Monday, October 27, 2008

Shumë punë për EULEX-in

Loja pa fitues

Shumë punë për EULEX-in

Vendnumërimi i Kosovës sa i përket zhvillimit të sistemit, shtetit e shoqërisë demokratike, si dhe qeverisjes së mirë është dëmi më i madh që mund të shkaktohet një vendi që ka shpallur pavarësinë pak muaj më parë. Derisa vullneti vendor duket se mungon, policët, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të duhet të shtrëngojnë veten për të hapur dosje të rëndësishme për Kosovën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendosja në Kosovë e misionit evropian për Polici dhe Drejtësi (EULEX) vazhdon të mbetet një prej dilemave më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Këtë mision e presin shumë punë për t’u bërë në Kosovë, qofshin ato mjaft të ndjeshme edhe për të ardhmen e strukturave të ndryshme politike. Deri më tash janë dëgjuar dhe parë iniciativa të ndryshme të diskutimeve në bashkësinë ndërkombëtare rreth vendosjes së EULEX-it. Të gjitha këto iniciativa janë lidhur në një formë apo tjetër edhe me qëndrimin e Beogradit zyrtar, gjë e cila e ka dëmtuar edhe më tepër imazhin dhe kredibilitetin e misionit të panisur që udhëhiqet nga gjenerali francez Kermabo. Që në muajin prill, kur nga selia e OKB_së në Nju Jork është dhënë sinjali për bisedat me Beogradin, UNMIK-u ka vazhduar të ketë një rol në Kosovë, të paktën përgjegjësinë për të komunikuar me Serbinë. Javëve të fundit zyrtarët e lartë të Serbisë kanë folur për kushte para pranimit të misionit evropian, derisa qëllimi i përbashkët i të gjitha vonesave që dalin nga qarqe të ndryshme është forcimi i rolit të Serbisë si një aktor i vazhdueshëm në zhvillimet brenda Kosovës.

II
Vendimi për asistencën perëndimore për misionit të këtillë është nxjerrë rreth dhjetë muaj më parë, derisa Kosova ka pranuar EULEX-in me dy akte formale, përkatësisht me pranimin e të ashtuquajturës Pako e Ahtisaarit dhe me shpalljen e pavarësisë. Pra, ajo që do të mund të ishte e kontestueshme në parim është aftësia e mekanizmave ndërkombëtarë për të bërë hapat e nevojshëm për fillimin sa më të shpejtë të misionit të ri. Mbi tetë muaj që nga pavarësimi i Kosovës, nuk ka ende asgjë konkrete në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit, që do të ishte përgjegjësia kryesore e EULEX-it, si misioni më i madh që Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndonjëherë. Porse, involivimi i Serbisë edhe më tutje, është i dëmshëm jo vetëm për zhvillimet brenda Kosovës, por edhe për marrëdhëniet midis vendeve fqinje dhe raportin e përgjithshëm me BE-në. Përmes kësaj, vazhdon instrumentalizimi i serbëve të Kosovës të cilët sigurisht se janë ende nën ndikim të drejtpërdrejt të politikave dhe qëndrimeve destruktive të Beogradit. Këto hezitime ndikojnë po ashtu në aspektin e integrimit të brendshëm.

III
Vonesat në fillimin e aktivitetit të EULEX-it janë në fakt të kushtueshme për zhvillimet në Kosovë. Vendi tashmë më shumë se asnjëherë më parë ka nevojë për fillimin e vërtetë të përparimit të sektorit të sundimit të ligjit në mënyrë që të avancohen parimet e funksionimit të shtetit dhe shoqërisë demokratike në Kosovë. Derisa UNMIK-u është akuzuar shumë herë për mosefikasitet në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative, sigurisht se kjo do të jetë një prej detyrave më të rëndësishme dhe domethënëse të EULEX-it. Për nëntë vjet pas luftës, Kosova është ballafaquar me fillesat e strukturalizmit të krimit të organizuar, është ballafaquar me vrasje politike, dhunë ndër-etnike, korrupsion me përmasa kanceroze dhe mungesë të ndjeshme të vetëdijes të qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të konceptit civil të udhëheqjes. Për fat të keq, duket se kurba e zhvillimit të dukurive negative është duke u ngritur secilën herë më shumë, duke bërë kështu pothuaj të pashpresë rritjen e standardit demokratik të shtetit dhe shoqërisë kosovare, e cila mbetet një prej më të korruptuarve në Ballkan.

