Monday, May 26, 2008

Paqartësia e vizionit

Loja pa fitues

Paqartësia e vizionit

Është më shumë se i domosdoshëm qartësimi i vizionit vendor dhe ndërkombëtar për pesë vjetët e ardhshme të Kosovës së pavarur. Brenda kësaj periudhe, Kosova do të implementonte aranzhmanet dhe obligimet që ka marrë me Pakon e Ahtisarit, ndërsa misionet ndërkombëtare (ICO dhe EULEX) do të përfundonin punën. Kosova do t’i afrohej BE-së dhe NATO-s, rajoni do të ishte stabil dhe paqësor

Shkruan: Burim Ramadani

I
Pak javë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nevoja për qartësim të autoritetit është duke u rritur edhe më shumë. Shpallja e pavarësisë së vendit deri më tash nuk ka arritur të gëzojë frytin e paraparë apo të synuar, përkatësisht vënien e autoriteteve të Kosovës në qendër të vendim-marrjes politike dhe juridike. Periudha e shumëpërfolur e tranzicionit të kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës ende e pafilluar mirë, është afruar në fundin e afatit kohor. 15 qershori deri më tash është përcaktuar të paktën deklaritivisht si pikë kthese në marrëdhëniet juridike (në mos ndërrim politikash) midis institucioneve vendore dhe administratës së deritashme vendosëse në Kosovë, UNMIK-ut. Porse, ditëve të fundit janë ngritur dilemat nëse mesi i qershorit do të qartësojë apo jo të ardhmen e raporteve midis kosovarëve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë apo edhe më keq në pjesë të ndryshme të Kosovës. Kjo ka shkaktuar paqartësi të theksuar në projektimet e mëtejshme politike, duke mos i lënë hapësirën e nevojshme krijimit të atmosferës optimiste për shtetin e Kosovës.

II
Planifikimi për vendosjen e misioneve të reja ndërkombëtare (ai i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe misioni i BE-së në polici dhe drejtësi EULEX), ka dhënë shenja të fuqishme të devijimit fillestar në praktikë. Nëse pengesat që kanë dalë para këtyre misioneve dhe sidomos EULEX-it janë të përkohshme, atëherë edhe shtyrja e vendojses të plotë të këtyre misioneve mund të jetë e përkohshme. Porse, në rastin më të keq, paqartësia e mandatit real të këtyre misioneve mund të jetë më afat-gjate dhe si pasojë do të jetë e paqartë edhe zhvillimi i autoritetit në Kosovë. Vazhdimi i UNMIK-ut në Kosovë qoftë edhe si i rikonfiguruar është një lajm i keq për Kosovën dhe qartësinë politike të vendit. I tillë është edhe për misionet e reja ndërkombëtare, të cilat tashmë disa herë vetëm kanë thënë se do të jenë në Kosovë deri në kohën kur Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pra, të paktën kohë-zgjatja e këtyre misioneve të reja është goxha e qartë, ato do të jenë në Kosovën e pavarur deri në kohën kur vendi do të bëhet anëtar i BE-së dhe kjo në analizën më optimiste të mundshme do të thotë rreth një dekadë.


III
Për gati nëntë vjet me radhë, administrata e OKB-së në Kosovë ka treguar një brishtësi në vendim-marrje, jozotësi në zgjidhje të konfliktit, ngadalësi në veprime politike dhe vullnet të paktë për të përfunduar proceset me shpejtësi. UNMIK-u mund të cilësohet i suksesshëm në vija të trasha të përmbushjes apo implementimit të manadatit që ka marrë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Por, shikuar nga aspektet praktike dhe gjendja politike në terren, vihen në pah një varg dështimesh të UNMIK-ut, të cilat i kanë kushtuar Kosovës, rajonit dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithsësi. Administrata ndërkombëtare në Kosovë gjatë tërë periudhës së administrimit të vendit ka dështuar në masë të madhe në të paktën gjashtë pika kryesore: strukturat paralele të shtetit të Serbisë; mosintegrimin e serbëve të Kosovës në jetën politike dhe publike; mos-arritjen e shtrirjes së autoritetit të plotë në tërë territorin e Kosovës; diskreditimin në masë të madhe si administratë në zgjidhjen e konfliktit; mostransparencën e veprimeve; dhe ndikimet personale në linjat e përgjithshme të politikave të zhvilluara nga UNMIK-u.

