Monday, September 29, 2008

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Loja pa fitues

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, por çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin civil të udhëheqjes, ambicieve dhe përmbajtjes

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ndërtimi i një shoqërie demokratike nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Për këtë është dashur kohë, përkushtim dhe mbi të gjitha ndryshim të mentalitetit të qeverisjes. Kjo është parë edhe në rastin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në vendet ish-sovjetike, edhe në vendet e Ballkanit, edhe në Afrikë apo Azi të largët, por edhe tash në Afganistan dhe Irak. Kosova nuk bën përjashtim dhe në këtë aspekt nuk është fare rast sui generis. Tek e fundit, tranzicioni gjithëherë është i ndryshëm në detaje varësisht nga vendi dhe koha, porse elementet përmbajtësore të rëndësishme janë të njëjta. Edhe tash, sikur para më shumë se gjysmë shekulli, tranzicioni drejt demokracisë ka pasur të bëjë me zhvillimin e sistemit civil të ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit, derisa të drejtat e njeriut dhe pakicave kanë qenë shtyllat pasuese. Në këtë drejtim është punuar në Kosovën e pasluftës. Por, kjo nuk është punë e lehtë, sepse ka të bëjë me njerëzit dhe kjo do të thotë se duhet qeverisur emocionet, interesat, inatet dhe ambiciet njerëzore.

II
Në cilin nivel të zhvillimit të proceseve demokratizuese gjendet Kosova? Çka ndodhur deri më tash, çka është arritur? Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, porse çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Themelimi i institucioneve demokratike, mediave, mekanizmave tjerë të nevojshëm për shtetin dhe shoqërinë, si edhe ndërrimet në pushtet kanë kaluar pa ndonjë zhvillim tragjik, që është një përparësi në pjekurinë politike të shoqërive në tranzicion. Kjo dallon Kosovën nga një numër i madh i vendeve në rajon, veçanërisht nga shteti shqiptar, që ka pasur një histori aspak të lavdërueshme të zhvillimit të demokratizimit dhe ndërrimit të pushteteve pas përfundimit të regjimit komunist. Megjithatë, koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin e udhëheqjes, ambiciet dhe përmbajtjen.



III
Normalizimi i marrëdhënieve midis degëve të pushtetit, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrolli efektiv i territorit, zhvillimi ekonomik pa ndikimin e shtetit, mos-ndërhyrja e pushtetit në punët e institucioneve apo kompanive autonome, respektimi i pavarësisë së ndërmarrjeve publike, bashkëpunimi korrekt dhe respektimi i pavarësisë operacionale të forcave të rendit dhe të mbrojtjes, kontrolli civil i këtyre forcave, shpërndarja apo delegimi i pushtetit në nivel më të afërt me qytetarin, respektimi i të drejtave të njeriut, integrimi i komuniteteve me veçori dalluese, respektimi i të qenit dhe menduarit ndryshe, respektimi i fjalës dhe mendimit të lirë, mos-keqpërdorimi i mundësive financiare që i ofrohen pushtetit, rritja e efektivitetet dhe efikasitetit të administratës publike, marrëdhëniet e zhvilluara me vendet tjera, sikurse edhe respektimin e plotë të të drejtës së informatës janë elementet që duhet të plotësohen pa dyshim në mënyrë që të arrihet baza e nevojshme për demokratizimin e shoqërisë.

IV
Natyra e qeverisjes është determinuese për zhvillimin e shoqërisë për dekadat e ardhshme. Tek e fundit, politika qeverisëse është agjencia thelbësore përmes se cilës formulohen dhe realizohen funksionet e drejtimit te shoqërisë në kuadrin e një vendi të caktuar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet tjera. Kjo ka të bëjë me kuptimin e politikës në shpërndarjen e vlerave në shoqëri e jo mjeteve materiale në shoqëri. Sipas Lasuellit, “Politika është: kush merr, kur, sa”, derisa Iston argumenton se “Politika është shpërndarje me autoritet e vlerave në shoqëri”. Shpërndarja e vlerave nuk është thjeshtë biznes, porse ka të bëjë me respektimin e vlerave ekzistuese dhe zhvillimin e vlerave të reja brenda shoqërisë, me qëllim të afrimit të shoqërisë dhe shtetit me familjen e aspiruar. Në rastin e Kosovës, kjo familje e aspiruar është padyshim Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Perëndimi. Vlerat tradicionale të Kosovës duhet të bashkohen në rrugën drejt Perëndimit. Aty nuk bën pjesë krimi, korrupsioni dhe keq-qeverisja.

Botuar në “Zëri” më 29 shtator 2008, fq.14.

