Monday, March 30, 2009

Ballkani drejt NATO-s


Loja pa fitues

Ballkani drejt NATO-s

Institucionet kosovare dhe në mënyrë më specifike ato që udhëheqin sektorin e sigurisë duhet që tashmë të jenë shumë më aktive në qasjen, politikat dhe veprimet konkrete për të afruar Kosovën me NATO-n. Me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, rajoni i Ballkanit nga një ‘shpenzues’ i fuqisë së Perëndimit për paqe kthehet në një kontribues për paqen dhe sigurinë rajonale. Roli i Shqipërisë, ndërkaq, do të jetë prijës për zhvillimet e mëtejshme demokratike dhe integruese të Ballkanit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vetëm pas pak ditësh, rajoni i Ballkanit do të nis një faqe të re të historisë. Kjo do të vërehet edhe në aspektin politik, edhe në atë të sigurisë, por edhe në aspekte tjera të jetës politike dhe proceseve zhvillimore në përgjithësi. Shqipëria do të jetë përfundimisht anëtare me të drejta dhe obligime të plota në Organizatën e Paktit Veri-Atlantik, që njohet kryesisht me shkurtesën e saj NATO. Ky është një lajm i mrekullueshëm jo vetëm për Shqipërinë dhe jo vetëm për shqiptarët në Ballkan. Ngjarja e madhe e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë, por edhe Kroacisë në NATO është një hap i madhërishëm i gjeo-politikës dhe sigurisë rajonale në njërin prej rajoneve më të trazuara të Evropës dhe botës. Me këtë, domosdoshmërisht një epokë e re po lind në Ballkan dhe kjo do të dëshmohet me kalimin e viteve dhe dekadave të ardhshme. Prezenca e NATO-s në vende të ndryshme të Ballkanit, sikurse edhe anëtarësimi i këtyre dy shteteve ballkanike në këtë Organizatë, pa dyshim se rrisin në mënyrë kualitative mundësinë dhe potencialin e Ballkanit për t’u stabilizuar pas shumë kohe të urrejtjes, konfliktit, dhunës, luftërave dhe gjenocideve. Ky është një lajm i papërsëritshëm i fillimit definitiv të tejkalimit të mentalitetit dhunë-nxitës të kombeve në Ballkan, pavarësisht se për të përmbyllur këtë proces duhet vetëdijësim i disa kombeve që ende janë në luhatje midis të kaluarës së dhunshme dhe të ardhmes paqësore.

II
Bashkimi i dy shteteve tjera të Ballkanit me NATO-n do të hap rrugë njëherë e mirë për vendosjen e një relacioni tjetër të fuqisë së kombeve në rajon. Historia është dëshmitare e shumë e shumë gjëra të rënda që kanë ndodhur sidomos gjatë këtyre pesëmbëdhjetë dekadave të fundit në rajonin malor të Evropës Jug-Lindore. Me rëndien e Perandorisë Osmane në fillim vitet e shekullit të kaluar, apetitet nacionaliste të kombeve ballkanike u rritën në masë të madhe, duke u manifestuar me konflikte të hapura mes tyre. Gjatë këtyre dekadave, disa herë janë provuar gjenocide, spastrime etnike, shpërngulje masive të popullatës, asimilime dhe gjakderdhje. Luftërat mes kombeve të ndryshme për territore të caktuara nuk janë shmagur as në vitet e para të pas-rënies së bllokut famëkeq të komunizmit në Evropë. Shkatërrimi i ish-Jugosllavisë artificiale ka ndodhur pikërisht për shkak të stër-rritjes së ndjenjës nacionaliste të kombit serb, i cili u udhëhoq nga parimet shkatërruese njerëzore duke tentuar të përfitojë territore të reja dhe të realizojë ‘ëndrrën’ hegjemoniste të “Serbisë së Madhe”. Dhe, ishte pikërisht NATO dhe Perëndimi që i dhanë fund vazhdimit të politikës së gjenocidit dhe spastrimit etnik në territorin e ish-Jugosllavisë.

