Monday, January 28, 2008

Dualizmi në mikpritje

Loja pa fitues

Dualizmi në mikpritje

Vizita e kreut të shtetit shqiptar pati mesazh të fuqishëm për përkujdesjen e Shqipërisë në ditët e vështira të Kosovës. Për ndihmën e Shqipërisë, nxënësit duhet të mësojnë në shkollat fillore apo të mesme të Kosovës. Ndërkohë, mënyra e pritjes që iu bë Topit këtë radhë në Kosovë pati mesazhin e mungesës sonë të traditës shtetërore. Dualizmi politik institucional në Kosovë shfaqi edhe komponentin e saj protokollar

Shkruan: Burim Ramadani

I
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, me vizitën e tij në Kosovë këtyre ditëve shprehu edhe njëherë mesazhin e fuqishëm të përkujdesjes së Shqipërisë në ditët e vështira të Kosovës. I shoqëruar me një delegacion tejet të madh e gjithëpërfshirës, Topi shënoi edhe një hap të madh në thellimin e marrëdhënieve përtej-kufitare, sikurse edhe vëri në nivel më të lartë ndjenjat vëllazërore. Delegacioni i tillë i gjerë i Shqipërisë në këtë fund të procesit të pavarësimit të vendit shfaqi interesimin e shoqërisë shqiptare për të qëndruar pranë Kosovës në ditët e ardhshme. Pa dyshim, ditët e ardhshme të cilat do të pasojnë nga shpallja e koordinuar e pavarësisë së Kosovës do të jenë plotë me sfida dhe probleme të cilat duhet kaluar me kujdes dhe ndihmë. Shqipëria, si shtet fqinj, dëshmoi këmbëngulësinë e saj për të hapur rrugët drejt Kosovës në mënyrë që vendi të mos ketë ngushtime të mëdha të mundësive për tregti dhe qëndrueshmëri të përkohshme ekonomike. Ndërkaq, si shtet kombëtar, Shqipëria tregoi se është pranë pjesës së vet të shkëputur, të cilën historia e solli në një fazë tjetër atë të formimin të shtetit.

II
Porse, ajo që u vërejt nga ana e institucioneve të Kosovës dëshmoi për një mungesë tradite shtetërore të paktën në aspektin e protokollit, gjë që dikush thotë se është art në vete. Presidenti Topi u nderua dy herë nga Garda ceremoniale e TMK-së, në dy takimet e ndara që i zhvilloi me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Ky sigurisht se është rast që nuk është shënuar në manualet protokollare të standardeve botërore, për shkak se nderimi me elitën ushtarake zhvillohet vetëm njëherë gjatë të njëjtës vizitë. Nuk ka dyshim se Topi dhe personalitete të tilla duhet të nderohet nga Garda ceremoniale, por kjo do të duhej të mos paraqet dualizmin e politikës institucionale të Kosovës. Nëse ky dualizëm ekziston, atëherë nuk duhet shfaqur në çdo moment ceremonie. Në rastin e ditëve të fundit, nderimi më i madh do të ndodhte në Aeroportin e Prishtinës, ku delegacioni shqiptar do të duhej të pritej në nivel të tillë çfarë edhe erdhi. Sidoqoftë, shqetësuese është prirja e udhëheqjes me dualizëm të institucioneve. Dy figurat udhëheqëse përdorën, këtë radhë, Gardën e TMK-së për të treguar muskujt para vetë shoqërisë kosovare.