Politika, pasioni dhe e ardhmja

Loja pa fitues

Politika, pasioni dhe e ardhmja

Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij do të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë, thotë Maks Ueber

Shkruan: Burim Ramadani

I
Demokracia ofron mbi të gjitha mundësinë për pjesëmarrje të të gjitha shtresave në politikë dhe proceset publike. Nëse kjo do të ishte madje edhe e vetmja e mirë e demokracisë, mund të besohet se do të vlerësohej shumë më lartë se të gjitha sistemet qeverisëse që ka parë njerëzimi deri më tash. Njeriu, qoftë si kafshë politike, qoftë si mbizotërues i tokës, apo edhe si misionar drejt të mirës, ka nevojë dhe të drejtë për të qenë pjesë e asaj që ndodh rreth tij dhe për të. Kjo ndoshta është një prej elementeve kryesore për të cilat njerëzimi ekziston. Tek e fundit, për çfarë lumturie njerëzore mund të bëhet fjalë në rast kur një autoritet (në këtë rast shtetëror) vendos, zhvillon politika dhe përcakton ardhmërinë e njerëzve pa pjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Derisa pjesëmarrja publike është njëra anë e medaljes, ana tjetër ka të bëjë me nivelin e zhvillimit shpirtëror dhe njerëzor të politikanëve (lexo: udhëheqjes), të cilët kanë përgjegjësinë për jetën dhe zhvillimin e qytetarëve të shtetit. Kosova si shtet i ri dhe shoqëri në zhvillim, ka nevojë para së gjithash njohjen e koncepteve themelore të jetës politikës, pjesëmarrjes dhe zhvillimit shoqëror.

II
Deri në ngritjen e nivelit të pjesëmarrjes së gjerë në proceset politike në Kosovë janë bërë përpjekje të ndryshme, kryesisht nga shoqëria e pjesshme civile. Porse, ka mbetur jo pak punë drejt ndryshimit të mentalitetit politik dhe përmirësimit të aftësisë së ndarjes së pushtetit midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve. Kur flitet për të zgjedhurit, përkatësisht elitën qeverisëse, është mëse i nevojshëm qartësimi i bazës së duhur për të qenë pjesë e politikës ose për t’u futur aktivisht në politikë. Apo, siç thotë Maks Ueber në “Politika si profesion”, janë dy mënyra për ta kthyer politikën në profesion: ose jeton “për” politikën ose jeton “prej” politikës. Siç vëren Ueber, ai që jeton “për” politikën e shndërron atë në jetën e tij, në një kuptim të brendshëm, e ushqen ekuilibrin e tij të brendshëm me ndërgjegjjen që jeta e tij ka kuptim në shërbim të një “çështjeje” dhe dallimi këtu i referohet aspektit ekonomik. Autori është i prerë në konstatimin e tij se ai që përpiqet ta bëjë politikën një burim të përhershëm të ardhurash jeton “prej” politikës si profesion, ndërsa ai që nuk e bën këtë jeton “për” politikën. Nëse kjo do të futej në praktikë në Kosovë, kushedi sa i zgjedhuri do të binte në kategorinë ‘prej’.

III
Domosdoshmëria për qëndrueshmëri ekonomike të politikanit është pjesë e shtjellimit të Ueberit. Ai është i qartë në konkludimin e tij se në kushte normale, politikani duhet të jetë ekonomikisht i pavarur nga të ardhurat që mund t’i sjell politika dhe kjo do të thotë se politikani duhet të jetë i pasur ose duhet të ketë një pozitë personale në jetë që i siguron të ardhura të mjaftueshme. Megjithatë, Ueber është i vetëdijshëm për mungesën e ekzistimit të ndonjë shtrese mbizotëruese që nuk ka jetuar “prej” politikës. Ai e thotë shkoçur se nuk ka ekzistuar kurrë një shtresë e tillë, që në një mënyrë apo në një tjetër, nuk ka jetuar kurrë “prej” politikës, porse nënkuptohet vetëm kjo: politikani profesionist nuk duhet të kërkojë shpërblim të drejtpërdrejt për punën e tij politike, ndërsa çdo politikan që nuk ka mjete për qëndrueshmëri të pavarur ekonomike duhet patjetër të pretendojë një gjë të tillë. Fatkeqësisht, përvoja e shkurtër e demokracisë në Kosovë ka treguar për trende të zhvillimeve jopozitive në këtë aspekt. Ndoshta, jo për shkak të mungesës së ligjeve, por mungesa e presionit edhe social ka çuar këtu. Sidoqoftë, natyra e politikanëve profesionistë ka ndërruar dhe sot ndryshon shumë nga një rast tek tjetri.

IV
Duke ndarë në pesë lloje shtresash politikanët profesionistë, Ueber përmend kerikët; të shkolluarit humanistë; fisnikërinë e oborrit; institucionin anglez të aristokratëve e fisnikë të vegjël rentierë qytetarë që quhet “zotërinjtë”, dhe si shtresë të pestë juristin me arsim universitar, që është karakteristikë për Perëndimin, veçanërisht për kontinentin evropian. Ndërsa, duke folur për mënyrat e bindjes apo sundimit, Ueber përmend tri baza kryesore: tradicionalen (patriarku, princi), karizmën dhe ligjshmërinë ose besimin në vlefshmërine e statusit ligjor. Përfundimisht, politika, sipas Ueberit, i ngjan një shpuesi të fuqishëm dhe të ngadaltë të pjesëve të forta të drurit. Në të përfshihet edhe pasioni edhe e ardhmja... Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë. Niveli i politikanit të tillë në Kosovë mund të përmblidhet në pak numra dhe kjo është fillesa drejt demokratizimit të shoqërisë. Mbi të gjitha, Politika është pasion dhe mision drejt të ardhmes.