III
Vendosja e NATO-s në Kosovë dhe në vende tjera të Ballkanit, gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, mund të konstatohet si faza e parë konkrete e zgjerimit të aleancës në këtë rajon me rëndësi gjeo-strategjike dhe gjeo-politike për Perëndimin. Shqiptarët si komb dhe si shtete, kanë pasur fatin historik të jenë të miqësuar me Perëndimin, SHBA-të dhe vende të fuqishme të BE-së. Republika e Shqipërisë do të shfrytëzojë këto ditë momentin më të rëndësishëm të historisë së saj që prej pavarësimit të vitit 1912. Duke kaluar javën e kaluar ligjet për aderim në NATO, Parlamenti shqiptar ka vendosur edhe ligjërisht rrugën përfundimtare për të lënë në në ‘harresë historike’ një periudhë të keqe të zhvillimit shtetëror të ndodhur jo shumë kohë më parë. Shqipëria po kalon kështu një tranzicion jo të lehtë, por të suksesshëm, nga komunizmi ekstrem kah një aleancë e vërtetë drejt të mirës globale, demokracisë, sigurisë kolektive dhe të ardhmes paqësore. Kjo i bën nder jo vetëm Shqipërisë në këtë rast, por edhe kombit shqiptar në përgjithësi dhe rajonit të Ballkanit, duke bërë kështu që kjo pjesë të kthehet (edhe pse pjesshëm) nga një rajon ‘shpenzues’ i fuqisë së Perëndimit për paqe në një vend kontribues për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe pse jo edhe atë globale. Roli i Shqipërisë në këtë kuadër nuk do të jetë vetëm për pjesëmarrje, por në të vërtetë do të jetë edhe prijës për zhvillimet e mëtejshme demokratike dhe integruese të Ballkanit.

IV
Bazuar në vlerësimet për rrjedhat e ardhshme të zhvillimeve politike dhe të sigurisë për rajonin e Ballkanit dhe për Kosovën, mund të konstatohet pa dyshim se orientimi i qartë pro-Perëndimor i shtetit të ri është një urë e fuqishme lidhëse midis tejkalimit të sfidave dhe të ardhmes të sigurt prosperuese. Kosova tashmë pas pavarësimit duhet të jetë konkrete, e vëmendshme, e vendosur dhe tejet këmbëngulëse në veprimet e saj për të arritur fillimit e proceseve integruese në NATO. Institucionet kosovare dhe në mënyrë më specifike ato që udhëheqin sektorin e sigurisë, duhet që tashmë të jenë shumë më aktive në qasjen, politikat dhe veprimet konkrete për të afruar Kosovën me NATO-n. Dhe, afrimi i Kosovës me NATO-n ka dy aspekte. Së pari, vullneti politik i institucioneve të Kosovës duhet të kthehet në veprime konkrete dhe vendosmëri për të plotësuar kriteret e domosdoshme për këtë zhvillim. Këtu sigurisht se hynë edhe funksionalizimi sa më i shpejtë të FSK-së dhe institucioneve tjera, por edhe miratimi dhe implementimi i strategjive të nevojshme për të krijuar ambient të sigurt të brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Së dyti, zhvillimi i Kosovës në një kontribues për paqen rajonale dhe globale, duke ofruar kuadrot e specializuara dhe të trajnuara mirë të institucioneve tona të sigurisë për të shërbyer në misione ndërkombëtare dhe në koalicionin ndërkombëtar Perëndimor. Këto janë mundësitë e Kosovës që duhet të shfrytëzohen. Kjo është e ardhmja e Kosovës, prandaj veprimet konkrete duhet të ndjehen.

Botuar në “Zëri” më 30 mars 2009, fq. 10.

si dhe

në "Gazeta Shqip" në Tiranë më 2 prill 2009, fq. 9.

