Sunday, December 28, 2008

Viti historik dhe sfidat përpara

Loja pa fitues

Viti historik dhe sfidat përpara

Ndërtimi i vizionit dhe bashkimi i forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se mbetet sfida kryesore për Kosovën. Siguria, qeverisja e mirë, demokratizimi i shoqërisë, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik, ulja e varfërisë ekstreme dhe integrimet evropiane janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit 2009

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti 2008, pa dyshim, ka shënuar për Kosovën një vit historik, vendimtar dhe të mbushur me sfida të mëdha. Pavarësia e Kosovës, njohjet e shpejta nga shtetet e fuqishme demokratike, ftesa për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj nga Haga, fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi janë disa nga zhvillimet kryesore pozitive për Kosovën dhe shqiptarët. 2008-a ka shënuar një hap të fuqishëm përpara për kombin shqiptar, në kuptimin e integrimit të shtetit shqiptar në strukturat evro-atlantike. Integrimi brenda-shqiptar ka vazhduar edhe më tutje të thellohet, duke i dhënë një aspekt edhe më praktik të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, politike, kulturore, shoqërore dhe sportive midis Kosovës dhe Shqipërisë. Pozicioni i kombit shqiptar ka arritur nivel më të përparuar në Ballkan dhe në raport me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Po ashtu, zhvillimi i marrëdhënieve dhe miqësisë më Perëndimin ka marrë një stad dhe drejtim tjetër, atë të partneritetit. Jo pak lëvizje pozitive kanë ndodhur në aspektin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale, kryesisht duke pasur parasysh avancimin e raporteve me Maqedoninë dhe Malin eZi, si pjesë e rëndësishme e fqinjve të Kosovës, të cilët kanë njohur pavarësinë e vendit. Historia e rajonit Ballkanik nuk ka njohur deri më tash stad më të lartë të zhvillimit dhe përmirësimit të raporteve me Perëndimin, shtetet me demokraci të konsoliduar dhe fuqinë më të madhe ushtarake botërore. Ajo që nuk u arrit as gjatë këtij viti mbetet sfida më e madhe e Ballkanit, Serbia dhe politika izoluese e saj, e cila ka vazhduar të luajë rol dekonstruktiv gjatë dekadave të tëra të historisë moderne.

II
Bashkë me fillimin e vitit 2008, qartësia e procesit pothuaj kishte marrë formën përfundimtare sa i përket hapave të mëtutjeshëm mbi statusin e Kosovës. Viti 2008 filloi me formimin e koalicionit të ri qeverisës, pas një procesi zgjedhor të fundvitit 2007, proces ky që ngriti një valë dyshimesh rreth rregullsisë së tij dhe orientimit real të shoqërisë kosovare. Sidoqoftë, transferi i qetë dhe pa probleme i pushtetit, ndërrimi i ekipeve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal tregoi pjekuri politike dhe një hap para në aspektin e konsolidimit të demokracisë. Kosova, më pas, shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke vendosur në të njëjtën ditë edhe për flamurin shtetëror. Tri-ngjyrëshi me hartën e Kosovës në mes, megjithatë, ende nuk është bërë simbol i fuqishëm i kosovarëve edhe pas gati një viti të shpalljes së tij, kryesisht për shkak të zhvillimeve të mjegullta politike rreth Kosovës. Dosido, njohja e shpejtë e pavarësisë së vendit nga shtetet e fuqishme demokratike të globit i dhanë një mbështetje të madhe zhvillimit të shpresës për shtetin e ri, shpresë e cila dukshëm u zbeh gjatë muajve të fundit të këtij viti, pas përpjekjeve të reja të Serbisë dhe OKB-së për aranzhmane të pavolitshme për Kosovën. Festimi i qetë dhe pa asnjë incident në rrugët e Kosovës i ka mundësuar paraqitje të një imazhi të civilizuar të shqiptarëve të Kosovës në mediat botërore, të cilat kishin prezencë të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në qytetet tjera të vendit gjatë ditëve të ftohta të shkurtit. Historia e bë më 17 shkurt 2008 dhe ajo mbeti të ndërtohet edhe në aspektin tjetër të zhvillimit politik, qeverisës, ekonomik e shoqëror. Ndërtimi i një shoqërie demokratike është interesi më vital i kosovarëve në vitet e ardhshme.

III
Vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sfidat e mëdha filluan të formësohen, kryesisht në veri të vendit. Djegia e dy pikave doganore me Serbinë në veri të Kosovës shfaqi thellësinë e problemeve që do të ketë edhe më tutje Prishtina zyrtare me komunitetin serb të Kosovës. Kjo dëshmoi se konflikti midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë do të vazhdojë, duke vënë shumë herë në pikëpyetje arritjen e funksionalitetit të duhur të modelit qytetar të shtetit të ri. Modeli mbi të cilin Kosova shpalli mëvehtësinë e saj është model që nuk vë në rend të parë gjakun dhe përkatësinë etnike, por barazon të gjithë shtetasit e Kosovës nën konceptin e ‘kosovarit’, duke identifikuar qytetarët me shtetin dhe vendit të lindjes, jo bashkësinë grupore të gjakut në të cilën lind njeriu. Porse, ky koncept (sado që është gjithëpërfshirës) nuk është pranuar edhe më tutje nga komuniteti serb i Kosovës, i cili sikurse edhe shqiptarët do të duhej që dalngadal të largonin tendencën e forcimit të identifikimit me ‘shtetin amë’ apo ‘sistemin e përkatësisë së gjakut’. Kjo, në fakt, është sfida më e madhe e mentalitetit ballkanik të kosovarëve dhe në mënyrë specifike me komunitetin serb, që vazhdon të jetë i ndikuar plotësisht nga politika izoluese e Beogradit zyrtar. Në anën tjetër, muajt e fundit të këtij viti kanë nxjerrë në pah përpjekjet koncept-shkatërruese për aranzhmane të reja në Kosovë, të njohura si Plani 6 pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Megjithëse, publikisht ky Plan është kundështuar nga Prishtina zyrtare, gjatë dhjetorit 2008 janë parë të jenë realizuar elemente të caktuara të këtij Plani, sikurse është Posta e Serbisë në qendër të Kosovës apo funksionimi i mjegullt i transportit hekurudhor të Serbisë në veri të Kosovës.

IV
Bashkimi i vizionit dhe forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se është, megjithatë, sfida kryesore për Kosovën. Gati një vit pas pavarësisë, Kosova është ballafaquar me rritje të dukurive negative në shoqëri, derisa krimi i origanizuar dhe korrupsioni mbeten edhe më tutje tema të cilat nuk janë prekur. Për këto defekte të organizimit politik dhe shoqëror, Kosova ka marrë vërejtje të qarta raportet gjithëpërfshirëse të së paku tri organizatave ndërkombëtare dhe think-tankeve të shquara. Komisioni Evropian, OSBE-ja dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave kanë alarmuar gjatë këtij viti për nivelin e ulët të progresit të shtetit të ri, duke vënë po ashtu në dyshim orientimin e shoqërisë kosovare, në kuptimin e qartësimit të cakut se ku dëshiron të arrijë Kosova gjatë viteve të ardhshme. Qeverisja, demokratizimi i shoqërisë, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë ekstreme janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të mos-përmirësimit të këtyre fushave gjatë vitit 2008. Lufta e brendshme politike nuk ka arritur të koncentrohet ende në fusha konkrete të qeverisjes dhe zhvillimit të shoqërisë, duke shtruar kështu nevojën që kjo të konceptualizohet gjatë vitit të ardhshëm. Prandaj, është e qartë se viti i ardhshëm do të jetë vit i sfidave në rrugën e zhvillimit të demokracisë. Koncepti civil i qeverisjes është mëse i domosdoshëm për Kosovën e re, duke vendosur në këtë pikë zhvillimin e pavarësisë reale të institucioneve dhe agjencive të pavarura, respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritjen e strukturave të sigurisë së Kosovës, integrimin e komuniteteve në sistemin e ri dhe përmbushjen e standareve për integrimet evropiane.
Botuar në "Zëri", më 29 dhjetor 2008, fq. 8

Monday, December 22, 2008

Kompletimi i sektorit të sigurisë

Loja pa fitues

Kompletimi i sektorit të sigurisë

Kosova e pas pavarësimit ka mundësinë që për herë të parë të jetë titullare e mekanzimave të rëndësishëm të sigurisë, të cilët i kanë munguar në masë tejet të madhe gjatë këtyre nëntë vjetëve të pas-luftës. Kosova ka kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj. E tëra që duhet të bëhet është marrja e vendimeve për kompletimin e këtyre mekanzimave

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendimet e rëndësishme për themelimin, zhvillimin apo transformimin e mekanizmave vital për shtetësinë janë gjithnjë e më shumë të nevojshme dhe kërkesë e gjithanshme qytetare, institucionale, akademike dhe ndërkombëtare. Kosova, tashmë gati një vit pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka kompletuar mekanizmat në njërin prej sektorëve thelbësor dhe të padiskutueshëm të shtetit – sektorin e sigurisë. Pavarësisht motiveve dhe arsyetimeve të mundshme politike mbi vonesat për kompletimin e këtij sektori, është e qartë se domosdoshmëria e zhvillimit të mekanzimave të sigurisë është e padiskutueshme si në parim, po ashtu edhe në praktikë. Janë disa vendime që duhet të merren sa më parë që është e mundur në mënyrë që të mundësohet themelimi, zhvillimi dhe përparimi i instistitucioneve dhe mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në Kosovë. Në këtë kontekst, fillimi i vitit të ardhshëm do të duhej të shënonte një intensifikim të plotë të përpjekjeve për kompletimin e mekanzimave të sektorit të sigurisë.

II
Vendim-marrja është njëkohësisht proces dhe akt, prandaj ndërmarrja e hapave të parapara është një obligim institucional, politik dhe qytetar. Kosova e pas pavarësimit ka mundësinë që për herë të parë të jetë titullare e mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë, mekanizma këta që i kanë munguar në masë tejet të madhe gjatë këtyre nëntë vjetëve të pas-luftës. Kosova tashmë ka aftësinë juridike të krijojë organin më të lartë planifikues dhe udhëheqës të sigurisë, përkatësisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Ky është trupi më përfaqësues brenda një shteti sa i përket mekanzimave të sigurisë së përgjithshme të vendit, duke mbledhur në një vend përfaqësuesit më të lartë politik, udhëheqësit e institucioneve politikisht të pavarura të sigurisë, ekspertë dhe kryeagjentë sigurimi të shtetit. Megjithëse ende nuk ka ndodhur, Këshilli i Sigurisë i Kosovë do të duhej të fillonte menjëherë funksionimin e plotë, duke u angazhuar që në javët e para në hartimin e dokumentit më të rëndësishëm të shtetit (pas Kushtetutës), përkatësisht Strategjinë Nacionale të Sigurisë, apo atë që quhet “Strategjia e madhe”.

III
Bazuar në dokumentet mbi të cilat u pavarësua Kosova, tashmë sa kohë është hapur mundësia për krijimin e institucioneve e mekanzimave që nuk kanë ekzistuar më parë në vend. Sikurse është përcaktuar në Planin e Ahtisaarit, në Aneksin e Tetë, pika 1.1, Kosova ka kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj. Në këtë mënyrë, Agjencia Kosovare për Intelegjencë do të duhej të fillonte punën sa më parë. Është e qartë se një kohë relativisht e gjatë do të jetë e nevojshme të kalpohet në dizajnimin e strukturës së Agjencisë, rektrutimin e stafit, sikurse edhe organizimin e trajnimeve të domosdoshme për stafin e përgjithshëm udhëheqës, operativ dhe administrativ. Ky agjencion do të duhej të jetë profesional, apolitik, shumë-etnik dhe nën mbikëqyrje të Kuvendit dhe administratës civile, pikërisht ashtu sikurse është përcaktuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të kthyer më pas në dispozitat ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

IV
Bashkë me përgatitjet për hapat e parë, do të duhej që Kosova po ashtu të ketë të qartë planet e saj për investimet humane e financiare në mekanzimat ekzistues dhe të tjerët që do të transformohen apo krijohen nga fillimi. Zhvillimet në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës do të duhej të jenë plotësisht të pandikueshme nga politika për shkak të vitalitetit që duhet të ruajnë këto institucione në të mirë të funksionimit të tyre dhe shtetit. Pavarësisht disa rasteve të deritashme të dyshuara si ndërhyrje politike në Polici apo në vonesat për rekomandimet për emërime të caktuara, këto institucione kanë fuqinë e përballjes së situatave në mënyrë të pavarur dhe, prandaj, është e domosdoshme ruajtja e pavarësisë operacionale të këtyre mekanizmave të rëndësishëm të sundimit të ligjit, ruatjes së rendit publik dhe menaxhimin e krizave. Themelimi i ambasadave të Kosovës në vendet tjera që kanë njohur shtetësinë kosovare është një tjetër hap që do të duhej të ndërmerrej në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të OKB-së dhe BE-së. Kjo do të ndihmonte zhvillimin e mëtejshëm të sigurisë në Kosovë.

Botuar në “Zëri” më 22 dhjetor 2008, fq.