IV
Vendnumërimi i Kosovës sa i përket zhvillimit të sistemit demokratik, shtetit e shoqërisë demokratike, si dhe qeverisjes së mirë është dëmi më i madh që mund të shkaktohet një vendi që ka shpallur pavarësinë pak muaj më parë. Mos-ushtrimi i kontrollit shtetëror në tërë territorin e vendit është edhe një sfidë tepër e rëndë për Kosovën dhe në këtë fazë ndihma e EULEX-it është e domosdoshme. Por, misioni për Polici dhe Drejtësi nuk duhet të ndalet vetëm në aspekte plotësisht politike të autoritetit shtetëror. Policët, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombëtarë duhet të duhet të shtrëngojnë veten për të hapur dosje të rëndësishme për Kosovën. Edhe nëse këto dosje do të mund të ishin shumë të ndjeshme për struktura të caktuara të elitës politike kosovare, është koha kur ato do të duhej të hapen në mënyrë që të jepen përgjigjet aq shumë të munguara për raste të rënda që kanë ndodhur në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Kjo mbi të gjitha do të jepte përgjigjen mbi atë se kah do të shkojë shoqëria kosovare, si pyetje-dilemë tepër e domosdoshme sidomos tash kur do të duhej të fillojnë angazhimet për integrime evropiane.

Botuar në “Zëri” më 27 tetor 2008, fq. 12.