IV
Pasojat e paqartësisë së manadateve legale dhe politike të misioneve ndërkombëtare në Kosovë mund të jenë të mëdha dhe afat-gjatë. Në fakt, këto pasoja mund të shmangen tash dhe pothuaj asnjëherë më vonë. Strategjia e vendosjes së një misioni në një vend të pavarur duhet të parashikojë edhe mënyrën e zhvillimit/ndryshimit brenda mandatit, sikurse edhe strategjinë dalëse të domosdoshme. Tashmë është bërë thellësisht brengosëse dalja e një misioni për t’u zëvendësuar me një mision tjetër ndërkombëtar në Kosovë. Ndërkohë, me muaj dhe vite të tëra kosovarët do të drejtoheshin kah kërkesa për largimin e misionit të parë, duke i dhënë hapësirë politike të veprimit për misionet tjera të reja në vend. Ajo që tashmë është më shumë se e domosdoshme është qartësimi i vizionit vendor dhe ndërkombëtar për pesë vjetët e ardhshëm të Kosovës së pavarur. Brenda kësaj periudhe, Kosova do të implementonte aranzhmanet dhe obligimet që ka marrë me Pakon e Ahtisarit, ndërsa misionet ndërkombëtare do të përfundonin punën. Kosova do t’i afrohej BE-së dhe NATO-s, ndërsa rajoni do të ishte stabil dhe paqësor.

Botuar në “Zëri” më 26 maj 2008, fq. 9.

Friday, May 23, 2008

Fushata informuese për decentralizim do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës


http://www.kosovapress.com/ks/index.php?cid=1,7,45767





Fushata informuese për decentralizim do të përfshijë të gjitha rajonet e Kosovës
23 maj 2008


Burim Ramadani

Është shumë e nevojshme që opinioni të marrë informata të dorës së parë rreth konceptit të reformës së pushtetit lokal dhe decentralizimit. Për këtë arsye besojmë se opinioni duhet të informohet shumë më shumë sa i përket decentralizimit dhe elementeve që hyjnë në këtë proces, andaj ne do të mundohemi të kontaktojmë me të gjitha komunat dhe t’u sqarojmë atyre përfitimet që komunat dhe qytetarët do të kenë me këtë proces, ka thënë një në intervistë për Kosovapress zëdhënësi i fushatës informuese për procesin e decentralizimit, njëherësh këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Pushtetit Lokal Burim Ramadani.

Kosovapress: Keni paralajmëruar fushatë për decentralizim. Çfarë mëtoni të arrini me këtë fushatë?

Ramadani: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është bashkëkryesuese e grupit ndërministror për procesin e decentralizimit bashkë me zotin Piter Feith, ku do të marrin pjesë edhe ministritë tjera, donatorë dhe organizata të interesuara. Në kuadër të angazhimeve që ky grup ndërministror ka bërë deri më tani, ka vendosur që të themelojë një grup për fushatë informuese dhe komunikim me qytetarë, i cili do të ketë për detyre të përgatisë dokumentet dhe të hartojë konceptin e fushatës informuese me qëllim që te opinioni publik të sqarojmë gjithë procesin e reformës së pushtetit lokal dhe decentralizimin si pjesë të kësaj reforme.
Deri më tani ne kemi arritur që të punojmë konceptin bazë siç është plani i punës dhe përshkrimi i detyrave të punës, si dhe të kontaktojmë me donatorë dhe organizata tjera të interesuara në këtë proces. Ne jemi të angazhuar për të filluar në mënyrë komplete me komponentët mediale dhe aktivitete në terren, me qëllim të sqarimit sa më të mirë procesin e reformës së pushtetit lokalë dhe decentralizimin.

