Monday, July 28, 2008

Karaxhiqët e Serbisë

Loja pa fitues

Karaxhiqët e Serbisë

Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë falje Kosovës për vënien në një tavolinë me bashkëpunëtorët e kriminelëve të luftrave në Jugosllavi. Sinqeriteti bashkëpunues i Kosovës gjatë procesit të negociatave ishtë përballur me lojën e egër të Koshtunicëve, që i ndihmuan për një dekadë Karaxhiqëve t’i ikin përballjes me dhunën dhe gjenocidin e bërë nga ta. Duhet ditur qartë se monstrumi Millosheviq ishte produkt i nacionalizmit serb dhe jo nacionalizmi serb produkt i një projekti të hallakatur të Millosheviqit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Një javë më parë, lajmi për arrestimin e kriminelit të akuzuar, Radovan Karaxhiq, pushtoi pothuaj të gjitha shtëpitë mediale në botë. Fokusi më i madh i mundshëm iu dha këtij lajmi në mediat Perëndimore, në Ballkan dhe në Rusi. Ishte vërtetë lajm. Pothuaj të gjithë përshëndetën dhe i duartrokitën këtij veprimi të Serbisë. Disa madje thanë se ky është një hap i madh i Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe orientimit Perëndimor. Të tjerët thanë se Serbia po shkon kah stadi i të qenit vend kandidat për anëtarësim në BE. Edhe Kosova me mundësitë dhe fuqinë e vet përshëndeti arrestimin e njërit prej njerëzve më të kërkuar në botë nga drejtësia ndërkombëtare. Kryeministri doli në CNN-në, jo për të folur për takimin me presidentin amerikan Bush, por për të uruar Serbinë për arrestimin e Karaxhiqit. Por, me arrestimin e tij mbaroi pjesa e tregimit të lajmit. Tjera dilema dhe pyetje u hapën menjëherë. Kush e ka mbajtur dhe fshehur Karaxhiqin për më shumë se një dekadë? Kush tjetër ka pasur informacione rreth vendndodhjes së tij? Pse nuk është arrestuar më herët? Cila ishte dhe është vlera/rëndësia politike e arrestimit të një shumë të kërkuari, i cili edhe më tutje ka mbetur pjesë e jetës politike në disa aspekte specifike?

II
Në kohët e kaluara, Serbia është parë ndoshta prej një numri të madh të qeverive si një nga shtyllat kryesore të Jugosllavisë së atëhershme pseudo e painkuadruar. Ka argumente pro dhe kundër kësaj qasjeje, por sidoqoftë është e qartë që Serbia ka qenë një prej Republikave më të zhvilluara dhe më e madhja në ish-Jugosllavinë. Madje edhe kryeqyteti u vendos të ishte Beogradi, si një prej qyteteve më të mëdha brenda gjashtë republikave. Mangësia e pozicionit më të mirë gjeografik të Serbisë nuk u bë pengesë që të tëra zhvillimet të ndodhnin në dhe rreth Beogradit. Pavarësisht se Jugosllavia pati vende dhe qytete të mrekullueshme për kohën, Beogradi arriti të ndërtohet si është më së miri duke u bazuar në në parimin e njohur “tjerët punojnë, Beogradi ndërtohet”. Republikat e vogla e shihnin Serbinë si qendër, derisa Sllovenia dhe Kroacia ishin të vetmet që herë pas here i bënin konkurrencë. Kjo dalngadal ndikoi në mentalitetin e serbëve, duke perceptuar kombin serb si kombin superior në Jugosllavi. Për më keq, maqedonasit, boshnjakët dhe malaziasit ranë nën ndikim të dukshëm të Serbisë, për të nxitur më pas dëshirën ekspansioniste serbe për vite me radhë.