III
Proceset që i ka kaluar deri më tash Kosova janë ndihmuar gjatë tërë historisë së dekadave të fundit nga ana e shtetit shqiptar. Në mësimet e lëndës së historisë në shkollat fillore apo të mesme të Kosovës do të duhej t’i jepet trajtim i veçantë ndihmës së Shqipërisë për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Parimisht, kjo pjesë e lëndës mësimore të historisë do të duhej të përfshinte më specifikisht situatën pas vitit 1990 dhe deri në pavarësimin e Kosovës. Ka elemente të shumta të cilat në asnjë mënyrë nuk duhet lënë mënjanë dhe duhet shënuar si të tilla. Përndryshe, si do të mund të harrohej pritja e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh të Kosovës në familjet shqiptare në përtej kufirit, gjë që në fatkeqësinë e rrethanave ka shënuar kthesën më të madhe të mundshme në marrëdhëniet mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo periudhë disa muajsh patjetër se duhet të merr vendin e merituar në librat mësimor të historisë. Në vizitën e parë të kreut të shtetit shqiptar pas pavarësisë së vendit, një libër i tillë do të duhej të jetë dhurata nga Kosova. Në të, sigurisht, do të përfshihej edhe ndihma e Shqipërisë në ditët e pavarësisë.

IV
Procesi për pavarësimin e Kosovës duket se është në përfundim të pjesës së parë deri në aktin ceremonial të shpalljes. Më pas, fillon pjesa tjetër e procesit që ka të bëjë me njohjen nga shtetet e ndryshme të botës, për të kaluar në atë të anëtarësimit në institucionet dhe organizatat e ndryshme botërore dhe rajonale. Sidoqoftë, pjesa e dytë do të mund të zgjaste më tepër se sa optimistët mendojnë dhe do të kalojë më qetë se sa pesimistët e parashohin. Porse, situata dhe zhvillimet e brendshme në Kosovë gjatë kësaj periudhe të ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen. Përkushtimi i popullatës shumicë të Kosovës dhe institucioneve të vendit, në bashkërendim me prezencën ndërkombëtare, do të duhej ngritur në mënyrë që asgjë të mos i lihet rastësisë. Liderët nuk kanë nevojë të fshehin shqetësimet e ndryshme rreth stabilitetit të vendit gjatë ditëve apo javëve pas shpalljes së pavarësisë. Populli ka nevojë të dëgjojë për sfidat me të cilat do të përballet. Asgjë nuk është e tepërt nëse publikisht theksohen këto sfida dhe mënyra e tejkalimit. Ngritja e çmimeve, në rastin më të thjeshtë, duhet të paralajmërohet dhe arsyetohet.

Botuar në “Zëri” më 28 janar 2008, fq. 14

Monday, January 21, 2008

Ngritja hitleriane e Nikoliqit

Loja pa fitues

Ngritja hitleriane e Nikoliqit

Monstrumët e tipit të Nikoliqit shfrytëzojnë rrethanat e ngjashme të ngritjes sikurse kishte ndodhur me shoqërinë gjermane pas Luftës së Parë Botërore. I mbushur plotësisht me helm nacionalist, Nikoliqi rrezikon Serbinë të izolohet për një kohë të caktuar e më pas të arrijë atë që kishte arritur Gjermania në vitet e 40-ta: kapitullimin

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kandidati i Partisë Radikale të Serbisë për kryetar të ri të shtetit serb, Tomislav Nikoliq, ka shumë elemente të përbashkëta të ngritjes në karrierrë me ish-kreun gjerman, nacistin Adolf Hitler. Nikoliqi, që tashmë është bërë kandidat vërtetë serioz për të udhëhequr Serbinë drejt viteve të ardhshme (me gjasë) të zisë së tyre të brendshme, po vazhdon ngritjen e tij mbi bazën e manipulimit hitlerian të ndjenjave të serbëve nacionalistë. Lindja e një lideri nacionalist në Serbi nuk është ndonjë veçanti duke pasur parasysh tmerrin e dekadës së kaluar që kishte sjellë në territorin e ish-Jugosllavisë Sadami i Ballkanit, Millosheviq. Porse, Nikoliqi ka premisat e tejkalimit të çmendurisë së parë mbi tetë vjetë më parë. Fjalimi i tij i mbajtur të mërkurën e kaluar në pjesën veriore të Mitrovicës ka zhvilluar edhe më tej mesazhin e Millosheviqit të mbajtur më 1989 në Gazimestan. Derisa ai u pati thënë serbëve se “askush më nuk guxon t’ju rrah”, Nikoliqi ishte i drejtëpërdrejtë kur tha se “ne kurrë nuk do t’ju lëmë vetëm”. Ndoshta, krahasimi i tillë analitik mes këtyre dyve nuk do të ishte i qëndrueshëm sikurse që këto mesazhe të mos ishin dhënë në distancë kohore rreth 20 vjeçare.