Botuar në “Zëri” më 22 shtator 2008, fq.11.

Monday, September 15, 2008

Islami, Islamizmi dhe Siguria Globale

9/11 – shtatë vjet pas

Islami, Islamizmi dhe Siguria Globale

Islami, Islamizmi dhe terrorizmi Islamist janë fenomene shumë të ndryshme dhe komplekse. Bërja bashkë e të gjitha këtyre nën termin e “terrorizmit” parandalon qasjen direkte të vëmendjes në motivet dhe qëllimet politike të radikalëve. Në vitet e fundit, shqetësimet reciproke, paragjykimet dhe agresionet midis Perëndimit dhe botës Islame kanë pësuar rritje. Në të dyja palët janë instaluar mosbesimi, papajtueshmëria dhe refuzimi

Shkruan: Burim Ramadani

Kur Bernard Lewis kishte shkruar së ‘Ku është gabuar?’ në historinë e moszhvillim të njëjtë apo barabartë midis Perëndimit dhe Orientit, shumë prej politikanëve me ndikim botëror duket sa kanë gjetur një prej përgjigjeve shumë të kërkuara të politikës së përditshme të këtij aspekti. Porse, e tëra kjo është cilësuar nga një numër tjetër i studiuesve si qasje ndarëse dhe qëllim-dalluese midis këtyre ‘dy botëve’ të ndryshme brenda globit dhe njerëzimit. Debati më tutje është shtuar shumë për vite me radhë. Dallimet u thelluan gjatë njëzetvjetëshit të fundit të shekullit të kaluar, derisa kulmi i përkeqësimit të ndjenjave, qasjes, mosbesimit dhe marrëdhënieve agresive ndodhi më 11 shtator 2001, kur avionët e zaptuara nga terroristët islamist shkaktuar tragjedinë më të madhe të këtij lloji.

A paraqet Islami apo Islamizmi kërcënim ndaj sigurisë globale?

A paraqet Islami kërcënim ndaj sigurisë globale? Mund të mendohet se po nëse gjykimi vjen mbi bazën e një numri të sulmeve terroriste Islamiste. Për më shumë dhe aq më tepër kur autorët e këtyre sulmeve terroriste më së shpeshti i bazojnë motivet e veta mbi Islamin. Studiuesja Petra Uajland pyet nëse ekziston lidhje direkte midis Islamit dhe Islamizmit? Nëse po, si mund të definohet kjo lidhje? Apo a duhet të dëgjojmë politikë-bërësit dhe ekspertët të cilët theksojnë se Islami dhe Islamizmi nuk janë identik dhe se bota Perëndimore në këtë kontekst nuk kundërshton Islamin si një religjion botëror si i tillë? Cili është dallimi midis Islamit dhe Islamizmit? Cila është ndërlidhja e tyre? Pse ka kaq paragjykime mbi lidhjen e mundshme të këtyre dy koncepteve/termeve?
Në vitet e fundit të kaluara, thotë ajo, një numër i akteve të dhunës të kryera nga Islamistët janë rritur në mënyrë të vazhdueshme. Si mund të shpjegohet kjo? Cilat janë shkaqet për rritjen e numrit të sulmeve terroriste Islamiste në tërë botën? Çka mund të bëhet për të luftuar këto kërcënime të sigurisë? Bashkësia ndërkombëtare ka ndërmarrë një numër masash të dizajnuara për të luftuar efektshmërisht terrorizmin, veçanërisht pas 11 shtatorit të vitit 2001. Sidoqoftë, suksesi në këtë ka qenë i kufizuar. Pse? Sa efektive janë institucionet militare dhe të sigurisë në bashkësinë ndërkombëtare për të luftuar këtë kërcënim? A ekzistojnë masa tjera parandaluese që duhet të merren në konsiderim?
Sipas Petra Uajland, këto janë pyetjet kryesore që shtrohen sot në debatet globale akademike dhe politike. Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet shikuar në qendër të koncepteve të Islamit dhe Islamizmit, si dhe dallimet midis tyre. Bazuar në këtë, duhet pikësëpari të bëhet klasifikimi i organizatave Islamiste. Në këtë kontekst, duhet konsideruar pyetjen themelore të shkaqeve të zanafillës – faktorëve shoqërorë, politikë dhe kulturorë që shkaktuan Islamizmin dhe terrorizmin. Të dy fushat – studimi i tipave të ndryshme të organizatave Islamiste dhe çështja e shkaqeve të zanafillës – më së miri mund të ekzaminohen duke marrë për shembull raste specifike të studimit. Raste të tilla për fat të keq të jetës shoqërore në botë, ka sa të duash. Për këtë shkak, Lindja e Mesme mbetet ambienti kryesor i shumëzimit të terrorizmit.

Doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se të tjerat – Luftë Islamizmit

Pas 11 shtatorit 2001, bota Perëndimore dhe aleatët e saj iu përgjigjen terrorizmit Islamist përmes inicimit të Luftës Globale Kundër Terrorizmit. Është arritur një numër suksesesh përderisa shumë prej liderëve të Al Qaeda-s janë vrarë ose arrestuar dhe janë shkatërruar strukturat e rrjeteve dhe atyre të organizatave terroriste. Sidoqoftë, Islamizmi në të gjitha variacionet e tij militare dhe jo-militare është ende në rritje në aspektin global.
Fakti se Islamizmi nuk është çrrënjosur ende përkundër përpjekjeve të mëdha mund t’i atribuohet shumë faktorëve. Një arsye e rëndësishme që shumë shpesh del në pah është “njohja e armikut tënd”, gjë që është një parakusht kryesor për secilën fitore, jo vetëm ushtarake. Në ndërkohë, nuk ka kuptim të qartë se si duket armiku i Luftës Globale Kundër Terrorizmit. Është e dukshme se pas 11 shtatorit 2001, terrorizmi është bërë njëlloj stenografie për Islamizmin ose terrorizmin Islamist. Kjo duket e besueshme në pamje të parë përderisa shumë ekstremistë Islamist bazojnë motivet e tyre mbi Islamin.
Por, doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se sa që janë ato të Krishterimit dhe Judaizmit. Sikurse edhe religjionet tjera, Islami mund të përdoret si një mjet për të promovuar sigurinë ose për të rritur kërcënimet. Në fakt, Islami, Islamizmi dhe terrorizmi Islamist janë fenomene shumë të ndryshme dhe komplekse. Bërja bashkë e të gjitha këtyre nën termin e “terrorizmit” parandalon qasjen direkte të vëmendjes në motivet dhe qëllimet politike të radikalëve. Në vend të kësaj, vëmendja drejtohet në vlerat morale si njerëz “të mirë”, “të këqij”, “liri-dashës” dhe “liri-urrejtës”. Sa më shumë që insistohet në barazimin e terrorizmit me terrorizmin Islamist ose Islamizmin me komunizëm ose fashizëm, aq më shumë i mundësohet njerëzve në botën Islame të ndjejnë se Lufta Globale Kundër Terrorizmit nuk është vërtetë luftë kundër terrorizmit, por më tepër një luftë kundër Islamit dhe tërë botës Islame. Edhe më dramatike, terrorizmi në botën Islame do të ketë rritje në vend se të ketë ulje. Myslimanët e kësaj bote do të fokusoheshin edhe më shumë në veten e tyre, identitetin Islam dhe zhvillojnë një qëndrim në rritje të zhurmshëm anti-Perëndim. Për më tepër, në vend se të rritet numri i atyre që kuptojnë qëllimet e radikalëve, nëse nuk respektohen do të rritet numri i atyre që e shohin këtë Luftë si një kërcënim vdekjeprurës ndaj Islamit.
Në vitet e fundit, shqetësimet reciproke, paragjykimet dhe agresionet midis Perëndimit dhe botës Islame kanë pësuar rritje. Në të dyja palët janë instaluar mosbesimi, papajtueshmëria dhe refuzimi. Nuk ka dyshim se luftimi i këtyre zhvillimeve është një nga detyrat më të rëndësishme me të cilën duhet të ballafaqohen të dy palët. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për betejën kundër dhunës dhe ekstremizmit. Sa i përket palës Perëndimore, ata duhet të gjejnë një mënyrë të duhur për të adresuar nocionet e Islamit, Islamizmit dhe terrorizmit, sikurse edhe të merren në përgjithësi me konceptin e Islamit dhe sigurisë.