Wednesday, October 22, 2008

Drejt tregut të madh evropian

Loja pa fitues
Drejt tregut të madh evropian
Në thelb, janë tri elemente kyçe që karakterizojnë Bashkimin Evropian dhe forcojnë objektivin e Kosovës për anëtarësim të plotë: bashkimi për fuqizim dhe tejkalim konflikti, tregu i madh dhe politikat rajonale. Tregu në të cilin Kosova synon të jetë pjesë, është treg i madh. Përgatitjet duhet të jenë gjithpërfshirëse. Kokurrenca aty është virtyt themelor
Shkruan: Burim Ramadani
I
A është Kosova e gatshme për të absorbuar ndihmën dhe përmbushur kriteret për integrime në Bashkimin Evropian? Kjo dhe shumë pyetje tjera që mund të vijnë pas kësaj kanë rëndësi të posaçme për t’u konsideruar në secilin nivel të formulimit të politikave dhe politikë-bërjes qeverisëse. Përcjellja me përpikmëri e rregullave, procedurave dhe kërkesave që i paraqiten shoqërisë dhe shtetit më të ri në Ballkan. Si pjesë e këtij rajoni të varfër, Kosova, shoqëria dhe politika e saj duhet të ketë orientim të qartë politik dhe praktik kah Bashkimi Evropian. Kjo në fakt duhet të jetë orientim i qartë program së pari i partive politike të vendit, duke i dhënë hapësirë të gjerë dhe të theksuar objektivit nacional të Kosovës për anëtarësim të plotë në BE-së, sikurse edhe në NATO dhe organizatat e institucionet tjera ndërkombëtare me vlera Perëndimore, ndërsa kjo duhet t’i komunikohet qytetarëve. Në thelb, janë tri elemente kyçe që karakterizojnë BE-në dhe forcojnë objektivin e këtillë të Kosovës: bashkimi për fuqizim dhe tejkalim konflikti, tregu i madh dhe politikat rajonale të saj.
II
BE-ja është bashkim supranacional apo interqeveritar, bashkim shtetesh sovrane, përkatësisht një organizatë politike e ushtarake, premisat për krijimin e të cilës kryesisht bazohen në nevojën e pashmangshme të vendeve Perëndimore Evropiane për t’u bashkuar përballë vështirësive dhe sfidave të ndryshme menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi gjysmë shekulli prej se është krijuar, BE-ja vazhdon të përballet me sfida të ndryshme, të cilat sidoqoftë duket se do të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe për një kohë. Porse, sukseset e zhvillimeve dhe integrimeve evropiane janë evidente dhe si të tilla kanë ndihmuar në mënyrë të rëndësishme jo vetëm shtetet Perëndimore, por në mënyrë të veçantë edhe rajonet e shteteve që i takojnë pjesëve Lindore dhe Jug-Lindore të Evropës. Ende nuk mund të jepet një përgjigje e qartë nëse Bashkimi Evropian është një shtet, federatë apo konfederatë, porse numri i rritur i shteteve anëtarëve të Bashkimit Evropian tashmë funksionojnë në një mënyrë konfederale. Vetë momentet e krijimit të BE-së në një formë kanë përcaktuar për vite me radhë hapat e zhvillimit të mëtejshëm.
III
Caku tjetër i këtij organizimi të tillë ishte aspekti ekonomik dhe tregtar. Pa diskutim, tregu i madh është arritja e parë e Bashkimit Evropian dhe motori i vërtetë i integrimit evropian. Nga njëra anë, krijimi i këtij tregu jo pa vështirësi e bën atë një nga tregjet më të mëdha të botës. Një treg prej rreth 500 milionë banorësh, është më shumë se sa tregjet e ShBA-ve (rreth 275 milionë banorë) ose të Japonisë (rreth 127 milionë banorë). Ky treg në fakt ka ndihmuar në vendosjen e lidhjeve gjithnjë e më të ngushta mes vendeve anëtare dhe ka krijuar një entitet tregtar të fuqishëm. Nga ana tjetër, tregu i madh është faktor tërheqës kryesor për Bashkimin. Krijimi i tij i shkallë-shkallshëm përbën fillimin e shumë politikave shoqëruese ose është mbështetur në politika të tilla që kanë ndihmuar në afirmimin e tij. Kështu politika e konkurrencës është rrjedhojë e natyrshme e tregut të madh. Politika e mjedisit dhe politika sociale, politikat e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së konsumatorit gjithashtu mund të konsiderohen si rezultat i një dinamike të thellimit të politikave shoqëruese.
IV
Çfarëdo politike apo objektivi për bashkimin e shteteve nuk do të kishte kuptim pa politika të qarta rajonale, gjë që është parë se ekziston tek BE-ja. Pabarazitë midis rajoneve janë të vjetra dhe ekzistonin para krijimit të Bashkësisë, ato vijnë kryesisht nga koha e revolucionit të parë industrial. Prandaj, tashmë pas përcaktimit të statusit, integrimi në BE duhet të jetë numri një në agjendën e politikës dhe shoqërisë kosovare. Duhet synuar të shfrytëzohet ky proces për të reformuar institucionet, me qëllim që ato të jenë më të afërta me qytetarin si dhe të përgjegjshme ndaj tij. Duke përdorur modelin e integrimit evropian dhe asistencën e BE-së, Kosova mund të arrijë zhvillim ekonomik dhe politik. Kosova duhet të angazhohet fuqishëm dhe me tërë kapacitetet e saj drejt këtij synimi. Ky është interesi i pakontestueshëm nacional i Kosovës në rrugën e saj drejt formimit të shoqërisë demokratike, sundimit të ligjit, ndarjes së pushteteve, arsimimin dhe konkurrencën ndërkombëtare. Tregu në të cilin Kosova synon të jetë pjesë, është treg i madh. Përgatitjet duhet të jenë gjithpërfshirëse. Kokurrenca aty është virtyt themelor.
Botuar në "Zëri" më 20 tetor 2008, fq. 11.

