Monday, August 13, 2007

Shterpësimi ndikues i procesit

Loja pa fitues

Shterpësimi ndikues i procesit

Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shterpësia politike dhe e kësaj faze të angazhimeve shtesë për gjetjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës nuk do ndonjë profeci duke u nisur nga fakti për pozicionet e palëkundura të palëve në konflikt. Qëndrimet e tyre mbeten të qarta dhe diametralisht të kundërta sa i përket vetë substancës apo statusit. Ndërsa, në të njëjtën kohë ekziston një kundërshtim i hapur midis dy fuqive më të mëdha në politikën ndërkombëtare, derisa qëndrimet e vendeve tjera, më shumë apo më pak dhe me pak përjashtime, variojnë dhe kryesisht sa i përket asaj se cilën rrugë duhet ndjekur për vendosjen dhe implementimin e zgjidhjes. Sidoqoftë, relacionet në politikën ndërkombëtare pamundësuan që gjatë verës së këtij viti Kosova të legalizojë pavarësinë e vet faktike, ndërsa fati i kësaj dhe çfarëdo ideje tjetër për procesin e statusit do të çojë në krijimin e një shteti të ri në Ballkan. Janë tri realitete të cilat tashmë më shumë se kurrë kanë ndikim të perceptueshëm dhe real mbi rrugën e shtetësisë. Në të tri këto nivele çështja kosovare ka nivelin e lartë të vëmendjes, edhe në nivelin ndërkomëbëtar, rajonal dhe vendor.

II
Shtyrja e legalizimit të realitetit politik dhe shoqëror në Kosovë, përkatësisht pavarësimit, nuk ka kontribuar në politikat e sigurisë dhe në gjendjen e sigurisë në përgjithësi. Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Angazhimet e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sjelljen dhe zhvillimin e paqes në pjesë të ndryshme të botës duhet kuptuar si një përpjekje e përkushtuar e administratës amerikane për krijimin e ambientit paqësor, prosperues dhe bashkëpunues në gjithë botën përmes përhapjes së demokracisë si sistem që është dëshmuar të ketë shmangur konflikte dhe luftëra midis shteteve. Në anën tjetër, angazhimet e Federatës Ruse, megjithëse mund të thuhet se nuk kanë qëllime plotësisht të kundërta ndaj kësaj, kryesisht fokusohen në ruajtjen e gjendjes së këtillë çfarë është sot në shumë vende apo regjione konfliktuoze në të gjitha pjesët e botës. E ballafaquar me një ekspanzion veprimesh amerikane, Rusia pretendon të ndikojë në mosndryshimin e gjendjes ekzistuese në disa vende të ndryshme të botës.

III
Shqiptarët të ndarë në mënyrë të pavullnetshme para rreth një shekulli, pa ndonjë rrahagjoksje tashmë kanë pozicionin më të mirë që kanë pasur ndonjëherë gjatë këtij qindvjeçari. Faktori shqiptar në Ballkan dhe rrjedhimisht në Evropë është kthyer në një faktor të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm stabiliteti, pa përkushtimin e të cilëve rajoni nuk do të arrinte qetësinë e shumëpritur. Pavarësimi i Kosovës krijon një realitet tjetër dhe kjo do të thotë fuqizon në shkallë shumë më të lartë rëndësinë e një kombi që është pothuaj i vetëm krejtësisht i dallueshëm nga të gjitha kombet tjera përrreth. Zhvillimi i partneritetit kosovaro-shqiptar në të gjitha fushat e jetës është një element që do të ndihmojë në ndryshimin e relacioneve dhe konstilacioneve në Ballkan. Ky në fakt është edhe shqetësimi më i madh i shumë vendeve fqinje. Madje, njerëz të këtyre vendeve e mendojnë dhe e thonë këtë privatisht. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë.

IV
Shpërfillja që Rusia i bën përpjekjeve ndërkombëtare për realizimin e zgjidhjes së vetme për Kosovës, pavarësisë së saj, nuk janë paqëllimta dhe si të tilla janë në bashkëpunim intelegjent me Beogradin. Gjendja në terren nuk do të duhej të goditej nga lëkundjet nxitëse që mund të vijnë nga faktorë dhe aktorë të ndryshëm nga brenda apo jashtë Kosove. Veprimet e mundshme brenda Kosovës që kanë për qëllim destabilizimin, duhet të kenë përgjigjje të qartë dhe të prerë të shumicës shqiptare. Kosova nuk është në pozicion të përshtatshëm politik gjatë këtyre negociatave apo angazhimeve shtesë, prandaj rrjedhimisht veprime të pamatura kanë ndikim në përkeqësimin e imazhit të Prishtinës në këtë proces. Një gjë nuk duhet vënë në dyshim se kthim mbrapa nën autoritetin e Beogradit, zgjidhje kundër vullnetit të popullit apo thënë më shkurt çdo gjë nën pavarësinë e Kosovës është e papranueshme, e parealizueshme dhe dhunërezultuese. Prishtina zyrtare dhe populli i Kosovës e kanë bërë këtë të qartë, sikurse edhe përkushtimin e tyre në procesin ndërkombëtar të pavarësisë.