II
Karakteristikat e tashme të shoqërisë serbe janë vërejtur në përgjithësi në kohën e para-Hitlerit në Gjermani. Në atë kohë, pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania kishte pësuar në mënyrë sipërfaqësore në krahasim me atë që i ndodhi disa vite më pas. Roli dhe agresiviteti i Gjermanisë gjatë Luftë së Parë ishte i atij niveli në në fakt kërkonte dënim më të madh ndërkombëtar sesa që i kishte ndodhur në atë kohë. Porse, për shkak të rrethanave në bashkësinë ndërkombëtare, Gjermanisë i ishin bërë një numër kompromisesh, duke i dhënë masa të lehta ndëshkuese. E njëjta ka ndodhur me Serbinë. Mirëpo, populli gjerman nuk kishte vendosur të tejkalojë këto masa me vetëdijësim demokratik dhe miqësi ndërkombëtare. Përkundrazi, në mesin e gjermanëve lindi një i çmendur që mori në duart e veta drejtimin e Gjermanisë drejt katastrofës nacionaliste, për të shënuar më pas luftën më të egër botërore të historisë monoteiste të njerëzimit. Duke shfrytëzuar zbrazëtitë ligjore të një Kushtetute dhe shteti të brishtë ligjor të asaj kohe, monstrumi Hitler manipuloi me ndjenjat nacionaliste të gjermanëve, duke e kthyer autoritetet e veta në një ekip kriminelësh anti-semit dhe anti-njerëzim.

III
Kombi serb gjendet në udhëkryqin më të rëndësishëm të historisë së tij. Përmes procesit demokratik, ai mund të zgjedh nëse do të shkojë drejt Evropës dhe demokracisë liberale, apo nëse do të izolohet për një kohë të caktuar dhe të rrezikohet me armiqësim tejet më të thellë me botën. Autoritetet e Beogradit po luajnë të njëjtën politikë sikurse është parë edhe në raste tjera të botës, kur përmes qëllimit të ‘interesimit’ për bashkëkombasit e tyre që kanë statusin e minoritetit në një vend tjetër, të mbështjellin interesat nacionaliste të mbizotërimit. Hitleri kishte realizuar aksionin e parë të luftës me Poloninë, derisa në fjalimin e tij për arsyetimin e fillimit të luftës pati thënë se minoriteti gjerman në Poloni nuk gëzon të drejtat kombëtare, prandaj duhej intervenimi ‘shpëtimtar’ i shtetit amë, Gjermanisë. Ky nuk ishte qëllimi i nacistit, sikurse që mbrojtja e minoritetit serb në rajon nuk është qëllim i ultra-nacionalistit Nikoliq. Ai, mu sikurse Hitleri, po shfrytëzon rrethanat e krijuara dhe ndjenjat e serbëve të ndikuar nga propaganda tridekadëshe të viktimës së agresionit të të gjithëve kundër tyre. Krijimi i ndjenjave të tilla është pasojë e një investimi tejet të madh të politikës së Beogradit.

IV
Kosova, sidoqoftë, ka rrugën e vet të zhvillimit dhe të orientuar kah demokracia Perëndimore liberale. Populli i Kosovës asnjëherë nuk dyshon në bazamentin e udhëtimit drejt demokracisë, si sistem jo perfekt, porse më i miri i parë deri më tash në historinë e sistemeve të qeverisjes. Vlerat të cilat janë dominuese në botën demokratike, me kohë po vendosen në Kosovë dhe si të tilla ato gëzojnë pajtueshmërinë e kosovarëve. Pothuaj secili veprim politik në Kosovë është i kundërt në thelb nga ato të Serbisë. Kjo argumenton pa-mundësinë e bashkëjetesës në një shtet të Prishtinës dhe Beogradit. Derisa ndjenja nacionaliste në Kosovë është kthyer në ndjenjë integruese dhe progresiste, e kundërta po ndodh në Serbi, ku fjala integrim mund të dëgjohet vetëm në koluare të caktuara, por jo në mendjen e qytetarëve të saj. Pavarësisht zhvillimeve në Serbi, Kosova dhe politika vendore duhet të insistojë në integrim veri-atlantik të vendit. Ndryshe po ndodh në vendin fqinj. I mbushur plotësisht me helm nacionalist, monstrumi Nikoliq rrezikon Serbinë të izolohet për një kohë të caktuar e më pas të arrijë atë që kishte arritur Gjermania në vitet e 40-ta: kapitullimin

