Sunday, March 25, 2007

Bombat e paqes

Loja pa fitues

Bombat e paqes

Edhe pas tetë vjetësh prej se kishin filluar bombardimet e NATO-s me qëllim çlirimin e Kosovës, vendi ynë përballet me një situatë tejet të brishtë të sigurisë. Secila lëvizje ka ndikim në situatën e sigurisë dhe si të tilla ato duhet të jetë të matura e vetëm të domosdoshme. Lëvizjet e ndryshme të çfarëdo karakteri që ndikojnë në stabilitet politik dhe institucional tash e deri në përcaktimin përfundimtar të statusit nuk janë gjë tjetër pos një avanturë e elitës dhe ndonjë grupi të caktuar

Shkruan: Burim Ramadani

I
Sado që duket paradoksale, bombat nuk shërbejnë vetëm për të shkatërruar. Ndoshta zbuluesi i panjohur i kësaj lloj arme në pjesën e dytë të shekullit të 17-të nuk e ka menduar kështu, porse rrjedhat dhe zhvillimet historike kanë treguar se bombat kanë edhe mision paqësor. Të paktën kanë qëllim politik paqësor. Kjo ka ndodhur tetë vjet më parë, kur NATO-ja filloi bombardimet kundër ish-Jugosllavisë për të çliruar Kosovën dhe popullin e këtushëm nga lufta shfarosëse e udhëhequr nga Millosheviqi. Qytetarët e Kosovës, ndonëse e kanë pritur dhe janë lutur për kohë të gjatë, intimisht nuk kanë besuar se do të presin ditën/natën kur qielli i ish-Jugosllavisë do të vërshohet nga aeroplanët luftarakë ndërkombëtarë. Nuk e kishin besuar se kjo do të ndodh as shumë të tjerë që janë munduar ta pengojnë këtë, porse NATO-ja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën punën që shënon herën e parë në historinë e kësaj organizate. Populli shqiptar i Kosovës, por edhe vet pakica serbe e Kosovës duhet t’i jetë mirënjohëse edhe në të ardhmen për intervenimin e NATO-s kundër regjimit të kaluar në Serbi. Filozofia mbi të cilën është udhëhequr ky operacion 78 ditësh i bombardimit të një shteti duhet të mbetet udhërrëfyes për jetën e përbashkët të qytetarëve të Kosovës. Pos kësaj, kjo filozofi do të mbetet objekt studimi për gjenerata të tëra dhe do të jetë një precedent pozitiv.

II
Sidoqoftë, situata e sigurisë ka vazhduar të jetë e brishtë në Kosovë dhe tërë kohën e ndjeshme. Është treguar disa herë gjatë këtyre tetë vjetëve se është dashur një shkëndijë për t’u ndezur ndjenjat e një grupi apo një turme njerëzish këtu. Marsi i vitit 2004 i kaloi të gjitha përmasat e këtij tetë-vjeçari, porse rastet më të vogla kanë qenë mjaft të shpeshta. Gjendja e tillë nuk duhet të përsëritet më asnjëherë. Megjithatë, ndjenjat e qytetarëve të Kosovës janë të përziera dhe për këtë jemi dëshmitarë të situatave të ndryshme. Protestat e dhunshme i kanë dhënë hije të keqe zhvillimeve dhe punës së deritashme në Kosovë. Derisa vendi po pret fazën finale të përcaktimit të statusit polifazën finale të përcaktimit të statusit politik, qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes për ruajtjen e stabilitetit politik dhe institucional. Lëvizjet e ndryshme të çfarëdo karakteri që ndikojnë në stabilitet politik dhe institucional tash e deri në përcaktimin përfundimtar të statusit nuk janë gjë tjetër pos një avanturë e elitës dhe ndonjë grupi të caktuar. Secila lëvizje ka ndikim në situatën e sigurisë dhe si të tilla ato duhet të jetë të matura, të llogaritura mirë dhe vetëm të domosdoshme. Kjo maturi duhet të jetë e gjithanshme dhe elita e shqiptarëve të Kosovës ka përgjegjësinë politike për ruajtjen dhe zhvillimin e ndjenjës së sigurisë në vend.