Kosovapress: Mendoni se opinioni nuk ka qenë edhe aq i informuar për projektin e decentralizimit dhe për këtë është iniciuar një fushatë e tillë?

Ramadani: Ne kemi vlerësuar se është shumë e nevojshme që opinioni të marrë informata të dorës së parë rreth konceptit të reformës së pushtetit lokal dhe decentralizimit. Për këtë arsye besojmë se opinioni duhet të informohet shumë më shumë sa i përket decentralizimit në përgjithësi dhe të gjitha elementeve që hyjnë në këtë proces në kuadër të pushtetit lokal. Opinioni duhet të njoftohet se të gjitha komunat e Kosovës preken në kuptimin pozitiv sa i përket decentralizimit dhe janë disa reforma që janë të parapara edhe me pakon e Ahtisarit, por edhe me platformën e Qeverisë së Kosovës për decentralizimin dhe reformën e pushtetit lokal. Ne do të mundohemi të kontaktojmë me të gjitha komunat dhe t’u sqarojmë atyre përfitimet që komunat dhe qytetarët do të kenë me këtë proces. Në këtë kuadër hyn edhe bartja e kompetencave për të gjitha komunat e Kosovës dhe krijimi i komunave të reja.

Kosovapress: Më lart përmendet edhe donacionet. A keni gjetur mirëkuptim nga ana e donatorëve për ta ndihmuar këtë fushatë?

Ramadani: Deri më tani kemi mirëkuptim të plotë nga disa organizata dhe misione që funksionojnë në Kosovë, në kuadër të së cilës ICO, USAID, Banka Botërore dhe OSBE janë të angazhuara dhe nga të cilat kemi gjetur mbështetje në punën tonë, në mënyrë që decentralizimi dhe fushata për informim t’u bëjë të qartë qytetarëve për të mirat dhe elementet pozitive që janë të përfshira në këtë projekt.

Kosovapress: A besoni në suksesin e kësaj fushatë?

Ramadani: Ne besojmë se për një periudhë jo të gjatë kohore të sqarojmë mirë tek opinioni publik vendor se decentralizimi është një proces që është i drejtuar kah përmirësimi i jetës së qytetarëve në të gjitha komunat. Aftësia më e madhe për ta është të marrin pjesë në vendim marrje në nivele komunale, ndërsa niveli qendror do të ruajë të gjitha atributet shtetërore nacionale sikurse në çdo shtet tjetër.

Kosovapress: Në cilat rajone do të fokusoheni më tepër?

Ramadani: Me këtë fushatë ne do të mundohemi që të përfshijmë të gjitha rajonet e Kosovës, për shkak se të gjitha komunat do të jenë përfituese nga decentralizimi. Nuk do të kemi një rajon më specifik ose më pak specifik. Do të mundohemi të kontaktojmë me të gjitha shtresat e popullsisë për të sqaruar çka më të vërtetë është reforma e pushtetit lokal dhe decentralizimi.

Kosovapress: Pse e keni vlerësuar si të nevojshme mbajtjen e një fushate të tillë?

Ramadani: Sikurse çdo aktivitet tjetër që merret për ndryshime në jetën e qytetarëve, kemi vlerësuar se është e nevojshme që për procesin e decentralizimit të informojmë saktësisht qytetarët për mbajtjen dhe qëllimin e këtij procesi dhe cilat janë elementet që e karakterizojnë.

Kosovapress: Cila do të jetë kostoja e këtij projekti?

Ramadani: Nuk kemi llogari përfundimtare të fushatës informuese për decentralizimin, por jemi në kontakte me donatorë të ndryshëm, ku mund të them lirisht që kostoja që do të futet nga buxheti i Kosovës do të jetë minimale nëse nuk do të arrijmë që mos të shpenzojmë asnjë cent prej buxhetit të Kosovës, për shkak se kemi arritur që të kemi përkushtimin e shumë donatorëve që të ndihmojnë në procesin e decentralizimit, e posaçërisht në fushatën informuese të këtij procesi.