Botuar në “Zëri” më 21 janar 2008, fq. 11

Monday, January 14, 2008

Orari për Kosovën

Loja pa fitues

Orari për Kosovën

Afrimi i kohës së vendim-marrjes më të rëndësishme nga pala kosovaro-ndërkombëtare është çast për t’u thelluar në prioritetet strategjike, politike, ushtarake e shoqërore të Kosovës. Lidershipi i Kosovës ka për obligim të mos lëshojë asnjë sekondë pune pa u shfrytëzuar në përgatitjen për aspektin e sigurisë. Orari i Kosovës, më pas, drejtohet kah Perëndimi

Shkruan: Burim Ramadani

I
Orari i angazhimeve, përpjekjeve, punës dhe koordinimit të politikave të faktorëve të ndryshëm në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Si i tillë, ky orar që në shikim të parë duket të jetë i koordinuar në linja të përgjithshme, është karakterizuar dhe shoqëruar me shumë sfida dhe luhatje, derisa përceptimi publik ka qenë i ballafaquar shpeshherë me skepticizëm. Nëse fillohet analiza për orarin e përgjithshëm të këtij procesi, atëherë detyrimisht duhet bërë prerja e proceseve dhe angazhimeve në kohë dhe qëllim. Kështu, përfundimi i luftës në Kosovë më 1999 mund të merret si koha e fillimit të angazhimeve ri-ndërtuese të paqes, shoqërisë, institucioneve dhe të së ardhmes së Kosovës. Që prej asaj kohe deri në mesin e vitit 2005, pëpjekjet e përgjithshme kanë evoluar në drejtim të përgatitjes së vendit për hyrjen në procesin e pritur të definimit të statusit të Kosovës. Ajo periudhë ka përfshirë një numër të madh të vlerësimeve të administratës ndërkombëtare, gjë që ka sinjalizuar për pjekjen e kushteve në drejtim të nisjes së punës finale.

II
Oferta e shumicës shqiptare në Kosovë në raport me pakicat dhe në veçanti me atë serbe ka qenë gjithherë konstruktive dhe e udhëhequr nga parimi qytetar. Politika e shumicës shqiptare nuk ka vënë kompozicionin etnik asnjëherë në plan të parë sa i përket kësaj oferte dhe përpjekjeve në përgjithësi për të ndërtuar shtetin dhe shoqërinë demokratike të vendit. Pikërisht për këtë vullnet të mirë dhe qasje plotësisht korrekte në respektimin e të drejtave të garantuara të njeriut dhe komuniteteve, Kosova është mbështetur në mënyrë konsistente nga pjesa demokratike e bashkësisë ndërkombëtare. Tek e fundit, as edhe një moment qëllimi i kosovarëve nuk ka qenë gëzimi i mbështetjes nga vendet diktatoriale, autoritare, shtetet konfliktuoze apo mbështetës të terrorizmit ndërkombëtar. Partneriteti strategjik i Kosovës me Perëndimin dhe në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë, është dhe duhet të mbetet prioriteti numër një jo vetëm i politikës vendore, por edhe shoqërisë në të gjitha fushat e saj specifike. Prandaj, mbështetja nga kjo pjesë e botës është bërë garancë për lirinë dhe tashmë pavarësinë e vendit.