Monday, December 15, 2008

E ardhmja kërkon vullnet politik

Loja pa fitues

E ardhmja kërkon vullnet politik

Shteti dhe shoqëria kosovare është në fazën e nevojës së bashkimit për të zhvilluar shtetin, demokracinë, lirinë individuale dhe grupore, të drejtat e njeriut dhe krijuar të ardhmen. Vënia e politikës denigruese, intriguese, inatçore, hakmarrëse, shpifëse, manipuluese dhe konsiparative është plotësisht e kundërta e asaj çka do të duhej të krijuar dhe arritur. Krijimi i të ardhmes është përgjegjësi gjenerate

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bashkë me krjimin e shteteve të reja, vullneti politik, vizioni, orientimi dhe institucionalizmi i elitës politikës zë vend të rëndësishëm në teoritë që merren me shtet-ndërtimin dhe shtet-formiminin. Dhe, në fakt, vullneti politik nuk është vetëm çështje e përcaktimin të një linje apo përcjelljes së linjës së përcaktuar nga faktorët tjerë. Kjo ta të bëjë më tepër me vendosjen dhe përcjelljes së dinamikës për marrjen e vendimeve të rëndësishme, pasi që vizioni dhe platforma udhëheqëse është përcaktuar. I tërë ky proces nuk ndodh shpesh në vende të ndryshme dhe gjatë historisë më të re kemi parë edhe shtete që nuk kanë arritur të plotësojnë të gjitha elementet e kërkuara, por edhe shtete të dështuara. Sa i përket shteteve të dështuara, domosdoshmërisht mungesa e qartësisë së vullnetit politik të elitës politike ka qenë njëri prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në dështimin e qeverisë, shtetit dhe perspektivës së qytetarëve të atyre vendeve, të cilët kanë përjetuar humbje, dhimbje dhe vuajtje si pasojë e keq-orientimit të elitës së tyre politike. Tek e fundit, secili gabim dhe vonesë e elitës politikës bie si barrë mbi qytetarët e atij vendi, të cilët paguajnë çdoherë fatura të mëdha.

II
Vullneti politik i ndërtimit, përmbushjes dhe zhvillimit të shtetit është, në thelb, themeli bazik për të ardhmen e qytetarëve, institucionalizmit dhe mëvehtësisë politike, ekonomike dhe legale. E ardhmja nuk ndërtohet disa herë brenda një periudhe të shkurtër. Ajo duhet përcaktuar në momentin dhe hapësirën e caktuar, në drejtim të të cilës elita politike ndërton vizionin e vet udhëheqës në mënyrë të arritjes së standardit të përcaktuar. Dhe, e ardhmja nuk është vetëm çështje e një gjenerate politikanësh, udhëheqësish, profesorësh apo biznizmenësh. E ardhmja do të thotë përcaktim i pozitës që do të kenë qytetarët e tërë shtetit në krahasim me pikat tjera referuese (në rastin e Kosovës, me rajonin dhe më pas edhe Evropën), dhe po ashtu është çështje e gjeneratave të ardhshme, të cilat nuk do të duhej të ktheheshin për të bërë punët që kanë mundur të përfundohen nga gjenerata e tashme. Asnjëherë nuk është e thjeshtë të vendosësh për gjeneratat e ardhshme, prandaj elita politike ka gjithëherë ‘barrë’ të madhe zhvillimore. Përgjegjësia për gjeneratat e ardhshme është instrumenti kryesor me të cilin maten gjenaratat e politikanëve. Kosova do të duhej të bazohej në këtë parim.

III
Bashkimi parimor dhe praktik i forcave inicuese të gjithëmbarshme brenda një shoqërie në shërbim të vendit, shtetit dhe shoqërisë është një prej detyrave më të rëndësishme me të cilat përballen elitat politike të secilit vend në botë. Shërbimi ndaj vendit është një prej kënaqësive më të mëdha që do ta ndjente secili njeri i përgatitur për jetë. Kjo është treguar e vërtetë në tërë historinë e njerëzimit dhe sidomos prej kohëve kur organizimi shoqëror ka arritur të krijojë udhëheqje, elitë, institucione dhe përcaktim territori. Kjo duhet krijuar edhe në Kosovës, sikurse në secilin shtet normal të Perëndimit dhe Lindjes, ku shërbimi ndaj vendit nuk është asgjë më shumë se një obligim qytetar i secilit inidivid. Por, për të organizuar një sistem të tillë të ngritjes së kapacitetit të përbashkët veprues, kushti themeltar është ekzistimi i një vullneti politik të elitës politike, në rend të parë të asaj udhëheqëse. Krijimi i Ekipit të Unitetit në shtator 2005 është shembulli i bashkimit të forcave për shërbim ndaj vendit. Tash, shteti dhe shoqëria kosovare ka kaluar fazat emergjente të bashkimeve. Prandaj, në këtë fazë kemi të bëjmë me nevojën e bashkimit për të zhvilluar shtetin, demokracinë, lirinë individuale dhe grupore, të drejtat e njeriut dhe krijuar të ardhmen.

IV
Vënia e politikës denigruese, intriguese, inatçore, hakmarrëse, shpifëse dhe manipuluese është plotësisht e kundërta e asaj çka do të duhej të krijonte dhe të arrinte shteti dhe shoqëria kosovare. Përpjekjet e komplotit dhe konspiracionet e vazhdueshme të pranishme në rrethe të ndryshme të politikës kosovare janë gjithëherë indikatorë të mentalitetit për të vënë të gjitha lëvizjet e mundshme brenda një rrethi të ngushtë, të paorganizuar, të pazhvilluar dhe të pavullnetshme për ecje përpara. Kjo në të vërtetë është e pamundshme të ndodh në një shoqëri që është drejtuar kah demokracia, të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta. Përpjekjet e tilla të bazuara gjithëherë mbi intriga janë të tejkaluara në vitet e shekullit dhe mileniumit të ri, prandaj ato nuk do të duhej të ekzistonin as në mendjet e njerëzve. Pa dashur reflektuar ndonjë idealizëm të tepruar, zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë kosovare do të ndodh vetëm atëherë kur elitat politike paraprakisht kanë vullnetin politik për të qenë gjithëpërfshirës, të hapur ndaj ndryshimeve, të hapur ndaj ideve reformuese e zhvillimore, dhe kur në shoqërinë politike kosovare nuk do të ketë tema që konsiderohen tabu.

Botuar në “Zëri” më 15 dhjetor 2008, fq. 9

Tuesday, December 9, 2008

Kërkim-falje Gjermanisë!

Loja pa fitues

Kërkim-falje Gjermanisë!

Kosova duhet që sa më parë t’i kërkojë falje publike shtetit dhe popullit gjerman për spektaklin e rëndë rreth tre gjermanëve të BND-së, duke i kërkuar Gjermanisë vazhdimin e bashkëpunimit, thellimin e ndihmës në të gjitha aspektet për Kosovën dhe të ardhmen e saj demokratike. Këtë duhet ta bëjë si pozita, ashtu edhe opozita e shoqëria civile


Shkruan: Burim Ramadani

I
Valëzimi i ‘rrugës tunel’ nga Prishtina në drejtim të Shkupit, duket se është një ekzemplar i posaçëm në identifikimin e mënyrës së valëzuar të ndërtimit të shtetit funksional. Jo shumë ditë më parë, rasti i tre gjermanëve ka vënë në valëzim/luhatje qëndrimin dhe pjekurinë e shtetit të ri në raport me shtetet tjera. Rasti i tre gjermanëve nuk ka se si të mos jetë një prej temave më të rëndësishme në analizën mbi rrugën e zgjedhur për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale të Kosovës, si shtet i ri, pa përvojë diplomatike dhe me mungesë të kapaciteteve humane, ekonomike dhe programore. Kjo ta të bëjë me konceptin shtetëror mbi të cilin po ndërtohet apo duhet të ndërtohet shteti drejt asaj që quhet pozicioni i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qartësuar në atë mënyrë orientimin e shtetit të ri. Prandaj, Kosova ka më së shumti nevojë për stabilitet në orientimin e saj drejt të ardhmes demokratike-Perëndimore, demokratizimit të shoqërisë dhe veprimeve të koordinuara ndërkombëtare. E vetmja që s’na duhet është valëzimi i orientimit shtetëror dhe shoqëror, valëzim që e vërejmë në rrugën e re të posandërtuar.

II
Bazuar në shpjegimet e ekspertëve të konstruktucioneve, të shkolluar me standardet evropiane, rruga nga Prishtina drejt Shkupit është asgjë më pak se një ‘rrugë tunel’. Kjo për shkak se nuk është e pajisur me dalje të mjaftueshme, nuk ka gjerësinë e duhur, është e rrethuar dhe nuk ka mundësinë e ndërhyrjes së lehtë emergjente në çdo rast nevoje. Për më tepër, standardi për valëzim nuk është respektuar fare dhe aftësia e ujit për të gërryer asfaltin është shumë e madhe. Sa i përket pjesës së parë, është dëshmuar tashmë se në rast të një aksidenti, rruga bllokohet për më shumë se dy orë, siç ishte rasti gjatë javës së kaluar. Muajt e parë të pranverës do të dëshmojnë nëse edhe pjesa e dytë e shpegimeve të konstrukcionistëve janë të sakta. Mendimi i parë mbi këtë rrugë është se ne nuk kemi mësuar ende ndërtimin e vetes pavarësisht shumës së parave që shpenzojmë. I njëjti shpjegim dhe e njëjta analizë mund të merret edhe për pjesën e shtet-ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit e shoqërisë. Shpenzimet në kohë dhe mjete duhet t’i shërbejnë qëllimit dhe asnjëherë e kundërta, sikurse ishte tentativa për keqpërdorimin e rastit të tre gjermanëve. Në secilin rast të tillë, Kosova është ajo që humb.

III
Veprimet në raport me shtetet tjera janë gjithsesi vendime të mëdha dhe për to duhet pasur çdoherë kujdesin e duhur. Veçanërisht, kur ka të bëjë me rastet kur dyshohet se janë të implikuar edhe agjentë sekret të shtetit tjetër, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me Kongon, Rusinë, Zvicrën apo Gjermaninë, shteti duhet pasur parasysh se mund të shkaktojë incident ndër-shtetëror. Çdo rast i vetëm është dëshmuar të ketë konsekuenca të tjera, të vazhdueshme dhe përcjella me debate interesante në opinionin publik dhe politik. I tillë mund të jetë edhe tentim-eksperimenti me tre gjermanët e BND-së, të cilët u arrestuan të dyshuar për vendosjen e bombës para ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Edhe më i rëndë ka qenë spektakli medial i zhvillimeve pas arrestimit, duke përfshirë këtu edhe paraqitjen në gjykatë dhe kriminalizimin që i bën media të caktuara të lidhura me interesa politike, partiake dhe individuale në Prishtinë. Bashkë me këto veprime, pamë tendencën e pakuptueshme me logjikën e një shtetit të orientuar kah Perëndimi për të dënuar agjentët gjermanë, thuaja se ata janë endacakë të pastrehë të një shteti të dështuar të Afrikës së djegur nga dielli.

IVBashkë me spektaklin famëkeq në Prishtinë, pamë reagimet e para gjermane, duke kritikuar Kosovën për veprimet e tilla. Porse, për fat të mirë të kosovarëve, Gjermania ka luajtur lojën e të madhit dhe pohoi se nuk do të ndal ndihmat për Kosovën. Kjo tregon më së miri se si shteti i konsoliduar nuk shkel interesat e qytetarëve të një shteti edhe atëherë kur një pjesë e elitës së atij shteti sulmon Gjermaninë. Ky spektakël ka qenë sulmi më i keq që ka mundur t’i vie Gjermanisë nga Kosova, si vend të cilit i ka ndihmuar për vite me radhë, për të cilin ka luftuar dhe ka shpenzuar mjetet e taksapaguesve të vet. Stili i Iranit është përdorur në këtë rast në Kosovë dhe kjo gjithsesi duhet të dënohet në çdo vend dhe çdo kohë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë përkrahur asnjëherë sulmet drejt Perëndimit, që vënë në dyshim orinetimin e shtetit të ri. Kosova pa dyshim duhet që sa më parë t’i kërkojë falje publike shtetit dhe popullit gjerman për një gabim të rëndë, duke i kërkuar Gjermanisë vazhdimin e bashkëpunimit, thellimin e ndihmës në të gjitha aspektet për Kosovën dhe të ardhmen e saj demokratike. Këtë duhet ta bëjë si pozita, ashtu edhe opozita e shoqëria civile.

Botuar në “Zëri” më 9 dhjetor 2008, fq. 14

Sunday, November 30, 2008

Drejt shtetit jofunksional

Loja pa fitues

Drejt shtetit jofunksional

Të dëgjosh sot se shtrirja e EULEX-it, pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit, është duke u bërë sipas katër pikave të paraqitura nga institucionet e Kosovës, është jo më pak se të dëgjosh një grumbull të sharash që i drejtohen qytetarëve pa pasur fare respekt për ta dhe për intelektin e tyre

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bashkë me paqartësinë e tranzicionit pas shpalljes së pavarësisë, me kalimin e muajve është duke u ngritur edhe më shumë dilema nëse Kosova po ndërtohet si shtet funksional dhe i qëndrueshëm në drejtim të afrimit të jetës kualitative për qytetarët e saj. Dilemat bëhen edhe më të mëdha kur vihen para publikut njerëz me formulime të tipit të Koresë Veriore, duke gënjyer në formë të paskrupulltë dhe pa menduar fare se çfarë po i ofron shoqërisë kosovare. Të dëgjosh sot se shtrirja e EULEX-it, pas pajtimit të Këshillit të Sigurimit, është duke u bërë sipas katër pikave të paraqitura nga institucionet e Kosovës, është jo më pak se të dëgjosh një grumbull të sharash që i drejtohen popullit pa pasur fare respekt për ta dhe për intelektin e tyre. Madje, duke i gënjyer ata me tërë forcën e mundshme të një individi, organizate apo mentaliteti. Kjo është, në fakt, e vërteta mbi atë që pamë jo shumë ditë më parë si përgjigje nga një zyrtar i institucioneve të Kosovës, duke thënë se vendimi për vendosjen e plotë të EULEX-it është një fitore e madhe për Kosovën. Sikur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mos ishte e hapur për publikun dhe të mos përcillej pothuaj nga gjysma e popullatës së Kosovës, kushedi se çfarë konstatimesh do të dilnin në Prishtinë, sigurisht duke fyer edhe më tepër qytetarët.