Sunday, March 22, 2009

Intervenimi i NATO-s, ndërtim i së ardhmes

Loja pa fitues
Intervenimi i NATO-s, ndërtim i së ardhmes
Dhjetë vjet më parë, Perëndimi dhe Pakti NATO ndërhynë ushtarakisht kundër ish-Jugosllavisë së mbetur për të ndalur strategjinë e dhunës së egër që zbatohej kundër popullit të Kosovës. Dhjetë vjet më pas, Kosova vazhdon të thellojë respektin për NATO-n, Perëndimin dhe vlerat demokratike. Ajo duhet të forcohet që, pas pak, të bëhet vetë pjesë e këtyre vlerave
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vendosmëria e pjesës demokratike të bashkësisë ndërkombëtare për të mos lejuar vazhdimin e politikës së spastrimit etnik dhe gjenocidit nga Serbia, si dhe shkeljen e egër e masive të të drejtës ndërkombëtare humanitare, rezultoi para dhjetë vjetësh me operacionin më të madh të Perëndimit në atë që sot në botën akademike njihet si ‘intervenim humanitar’. Jo shumë vjet më parë, Perëndimi, përkatësisht NATO-ja dhe BE-ja, u vunë para sfidës më të madhe parimore dhe humanitare. Serbia kishte fuqizuar në zbatim politikën shtetërore të mbrapshtë dhe në terren strategjinë e saj të dhunës, spastrimit etnik, deportimit masiv dhe gjenocidit, në mënyrë që të zgjidhte konfliktin në Kosovë. Pjesë të kësaj strategjie, në të vërtetë, u patën përdorur disa herë gjatë historisë së shekullit të kaluar, pavarësisht se atëherë ekzistonte shteti federal i Jugosllavisë. Kjo pjesë e strategjisë ishte shpërngulja masive e popullatës së etnisë shqiptare në Kosovës, si rrugë e insistuar nga qarqet nacionaliste serbe mbi udhëheqjen e atëhershme jugosllave. Sidoqoftë, vlerat e konsoliduara demokratike të Perëndimit i dhanë një shancë të fuqishme dhe domethënëse të ardhmes paqësore në Evropë, përfshirë këtu edhe rajonin Ballkanik, pa çka se konflikti politik nuk ka arritur të tejkalohet përfundimisht. Por, ajo që ka ndodhur në mënyrë të pakthyeshme për rajonin me intervenimin ndërkombëtar në Kosovë është lidhja e fuqishme mes Ballkanit dhe NATO-s, lidhje kjo që do të forcohet kur ky rajon të jetë në gjendje t’i bashkohet Paktit.
II
Bashkësia ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ndonjëherë në diskursin ditor të politikës (vendore apo ndërkombëtare) këto ngatërrohen. Me qëllim apo jo, shpesh kemi dëgjuar të thuhet se bashkësia ndërkombëtare përbën në të vërtetë të drejtën (ligjin) ndërkombëtare, apo edhe anasjelltas. Në fakt, këto të dyja funksionojnë në mënyrë të ndarë nga njëra-tjera, ndërkaq asnjëra nuk do të mund të ishte e qëndrueshme si e vetme. Por, në botën akademike ndërkombëtare, pyetjet kryesore të dekadës së fundit kanë të bëjnë me legjitimitetin dhe legalitetit e intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Intervenimi i NATO-s tashmë në teori njihet si ‘intervenim humanitar’ dhe kuptimi i përgjithshëm i termit ‘humanitar’ është përshkrimi i veprimeve që bëhen “duke pasur parasysh interesin e humanitetit apo njerëzimit; fokusimin për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe zvogëlimin e vuajtjeve të atyre që kanë nevojë për ndihmë. Kuptimi i këtij termi në politikën moderne ndërkombëtare ka origjinën në Kodin Lieber të vitit 1863 të Presidentit amerikan Linkoln, po ashtu në Deklaratën e Shën Petersburgut dhe në Konventën e Katërt të Hagës me Regulloret e saj. Si një normë apo element i normave të të drejtës ndërkombëtare që e përbëjnë “humanitaren”, ky term asocion që nga Lufta e Dytë Botërore me një varg marrëveshjesh ndërkombëtare në formë të traktateve, konventave dhe protokolleve.