III
Orientimi i angazhimit për vendim-marrjen më të rëndësishme në vitet e pasluftës në Kosovë detyrimisht është çast për t’u thelluar në prioritetet strategjike, politike, ushtarake e shoqërore të Kosovës. Elementi më pozitiv i shoqërisë kosovare sa i përket këtij aspekti është qartësia shumë e madhe e vullnetit dhe aspiratave të qytetarëve, politikës e opinionin publik në rrugën drejt Perëndimit. Vlerat Perëndimore të kulturës dhe traditës janë përgjithësisht të pranuara me lehtësi nga shoqëria kosovare dhe duhet thënë troç se pozicioni ynë gjeografik në Ballkan shumë herë është tentuar dhe ka mundur të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme nga kultura e civilizime të ndryshme botërore. Shoqëria kosovare është për t’u nderuar nga Perëndimi për faktin e orientimit të saj të drejtë, pa mëdyshje dhe të përkushtuar drejt ruajtjes së civilizimit të kësaj pjese të botës. Shqiptarët e Kosovës, sikurse edhe të gjithë shqiptarët në Ballkan, kanë dëshmuar afinitetin dhe identitetin e përbashkët evropian. E tërë kjo situatë lehtëson thellimin e politikës kosovare drejt Evropës, gjë që është tregim më ndryshe në rastin e Serbisë.

IV
Orët e fundit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe orët e para pas këtij akti, do të vënë në pah kanalizimin e situatës së mëtejshme drejt zhvillimeve të afërta në Kosovë. Tendencat e mundshme të destabilizimit të situatës do të jenë më të vërejtshme sa më shumë që afrohet koha e vendimit. Prandaj, fokusimi më i madh i politikës dhe shtresave tjera ndikuese në udhëheqjen e qytetarëve të Kosovës duhet të drejtohen në aspektin e ruajtjes së qetësisë dhe ambient të sigurt. Siguria është çështje tejet serioze dhe kërkon angazhim serioz të të gjitha niveleve. Planet për ballafaqimin me të gjitha situatat e mundshme në kohën para dhe pas shpalljes së pavarësisë duhet të vazhdojnë të jenë në qendër të punës së mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë të sigurisë. Nëse ruajtja e qetësisë dhe sigurisë janë kyçe për të ardhmen e Kosovës, serioziteti në qajse dhe përkushtim për këtë sektor është kyç për tejkalimin e çfarëdo lloj sfide. Lidershipi i Kosovës ka për obligim të mos lëshojë asnjë sekondë pune pa u shfrytëzuar në përgatitjen për aspektin e sigurisë. Orari i Kosovës, më pas, drejtohet kah Perëndimi.

Botuar në “Zëri” më 14 janar 2008, fq. 11

Tuesday, January 8, 2008

Trauma politike

Loja pa fitues

Trauma politike

Paraqitja speciale e Jeta Xharrës në programin festiv të RTK-së dhe manifestimi përmes ekzemplarit të saj i traumave të popullit të Kosovës shënon fundin e një viti kontrovers. Viti 2008 fillon pa buxhet dhe pa qeveri. Qeveria e re nuk do të ketë në kontroll politik e funksional të gjithë territorin e Kosovës. Kësaj qeverie do t’i mungojë AAK-ja, një faktor i rëndësishëm stabiliteti për sigurinë dhe zhvillimet politike

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti që lamë pas mund të shënohet me progres për Kosovën sa i përket mobilizimin e demokracive ndërkombëtare për të pranuar të drejtën e kosovarëve për shtet. Nga brenda, viti 2007 mund të shënohet me përçudnime që reflektojnë në mënyrë ekzemplare tmerret e traumat që ka përjetuar ky popull para e gjatë luftës sikurse edhe në vitet e para të pasluftës. Janë të paktën katër zhvillime interesante që kanë ndodhur gjatë vitit 2007, të cilat doemos meritojnë të shënohen si të tilla në historinë më të re të Kosovës. Së pari, në fillim të shkurtit ndodhi një protestë ekzemplare e dhunshme. Së dyti, presidenti Ahtisari paraqiti një plan për Kosovën, plan ky që u mbështet nga bota demokratike dhe përpjekjet për gjetjen e marrëveshjes në Këshillin e Sigurimit. Së treti, janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, zgjedhje këto të cilat janë përshkruar me parregullsi të shumta, shantazh, manipulime e çka jo. Së katërti, për më shumë se një muaj prej se u mbajtën zgjedhjet, viti 2007 përfundoi pa qeveri, përkatësisht pa qartësi për qeveri të re.