Në vend se dhuna të shihet përmes prizmit të kulturës dhe vlerave, duhet kthyer vëmendjen drejt politikës, historisë dhe rëndësisë së perceptimit. Mbi të gjitha, myslimanët janë krejt të njëjtë sikur të gjithë njerëzit: ata mendojnë, veprojnë, tentojnë të mbërthehen me botën në të cilën jetojnë dhe të ballafaqohen me problemet e kushtet e jetesës, sikurse edhe zhvillojnë strategjitë për të arritur qëllimet e tyre. Të qenit i njëjtë me të gjithë njerëzit në botë do të thotë po ashtu se nuk ka individ apo kolektivitet apo edhe komb që është i favorizuar nga forca që në shumicën e religjioneve aktuale në botë njihet si “Krijuesi”. Ndryshe, padyshim se kushtet e jetesës për shumë popuj në botën Islame në mënyrë të vazhdueshme janë degjeneruar gjatë dekadave të fundit. Shumë faktorë që shërbejnë si indikatorë për zhvillim ilustrojnë këtë tatëpjetë dhe këtu përfshihen pjesëmarrja politike, vetë-vendosja, të ardhurat, edukimi dhe shërbimet mjekësore. Po ashtu, pozicioni i Lindjes së Mesme në politikat rajonale dhe globale është parë në mënyrë negative. Natyrisht, njerëzit i kuptojnë këto probleme shoqërore, ekonomike dhe politike, sikurse edhe faktin se si ndikon kjo në individët e bazuar në identitetin e tyre dhe në ideologji. Ata merren me këto çështje duke zhvilluar kundër-strategjitë. Mbi të gjitha, ky nuk është tipar tipik i myslimanëve, por është tipar njerëzor. Sidoqoftë, sa i përket perceptimit të botës Arabe/Islame për historinë e tyre të përbashkët, identitetet kolektive dhe ideologjitë kanë ndryshuar mjaft shumë. Në shekullin e 19-të deri në vitet e 1960-ta, në të menduarit Perëndimor zunë rrënjë komb-shtetet, lëvizjet çlirimtare dhe organizimet socio-revolucionare. Liberalizmi, nacionalizmi, racizmi, socializmi dhe komunizmi janë koncepte që u shfaqen nga Perëndimi dhe u prit që këto të ndihmojnë botën Arabe që shumë shpejtë të arrijnë nivelin e zhvillimit të ngjashëm me Perëndimin. Porse, me kohë është bërë e dukshme se përkundër këtyre koncepteve, boshllëku midis vendeve të varfra dhe të pasura ka vazhduar të zgjerohet. Ndërkohë, derisa kushtet e jetesës për elitat kombëtare u përmirësuan, ato të masave të gjera u përkeqësuan. Pavarësia e vërtetë nuk ishte arritur. Kështu që është e kuptueshme që njerëzit filluan të shikojnë për alternativat e afërta me vendet e tyre, pasi që në sytë e tyre kishin dështuar ideologjitë dhe identitetet e importuara nga Perëndimi. Islami ofroi të vetmen zgjidhje të mundshme. Në proces, qëllimet ndryshojnë në masë të gjerë: pavarësia kombëtare (Palestinezët), luftimi i forcave okupuese (Liban), luftimi i regjimit të korruptuar (Egjipt, Arabi Saudite), mbrojtja e “botës Islame” kundër “Perëndimit” (Afganistan, Irak, të rinjtë, klasa e mesme, gjenerata e dytë e myslimanëve në vendet Perëndimore).
Fitorja në Luftën kundër Terrorizmit është e mundshme vetëm pasi të adresohen këto probleme. Këto probleme janë në zemër të ekstremizmit të dhunshëm. Siguria mund të arrihet atëherë kur “të tjerët” – armiku- merret seriozisht në shqetësimet e tyre. Ideologjitë Islamiste nuk janë vetëm simptomë e sëmundjes që ka prekur botën Islame, por gjithashtu edhe e marrëdhënieve midis Perëndimit dhe botës Islame.