III
Në fundin e shekullit të njëzet, gjithçka kishte marrë formën e dukshme. Populli serb i dha leksion shkatërrimi Jugosllavisë. Doli se aty kishte vend edhe për nacionalizmin ekstrem, i cili pati rrënjët në idenë monstruoze të krijimit të të ashtuquajturës Serbi e Madhe sipas parimit të çmendur ‘ku ka serb është Serbi’. Kjo hallakamë mendore, shpirtërore dhe politike i kushtoi rajonit qindra mijëra të vrarë, shkatërrim të tmerrshëm, dhunë e gjenocid. Mbi të gjitha, kjo i dha fund një bashkëjetese të tentuar të një pjese të popujve të Ballkanit, disa prej të cilëve (sikurse kombi slloven) nuk kanë merituar që nga fillimi të futen në të njëjtin thes. Monstrumi Millosheviq ishte produkt i nacionalizmit serb dhe jo nacionalizmi serb produkt i një projekti të hallakatur të Millosheviqit. Sa më shpejt të kuptohet konstatimi i këtillë, aq më shpejt do të mund të funksionojnë ripajtimi në Ballkan. Në bazë të projektit nacionalist të kombit serb, liderët bashkëpunëtorë të Sllobos, sikurse Karaxhiqi, Shesheli, Koshtunica, Samarxhiqi dhe bashkëkriminelët si Mlladiqi, Pavkoviqi, Arkani e mijëra të tjerë, u bënë misionarët e tentimit të implementimit të çmendurisë alla-hitleriane gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore.

IV
Natën që u njoftua për arrestimin e Karaxhiqit, automatikisht në mënyrë të pathënë u tregua se Serbia ka luajtur me botën Perëndimore. Të paktën që nga viti 2006 kur patën filluar negociatat mbi statusin e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare pranoi me apo pa dije t’i zgjas dorën dhe të bisedojë me bashkëpunëtorët e kriminelëve. Tashmë doli se Karaxhiqi ka qenë tërë kohën i ndihmuar nga shërbimi sekret serb, në krye të të cilit ishte nacionalisti Koshtunica. Normalisht se bashkësia ndërkombëtare dhe Kosova duhet të kenë një reagim të fuqishëm ndaj këtij fakti. Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë falje Kosovës për vënien në një tavolinë me një bashkëpunëtor të kriminelëve të luftës së Bosnjës që jo rastësisht kishte arritur të bëhej kryeministër i Serbisë së izoluar. Sinqeriteti bashkëpunues i Kosovës gjatë procesit të negociatave ishtë përballur me lojën e egër të Koshtunicës e të tjerëve që i ndihmuan për një dekadë Karaxhiqëve t’i ikin drejtësisë ndërkombëtare dhe përballjes me dhunën dhe gjenocidin e bërë nga ta. Kosova nuk ka merituar të futet në një tavolinë me Koshtunicët dhe për këtë bashkësia ndërkombëtare duhet të kërkojë falje publike. Karaxhiqët e Serbisë duhet ndëshkuar në të gjitha anët.

Botuar në “Zëri” më 28 korrik 2008, fq. 11, si dhe
"Gazeta Shqip" në Tiranë më 30 korrik 2008, fq. 9. shih:
në gazetën "Infopress" më 31 korrik 2008, fq. 13.

Monday, July 21, 2008

Kosova dhe strategjia nacionale e sigurisë

Loja pa fitues

Kosova dhe strategjia nacionale e sigurisë

Është koha të flitet hapur për nevojën e hartimit të strategjisë nacionale të sigurisë së Kosovës. “Strategjia e madhe” paraqet artin dhe shkencën e zhvillimit, integrimit dhe vendosjes së instrumenteve politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, ndërkombëtare dhe instrumente tjera të fuqisë dhe influencës nacionale për të siguruar objektivat politike në luftë dhe paqe. Si shtet i vogël, Kosova duhet të fus NATO-n, BE-në dhe OKB-në brenda strategjisë së vet

