Monday, May 28, 2007

Rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar

Loja pa fitues

Rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar

Flamuri i ardhshëm i Kosovës do të duhej të ruajë dy ngjyrat kombëtare të shumicës. Për këtë, ka precedent: flamuri i TMK-së është i lejuar ndërkombëtarisht dhe ka sfondin e kuq dhe hartën e Kosovës në ngjyrë të zezë. Kjo do të ishte e arritura më e fuqishme dhe satisfaksion plotësues për shumicën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tashmë askush në Kosovë nuk ka hezitime rreth nevojës së ‘dizajnimit’ të flamurit të ri të shtetit tonë të ardhshëm. Disa vjet më parë (jo edhe aq kohë të gjatë), kjo ishte një prej shumë tabu-temave në opinionin publik dhe politik të vendit. Edhe ato pak ide të dala në opinion nuk janë bërë në mënyrën më të duhur, ndërsa reagimet ndaj tyre nuk janë ndalur vetëm në deklarata. Djegia e një grumbulli të atij që ka marrë epitetin e ‘flamurit të Dardanisë’ në Prishtinë pak vjet më parë pati dëshmuar qartë dhe pastër mungesën e vetëdijes shtet-formuese të strukturave të ndryshme në shoqërinë kosovare. Kjo nuk përfshinë vetëm një strukturë të caktuar, porse dëshmonte pa-mjaftueshmërinë e debatit politik, publik e qytetar. Tek e fundit, ishte përgjegjësia e elitës që t’i sqarojë strukturave tjera të gjitha veprimet që duhet ndërmarrë për t’u ballafaquar me nevojat, sfidat dhe domosdoshmëritë tona si shtet i ri. U desh të kalojnë disa vjet dhe një proces mjaft i gjatë e i dhimbshëm për statusin, që njerëzit ta kenë të qartë këtë çështje.

II
Tema e flamurit kosovar aktualisht është njëra prej më të përfolurave në mediat vendore. Por, ajo nuk ka marrë përmasa më të gjera se sa Kosova dhe vërehet që askush nga organet publike apo opinion-krijuese ndërkombëtare nuk merret më këtë punë. Për këtë mund të gjenden dy arsyetime. Së pari, kjo është çështje plotësisht e kosovarëve dhe si e tillë duhet të zgjidhet nga vendorët pasi që presidenti Ahtisaari ka vënë kornizat e simbolikës së flamurit. Së dyti, Kosova nuk ka nevojë të ngutet, sepse kanë mbetur edhe disa punë për t’u bërë para se të vendoset për flamurin. Në fund të fundit, ky është një shpjegim i thjeshtë i një njohësi ndërkombëtar të Ballkanit që ma tha disa ditë më parë. Shpjegimi i tij u përballë me një reagim kosovari të frustruar për kohën e humbur deri më tash dhe mosarritjen e një konsensusi për mënyrën e veprimeve. Mungesa e simbolit kryesor të shtetit të ardhshëm të Kosovës na çon në domosdoshmërinë e krijimit të një simboli të përkohshëm, nëse duam të kemi me kohë pasaporta dhe dokumente tjera.

III
Tabuja e para disa vjetëve do të duhej të materializohej në javët në vazhdim. Kosovarët, shumica shqiptare, do të fitojnë pavarësinë, porse kanë bërë kompromise për mënyrën e ndërtimin dhe funksionimit të shtetit. Shqiptarët e Kosovës janë pajtuar që vendi të jetë shoqëri multi-etnike (koncept tjetër nga ‘shteti multi-etnik’). Kosova do të jetë shtet qytetar me respektim të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe kjo do të thotë se shqiptarët do të jenë përfaqësuesit e konceptit qytetar, derisa komunitetet tjera do të ekzistojnë si të tilla brenda këtij koncepti. Prandaj, opsioni më i mirë do të jetë që simboli i shtetit të Kosovës të përmbajë në rend të parë vlerat e konceptit qytetar, në këtë rast të përfaqësuar nga shqiptarët. Flamuri i ardhshëm i Kosovës do të duhej të ruajë dy ngjyrat kombëtare. Për këtë, ka precedent: flamuri i TMK-së është i lejuar ndërkombëtarisht dhe ai ka sfondin e kuq dhe hartën e Kosovës në ngjyrë të zezë. Kjo në fakt do të ishte e arritura më e fuqishme dhe satisfaksion plotësues për shumicën shqiptare.

