Sunday, December 28, 2008

Viti historik dhe sfidat përpara

Loja pa fitues

Viti historik dhe sfidat përpara

Ndërtimi i vizionit dhe bashkimi i forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se mbetet sfida kryesore për Kosovën. Siguria, qeverisja e mirë, demokratizimi i shoqërisë, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik, ulja e varfërisë ekstreme dhe integrimet evropiane janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit 2009

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti 2008, pa dyshim, ka shënuar për Kosovën një vit historik, vendimtar dhe të mbushur me sfida të mëdha. Pavarësia e Kosovës, njohjet e shpejta nga shtetet e fuqishme demokratike, ftesa për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj nga Haga, fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi janë disa nga zhvillimet kryesore pozitive për Kosovën dhe shqiptarët. 2008-a ka shënuar një hap të fuqishëm përpara për kombin shqiptar, në kuptimin e integrimit të shtetit shqiptar në strukturat evro-atlantike. Integrimi brenda-shqiptar ka vazhduar edhe më tutje të thellohet, duke i dhënë një aspekt edhe më praktik të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, politike, kulturore, shoqërore dhe sportive midis Kosovës dhe Shqipërisë. Pozicioni i kombit shqiptar ka arritur nivel më të përparuar në Ballkan dhe në raport me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Po ashtu, zhvillimi i marrëdhënieve dhe miqësisë më Perëndimin ka marrë një stad dhe drejtim tjetër, atë të partneritetit. Jo pak lëvizje pozitive kanë ndodhur në aspektin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale, kryesisht duke pasur parasysh avancimin e raporteve me Maqedoninë dhe Malin eZi, si pjesë e rëndësishme e fqinjve të Kosovës, të cilët kanë njohur pavarësinë e vendit. Historia e rajonit Ballkanik nuk ka njohur deri më tash stad më të lartë të zhvillimit dhe përmirësimit të raporteve me Perëndimin, shtetet me demokraci të konsoliduar dhe fuqinë më të madhe ushtarake botërore. Ajo që nuk u arrit as gjatë këtij viti mbetet sfida më e madhe e Ballkanit, Serbia dhe politika izoluese e saj, e cila ka vazhduar të luajë rol dekonstruktiv gjatë dekadave të tëra të historisë moderne.

II
Bashkë me fillimin e vitit 2008, qartësia e procesit pothuaj kishte marrë formën përfundimtare sa i përket hapave të mëtutjeshëm mbi statusin e Kosovës. Viti 2008 filloi me formimin e koalicionit të ri qeverisës, pas një procesi zgjedhor të fundvitit 2007, proces ky që ngriti një valë dyshimesh rreth rregullsisë së tij dhe orientimit real të shoqërisë kosovare. Sidoqoftë, transferi i qetë dhe pa probleme i pushtetit, ndërrimi i ekipeve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal tregoi pjekuri politike dhe një hap para në aspektin e konsolidimit të demokracisë. Kosova, më pas, shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke vendosur në të njëjtën ditë edhe për flamurin shtetëror. Tri-ngjyrëshi me hartën e Kosovës në mes, megjithatë, ende nuk është bërë simbol i fuqishëm i kosovarëve edhe pas gati një viti të shpalljes së tij, kryesisht për shkak të zhvillimeve të mjegullta politike rreth Kosovës. Dosido, njohja e shpejtë e pavarësisë së vendit nga shtetet e fuqishme demokratike të globit i dhanë një mbështetje të madhe zhvillimit të shpresës për shtetin e ri, shpresë e cila dukshëm u zbeh gjatë muajve të fundit të këtij viti, pas përpjekjeve të reja të Serbisë dhe OKB-së për aranzhmane të pavolitshme për Kosovën. Festimi i qetë dhe pa asnjë incident në rrugët e Kosovës i ka mundësuar paraqitje të një imazhi të civilizuar të shqiptarëve të Kosovës në mediat botërore, të cilat kishin prezencë të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në qytetet tjera të vendit gjatë ditëve të ftohta të shkurtit. Historia e bë më 17 shkurt 2008 dhe ajo mbeti të ndërtohet edhe në aspektin tjetër të zhvillimit politik, qeverisës, ekonomik e shoqëror. Ndërtimi i një shoqërie demokratike është interesi më vital i kosovarëve në vitet e ardhshme.