Kosovapress: A ka mjete të mjaftueshme për implementimin e tanishëm të tij?

Ramadani: Deri më tani kemi zotime të mira të donatorëve për të cilat besojmë se do të na mjaftojnë.

Kosovapress: Ka pasur vërejtje rreth procesit të decentralizimit. Parashihni që mund të jetë i suksesshëm ky projekt?

Ramadani: Fushata do të ketë dy komponentë, atë të aktivitetit në terren dhe komponentin medial ku përfshihen spote në radio dhe televizione, broshurat, billbordet dhe elementet tjera. Ne jemi në përgatitje të agjendave në terren, ku do të jenë të përfshirë edhe ministri i Pushtetit Lokal dhe krerë të tjerë institucionalë, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë. Aktivitetet e këtij projekti do të fillojnë qysh në fillim të muajit qershor./Intervistoi: Mirjeta Dervishi/

Sunday, May 18, 2008

Sistemi zgjedhor – parakusht për demokratizim

Loja pa fitues
Sistemi zgjedhor – parakusht për demokratizim
Sistemi zgjedhor proporcional është me rëndësi të ruhet si i tillë, porse duhet përmirësuar atë. Nëse ka interesim për rritje të numrit të zonave zgjedhore, atëherë duhet shmangur thellimit të ndarjes midis regjioneve në Kosovë. Duhet shmangur, po ashtu, edhe parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit qoftë midis subjekteve, qoftë brenda të njëjtit subjekt politik
Shkruan: Burim Ramadani
I
Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe qartësimin e drejtimit të lëvizjes së prezencës ndërkombëtare në vend, një prej çështjeve kryesore me të cilat duhet të merret elita politika e shoqërore është sistemi zgjedhor. Duke pasur parasysh përvojën e përgjithshme të zgjedhjeve në Kosovë dhe atë të hidhur me zgjedhjet e fundit, në mënyrë imediate duhet menduar dhe gjetur mënyrën më të mirë të sistemit zgjedhor. Ajo që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të fundit të 17 nëntorit nuk do të duhej lejuar të përsëritet, nëse duam të kemi zhvillim dhe demokratizim të shoqërisë në drejtimet Perëndimore. Shkurtimisht duhet thënë se zgjedhjet e kaluara janë përcjellë me parregullsi qoftë midis subjekteve politike, qoftë edhe brenda vetë tyre. Nuk është i vogël numri i kandidatëve për deputët në Kuvendin e Kosovës të cilët deri më tash kanë konstatuar se në realitet kanë pasur më shumë vota se sa i janë konstatuar atyre zyrtarisht. Lufta e brendshme midis kandidatëve të të njëjtit subjekt politik ka shkatuar dyshime të ndryshme. Renditja e numrit të votava të marra për kandidatët ka qenë shumë e përafërt me atë renditje që është dhënë nga partia. Vetëm disa raste të izoluara kanë arritur që nga pjesa e poshtme të dalin në krye të listës nga votat.
II
Me nismat e fundit publike për të debatuar në rrethe të caktuara çështjen e sistemit të ardhshëm zgjedhor, është vënë në dukje një nevojë për të ndërtuar një sistem zgjedhor ndaj të cilit besimi i politikës dhe popullatës do të ishte më i madh. Realisht, nuk duket se besimi ekziston në këtë sistem. Prandaj duhet lëvizur qartësisht dhe përmirësuar sistemin zgjedhor në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë rregullsi të duhur. Tashmë janë dy opsione që do të mund të funksiononin për zgjedhjet e ardhshme. Opsioni i parë është ai i ruajtjes së sistemit proporcional me një zonë, duke ngritur pragun elektoral edhe më