II
Vërtetë se shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës është e nevojshme dhe si e tillë e padiskutueshme. Porse, e diskutueshme mbetet baza juridike e këtij misioni, përkatësisht mandati, forma e raportimit apo vënia nën ombrellën e OKB-së, neutraliteti i EULEX-it ndaj statusit të Kosovës, roli i mëtejshëm i Serbisë në zhvillimet në Kosovë, sikurse edhe kohëzgjatja e këtij misioni tashmë të kthyer si EUMIK. Kur është shpallur pavarësia, Kosova ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe ndihmesë në zhvillimin e shtetit funksional, sundimit të ligjit, demokratizimit të shoqërisë dhe bërjes së hapave të duhur drejt integrimeve evro-atlantike. Por, kjo assesi nuk nënkupton ardhjen e një misioni që ka për qëllim të ruajë status-kuonë, të ruajë lidhjet me Serbinë dhe të vë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit. Prandaj, jo vetëm se duhet thënë hapur, por edhe duhet bërë veprime konkrete në shpartallimin e kësaj nisme të kthyer në vendim. Përgjegjësia është e qartë, ajo bie mbi Prishtinën në rend të parë, ndërsa vë në dyshim edhe orientimin e bashkësisë ndërkombëtare sa i përket të ardhmes së Kosovës. Si do të funksiojë shteti kur drejtimi që ka marrë është qartësisht i dëmtuar dhe rrezikuar? Kjo dilemë duhet të bie mbi ata që nuk hezitojnë ta quajën fitore edhe këtë humbje drastike.

III
Baza e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është plani i tij 6 pikësh, i cili është diskutuar jo më pak se rreth tetë muaj në Nju Jork, Beograd dhe Prishtinë. Derisa jo shumë metra larg institucioneve të Kosovës po bëhej ky plan dhe këto diskutime, Prishtina mbeti e pa gojë, e pa zë dhe pa iniciativë. Tek e fundit, askush nuk mund të thotë se nuk ka qenë i njoftuar me planin e OKB-së për të arritur një marrëveshje mbi këto gjashtë fusha. Mediat kanë botuar qysh në prill të këtij viti dokumente sekrete mbi fillimin e këtyre diskutimeve dhe Prishtina nuk mund as të pretendojë se nuk ka pasur njohuri. Për më tepër, David Harland ka qartësuar në e-mailit e tij të bërë publik se me kë ka biseduar në Prishtinë dhe se si nuk është kundërshtuar diskutimi mbi planin 6 pikësh, por vetëm janë ngritur disa shqetësime. Ky fakt është tmerri i shoqërisë kosovare që nuk ka arritur ende të qartësojë vizionin e vet drejt të ardhmes, apo thënë më drejt nuk bazohet në vlerat e Kosovës dhe aspiratat drejt të ardhmes. Pra, plani 6 pikësh është dokument që ka qarkulluar nëpër mediat kosovare, nga prilli 2008, dhe po ashtu është përfshirë në vija të trasha edhe në letrën që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka drejtuar Kryetarit të Kosovës në qershor 2008 mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut.

IV
Vetë-kënaqësia pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është duke i kushtuar vendit, shoqërisë dhe të ardhmes. Për afër tetë muaj sa u diskutuan këto gjashtë fusha, Prishtina nuk ishte në gjendje të qartësojë se plani 6 pikësh i OKB-së merret me gjashtë fusha të cilat në formë të qartë janë të përcaktuara me dokumentet bazike të shtetit të Kosovës, sikurse është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet organike që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Vendosjen e Statusit të Kosovës (i njohur si Plani i Ahtisaarit), dhe si i tillë është totalisht i panevojshëm. Nuk mjafton të thuhet se është i papranueshëm në formën se si është paraqitur, por duhet të qartësohet se nuk ka fare asnjë nevojë që të diskutohen këto gjashtë fusha të përcaktuara në dokumentet bazike të Republikës. Por, në vend të bëhej ky angazhim, Prishtina u fut në një luftë politike të brendshme se kush po merr më shumë pozita, kush po bëhet drejtor e kush ambasador. Madje, u paraqitën dhe mbeten vonesa të pashpjegueshme me emërimin e njerëzve në pozita kyçe institucionale, sikurse është Agjencia Kosovare për Intelegjencë apo komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo shënoi pikën më të ulët të përpjekjeve për shtet funksional. Shteti nuk është funksional dhe rrezikon vizionin për të ardhmen.
Botuar në "Zëri" më 1 dhjetor 2008, fq. 11.

Sunday, November 23, 2008

Të integruar me identitet

Loja pa fitues
Të integruar me identitet
Me shqiptarët e Turqisë të ngelet qejfi të qëndrosh gjatë. Tregimet për historitë e tyre familjare janë rrënqethëse dhe të dhimbshme. Megjithatë, për mburrje është niveli i tashëm i integrimit të tyre në shoqërinë turke. Ka gjeneralë ushtrie, oficerë policie, deputetë e kryetarë komunash që janë shqiptarë. Kush e di, ndoshta ajo që ndodhi në SHBA me Obamën mund të përsëritet në Turqi. Një ditë, ndoshta, një ‘arnaut’ (shqiptar) mund të bëhet ‘başbakan’ (kryeministër)
Shkruan: Burim Ramadani
I
Bajram Bej ka ndarë mendjen rreth asaj që beson se është e ardhmja e qytetit dhe bashkësisë të cilës i përket. Si arkitekt i diplomuar, ai flet dy gjuhët kryesore të popullarizuara në rrethin e tij, dhe ka vendosur të punojë në krah të shefit të tij aktual për të mirën e bashkë-qytetarëve të tij. Musteqosh siç e do tradita në vendin ku jeton, si shumica e bashkë-qytetarëve të tij (gjë kjo identifikuese për shtetin e fortë e të madh të tyre), Bajram Bej është personi i dytë në hierarkinë institucionale të popullatës së atyshme 1.2 milionëshe brenda qytetit. I shkolluar për aktitekturë dhe i pasionuar për arkitekturën e vjetër të qytetit të tij të famshëm për trashëgiminë historike, dora e tij ndjehet në ndërhyrjet e forta për rregullimin e pjesës urbane, që tash për tash mund të quhet një koas urbanistik. Ai mendon se brenda një kohe të shkurtër, kjo gjendje nuk do të mbetet e tillë. Deri më tash janë bërë intervenime të guximshme për të krijuar parqe të mrekullueshme, sheshe madhështore dhe liruar hapësirën e dukjes së objekteve të vjetra me rëndësi të posaçme historike. Nuk e ka ndërmend të ndalet në këtë rrugë, sikurse nuk ndalet së pohuari që është shqiptar. Ai është një ndër shqiptarët të integruar të Turqisë.
II
Vetëm në qytetin e Bursës në Perëndim të Turqisë jetojnë mbi 600 mijë shqiptarë, që do të thotë më shumë shqiptarë se sa jetojnë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Bursa ka rreth 2.5 milionë banorë dhe 22 komuna. Osmangazi është komuna më e madhe e këtij qyteti me rreth 1.2 milionë banorë dhe Bajram Bej është nënkryetar komune. Diçka më pak se gjysma e popullatës së atyshme janë shqiptarë. Të lindur në tokat shqiptare apo në Turqi, ata kanë ruajtur për mrekulli gjuhën, traditat, pjesë të kujtesës kolektive, si dhe dashurinë për vëllezërit e gjakut. “Unë jam arnaut. Jemi shumë arnautë k’tu”. Ky është formulimi i parë që mund të dëgjosh pothuaj prej secilit shqiptar që takon për herë të parë në Turqi. Ata nuk janë qytetarë të dorës së dytë, sikurse që nuk janë komunitet pa fuqi ndikuese apo vendim-marrëse. Kjo të paktën, por jo vetëm, për komunën e Osmangazit dhe qytetit të Bursës, ku përbëjnë një përqindje vërtetë të dukshme të popullatës. Ata janë të mirënjohur për përkatësinë e tyre etnike, duke bërë kështu që edhe turqit etnik të respektojnë këtë. Madje, nuk mungojnë turq të tillë që kanë mësuar disa fjalë në gjuhën shqipe, të paktën sa për të mirëpritur mysafirët me “A je, si je?”.
III
Bashkë me kujtesën për vuajtjet që i kanë ndjekur gjyshërit e tyre në kohën kur kanë lënë tokat e veta për të emigruar dhunshëm në Turqi, ndjenjat e tyre për dashurinë ndaj përkatësisë së gjakut janë ende të fuqishme dhe të palëkundura. Shqiptarët e Turqisë janë një komunitet me të cilët të ngelet qejfi të qëndrosh gjatë. Tregimet për historitë e tyre familjare janë vërtetë rrënqethëse dhe të dhimbshme. Megjithatë, për mburrje është niveli i tashëm i arsimimit dhe integrimit të tyre në shoqërinë turke. Sidoqoftë, s’ke se si të mos emocionohesh kur të flasin për gjyshërit e tyre që kanë qarë për çdo të ditë veç e veç të përmalluar për tokën dhe të afërmit në tokat shqiptare. Ata pothuaj të gjithë kanë vdekur pa u kthyer më asnjëherë në tokën ku kanë lindur, qoftë në Kosovë, Kosovë Lindore apo Maqedoni. Vetëm nipërit e tyre (tash në të gjashtëdhjetat) kanë realizuar ëndrrën e gjyshërve, duke ardhur në tokat e të parëve dhe gjetur farefisin e të afërmit me të cilët kishin shkëputur plotësisht lidhjet për afër 100 vjet. Për më tepër, ata vazhdojnë të ndihmojnë vëllezërit e gjakut, që kanë dalë të shkatërruar nga lufta me të njëjtin armik prej të cilit rreth një shekull më parë kishin ikur gjyshërit e tyre.
IV
Vëmendja që shqiptarët e Turqisë i kushtojnë përkatësisë së tyre etnike nuk i lë të harrojnë assesi gjuhën. Një gegërishte e rëndë në të folur është mburrja e shqiptarëve të atjeshëm. Disa, madje, nuk hezitojnë të shprehin pakënaqësinë për ndryshimet në gjuhën e folur në Kosovë, duke thënë se “nuk p’e folni guhën mirë”. Ruajtja e gjuhës së folur (jo domosdoshmërisht edhe të shkruar) është një prej elementeve më të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kolektiv etnik. Duke i bashkëngjitur traditat dhe tendencën për mos-përzierje gjaku, shqiptarët e Turqisë i përkasin asaj që në teoritë e identiteteve quhen ‘grupe etnike’. Termi ‘grup etnik’ i referohet njerëzve që mbeten të vetëdijshëm për prejardhjen e tyre të përbashkët. Në SHBA, afrikano-amerikanët, greko-amerikanët, shqiptaro-amerikanët, polako-amerikanët janë shembuj të ‘grupeve etnike’. Të tillë janë edhe shqiptarët në Turqi. Ata, për dallim nga shqiptarët në Evropë, janë dukshëm të integruar në shoqërinë ku jetojnë. Ka gjeneralë ushtrie, oficerë të lartë policie, deputetë e kryetarë komunash që janë shqiptarë. Kush e di, ndoshta ajo që ndodhi në SHBA me Obamën mund të përsëritet në Turqi. Bajram Bej është vetëm 36 vjeçar. Një Obama shqiptar mund të udhëheq Turqinë. Një ditë, ndoshta, një ‘arnaut’ (shqiptar) mund të bëhet ‘başbakan’ (kryeministër).
Botuar në "Zëri" më 24 nëntor 2008, fq. 9.