III
Vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sfidat e mëdha filluan të formësohen, kryesisht në veri të vendit. Djegia e dy pikave doganore me Serbinë në veri të Kosovës shfaqi thellësinë e problemeve që do të ketë edhe më tutje Prishtina zyrtare me komunitetin serb të Kosovës. Kjo dëshmoi se konflikti midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë do të vazhdojë, duke vënë shumë herë në pikëpyetje arritjen e funksionalitetit të duhur të modelit qytetar të shtetit të ri. Modeli mbi të cilin Kosova shpalli mëvehtësinë e saj është model që nuk vë në rend të parë gjakun dhe përkatësinë etnike, por barazon të gjithë shtetasit e Kosovës nën konceptin e ‘kosovarit’, duke identifikuar qytetarët me shtetin dhe vendit të lindjes, jo bashkësinë grupore të gjakut në të cilën lind njeriu. Porse, ky koncept (sado që është gjithëpërfshirës) nuk është pranuar edhe më tutje nga komuniteti serb i Kosovës, i cili sikurse edhe shqiptarët do të duhej që dalngadal të largonin tendencën e forcimit të identifikimit me ‘shtetin amë’ apo ‘sistemin e përkatësisë së gjakut’. Kjo, në fakt, është sfida më e madhe e mentalitetit ballkanik të kosovarëve dhe në mënyrë specifike me komunitetin serb, që vazhdon të jetë i ndikuar plotësisht nga politika izoluese e Beogradit zyrtar. Në anën tjetër, muajt e fundit të këtij viti kanë nxjerrë në pah përpjekjet koncept-shkatërruese për aranzhmane të reja në Kosovë, të njohura si Plani 6 pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Megjithëse, publikisht ky Plan është kundështuar nga Prishtina zyrtare, gjatë dhjetorit 2008 janë parë të jenë realizuar elemente të caktuara të këtij Plani, sikurse është Posta e Serbisë në qendër të Kosovës apo funksionimi i mjegullt i transportit hekurudhor të Serbisë në veri të Kosovës.

IV
Bashkimi i vizionit dhe forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se është, megjithatë, sfida kryesore për Kosovën. Gati një vit pas pavarësisë, Kosova është ballafaquar me rritje të dukurive negative në shoqëri, derisa krimi i origanizuar dhe korrupsioni mbeten edhe më tutje tema të cilat nuk janë prekur. Për këto defekte të organizimit politik dhe shoqëror, Kosova ka marrë vërejtje të qarta raportet gjithëpërfshirëse të së paku tri organizatave ndërkombëtare dhe think-tankeve të shquara. Komisioni Evropian, OSBE-ja dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave kanë alarmuar gjatë këtij viti për nivelin e ulët të progresit të shtetit të ri, duke vënë po ashtu në dyshim orientimin e shoqërisë kosovare, në kuptimin e qartësimit të cakut se ku dëshiron të arrijë Kosova gjatë viteve të ardhshme. Qeverisja, demokratizimi i shoqërisë, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë ekstreme janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të mos-përmirësimit të këtyre fushave gjatë vitit 2008. Lufta e brendshme politike nuk ka arritur të koncentrohet ende në fusha konkrete të qeverisjes dhe zhvillimit të shoqërisë, duke shtruar kështu nevojën që kjo të konceptualizohet gjatë vitit të ardhshëm. Prandaj, është e qartë se viti i ardhshëm do të jetë vit i sfidave në rrugën e zhvillimit të demokracisë. Koncepti civil i qeverisjes është mëse i domosdoshëm për Kosovën e re, duke vendosur në këtë pikë zhvillimin e pavarësisë reale të institucioneve dhe agjencive të pavarura, respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritjen e strukturave të sigurisë së Kosovës, integrimin e komuniteteve në sistemin e ri dhe përmbushjen e standareve për integrimet evropiane.
Botuar në "Zëri", më 29 dhjetor 2008, fq. 8

Monday, December 22, 2008

Kompletimi i sektorit të sigurisë

Loja pa fitues

Kompletimi i sektorit të sigurisë

Kosova e pas pavarësimit ka mundësinë që për herë të parë të jetë titullare e mekanzimave të rëndësishëm të sigurisë, të cilët i kanë munguar në masë tejet të madhe gjatë këtyre nëntë vjetëve të pas-luftës. Kosova ka kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj. E tëra që duhet të bëhet është marrja e vendimeve për kompletimin e këtyre mekanzimave