shumë, përkatësisht në 7.5 për qind. Në këtë rast do të duhej larguar mundësinë e votimit për dhjetë kandidatë brenda të njëjtin subjekt politik për shkak të diskreditimit që kjo formë i ka bërë sistemit në përgjithësi. Opsioni i dytë është ai i krijimit të zonave zgjedhore dhe në këtë rast do të duhej të krijohej nga një zonë zgjedhore për secilën komunë. Pra, nëse për zgjedhjet e ardhshme do të kemi 38 komuna, atëherë le të jenë 38 zona zgjedhore, duke bërë përpjestimin e numrit të popullatës në numër deputetësh. Në këtë rast, i takon ekspertëve juridikë dhe statistikorë që të bëjnë llogaritë e duhura për të mos lejuar humbjen e votave të qytetarëve.
III
Mundësia e ndërrimit të përfaqësimit proporcional si sistem zgjedhor është shumë e vogël dhe në fakt e panevojshme. Kosova do të ishte e rrugës të ruajë sistemin proporcional zgjedhor për të paktën katër arsye kryesore. Së pari, kështu matet forca reale e të gjitha subjekteve politike që kandidojnë në zgjedhje. Së dyti, nxit krijimin e koalicioneve për qeverinë për shkak të pamundësisë praktike që një subjekt politik të arrijë përqindje aq të lartë sa të merr të gjitha nën kontrollin e vet. Së treti, relativizon subjektet politike të vogla duke shkaktuar kështu krjimin e dy ose tri blloqeve të fuqishme në skenën politike të Kosovës. Së katërti, ky sistem është më i miri për të ruajtur përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe si i tillë ndikon në mundësitë e përfaqësimit legjitim. Me këto katër karakteristika, skena politike në Kosovë do të mund të profilizohej shumë më lehtë dhe qytatarët/votuesit do të kishin alternativa më të qarta para vetes kur i drejtohen kutive të votimit. Qoftë me një zonë zgjedhore apo me 38 të tilla, është tejet e rëndësishme të llogaritet mos-humbja e votave. Ideja për krimijin e pesë apo shtatë zonave zgjedhore në Kosovë përcillet me rrezikun e thellimit të ndarjes së regjioneve të caktuara në Kosovës, ndarje kjo që tashmë ka arritur nivelin më të lartë.
IV
Marrë në përgjithësi dhe bazuar në obligimet që Kosova ka marrë me shpalljen e pavarësisë, sistemi proporcional është ai sistem që garanton përfaqësim të të gjithëve në vend.Ky është një sistem i drejtë elektoral, i cili mund të ruhet. Për shoqëritë e përçara, siç është rati i Kosovës, sigurimi i zgjedhjes së një legjislativi me përfaqësim të gjerë duhet të jetë nën konsiderim krucial. Siç thotë Arend Lijphart, sistemi proporcional i përfaqësimit padyshim është mënyra optimale për ta bërë këtë. Ndërsa, Larry Diamond, duke folur për përshtatshmërinë e sistemeve zgjedhore thotë se duhet larguar nga ai mazhoritar. ,,Nëse ka një gjeneralizim rreth dizajnit të qëndrueshëm kushtetues...është ai se sistemi mazhoritar është një zgjidhje e keqe për vendet me përçarje të thella e të polarizuara etnike, regjionale, religjioze ose tjera”, thotë ndër të tjera Diamond në “Developing Democracy: Toward Consolidation” (1999). Madhështia e sistemit proporcional të përfaqësimit është fakti se përveç prodhimit të përfaqësimit proporcional dhe të minoriteteve, ky sistem i trajton të gjitha grupet – etnike, racore, religjioze, madje edhe grupet jo-komunitare- në një mënyrë plotësisht të barabartë. Pse duhet shmangur nga ky sistem?
Botuar në "Zëri" më 19 maj 2008, fq. 9