Botuar në “Zëri” më 13 gusht 2007, fq. 11

Sunday, August 5, 2007

Ideja serbe për Hong-Kongizim

Loja pa fitues

Ideja serbe për Hong-Kongizim

Serbia ka kaluar në një fazë tjetër të politikës “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Tashmë ka marrë si shembull regjionin juglindor të Kinës për ta aplikuar për Kosovën. Kjo do të thotë “Hong-Kongizim i Kosovës”, i cili megjithëse argumentet kundër duhet parë si rrezik potencial gjatë 120 ditëve të ardhshme

Shkruan: Burim Ramadani

I
Rrallëherë në historinë kombëtare, shqiptarët kanë vepruar në baza të një politike qartësisht të shkruar, në rend të parë, për veten e tyre dhe më pas për të tjerët. Porse, pothuajse tërë kohën janë ballafaquar me politikë agresore të fqinjve të bazuar dhe duke respektuar aktet, rezolutat, memorandumet e politikat e përcaktuar për vite të tëra. Propozimi i fundit për një shkallë edhe më të gjerë të autonomisë për Kosovës, që doli ditë më parë nga ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, si ‘një hap më tujtje të Serbisë në kontributin e saj për arritjen e kompromisit me shqiptarët e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare’ nuk është asgjë tjetër pos një vazhdimësi e politikës serbe e bazuar tashmë në dokumentet prijëse të tyre për të ruajtur integritetin territorial serb dhe gjetur zgjidhjen në kuadër të Rezolutës 1244/99. Përmes këtij propozimi, Serbia ka kaluar në një fazë tjetër të politikës “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Tashmë ka marrë si shembull regjionin juglindor të Kinës për ta aplikuar për Kosovën. Kjo në një fjali të thjeshtë do të thotë “Hong-Kongizimi i Kosovës”, i cili duhet parë si rrezik potencial.

II
Regjioni Special Administrativ i Repulikës Popullore të Kinës, i njohur si Hong Kong, është një prej dy regjioneve speciale administrative të RP të Kinës, së bashku me Macaun. Hong Kongu ka qenë territor në varësi të Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 1842 deri në transferimin e sovranitetit të tij në Republikën Popullore të Kinës më 1 korrik të vitit 1997. Deklarata e Përbashkët Sino-Britanike të vitit 1984 dhe Ligji Themeltar i Hong Kongut sanksionojnë realitetin se Hong Kongu mund të veprojë në një shkallë të lartë të autonomisë deri në vitin 2047, përkatësisht për 50 vjet pas datës së transferimit që është bërë nga Mbretëria e Bashkuar në RP të Kinës. Nën politikën “një vend, dy sisteme”, qeveria qendrore e RP të Kinës është përgjegjëse për mbrojtjen e territorit dhe punët e jashtme, derisa Hong Kongu ruan sistemin e tij juridik, forcën policore, sistemin monetar, politikën doganore, politikën e imigrimit dhe përfaqësimin në organizatat dhe ngjarjet ndërkombëtare si “Hong Kong, Kina”. Ky Regjion ka raporte të mira me SHBA-të dhe merrë pjesë në mes tjerash edhe në luftën kundër terrorizmit.

III
Relacioni që Serbia mundohet të bëjë në politikën e saj mes Hong Kongut dhe Kosovës tashmë është mjaft lehtë i kuptueshëm dhe i vërejtshëm. Ministri i ri i jashtëm serb, një 32 vjeçar i shkolluar në Cambridge dhe Harvard, duket se përfaqëson fazën tjetër të strategjisë shtetërore serbe sa i përket statusit të Kosovës. Megjithëse të gjitha argumentet legale që Kosova mund të përdorë në tavolinë kundrështojnë idenë e re serbe, Hong-Kongizimi i vendit tonë tashmë po futet si pozicion i ri i Serbisë në negociatat shtesë 120 ditëshe. Derisa kjo datë e negociatave duket se do të kalojë shpejt dhe pa ndonjë rezultat të arritur mes dy palëve, bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se pozicioni i ri serb nuk është asgjë më shumë se një mjet për të minuar zhvillimin e demokracisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Prishtina nuk duhet lëvizur nga pozicioni që ka tash, sikurse që nuk duhet lëvizur as Perëndimi i udhëhequr nga SHBA-të. Realizimi i fjalisë së thënë në Tiranë nga presidenti Bush duhet të jetë përfundim real i këtij procesi nëse KS i OKB-së është i pafuqishëm për të vendosur.

IV
Radikalisht të ndryshme janë rrethanat, historia, përbërja e popullatës, e vërteta, mitet dhe realiteti i Kosovës në krahasim me Hong Kongun. Kosova është rast sui generis dhe si i tillë është pranuar të jetë edhe nga shumica e udhëheqësve të bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Vendi ynë duhet të ketë zgjidhje unike dhe nuk duhet të merren shembujt e zgjidhjeve apo gjysmëzgjidhjeve në vendet tjera qoftë në rajon, Evropë apo edhe Kinë. Sidoqoftë, garancitë e Perëndimit dhe sidomos të SHBA-ve për mosndryshim të agjendës së paraparë për pavarësimin e Kosovës duhet të jenë temë e diskutimit bazik mes Prishtinës dhe udhëheqësve ndërkombëtarë. Kosova po hyn në fazën e negociatave shtesë e bazuar në Planin e presidentit Marti Ahtisaari, prandaj kundërshtimi ndaj ndryshimeve eventuale të këtij Plani duhet të jetë i fuqishëm. Duhet pranuar se ruajtja e Planit të Ahtisaarit, në formën që është propozuar nga ai, është një detyrë e vështirë për palën kosovare dhe se kërkon vendosmëri nga Perëndimi dhe SHBA-të. Ndryshimet mund të kenë pasoja, ndërsa pozicioni ynë është i papërshtatshëm.

Botuar në “Zëri” më 09 gusht 2007, fq. 12