Shkruan: Burim Ramadani

I
Stadi i ri i zhvillimit të Kosovës paraqet nevojën për përgatitje ndaj proceseve të reja, sikurse edhe në aspektin e kompletimit të mekanizmave, trupave dhe dokumenteve të nevojshme për funksionimin e duhur si shtet i barabartë me shtetet tjera. Në këtë kontekts, është koha kur duhet filluar përgatitjet për të marrë përgjegjësitë edhe për sigurinë nacionale të Kosovës, si pjesë tejet e rëndësishme e autoritetit të secilit shtet në botë. Megjithëse, teoritikisht ka definime të ndryshme sa i përket sigurisë në përgjithësi, ajo që është në interes të secilit vend ka të bëjë me sigurinë nacionale. Tashmë edhe në Kosovë është koha të flitet për koncpetin e sigurisë nacionale. Me Kushtetutën e vendit janë përcaktuar qartë se do të themelohen institucionet dhe mekanizmat përkatës të kësaj fushe. Këshilli i Sigurisë së Kosovës, konkretisht, duhet të ketë rol të rëndësishëm në vlerësimin e sigurisë nacionale, si dhe hartimin e politikave të sigurisë nacionale. Nevoja për të funksionalizuar këtë Këshill është përcaktuese për zhvillimin e një shteti të kompletuar, ndërsa mungesa e këtij Këshilli ka vënë në pah mangësi të ndryshme në këtë aspekt.

II
Siguria nacionale tradicionalisht është fokusuar në rend të parë mbi kërcënimet ndaj shtetit, dhe përgjigjja ndaj kësaj kishte të bënte kryesisht me kontrollin dhe përdorimin e forcave të armatosura. Derisa forcat e armatosura vazhdojnë të mbeten faktor i rëndësishëm kur vlerësohet sigura nacionale, në dekadat e fundit koncepti i sigurisë nacionale është zgjeruar dhe përfshinë edhe pjesë tjera të sigurisë që në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me presione ndër-shtetërore apo sfidime ushtarake ndaj sovranitetit dhe integritetit të një shteti. Kështu për shembull, tashmë mund të vlerësohet se sulmet ndaj sovranitetit nacional mund të vijnë edhe nga krimi i organizuar, konfliktet etnike dhe/apo religjioze, korrupsioni, kufijtë e pasigurt, migrimi ilegal, shkatërrimi i resurseve nacionale, profilerimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe, sigurisht, terrorizmi ndërkombëtar. Në përgjithësi, nuk ekziston një katalog i kërcënimeve ndaj shtetit, por shumë prej këtyre varen nga pozita gjeografike e shtetit, konstelacionet gjeopolitike dhe perspektivat gjeostrategjike. Kjo varet edhe nga madhësia dhe fuqia e shtetit.

III
Strategjisë nacionale të sigurisë shpeshherë i referohet edhe me termin “strategjia e madhe” dhe si e tillë ajo paraqet artin dhe shkencën e zhvillimit, integrimit dhe vendosjes së instrumenteve politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, ndërkombëtare dhe instrumente tjera të fuqisë dhe influencës nacionale për të siguruar objektivat politike në luftë dhe paqe. Strategjia nacionale e sigurisë duhet të jetë dhe të kuptohet si e ndarë nga strategjia ushtarake ose doktrina ushtarake e shtetit. Termi ‘strategjia nacionale e sigurisë’ përfshin një proces të planifikuar, sistematik dhe racional. Ajo, në fund të fundit, është një instrument i fokusimit afat-gjatë që ndihmon në drejtimin e ambientit të ardhshëm. Në mungesë të Strategjisë, nuk ka të ardhme të qartë dhe për këtë ne vet jemi dëshmitarë. Strategjia, me një fjali, është vendosja e mjeteve në dispozicion për të siguruar përfundimet e dëshiruara dhe kërkuara. Ajo është arti i kontrollit dhe përdorimit të resurseve të një vendi, përfshirë këtu forcën, drejt qëllimit që interesat vitale të jenë efektshmërisht të promovuara dhe sigurara kundrejt armiqve aktual, potencial apo të presupozuar.