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendimet e rëndësishme për themelimin, zhvillimin apo transformimin e mekanizmave vital për shtetësinë janë gjithnjë e më shumë të nevojshme dhe kërkesë e gjithanshme qytetare, institucionale, akademike dhe ndërkombëtare. Kosova, tashmë gati një vit pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk ka kompletuar mekanizmat në njërin prej sektorëve thelbësor dhe të padiskutueshëm të shtetit – sektorin e sigurisë. Pavarësisht motiveve dhe arsyetimeve të mundshme politike mbi vonesat për kompletimin e këtij sektori, është e qartë se domosdoshmëria e zhvillimit të mekanzimave të sigurisë është e padiskutueshme si në parim, po ashtu edhe në praktikë. Janë disa vendime që duhet të merren sa më parë që është e mundur në mënyrë që të mundësohet themelimi, zhvillimi dhe përparimi i instistitucioneve dhe mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë në Kosovë. Në këtë kontekst, fillimi i vitit të ardhshëm do të duhej të shënonte një intensifikim të plotë të përpjekjeve për kompletimin e mekanzimave të sektorit të sigurisë.

II
Vendim-marrja është njëkohësisht proces dhe akt, prandaj ndërmarrja e hapave të parapara është një obligim institucional, politik dhe qytetar. Kosova e pas pavarësimit ka mundësinë që për herë të parë të jetë titullare e mekanizmave të rëndësishëm të sigurisë, mekanizma këta që i kanë munguar në masë tejet të madhe gjatë këtyre nëntë vjetëve të pas-luftës. Kosova tashmë ka aftësinë juridike të krijojë organin më të lartë planifikues dhe udhëheqës të sigurisë, përkatësisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Ky është trupi më përfaqësues brenda një shteti sa i përket mekanzimave të sigurisë së përgjithshme të vendit, duke mbledhur në një vend përfaqësuesit më të lartë politik, udhëheqësit e institucioneve politikisht të pavarura të sigurisë, ekspertë dhe kryeagjentë sigurimi të shtetit. Megjithëse ende nuk ka ndodhur, Këshilli i Sigurisë i Kosovë do të duhej të fillonte menjëherë funksionimin e plotë, duke u angazhuar që në javët e para në hartimin e dokumentit më të rëndësishëm të shtetit (pas Kushtetutës), përkatësisht Strategjinë Nacionale të Sigurisë, apo atë që quhet “Strategjia e madhe”.

III
Bazuar në dokumentet mbi të cilat u pavarësua Kosova, tashmë sa kohë është hapur mundësia për krijimin e institucioneve e mekanzimave që nuk kanë ekzistuar më parë në vend. Sikurse është përcaktuar në Planin e Ahtisaarit, në Aneksin e Tetë, pika 1.1, Kosova ka kompetenca mbi zbatimin e ligjit, sigurisë, drejtësisë, sigurisë publike, inteligjencës, organeve civile emergjente dhe kontrollit të kufijve në territorin e saj. Në këtë mënyrë, Agjencia Kosovare për Intelegjencë do të duhej të fillonte punën sa më parë. Është e qartë se një kohë relativisht e gjatë do të jetë e nevojshme të kalpohet në dizajnimin e strukturës së Agjencisë, rektrutimin e stafit, sikurse edhe organizimin e trajnimeve të domosdoshme për stafin e përgjithshëm udhëheqës, operativ dhe administrativ. Ky agjencion do të duhej të jetë profesional, apolitik, shumë-etnik dhe nën mbikëqyrje të Kuvendit dhe administratës civile, pikërisht ashtu sikurse është përcaktuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të kthyer më pas në dispozitat ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

IV
Bashkë me përgatitjet për hapat e parë, do të duhej që Kosova po ashtu të ketë të qartë planet e saj për investimet humane e financiare në mekanzimat ekzistues dhe të tjerët që do të transformohen apo krijohen nga fillimi. Zhvillimet në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës do të duhej të jenë plotësisht të pandikueshme nga politika për shkak të vitalitetit që duhet të ruajnë këto institucione në të mirë të funksionimit të tyre dhe shtetit. Pavarësisht disa rasteve të deritashme të dyshuara si ndërhyrje politike në Polici apo në vonesat për rekomandimet për emërime të caktuara, këto institucione kanë fuqinë e përballjes së situatave në mënyrë të pavarur dhe, prandaj, është e domosdoshme ruajtja e pavarësisë operacionale të këtyre mekanizmave të rëndësishëm të sundimit të ligjit, ruatjes së rendit publik dhe menaxhimin e krizave. Themelimi i ambasadave të Kosovës në vendet tjera që kanë njohur shtetësinë kosovare është një tjetër hap që do të duhej të ndërmerrej në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të OKB-së dhe BE-së. Kjo do të ndihmonte zhvillimin e mëtejshëm të sigurisë në Kosovë.