IV
Tendencat për krijimin e një flamuri gjithpërfshirës do të mund të gërshetohen në këtë propozim. Shqiptarët do të ishin krenarë (dhe do të duhej të ishin) me ruajtjen e ngjyrave kombëtare. Serbët dhe minoritetet tjera do të gjenin veten në hartën e Kosovës, që do të vendosej në mes të flamurit dhe pse jo edhe në ngjyrën e kuqe, që përgjithësisht është pjesë e ngjyrave të tyre kombëtare. Në një mënyrë apo tjetër, Kosovës i duhet një koncept i “rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar”. Faktikisht, dy elementet e këtij konceptit do të përfaqësonin të gjithë qytetarët kosovarë: dyngjyrëshi dhe bashkë-jetesa. Nëse shqiponja dykrenarëshe do të duhej të flakej, zëvendësimi më i mirë do të ishte me hartën e Kosovës. Precedenti i këtij vendimi do të ndihmonte në arsyetimin politik dhe qytetar të flamurit. Edhe TMK-ja është organizatë e përbërë nga të gjitha komunitetet e Kosovës, ndërsa serbët me gjithë hezitimet kanë filluar të jenë pjesë e kënaqshme e kësaj trupe. Në anën tjetër, minoritetet tjera nuk kanë pasur fare problem me të jetuarit në TMK.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall Center - European Center for Security Studies”

Botuar në “Zëri” më 28 maj 2007, fq. 12, si dhe në Gazetën "Shqip" në Tiranë, më 30 Maj 2007, fq. 10, shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19565

Terrorizmi për turp kombëtar

Loja pa fitues

Terrorizmi për turp kombëtar

Sëmundja që mund të bartet nga jashtë nuk do të na fal nëse nuk përgatitemi për ta parandaluar dhe aq më pak nëse në momente të caktuara ndjejmë apo vërejmë simpomat e saj. Dilemat nuk duken të jenë të mëdha nëse ne si komb duhet të vaksinohemi apo jo – këtë e kemi obligim mjekësor

Shkruan: Burim Ramadani

I
Disa ditë më parë, bota shqiptare u trondit, u shqetësua dhe përjetoi një goditje të rëndë emocionale, kulturore dhe qytetëruese. Katër shqiptarë u kapën dhe akuzohen për komplot terrorist në një prej qendrave të rëndësishme ushtarake në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reagimet ishin të shpejta, të ashpëra, madje pati edhe vlerësime krejt ekstreme, duke i cilësuar këta persona edhe si jashtëqitje të kombit. Jo vetëm institucionet, partitë e organizatat e ndryshme shqiptare, por edhe qytetarët e rëndomtë në rrugët e Prishtinës u panë duke dënuar me tone tejet të ashpëra atë që u zbulua në SHBA. Madje, familjarët e këtyre personave në Dibër ishin të pakompromis në dënimin e veprimeve dhe synimeve të djemve të tyre. Pamjet e të arrestuarve, kur ata dolën para gjykatësit, riforcuan bindjen e parë të opinionit shqiptar rreth tyre. Karakteristika e tyre ishte mjekrra e madhe. Asociimi i drejtpërdrejtë i këtyre pamjeve bëhet me fondamentalistët islamik në Lindjen e Mesme dhe, për më të keqen, me një numër shqetësues të madh në rrugët e Kosovës.