III
Vrulli i shkeljeve të të drejtës ndërkombëtare humanitare që ndodhi gjatë viteve të 1990-ta në ish-Jugosllavi patjetër se ka kërkuar një goditje të koordinuar ndërkombëtare. Dhe, është e qartë se cilat janë dokumentet bazike ndërkombëtare që merren me këtë fushë. Katër konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet e tyre të vitit 1977 bashkë me Konventën e Hagës, përcaktojnë se çka përbën një luftë; Konventa e Gjenocidit e vitit 1948 definon krimet e gjenocidit; si dhe Karta e Nuremburgut dhe Statuti i Romës is Gjykatës Ndërkombëtare Penale, më 17 korrik 1998, identifikojnë krimet kundër njerëzimit. Këto instrumente, bashkë me Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe vlera të ndryshme themelore të artikuluara në Kartën e OKB-së, përfaqësojnë një kombimin të marrëveshjeve, parime dhe ‘norma shumë të zhvilluara të të drejtave të njeriut’ brenda të drejtës ndërkombëtare. Kohës së fundit, është argumentuar se “intervenimi humanitar është veprim i shteteve të përfshira në përdorimin e forcës së armatosur kundër një shteti tjetër pa pëlqimin e atij shteti, me apo pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim të parandalimit apo ndalimit të shkeljes së egër dhe masive të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare”. Jugosllavia është ballafaquar gjatë vitete të 90-ta me sanksione dhe pyetja kryesore që duhet të shtrohet në këtë mes është se përse nuk është intervenuar më herët kundër Serbisë dhe jo nëse intervenimi në Kosovë duhet të kishte autorizimin apo jo të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
IV
Bashkimi ushtarak i asaj kohe midis Perëndimit dhe kosovarëve ka ndodhur në terren, ndërsa bashkimi politik ka ndodhur për vite të tëra në Prishtinë e Perëndim. Porse, bashkimi më i rëndësishëm dhe kyç për të gjitha zhvillimet e tashme dhe të ardhme në raportet mes Kosovës dhe Perëndimit është ai i vlerave të përbashkëta, orientimit demokratik dhe integrimit të padiskutueshëm. Qytetarët e Kosovës janë po aq Perëndimorë sa të gjithë qytetarët evropianë dhe kjo bazohet në vlerën e tolerancës, drejtimin e palëkundshëm kah demokracia, liria, të drejtat e njeriut dhe prosperiteti. Kjo është pamja e vërtetë e kosovarëve dhe kjo duhet të jetë rruga për angazhimin e të gjitha energjive politike e shoqërore në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në vitin 1999, pos që ka shpëtuar nga dhuna e të gjitha formave një popull të tërë, i ka dhënë një drejtim të shkëlqyeshëm të ardhmes së këtij rajoni, këtyre popujve, sikurse edhe qytetarëve të Kosovës. Dhjetë vjet më parë, Perëndimi dhe Pakti NATO ndërhynë ushtarakisht kundër ish-Jugosllavisë së mbetur për të ndalur strategjinë e dhunës së egër që zbatohej kundër popullit të Kosovës. Dhjetë vjet më pas, Kosova vazhdon të thellojë respektin për NATO-n, Perëndimin dhe vlerat demokratike. Detyra e padiskutueshme e Kosovës është forcimi sa më i shpejtë, që, pas pak, të bëhet vetë pjesë e këtyre vlerave.
Botuar në "Zëri" më 23 mars 2009, fq. 15.