Sunday, November 16, 2008

Iniciativat e munguara ballkanike

Loja pa fitues
Iniciativat e munguara ballkanike
Roli i bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet të jetë i fokusuar vetëm në kërkimin e mënyrave për administrimin e një vendi siç është Kosova. Iniciativat e munguara ballkanike duhet të perceptohen nga bashkësia ndërkombëtare si hapësirë të nevojshme për të investuar. Sfidat janë të mëdha, ndaj tyre duhet përgjigje rajonale
Shkruan: Burim Ramadani
I
Veprimet dhe politikat e përbashkëta të shteteve të ndryshme fqinje kanë dëshmuar se mund të fuqizojnë rajonin e caktuar në të paktën tri aspekte. Fillimisht ato kanë arritur të zbusin apo të largojnë dallimet urrejtje-sjellëse si pasojë e të kaluarës dhe kujtesës historike kombëtare të atyre shteteve. Kjo sigurisht se ka ndikuar në krijimin e një ambienti më të qetë, më stabil dhe ka shmangur shumë nga dilemat se në ato rajone mund të ndodhin akte dhune të ri-përsëritshme. Më pas ato kanë liberalizuar në mënyrë të rrjedhshme shkëmbimet ekonomike, të cilat domosdoshmërisht kanë ndikuar edhe në afrimin e popujve të shteteve të tilla, duke i dhënë mundësi edhe avancimit të marrëdhënieve kulturore e të ngjashme. Së fundmi, ato kanë dëshmuar për një qasje të përbashkët ndaj organizatave ndërkombëtare dhe anasjelltas, duke i dhënë po ashtu një përgjigje të ngjashme kërcënimeve kolektive rajonale apo ndërkombëtare, që janë pjesë e pandashme e zhvillimeve të kohës moderne e në veçanti mijëvjeçarit të ri në të cilin rendi ndërkombëtar është bërë më i brishtë, ku rreziku nga shtetet e dështuara, terrorizmi dhe armët e shkatërrimit në masë kanë tkurrur nivelin e sigurisë globale.
II
Ballafaqimi i njëzëshëm i sfidave të reja me të cilat përballen sot shtetet individuale dhe rajonet si tërësi është një prej obligimeve që kanë shoqëritë demokratike apo që pretendojnë të arrijnë nivelin e kënaqshëm të demokratizimit. Por, jo vetëm sfidat janë ato që bashkojnë shtetet dhe popujt e ndryshëm në shekullin e ri. Interesat e përgjithshme publike, aspiratat për zhvillim ekonomik dhe anëtarësim në institucionet dhe organizatat më relevante ndërkombëtare janë po ashtu elemente bashkuese të politikave dhe veprimeve të shteteve në rajone të ndryshme të botës. Të dy këto grupe faktorësh mund të gjenden dhe analizohen edhe në rajonin ende të trazuar të Ballkanit, ku hapësira për të ngritur politika të përbashkëta është e gjerë. Kjo nuk është dëshmuar të ketë filluar ende në Ballkan, në masë të madhe për shkak të konflikteve ende të pazgjidhura në pjesën qendrore të rajonit. Zhvillimi i trendit të duhur të politikave të përbashkëta sigurisht se kërkon kohë, energji dhe investime, porse kjo mund të fillojë me elemente krejt specifike për t’u përcjell me tjerat. Terrorizmi, për shembull, është pika e përbashkët e të gjitha shteteve të Ballkanit, si sfidë dhe kërcënim serioz ndaj sigurisë rajonale.
III
Vala e re e demokratizimit ka përfshirë edhe Ballkanin. Por, çka në të vërtetë po ndodh këtyre viteve në Ballkan? Një numër shtetesh janë pjesë e NATO-s, disa edhe të Bashkimit Evropian. Greqia, Bullgaria, Hungaria, Sllovenia e Rumania paraqesin një stabilitet zhvillimi, derisa Turqia që e ndjen veten pjesë edhe e Ballkanit është shteti më i fuqishëm ushtarakisht. Shqipëria, si një prej shteteve më të vjetra këtu, ka filluar rrugën për anëtarësim të plotë në NATO dhe po ecën edhe drejt BE-së, derisa i mbeten edhe shumë punë për të hyrë në mesin e shteteve të zhvilluara. Kroacia bën hapa të shpejtë, megjithëse krimi i organizuar ka arritur nivel të frikshëm për shoqërinë e atjeshme. Bosnja e Hercegovina assesi të nxjerrë kokën nga rëra shkatërruese e humnerës, ku ka rënë para rreth dy dekadash, derisa Mali i Zi ende nuk po qëndron në këmbët e veta si shtet i ri. Maqedonia, në anën tjetër, për shkak të politikës populliste nacionaliste Gruevskiane nuk dihet nëse po shkon drejt Perëndimit apo shkatërrimit të arritjeve të deritashme në marrëdhëniet e brendshme e të jashtme. Serbia është e verbuar nga nacionalizmi post-Millosheviqian, derisa Kosova nuk po arrin të fillojë rrugën e vet.
IV
Bashkësia ndërkombëtare ka rol të jashtëzakonshëm për të luajtur në Ballkan. Funksionimi si palë e tretë intervenuese ka qenë i nevojshëm gjatë dekadës së kaluar, porse tashmë duhet kaluar në ofensivë në aspektin e përafrimit të politikave të përbashkëta. Iniciativat ndërkombëtare në këtë kontekst mund të kenë ndikim të posaçëm për të arritur diçka të përbashkët në Ballkan. Është e qartë se Serbia dhe Kosova kanë mbetur pa zgjidhur konfliktin e tyre, që është kryekëput konflikt etnik për territor dhe kontroll hegjemonist i nisur dhe vazhduar pa ndërprerje nga qeveritë e Serbisë. E njëjta ka ndodhur edhe gjatë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë, e cila ka qenë mbi të gjitha dëmtuese për Kosovën dhe popullin e saj, duke i dhënë hapësirë Serbisë të ushqejë dhe rris ambiciet nacionaliste për të ushtruar hegjemoni mbi etninë shumicë në Kosovë dhe përvetësuar territorin. Prandaj, roli i bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet të jetë i fokusuar vetëm në kërkimin e mënyrave për administrimin e një vendi siç është Kosova. Iniciativat e munguara ballkanike duhet të perceptohen nga bashkësia ndërkombëtare si element për të investuar. Sfidat janë të mëdha, ndaj tyre duhet përgjigje rajonale.
Botuar në "Zëri" më 17 nëntor 2008, fq. 13.

Tuesday, November 11, 2008

The wrong approach toward EULEX

The wrong approach toward EULEX


(Zeri, 10 November 2008,
by Burim Ramadani)



· EULEX Kosovo must be clarified and deployed as soon as possible. At the same time the functions, competences, deployment and political mandate of this technical mission for post-independence Kosovo must be defined with no dilemma on the legal basis.

· The idea that EULEX is only a technical mission certainly made sense ten months ago - at the time when the mandate of the mission was set. In reality EULEX will not be just like that. The political problems and dilemmas that are appearing lately between the UN and the EU are an indication of a strong political symbolic [impact] that the European mission will have, thus indicating the importance of various organizations in the area of the international law and international relations. In the meanwhile, General De Kermabon should not worry at all about this part of the story - he should be more focused on the full-capacity functioning of the mission.

· The decision to send EULEX to Kosovo, is above all a political decision, therefore this mission is politically important. If certain countries inside the EU still hesitate to recognize independence of Kosovo, then it would be wise, if these countries were not part of EULEX at all. It would not be much evident if Spain, Slovakia, and Rumania were not part of the mission. Moreover, Romania has not yet resolved its relations with Kosovo and its people after the violence and the murder of two Kosovo citizens on 10 February 2007.

· But EULEX comes to independent Kosovo, which has its constitution and no responsibility to the UN Resolution 1244/99 of the UN Security Council. The sooner the certain countries of the EU and UN realize that there will be no more missions like UNMIK in Kosovo, the more progress will be reached in EULEX’s deployment and the efficiency of the international community in Kosovo to ensure the rule of law, to fight against the organized crime, and protect minorities.

· The delays in full deployment of EULEX in Kosovo have caused loses in terms of time as well as political and practical aspect. But the approach of the UN and the EU during these months was and is wrong in principle. How can EULEX’s deployment be discussed with Belgrade? In fact, what can be discussed this Serbia about this issue and what would be the result? How can Pristina talk to Belgrade about the territory and developments inside Kosovo? In fact, this was a failed effort since the beginning and as such it is completely wrong. It is understandable that in each case there are the ideas and projects that aim at destroying something that has been achieved or to change reached achievements. In this context one should understand the efforts of certain circles in Brussels for an agreement with Belgrade. But the main approach of these important, sensitive and difficult developments is, what comes from Pristina.

· Kosovo institutions are the ones that make big decisions about Kosovo. This is the response that should be given by all local institutions, responsible for the democratization of Kosovo’s state and people. No agreement between the EU and Serbia has taken the consent of Kosovo institutions and this should serve as a self-explanatory reaction to any illogical initiative that might come from different international policy-making levels. Half-confirmed news about an agreement with Serbia on EULEX’s deployment is an indication that the wrong approach is continuing. EULEX cannot operate as neutral, because this would not contribute either to the internal integration of Kosovo or the improvement of neighboring relations between Kosovo and Serbia.

· Kosovo institutions are the only address where the internal developments can be discussed. After all, the future and the perspective of the people of Kosovo have nothing to do with Belgrade’s will. Therefore, EULEX should look only toward Kosovo – it has nothing to do with Serbia.

Monday, November 10, 2008

Qasja e gabuar ndaj EULEX-it

Loja pa fitues
Qasja e gabuar ndaj EULEX-it
Vendimi për dërgimin e EULEX-it në Kosovë, mbi të gjitha, është vendim politik, prandaj ky mision ka edhe rëndësi politike. Nëse vende të caktuara të BE-së, si Sllovakia apo Rumania, kanë dilema rreth pavarësisë së Kosovës, ato nuk kanë pse jenë pjesë e EULEX-it. Për më tepër, Rumania ende nuk ka dënuar përgjegjësit e vrasjeve më 10 shkurt 2007. Por, EULEX-i vjen në Kosovën e pavarur, që ka Kushtetutën e saj dhe nuk ndjen ndonjë përgjegjësi ndaj Rezolutës 1244/99
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vendosja në terren e misionit evropian për Polici dhe Drejtësi – EULEX tashmë sa më shpejtë duhet qartësuar, përcaktuar në detaje dhe filluar pa ndonjë vonesë të mëtutjeshme. Në të njëjtën kohë, duhet të definohet pa lënë asnjë dilemë mbi bazën ligjore, mënyrën e funksionimit, shtrirjen, kompetencat dhe mandatin politik të këtij misioni të quajtur si teknik për Kosovën e pas-pavarësisë. Ideja që EULEX-i do të jetë vetëm një mision teknik sigurisht se ka pasur një kuptim në kohën kur është mandatuar para rreth dhjetë muajsh, porse në të vërtetë EULEX nuk do të jetë vetëm i tillë. Problemet dhe dilemat politike që janë ngjallur me të madhe sidomos javëve të fundit midis OKB-së dhe BE-së tregojnë për një simbolikë të fuqishme politike që do të ketë misioni evropian në Kosovë, duke i dhënë kështu mundësinë e dëshmimit të rëndësisë së organizatave të ndryshme në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë, gjenerali Kermabo nuk do të duhej fare të mërzitej për këtë pjesë të tregimit, ai do të duhej të jetë shumë më i vendosur për të filluar misionin në kapacitet të plotë.
II
Vendimi për dërgimin e EULEX-it në Kosovë, mbi të gjitha, është vendim politik, prandaj ky mision ka edhe rëndësi politike. Nëse vende të caktuara brenda BE-së kanë edhe më tutje hezitime dhe dilema rreth pavarësisë së Kosovës, ato do të ishte e rrugës të mos jenë pjesë e EULEX-it. Spanja, Sllovakia e Rumania nuk do të dëmtonin fare misionin nëse nuk marrin pjesë. Për më tepër, Rumania ende nuk i ka të zgjidhura marrëdhëniet me Kosovën dhe popullin e saj, pas dhunës dhe vrasjes së dy qytetarëve të Kosovës më 10 shkurt 2007 në Prishtinë. Porse, EULEX-i vjen në Kosovën e pavarur, që ka Kushtetutën e saj dhe nuk ndjen ndonjë përgjegjësi ndaj Rezolutës 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sa më shpejtë që vendet e caktuara të BE-së dhe OKB-ja kuptojnë se në Kosovë nuk do të ketë edhe më tutje mision çfarë ishte UNMIK-u, aq më shumë do të ketë përparim në vendosjen e misionit evropian në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe rritje të aftësisë së bashkësisë ndërkombëtare prezente në Kosovë për të siguruar Sundimin e Ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjen e minoriteteve.
III
Vonesat e deritashme për fillimin e plotë të misionit evropian në Kosovë kanë shkaktuar humbje si në aspektin kohor e politik, edhe në atë praktik apo përmbajtësor. Por, qasja që OKB-ja dhe BE-ja kanë përdorur gjatë këtyre muajve ka qenë dhe është, edhe në parim, e gabuar. Si mund të diskutohet me Beogradin për vendosjen e EULEX-it në Kosovë? Çfarë mund të bisedohet në të vërtetë me Serbinë për këtë çështje dhe cili do të ishte rezultati? Si do të mund të angazhohej Prishtina në këtë çështje për biseduar me Beogradin për territorin dhe zhvillimet brenda Kosovës? Kjo në të vërtetë është një përpjekje e dështuar që nga fillimi dhe si e tillë është totalisht në rrugë të shtrembër. Porse, është e kuptueshme që në secilin rast dalin ide dhe projekte që kanë qëllime shkatërrimi të diçkaje të arritur apo ndryshimi të asaj që do të duhej realizuar. Në këtë kontekst duhet kupuar përpjekjet e OKB-së dhe qarqeve të caktuara në Bruksel për marrëveshje me Beogradin. Por, qasja kryesore në këto zhvillime të rëndësishme, ndjeshme dhe vështira, është ajo që vjen nga Prishtina, e cila duhet të shfaq vendosmëri.
IV
Vendimet e mëdha për Kosovën i marrin vetë institucionet e Kosovës. Kjo është përgjigjja që duhet dëgjuar në secilin moment dhe secilin nivel nga institucionet vendore, të cilët kanë përgjegjësinë legjitime për zhvillimin e demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare. Asnjë marrëveshje e mundshme midis BE-së dhe Serbisë nuk ka kurrfarë vlere për institucionet e Kosovës dhe kjo duhet të shërbejë si reagim i vetë-kuptueshëm ndaj çfarëdo iniciative të palogjikshme që mund të vijë nga nivele të ndryshme të politikë-bërjes ndërkombëtare. Lajmet gjysmë të konfirmuara për arritjen e një ujdie me Serbinë për shtrirjen e EULEX-it janë shenjë për vazhdimin e qasjes së gabuar. EULEX-i nuk mund të funksionojë si neutral, sepse kjo nuk do t’i kontribuonte integrimit të brendshëm të Kosovës dhe as përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore midis Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës janë e vetmja adresë që mund të diskuhet për zhvillimet e brendshme. Tek e fundit, e ardhmja dhe perspektiva e popullit të Kosovës nuk kanë fare të bëjnë me vullnetin e Beogradit. Prandaj, EULEX-i duhet të kthehet vetëm nga Kosova, s’ka fare të bëjë me Serbinë.
Botuar në “Zëri” më 10 nëntor 2008, fq. 12.

Wednesday, November 5, 2008

Where do we go?

Where do we go?


("Zeri", November 3, 2008, shorter-version,
by Burim Ramadani)

The Balkan region still remains the most undeveloped democracy in Europe and it is super-known for organized crime, corruption and other negative phenomena. The question raised is where Kosovo society is going? The ones that dare to speak up publicly about anything they think will bring them votes, have to clarify their positions on where they want to lead Kosovo society and state.

Several days ago European Commission (EC) published parts of the report that is done annually for each state in which EC often tells some nations the truth, different from their respective governments.

Negative evaluation of the EC for the rule of law in Kosovo, came in fact only weeks after OSCE’s report and the report of International Crisis Group (ICG). The three reports have common denominator which is unfortunately negative about Kosovo’s state society.

In all the reports the lack of will, strategy and approach for fighting organized crime and corruption is very clear. The concerns about the situation are growing, if the situation is assessed this way even nine years after the war.

The worse version of the state policy-making in Kosovo is the version that disappoints international democratic community, which without doubts has all the credits for liberating Kosovo. It is also the western state democracies which are helping to modernize the Kosovo state.

The seal for state development and Kosovo society is in the hands of Kosovars and the Kosovar political elite. But the latest EC report makes clear that Kosovo has made no progress comparing with other Balkan states. Only by analyzing this sentence, concern is raised in terrible dimensions. There is a real risk for unstoppable roll-down, though reaction must be quick and dynamic.


The risk will continue to grow as longs as professional reports rank Kosovo as negative. The will of the citizens to build a democratic society and to become democratic leaders in the Balkans is clearly jeopardized.

Monday, November 3, 2008

Nga po shkojmë?

Loja pa fitues

Nga po shkojmë?