Përplasja midis dy qytetërimeve?

Në një libër të shkruar pas udhëtimit në botën Islame, islamologu i njohur botërore Akbar Ahmed pohon keqpërdorimin që i bëhet Islamit nga grupe të ndryshme që kanë qëllime të caktuara politike, kryesisht anti-Perëndimore. Por, ai jep shembuj të shumtë të mikpritjes që i është bërë ekipit të tij jo-musliman. Islamologu Ahmed për të shkruar librin e tij “Journey into Islam: The crisis of Globalization” ka vizituar në këtë kuadër Indinë, Turqinë, Egjiptin, Sirinë, Pakistanin, Jordanin, Malejzinë, Indonezinë, Afganistan. Ai potencon aftësinë dhe afinitetin e myslimanëve për të bashkëpunuar me njerëzit e besimeve tjera, derisa mendon se duhet zhvilluar debat i brendshëm rreth asaj se ku është duke u shkuar. E njëjta, thotë Ahmed, vlen për të tri besimet e mëdha. Edhe Karen Armstrong në librin e saj “Beteja për Zotin: Fundamentalizmi në Judaizëm, Krishterim dhe Islam” argumenton se të tria këto besime po kalojnë në një periudhë të debatit intensiv të brendshëm midis fundamentalistëve dhe të moderuarve. Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta.
Bernard Lewis, ndërkaq, beson se myslimanët janë vetë fajtorë për mos-zhvillimin e shoqërive dhe shteteve të tyre. Në librin e tij “What Went Wrong?” pohon se vetë-kënaqësia e Perandorive myslimane ka qenë shkak thelbësor për humbjen e tyre, derisa mos-aftësia për t’iu përshtatur zhvillimit të Perëndimit ka qenë shkaku pasues. Kjo sidoqoftë, vlen më së shumti për njerëzit dhe vendet islamike, të cilët për një kohë shumë të gjatë kishin mbizotërimin në botën, sidomos në periudhën që në Evropë njihej si Mesjeta. Apo, siç Bernard Lewis e përshkruan debatin e një kohë më të gjatë pothuaj një shekulli të vendeve islamike, rreth asaj se ku është gabuar në tërë historinë e mbizotërimit të Islamit mbi ‘të pafetë’ dhe ngritjen e këtyre të fundit mbi shtetet/vendet islamike. Kjo ngritje, megjithatë, sipas autorëve të ndryshëm ka filluar prej shekullit të tetëmbëdhjetë dhe është rritur edhe më shumë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, derisa shekulli njëzet e fillimshekulli i njëzetenjë vetëm ka vulosur përparësitë e Krishterimit (lexo: vendeve të krishtera) ndaj vendeve islamike. Porse, Adam Sabra në punimin e tij “What Went Wrong with What Went Wrong?”, të botuar në gusht të vitit 2003 në “Middle East Report Online”, kundërshton idetë e Lewis. Sabra thotë se studiuesit si Lewis kanë ndikuar në zhvillimin e politikave jo-integruese të Perëndimit.
Të tjerët thonë se përplasja midis këtyre dy qytetërimeve ekziston, sepse ka ekzistuar për mbi një mijë vjet. Por, megjithatë, midis tyre ka pasur edhe periudha të larta të harmonisë, sintetizimit kulturor dhe ndërveprimit të ideve. Një shembull që islamologu Akbar Ahmed, në librin e tij “After Terror: Promoting Dialogue among Civilizations”, jep për këtë tezë, është fakti se një korpus i tërë i mendimtarëve të vjet grekë, sikurse edhe filozofët e mëdhenj Platoni dhe Aristoteli, patën mbetur të panjohur dhe të harruar derisa myslimanët i përkthyen ata në kohën e Spanjës myslimane, që mundësoi evropianët t’i përkthejnë më pas ato nga gjuha arabe në atë latine dhe nga kjo e fundit në gjuhën frënge dhe atë angleze. Për shekuj të tërë, para rreth një mijë vjetësh, procesi i rizbulimit të grekëve në Evropë ka ardhur përmes myslimanëve.
Kjo qartëson ndërlidhjen logjike, humane dhe historike mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Pavarësisht ndarjeve dhe mosbesimit të ndërsjellë, Lufta kundër Terrorizmit Ndërkombëtar duhet të jetë gjithëpërfshirëse. 11 shtatori 2001 ka shënuar tmerrin e historisë moderne të besimeve.

Botuar në “Zëri” më 15 shtator 2008, fq. 11., si dhe
në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 16 shtator 2008, fq. 8

Sunday, September 7, 2008

Kosova në idealin e sigurisë globale

Loja pa fitues

Kosova në idealin e sigurisë globale

Kërcënimet trans-nacionale dhe krimi i organizuar, stabiliteti i shteteve, lëkundja e bashkëpunimit e ndërkombëtar mbi sigurinë, lëkundja nga repektimi i normave ndërkombëtare dhe shkelja flagrante të tyre, konfliktet e armatosura, konfliktet etnike, terrorizmi ndërkombëtar dhe islamizmi si lëvizje politike ekstreme janë çështje që adresohen në idealin e përbashkët për sigurinë globale. Kosova duhet të jetë pjesë obligimmarrëse e këtij ideali

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bota e këtyre ditëve ka sfida të ndryshme sa i përket zhvillimit të sigurisë së përgjithshme globale, duke pasur parasysh elemente nga më të ndryshmet të kërcënimit global. Me të kaluar koha e Luftës së Ftohtë rreth dy dekada më parë, njerëzimi ka ndjerë zhvillim të hovshëm të demokracisë dhe mbi të gjitha të mentalitetit ndaj lirisë, të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe mundësive të shoqërisë. Kështu më konkretisht, vendet që i përkisnin bllokut komunist totalitar dhe autoritar në masë të madhe i kthyen shpinën atij sistemi për t’u bashkuar në familjen e shteteve demokratike. Disa vende tjera kanë mbetur në stad më ulët të zhvillimit në këtë aspekt, derisa një numër shtetesh dhe organizatash paraqesin kërcënim për sistemin ndërkombëtar, demokracinë dhe zhvillimin njerëzor. Rajone të ndryshme ballafaqohen me sfida të ndryshme, të cilat gjithsessi kanë të bëjnë me elemente jodemokratike të arritjes së qëllimeve politike të shteteve apo organizatave të caktuara që kanë për synim përfitimin material, fundamental-shpirtëror dhe keqpërdorimin e masave në baza emocionale dhe terrorizuese.