IV
Strategjia nacionale e sigurisë së Kosovës duhet të ketë parasysh karakteristkat aktuale në vend, në rajon dhe më gjerë. Qasja e cila teoritikisht shpjegohet si më e efektshme në hartimin e strategjisë së tillë është ajo ‘nga lart-posht’. Kjo qasje fillon me një seri pyetjesh, të cilave duhet dhënë përgjigje gjatë procesit të hartimit: Çka duam të bëjmë? Si e planifikojmë ta bëjmë? Çka synojmë të kundërshtojmë? Çka kemi në dispozion? Çka mund të mos na përputhet? Pse duam t’i bëjmë këto? Duke u dhënë përgjigjje këtyre pyetjeve, gjatë procesit vërehen objektivat politike; ekzekutimet strategjike; kërcënimet, sfidat dhe mundësitë; mjetet; rreziqet; si dhe qëllimet strategjike të dëshiruara dhe të kërkuara. Sigurisht se ruajtja e integritetit territorial, lirisë, pavarësisë, institucioneve politike dhe nderit janë elemente fundamentale për mbijetesën e shtetit. Por, shtetet e vogla (siç është Kosova) duhet të adresojnë po ashtu edhe çështjen e masës deri ku ato janë të gatshme të pranojnë restrikcionet në sovranitetin e tyre nacional në shkëmbim të sigurisë së përforcuar që arrihet përmes NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, për të pasur të qartë Strategjinë, duhet qartësuar qëllimet e dëshiruara dh ëtë kërkuara. Sikurse thuhet nga autorët që merren me këtë fushë: “Nëse nuk e dini se çka doni të bëni, nuk mund ta planifikoni si do ta bëni”.

Botuar në “Zëri” më 21 korrik 2008, fq. 10.

Sunday, July 13, 2008

Njohjet për integritet dhe integrim

Loja pa fitues

Njohjet për integritet dhe integrim
Mbi të gjitha, rritja domethënëse e njohjeve të shtetit të Kosovës ndikon direkt në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe rrugën drejt integrimit të brendshëm. Promovimi i shtetit të ri ndikon në njohjen e mëtejshme të shtetit dhe, krahas lobimit të personaliteteve publike, duhet filluar menjëherë me promovimin reklamues të Kosovës. Kjo është vitale prandaj nuk duhet kursyer asgjë

Shkruan:
Burim Ramadani

I
Iniciativat për punë të interesit të përgjithshëm nacional dhe publik në secilin shtet të përparuar janë të mirëpritura dhe nga më të kërkuarat. Qoftë për presionin social ndaj dukurive negative të kohës moderne, qoftë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike apo për mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, iniciativat e ndryshme kanë provuar të kenë pasur suksese të larta. Për më tepër, nisma të tilla janë vërejtur të kenë ndodhur jo vetëm për të ndihmuar qytetarët dhe shoqërinë, por edhe vet shtetet që kanë traditë dhe histori shtetërore mbi një shekull. Iniciativat e ndryshme për të ndihmuar ushtritë kombëtare si organizatë dhe ushtarakët si individë jo rrallë herë janë dëshmuar të kenë pasur efekt ndihmues për shtetin. Sigurisht se për realizimin e nismave dhe ideve të tilla është dashur të piqen kushtet në kuptimin e përgatitjes së shoqërisë civile në njërën anë dhe të qasjes pozitive nga shteti në anën tjetër. Mbi të gjitha, në suksesin e tillë ka ndikuar edhe qasja korrekte e mediave, si faktor i rëndësishëm i zhvillimit shoqëror dhe politikave qeverisëse të shtetit.

II
Ideja e bërë publike ditëve të fundit për angazhimin e figurave të rëndësishme publike të Kosovës për promovimin e imazhit të Kosovës në botë është një tullë e fuqishme në zhvillimin shoqëror të vendit. Për më shumë, kur kihet parasysh niveli i personaliteteve publike që priten të angazhohen në këtë proces të promovimit të Kosovës, kjo ide duhet të mirëpritet, mbështetet dhe përkrahet në të gjitha format. Institucionet shtetërore duhet të bëjnë të gjithë të mundurën për të lehtësuar angazhimin e këtyre personaliteteve në iniciativën e promovimit të Kosovës, shoqëria të përkrah publikisht, derisa mediat të jenë krah për krah me zhvillimin e mëtejshëm të idesë së këtillë të dalë nga shoqëria civile, përkatësisht disa prej figurave shumë të rëndësishme të jetës publike, politike dhe shoqërore të Kosovës. Mbi të gjitha, promovimi i shtetit të ri të Kosovës ndikon në njohjen e mëtejshme të shtetit, dhe kjo ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe në integrimin e brendshëm.