Ballkani është rajoni me demokracinë më të pazhvilluar në Evropë dhe është super-i njohur për krim të organizuar, korrupsion dhe dukuri tjera negative. Por, Kosova del se prin për të keq në një rajon të këtillë. Kjo ngrit pyetjen se nga po shkon shoqëria kosovare? Ata që nuk hezitojnë të dalin para opinionit për çkado që i bie ndërmend dhe mund t’u sjell vota, duhet të qartësojnë tashmë pozicionin e tyre se nga duan ta çojnë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Versionet e ndryshme votë-sjellëse të dëgjuara deri më tash për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës kanë marrë goditjen e tretë me radhë brenda pak muajsh. Disa ditë më parë u publikuan pjesë të raportit më të ri të progresit nga Komisioni Evropian, raport ky që është i rregullt në baza vjetore dhe i ndarë për secilin shtet veç e veç. Rëndësia e këtij raporti vlerësues dhe rekomandues është e padiskutueshme në të paktën tri aspekte. Së pari, raporti tregon gjendjen reale të përpjekjeve dhe arritjeve të shteteve sidomos në sektorin e sundimit të ligjit. Së dyti, bashkë me raportin përcaktohet edhe faza se ku gjendet një vend në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe jep rekomandimet se si duhet vepruar në vitin vijues. Dhe, së treti, (shpeshherë) i demaskon retorikat përallore dhe gënjeshtare të qeverive të vendeve të ndryshme për gjoja progres të madh në sektorë të rëndësishëm të shtetit dhe shoqërisë, duke treguar kështu versionin e vërtetë të gjendjes. Sigurisht se kjo e fundit nuk ka të bëjë fare me interesa apo raporte personale dhe opozitare, por Komisioni Evropian në raportin e vet shumë shpesh i tregon të vërtetën popullit të vendeve të caktuara, ndryshe prej qeverive të atyshme.

II
Vlerësimi negativ i Komisionit Evropian për gjendjen në sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, në fakt vjen pak javë pas raporteve të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe atij të Grupit Ndëkombëtar të Krizave. Të tri këto raporte kanë një emërues të përbashkët e që fatkeqësisht është shqetësues për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Në këto raporte vërehet qartë mungesa e vullnetit përkatësisht strategjisë dhe qasjes së duhur për luftimin e krimit të organizuar; rritja e madhe e korrupsionit; dhe mos-aftësia e Kosovës në demokratizimin e mirëfilltë të shoqërisë në përgjithësi. Të gjitha këto elemente së bashku dëshmojnë për një gjendje të mjerueshme sa i përket realizimin të interesave, aspiratës dhe qëllimit të qytetarëve të Kosovës për krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndarjen e pushteteve, respektimin e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, promovimin e mundësive të barabarta, si dhe lirinë e fjalës dhe mediave. Për më tepër, shqetësimi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh fakti se një gjendje e këtillë është konstatuar në kohën kur kanë kaluar mbi nëntë vjet pas luftës në Kosovë.

III
Varianti më i keq i bërjes së politikës shtetërore në Kosovë, pa dyshim, është ai që zhgënjen bashkësinë demokratike ndërkombëtare, e cila ka kontribut dhe vlerë të çmueshme në çlirimin e Kosovës, shpëtimin e popullatës së këtushme dhe pavarësimin e vendit. Po ashtu, është pikërisht bashkësia e vendeve demokratike Perëndimore ndihmuesja më e madhe e popullit të Kosovës në modernizimin e tij dhe hapjen e perspektivës për të rinjtë, edukimin dhe ekonominë kosovare. Prandaj, edhe në këtë rast mund të konkludohet se Kosova nuk është duke zhvilluar variantin më të mirë të politikë-bërjes në aspektin e zgjerimit të mundësive dhe perspektivës për qytetarët e vendit. Përndryshe, si mund të shpjegohen të metat e mëdha të evidentuara në raportet e këtyre muajve dhe sidomos në raportin e fundit të Komisionit Evropian? Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë qartë përse vendi i tyre nuk ka arritur ende të zhvillojë madje as qasjen themelore të duhur për të luftuar dukuritë negative në Kosovë. Jo vetëm se rrezikon integrimet evropiane një trend i tillë, por mbi të gjitha e ardhmja vihet në pikëpyetje edhe për zhvillimin e jetës dhe qëndrueshmërinë e shtetit.

IV
Vula për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare është në duart e vet kosovarëve dhe elitës politike të vendit. Porse, raporti i fundit i Komisionit Evropian evidentoi qartë se Kosova ka bërë progresin më të ulët ndër të gjitha vendet e Ballkanit. Vetëm nëse kjo fjali analizohet, atëherë shqetësimi ngritet në përmasa të tmerrshme. Ballkani është rajoni me demokracinë më të pazhvilluar në kontinentin evropian dhe si i tillë është super-i njohur për krim të organizuar, korrupsion dhe dukuri tjera negative. Për më tepër, Kosova tashmë del se prin për të keq në një rajon të këtillë. Kjo ngrit pyetjen se nga po shkon shoqëria kosovare? Ata që nuk hezitojnë të dalin para opinionit dhe të krekosen për çkado që i bie ndërmend e që mund t’u sjell vota, duhet të qartësojnë tashmë pozicionin e tyre se nga duan ta çojnë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Ekziston rreziku real për një rrokullisje të pandalshme të mbrapshtë, prandaj reagimi duhet të jetë i shpejtë dhe energjik. Ky rrezik do të vazhdojë të rritet sa herë që raportet profesionale evidentojnë një situatë të këtillë. Vullneti i qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe lidere për demokraci në Ballkan është duke u rrezikuar dukshëm.

Botuar në “Zëri”, më 3 nëntor 2008, fq. 10

Monday, October 27, 2008

Shumë punë për EULEX-in

Loja pa fitues

Shumë punë për EULEX-in

Vendnumërimi i Kosovës sa i përket zhvillimit të sistemit, shtetit e shoqërisë demokratike, si dhe qeverisjes së mirë është dëmi më i madh që mund të shkaktohet një vendi që ka shpallur pavarësinë pak muaj më parë. Derisa vullneti vendor duket se mungon, policët, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të duhet të shtrëngojnë veten për të hapur dosje të rëndësishme për Kosovën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendosja në Kosovë e misionit evropian për Polici dhe Drejtësi (EULEX) vazhdon të mbetet një prej dilemave më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Këtë mision e presin shumë punë për t’u bërë në Kosovë, qofshin ato mjaft të ndjeshme edhe për të ardhmen e strukturave të ndryshme politike. Deri më tash janë dëgjuar dhe parë iniciativa të ndryshme të diskutimeve në bashkësinë ndërkombëtare rreth vendosjes së EULEX-it. Të gjitha këto iniciativa janë lidhur në një formë apo tjetër edhe me qëndrimin e Beogradit zyrtar, gjë e cila e ka dëmtuar edhe më tepër imazhin dhe kredibilitetin e misionit të panisur që udhëhiqet nga gjenerali francez Kermabo. Që në muajin prill, kur nga selia e OKB_së në Nju Jork është dhënë sinjali për bisedat me Beogradin, UNMIK-u ka vazhduar të ketë një rol në Kosovë, të paktën përgjegjësinë për të komunikuar me Serbinë. Javëve të fundit zyrtarët e lartë të Serbisë kanë folur për kushte para pranimit të misionit evropian, derisa qëllimi i përbashkët i të gjitha vonesave që dalin nga qarqe të ndryshme është forcimi i rolit të Serbisë si një aktor i vazhdueshëm në zhvillimet brenda Kosovës.

II
Vendimi për asistencën perëndimore për misionit të këtillë është nxjerrë rreth dhjetë muaj më parë, derisa Kosova ka pranuar EULEX-in me dy akte formale, përkatësisht me pranimin e të ashtuquajturës Pako e Ahtisaarit dhe me shpalljen e pavarësisë. Pra, ajo që do të mund të ishte e kontestueshme në parim është aftësia e mekanizmave ndërkombëtarë për të bërë hapat e nevojshëm për fillimin sa më të shpejtë të misionit të ri. Mbi tetë muaj që nga pavarësimi i Kosovës, nuk ka ende asgjë konkrete në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit, që do të ishte përgjegjësia kryesore e EULEX-it, si misioni më i madh që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndonjëherë. Porse, involivimi i Serbisë edhe më tutje, është i dëmshëm jo vetëm për zhvillimet brenda Kosovës, por edhe për marrëdhëniet midis vendeve fqinje dhe raportin e përgjithshëm me BE-në. Përmes kësaj, vazhdon instrumentalizimi i serbëve të Kosovës të cilët sigurisht se janë ende nën ndikim të drejtpërdrejt të politikave dhe qëndrimeve destruktive të Beogradit. Këto hezitime ndikojnë po ashtu në aspektin e integrimit të brendshëm.

III
Vonesat në fillimin e aktivitetit të EULEX-it janë në fakt të kushtueshme për zhvillimet në Kosovë. Vendi tashmë më shumë se asnjëherë më parë ka nevojë për fillimin e vërtetë të përparimit të sektorit të sundimit të ligjit në mënyrë që të avancohen parimet e funksionimit të shtetit dhe shoqërisë demokratike në Kosovë. Derisa UNMIK-u është akuzuar shumë herë për mosefikasitet në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative, sigurisht se kjo do të jetë një prej detyrave më të rëndësishme dhe domethënëse të EULEX-it. Për nëntë vjet pas luftës, Kosova është ballafaquar me fillesat e strukturalizmit të krimit të organizuar, është ballafaquar me vrasje politike, dhunë ndër-etnike, korrupsion me përmasa kanceroze dhe mungesë të ndjeshme të vetëdijes të qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të konceptit civil të udhëheqjes. Për fat të keq, duket se kurba e zhvillimit të dukurive negative është duke u ngritur secilën herë më shumë, duke bërë kështu pothuaj të pashpresë rritjen e standardit demokratik të shtetit dhe shoqërisë kosovare, e cila mbetet një prej më të korruptuarve në Ballkan.

IV
Vendnumërimi i Kosovës sa i përket zhvillimit të sistemit demokratik, shtetit e shoqërisë demokratike, si dhe qeverisjes së mirë është dëmi më i madh që mund të shkaktohet një vendi që ka shpallur pavarësinë pak muaj më parë. Mos-ushtrimi i kontrollit shtetëror në tërë territorin e vendit është edhe një sfidë tepër e rëndë për Kosovën dhe në këtë fazë ndihma e EULEX-it është e domosdoshme. Por, misioni për Polici dhe Drejtësi nuk duhet të ndalet vetëm në aspekte plotësisht politike të autoritetit shtetëror. Policët, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të duhet të shtrëngojnë veten për të hapur dosje të rëndësishme për Kosovën. Edhe nëse këto dosje do të mund të ishin shumë të ndjeshme për struktura të caktuara të elitës politike kosovare, është koha kur ato do të duhej të hapen në mënyrë që të jepen përgjigjet aq shumë të munguara për raste të rënda që kanë ndodhur në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Kjo mbi të gjitha do të jepte përgjigjen mbi atë se kah do të shkojë shoqëria kosovare, si pyetje-dilemë tepër e domosdoshme sidomos tash kur do të duhej të fillojnë angazhimet për integrime evropiane.

Botuar në “Zëri” më 27 tetor 2008, fq. 12.