II
Derisa nga SHBA-të u njoftua se një numër i shqiptarëve janë në mesin e atyre që synojnë sulme terroriste, tek ne u ngritën shumë pikëpyetje, shqetësime, brenga dhe pse jo edhe zhgënjim. Mbi të gjitha u ngritën dilema dhe filluan polemika, gjë që me pak përjashtim kishin munguar në debatin e brendshëm edhepse ishin dhe janë të domosdoshme. Sidoqoftë, deri më tash, nuk doli asnjë zë që mbrojti këta djem me mjekrra, të cilët deshën të realizojnë turpin më të madh që do të mund t’i ndodhte jo vetëm shqiptarëve në Maqedoni, por tërë kombit shqiptar. Kjo do të thotë se shoqëria kosovare nuk nxori asnjë zë që publikisht do të dyshonte në vërtetësinë e njoftimit nga SHBA-të apo, mos më keq, të mbronte qëllimet e këtyre të katandisurve në “besimtarë” potencialisht vrasës. A do ta bënte këtë dikush në Kosovë? A do të dilte publikisht dikush e të thoshtë se këta djem shkatërraqë kanë pasur të drejtë “në rrugën e Zotit”? Ndoshta ‘përgëzime’ të tilla publike do të vinin nga ndonjë organizatë e Lindjes së Mesme, por kjo nuk do të mund të dëgjohej nga shqiptarët.

III
Dosido, shqiptarët e Kosovës nuk do të duhet të mjaftohen me dënime deklarative të rastit të tashëm apo, mos qoftë nga goja ime, të ndonjë rasti të ardhshëm. Secili nga ne është dëshmitar për rritje të numrit të organizatave humanitare islamike në Kosovë. Secili nga ne është dëshmitar për rritje të numrit të personave me mjekrra nëpër Kosovë. Secili nga ne është dëshmitar për rritje të numrit të të rinjve në faljen në xhamitë e Kosovës. Madje, tashmë ka edhe raste kur fëmijë të intelektualëve bëjnë ceremoninë martesore vetëm tek imami i xhamisë së afërt. Në shikim të parë, kjo nuk do të duhej të ishte aq shqetësuese. Tek e fundit, të gjithë kemi të drejtën individuale për përcaktim fetar, sikurse edhe përcaktimet tona të tjera. Kosova mëton të jetë vend demokratik dhe tashmë jemi duke u angazhuar në konsolidimin e demokracisë. Mirëpo, sëmundja që mund të bartet nga jashtë nuk të fal nëse nuk përgatitesh për ta parandaluar dhe aq më pak nëse në momente të caktuara ndjen apo vëren simpomat e saj. Dilemat nuk duken të jenë të mëdha nëse ne duhet të vaksinohemi apo jo – këtë e kemi obligim mjekësor.

IV
Deputetët në Kuvendin e Kosovës u patën tmerruar kur në një raport për sigurinë e përgjithshme në Kosovë u tha se një prej sfidave dhe kërcënimeve kryesore është ekstremizmi fetar dhe posaçërisht ai islamik. Të gjetur ndoshta edhe të befasuar se si dikush nga ne ka kurajon të ngre zërin mbi këtë fakt, një numër deputetësh thanë se ky është vetë-akuzim, se është ndihmë për diplomacinë serbe në akuzat e saj, dhe të gjitha vlerësimet tjera më të rënda. Porse, realiteti që ata dhe ne shohim në ditët dhe netët e Kosovës dëshmon faktin e një prezence të paprecendent në numër të mjekrrave pantollona-shkurtër. Nuk e kemi pasur dhe nuk është kulturë jona veshja e tillë, sikurse që as gjuha e urrejtjes që përdoret në raste të caktuar nga njerëz të tillë. Janë disa fusha në të cilat shoqëria dhe institucionet duhet pasur vëmendje. Objektet arsimore, kulturore dhe objektet fetare islamike tashmë rreth shtatë vjet përdoren si mjete për shpërndarje të “humanitetit” nga organizatat islamike, financimet e të cilave nuk janë të kontrolluara. Pa paragjykuar dhe me një profesionalizëm të bazuar në ligjet ekzistuese apo ato që do të duhej nxjerrë, këto organizata, grupe dhe individë do të duhet futur nën llupë.

Botuar në “Zëri” më 14 maj, fq.