III
Sërish bombat shpërthejnë. Nuk shpërthejnë vetëm në Irak, Afganistan, Çeçeni, por të tilla kemi sa të duash në Prishtinë, Pejë, Gjilan e Mitrovicë. Dhe, atë në fazën më të ndjeshme të procesit të përcaktimit të statusit final politik të Kosovës, përkatësisht të pavarësimit të Kosovës. Dallimi qëndron në qëllimin politik. Nëse bombat e para tetë vjetësh kanë pasur për qëllim stabilizimin dhe krijimin e paqes këtu, bombat e tashme kanë për qëllim të kundërtën, pra destabilizimin dhe krijimin e amullisë dhe konfliktit. Vërtetë nuk ka dështim më të madh të shoqërisë kosovare se sa dhënia e një hapësire për dashakeqësit që luajnë me eksplodime dhe që fshehen pas emrave e organizatave virtuale. Prandaj, kjo nuk duhet të lejohet assesi dhe si e tillë duhet të luftohet me të gjitha format, qofshin ato juridike, qofshin ato tradicionale e mobilizuese. Objektivi politik i qytetarëve të Kosovës duhet të mos shmanget në asnjë mënyrë nga jeta dhe politika e përditshme. Qytetarët nuk duhet të lakojnë rrugën e cila shpie drejt objektivit të madh. Pavarësimi i Kosovës ka nevojë për mobilizim qetësues dhe stabilizues. Kosovarët janë treguar disa herë gjatë historisë së kanë pjekurinë për të kuptuar proceset politike. Megjithëse të gjithë mund të jenë të lodhur nga ky proces, hapat e mëtejshëm duhet të jenë në funksion të lehtësimit të vendimit final.

IV
Standardet evropiane janë një pjesë tjetër e rrugës së përbashkët të qytetarëve dhe elitës politike e publike të Kosovës. Dje Bashkimi Evropian ka festuar 50 vjetorin e themelimit, një kohë jo e vogël dhe e mundimshme. Imagjinojeni Evropën e para 50 vjetëve. E shkatërruar dhe e tmerruar nga Lufta e Dytë Botërore, Evropa ka gjetur forcat për pajtim dhe bashkim për të ardhmen. Siguria e Evropës është rritur dhe stabilizuar në mënyrë tejet të fuqishme gjatë kësaj kohe 50 vjeçare. Konsolidimi i dmokracisë në vendet kryesore evropiane ka ndikuar po ashtu në këtë aspekt. Të dyja këto janë elemente të rëndësishme, të cilat duhet të forcohen në Kosovë me qëllim të zhvillimit të vendit dhe prosperitetin e kosovarëve. Pajtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes qytetarëve të Kosovës të të gjitha komuniteteve dhe konsolidimi i demokracisë janë veçanërisht të rëndësishme dhe faktikisht determinuese për të ardhmen e këtij vendi. Për të dyja këto, Kosova është ende në fazat e para dhe jo të avancuara. Përkundër investimit të deritashëm, pajtimi dhe demokracia janë edhe më tutje dy sfida për Kosovën, përballimi me sukses i të cilave siguron stabilitet afat-gjatë, prosperitet dhe integrim. Qytetarët e Kosovës, elita politike e publike dhe bashkësia ndërkombëtare duhet edhe më tutje të angazhohen dhe invsetojnë në pajtim dhe konsolidim të demokracisë.


Botuar në të përditshmen “Zëri”, më 26 mars 2007, fq. 14

Sunday, March 18, 2007

Kush po e shkruan Kushtetutën?

Loja pa fitues

Kush po e shkruan Kushtetutën?

Kosovarët nuk kanë ndikim politik dhe profesional në hartimin e bazës së Kushtetutës të shtetit të Kosovës. Parimet bazë, ndërlidhjet me dokumentet tjera ndërkombëtare dhe efekti i kësaj Kushtetute përcaktohen qartë nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga vendosja për statusin. Parimet e pastra konsociacionale dëshmojnë këtë, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar margjinalizon efektin e Kushtetutës

