndësie të veçantë – tashmë kishim të bëjmë me opsionin e pritjes si popull edhe për të paktën gjashtë muaj.

II
Kosova tashmë është mësuar dhe ka ‘sanksionuar’ një vlerë shoqërore të saj - Pritjen. Kemi pritur me vite të tëra largimin e forcave dhe administratës okupuese serbe nga Kosova. Kemi pritur disa vjet për të parë idetë e para për mënyrën e daljes nga status-quoja e krijuar në vend gjatë administrimit ndërkombëtar. Kemi pritur me muaj të tërë vlerësimet pozitive nga Këshilli i Sigurimit për punën në përmbushjen e standardeve si exit-strategy dhe për fillim të negociatave. Kemi pritur më shumë se dhjetë muaj përfundimin e ‘pjesës së parë’ të negociatave dhe rreth tre muaj paraqitjen publike të planit të presidentit Ahtisaari. Kemi pritur gati gjysmë viti përfundimin e ‘pjesës së dytë’ të negociatave mbi statusin e vendit, përkatësisht negociatave midis ‘big brothers’-ve të globit. Gjatë tërë këtyre pritjeve kemi bërë, si popull, atë që kemi mundur të bëjmë më së miri. Kjo, përveç angazhimeve, përfshin edhe faktin se jorrallë herë kemi bërë sehir. Në përgjëthësi, si popull kemi treguar mjaft pastër se meritojmë një pavarësi të mbikëqyrur për një kohë të caktuar, madje mundësisht edhe në fushat jashtë planit të Ahtisaarit.

III
Kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, që u pa qartë në këto ditë, pos faktit se ka thyer shpresat për miratimin e Rezolutës ka një anë pozitive. Tashmë pastër dihet kush duhet të prijë në zhvillimin e ngjarjeve dhe në çfarë niveli. Vetë presidenti amerikan Bush tash është lojëtari kryesor. Dështimi i tij nuk duket i mundshëm. Ai e tha të shtunën në Itali se ‘time is up’ (koha përfundoi), ndërsa kjo mund të interpretohet se tashmë jemi në minutat shtesë të lojës dhe duhet referuar fundin e pritur. Fuqia e ekipit që do të jetë fitues është mëse e qartë, madje edhe nëse duhet përdorur kondicionin e fundit të lojëtarëve. Një lojtar dhe kapiten ekipi i kalibrit të presidentit Bush çon ekipin drejt fitores së padiskutueshme, porse nuk e lë atë të shkojë në penallti. Thënë shkurtë, pozicionimi i tillë i ngurtë refuzues i ka bindur pjesën demokratike të bashkësisë ndërkombëtare për nevojën dhe pashmangshmërinë e veprimit të saj konkret dhe të pamëdyshëm për pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të ndodh brenda një kohe të shkurtër dhe të përshtatshme.

IV
Kurdo që është e nevojshme, diplomacia duhet të jetë në funksion, prandaj mundësitë e parashikueshme për një miratim të rezolutës megjithatë nuk janë zhdukur të gjitha. Në një mënyrë apo tjetër, këtë e tha presidenti Bush në Tiranë. Një takim mjaft i rëndësishëm do të ndodh më një dhe dy korrik në SHBA, kur mysafir i kapitenit të ekipit për pavarësinë e Kosovës do të jetë presidenti rus. Takimi Bush-Putin definitivisht do të bëjë përfundimtare pozicionet. Janë dy mundësi për të vendosur për statusin pa pritur edhe një kohë të gjatë. Mundësia e parë është që Putin të jep sinjale të përcjella me garanci se Rusia nuk do të bllokojë Rezolutën në shtator të këtij viti, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i pavarur pa komplimet që mund të dalin nga mungesa e rezolutës. Mundësia e dytë është Putin të vazhdojë kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të hapte rrugën e veprimit pa Rezolutë. Kosova pas këtij takimi, sipas këtij skenari të mundshëm, do të duhej të shpallë pavarësinë dhe këtë ta njohin një numër i shteteve demokratike në krye me SHBA-të. Në një skenar të tillë, nuk ka çka të pritet më. Këtë e tha qartë edhe presidenti Bush.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar më 11 qershor 2007 në “Zëri” – Prishtinë, fq. 14

Sunday, June 3, 2007

Domosdoshmëria e Rezolutës

Loja pa fitues

Domosdoshmëria e Rezolutës

Duhet angazhim të fuqishëm të mos lejohet që situata në terren të thyejë parimet prijëse të Grupit të Kontaktit. Thyerja e cilido nga këto tri parime do të thotë hudhje poshtë e të tri këtyre parimeve. Ruajtja e tyre pa shkaktuar telashe në terren bëhet vetëm përmes aprovimit të Rezolutës së re. Thënë shkurt, ky proces duhet të përfundojë me Rezolutë, përndryshe konsekuencat nuk mund të parashihen saktësisht