Sunday, May 20, 2007

Përballja e amerikanëve me Moskën

Loja pa fitues

Përballja e amerikanëve me Moskën

Bashkimi Evropian as që duhet llogaritur si faktor për të zbrapsur qëndrimin e Moskës në mënyrë që Kosova të pavarësohet në bazë të një Rezolute në KS të OKB-së. Administrata amerikane është prirëse dhe përfunduese e këtij procesi. Zbrapsja e qëndrimit rus mund të arrihet pas një takimi të drejtpërdrejtë midis presidentit Bush dhe homologut të tij, autoritarit Putin

Shkruan: Burim Ramadani

I
Një kolegë imi spanjoll më tha pak ditë më parë se Kosova nuk do të mund të fitojë pavarësinë pa pajtueshmërinë e Moskës zyrtare. Alvaro ishte i bindur se Bashkimi Evropian nuk do të mund ta gjejë fijen në tërë këtë proces nëse Rusia vazhdon të këmbëngul për të kundërshtuar draftin e Rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të njoh ose hap rrugën për Kosovën si shtet të pavarur. “Evropa nuk do të merr vendim për njohjen e shtetit të Kosovës dhe sa për ne, ju kurrë nuk bëheni shtet”, më tha Alvaro, një njohës i mirë i situatës në Ballkan. Ky spanjoll, me pak flokë në kokën e tij të madhe, ka qëndruar në Ballkan për më shumë se shtatë vjet, përfshirë këtu Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë. Gjuhët e të tri këtyre vendeve janë krejt të lehta për mikun e Ballkanit, Alvaron, ndërsa Birra e Pejës i kishte lënë shije shumë të mirë. Porse, me gjithë banalitetin në dukje, Alvaro kishte të drejtë pothuajse plotësisht. Vendet e Bashkimit Evropian janë në një gjendje jo të qartë rreth asaj që do të duhet të ndodh, përkatësisht skenarit që do të duhej për t’u ballafaquar me Moskën.

II
Në bashkësinë ndërkombëtare tashmë kemi tri lloj qëndrimesh. Qëndrimi i Moskës zyrtare, megjithëse i paqartë plotësisht, nuk ka ndryshuar dhe ajo kundërshton pavarësimin e Kosovës, ndërkaq tashmë zëri i rusëve herë-herë duket të jetë më i ashpër se në fillim të procesit të negociatave. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Britanisë së Madhe është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i vendosur. Administrata e presidentit Bush dhe Britania e Madhe do të njohin pavarësinë e Kosovës edhe në rast se nuk do të ketë miratim të Rezolutës në KS të OKB-së. Kjo do të thotë se SHBA-të nuk do të presin apo lusin deri në pakufi asnjë shtet që është kundër apo heziton. Qëndrimi i Bashkimit Evropian, ndërkaq, është në mes të dy të parave dhe varësisht nga shtetet anëtare, ky qëndrim luhatet prej një skaji në skajin tjetër. Prej Francës e Gjermanisë në skajin pozitiv e deri tek Sllovakia, Rumania e Spanja në skajin negativ, Bashkimi Evropian nuk ka politë të përbashkët të jashtme, sikurse nuk ka as qasje të përbashkët për t’u ballafaquar me shumë sfida.

III
Ndërkohë që vendet kryesore të BE-së kanë përkrahur planin e Ahtisarit, që do të thotë pavarësinë e Kosovës, liderët e kësaj organizate kanë humbur një rast të mirë për të ndikuar mbi pozicionin e Rusisë rreth Kosovës. Samiti dyditor BE-Rusi, që u mbajt pak ditë më parë në Samara, nuk dha ndonjë rezultat të veçantë sa i përket bashkëdyzimit të qëndrimeve midis këtyre dy palëve. BE-ja dhe Rusia kanë një varg çështjesh mbi të cilat do të duhet t’i diskutojnë dhe të arrijnë marrëveshje, në mënyrë që të hapet mundësia për përmirësimin në nivel të kënaqshëm të marrëdhënieve të tyre. Ndërkaq, Kosova është vetëm njëra prej çështjeve mospajtuese të dy palëve. Sidoqoftë, BE-ja nuk ka arritur ta vendos në njërën prej pikave kryesore të këtij Samiti edhe çështjen e pavarësisë së Kosovës. Samiti që u mbajt tash ka qenë koha dhe vendi më i mirë që BE-ja të bëntë presion maksimal mbi liderin e Rusisë për t’iu bashkuar qëndrimit të Perëndimit. Pos të tjerash, e meta më e madhe e Evropës së bashkuar është mungesa e një figure (lideri) të fuqishëm që mund të përfaqësojë të gjitha këto shtete.