Botuar në “Zëri” më 22 dhjetor 2008, fq.

Monday, December 15, 2008

E ardhmja kërkon vullnet politik

Loja pa fitues

E ardhmja kërkon vullnet politik

Shteti dhe shoqëria kosovare është në fazën e nevojës së bashkimit për të zhvilluar shtetin, demokracinë, lirinë individuale dhe grupore, të drejtat e njeriut dhe krijuar të ardhmen. Vënia e politikës denigruese, intriguese, inatçore, hakmarrëse, shpifëse, manipuluese dhe konsiparative është plotësisht e kundërta e asaj çka do të duhej të krijuar dhe arritur. Krijimi i të ardhmes është përgjegjësi gjenerate

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bashkë me krjimin e shteteve të reja, vullneti politik, vizioni, orientimi dhe institucionalizmi i elitës politikës zë vend të rëndësishëm në teoritë që merren me shtet-ndërtimin dhe shtet-formiminin. Dhe, në fakt, vullneti politik nuk është vetëm çështje e përcaktimin të një linje apo përcjelljes së linjës së përcaktuar nga faktorët tjerë. Kjo ta të bëjë më tepër me vendosjen dhe përcjelljes së dinamikës për marrjen e vendimeve të rëndësishme, pasi që vizioni dhe platforma udhëheqëse është përcaktuar. I tërë ky proces nuk ndodh shpesh në vende të ndryshme dhe gjatë historisë më të re kemi parë edhe shtete që nuk kanë arritur të plotësojnë të gjitha elementet e kërkuara, por edhe shtete të dështuara. Sa i përket shteteve të dështuara, domosdoshmërisht mungesa e qartësisë së vullnetit politik të elitës politike ka qenë njëri prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në dështimin e qeverisë, shtetit dhe perspektivës së qytetarëve të atyre vendeve, të cilët kanë përjetuar humbje, dhimbje dhe vuajtje si pasojë e keq-orientimit të elitës së tyre politike. Tek e fundit, secili gabim dhe vonesë e elitës politikës bie si barrë mbi qytetarët e atij vendi, të cilët paguajnë çdoherë fatura të mëdha.

II
Vullneti politik i ndërtimit, përmbushjes dhe zhvillimit të shtetit është, në thelb, themeli bazik për të ardhmen e qytetarëve, institucionalizmit dhe mëvehtësisë politike, ekonomike dhe legale. E ardhmja nuk ndërtohet disa herë brenda një periudhe të shkurtër. Ajo duhet përcaktuar në momentin dhe hapësirën e caktuar, në drejtim të të cilës elita politike ndërton vizionin e vet udhëheqës në mënyrë të arritjes së standardit të përcaktuar. Dhe, e ardhmja nuk është vetëm çështje e një gjenerate politikanësh, udhëheqësish, profesorësh apo biznizmenësh. E ardhmja do të thotë përcaktim i pozitës që do të kenë qytetarët e tërë shtetit në krahasim me pikat tjera referuese (në rastin e Kosovës, me rajonin dhe më pas edhe Evropën), dhe po ashtu është çështje e gjeneratave të ardhshme, të cilat nuk do të duhej të ktheheshin për të bërë punët që kanë mundur të përfundohen nga gjenerata e tashme. Asnjëherë nuk është e thjeshtë të vendosësh për gjeneratat e ardhshme, prandaj elita politike ka gjithëherë ‘barrë’ të madhe zhvillimore. Përgjegjësia për gjeneratat e ardhshme është instrumenti kryesor me të cilin maten gjenaratat e politikanëve. Kosova do të duhej të bazohej në këtë parim.