Sunday, October 12, 2008

Fuqia e rinisë për Kosovën

Loja pa fitues

Fuqia e rinisë për Kosovën

Të drejtuar kah vlerat Perëndimore, aftësuar me parime bashkëkohore dhe liruar nga barrierat paradoksale, të rinjtë janë fuqia e Kosovë për rrugën drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo fuqi duhet shfrytëzuar dhe vënë në lëvzije për vendin, për shoqërinë dhe shtetin. Energjia rinore mund të tejkalojë sfidat e radhës, të cilat fatmirësisht nuk kanë të bëjnë me ekzistencën njerëzore të qytetarëve të Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kosova e ka rrugën e qartë, ajo i takon Perëndimit dhe Evropës, dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe të zhvillojë demokracinë. Kjo tashmë shumë herë është dëgjuar dhe vazhdon të dëgjohet në të gjitha nivelet e politikë-bërjes, formulimit të politikave, opinionit publik dhe koluareve të ndryshme. Madje edhe nëpër odat pseudo-tradicionale, ku pihet çaji pa ndërprerë, nuk ka dilemë se kah duhet të shkojë Kosova – drejt Perëndimit. Mirëpo, përpos çajit dhe tymit të duhanit, qoftë me apo pa llulla, oda mbetet e pandryshuar. Dhe, pas një nate të tërë të diskutimit të pandalshëm rreth politikës dhe drejtimit të Kosovës kah Amerika e Evropa, odëtarët përsëri presin që të takohen natën tjetër dhe të rifillojnë të njëjtat diskutime, rreth të njëjtës temë, me të njëjtin përfundim. Dhe kështu, natë për natë e deri në mëngjes, disa të rinjë që kanë mundësinë të ngrohin çajin saherë që ftohet, dëgjojnë të njëjtat diskutime, rreth të njëjtës temë, me të njëjtin përfundim. Kështu çështja e rrugëtimit drejt Perëndimit është gjithnjë në “rend të natës” dhe të rinjtë shërbyes mund të jenë dëshmitarë të diskutimeve të gjera e të gjata se si Kosova është evropiane, madje më shumë se shumë shtete që tashmë me dekada kanë zhvilluar shoqëritë demokratike.

II
Koncepti filozofik i demokratizimit të një shoqërie dhe një shteti nuk mund të zhvillohet dhe zbatohet në rrugë e grupe të izoluara dhe të pashpresa. Ky duhet të kthehet në koncept gjithëpërfshirës politik të zhvillimit të qeverisjes së mirë civile dhe të bazuara në ligje të standardeve evropiane. Pastaj, e tërë kjo duhet të kthehet në strategji e plane konkrete për përmbushjen e secilit standard dhe parim veç e veç, për t’u thelluar në mentalitet qeverisjeje në të gjitha nivelet dhe sferat e jetës, me fokus të veçantë në institucionet publike dhe shoqërinë civile. E gjithë, rrjedhimisht, kjo do të ndikonte në përafrimin e zhvillimit shoqëror të Kosovës me vendet Perëndimore, për të sjellë më pas pa dyshim krijimin e kulturës dhe një tradite të funksionimit demokratik dhe Perëndimor të shtetit dhe shoqërisë. Krejt kjo nuk është diçka e pamundur, nuk është kërkesë e jashtëzakonshme. Është parë të jetë arritur në vende të ndryshme të botës, të cilat kanë kaluar histori të dhimbshme sikurse Kosova, e po ashtu kanë pasur zigzage të tilla sikurse në Ballkan.

III
Kriteret e ndryshme që duhet të plotësohen gjatë procesit të demokratizimit të vendit nuk janë asgjë më tepër sesa kujdes i përhershëm për mos-shkelje të rregullave demokratike, për krjim të hapësirë për të gjitha grupet në shoqëri, respektim të të drejtave të njeriut, decentralizim të pushtetit aq sa është e mundur, partneritet dhe jo ndërhyjes të politikës në biznes dhe anasjelltas, luftim të krimit të organizuar, ulje maksimale të korrupsionit, ngritje të standardit jetësor, liri të shprehjes dhe informimit, e pse jo edhe promovim të kulturës e traditës. Nëse këto analizohen nga aspekti i kapaciteteve që ka Kosova, ndihmesa e Perëndimit është e domosdoshme dhe për këtë nuk duhet fajësuar askë, por duhet thithur sa më shumë përvojë, trajnime dhe edukim. Porse, kjo është tërësisht e varur nga vetë Kosova nëse analizohet nga aspekti i vullnetit politik. Për këtë duhet drejtuar kërkesat kah elita politike, e cila hë për hë nuk po arrin të artikulojë në mënyrën më të mirë këtë aspiratë të qytetarëve (edhe odëtarëve) dhe kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