Wednesday, October 22, 2008

Drejt tregut të madh evropian

Loja pa fitues
Drejt tregut të madh evropian
Në thelb, janë tri elemente kyçe që karakterizojnë Bashkimin Evropian dhe forcojnë objektivin e Kosovës për anëtarësim të plotë: bashkimi për fuqizim dhe tejkalim konflikti, tregu i madh dhe politikat rajonale. Tregu në të cilin Kosova synon të jetë pjesë, është treg i madh. Përgatitjet duhet të jenë gjithpërfshirëse. Kokurrenca aty është virtyt themelor
Shkruan: Burim Ramadani
I
A është Kosova e gatshme për të absorbuar ndihmën dhe përmbushur kriteret për integrime në Bashkimin Evropian? Kjo dhe shumë pyetje tjera që mund të vijnë pas kësaj kanë rëndësi të posaçme për t’u konsideruar në secilin nivel të formulimit të politikave dhe politikë-bërjes qeverisëse. Përcjellja me përpikmëri e rregullave, procedurave dhe kërkesave që i paraqiten shoqërisë dhe shtetit më të ri në Ballkan. Si pjesë e këtij rajoni të varfër, Kosova, shoqëria dhe politika e saj duhet të ketë orientim të qartë politik dhe praktik kah Bashkimi Evropian. Kjo në fakt duhet të jetë orientim i qartë program së pari i partive politike të vendit, duke i dhënë hapësirë të gjerë dhe të theksuar objektivit nacional të Kosovës për anëtarësim të plotë në BE-së, sikurse edhe në NATO dhe organizatat e institucionet tjera ndërkombëtare me vlera Perëndimore, ndërsa kjo duhet t’i komunikohet qytetarëve. Në thelb, janë tri elemente kyçe që karakterizojnë BE-në dhe forcojnë objektivin e këtillë të Kosovës: bashkimi për fuqizim dhe tejkalim konflikti, tregu i madh dhe politikat rajonale të saj.
II
BE-ja është bashkim supranacional apo interqeveritar, bashkim shtetesh sovrane, përkatësisht një organizatë politike e ushtarake, premisat për krijimin e të cilës kryesisht bazohen në nevojën e pashmangshme të vendeve Perëndimore Evropiane për t’u bashkuar përballë vështirësive dhe sfidave të ndryshme menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi gjysmë shekulli prej se është krijuar, BE-ja vazhdon të përballet me sfida të ndryshme, të cilat sidoqoftë duket se do të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe për një kohë. Porse, sukseset e zhvillimeve dhe integrimeve evropiane janë evidente dhe si të tilla kanë ndihmuar në mënyrë të rëndësishme jo vetëm shtetet Perëndimore, por në mënyrë të veçantë edhe rajonet e shteteve që i takojnë pjesëve Lindore dhe Jug-Lindore të Evropës. Ende nuk mund të jepet një përgjigje e qartë nëse Bashkimi Evropian është një shtet, federatë apo konfederatë, porse numri i rritur i shteteve anëtarëve të Bashkimit Evropian tashmë funksionojnë në një mënyrë konfederale. Vetë momentet e krijimit të BE-së në një formë kanë përcaktuar për vite me radhë hapat e zhvillimit të mëtejshëm.
III
Caku tjetër i këtij organizimi të tillë ishte aspekti ekonomik dhe tregtar. Pa diskutim, tregu i madh është arritja e parë e Bashkimit Evropian dhe motori i vërtetë i integrimit evropian. Nga njëra anë, krijimi i këtij tregu jo pa vështirësi e bën atë një nga tregjet më të mëdha të botës. Një treg prej rreth 500 milionë banorësh, është më shumë se sa tregjet e ShBA-ve (rreth 275 milionë banorë) ose të Japonisë (rreth 127 milionë banorë). Ky treg në fakt ka ndihmuar në vendosjen e lidhjeve gjithnjë e më të ngushta mes vendeve anëtare dhe ka krijuar një entitet tregtar të fuqishëm. Nga ana tjetër, tregu i madh është faktor tërheqës kryesor për Bashkimin. Krijimi i tij i shkallë-shkallshëm përbën fillimin e shumë politikave shoqëruese ose është mbështetur në politika të tilla që kanë ndihmuar në afirmimin e tij. Kështu politika e konkurrencës është rrjedhojë e natyrshme e tregut të madh. Politika e mjedisit dhe politika sociale, politikat e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së konsumatorit gjithashtu mund të konsiderohen si rezultat i një dinamike të thellimit të politikave shoqëruese.
IV
Çfarëdo politike apo objektivi për bashkimin e shteteve nuk do të kishte kuptim pa politika të qarta rajonale, gjë që është parë se ekziston tek BE-ja. Pabarazitë midis rajoneve janë të vjetra dhe ekzistonin para krijimit të Bashkësisë, ato vijnë kryesisht nga koha e revolucionit të parë industrial. Prandaj, tashmë pas përcaktimit të statusit, integrimi në BE duhet të jetë numri një në agjendën e politikës dhe shoqërisë kosovare. Duhet synuar të shfrytëzohet ky proces për të reformuar institucionet, me qëllim që ato të jenë më të afërta me qytetarin si dhe të përgjegjshme ndaj tij. Duke përdorur modelin e integrimit evropian dhe asistencën e BE-së, Kosova mund të arrijë zhvillim ekonomik dhe politik. Kosova duhet të angazhohet fuqishëm dhe me tërë kapacitetet e saj drejt këtij synimi. Ky është interesi i pakontestueshëm nacional i Kosovës në rrugën e saj drejt formimit të shoqërisë demokratike, sundimit të ligjit, ndarjes së pushteteve, arsimimin dhe konkurrencën ndërkombëtare. Tregu në të cilin Kosova synon të jetë pjesë, është treg i madh. Përgatitjet duhet të jenë gjithpërfshirëse. Kokurrenca aty është virtyt themelor.
Botuar në "Zëri" më 20 tetor 2008, fq. 11.

Sunday, October 12, 2008

Fuqia e rinisë për Kosovën

Loja pa fitues

Fuqia e rinisë për Kosovën

Të drejtuar kah vlerat Perëndimore, aftësuar me parime bashkëkohore dhe liruar nga barrierat paradoksale, të rinjtë janë fuqia e Kosovë për rrugën drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo fuqi duhet shfrytëzuar dhe vënë në lëvzije për vendin, për shoqërinë dhe shtetin. Energjia rinore mund të tejkalojë sfidat e radhës, të cilat fatmirësisht nuk kanë të bëjnë me ekzistencën njerëzore të qytetarëve të Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kosova e ka rrugën e qartë, ajo i takon Perëndimit dhe Evropës, dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe të zhvillojë demokracinë. Kjo tashmë shumë herë është dëgjuar dhe vazhdon të dëgjohet në të gjitha nivelet e politikë-bërjes, formulimit të politikave, opinionit publik dhe koluareve të ndryshme. Madje edhe nëpër odat pseudo-tradicionale, ku pihet çaji pa ndërprerë, nuk ka dilemë se kah duhet të shkojë Kosova – drejt Perëndimit. Mirëpo, përpos çajit dhe tymit të duhanit, qoftë me apo pa llulla, oda mbetet e pandryshuar. Dhe, pas një nate të tërë të diskutimit të pandalshëm rreth politikës dhe drejtimit të Kosovës kah Amerika e Evropa, odëtarët përsëri presin që të takohen natën tjetër dhe të rifillojnë të njëjtat diskutime, rreth të njëjtës temë, me të njëjtin përfundim. Dhe kështu, natë për natë e deri në mëngjes, disa të rinjë që kanë mundësinë të ngrohin çajin saherë që ftohet, dëgjojnë të njëjtat diskutime, rreth të njëjtës temë, me të njëjtin përfundim. Kështu çështja e rrugëtimit drejt Perëndimit është gjithnjë në “rend të natës” dhe të rinjtë shërbyes mund të jenë dëshmitarë të diskutimeve të gjera e të gjata se si Kosova është evropiane, madje më shumë se shumë shtete që tashmë me dekada kanë zhvilluar shoqëritë demokratike.

II
Koncepti filozofik i demokratizimit të një shoqërie dhe një shteti nuk mund të zhvillohet dhe zbatohet në rrugë e grupe të izoluara dhe të pashpresa. Ky duhet të kthehet në koncept gjithëpërfshirës politik të zhvillimit të qeverisjes së mirë civile dhe të bazuara në ligje të standardeve evropiane. Pastaj, e tërë kjo duhet të kthehet në strategji e plane konkrete për përmbushjen e secilit standard dhe parim veç e veç, për t’u thelluar në mentalitet qeverisjeje në të gjitha nivelet dhe sferat e jetës, me fokus të veçantë në institucionet publike dhe shoqërinë civile. E gjithë, rrjedhimisht, kjo do të ndikonte në përafrimin e zhvillimit shoqëror të Kosovës me vendet Perëndimore, për të sjellë më pas pa dyshim krijimin e kulturës dhe një tradite të funksionimit demokratik dhe Perëndimor të shtetit dhe shoqërisë. Krejt kjo nuk është diçka e pamundur, nuk është kërkesë e jashtëzakonshme. Është parë të jetë arritur në vende të ndryshme të botës, të cilat kanë kaluar histori të dhimbshme sikurse Kosova, e po ashtu kanë pasur zigzage të tilla sikurse në Ballkan.

III
Kriteret e ndryshme që duhet të plotësohen gjatë procesit të demokratizimit të vendit nuk janë asgjë më tepër sesa kujdes i përhershëm për mos-shkelje të rregullave demokratike, për krjim të hapësirë për të gjitha grupet në shoqëri, respektim të të drejtave të njeriut, decentralizim të pushtetit aq sa është e mundur, partneritet dhe jo ndërhyjes të politikës në biznes dhe anasjelltas, luftim të krimit të organizuar, ulje maksimale të korrupsionit, ngritje të standardit jetësor, liri të shprehjes dhe informimit, e pse jo edhe promovim të kulturës e traditës. Nëse këto analizohen nga aspekti i kapaciteteve që ka Kosova, ndihmesa e Perëndimit është e domosdoshme dhe për këtë nuk duhet fajësuar askë, por duhet thithur sa më shumë përvojë, trajnime dhe edukim. Porse, kjo është tërësisht e varur nga vetë Kosova nëse analizohet nga aspekti i vullnetit politik. Për këtë duhet drejtuar kërkesat kah elita politike, e cila hë për hë nuk po arrin të artikulojë në mënyrën më të mirë këtë aspiratë të qytetarëve (edhe odëtarëve) dhe kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

IV
Kalimi nga faza emergjente dhe shtet-formuese në atë të demokratizimit të plotë dhe evropianizimit të Kosovës është sa përgjegjësi, aq edhe detyrë fisnike për secilin që e sheh këtë si mision qoftë edhe personal. Për këtë, pos rolit aktiv që duhet të luajë elita politike e vendit, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet hapur mundësinë e zhvillimit të ndikimit të rinisë, që në Kosovë përbën shumicën e padiskutueshme. Të drejtuar kah vlerat Perëndimore, aftësuar me parime bashkëkohore dhe liruar nga barrierat paradoksale, të rinjtë janë fuqia e Kosovë për rrugën drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo fuqi duhet shfrytëzuar për vendin, për shoqërinë dhe shtetin. Politika nuk është asgjë më shumë se një mision për njerëz të pasionuar drejt të ardhmes më të mirë për shoqërinë. I mbetet organizimeve të ndryshme politike t’i krijojnë mundësi dhe hapësirë kësaj fuqie të rinisë, derisa të rinjtë duhet organizuar veten për të kthyer vullnetin në përkushtim dhe punë konkrete. Energjia rinore mund të tejkalojë sfidat e radhës, të cilat fatmirësisht nuk kanë të bëjnë me ekzistencën njerëzore të qytetarëve të Kosovës. Të rinjtë nuk duhet parë më vetëm si shërbyes odëtarësh, por si pjesë e rëndësishme e udhëheqjes. Sa më parë, aq më mirë.

Botuar në “Zëri” më 13 tetor 2008, fq.
11.

Sunday, October 5, 2008

Politika e jashtme dhe siguria

Loja pa fitues
Politika e jashtme dhe siguria
Në pikëpamjen që Kosova do të ndërtojë për botën përmes politikës së saj të jashtme, duhet qartë të përcaktohet prirja për mos-ndërtim të bashkëpunimit me shtetet që rrezikojnë sigurinë globale. Ato njihen si “shtete batakçi” dhe si të tilla konsiderohen kryesisht Irani, Korea Veriore, Siria dhe Kuba, që janë regjime autoritare, sponzorojnë terrorizmin dhe synojnë të profilerojnë armët e shkatërrimit në masë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Ndërtimi i politikës së jashtme të shteteve individuale duhet të ketë parasysh në masë të madhe aspektin e sigurisë globale dhe ndikimin e saj në politikën rajonale. I tillë është aspekti i terrorizmit. Kosova duhet të jetë plotësisht e kujdesshme dhe e vendosur gjatë hartimit të vijave të plota të politikës së saj të jashtme, duke pohuar distancën me shtetet që nuk janë të denja për të qenë në marrëdhënie diplomatike me familjen Perëndimore, pjesë e së cilës synon të jetë vendi. Konkretisht, Kosova duhet të ketë qasje të njëjtë me Perëndimin dhe të theksojë shprehimisht qasjen e mos-bashkëpunimit në asnjë formë me shtetet rrezikuese të sigurisë botërore. Tek e fundit, elementet që kanë të bëjnë me politikat e sigurisë janë më kryesoret në formulimet e politikës së jashtme të secilit shtet. Prandaj, vëmendje e posaçme duhet fokusuar mbi lëvizjet terroriste dhe shtetet që kanë lidhje të drejta apo të tërthorta me organizata dhe grupe terroriste. Megjithëse, saherë që përmendet terrorizmi, pothuaj të gjitha asociimet direkte bëhen me rrezikun e përshkallëzuar nga islamizmi, kërcënimet globale janë më të gjera dhe përfshijnë një mori zhvillimesh negative shoqërore e politike.
II
Në kohën kur rrjedhat botërore kanë ndryshuar për shkak të akteve të rënda që kanë ndodhur viteteve të fundit, rajoni Ballkanik është për herë të parë i rrezikuar në mënyrë direkte nga një zhvillim i tillë ekstrem, përkatësisht fundamentalizmi religjioz ilslamist. Megjithëse, sikurse thonë autorët, terrorizmi i sotëm është ajo që specialistët e quajnë terrorizmi nga poshtë-lartë. Porse, sikurse të gjitha fenomenet politike, terrorizmi është i definuar përmes dualitetit midis ideve të shpalluara dhe implementimit të këtyre ideve. Dhe, sikurse të gjitha fenomenet politike, terrorizmi ekziston vetëm në kontekstin kulturor dhe historik. Për tri dekada, aktivitetet e grupeve terroriste ishin të lidhura ngusht me ideologjinë Marksiste. Këtyre ditëve, rëndësia e komponentës kulturore është edhe më evidente në lëvizjet terroriste të inspiruara nga religjioni sesa në ato të bazuara në nacionalizëm apo sktrikt në prirje ideologjike. Por, janë lëvizjet religjioze ato që po arrijnë të jenë më të zëshme. Hamasi dhe al Qaeda, në veçanti, kombinojnë aspiratat politike ose pseudo-politike (shkatërrimi i Izraelit dhe/ose SHBA-ve) me një nuancë religjioze që shërben si qëllim kryesor për rekrutime.
III
Në pikëpamjen që Kosova do të ndërtojë për botën përmes politikës së saj të jashtme, duhet qartë të përcaktohet prirja për mos-ndërtim të bashkëpunimit me shtetet që rrezikojnë sigurinë globale. Ato njihen si “shtete batakçi” dhe si të tilla konsiderohen kryesisht Irani, Korea Veriore, Siria dhe Kuba, që janë regjime autoritare, sponzorojnë terrorizmin dhe synojnë të profilerojnë armët e shkatërrimit në masë. Autorët thonë se shtetet mund të angazhohen në terrorizëm në tri mënyra: terrorizmin qeveritar apo shtetëror; përfshirja e shtetit në terrorizëm; dhe sponzorimi i terrorizmit nga shteti. Shtetet që sponzorojnë terrorizmin në fakt i sigurojnë furnizime, trajnime dhe forma tjera të mbështetjes organizatave jo-shtetërore terroriste. Njëra prej mënyrave më të çmueshme që këto shtete i ofrojnë terroristëve janë mjediset e sigurta, sikurse edhe dokumente false, jo vetëm për identifikim personal, por edhe për transaksione financiare apo blerje armësh. Formë tjetër është edhe mbrojtja diplomatike. Shembuj të tillë të sponzorimit ka dhënë qeveria e Sirisë për Hamasin dhe Hezbollahun. Prandaj, Kosova për shkak të mospërvojës së saj shtetërore, duhet të jetë vërtetë e kujdesshme, e qartë dhe e vendosur.
IV
Në të vërtetë, edhe vetë koncepti i terrorizmit duhet të ketë qartësinë e nevojshme në politikë-bërjen e Kosovës, dhe më pastaj të qartësohen edhe mënyrat e luftimit të tij saherë që është e nevojshme. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve definon terrorizmin si “përdorim ose kërcënim i kalkuluar i përdorimit të dhunës joligjore për të ngulitur frikën, që ka për qëllim të detyrojë ose kërcënojë qeveritë apo shoqëritë që të ndjekin qëllimet përgjithësisht politike, religjioze ose ideologjike”. Brenda këtij definimi ekzistojnë tri elemente kryesore: dhuna, frika dhe kërcënimi. Ndërsa, OKB-ja në vitin 1992 ka definuar terrorizmin si “një metodë ankth-prurëse e përsëritjes së veprimeve të dhunshme, e përdorur nga individë, grupe apo aktorë shtetërorë, për arsye ideosinkretike, kriminale apo politike, të cilat nuk kanë për qëllim kryesor cakun direkt të akteve terroriste”. Shumica e definimeve akademike i kanë shtuar edhe dy koncepte tjera të rëndësishme, si “gjeneratorë të mesazheve” dhe “procese të komunikimit të bazuara mbi dhunë”. Në kontekstin e kompleksitetit të rasteve të ndryshme, është e njohur fjalia se “ai që është terrorist për dikë, është luftëtar i lirisë për dikë tjetër”. Prandaj, Kosova, në fillimet e të qenit subjekt në rendin botëror, duhet të përcaktojë qartë mënyrën e sjelljes në botë.
Botuar në "Zëri" më 6 tetor 2008, fq. 12.