Pasojat e zgjedhjeve serbe

Loja pa fitues
Pasojat e zgjedhjeve serbe
Me mosndaljen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, situata e re mund të zhvillohet në një stad vërtetë të rëndë dhe të dëmtojë thellë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të qeverisur tërë territorin dhe qytetarët. Mbajtja e zgjedhjeve kalon nivelin e luftës së nervave dhe futet në rrethin që quhet provokim serioz i sovranitetit dhe stabilitetit të Kosovës
Shkruan: Burim Ramadani
I
Zgjedhjet e djeshme të Serbisë të mbajtura edhe në Republikën e Kosovës kanë ndritur dilema të ndryshme rreth vija të përgjithshme dhe specifike të funskionimit në Kosovë. Pavarësisht prej rezultateve të këtyre zgjedhjeve, votimet në Kosovë kanë shkaktuar në mënyrë të pakthyeshme një hendek të madh midis angazhimeve për stabilizimin e shtetit të Kosovës dhe gjendje faktike politike e në terren. Me mosndaljen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, situata e re mund të zhvillohet në një stad vërtetë të rëndë dhe dëmton thellë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të qeverisur tërë territorin dhe qytetarët. Kushdo që thotë se këto zgjedhje nuk kanë shkaktuar një situatë të re dhe shumë të rëndë, pa dyshim se nuk njeh apo nuk dëshiron të shoh atë që po ndodh. Se si do të pasjonë rrejdhat e mëtutjeshme duhet të analizohen thellësisht disa specifika të cilat do të mund të jenë në qendër të lëvizjeve politike në ditët dhe javët e ardhshme. Qëllimet politike të Beogradit duket qartë se janë destabilizimi i Kosovës në të gjitha nivelet, qofshin politike, juridike, kushtetuese, të sigurisë, sovranitetit, si dhe të prezencës ndërkombëtare.
II
Zgjatja e jetës dhe fuqizimi i strukturave paralele të Serbisë në Kosovën e pas-shpalljes së pavarësisë do të mund të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Porse, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është vërtetë vështirë të shihet mundësia e eliminimit të këtyre strukturave. Pas votimeve të djeshme dhe më pas me krijimin e komunave qeverisjes lokale sipas ligjeve të shtetit të Serbisë në Kosovë faktikisht bëhet pothuaj i pamundur që qetësisht të shuhen strukturat prezente paralele serbe dhe njerëzit nga pakica serbe të integrohen në mënyrë të plotë në jetën politike dhe publike nën autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo në fakt e vendos Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare para një akti të kryer, kur ngushtohet niveli i mundësive për lëvizje të dobishme politike të shumicës. Dy opsionet që mund të vëhen në diskutim janë përdorimi legal i forcës apo fillimi i negociimit të brendshëm dhe të jashtëm. Deri më tash, duket se përdorimi i forcës nuk është në vullnetin politik ndërkombëtar. Prandaj, rreziku është real që opsioni i negociimi të merr mbështetje.
III
Zinxhiri i rrjedhave të ardhshme gjithsesi lidhet me vazhdimin e ndikimit të vrazhdtë të Serbisë. Ky realisht ka qenë dhe është një qëllim të synuar të Qeverisë së Serbisë, sidomos prej kohës kur Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008. Por, me zhvillimin e zgjedhjeve (sidomos atyre lokale) edhe në Kosovë, në të vërtetë Serbia ka fituar një betejë në luftën e mëtutjeshme për kontrollin e situatës në Kosovë. Me të drejtë këta poteza janë cilësuar edhe si ‘luftë nervash’ në përgjithësi, duke i dhënë kështu hapësirë mundësisë së fitores finale në bazë të asaj se cilën palë do ta lëshojnë nervat dhe kur do të ndodh kjo. Porse, mbajtja e zgjedhjeve kalon nivelin e luftës së nervave dhe futet në rrethin që quhet provokim serioz i sovranitetit dhe stabilitetit të Kosovës. Tashmë, Serbia ka arritur që edhe njëherë të jetë faktor i rëndësishëm i vendosjes për serbët e Kosovës dhe rrjedhimisht palë e rëndësishme për zhvillimet e mëtejshme në Kosovë. Qeveria e Beogradit veçmë është kthyer në palë negociuese me OKB-në edhe pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa tash ajo do të ketë rolin direkt edhe në stabilitetin e përgjithshëm.
IV
Zhagitja e qartësisë politike që po ndodh në Kosovën e pas-statusit sa i përket autoritetit kryesor në vend jep hapësirë edhe për realizimin e një qëllimi tjetër të Serbisë. Rritja e tensioneve ndër-etnike në Kosovë duket se është një synim politik i Beogradit, por mund të thuhet se kjo nuk është ka arritur në nivelin që do të dëshironte ndoshta shteti fqinj. Sidoqoftë, me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë në nivelin e një problemi vërtetë kritik vendoset fakti i prodhimit të pushtetit politik në Kosovë që nuk do t’i përgjigjet as UNMIK-ut dhe as institucioneve të Kosovës. Me këtë mund të nënkuptohet forcimi i strukturave paralele dhe rrjedhimisht edhe me tensione ndër-etnike. Pozita e serbëve të Kosovës në këtë mes është duke u keqpërdorur në kontinuitet nga Serbia për të komplikuar procesin e përgjithshëm dhe situatën politike e të sigurisë në teren. Kjo deri më tash nuk ka hasur në ndonjë kundërpërgjigje të shumicës shqiptare në terren, mirëpo nuk duhet larguar asnjëherë rrezikun që kujdesi të humb nivelin. Atëherë, kriza do të mund të tejkalohej me aranzhmane të reja, nëse është e pamundur që Plani i Ahtisarit të shkatërrohet plotësisht.
Botuar në "Zëri" më 12 maj 2008, fq. 12.

