Monday, October 29, 2007

Siguria në vendimet e mëdha

Loja pa fitues

Siguria në vendimet e mëdha

Nëse gjatë fushatës së tashme zgjedhore po shohim fokusim më të ulët të partive politike në çështjen e statusit, kjo nuk do të thotë se ato duhet të shmangin me çdo kusht këtë fjali që përfaqëson punën kryesore të shqiptarëve të Kosovës. Tek e fundit, asgjë nuk do të vlejë sikurse Kosova të mos arrijë shtetësinë pas këtij procesi. Të gjitha zotimet e partive politike gjatë kësaj fushate, të gjitha zhvillimet e deritashme politike dhe sociale do të mund të vihen në pikëpyetje të madhe nëse do të humbej rruga për pavarësinë e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kur zyrtari i lartë norvegjez, Kai Eide, u pat emëruar dhe filloi punën në përgatitjen e raportit të tij mbi vlerësimin e përgjithshëm të situatës në Kosovë, ndjeshmëria e brendshme në Kosovë ishte i ndryshëm në krahasim me fazën e tashme. Në mesin e vitit 2005, kur ambasadori Eide u nisi misionin në Kosovë, qytetarët e vendit sikurse edhe një pjesë e mirë e elitës politike nuk imagjinonin pasimin e një procesi të tillë çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Përgatitja jo e saktë e opinionit publik, bashkë me deklarata të ndryshme jo të qëlluara në momente të caktuara, kanë ndikuar në zbehjen e perceptimit publik ndaj mundësisë së rezultatit të plotë përmes procesit të udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare si e formalizuar në strukturën e OKB-së. I kundërt mund të vlerësohet se ka qenë niveli i besimit mbi dy vjet më parë derisa kosovarët padurim prisnin fillimin e zgjidhjes së statusit final të vendit. Sidoqoftë, kanë kaluar rreth dy vjet të procesit negociator dhe pozicioni i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare edhe më tutje duket të mos ketë kaluar fazën e konfuzionit të brendshëm për veprimet e domosdoshme.

II
Kosova e këtyre ditëve nuk është në kërkim të identitetit, qëllimit dhe orientimit. Tema të këtilla janë tejkaluar tashmë, megjithëse ka mbetur ajo më e rëndësishmja, realizimi apo përfundimi i angazhimeve për pavarësinë e vendit të filluara që nga vitet e 90-ta. Nëse gjatë fushatës së tashme zgjedhore po shohim fokusim më të ulët të partive politike në çështjen e statusit, kjo nuk do të thotë se ato duhet të shmangin me çdo kusht këtë fjali që dëshmon punën kryesore të shqiptarëve të Kosovës. Tek e fundit, asgjë nuk do të vlejë sikurse Kosova të mos pavarësohet këto muaj. Të gjitha zotimet e partive politike gjatë kësaj fushate, të gjitha zhvillimet e deritashme politike dhe sociale do të mund të vihen në pikëpyetje të madhe nëse do të humbej rruga për pavarësinë e Kosovës. Pas gjithë këtij investimi njerëzor, politik, social, financiar dhe kulturor, zor se dikush do të pranonte që Kosova të kthehet pjesë e Serbisë edhe nëse pensionet do t’u ngriheshin për pesëfish apo edhe nëse mësimdhënësit nuk do të kishin nevojë për greva urie. Kjo është çështje jetike, ekzistence dhe është bërë madje edhe çështje nderi.

III
Katër zhvillimet më të rëndësishme brenda dhe përreth Kosovës kanë ndikime të ndryshme në gjendjen e përgjithshme të brendshme. Procesi për pavarësimin e Kosovës tashmë mund të ndahet mbetet ndër zhvillimet jetike të vendit, duke përfshirë këtu edhe angazhimet e vendorëve, por edhe pjesën e angazhimeve, vështirësive dhe mundësive nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Zhvillimi i dytë pa dyshim përfshin fushatën parazgjedhore e cila filloi javën e kaluar dhe që, në momentet e para, duket se do të jetë e qetë dhe pa tensione ekstreme. Zhvillimi i tretë është presioni i natyrave të ndryshme të aspektit social dhe ekonomik, që megjithatë do të mbetet i pandalshëm edhe për një kohë bazuar në standardin jetësor të qytetarëve. Ndërkaq, zhvillimi i katërt është ai i relacioneve aktuale në vendet fqinje dhe sidomos në Maqedoninë e brishtë. Të gjitha këto drejtime ndërlidhen në mënyra të ndryshme me procesin mbi pavarësinë e Kosovës dhe në fakt kryesisht ato ndikojnë në ngritjen e pakënaqësive dhe mosbesimit ndaj këtij procesi, gjë që mund të jep sinjale për ndikime praktike në terren nga grupe të caktuara.