III
Integriteti territorial i Kosovës disa herë është vënë në dilemë nga qarqe të ndryshme gjatë këtyre pesë muajve të pavarësisë. Kjo është bazuar edhe në situatën në terren, duke pasur parasysh faktin se shteti i Kosovës nuk ka qasje, kontroll, autoritet dhe shërbime në pjesën veriore, si dhe është i kufizuar në disa zona tjera në qendër dhe juglindje. Prandaj, është gabim që kërkesa për njohjen e Kosovës të argumentohet vetëm me realitetin e ri të krijuar pas vitit 1999. Sepse, me të njëjtin argument mund të ndikohet edhe drejt opsionit të ndarjes së Kosovës për shkak të një realiteti të ri të krijuar në veri të vendit, sidomos pas pavarësimit. Rritja e numrit të njohjeve të shtetit të Kosovës largon nga vënia e mundshme në tavolinë opsionin e ndarjes së Kosovës. Ky është njëri prej aspekteve kyçe. Nëse shteti i Kosovës do të njihej deri më tash nga 100 shtete, ndarja si opsion do të ishte harruar. Por, në situatën e tashme, janë vërejtur idetë për të diskutuar rreth këtij opsioni të rrezikshëm edhe pse ai është refuzuar nga vendorët dhe miqtë ndërkombëtarë.

IV
Integrimi i brendshëm ka qenë, është dhe duket se do të jetë një sfidë e vërtetë dhe afat-gjate për institucionet e Kosovës. Refuzimi i pranimit të Kosovës nga komuniteti lokal serb sigurisht se do të jetë i këtillë edhe për një kohë të caktuar, kohë kjo që varet nga shumë faktorë kryesisht të jashtëm. Njëri prej këtyre faktorëve është numri i njohjeve të Kosovës. Nuk duhet pritur se serbët lokalë dhe Serbia të jenë ndër të parët që njohin Republikën e Kosovës. Kësaj duhet t’i paraprijë një proces i shpejtë dhe voluminoz i njohjeve nga shtetet tjera, për të filluar bindjen definitive të serbëve me faktin se nuk do të ketë kthim prapa. Serbët lokalë të Kosovës mund të besohet se do të jenë një hap para Beogradit në këtë aspekt, mirëpo për të arritur këtë duhet që ata të binden për fuqqinë e përkrahjes ndërkombëtare që ka Republika e tyre, Kosova. Përndryshe, nuk është e kotë thënia se shpresa vdes e fundit, por ajo që nevojitet të bëhet është që Kosova duhet t’i drejtojë kah e ardhmja paqësore shpresat e qytetarëve të vet, në këtë kontekst komunitetit pakicë serb.

Botuar në “Zëri” m ë 14 korrik 2008, fq. 14.

Sunday, July 6, 2008

Uzurpimi i shtetit

Loja pa fitues

Uzurpimi i shtetit

Në ditët që po vijnë, sfidat duket se do të jenë edhe më të mëdha dhe rruga është përplot me gurë. Prandaj, duhet pasur plan të qartë, guxim dhe përkushtim për t’u përballur me të gjitha këto situata që cenojnë autoritetin e shtetit të Kosovës. Ka ardhur koha kur, në rastin konkret, Policia e Kosovës duhet të drejtohet plotësisht nga vendorët, qoftë në politika, administratë, por edhe në çështjet operacionale të ndjeshme për situatën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Në javën që kaluam ka ndodhur incidenti më i madh që prej rreth pesë muajsh sa Kosova është shpallur e pavarur dhe njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve demokratike të botës. Në komunën e Shtërpcës është uzurpuar objekti i Kuvendit Komunal dhe kryetari i deritashëm i kësaj komune i ka ‘liruar’ karrigen një personi që e quan veten kryetar të Shtërpcës në bazë të zgjedhjeve ilegale të 11 majit që i ka organizuar Republika e Serbisë edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kjo, megjithëse është pritur si zhvillim që do të tentohet të bëhet nga pjesa ekstreme e komunitetit serb të Kosovës, është menduar se nuk do të mund të realizohet për shkak të qëndrimit të prerë të institucioneve kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare prezente në Kosovë për mosnjohje të këtyre zgjedhjeve dhe për moslejim të asnjëlloj efekti nga zgjedhjet serbe. Porse, tashmë jemi dëshmitar se një politikë e tillë e Serbisë është shtrirë edhe në rrafshin praktik të uzurpimit të objekteve shtetërore të Kosovës. Kësaj nuk mund t’i thuhet ndryshe veçse uzurpim dhe uzurpimi po ndodh kundër vet shtetit.