II
Ballafaqimi me sfida të ndryshme ndërkombëtare është detyrë jo vetëm e bashkimeve apo organizatave të caktuara që bashkojnë shtete të ndryshme të botës. Ballafaqimi me kërcënimet ndërkombëtare të sigurisë është detyrë e përhershme e të gjitha shteteve veç e veç. Synimi që në këto politika të ketë bashkëpunim të ngushtë mes vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare është domosdoshmërisht i nevojshëm dhe si i tillë i patejkalueshëm. “Ne kemi përpara shumë kërcënime të rrezikshme në këtë botë të rrezikshme”, tha këto kandidati Republikan për president të SHBA-ve, John McCain. Kjo është katërcipërisht e padiskutueshme as në nivelet politike dhe as në ato akademike. Kërcënimet për sigurinë globale përfshijnë fusha të rëndësishme. Disa prej tyre kanë të bëjën me: kërcënimet trans-nacionale, stabilitetin e shteteve individuale, lëkundjen e bashkëpunimit e ndërkombëtar mbi sigurinë, lëkundjen nga repektimi i normave ndërkombëtare dhe shkeljen flagrante të tyre (si në rastin e Gjeorgjisë), konfliktet e armatosura, konfliktetet etnike, terrorizmin ndërkombëtar dhe islamizmin, si lëvizje politike ekstreme.

III
Ballkani si rajon, ku gjendet Kosova, ka një rëndësi të posaçme në rrugën drejt Evropës, Azisë dhe një pjesë që lidhet me Afrikën veriore. Për më tepër, ky rajon përbëhet nga kombe të ndryshme, të cilat besojnë tradicionalisht në ri fetë e mëdha monoteiste. Përçarjet e thella mes këtyre kombeve kanë shkaktuar të paktën dy luftëra ballkanike dhe disa të tjera etnike më të lokalizuara, të përcjella me terror dhe katastrofa humanitare. Po ashtu, shumica dërmuese e këtyre shteteve janë të brishta dhe jostabile, derisa disa prej tyre ballafaqohet edhe me rreziqe për të dështuar si shtete. Krimi i organizuar është në një stad tejet të zhvilluar në rajonin Ballkanik dhe kjo i shton barrën shteteve individuale për të bashkëpunuar në këtë aspekt. Në të njëjtën kohë, zhvillimi ekonomik është më i ulti në Evropë dhe bruto-produkti kombëtar i pothuaj të gjitha shteteve ballkanike së bashku është më i ulët se ai i Francës apo Gjermanisë. E tërë kjo krijon një ambient të dëshiruar edhe për organizata të ndryshme që synojnë shtrirjen e ndikimit të tyre edhe sa i përket ekstremizmit islamik, që jo rallëherë ka vepruar përmes terrorizmit ndërkombëtar.

IV
Bashkë me pavarësimin e vendit, Kosova duhet të kujdeset edhe për përgatitjen adekuate të domosdoshme rreth kërcënimeve të ndryshme rajonale e globale. Sikurse tha McCain këtyre ditëve, “do të bashkojë gjithë eksperiencën time me botës dhe liderët botërorë, si dhe të gjitha mjetet në dispozion – diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe fuqinë e idealit tonë - për të ndërtuar themelet e paqes stabile dhe afat-gjate”. Kosova tashmë duhet ta ndjejë dhe dëshmojë praktikisht veten pjesë e familjes së shteteve të pavarura dhe sovrane, si dhe pjesë e botës. Një aspekt i rëndësishëm për të dëshmuar këtë është edhe përgatitja në fushën e sigurisë rajonale, globale dhe luftimin e dukurive negative kërcënuese për demokracinë dhe botën. Prandaj, është koha kur duhet filluar me planifikimin e planifikimi i strategjisë së sigurisë dhe më pas të hartohet strategjia kombëtare e sigurisë. Si pjesë e rëndësishme e institucioneve dhe dokumenteve bazike të secilit shtet, Kosova tashmë duhet procedojë me Këshillin e Sigurisë dhe Strategjinë Nacionale të Sigurisë, duke mos vënë në diskutim orientimin politik e strategjik të këtyre akteve obligative. Me këtë, mbi të gjitha, Kosova i shërben asaj që McCain e quajti “fuqia e idealit tonë”.

Botuar në “Zëri” më 8 shtator 2008, fq. 11.

Monday, September 1, 2008

Terri i madh

Loja pa fitues

Terri i madh

Domethënia e ‘njerëzve për letra’, fjalë kjo që rrjedh nga jeta e përditshme intelektuale e Kosovës së këtyre ditëve, është njerëz që kërkojnë dhe fitojnë favore përmes shkrimeve të herë pas hershme. Kjo është parë se ka pasur efekt në Kosovë dhe njerëzit e tillë tashmë mendojnë se kanë zgjidhur shumë probleme të jetës së tyre personale. Disa prej syresh tashmë janë ngarkuar