IV
Karakteristikat e kësaj situate janë të llojllojshme dhe nuk kufizohen me ndjeshmërinë sociale dhe politike. Siguria e përgjithshme mbetet aspekti kryesor mbështetës i procesit të pavarësimit të Kosovës derisa ndjeshmëria e saj është në nivel më të lartë. Kjo ndjeshmëri është e ndryshme në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe për këtë kujdesi i shtuar nuk është vetëm mesazh, por edhe nevojë e domosdoshme e reagimit. Vetëdijesimi mbi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të brendshëm është faktor që do të ndikojë në zhvillimin në kushte normale të proceseve, derisa e kundërta do të thoshte krijimin e një situate të pakontrolluar dhe të paqartë për proceset tjera. Prandaj, jo vetëm grupet e të pakënaqurve me procesin e statusin, por edhe grupet e interesit, organizata të ndryshme sindikale dhe partitë politike duhet të perceptojnë hapësirën dhe kohën në të cilën ndodhet vendi. Secili veprim edhe në qoftë se është legjitim e legal, por që nuk korrespondon me hapësirën dhe kohën do të nxiste efekt të kundërt. Prandaj, edhe fushata parazgjedhore e filluar qetë do të duhej të përmbahej nga ashpërsia dhe tensionimet.

Botuar në “Zëri” më 29 tetor 2007, fq. 14

Monday, October 15, 2007

Fushata me imamë dhe xhamia

Loja pa fitues

Fushata me imamë dhe xhamia

Dy parti politike në vend, megjithëse parti laike, janë fokusuar në hoxhallarët dhe xhematët e tyre. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i atyre aktuale janë në qendër të fushatës që po bëjnë dy parti, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Kjo mund të nënkuptojë se këto parti angazhohen në mënyrë indirekte të rikthejnë fuqinë e imamëve në politikën e Kosovës, gjë që ngrit dilema për orientimin politik të elitës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Fushata parazgjedhore e këtyre muajve për zgjedhjet e nëntorit 2007 qartazi është duke dëshmuar se këto zgjedhje do të jenë më të veçantat e historisë zgjedhore të Kosovës prej përfundimit të luftës. Një prej elementeve kryesore të reja të veçantisë së këtij procesi është përfshirja apo beteja për përfshirjen e imamëve dhe xhamive në fushatë dhe politikë. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i xhamive aktuale është top-premtimi i disa partive politike shqiptare të Kosovës gjatë takimeve të shumta me komunitetin e besimtarëve islam, duke futur kështu edhe një faktor me rëndësi në proceset politike vendore. Nëse fushata zgjedhore nuk është proces politik, atëherë këto parti mund të thonë se nuk po involvojnë institucionin e xhamisë (lexo: fenë Islame) në politikë. Përndryshe, iftaret publike dhe jo-publike të organizuara nga kryetarët e dy partive politike vendore në një numër shumë të madh të vendbanimeve në Kosovë, mesazhin e vetëm që kanë është ai i fuqizimit politik të krerëve lokalë të besimit islam për përfitim të votave.

II
“Fillimisht iks politikani, që erdhi nga Prishtina për të më takuar mua, më ka thënë të organizoj xhematin për të votuar për të dhe partinë e tij, duke më shpërblyer me ndërtimin e xhamive në katër fshatra brenda një viti dhe me riparimin e xhamisë së tashme në fshatin tim”. Ky është tregimi i një imami që mbulon shtatë fshatra në rrethinën e një qyteti të vogël të Kosovës. Imami, një burrë i moshuar dhe i njohur për komunitetin e besimtarëve islam në atë lokalitet, më thoshte se tashmë është duke ardhur koha që hoxhallarët të trajtohen si partner politik me mendimin e ndikimit në masat e gjera të xhematit. Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm që mund të vërehet në këto ditë fushate të pashpallur parazgjedhore. Politikanët po zhvillojnë një seri takimesh me hoxhallarë anembanë Kosovës për të përfituar mbështetjen e tyre publike për ‘konceptin’ e qeverisjes së ardhshme. Ky planifikim i këtyre partive, gjithsesi është gabim strategjik politik për marrjen e pushtetit dhe është shfrytëzim i të gjitha mjeteve për të arritur qëllimin.