Monday, May 5, 2008

Definimi i interesit nacional

Loja pa fitues

Definimi i interesit nacional

Me shpalljen e Planit të Ahtisarit si interes nacional i Kosovës bëhet plotësisht e qartë se ky Plan në asnjë element nuk mund të ndryshojë për shkak të ideve apo nismave të ndryshme që dikujt mund t’i bien ndërmend për të joshur serbët e Kosovës apo Serbinë. Pasojat e të kundërtës mund të jenë të drejtuar kah humbja e kohës për Kosovën (sikur në dy vjetët e para me Standardet) dhe zgjerimin e Planit të Ahtisarit si strategji për zgjidhjen e konfliktit etnik në Kosovë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Pas rreth tre muaj prej se Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, korniza e zhvillimeve të brendshme politike dhe të sigurisë ka mbetur e paqartë dhe e brishtë. Madje, për më tepër, nuk është qartësuar as përkushtimi i drejtimit të lëvizjes së shoqërisë kosovare në kuptimin e identifikimit të guximshëm të interesit nacional të Kosovës të paktën në një periudhë afat-shkurtër apo afat-mesme. Sikurse secila organizatë e profilit të caktuar, edhe shteti (si organizatë e kompletuar dhe e autorizuar për përdorim legjitim të forcës) duhet të ketë të përcaktuar qartë objektivat që dëshiron të arrijë, si dhe mënyrat apo rrugët nëpër të cilat duhet kaluar me përkushtim. Objektivat kryesore të shtetit më pas shpallen interes nacional dhe si të tilla mbrohen fuqishëm nga tendencat e ndryshme që vijnë nga brenda apo jashtë-institucionale dhe nga vendet tjera. Në fakt, interesi nacional mbrohet ndaj interesave nacionale të shteteve tjera të çfarëdo niveli qofshin tendencat e tilla. Parakusht i domosdoshëm për definimin e interesit nacional është vetë kuptimi i plotë i objektivit në mënyrë që të përcaktohet edhe mënyra e arritjes.