Friday, March 20, 2009

Në krah të Haradinajt


Në krah
të Haradinajt

Këshilli Drejtues i AAK’së miratoi sot në mesditë unanimisht vendimin e Kryetarit Ramush Haradinaj për ta emëruar Blerim Kuqin në postin e Sekretarit Organizativ dhe Burim Ramadanin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.




Ish Kryeshefi Ekzekutiv i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuqi dhe Këshilltari i tij Burim Ramadani, zyrtarisht, kaluan të mërkurën në partinë e Ramush Haradinajt, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.Kuqi mori postin e Sekretarit Organizativ, ndërkaq Ramadani atë të Sekretarit të Përgjithshëm të AAK’së. Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pasi që Këshilli Drejtues miratoi unanimisht vendimet tij, u shpreh i kënaqur që ka sjellë në AAK dy figura të njohura të LDK’së. “Në Kosovë kemi shumë punë që na presin dhe punët në Kosovë nuk janë duke shkuar në rrugën e duhur. Roli i subjekteve politike është që të sjellin opsion për ta përmirësuar gjendjen në vend. Dhe duke njohur z. Blerim Kuqin, duke njohur kontributin e tij kombëtar, duke njohur kontributin e tij në demokraci dhe shtetndërtim, po ashtu duke njohur njohjet profesionale që ka z. Burim Ramadani, ne kemi vlerësuar si veprim të drejtë që ata të na bashkëngjiten”, tha Haradinaj. Gazetarëve ju ka drejtuar edhe Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, i cili duket të jetë meritor për sjelljen në këtë parti të Blerim Kuqit dhe Burim Ramadanit.“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për AAK’në. Ne këtë mënyrë bëjmë një hap shumë të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të Aleancës”, tha ai. Më pas fjalën e kanë marrë edhe Kuqi dhe Ramadani.“Duhet ta pranoj se ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua, por mendoj se është veprim i duhur”, tha Kuqi, duke shpjeguar më pas se pse kaloi në AAK. “Ju do të pyesni se pse e lëshova LDK’në? Dua të them vetëm dy fjalë; LDK’ja sot nuk ka Zot Shtëpie edhe është e futur në një gjumë të thellë”, tha Kuqi.Burim Ramadani, ndërkaq, ka thënë se AAK është një parti e hapur. “Jam i bindur se kjo derë e hapur për mua në këtë rast, është e hapur për të gjithë të rinj që duan të angazhohen dhe ata që kanë çfarë të japin për të mirën e përbashkët”, tha Ramadani. Disa orë para se të zyrtarizohet kalimi i Blerim Kuqit në AAK, ka reaguar edhe partia e tij e dikurshme, LDK’ja. Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri tha se ky është një vendimi individual.“Ky është një vendim individual i Blerimit. Këto kanë qenë lëvizje të pritur për motive të caktuara”, ka thënë shkurt Haziri.

Thursday, March 19, 2009

Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konsociacionale


Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konsociacionale

Skënder Zogaj

(Burim Ramadani :”Shteti i komuniteteve (Në zbatim të modelit Ahtisaari”, botoi “Zëri”, Prishtinë 2009)