III
Fakti që imamët dhe çështja e xhamive është pjesë e ndjeshme e fushatës së egër për arritje qëllimi shtron dy dilema të mëdha përballë të ardhmes politike dhe shoqërore të Kosovës së pas-statusit: Së pari, cili është relacioni midis këtyre politikanëve dhe aspiratës së qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një shteti laik qytetar, funksional, demokratik e Perëndimor të Kosovës? Së dyti, përse fuqizimi i imamëve dhe komunitetit të besimtarëve nuk përfshihet në platformën apo ofertën zgjedhore zyrtare publike me të cilën këto parti paraqiten gjatë kësaj fushate zgjedhore? Dy parti politike të vend, megjithëse proklamohen si parti laike, tashmë është sekret publik se janë fokusuar në hoxhallarët dhe xhematët e tyre. Ndërtimi i xhamive të reja dhe riparimi i atyre aktuale janë në qendër të fushatës që po bëjnë dy parti, sidomos gjatë muajit të Ramazanit. Kjo mund të nënkuptojë se këto parti angazhohen në mënyrë indirekte të rikthejnë fuqinë e imamëve në politikën e Kosovës, sikurse kishte ndodhur para dhe pak pas Luftës së Dytë Botërore.

IV
Faza politike në të cilën gjendet Kosova ka nevojë ruajtjen e stabilitetit jo vetëm të sigurisë, por edhe atë social dhe ndër-bashkëshoqëror. Kosova nuk ka luksin e fillimit të debatit publik rreth laicizmit, gjysmë-laicizmit apo, edhe më keq, themelimin e shtetit mbi bazat fetare. Megjithëse kjo duket e parakohshme, një sinjal i qartë duhet të jepet nga mekanizmat politikë dhe shoqëror se laicizmi në Kosovë asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Elita politike kosovare është deklaruar zyrtarisht për shtet laik, porse një pjesë e saj është duke shfrytëzuar mjete të ndryshme nga këto përkushtime. Në të njëjtën kohë, askush nuk duhet të distancohet nga besimi dhe praktikimi i tij, porse është më se e nevojshme të qartësohet se duhet të ekzistojë një vijë e fuqishme ndarëse midis shtetit dhe fesë. Debati për të kundërtën e kësaj kurdo herë do të shkaktojë dridhje të brendshme dhe për këtë dëshmon rasti i tashëm i Turqisë, pas zgjedhjes së presidentit të ri me të kaluar jo-laike. Prandaj, porosia është e qartë: shteti ka vendin e vet, feja të vetin në shoqëri.

Botuar në “Zëri” më 15 tetor 2007, fq. 11

Monday, October 8, 2007

Nga lufta në paqen e brishtë

Loja pa fitues

Nga lufta në paqen e brishtë

“Nuk mund të ndërroni mentalitetin dhe zemrën e një personi pas shekujsh të vështirësive, luftimeve, urrejtjes, në disa javë dhe muaj. Kjo nuk është e mundshme”, pati thënë Bernard Kouchner në ditën e fundit të vitit 1999, gjashtë muaj pasi Clinton dhe Blair shpallën fitoren ndaj ushtrisë jugosllave në Kosovë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Mbi tetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë me marrëveshjen ushtarake të Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë Jugosllave, paqja ka vazhduar të jetë e brishtë, ndërsa situata e sigurisë e ndjeshme. Vlerësimi i tillë është dhënë shumë herë, jo vetëm nga qendra për studime të ndryshme strategjike, por edhe nga vet zyrtarë të NATO-së. Paqja sipas studiuesve të këtij lëmi përkufizohet si diçka që është më shumë sesa thjeshtë mungesa e luftës. Ndërkohë, që Immanuel Kant thoshte se „çdo traktat paqeje i jepte fund një lufte gjatë një periudhe të caktuar, por njëkohësisht krijonte kushtet për luftën pasardhëse“. Në diskursin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare „Paqja e mirë“ ka të bëjë me një paqe e cila i zhduk arsyet e fshehta të luftës dhe paqe e cila nuk është vetëm armëpushim, por edhe ndryshim marrëdhëniesh ndërmjet shteteve mbi bazën e reciprocitetit dhe ndërvarësisë. Ky përkufizim më së shumti e shpjegon paqen e brishtë që ishte ekzistuar pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në fakt me Marrëveshjen e Kumanovës, kishte ndodhur vetëm një lloj armëpushimi, derisa thirrjet për luftë dhe mobilizim nuk janë ndalur asnjëherë nga forcat radikale serbe, e aq më pak ka ndërruar qasja e lidershipit në ndryshimin e marrëdhënieve të dy popujve.