Shkruan: Burim Ramadani

I.
Shteti i Kosovës do të ketë një akt më të lartë politiko-juridik në bazë të të cilit do të ndërtohet tërë mekanizmi dhe ekzistenca legale, si dhe do të ndajë fuqinë e pushteteve. Sikurse edhe ka filluar të punohet, Kosova do të ketë një Kushtetutë të sajën e cila do të përmbledh dhe saktësojë rregullat e lojës politike midis aktorëve politikë, respektivisht institucioneve të udhëhequra politikisht nga parti apo koalicione të ndryshme. Kushtetetuta e vendit do të duhej të miratohej pothuajse menjëherë pas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pak kohë pas Deklaratës së Pavarësisë së vendit. Porse, për Kosovën këtë radhë, në kundërshtim me përvojën e vendeve tjera, Kushtetuta do të jetë akti më i lartë juridik vetëm për një pjesë të jetës politike dhe juridike, për shkak të autorizimeve që do të ketë bashkësia ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe korrektim. Pjesa tjetër do të jetë një dokument ‘i huaj’, i vendosur nga mekanzimat ndërkombëtarë dhe ‘i imponuar’ autoriteteve kosovare. Vendosja për statusin final të Kosovës do të determinojë qartësisht edhe një pjesë mjaft të madhe të dispozitave të Kushtetutës së vendit. Me theks të veçantë janë ato që kanë të bëjnë me strukturën e institucioneve qendrore dhe lokale, Të Drejtat të Njeriut, gjuhëve etj. Tek e fundit, dispozitat e vendimit ndërkombëtar mbi statusin do të përcaktojnë edhe vetë identitetin e Kosovës si shtet multi-etnik.

II.
Kosova nuk po e harton vetë Kushtetutën e saj me të cilën do të udhëhiqet drejt një procesi mjaft të rëndësishëm, atë të integrimeve evropiane dhe evro-atlantike. Propozimi i presidentit Marti Ahtisari përcakton madje edhe detaje që duket edhe të panevojshme. Përcaktimi që dokumenti i Ahtisarit bën për pozitën dhe rolin e Kryetarit të Kosovës dëshmon në mënyrë të fuqishme këtë. Kjo dispozitë në njëfarë mënyrë edhe banalizon efektin e punës së kosovarëve në hartimin e Kushtetutës së vendit, ndonëse për këtë çështje tashmë po harxhohen energji, mund dhe para. Kosova, sipas vendosjes ndërkombëtare të statusit të saj, do të jetë një shtet multi-etnik, me gjuhë zyrtare atë shqipe dhe atë serbe, me përfaqësim të rezervuar pakëz mbi-proporcional të grupeve etnike pakicë, me sistem parlamentar, me ndarje të pushteteve, me mekanizmin e njohur si shumica e Badinterit, me sistem elektoral proporcional, me një zonë elektorale. Këto janë vetëm disa nga detajet e organizimit politiko-juridik që kosovarët do të duhet t’i shkruajnë në Kushtetutën e vendit duke lexuar dhe më pas kopjuar nga dokumenti i Ahtisarit. Sepse, këto janë përcaktuar në propozimin e tij, i cili është pranuar nga Grupi i Unitetit dhe elita politike e vendit. Grupi kosovar për Kushtetutën ka për obligim t’i kopjojë ato dhe t’i rendis në mënyrë të duhur në draftin që do të përmbyllin brenda pak javësh.

III.
Parimet konsociacionale, edhe sipas propozimit të Ahtisarit, duhet të jenë të qartësuara dhe saktësuara në nivelin sa më të gjerë në Kushtetutën e vendit tonë. Një element që do të ishte shumë i vlefshëm, është mundësia për të përcaktuar se sa gjatë ose sa kohë do të duhej të aplikoheshin këto parime. Porse, kjo nuk është e lehtë për t’u arritur dhe për këtë do të duhej një energji dhe argumentim i fuqishëm nga ana e lidershipit kosovar. Përfaqësimi i rezervuar i grupeve etnike pakicë në institucionet qendrore dhe lokale nuk janë parë për herë të parë në Kosovë. Edhe teoricientë të njohur ndërkombëtarë kanë mbrojtur këtë nevojë. “Një mënyrë e mirë për përfaqësimin e minoritetit serb do të ishte përcaktimi në Kushtetutë se 10 për qind ose edhe 15 për qind e ulëseve në qeveri duhet të jenë për serbët. Po ashtu, do të rekomandoja përfaqësimin proporcional, të cilin Kosova veçmë e ka. Federalizmi ose decentralizimi i fortë do të bënte një sens të mirë. Kushtetuta duhet që në mënyrë të pastër të përcaktojë autonomi të caktuar (për shembull sa i përket arsimit) dhe të drejtat e minoriteteve”, pati thënë javë më parë themeluesi i teorisë së konsociacionalizmit, politologu holandez Arend Lijphart. Një tjetër studiues, John McGarry ka thënë se “nëse mbrojtjet pushtet-ndarëse nuk janë të përcaktuara në Kushtetuë, minoritetet do të jenë të brengosura se ato (mbrojtjet) do të mund t’i largohen shumë lehtë”.