III
Bashkimi parimor dhe praktik i forcave inicuese të gjithëmbarshme brenda një shoqërie në shërbim të vendit, shtetit dhe shoqërisë është një prej detyrave më të rëndësishme me të cilat përballen elitat politike të secilit vend në botë. Shërbimi ndaj vendit është një prej kënaqësive më të mëdha që do ta ndjente secili njeri i përgatitur për jetë. Kjo është treguar e vërtetë në tërë historinë e njerëzimit dhe sidomos prej kohëve kur organizimi shoqëror ka arritur të krijojë udhëheqje, elitë, institucione dhe përcaktim territori. Kjo duhet krijuar edhe në Kosovës, sikurse në secilin shtet normal të Perëndimit dhe Lindjes, ku shërbimi ndaj vendit nuk është asgjë më shumë se një obligim qytetar i secilit inidivid. Por, për të organizuar një sistem të tillë të ngritjes së kapacitetit të përbashkët veprues, kushti themeltar është ekzistimi i një vullneti politik të elitës politike, në rend të parë të asaj udhëheqëse. Krijimi i Ekipit të Unitetit në shtator 2005 është shembulli i bashkimit të forcave për shërbim ndaj vendit. Tash, shteti dhe shoqëria kosovare ka kaluar fazat emergjente të bashkimeve. Prandaj, në këtë fazë kemi të bëjmë me nevojën e bashkimit për të zhvilluar shtetin, demokracinë, lirinë individuale dhe grupore, të drejtat e njeriut dhe krijuar të ardhmen.

IV
Vënia e politikës denigruese, intriguese, inatçore, hakmarrëse, shpifëse dhe manipuluese është plotësisht e kundërta e asaj çka do të duhej të krijonte dhe të arrinte shteti dhe shoqëria kosovare. Përpjekjet e komplotit dhe konspiracionet e vazhdueshme të pranishme në rrethe të ndryshme të politikës kosovare janë gjithëherë indikatorë të mentalitetit për të vënë të gjitha lëvizjet e mundshme brenda një rrethi të ngushtë, të paorganizuar, të pazhvilluar dhe të pavullnetshme për ecje përpara. Kjo në të vërtetë është e pamundshme të ndodh në një shoqëri që është drejtuar kah demokracia, të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta. Përpjekjet e tilla të bazuara gjithëherë mbi intriga janë të tejkaluara në vitet e shekullit dhe mileniumit të ri, prandaj ato nuk do të duhej të ekzistonin as në mendjet e njerëzve. Pa dashur reflektuar ndonjë idealizëm të tepruar, zhvillimi i shtetit dhe shoqërisë kosovare do të ndodh vetëm atëherë kur elitat politike paraprakisht kanë vullnetin politik për të qenë gjithëpërfshirës, të hapur ndaj ndryshimeve, të hapur ndaj ideve reformuese e zhvillimore, dhe kur në shoqërinë politike kosovare nuk do të ketë tema që konsiderohen tabu.

Botuar në “Zëri” më 15 dhjetor 2008, fq. 9

Tuesday, December 9, 2008

Kërkim-falje Gjermanisë!

Loja pa fitues

Kërkim-falje Gjermanisë!

Kosova duhet që sa më parë t’i kërkojë falje publike shtetit dhe popullit gjerman për spektaklin e rëndë rreth tre gjermanëve të BND-së, duke i kërkuar Gjermanisë vazhdimin e bashkëpunimit, thellimin e ndihmës në të gjitha aspektet për Kosovën dhe të ardhmen e saj demokratike. Këtë duhet ta bëjë si pozita, ashtu edhe opozita e shoqëria civile


Shkruan: Burim Ramadani

I
Valëzimi i ‘rrugës tunel’ nga Prishtina në drejtim të Shkupit, duket se është një ekzemplar i posaçëm në identifikimin e mënyrës së valëzuar të ndërtimit të shtetit funksional. Jo shumë ditë më parë, rasti i tre gjermanëve ka vënë në valëzim/luhatje qëndrimin dhe pjekurinë e shtetit të ri në raport me shtetet tjera. Rasti i tre gjermanëve nuk ka se si të mos jetë një prej temave më të rëndësishme në analizën mbi rrugën e zgjedhur për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare bilaterale dhe multilaterale të Kosovës, si shtet i ri, pa përvojë diplomatike dhe me mungesë të kapaciteteve humane, ekonomike dhe programore. Kjo ta të bëjë me konceptin shtetëror mbi të cilin po ndërtohet apo duhet të ndërtohet shteti drejt asaj që quhet pozicioni i Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke qartësuar në atë mënyrë orientimin e shtetit të ri. Prandaj, Kosova ka më së shumti nevojë për stabilitet në orientimin e saj drejt të ardhmes demokratike-Perëndimore, demokratizimit të shoqërisë dhe veprimeve të koordinuara ndërkombëtare. E vetmja që s’na duhet është valëzimi i orientimit shtetëror dhe shoqëror, valëzim që e vërejmë në rrugën e re të posandërtuar.