19 mars 2009
www.botasot.info/home.php?category=15&id=9905

Libri “Shteti i komuniteteve” (Në zbatim të modelit Ahtisaari) është një analizë e thuktë teorike e projektit ndërkombëtar të propozuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në prizmin e implementimit të Pavarësisë së Kosovës.
Në shërbim të këtij qëllimi është në tavolinë “Plani i Ahtisaarit”, një substancë ligjore (dhe kushtetuese) tashmë e aprovuar nga institucionet e Kosovës si dokumenti bazik sipas të cilit duhet të realizohet shtet-bërja dhe funksionalizimi i Republikës së Kosovës së pavarur, e cila aspiron të bëhet shtet funksional, modern, bashkëkohor dhe i mirëfilltë demokratik. Kjo aspiratë tashmë është krejtësisht dhe plotësisht e kushtëzuar nga receta e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës gjë që, mënyra e implementimit të këtij plani është çështja që kërkon zgjidhje...
Burim Ramadani është nga të parët autorë në Kosovë që i rreket “Planit të Ahtisarit” dhe me insistim studimor e hulumton zbatueshmërinë e këtij plani, duke analizuar pikat kyçe të tij, në prizmin e gjetjes së rrugës dhe mënyrave më të mira e më të favorshme të implementimit të këtij Plani në Kosovën e Pavarur. I preokupuar me çështjen e shtet-ndërtimit dhe të funksionalizimit të shtetit të Pavarur të Kosovës, autori në këtë studim ekspediton dokumentin e propozuar të Ahtisarit, në bazë të parimeve konsociacionale dhe përvojës së aplikimit të saj në vende të ndryshme të botës, me probleme të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me Kosovën.
Ky përcaktim i autorit nuk është i rastësishëm, por i bazuar në faktin se, studimi i demokracive konsociacionale ka rezultuar eksperimentime të suksesshme në Austri, Belgjikë, Zvicër, Holandë etj. Autori kornizën teorike për trajtimin e problemit të shtet-ndërtimit të Kosovës sipas modelit të Ahtisarit e ndërlidhë në “Demokracinë konsociacionale” (demokracia jo-konkurruese), teori e re që për herë të parë hyn në botën akademike shqiptare të Kosovës, dhe që autori e sjell jo nga kërshëria për të bërë teorizim, por nga dëshira dhe shpresa e mirë se, kjo teori mund të jetë e vlershme, apo edhe e domosdoshme të zbatohet në Kosovë, siç preferojnë shumë nga studiuesit e famshëm aktualë botërorë. “Hapja e sprovës” me konsociacionalizëm sipas autorit Ramadani është në pajtim të fortë me frymën që zë fill nga “... fundi i tetorit të vitit 2005, kur Sekretari OKB-së, Kofi Annan, i rekomandon Këshillit të Sigurimit të OKB-së hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës” e deri të sintetizimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Modeli i qeverisjes konsociacionale në studimin e Ramadanit reflekton “demokracinë që është e paalternativë” dhe në zbatim të rekomandimeve nga Plani i Ahtisarit sugjerohet varianti konkret i SHTETIT TË KOMUNITETEVE, ku bazament është Demokracia konsociacionale.
Që në hyrje të librit “Shteti i komuniteteve” është Korniza teorike e cila reflekton pikëpamjen fundamentale të Arend Lijphartit, i cili shpjegon se: “Qëllimi bazik i demokracisë konsociacionale (demokracisë pushtetndarëse) është të bëjë të mundur që demokracia të funksionojë në shoqëritë me ndarje të thella” dhe decidivisht thotë: “Unë mendoj se konociacionalizmi është i domosdoshëm për Kosovën.”
Në këtë rrafsh autori ep argumentin e tij “se rrjedhat politike dhe përcaktimet kushtetuese në Kosovën e passhpalljes se pavarësisë paraqesin një demokraci konsociacionale ose pushtetndarëse” dhe me përkushtim studimor thekson nevojat, mundësitë politike e ligjore dhe vështirësitë për zbatimin e konsociacionalizmit në shtetndërtimin e Kosovës, të bazuar në të drejtat dhe garancitë kushtetuese e politike: me kushtetutën si strategji për “ujdi etnike” në ndarjen e pushtetit, ne sistemin elektoral, në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve, që do të trajtësoheshin me implementimin e një decentralizimi të gjerë dhe pak a shumë të veçantë sikurse edhe vet pavarësia e Kosovës.
Libri ka lëndë të pasur dhe të ngjeshur përmbajtjesore, shtrirje të rrjedhshme dhe të sinkronizuara mirë të gjymtyrëve tematike, që zhvillohen përmes analizës sintetike të gërshetimit të argumenteve teorike, që reflektojnë dhe supozimeve konkrete të një varianti të mundshëm në zbatimit të modelit të Ahtisarit në Kosovë. Hyrja adekuate metodologjike-shkencore, e shquan dhe e bën këtë libër një doracak me vlera të shumëfishta për të gjitha kategoritë e lexuesve, sidomos për ata që pretendojnë një fokusim më serioz në problemin shumë kompleks dhe çështjet shumë të ndjeshme të shtetbërjes së Kosovës sot. Pa fije dyshimi aventura e guximshme në këtë libër është dëshmi e mirëfilltë se Burim Ramadani me shumë sukses, ndër të parët në Kosovë që del me një kontribut konkret për t’i dhënë mundësi gjetjes së zgjidhjeve adekuate dhe të qëndrueshme pavarësisë së Kosovës.