II
Pyetja që mund të shtrohet në këtë konteskt është e thjeshtë dhe si e tillë kërkon edhe përgjigje adekuate dhe më pas qartësim të rrugës përpara. Cili është në të vërtetë interesi nacional i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit më 17 shkurt të vitit 2008? Padyshim se funksionalizimi i shtetit, forcimi i paqes dhe ndërtimi i demokracisë është përgjigja e parë dhe e vetme që mund jepet në cilindo nivel. Atëherë, duhet të shihet objektivisht bazën e shpalljes së pavarësisë dhe obligimeve që kemi marrë si shtet për të ardhmen. Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit në këtë kuptim është baza dhe synimi i të gjithave që duhet të ndodhin pas 17 shkurtit, përkatësisht pas aktit më të madh historik të Kosovës. Me qëllim të krijimit të të gjitha mekanizmave të duhur dhe të domosdoshëm për të arritur atë që është paraparë në Planin e Ahtisarit, Kosova duhet ta ketë të qartë nuk ka përse të paraqiten dyshime ndaj këtij Plani. Tek e fundit, gati një qind për qind e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar këtë plan, duke marrë në të njëjtën kohë të gjitha obligimet që përcaktohen për funksionimin e mëtejshëm të Kosovës.

III
Për të përcaktuar Planin e Ahtisarit si interes nacional të Kosovës, duhet përmbushur dy parakushte themelore. Së pari, duhet të kuptohet nga vetë ne pa mëdyshje se Kosova do të lëviz në drejtimin e përmbushjes së obligimeve të Planit dhe si të tilla këto obligime duhet të kthehen në angazhime të plota të vendit, përkatësisht në top-agjendën e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë kosovare. Së dyti, duhet të bëhet plotësisht e qartë se interesi nacional i Kosovës (Plani i Ahtisarit) në asnjë element nuk mund të ndryshojë për shkak të ideve apo nismave të ndryshme që dikujt mund t’i bien ndërmend për të joshur serbët e Kosovës apo Serbinë në rrugën e saj drejt askundit, por as prej nesh. Me shpalljen e Planit të Ahtisarit si interes nacional të Kosovës jepet mesazhi i fuqishëm nga Prishtina për të ndalur të gjitha përpjekjet e kujtdo qofshin pë t’u futur në ndonjë aventurë të re sikurse është rasti i fundit i filluar nga zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Zhan Mari Geno, për të zhvilluar bisedime me Serbinë për çështje që i takojnë Kosovës. Në këtë mënyrë, edhe oferta për serbët e Kosovës nuk do të mund fare të zgjerohej.

IV
Pasojat e të kundërtës mund të jenë të drejtuar kah humbja e kohës për Kosovën dhe zgjerimin e Planit të Ahtisarit si strategji për zgjidhjen e konfliktit etnik në Kosovë. Nëse institucionet e Kosovës nuk do të angazhohen me kohë në krijimin e mekanizmave, trupave, strategjive dhe planeve për implementimin e Planit të Ahtisarit, kjo do të shkaktonte një status-kuo të paqartësisë politike të Kosovës për aq kohë sa nuk ka veprime konkrete. E njëjta kishte ndodhur për më shumë se dy vjet (2002-2004) kur institucionet e Kosovës nuk kuptuan se ‘Standaret për Kosovën’ është strategjia dalëse për të filluar bisedimet mbi statusin e vendit. Kjo pati shkaktuar humbje në kohë, sepse në fund të fundit përsëri është dashur që të punohet me kapacitet të plotë në përmbushjen e standardeve. Pasoja e dytë ka të bëjë me idetë dhe nismat për të bërë kompromise të reja në raport me serbët e Kosovës dhe qeverinë e Serbisë me qëllim të përmirësimit të raporteve ndër-etnike. Status-kuoja nuk mund të zgjas shumë, prandaj njerëz në nivele të ndryshme do të mendonin për tejkalimin e situatës. Kjo nuk duhet lejuar. Kështu, ngritja e Planit të Ahtisarit në nivel të interesit nacional do të mundësonte Kosovën të mos shkojë asnjë hap prapa.

Botuar në “Zëri” më 5 maj 2008, fq. 9.