IV.
Kushtetuta e re e Kosovës së pavarur është e pesta për vendin. Rregullimi i këtillë kushtetues në Kosovë fillon me Ligjin Kushtetues të Krahinës së Kosovës në vitin 1969, ndërsa mbi bazën e këtij ligji pas gjysmë dekade bëhet edhe Kushtetuta e vitit 1974. Rrjedha e zhvillimeve në këtë aspekt vazhdon me Kushtetutën e Kaçanikut në vitin 1990, ndërsa më së voni me Kornizën Kushtetutese për Vetë-Qeverisjen e Përkohshme në Kosovë, më 2001. Kushtetuta e pestë do të jetë e para pas krijimit të realitetit të ri në vend. Porse, ‘korrigjimi’ i saj nuk do të jetë i lehtë dhe i shpejtë. Përcaktimet vijnë nga dokumenti i Ahtisarit dhe si të tilla nuk mund të ndryshohen. Roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) do të mund të jetë ndryshimi i parë që do të ndodh në tekstin e Kushtetutës së Kosovës. Nëse energjitë e lidershipit do të jenë në drejtim të duhur, atëherë ky ndryshim do të ndodh në mënyrë optimale pas katër vjetësh. Atëherë do të duhej që PCN-ja të mbarojë misionin e vetë. Ndërkaq, rregullimet tjera kushtetuese do të vazhdonin edhe më tutje. Lijphart thotë se përfaqësimi proporcional do të ishte i mirë madje edhe kur grupet në Kosovë bëhen më të afërta, më miqësore njëri me tjetrin. “Ndoshta në periudhë afat-gjatë, përfaqësimi i tillë i minoritetit nuk do të jetë i domosdoshëm, por mendoj se do të ishte gabim që tash të vendoset se kjo do të tejkalohet të themi pas 10 ose 20 vjetësh”.

Botuar në të përditshmen “Zëri”, më 19 mars 2007, fq. 14

Monday, March 12, 2007

Mirupafshim në OKB!

Loja pa fitues

Mirupafshim në OKB!

Kosova dhe Serbia nuk do të ketë më rastin dhe ‘kënaqësinë’ që të takohen pranë një tavoline të përbashkët deri në vjeshtë të këtij viti. Megjithëse nuk është kohë e gjatë, shumë gjëra pritet të ndodhin në rajonin e Ballkanit. Dy vendet do të takohen në Nju Jork në vjeshtë të këtij viti, kur përfaqësuesit e 192 shteteve do të vendosin mbi kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar atyre në OKB. Serbia do të jetë aty dhe pavarësisht thirrjeve të fundit të ultra-nacionalistëve, Beogradi nuk do të tërhiqet nga OKB-ja. Serbia nuk do të mund të pengojë asgjë, por as nuk do t’i duartrokas pranimit të Kosovës aty

Shkruan: Burim Ramadani

I.
Bisedimet direkte njëvjeçare midis Prishtinës dhe Beogradit kanë përfunduar këtë fundjavë në Vjenë. Me këtë në fakt ka përfunduar njëra prej dy fazave kryesore të procesit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të vendit. Presidenti Ahtisari është në stadin e fundit të misionit të tij. Ai ka marrë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mandatin për të ndërmjetësuar bisedimet dhe për të dhënë një propozim mbi statusin politik të Kosovës, ndërsa tashmë është në ditët e fundit të përgatitjes finale të propozimit të tij gjithëpërfshirës. Nëse çdo gjë do të shkojë të paktën si është proklamuar dhe parashikuar deri më tash, presidenti Ahtisari do të dërgojë në Nju Jork dokumentin e tij deri në fund të këtij muaji dhe deri në fund të muajit të ardhshëm do të mund të diskutohet ai dokument në Këshillin e Sigurit të OKB-së. Kur diskutimet jashtë dhe brenda këtij mekanizmi do të përmbyllen, pesëshja e përhershme e tij do të jetë e harmonizuar sa i përket zhvillimit tjetër në këtë kontekst, përkatësisht do të ketë një harmonizim për të mos shkatërruar nxjerrjen e një Rezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. Kjo Rezolutë nuk do ta shpallë Kosovë shtet të pavarur, porse do të hap rrugën që këtë ta bëjnë institucionet e vendit, përkatësisht partitë politike në Kuvendin e Kosovës.