IV
Në momentet më të vështira të kombit shqiptar gjatë kësaj periudhe një qind vjeçare, lideri i SHBA-ve ka vendosur për të çarë rrugën. Kjo duhet të ndodh edhe tash, derisa ky skenar në fakt duket se do të jetë opsioni i vetëm për t’i dhënë fund këtij procesi që në një mënyrë apo tjetër ka hyrë në fazën e mungesës së zgjidhjes. Për të dalë nga kjo situatë nevojitet ndërhyrja e fuqishme e SHBA-ve. Bashkimi Evropian as që duhet llogaritur si faktor për të zbrapsur qëndrimin e Moskës në mënyrë që Kosova të pavarësohet në bazë të një Rezolute në KS të OKB-së. Administrata amerikane është prirëse dhe përfunduese e këtij procesi. Zbrapsja e qëndrimit rus mund të arrihet pas një takimi të drejtpërdrejtë midis presidentit Bush dhe homologut të tij, autoritarit Putin. Një diskutim i qartë mes tyre mund të drejtojë rrugën dalëse nga kjo situatë. Tek e fundit, presidenti Bush ka fuqinë, autoritetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin për ta bërë këtë. Mbështetja dhe udhëheqja amerikane për të përfunduar këtë proces më nuk është vetëm e rëndësishme, por është vendimtare, e domosdoshme dhe e patjetërsueshme.

Autori është këshilltar politik i ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall – European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 21 maj 2007, fq. 11, si dhe në të përditshmen e Tiranës "Gazeta Shqip" më 26 maj 2007, fq 11, me titull "Vetëm amerikanët e zmbrapsin Moskën" shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19244

Sunday, May 6, 2007

Fundërrinat e luftërave

Loja pa fitues

Fundërrinat e luftërave

Pretendimi ndaj integritetit territorial të Kosovës do të thotë pretendim për të hyrë në luftë jo vetëm me Kosovën, por me Perëndimin dhe me NATO-n. Jo shumë vjet më parë Serbia e ka përjetuar një ndjenjë të luftës me NATO-n, fituesi i të cilës ka qenë dhe është paraprakisht i ditur

Shkruan: Burim Ramadani

I
Iniciativa e ditëve të fundit të një grupi ekstermistësh të Serbisë për të mbrojtur me luftë Kosovën ka shfaqur edhe njëherë faktin se jo çdo gjë mbaron me mbarimin e luftës në terren. E ashtuquajtura Garda e Car Llazarit, megjithëse nuk arriti të mbajë liturgjinë themeltare në Krushevc këtë fundjavë, është forma më direkte e paraqitjes së ndjenjës nacionaliste e frustruese të individëve apo grupeve të mësuara me këtë ndjenjë. Kjo është edhe një vazhdimësi e tentimeve për provokimin e situatës së sigurisë së përgjithshme jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, dhe manipulimin e ndjenjës së forcave radikale në Serbi dhe të gjithë atyre që kanë qenë në një mënyrë apo tjetër të lidhur me luftërat që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi. Grupi i paraqitur në media që dëshiron të krijojë të ashtuquajturën Garda e Car Llazarit nuk është gjë tjetër përveç se fundërrinë e luftërave që ka nxitur dhe udhëhequr regjimi i Millosheviqit për një dedakë në këtë rajon. Ky është edhe një lloj presioni që Serbia apo struktura të ndryshme në Serbi duan të bëjnë mbi Këshillin e Sigurimit në kohën kur duhet të votohet për të ardhmen e Kosovës.