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bashkësia ndërkombëtare duket se gjendet para një sfide rreth statusit të Kosovës, sfidë të cilën nuk e kanë pritur se do të arrijë një nivel të këtillë. Kur ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide, pati rekomanduar Sekretarin e Përgjithshëm që të fillonin bisedimet për statusin e Kosovës, zërat kanë qenë se ky rpoces do të përmbyllet brenda një viti. Përkatësisht, jo vetëm në nivelet vendore, por edhe në ato ndërkombëtare ka qarkulluar ideja se procesi do të përfundojë më së largu në fund të vjeshtës së vitit të kaluar. Zaten, për këtë edhe validiteti i parë i kontratës së kryendërmjetësuesit ndërkombëtare, Martti Ahtisaari, ka qenë deri kah fundi i nëntorit të vitit 2006. Por, rrjedha e ngjarjeve nuk doli të ketë qenë plotësisht e parashikuar, megjithëse nuk mund të flitet ende për ndonjë skenar të jashtëzakonshëm. Procesi që ka filluar konkretisht para një vit e gjysmë, tashmë duket se gjendet në javët e fundit, por askush nuk mund ta thotë nëse janë ditët e fundit.

II
Banaliteti i tërë këtij procesi është fakti se Kosova bashkë me SHBA-të dhe një pjesë të Evropës mund të përballen me një skenar të padëshiruar dhe të panevojshëm. Mbi një vit e gjysmë procesi të negociatave, mbi një vit përgatitje për të hyrë në këtë proces dhe gati tetë vjet prej përfundimit të luftës, Kosova tashmë ka para vetes domosdoshmërinë e aprovimit të një Rezolute nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Vetëm në këtë mënyrë situata e këtushme mund të mbahet e qetë dhe parimet prijëse të Grupit të Kontaktit nuk rrezikohen të thehen. Prandaj, e vetmja mënyrë për përfundim të qetë dhe pa turbulenca të mëdha e të rrezikshme është pavarësimi i Kosovës përmes një Rezolute të re, e cila do t’i hap rrugën institucioneve të popullit të Kosovës të shpallin pavarësinë e vendit. E kundërta do të kishte për rezultat/pasojë skenare të tjera, të cilat nuk i duhen këtij vendi dhe rajoni, edhe ashtu të përballur me dhunë e terror të pakontrollueshëm gjatë historisë.

III
Bashkimi i politikave të SHBA-ve, disa vendeve evropiane, rajonit (pos Serbisë) dhe politikës kosovare është shenjë e perspektives dhe aftësisë së realizueshmërisë së saj. Sidoqoftë, situata në terren dhe niveli i diskutimeve ndërkombëtare mbi statusin e Kosovës duket se do të jenë të lidhura në mënyrë mjaft të drejtëpërdrejtë. Më konkretisht, Rusia së bashku me Serbinë, do të donin që në momentin e fundit, për statusin e Kosovës të vendos situata në terren. Kjo mund të shihet dhe shpjegohet në mënyra të ndryshme në momente të ndryshme. Nëse kjo do të shpjegohej në rastin ekstrem, atë të shpalljes së pavarësisë pa Rezolutë të Këshillit të Sigurimit, normalisht se situata e tillë nuk do t’i konvenonte Ballkanit si regjion. Ndoshta shqiptarët do të gjendeshin në situatën më kritike gjatë historisë së tyre. Ne do të duhej të vendosnim nëse duam të krijojmë një shtet të përbashkët shqiptar, apo të vazhdojmë jetët në shtete të ndara.

IV
Brishtësia e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë është jo vetëm një fakt, por edhe një alarm për politikën kosovare dhe ndërkombëtare. Të dy këto nivele duhet të angazhohen fuqishëm të mos lejojnë që situata në terren të ndikojë në thyerjen e parimeve prijëse të Grupit të Kontaktit. Një prej mënyrave më të mira është aprovimi në një afat sa më të shkurtër të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të mbështetur në planin e Ahtisaari-t. Përndryshe, parimet e mirënjohura të Grupit të Kontaktit duhet të kuptohen si unike dhe të përbashkëta. Thyerja e cilido nga këto tri parime do të thotë hudhje poshtë e të tri këtyre parimeve dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për konsekuencat e një situate të tillë të mundshme. Ruajtja e këtyre parimeve pa shkaktuar telashe në terren bëhet vetëm përmes aprovimit të Rezolutës së re. Thënë shkurt, të gjithë duhet angazhuar që ky proces të përfundojë me Rezolutë, përndryshe konsekuencat nuk mund të parashihen saktësisht.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies”

Botuar më 04 qershor 2007 në “Zëri” – Prishtinë, fq. 7