IV
Kalimi nga faza emergjente dhe shtet-formuese në atë të demokratizimit të plotë dhe evropianizimit të Kosovës është sa përgjegjësi, aq edhe detyrë fisnike për secilin që e sheh këtë si mision qoftë edhe personal. Për këtë, pos rolit aktiv që duhet të luajë elita politike e vendit, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet hapur mundësinë e zhvillimit të ndikimit të rinisë, që në Kosovë përbën shumicën e padiskutueshme. Të drejtuar kah vlerat Perëndimore, aftësuar me parime bashkëkohore dhe liruar nga barrierat paradoksale, të rinjtë janë fuqia e Kosovë për rrugën drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe BE-së. Kjo fuqi duhet shfrytëzuar për vendin, për shoqërinë dhe shtetin. Politika nuk është asgjë më shumë se një mision për njerëz të pasionuar drejt të ardhmes më të mirë për shoqërinë. I mbetet organizimeve të ndryshme politike t’i krijojnë mundësi dhe hapësirë kësaj fuqie të rinisë, derisa të rinjtë duhet organizuar veten për të kthyer vullnetin në përkushtim dhe punë konkrete. Energjia rinore mund të tejkalojë sfidat e radhës, të cilat fatmirësisht nuk kanë të bëjnë me ekzistencën njerëzore të qytetarëve të Kosovës. Të rinjtë nuk duhet parë më vetëm si shërbyes odëtarësh, por si pjesë e rëndësishme e udhëheqjes. Sa më parë, aq më mirë.

Botuar në “Zëri” më 13 tetor 2008, fq.
11.