Monday, September 29, 2008

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Loja pa fitues

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, por çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin civil të udhëheqjes, ambicieve dhe përmbajtjes

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ndërtimi i një shoqërie demokratike nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Për këtë është dashur kohë, përkushtim dhe mbi të gjitha ndryshim të mentalitetit të qeverisjes. Kjo është parë edhe në rastin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në vendet ish-sovjetike, edhe në vendet e Ballkanit, edhe në Afrikë apo Azi të largët, por edhe tash në Afganistan dhe Irak. Kosova nuk bën përjashtim dhe në këtë aspekt nuk është fare rast sui generis. Tek e fundit, tranzicioni gjithëherë është i ndryshëm në detaje varësisht nga vendi dhe koha, porse elementet përmbajtësore të rëndësishme janë të njëjta. Edhe tash, sikur para më shumë se gjysmë shekulli, tranzicioni drejt demokracisë ka pasur të bëjë me zhvillimin e sistemit civil të ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit, derisa të drejtat e njeriut dhe pakicave kanë qenë shtyllat pasuese. Në këtë drejtim është punuar në Kosovën e pasluftës. Por, kjo nuk është punë e lehtë, sepse ka të bëjë me njerëzit dhe kjo do të thotë se duhet qeverisur emocionet, interesat, inatet dhe ambiciet njerëzore.

II
Në cilin nivel të zhvillimit të proceseve demokratizuese gjendet Kosova? Çka ndodhur deri më tash, çka është arritur? Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, porse çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Themelimi i institucioneve demokratike, mediave, mekanizmave tjerë të nevojshëm për shtetin dhe shoqërinë, si edhe ndërrimet në pushtet kanë kaluar pa ndonjë zhvillim tragjik, që është një përparësi në pjekurinë politike të shoqërive në tranzicion. Kjo dallon Kosovën nga një numër i madh i vendeve në rajon, veçanërisht nga shteti shqiptar, që ka pasur një histori aspak të lavdërueshme të zhvillimit të demokratizimit dhe ndërrimit të pushteteve pas përfundimit të regjimit komunist. Megjithatë, koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin e udhëheqjes, ambiciet dhe përmbajtjen.



III
Normalizimi i marrëdhënieve midis degëve të pushtetit, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrolli efektiv i territorit, zhvillimi ekonomik pa ndikimin e shtetit, mos-ndërhyrja e pushtetit në punët e institucioneve apo kompanive autonome, respektimi i pavarësisë së ndërmarrjeve publike, bashkëpunimi korrekt dhe respektimi i pavarësisë operacionale të forcave të rendit dhe të mbrojtjes, kontrolli civil i këtyre forcave, shpërndarja apo delegimi i pushtetit në nivel më të afërt me qytetarin, respektimi i të drejtave të njeriut, integrimi i komuniteteve me veçori dalluese, respektimi i të qenit dhe menduarit ndryshe, respektimi i fjalës dhe mendimit të lirë, mos-keqpërdorimi i mundësive financiare që i ofrohen pushtetit, rritja e efektivitetet dhe efikasitetit të administratës publike, marrëdhëniet e zhvilluara me vendet tjera, sikurse edhe respektimin e plotë të të drejtës së informatës janë elementet që duhet të plotësohen pa dyshim në mënyrë që të arrihet baza e nevojshme për demokratizimin e shoqërisë.

IV
Natyra e qeverisjes është determinuese për zhvillimin e shoqërisë për dekadat e ardhshme. Tek e fundit, politika qeverisëse është agjencia thelbësore përmes se cilës formulohen dhe realizohen funksionet e drejtimit te shoqërisë në kuadrin e një vendi të caktuar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet tjera. Kjo ka të bëjë me kuptimin e politikës në shpërndarjen e vlerave në shoqëri e jo mjeteve materiale në shoqëri. Sipas Lasuellit, “Politika është: kush merr, kur, sa”, derisa Iston argumenton se “Politika është shpërndarje me autoritet e vlerave në shoqëri”. Shpërndarja e vlerave nuk është thjeshtë biznes, porse ka të bëjë me respektimin e vlerave ekzistuese dhe zhvillimin e vlerave të reja brenda shoqërisë, me qëllim të afrimit të shoqërisë dhe shtetit me familjen e aspiruar. Në rastin e Kosovës, kjo familje e aspiruar është padyshim Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Perëndimi. Vlerat tradicionale të Kosovës duhet të bashkohen në rrugën drejt Perëndimit. Aty nuk bën pjesë krimi, korrupsioni dhe keq-qeverisja.

Botuar në “Zëri” më 29 shtator 2008, fq.14.

Politika, pasioni dhe e ardhmja

Loja pa fitues

Politika, pasioni dhe e ardhmja

Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij do të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë, thotë Maks Ueber

Shkruan: Burim Ramadani

I
Demokracia ofron mbi të gjitha mundësinë për pjesëmarrje të të gjitha shtresave në politikë dhe proceset publike. Nëse kjo do të ishte madje edhe e vetmja e mirë e demokracisë, mund të besohet se do të vlerësohej shumë më lartë se të gjitha sistemet qeverisëse që ka parë njerëzimi deri më tash. Njeriu, qoftë si kafshë politike, qoftë si mbizotërues i tokës, apo edhe si misionar drejt të mirës, ka nevojë dhe të drejtë për të qenë pjesë e asaj që ndodh rreth tij dhe për të. Kjo ndoshta është një prej elementeve kryesore për të cilat njerëzimi ekziston. Tek e fundit, për çfarë lumturie njerëzore mund të bëhet fjalë në rast kur një autoritet (në këtë rast shtetëror) vendos, zhvillon politika dhe përcakton ardhmërinë e njerëzve pa pjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Derisa pjesëmarrja publike është njëra anë e medaljes, ana tjetër ka të bëjë me nivelin e zhvillimit shpirtëror dhe njerëzor të politikanëve (lexo: udhëheqjes), të cilët kanë përgjegjësinë për jetën dhe zhvillimin e qytetarëve të shtetit. Kosova si shtet i ri dhe shoqëri në zhvillim, ka nevojë para së gjithash njohjen e koncepteve themelore të jetës politikës, pjesëmarrjes dhe zhvillimit shoqëror.

II
Deri në ngritjen e nivelit të pjesëmarrjes së gjerë në proceset politike në Kosovë janë bërë përpjekje të ndryshme, kryesisht nga shoqëria e pjesshme civile. Porse, ka mbetur jo pak punë drejt ndryshimit të mentalitetit politik dhe përmirësimit të aftësisë së ndarjes së pushtetit midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Kur flitet për të zgjedhurit, përkatësisht elitën qeverisëse, është mëse i nevojshëm qartësimi i bazës së duhur për të qenë pjesë e politikës ose për t’u futur aktivisht në politikë. Apo, siç thotë Maks Ueber në “Politika si profesion”, janë dy mënyra për ta kthyer politikën në profesion: ose jeton “për” politikën ose jeton “prej” politikës. Siç vëren Ueber, ai që jeton “për” politikën e shndërron atë në jetën e tij, në një kuptim të brendshëm, e ushqen ekuilibrin e tij të brendshëm me ndërgjegjjen që jeta e tij ka kuptim në shërbim të një “çështjeje” dhe dallimi këtu i referohet aspektit ekonomik. Autori është i prerë në konstatimin e tij se ai që përpiqet ta bëjë politikën një burim të përhershëm të ardhurash jeton “prej” politikës si profesion, ndërsa ai që nuk e bën këtë jeton “për” politikën. Nëse kjo do të futej në praktikë në Kosovë, kushedi sa i zgjedhuri do të binte në kategorinë ‘prej’.

III
Domosdoshmëria për qëndrueshmëri ekonomike të politikanit është pjesë e shtjellimit të Ueberit. Ai është i qartë në konkludimin e tij se në kushte normale, politikani duhet të jetë ekonomikisht i pavarur nga të ardhurat që mund t’i sjell politika dhe kjo do të thotë se politikani duhet të jetë i pasur ose duhet të ketë një pozitë personale në jetë që i siguron të ardhura të mjaftueshme. Megjithatë, Ueber është i vetëdijshëm për mungesën e ekzistimit të ndonjë shtrese mbizotëruese që nuk ka jetuar “prej” politikës. Ai e thotë shkoçur se nuk ka ekzistuar kurrë një shtresë e tillë, që në një mënyrë apo në një tjetër, nuk ka jetuar kurrë “prej” politikës, porse nënkuptohet vetëm kjo: politikani profesionist nuk duhet të kërkojë shpërblim të drejtpërdrejt për punën e tij politike, ndërsa çdo politikan që nuk ka mjete për qëndrueshmëri të pavarur ekonomike duhet patjetër të pretendojë një gjë të tillë. Fatkeqësisht, përvoja e shkurtër e demokracisë në Kosovë ka treguar për trende të zhvillimeve jopozitive në këtë aspekt. Ndoshta, jo për shkak të mungesës së ligjeve, por mungesa e presionit edhe social ka çuar këtu. Sidoqoftë, natyra e politikanëve profesionistë ka ndërruar dhe sot ndryshon shumë nga një rast tek tjetri.

IV
Duke ndarë në pesë lloje shtresash politikanët profesionistë, Ueber përmend kerikët; të shkolluarit humanistë; fisnikërinë e oborrit; institucionin anglez të aristokratëve e fisnikë të vegjël rentierë qytetarë që quhet “zotërinjtë”, dhe si shtresë të pestë juristin me arsim universitar, që është karakteristikë për Perëndimin, veçanërisht për kontinentin evropian. Ndërsa, duke folur për mënyrat e bindjes apo sundimit, Ueber përmend tri baza kryesore: tradicionalen (patriarku, princi), karizmën dhe ligjshmërinë ose besimin në vlefshmërine e statusit ligjor. Përfundimisht, politika, sipas Ueberit, i ngjan një shpuesi të fuqishëm dhe të ngadaltë të pjesëve të forta të drurit. Në të përfshihet edhe pasioni edhe e ardhmja... Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë. Niveli i politikanit të tillë në Kosovë mund të përmblidhet në pak numra dhe kjo është fillesa drejt demokratizimit të shoqërisë. Mbi të gjitha, Politika është pasion dhe mision drejt të ardhmes.

Botuar në “Zëri” më 22 shtator 2008, fq.11.

Monday, September 15, 2008

Islami, Islamizmi dhe Siguria Globale

9/11 – shtatë vjet pas

Islami, Islamizmi dhe Siguria Globale

Islami, Islamizmi dhe terrorizmi Islamist janë fenomene shumë të ndryshme dhe komplekse. Bërja bashkë e të gjitha këtyre nën termin e “terrorizmit” parandalon qasjen direkte të vëmendjes në motivet dhe qëllimet politike të radikalëve. Në vitet e fundit, shqetësimet reciproke, paragjykimet dhe agresionet midis Perëndimit dhe botës Islame kanë pësuar rritje. Në të dyja palët janë instaluar mosbesimi, papajtueshmëria dhe refuzimi

Shkruan: Burim Ramadani

Kur Bernard Lewis kishte shkruar së ‘Ku është gabuar?’ në historinë e moszhvillim të njëjtë apo barabartë midis Perëndimit dhe Orientit, shumë prej politikanëve me ndikim botëror duket sa kanë gjetur një prej përgjigjeve shumë të kërkuara të politikës së përditshme të këtij aspekti. Porse, e tëra kjo është cilësuar nga një numër tjetër i studiuesve si qasje ndarëse dhe qëllim-dalluese midis këtyre ‘dy botëve’ të ndryshme brenda globit dhe njerëzimit. Debati më tutje është shtuar shumë për vite me radhë. Dallimet u thelluan gjatë njëzetvjetëshit të fundit të shekullit të kaluar, derisa kulmi i përkeqësimit të ndjenjave, qasjes, mosbesimit dhe marrëdhënieve agresive ndodhi më 11 shtator 2001, kur avionët e zaptuara nga terroristët islamist shkaktuar tragjedinë më të madhe të këtij lloji.

A paraqet Islami apo Islamizmi kërcënim ndaj sigurisë globale?