II
Bazuar në shpjegimet e ekspertëve të konstruktucioneve, të shkolluar me standardet evropiane, rruga nga Prishtina drejt Shkupit është asgjë më pak se një ‘rrugë tunel’. Kjo për shkak se nuk është e pajisur me dalje të mjaftueshme, nuk ka gjerësinë e duhur, është e rrethuar dhe nuk ka mundësinë e ndërhyrjes së lehtë emergjente në çdo rast nevoje. Për më tepër, standardi për valëzim nuk është respektuar fare dhe aftësia e ujit për të gërryer asfaltin është shumë e madhe. Sa i përket pjesës së parë, është dëshmuar tashmë se në rast të një aksidenti, rruga bllokohet për më shumë se dy orë, siç ishte rasti gjatë javës së kaluar. Muajt e parë të pranverës do të dëshmojnë nëse edhe pjesa e dytë e shpegimeve të konstrukcionistëve janë të sakta. Mendimi i parë mbi këtë rrugë është se ne nuk kemi mësuar ende ndërtimin e vetes pavarësisht shumës së parave që shpenzojmë. I njëjti shpjegim dhe e njëjta analizë mund të merret edhe për pjesën e shtet-ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit e shoqërisë. Shpenzimet në kohë dhe mjete duhet t’i shërbejnë qëllimit dhe asnjëherë e kundërta, sikurse ishte tentativa për keqpërdorimin e rastit të tre gjermanëve. Në secilin rast të tillë, Kosova është ajo që humb.

III
Veprimet në raport me shtetet tjera janë gjithsesi vendime të mëdha dhe për to duhet pasur çdoherë kujdesin e duhur. Veçanërisht, kur ka të bëjë me rastet kur dyshohet se janë të implikuar edhe agjentë sekret të shtetit tjetër, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me Kongon, Rusinë, Zvicrën apo Gjermaninë, shteti duhet pasur parasysh se mund të shkaktojë incident ndër-shtetëror. Çdo rast i vetëm është dëshmuar të ketë konsekuenca të tjera, të vazhdueshme dhe përcjella me debate interesante në opinionin publik dhe politik. I tillë mund të jetë edhe tentim-eksperimenti me tre gjermanët e BND-së, të cilët u arrestuan të dyshuar për vendosjen e bombës para ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Edhe më i rëndë ka qenë spektakli medial i zhvillimeve pas arrestimit, duke përfshirë këtu edhe paraqitjen në gjykatë dhe kriminalizimin që i bën media të caktuara të lidhura me interesa politike, partiake dhe individuale në Prishtinë. Bashkë me këto veprime, pamë tendencën e pakuptueshme me logjikën e një shtetit të orientuar kah Perëndimi për të dënuar agjentët gjermanë, thuaja se ata janë endacakë të pastrehë të një shteti të dështuar të Afrikës së djegur nga dielli.

IVBashkë me spektaklin famëkeq në Prishtinë, pamë reagimet e para gjermane, duke kritikuar Kosovën për veprimet e tilla. Porse, për fat të mirë të kosovarëve, Gjermania ka luajtur lojën e të madhit dhe pohoi se nuk do të ndal ndihmat për Kosovën. Kjo tregon më së miri se si shteti i konsoliduar nuk shkel interesat e qytetarëve të një shteti edhe atëherë kur një pjesë e elitës së atij shteti sulmon Gjermaninë. Ky spektakël ka qenë sulmi më i keq që ka mundur t’i vie Gjermanisë nga Kosova, si vend të cilit i ka ndihmuar për vite me radhë, për të cilin ka luftuar dhe ka shpenzuar mjetet e taksapaguesve të vet. Stili i Iranit është përdorur në këtë rast në Kosovë dhe kjo gjithsesi duhet të dënohet në çdo vend dhe çdo kohë. Qytetarët e Kosovës nuk kanë përkrahur asnjëherë sulmet drejt Perëndimit, që vënë në dyshim orinetimin e shtetit të ri. Kosova pa dyshim duhet që sa më parë t’i kërkojë falje publike shtetit dhe popullit gjerman për një gabim të rëndë, duke i kërkuar Gjermanisë vazhdimin e bashkëpunimit, thellimin e ndihmës në të gjitha aspektet për Kosovën dhe të ardhmen e saj demokratike. Këtë duhet ta bëjë si pozita, ashtu edhe opozita e shoqëria civile.

Botuar në “Zëri” më 9 dhjetor 2008, fq. 14