II
Është e vërtetë se Kosova dhe Serbia nuk kanë një marrëveshje paqe dhe kjo automatikisht nënkupton se nuk ka përfunduar gjendja e luftës, tashmë e e kthyer në rrugë politike, që nga viti 1999. Porse, nuk duhet të anashkalojmë faktin se NATO-ja dhe Serbia ka një marrëveshje paqe, që njihet në sistemin ndërkombëtar si Marrëveshje e Kumanovës, e cila ka detyruar forcat serbe të largohen njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Serbia ka humbur të drejtën morale dhe legjitime edhe për të kërkuar kthimin në Kosovë qoftë në aspektin e ushtrimit të pushtetit politik, e aq më larg edhe atë të pushtetit të sigurisë kur dihet se nga forcat serbe të sigurisë kanë humbur jetën dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovë dhe prania e uniformës serbe në Kosovë është sinomin i ndjenjës së tentim-gjenocidit, dhunës dhe shkatërrimit masiv. Pretendimi ndaj integritetit territorial të Kosovës do të thotë pretendim për të hyrë në luftë jo vetëm me Kosovën, por me Perëndimin dhe me NATO-n. Nuk mendoj se politikë-bërësit në Serbi janë aq naiv sa të lejojnë veprime të tilla për shkak se jo shumë vjet më parë Serbia e ka përjetuar një ndjenjë të luftës me NATO-n, fituesi i të cilës ka qenë dhe është paraprakisht i ditur.

III
Porse, deklaratat dhe iniciativat e tilla si këto të fundit nga Serbia nuk duhet të ndikojnë në ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, të të gjitha komuniteteve, për shkak se në Kosovë ekziston dhe funksion mekanizmi i sigurisë dhe i ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Prania e KFOR-it, Policisë së UNMIK-ut dhe Shërbimit Policor të Kosovës dhe Trupave të Mbrojtjes së Kosovës është garancë për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë së përgjithshme, jetës dhe pronës të qytetarëve të vendit. Mekanizmi i sigurisë në Kosovë është vigjilent dhe i përkushtuar që të mbrojë vendin nga kërcënime të ndryshme të jashtme e të brendshme. Të njëjtin përkushtim e kanë edhe institucionet ndërkombëtare edhe ato vendore të sigurisë. Institucionet e sigurisë në Kosovë po ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet në dhe rreth Kosovës, si dhe janë të gatshme të veprojnë në rast të nevojshëm. Qytetarët e Kosovës dhe në veçanti qytetarët serbë të Kosovës nuk kanë nevojë të presin apo të kërkojnë mbrojtje nga struktura të ndryshme jashtë Kosovës, për shkak se KFOR-i dhe Policia kanë këtë mandat dhe janë të përkushtuar ta kryejnë mandatin e tyre.

IV
Institucioni vendor i sigurisë, SHPK-ja, është organizatë profesionale dhe e shtrirë në gjithë territorin e Kosovës. SHPK-ja ka në përbërjen e saj një numër prej rreth 11 për qind të pjesëtarëve që vijnë nga komuniteti serb i Kosovës dhe gjatë tërë kohës punon për të siguruar ambient të qetë dhe rendin publik në vend. Secili veprim konkret që mund të provokojë apo destabilizojë situatën e sigurisë sigurisht se do të ndeshet me reagim të duhur të institucioneve të sigurisë. Këto përkushtime janë deklaruar publikisht jo vetëm nga policia, porse edhe nga zyrtarët e KFOR-it. Qytetarët e të gjitha komuniteteve gjejnë veten në mekanizmin vendor të sigurisë. Ata kanë djemtë, vajzat, prindërit dhe të afërmit e tyre në SHPK dhe në TMK. Tek e fundit, koha e dhunës dhe luftës ka mbaruar për këtë pjesë të rajonit. Dhuna nuk është opsion i zgjidhjes së konfliktit dhe përfundimit të procesit politik që po kalon Kosova. Kjo tashmë duket të jetë e qartë jo vetëm për kosovarët.

Botuar në “Zëri” më 07 maj 2007, fq. 12,
Po ashtu, ky koment është botuar edhe në të përditshmen e Tiranës “Gazeta Shqip” më 8 maj 2007, fq. 10