II
Me gjithë intervenimin e palës së tretë, përkatësisht edhe kur Perëndimi intervenoi dhe mori udhëheqjen e administrimit, sikurse në Kosovë dhe Haiti, faktorë të vështirë kulturor dhe historik pengojnë stabilitetin. Në ditën e fundit të shekullit të njëzet, gjashtë muaj pasi presidenti Bill Clinton dhe kryeministri Tony Blair patën shpallur fitoren në Kosovë, Bernard Kouchner, administratori ndërkombëtar i atëhershëm i Kosovës, ka thënë se pajtimi midis serbëve dhe shqiptarëve ka mbetur edhe më tutje një qëllim i largët. “Nuk mund të ndërroni mentalitetin dhe zemrën e një personi pas shekujsh të vështirësive, luftimeve, urrejtjes, në disa javë dhe muaj. Kjo nuk është e mundshme”, pati thënë ai. Si rezultat i kësaj paqeje të brishtë edhe sot e kësaj dite në Kosovë si në aspektin e jashtëm e të brendshëm ekziston ajo që njihet si „dilema e sigurisë“. Kjo shpjegohet si rrethanë në të cilën veprimet e shteteve ndërmerren për të siguruar vetveten, siç është vendosja e mekanizmave dhe të strukturave të nevojshme të Sigurisë. Sidoqoftë, autorë që kanë lënë shenjë në historinë e njerëzimit thonë se të menduarit strategjik mundëson shmangien e dhunës. Sun-Tzu thotë se mënyra më e mirë për t’iu shmangur – rezultati i dhunshëm i dështimit politik – është të menduarit në mënyrë strategjike.

III
Me argumentim të qartë dhe preciz autorët thonë se ndjekja strategjike e vetë-interesit nuk është një pseudo-shkencë e ftohtë dhe amorale, por morali i veprimit të atyre që i dinë tmerret e betejave dhe kërkojnë t’i shmangen atyre. Kjo edhe për vetë faktin se qenia njerëzore për nga vetë natyra e saj përshkruhet nga të paktën tri elemente, ndërsa e para prej tyre është frika, pasuar nga vetë-interesi dhe nderi. Prandaj, aspekti i sigurisë mbetet gjithnjë çështje e rëndësishme. Për të pasur sukses në siguri, kusht i domosdoshëm është shtrirja e atij që ka monopolin e dhunës. Në Kosovë shumëkush mundohet të sfidojë bartësin e monopolit të forcës, që në rastin tonë është pala e tretë ndërkombëtare në koordinim me institucionet vendore. Strukturat paralele shtetërore serbe funksionojnë si një institucion qeveritar për serbët kosovarë. Angazhimi i këtyre strukturave është i vazhdueshëm që prej përfundimit të luftës së këtushme, më 1999. Sidoqoftë, kjo situatë e autoriteteve paralele shtetërore të UNMIK-ut/ IPVQ-ve dhe Serbisë më së miri mund të kuptohen nga definicioni i Max Ëeber-it për shtetin. Në ligjëratën e tij ‘Politika si Profesion’ shteti për të është “një komunitet njerëzor që (suksesshëm) pretendon monopolin e përdorimit legjitim të forcës fizike brenda një territori të dhënë”.

IV
Mandati i prezencës së mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, sikurse edhe i atyre vendorë, forcon faktin se jeta evropiano-Perëndimore është e përbashkët. Siguria sot është çështje multi-laterale, sikurse që rëndësia e sigurisë është çështje me interes multi-lateral. Në këtë situatë është me rëndësi vitale, pra me prioritet absolut, ndërtimi i pozitës favorizuese të sigurisë në Kosovë, duke u mbështetur në aspiratat dhe përgatitjet për anëtarësimin në NATO. Kosova ka interes të veçantë për stabilizimin dhe demokratizimin e Evropës Jug-Lindore, për sigurimin e paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës, duke respektuar parimin e zgjidhjes së problemeve lidhur me çështjet e hapura. Aspekti i jashtëm i sigurisë në Kosovë ka qenë i garantuar nga NATO gjatë këtyre viteve të kaluara dhe i tillë pritet të mbetet edhe për një kohë, ndërsa aspekti i brendshëm fillimisht nga trupat ndërkombëtare të sigurisë me konsolidim dhe trajnim gradual të forcave vendore. Jo vetëm politika dhe Plani i Ahtisarit, por edhe studimet e instituteve kredibile konstatojnë se në Kosovë duhet të ekzistojnë shumica e mekanizmave të mbrojtjes, përkatësisht për Forcën Mbrojtëse, Ministrinë e Mbrojtjes e Shërbimin Inteligjent. Ky i fundit është i domosdoshme për informacionet, zbulim, kundërzbulim e veprime tjera operative.

Botuar në “Zëri” më 08 tetor 2007, fq. 10