Sunday, October 5, 2008

Politika e jashtme dhe siguria

Loja pa fitues
Politika e jashtme dhe siguria
Në pikëpamjen që Kosova do të ndërtojë për botën përmes politikës së saj të jashtme, duhet qartë të përcaktohet prirja për mos-ndërtim të bashkëpunimit me shtetet që rrezikojnë sigurinë globale. Ato njihen si “shtete batakçi” dhe si të tilla konsiderohen kryesisht Irani, Korea Veriore, Siria dhe Kuba, që janë regjime autoritare, sponzorojnë terrorizmin dhe synojnë të profilerojnë armët e shkatërrimit në masë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Ndërtimi i politikës së jashtme të shteteve individuale duhet të ketë parasysh në masë të madhe aspektin e sigurisë globale dhe ndikimin e saj në politikën rajonale. I tillë është aspekti i terrorizmit. Kosova duhet të jetë plotësisht e kujdesshme dhe e vendosur gjatë hartimit të vijave të plota të politikës së saj të jashtme, duke pohuar distancën me shtetet që nuk janë të denja për të qenë në marrëdhënie diplomatike me familjen Perëndimore, pjesë e së cilës synon të jetë vendi. Konkretisht, Kosova duhet të ketë qasje të njëjtë me Perëndimin dhe të theksojë shprehimisht qasjen e mos-bashkëpunimit në asnjë formë me shtetet rrezikuese të sigurisë botërore. Tek e fundit, elementet që kanë të bëjnë me politikat e sigurisë janë më kryesoret në formulimet e politikës së jashtme të secilit shtet. Prandaj, vëmendje e posaçme duhet fokusuar mbi lëvizjet terroriste dhe shtetet që kanë lidhje të drejta apo të tërthorta me organizata dhe grupe terroriste. Megjithëse, saherë që përmendet terrorizmi, pothuaj të gjitha asociimet direkte bëhen me rrezikun e përshkallëzuar nga islamizmi, kërcënimet globale janë më të gjera dhe përfshijnë një mori zhvillimesh negative shoqërore e politike.
II
Në kohën kur rrjedhat botërore kanë ndryshuar për shkak të akteve të rënda që kanë ndodhur viteteve të fundit, rajoni Ballkanik është për herë të parë i rrezikuar në mënyrë direkte nga një zhvillim i tillë ekstrem, përkatësisht fundamentalizmi religjioz ilslamist. Megjithëse, sikurse thonë autorët, terrorizmi i sotëm është ajo që specialistët e quajnë terrorizmi nga poshtë-lartë. Porse, sikurse të gjitha fenomenet politike, terrorizmi është i definuar përmes dualitetit midis ideve të shpalluara dhe implementimit të këtyre ideve. Dhe, sikurse të gjitha fenomenet politike, terrorizmi ekziston vetëm në kontekstin kulturor dhe historik. Për tri dekada, aktivitetet e grupeve terroriste ishin të lidhura ngusht me ideologjinë Marksiste. Këtyre ditëve, rëndësia e komponentës kulturore është edhe më evidente në lëvizjet terroriste të inspiruara nga religjioni sesa në ato të bazuara në nacionalizëm apo sktrikt në prirje ideologjike. Por, janë lëvizjet religjioze ato që po arrijnë të jenë më të zëshme. Hamasi dhe al Qaeda, në veçanti, kombinojnë aspiratat politike ose pseudo-politike (shkatërrimi i Izraelit dhe/ose SHBA-ve) me një nuancë religjioze që shërben si qëllim kryesor për rekrutime.
III
Në pikëpamjen që Kosova do të ndërtojë për botën përmes politikës së saj të jashtme, duhet qartë të përcaktohet prirja për mos-ndërtim të bashkëpunimit me shtetet që rrezikojnë sigurinë globale. Ato njihen si “shtete batakçi” dhe si të tilla konsiderohen kryesisht Irani, Korea Veriore, Siria dhe Kuba, që janë regjime autoritare, sponzorojnë terrorizmin dhe synojnë të profilerojnë armët e shkatërrimit në masë. Autorët thonë se shtetet mund të angazhohen në terrorizëm në tri mënyra: terrorizmin qeveritar apo shtetëror; përfshirja e shtetit në terrorizëm; dhe sponzorimi i terrorizmit nga shteti. Shtetet që sponzorojnë terrorizmin në fakt i sigurojnë furnizime, trajnime dhe forma tjera të mbështetjes organizatave jo-shtetërore terroriste. Njëra prej mënyrave më të çmueshme që këto shtete i ofrojnë terroristëve janë mjediset e sigurta, sikurse edhe dokumente false, jo vetëm për identifikim personal, por edhe për transaksione financiare apo blerje armësh. Formë tjetër është edhe mbrojtja diplomatike. Shembuj të tillë të sponzorimit ka dhënë qeveria e Sirisë për Hamasin dhe Hezbollahun. Prandaj, Kosova për shkak të mospërvojës së saj shtetërore, duhet të jetë vërtetë e kujdesshme, e qartë dhe e vendosur.
IV
Në të vërtetë, edhe vetë koncepti i terrorizmit duhet të ketë qartësinë e nevojshme në politikë-bërjen e Kosovës, dhe më pastaj të qartësohen edhe mënyrat e luftimit të tij saherë që është e nevojshme. Departamenti i Shtetit i SHBA-ve definon terrorizmin si “përdorim ose kërcënim i kalkuluar i përdorimit të dhunës joligjore për të ngulitur frikën, që ka për qëllim të detyrojë ose kërcënojë qeveritë apo shoqëritë që të ndjekin qëllimet përgjithësisht politike, religjioze ose ideologjike”. Brenda këtij definimi ekzistojnë tri elemente kryesore: dhuna, frika dhe kërcënimi. Ndërsa, OKB-ja në vitin 1992 ka definuar terrorizmin si “një metodë ankth-prurëse e përsëritjes së veprimeve të dhunshme, e përdorur nga individë, grupe apo aktorë shtetërorë, për arsye ideosinkretike, kriminale apo politike, të cilat nuk kanë për qëllim kryesor cakun direkt të akteve terroriste”. Shumica e definimeve akademike i kanë shtuar edhe dy koncepte tjera të rëndësishme, si “gjeneratorë të mesazheve” dhe “procese të komunikimit të bazuara mbi dhunë”. Në kontekstin e kompleksitetit të rasteve të ndryshme, është e njohur fjalia se “ai që është terrorist për dikë, është luftëtar i lirisë për dikë tjetër”. Prandaj, Kosova, në fillimet e të qenit subjekt në rendin botëror, duhet të përcaktojë qartë mënyrën e sjelljes në botë.
Botuar në "Zëri" më 6 tetor 2008, fq. 12.