II
Vetë shtyrja e pakuptimtë e krijimit të qeverisë së re ka dhënë një shenjë të fuqishme të jo-seriozitetit në marrjen e përgjegjësive. Kështu pati ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2001, kur u kërkua ndërhyrja e gjermanit dinamik Shtajner për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse. Porse, tashmë gjashtë vjet më pas, pyetja që më së shumti duhet shtruar është: Kujt po i duhet neglizhimi i krijimit të qeverisë së re? Kjo nuk është aq e thjeshtë sesa duket në shikim të parë dhe për këtë mund të ekzistojnë interesa të caktuara kundër proceseve në Kosovë. Mandatari për formimin e qeverisë së re, partia e tij fituese e zgjedhjeve të 17 nëntorit, sikurse edhe partitë e ftuara për formimin e koalicionit qeverisës duhet shfaqur fleksibilitet më të madh në kërkesat e tyre, raportet e ndërsjella dhe angazhimet për krijimin e qeverisë së re. Tek e fundit, askush nuk duhet krekosur me vënien e kushteve, shantazhin apo kërcënime kote të përjashtimeve apo vetë-përjashtimeve.

III
Vendimi për krijimin e qeverisë së re tashmë nuk është kërkesë e brendshme partiake apo klanore. Kjo është nevojë për qytetarët e Kosovës, për zhvillimin e proceseve të brendshme dhe të jashtme për Kosovën, për ruajtjen e stabilitetit të vendit, për vazhdimin e projekteve në sektorët e ndryshëm të ndjeshëm për sigurinë e përgjithshme të Kosovës. Kjo është nevojë madje edhe për futjen në përdorim të buxhetit të Kosovës, gjë që tashmë është bërë përmes një urdhërese administrative të shefit të UNMIK-ut, por jo përmes Ligjit që duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Situata e sigurisë, në anën tjetër, është çdo ditë e më e ndjeshme dhe për këtë kërkon qasje profesionale dhe të afërt nga ana e qeverisë qendrore dhe asaj lokale në pjesë të ndryshme specifike të Kosovës. Veriu i vendit vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e territorit që është jashtë kontrollit funksional të autoriteteve ndërkombëtare e vendore në Kosovë. Provokimet e niveleve të ndryshme nga Serbia janë të pothuaj të përditshme, sidomos në atë pjesë të Kosovës.

IV
Vetëtimat e entuziazmit pas-zgjedhor qysh më herët është vërejtur të jenë zbutur dhe lehtësisht lënë anash. Si qytetar i ndershëm i këtij vendi, do të doja të kemi një qeveri të fuqishme në krye të proceseve të mëdha të Kosovës. Kësaj, para së gjithash, i paraprinë përpjekjet për koalicion midis partive më të mëdha në vend. Sidoqoftë, këtij koalicioni do t’i mungojë një shtyllë e rëndësishme. Qeveria e re nuk do të ketë në kontroll politik e funksional të gjithë territorin e Kosovës. Kësaj qeverie do t’i mungojë AAK-ja, një faktor i rëndësishëm stabiliteti për sigurinë dhe zhvillimet politike në Kosovë. Do të doja një kryeministër që mund të ndikojë në qetësimin e pakënaqësive në të gjitha pjesët e Kosovës, një qeveri që përfaqësohet nga të katër anët e Kosovës. Por, traumat e shumta të politikës së Kosovës manifestohen rregullisht. Sikurse që paraqitja speciale e Jeta Xharrës në programin festiv të RTK-së manifestoi përmes ekzemplarit të saj traumat e popullit të Kosovës të para, gjatë dhe pasluftës. Viti 2008 fillon pa buxhet dhe pa qeveri.

Botuar në “Zëri” më 07 janar 2008, fq. 11.