II.
Kosova dhe Serbia nuk do të ketë më rastin dhe ‘kënaqësinë’ që të takohen pranë një tavoline të përbashkët deri në vjeshtë të këtij viti. Megjithëse nuk është kohë e gjatë, shumë gjëra pritet të ndodhin në rajonin e Ballkanit, përkatësisht në politikën rreth Kosovës dhe Serbisë. Ballkani do të ketë ndryshim të konfiguracionit dhe do të pavarësohen dy shtete. Kosova do të jetë shtet i ri i pavarur, ndërsa Serbia më në fund do të ‘pavarësohet’ nga tokat që mëton dhe punon për t’i pushtuar dhe mbajtur nën kontroll. Në fakt Serbisë do t’i bëhet e qartë (megjithëse në formën me të butë të mundshme në politikën ndërkombëtare) se qëllimi i saj për kontroll mbi një territor me popullatë të ndryshme nga e saja nuk është demokratik dhe se është i papranueshëm. Me pavarësimin e Kosovës, përgjigjja që duhet të merr elita politike e Serbisë është se të gjitha shtetet duhet të kujdesen për qytetarët e tyre, t’i shërbejnë atyre, të përdorin autorizimet që marrin prej tyre, t’i respektojnë dhe të mos manipulojnë me ndjenjat e tyre, parasëgjithash me ndjenjat nacionaliste. Shteti dhe elita politike çdo kund kanë përparësinë në orientimin e ndjenjave të qytetarëve, ndërsa Serbia e ka shfrytëzuar këtë në mënyrë më të ashpër. Serbët janë helmuar me qëllimet e elitës politike të tyre hegjemoniste dhe koha pas këtij viti duhet t’u shërbejë atyre për të ndryshuar.

III.
Prishtina dhe Beogradi do të takohen në Nju Jork në vjeshtë të këtij viti. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë sesionin e saj vjeshtor, ndërsa të dyja vendet do të jenë të përfaqësuara në atë sesion, megjithëse fillimisht në status të ndryshëm. Kosova do të përfaqësohet në Nju Jork nga një nivel shumë i lartë politik (ndoshta nga vetë Grupi i Unitetit) për të qenë të pranishëm në momentin kur përfaqësues të 192 shteteve do të diskutojnë nëse do të pranojnë Kosovën si shtet anëtar të OKB-së. Edhe Serbia do të jetë aty, pasi që ajo është anëtare e OKB-së dhe pavarësisht thirrjeve të fundit të ultra-nacionalistëve, Beogradi nuk do të tërhiqet nga organizata më e madhe ndërkombëtare, përkatësisht botërore. Serbia do të jetë aty kur Kosova do të pranohet me shumicë të kualifikuar të votave të Asamblesë së Përgjithshme, porse nuk do t’i duatrokas kësaj ngjarjeje. Ajo nuk do të mund të pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB-së, sikurse nuk mund ta pengojë as procesin e pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës. Beogradi do të jetë i pafuqishëm ndaj pavarësimit dhe pranimit të Kosovës në OKB, si dhe ndaj zhvillimit të Kosovës në proceset integruese evropiane. Të paktën, kështu u pa në publik takimi i 10 marsit midis nivelit më të lartë përfaqësues të Prishtinës dhe Beogradit.

IV.
Deri në vjeshtë të këtij viti nuk do të ketë ndonjë forum të madh ndërkombëtar kur mund të përfaqësohet të dyja vendet, prandaj Nju Jorku do të jetë pikë-takimi i radhës. Porse, për të shkuar në Nju Jork, qytetarët e Kosovës duhet t’i japin edhe njëherë mbështetje të fuqishme elitës politike që kanë zgjedhur, duke mos u dhënë shansin institucion-shkatërruesve dhe trazirë-nxitësve. Vendi po ecën në pjesën e fundit të rrugës së tejzgjatur për pavarësi dhe barazi me shtetet tjera në rajon e më gjerë, prandaj kujdesi duhet të jetë i shtuar për shkak se mu në këtë moment edhe mund të dëmtohet e gjithë kjo rrugë. Qytetarët e Kosovës, parasëgjithash shumica shqiptare e saj, nuk duhet të bien në provokime të ulëta dhe dashakeqëse të grupeve të caktuara. Këto grupe duan të ngrejnë huti në mesin e popullatës dhe përmes përdorimit të ndjenjës nacionaliste shqiptare këtu të realizojnë skenare tjera, që në fakt nuk kanë të bëjnë me nacionalizmin shqiptar. Nxitja e dhunës, çfarëdo niveli qoftë ajo, nuk bën të tolerohet dhe nuk do t’i sjell asnjë të mirë vendit dhe të ardhmes së popullatës së këtushme. Qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për t’u përballur me zhvillimet pas mbylljes të këtij procesi të gjatë dhe realizimit të vullnetit politik. Stadet tjera politike në të cilat po futet Kosova aq sa janë të rëndësishme, janë edhe sfiduese.
Botuar në të përditshmen "Zëri" më 12 mars 2007, fq. 13