II
Nëpërkëmbja e politikës dhe institucioneve shtetërore të Kosovës ka ndodhur me vite me radhë në Kosovë, por tashmë pas shpalljes së pavarësisë së vendit situata të paktën do të duhej të ishte e drejtuar kah zgjidhja e problemeve të këtilla. Askush në këto ditë nuk e mohon mosqasjen e institucioneve të Kosovës në pjesë të caktuara të territorit dhe kjo tashmë ka filluar të thuhet hapur edhe për aspketin e mosshtrirjes së autoritetit në bazë të Kushtetutës së vendit në tërë Republikën. Deri në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetuës së Kosovës, deklaratat publike ka qenë aq të prera për shtrirjen e autoritetit në çdo cep të vendit, saqë njohësit e realitetit nganjëherë bienin në dilemë nëse analizimet e tyre ishin të bazuara. Porse, për fat të keq, dolën që deklaratat e verbëra ishin në fakt të pabazuara dhe ditëve të fundit duket se ka filluar një këndellje në paraqitjet publike të bartësve kryesorë të shtetit. Për të vazhduar zhvillimet negative, në Kosovë kemi mungesë të autoritetit edhe në ato pjesë ku nuk janë paraqitur probleme të tilla më herët. Është e qartë se veriu i Kosovës është dhe ka qenë për nëntë vjet jashtë kontrollit të Prishtinës, por tash raste të tilla po bëhen edhe pjesë tjera.

III
Nëntë vjetët e kaluara Kosova ka qenë në një situatë të paqartë sa i përket rolit që institucionet kosovare kanë në integrimin e të gjithë qytetarëve në një sistem, sikurse edhe në hapësirën për të luajtuar rolin e vet për ruajtjen e sigurisë së brendshme dhe të jashtme. Ndoshta për këtë arsye, ka ekzistuar një mirëkuptim i pathënë për të kaluar pa kërkuar përgjigje për shumë probleme që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, sikurse edhe për shumë ‘lëshime’ që janë dukur të rastësishme. Mirëpo, me bërjen e shtetit nuk mund të kuptohet një lojë e njëjtë e institucioneve vendore sikurse para këtij akti. Padyshim se askush nuk pret që në këto momente Kosova të përdorë dhunë për të mbrojtur Kushtetutën e vet dhe për të shtrirë autoritetin shtetëror, por ajo që pritet është luajta e rolit të shtetit ashtu sikurse është rendi dhe nevoja. Tashmë është e padrejtë dhe e paqartë të vazhdohet me mentalitetin e të varurit derisa kemi arritur që të konsolidojmë forcën dhe mbështetjen për të hyrë në familjen e madhe të shteteve të pavarura dhe sovrane.

IV
Në ditët që po vijnë, sfidat duket se do të jenë edhe më të mëdha dhe rruga është përplot me gurë të madhësive të ndryshme. Prandaj, duhet pasur plan të qartë dhe të detajuar për t’u përballur me të gjitha këto situata të mundshme, të cilat cenojnë autoritetin e shtetit të Kosovës. Ka ardhur koha kur në rastin konkret Policia e Kosovës duhet të drejtohet plotësisht nga vendorët, qoftë në politika, administratë, por edhe në çështjet operacionale të ndjeshme për situatën. Nuk mund të lejohet që Policia të mos mbrojë objektet shtetërore siç është rasti i Komunës së Shtërpcës. Shërbimi Doganor duhet të ketë kurajon të vendoset në pikat doganore në veri të Kosovës dhe të mos lejojë zhvillimin e pandalshëm të kontrabandës. Humbjet që po shkaktohen nga kontrabanda janë tmerrësisht të mëdha dhe kjo do të ndikojë drejtëpërdrejt në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm. Njëjtë është edhe për institucionet tjera të rëndësisë së posaçme për jetën në Kosovë. Njerëzit presin që shteti të lehtësojë problemet e tyre të përditshme dhe jo që shteti të mos jetë në gjendje të bëjë asnjë hap konkret për të mbrojtur të paktën veten.

Botuar në “Zëri” më 7 korrik 2008, fq. 15.