Shkruan: Burim Ramadani

I
Derisa aeroplani po afronte për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës, njëri prej udhëtarëve që pak më parë i kishte dalë gjumi edhe pse ishte i lodhur, zgjati kokën në dritaren që e kishte në anën e djathtë. I kishin thënë se Prishtina është e bukur. Mendoi me vete ta sheh Prishtinën edhe natën, pasi që i kishte rënë të udhëtojë në orët e mbrëmjes. Nuk arriti. Prishtina ishte e mbuluar në terr. Për më keq, udhëtari do ta vërente për pak kohë se terri nuk është vetëm i një aspekti. Sikurse tha ai jo shumë kohë pasi erdhi në Prishtinë dhe vizitoi disa vendbanime tjera në vend, Kosova është nën një terr të madh. Për të vënë re këtë katrahurë guximi, mendimi racional dhe përfaqësimi të interesit të qytetarëve, udhëtari pati nevojë t’i lëshojë një sy disa pikave që në sistemet demokratike paraqesin shtetin, shoqërinë dhe perspektivën. Udhëtari pa se në Kosovë shumëçka funksionon në lidhje të shkurtër, me interes krejt të ngushtë personal dhe pa kritere profesionale. Analiza e tij do të duhej të titullohej ‘Përbrenda Kosovës’. Bazuar në atë që pa, titulli i analizës doli të jetë ‘Terri i madh’.

II
Dominimi i reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike nuk është më ndonjë lajm për Kosovën, porse e keqja në këtë mes është se tashmë ato duket se po thellohen edhe më shumë, edhe më shpesh. Problemi i energjisë elektrike në Kosovë është theksuar dhe analizuar disa herë nga ekspertë të ndryshëm të kësaj fushe, derisa zgjidhja e problemit nuk duket e afërt. Tash për tash, jemi në mes të territ. Për t’u thelluar edhe më shumë, nuk ka ndonjë projekt se si të dilet nga kjo krizë energjetike, e dhunimit të të drejtave të njeriut, vullnetit të qytetarëve dhe uljes së skajshme të standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës. Çështja e energjisë elektrike nuk duhet të përceptohet dhe të shpjegohet si një aspekt krejt teknik i qeverisjes dhe gjendjes në përgjithësi. Nuk duhet harruar se kjo çështje ka qenë një ndër temat kryesore në fushatën e kaluar parazgjedhore. Për këtë duhet prezantuar në publik rrugën kah është duke u lëvizur, nëse po lëvizet. Nuk mjafton që Ministrja përgjegjëse të thotë se nuk e ka ditur që ka kaq shumë probleme në energjetikë. Duhet thënë si do të dilet prej situatës tmerruese.

III
Disa herë kemi dëgjuar për suksese të Kosovës që nga koha prej shpalljes së pavarësisë së vendit. Po ashtu, ditëve të fundit po shpeshtohen ‘njerëzit e letrave’ që pa ndonjë kriter dhe masë tjetër matëse shkruajnë për një sukses të qartë kundrejt vendeve në rajon sa i përket tri elementeve: ruajtjes së sigurisë, stabilitetit qeveritar dhe paqes sociale. Të tri këto fusha në Kosovë në fakt dëshmojnë të kundërtën e të qenit të suksesshëm. Për fat të keq, një pjesë e territorit të vendit nuk kontrollohet në asnjë sekondë gjatë 24 orëshit dhe kjo i bën një favor të posaçëm kontrabandës dhe krimit. Kryeministri tha disa ditë më parë se pjesa e veriut të Kosovës ka qenë oazë e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Askush nuk e debaton këtë. Porse, nëse ka qenë oazë, tashmë është planet i krimit të organizuar dhe kontrabandës. Në kohën kur nuk ka as pika kufitare, as dogana, as kontroll të sigurisë nga ana e Prishtinës, sigurisht se gjendja është shumë më keq se sa ka qenë pak kohë më parë. Njëjtë është edhe në fushat tjera. Kjo dëshmon qartë se disa ‘njërëz të letrave’, në fakt janë ‘njerëz për letra’.

IV
Domethënia e ‘njerëzve për letra’, fjalë kjo që rrjedh nga jeta e përditshme intelektuale e Kosovës së këtyre ditëve, është njerëz që kërkojnë dhe fitojnë favore përmes shkrimeve të herë pas hershme. Kjo është parë se ka pasur efekt në Kosovë dhe njerëzit e tillë tashmë mendojnë se kanë zgjidhur shumë probleme të jetës së tyre personale. Disa prej syresh tashmë janë ngarkuar…për të përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme të botës. Shumë të tillë janë edhe zëvëndës të ngarkuar. Barra me të cilën janë ngarkuar këta njerëz vërtetë është e madhe dhe e rëndësishme. Favoret që kanë fituar një pjesë e të ngarkuarve të parë dhe zëvendës të ngarkuarve të parë, duket se kanë filluar të lakmohen menjëherë nga kolegët e tyre të ‘penës’. Tek e fundit, dikush mund të thotë se këtu nuk ka asgjë të keqe dhe se stili i Shqipërisë në këtë aspekt nuk është i keq. Kjo do të ishte e padiskutueshme nëse Shqipëria është modeli për zhvillimin e shoqërisë kosovare. Nëse ky model nuk është i tillë, atëherë dëmtuesit e zhvillimit të shoqërisë duhet të adresohen qartë. Të marrin atë që lypin, jo atë që kërkojnë.

Botuar në “Zëri”, më 1 shtator 2008, fq. 11