Monday, March 5, 2007

Ahtisari dhe "Deep Purple”

Loja pa fitues

Ahtisari dhe “Deep Purple”

Derisa Prishtina vazhdon të jetë nën ethet e përfundimit të procesit dhe turmat grumbullohen për të shpehur pakënaqësitë e tyre, kryeqytetit i vendit tonë fqinj (për shumicën e kosovarëve – atdheut) ka pritur dhe ushtuar mbrëmë nga tingjut e “Deep Purple”. Kur në Tiranë bëhet festë për këtë rok grup të famshëm (apo edhe të tjerë), në Prishtinë festa do të bëhet kur presidenti Ahtisari ta kryejë misionin e tij dhe të vizitojë më pas Kosovën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Të jetosh afër njëri-tjetrit në kuptimin territorial nuk do të thotë të kesh edhe jetë të përbashkët politike dhe shoqërore. Megjithëse mund të mos ndjehen dallime të thella kombëtare, kulturore dhe historike, zhvillimet apo ngjarjet që kanë ndodhur këtë fundjavë në Prishtinë dhe Tiranë tregojnë dy drejtime, halle apo proekupime të ndryshme. Ky është mësimi më praktik që mund të ketë dal nga fundjava që e kaluam. Derisa Prishtina vazhdon të jetë nën ethet e përfundimit të procesit për definimin e të ardhmes politike të vendit dhe turmat grumbullohen për të shpehur pakënaqësitë e tyre, kryeqytetit i vendit tonë fqinj (për shumicën e kosovarëve – atdheut) ka pritur dhe ushtuar mbrëmë nga tingjut e “Deep Purple”. Kur në Tiranë bëhet festë për këtë rok grup të famshëm (apo edhe të tjerë), në Prishtinë festa do të bëhet kur presidenti Ahtisari ta kryejë misionin e tij dhe të vizitojë më pas Kosovën. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët në Tiranë nuk do t'i gëzohen shpirtërisht pavarësimit të Kosovës dhe përfundimit të këtij procesi që paraqet një zhvillim të tërë historik, porse të rinjtë tiranas nuk do të grumbullohen për të pirë alkool e marihuanë dhe për të kërcyer pa kontroll për shkak të kësaj. Shkaku i festimit të tyre është i ndryshëm nga shkaku i bashkëatdhetarëve të moshës së njëjtë në Prishtinë. Nëse këto arsye do të kombinoheshin, do të kishim një festim të përbashkët në të dyja kryeqytetet – në Tiranë do të vinte rok grupi “Toto” dhe në Prishtinë Marti Ahtisari.

II
Kosova tashmë ka kaluar edhe një prej shumë etapave të procesit për definimin e statusit politik. Nëse nuk do të jetë kjo etapë e fundit në përgjithësi në proces, kjo pa dyshim është koha vendimtare e arsyetimit të propozimit final të presidentit Ahtisari mbi të ardhmen e Kosovës. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi për disa ditë rresht dhe për disa çështje të ndryshme janë takuar në Vjenë pa ndonjë rezultat. Sigurisht se rezultate pozitive të koordinuara midis palëve nuk janë pritur, porse këto ditë dhe këto takime dëshmuan më së qarti qëndrimet diametralisht dhe konceptualisht të kundërta mes dy tavolinave përballë. Në mënyrën më cinike dhe injorante në politikën e ditëve të tashme, Beogradi nuk ka hezituar të vë në tavolinë kërkesa apo qëndrime krejtësisht të kota dhe dekonstruktive. Të kërkohet që kufijtë e Kosovës të ruhen nga policia kufitare e Serbisë e mbikëqyrë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Beograd nuk do mend se është një injorancë politike, dekonstruktivitet dhe mbi të gjitha është zhytje banale në ide hegjemoniste të nacionalistëve të kuptimit negativ në Serbi. Megjithëse është vetëm njëra prej kërkesave të tilla të 'çuditshme', ky qëndrim tregon shumë më tepër: tregon moslëvizjen e asgjës dhe asnjë qëndrimi që prej shkurtit të vitit të kaluar, kur edhe kanë filluar negociatat direkte mes Prishtinës dhe Beogradit. Po të mund të merrej parasysh dhe realizohej një kërkesë e tillë e Beogradit, nuk besoj se do të duhej kaq energji dhe resurse për të zhvilluar një proces të tillë mjaft të gjatë.