A paraqet Islami kërcënim ndaj sigurisë globale? Mund të mendohet se po nëse gjykimi vjen mbi bazën e një numri të sulmeve terroriste Islamiste. Për më shumë dhe aq më tepër kur autorët e këtyre sulmeve terroriste më së shpeshti i bazojnë motivet e veta mbi Islamin. Studiuesja Petra Uajland pyet nëse ekziston lidhje direkte midis Islamit dhe Islamizmit? Nëse po, si mund të definohet kjo lidhje? Apo a duhet të dëgjojmë politikë-bërësit dhe ekspertët të cilët theksojnë se Islami dhe Islamizmi nuk janë identik dhe se bota Perëndimore në këtë kontekst nuk kundërshton Islamin si një religjion botëror si i tillë? Cili është dallimi midis Islamit dhe Islamizmit? Cila është ndërlidhja e tyre? Pse ka kaq paragjykime mbi lidhjen e mundshme të këtyre dy koncepteve/termeve?
Në vitet e fundit të kaluara, thotë ajo, një numër i akteve të dhunës të kryera nga Islamistët janë rritur në mënyrë të vazhdueshme. Si mund të shpjegohet kjo? Cilat janë shkaqet për rritjen e numrit të sulmeve terroriste Islamiste në tërë botën? Çka mund të bëhet për të luftuar këto kërcënime të sigurisë? Bashkësia ndërkombëtare ka ndërmarrë një numër masash të dizajnuara për të luftuar efektshmërisht terrorizmin, veçanërisht pas 11 shtatorit të vitit 2001. Sidoqoftë, suksesi në këtë ka qenë i kufizuar. Pse? Sa efektive janë institucionet militare dhe të sigurisë në bashkësinë ndërkombëtare për të luftuar këtë kërcënim? A ekzistojnë masa tjera parandaluese që duhet të merren në konsiderim?
Sipas Petra Uajland, këto janë pyetjet kryesore që shtrohen sot në debatet globale akademike dhe politike. Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet shikuar në qendër të koncepteve të Islamit dhe Islamizmit, si dhe dallimet midis tyre. Bazuar në këtë, duhet pikësëpari të bëhet klasifikimi i organizatave Islamiste. Në këtë kontekst, duhet konsideruar pyetjen themelore të shkaqeve të zanafillës – faktorëve shoqërorë, politikë dhe kulturorë që shkaktuan Islamizmin dhe terrorizmin. Të dy fushat – studimi i tipave të ndryshme të organizatave Islamiste dhe çështja e shkaqeve të zanafillës – më së miri mund të ekzaminohen duke marrë për shembull raste specifike të studimit. Raste të tilla për fat të keq të jetës shoqërore në botë, ka sa të duash. Për këtë shkak, Lindja e Mesme mbetet ambienti kryesor i shumëzimit të terrorizmit.

Doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se të tjerat – Luftë Islamizmit

Pas 11 shtatorit 2001, bota Perëndimore dhe aleatët e saj iu përgjigjen terrorizmit Islamist përmes inicimit të Luftës Globale Kundër Terrorizmit. Është arritur një numër suksesesh përderisa shumë prej liderëve të Al Qaeda-s janë vrarë ose arrestuar dhe janë shkatërruar strukturat e rrjeteve dhe atyre të organizatave terroriste. Sidoqoftë, Islamizmi në të gjitha variacionet e tij militare dhe jo-militare është ende në rritje në aspektin global.
Fakti se Islamizmi nuk është çrrënjosur ende përkundër përpjekjeve të mëdha mund t’i atribuohet shumë faktorëve. Një arsye e rëndësishme që shumë shpesh del në pah është “njohja e armikut tënd”, gjë që është një parakusht kryesor për secilën fitore, jo vetëm ushtarake. Në ndërkohë, nuk ka kuptim të qartë se si duket armiku i Luftës Globale Kundër Terrorizmit. Është e dukshme se pas 11 shtatorit 2001, terrorizmi është bërë njëlloj stenografie për Islamizmin ose terrorizmin Islamist. Kjo duket e besueshme në pamje të parë përderisa shumë ekstremistë Islamist bazojnë motivet e tyre mbi Islamin.
Por, doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se sa që janë ato të Krishterimit dhe Judaizmit. Sikurse edhe religjionet tjera, Islami mund të përdoret si një mjet për të promovuar sigurinë ose për të rritur kërcënimet. Në fakt, Islami, Islamizmi dhe terrorizmi Islamist janë fenomene shumë të ndryshme dhe komplekse. Bërja bashkë e të gjitha këtyre nën termin e “terrorizmit” parandalon qasjen direkte të vëmendjes në motivet dhe qëllimet politike të radikalëve. Në vend të kësaj, vëmendja drejtohet në vlerat morale si njerëz “të mirë”, “të këqij”, “liri-dashës” dhe “liri-urrejtës”. Sa më shumë që insistohet në barazimin e terrorizmit me terrorizmin Islamist ose Islamizmin me komunizëm ose fashizëm, aq më shumë i mundësohet njerëzve në botën Islame të ndjejnë se Lufta Globale Kundër Terrorizmit nuk është vërtetë luftë kundër terrorizmit, por më tepër një luftë kundër Islamit dhe tërë botës Islame. Edhe më dramatike, terrorizmi në botën Islame do të ketë rritje në vend se të ketë ulje. Myslimanët e kësaj bote do të fokusoheshin edhe më shumë në veten e tyre, identitetin Islam dhe zhvillojnë një qëndrim në rritje të zhurmshëm anti-Perëndim. Për më tepër, në vend se të rritet numri i atyre që kuptojnë qëllimet e radikalëve, nëse nuk respektohen do të rritet numri i atyre që e shohin këtë Luftë si një kërcënim vdekjeprurës ndaj Islamit.
Në vitet e fundit, shqetësimet reciproke, paragjykimet dhe agresionet midis Perëndimit dhe botës Islame kanë pësuar rritje. Në të dyja palët janë instaluar mosbesimi, papajtueshmëria dhe refuzimi. Nuk ka dyshim se luftimi i këtyre zhvillimeve është një nga detyrat më të rëndësishme me të cilën duhet të ballafaqohen të dy palët. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për betejën kundër dhunës dhe ekstremizmit. Sa i përket palës Perëndimore, ata duhet të gjejnë një mënyrë të duhur për të adresuar nocionet e Islamit, Islamizmit dhe terrorizmit, sikurse edhe të merren në përgjithësi me konceptin e Islamit dhe sigurisë.
Në vend se dhuna të shihet përmes prizmit të kulturës dhe vlerave, duhet kthyer vëmendjen drejt politikës, historisë dhe rëndësisë së perceptimit. Mbi të gjitha, myslimanët janë krejt të njëjtë sikur të gjithë njerëzit: ata mendojnë, veprojnë, tentojnë të mbërthehen me botën në të cilën jetojnë dhe të ballafaqohen me problemet e kushtet e jetesës, sikurse edhe zhvillojnë strategjitë për të arritur qëllimet e tyre. Të qenit i njëjtë me të gjithë njerëzit në botë do të thotë po ashtu se nuk ka individ apo kolektivitet apo edhe komb që është i favorizuar nga forca që në shumicën e religjioneve aktuale në botë njihet si “Krijuesi”. Ndryshe, padyshim se kushtet e jetesës për shumë popuj në botën Islame në mënyrë të vazhdueshme janë degjeneruar gjatë dekadave të fundit. Shumë faktorë që shërbejnë si indikatorë për zhvillim ilustrojnë këtë tatëpjetë dhe këtu përfshihen pjesëmarrja politike, vetë-vendosja, të ardhurat, edukimi dhe shërbimet mjekësore. Po ashtu, pozicioni i Lindjes së Mesme në politikat rajonale dhe globale është parë në mënyrë negative. Natyrisht, njerëzit i kuptojnë këto probleme shoqërore, ekonomike dhe politike, sikurse edhe faktin se si ndikon kjo në individët e bazuar në identitetin e tyre dhe në ideologji. Ata merren me këto çështje duke zhvilluar kundër-strategjitë. Mbi të gjitha, ky nuk është tipar tipik i myslimanëve, por është tipar njerëzor. Sidoqoftë, sa i përket perceptimit të botës Arabe/Islame për historinë e tyre të përbashkët, identitetet kolektive dhe ideologjitë kanë ndryshuar mjaft shumë. Në shekullin e 19-të deri në vitet e 1960-ta, në të menduarit Perëndimor zunë rrënjë komb-shtetet, lëvizjet çlirimtare dhe organizimet socio-revolucionare. Liberalizmi, nacionalizmi, racizmi, socializmi dhe komunizmi janë koncepte që u shfaqen nga Perëndimi dhe u prit që këto të ndihmojnë botën Arabe që shumë shpejtë të arrijnë nivelin e zhvillimit të ngjashëm me Perëndimin. Porse, me kohë është bërë e dukshme se përkundër këtyre koncepteve, boshllëku midis vendeve të varfra dhe të pasura ka vazhduar të zgjerohet. Ndërkohë, derisa kushtet e jetesës për elitat kombëtare u përmirësuan, ato të masave të gjera u përkeqësuan. Pavarësia e vërtetë nuk ishte arritur. Kështu që është e kuptueshme që njerëzit filluan të shikojnë për alternativat e afërta me vendet e tyre, pasi që në sytë e tyre kishin dështuar ideologjitë dhe identitetet e importuara nga Perëndimi. Islami ofroi të vetmen zgjidhje të mundshme. Në proces, qëllimet ndryshojnë në masë të gjerë: pavarësia kombëtare (Palestinezët), luftimi i forcave okupuese (Liban), luftimi i regjimit të korruptuar (Egjipt, Arabi Saudite), mbrojtja e “botës Islame” kundër “Perëndimit” (Afganistan, Irak, të rinjtë, klasa e mesme, gjenerata e dytë e myslimanëve në vendet Perëndimore).
Fitorja në Luftën kundër Terrorizmit është e mundshme vetëm pasi të adresohen këto probleme. Këto probleme janë në zemër të ekstremizmit të dhunshëm. Siguria mund të arrihet atëherë kur “të tjerët” – armiku- merret seriozisht në shqetësimet e tyre. Ideologjitë Islamiste nuk janë vetëm simptomë e sëmundjes që ka prekur botën Islame, por gjithashtu edhe e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe botës Islame.

Përplasja midis dy qytetërimeve?

Në një libër të shkruar pas udhëtimit në botën Islame, islamologu i njohur botërore Akbar Ahmed pohon keqpërdorimin që i bëhet Islamit nga grupe të ndryshme që kanë qëllime të caktuara politike, kryesisht anti-Perëndimore. Por, ai jep shembuj të shumtë të mikpritjes që i është bërë ekipit të tij jo-musliman. Islamologu Ahmed për të shkruar librin e tij “Journey into Islam: The crisis of Globalization” ka vizituar në këtë kuadër Indinë, Turqinë, Egjiptin, Sirinë, Pakistanin, Jordanin, Malejzinë, Indonezinë, Afganistan. Ai potencon aftësinë dhe afinitetin e myslimanëve për të bashkëpunuar me njerëzit e besimeve tjera, derisa mendon se duhet zhvilluar debat i brendshëm rreth asaj se ku është duke u shkuar. E njëjta, thotë Ahmed, vlen për të tri besimet e mëdha. Edhe Karen Armstrong në librin e saj “Beteja për Zotin: Fundamentalizmi në Judaizëm, Krishterim dhe Islam” argumenton se të tria këto besime po kalojnë në një periudhë të debatit intensiv të brendshëm midis fundamentalistëve dhe të moderuarve. Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta.
Bernard Lewis, ndërkaq, beson se myslimanët janë vetë fajtorë për mos-zhvillimin e shoqërive dhe shteteve të tyre. Në librin e tij “What Went Wrong?” pohon se vetë-kënaqësia e Perandorive myslimane ka qenë shkak thelbësor për humbjen e tyre, derisa mos-aftësia për t’iu përshtatur zhvillimit të Perëndimit ka qenë shkaku pasues. Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta. Apo, siç Bernard Lewis e përshkruan debatin e një kohë më të gjatë pothuaj një shekulli të vendeve islamike, rreth asaj se ku është gabuar në tërë historinë e mbizotërimit të Islamit mbi ‘të pafetë’ dhe ngritjen e këtyre të fundit mbi shtetet/vendet islamike. Kjo ngritje, megjithatë, sipas autorëve të ndryshëm ka filluar prej shekullit të tetëmbëdhjetë dhe është rritur edhe më shumë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, derisa shekulli njëzet e fillimshekulli i njëzetenjë vetëm ka vulosur përparësitë e Krishterimit (lexo: vendeve të krishtera) ndaj vendeve islamike. Porse, Adam Sabra në punimin e tij “What Went Wrong with What Went Wrong?”, të botuar në gusht të vitit 2003 në “Middle East Report Online”, kundërshton idetë e Lewis. Sabra thotë se studiuesit si Lewis kanë ndikuar në zhvillimin e politikave jo-integruese të Perëndimit.
Të tjerët thonë se përplasja midis këtyre dy qytetërimeve ekziston, sepse ka ekzistuar për mbi një mijë vjet. Por, megjithatë, midis tyre ka pasur edhe periudha të larta të harmonisë, sintetizimit kulturor dhe ndërveprimit të ideve. Një shembull që islamologu Akbar Ahmed, në librin e tij “After Terror: Promoting Dialogue among Civilizations”, jep për këtë tezë, është fakti se një korpus i tërë i mendimtarëve të vjet grekë, sikurse edhe filozofët e mëdhenj Platoni dhe Aristoteli, patën mbetur të panjohur dhe të harruar derisa myslimanët i përkthyen ata në kohën e Spanjës myslimane, që mundësoi evropianët t’i përkthejnë më pas ato nga gjuha arabe në atë latine dhe nga kjo e fundit në gjuhën frënge dhe atë angleze. Për shekuj të tërë, para rreth një mijë vjetësh, procesi i rizbulimit të grekëve në Evropë ka ardhur përmes myslimanëve.
Kjo qartëson ndërlidhjen logjike, humane dhe historike mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Pavarësisht ndarjeve dhe mosbesimit të ndërsjellë, Lufta kundër Terrorizmit Ndërkombëtar duhet të jetë gjithëpërfshirëse. 11 shtatori 2001 ka shënuar tmerrin e historisë moderne të besimeve.

Botuar në “Zëri” më 15 shtator 2008, fq. 11., si dhe
në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 16 shtator 2008, fq. 8