III
Takimi i paralajmëruar i nivelit të lartë të delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi nuk do të sjell asgjë të re sa i përket mundësisë së afrimit të qëndrimeve të palëve. Takimi i 10 marsit sigurisht se do të jetë i fundit mes palëve në tërë këtë proces të udhëhequr nga një diplomat dhe ndërmjetës i rryer, për t'i hapur rrugë ish-kreut të Finlandës që të udhëtojë për në Nju Jork. Nëse nuk ndryshon agjenda e lajmëruar deëri më tash, presidenti Ahtisari do të paraqes propozimin e tij final për pavarësimin e Kosovës gjatë këtij marsi, që për ne kosovarët është i nxehtë edhe para pranverës. Tashmë është sekret publik se propozimi final i Ahtisarit do të mbajë edhe termin "pavarësi e mbikëqyrur", që në fakt do të thotë pavarësi me koncesione të brendshme dhe me prani mjaft të gjerë e të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, kjo besoj se është një prej zgjidhjeve më të mira që është mundur të del nga ky proces. Kosova ka nevojë për koncesione të brendshme politike me qëllim të vetëm bërjen të mundur të funksionalitetit të demokracisë në këtë shoqëri. Procesi i decentralizimit në fakt është plotësisht pushtet-ndarje (konsociacionalizëm) dhe në aspketin politik ai do të ketë efekte pozitive për kohën sa do të jetë në zbatim dhe kjo kohë nuk mund të jetë më e vogël se rreth 15 vjet. Po ashtu, prania ndërkombëtare ushtarake është e padiskutueshme dhe qytetarët e Kosovës kanë vullnet të shohin këtë prani edhe për shumë kohë, krahas ushtrisë profesionale të vogël të Kosovës. Sfida e pranisë civile do të jetë zvogëlimi i mandatit të saj, porse prania e tillë është pothuaj e domosdoshme.

IV
Stabiliteti i Kosovës në këto momente vendimtare prapëseprapë mbetet imperativi primar këtë stad të zhvillimeve. Apelet e liderëve dhe anëtarëve të Grupit të Unitetit janë ndjerë më shumë se asnjëherë tjetër gjatë javës së kaluar. Edhe pse kjo është dashur të bëhet disa javë më parë, të apeluarit në mënyrë të drejtpërdrejtë është njëra prej masave më efektive parandaluese dhe ruajtëse të qetësisë publike dhe stabilitetit politik në Kosovë. Kjo në fakt duhet të vazhdohet edhe me takime me qytetarët e vendit gjithandej dhe në të njëjtën kohë të përcillet me sqarim edhe më të detajshëm për procesin dhe mënyrën e përfundimit të këtij procesi. Kosova ka nevojë të jetë stabile, të mos ketë dhunë dhe besojë në procesin ndërkombëtar të pavarësimit të saj. Energjia, resurset humane e financiare që janë shpenzuar në këtë proces janë shumë herë më të mëdha se energjia negative e mundshme e ndonjë individi apo grupi në Kosovë dhe rreth saj. Vullneti pozitiv i qytetarëve të Kosovës duhet të (ri)mbushet në takimet dhe komunikimet me liderët institucionalë, politikë, partiak, dhe me personalitet publike të vendit që janë angazhuar për kohë të gjatë në zhvillimet për pavarësim. Stabiliteti është i nevojshëm të ruhet në rend të parë nga shumica e popullatës së Kosovës në mënyrë që në zhvillime tjera të mundshme të ndërmerren hapat dhe veprimet përkatëse politike e të tjera.

(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar në “Zëri” më 05 mars 2007, fq. 10