Tuesday, March 17, 2009

Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konsociacionale - Nga Skënder Zogaj







Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konosciacionale


(Burim Ramadani :”Shteti i komuniteteve (Në zbatim të modelit Ahtisaari”, botoi “Zëri”, Prishtinë 2009)


Nga Skënder Zogaj më 17.03.2009


Libri “Shteti i komuniteteve” (Në zbatim të modelit Ahtisaari) është një analizë e thuktë teorike e projektit ndërkombëtar të propozuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në prizmin e implementimit të Pavarësisë së Kosovës, e cila është proklamuar e pavarur pa e pasur mirë të sqaruar shtrirjen dhe kualitetin e shtetësisë – gjë që, kemi të bëjmë me një pavarësi të padefinuar mirë që, imponon nevojën e angazhimeve të reja, deri të gjetja dhe përcaktimi i një zgjidhjeje të pranueshme, funksionale në praktikë dhe që do të mund të konsiderohej varianti i fillimit të funksionimit të vërtetë të shtetit të ri Republikës së mirëfilltë dhe të plotëkuptimtë të Kosovës.Në shërbim të këtij qëllimi është në tavolinë “Plani i Ahtisaarit”, një substancë ligjore (dhe kushtetuese) tashmë e aprovuar nga institucionet e Kosovës si dokumenti bazik sipas të cilit duhet të realizohet shtet-bërja dhe funksionalizimi i Republikës së Kosovës së pavarur, e cila aspiron të bëhet shtet funksional, modern, bashkëkohor dhe i mirëfilltë demokratik. Kjo aspiratë tashmë është krejtësisht dhe plotësisht e kushtëzuar nga receta e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës (pra “Planit të Ahtisaarit”) gjë që, mënyra e implementimit të këtij plani është çështja që kërkon zgjidhje... Burim Ramadani është nga të parët autorë në Kosovë që i rreket “Panit të Ahtisarit” dhe me insistim studimor e hulumton zbatueshmërinë e Planit të Ahtisaarit, duke analizuar pikat kyçe të tij, në prizmin e gjetjes së rrugës dhe mënyrave më të mira e më të favorshme të implementimit të këtij Plani në Kosovën e Pavarur.I preokupuar me çështjen e shtet-ndërtimit dhe të funksionalizimit të shtetit të Pavarur të Kosovës, autori në këtë studim ekspediton dokumentin e propozuar të Ahtisarit, në bazë të parimeve konsociacionale dhe përvojës së aplikimit të saj në vende të ndryshme të botës, me probleme të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me Kosovën. Ky përcaktim i autorit nuk është i rastësishëm, por i bazuar në faktin se, studimi i demokracive konsociacionale ka rezultuar eksperimentime të suksesshme në Austri, Belgjikë, Zvicër, Holandë etj. Burim Ramadani kornizën teorike për trajtimin e problemit të shtet-ndërtimit të Kosovës sipas modelit të Ahtisarit e ndërlidhë në “Demokracinë konsociacionale” (demokracia jo-konkurruese), teori e re që për herë të parë hyn në botën akademike shqiptare të Kosovës, dhe që autori e sjell jo nga kërshëria për të bërë teorizim, por nga dëshira dhe shpresa e mirë se, kjo teori mund të jetë e vlershme, apo edhe e domosdoshme të zbatohet në Kosovë, siç preferojnë shumë nga studiuesit e famshëm aktualë botërorë. “Hapja e sprovës” me konsociacionalizëm sipas autorit Ramadani është në pajtim të fortë me frymën që zë fill nga “... fundi i tetorit të vitit 2005, kur Sekretari OKB-së, Kofi Annan, i rekomandon Këshillit të Sigurimit të OKB-së hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës” e deri të sintetizimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt 2008. Modeli i qeverisjes konsociacionale në studimin e Ramadanit reflekton “demokracinë që është e paalternativë” dhe në zbatim të rekomandimeve nga Plani i Ahtisarit sugjerohet varianti konkret i SHTETIT TË KOMUNITETEVE, ku bazament është Demokracia konsociacionale, (me Demokracinë pushtet-ndarëse dhe Demokracinë jo-konkurruese përbrënda). Që në hyrje të librit “Shjteti i komuniteteve” është Korniza teorike e cila reflekton pikëpamjen fundamentale të Arend Lijphartit (themeluesit të teorisë së konsociacionalizmit), i cili shpjegon se: “Qëllimi bazik i demokracisë konsociacionale (demkracisë pushtetndarëse) është të bëjë të mundur që demokracia të funksionojë në shoqëritë me ndarje të thella” dhe decidivisht thotë: “Unë mendoj se konociacionalizmi është i domosodoshëm për Kosovën.” Në këtë rrafsh Burim Ramadani jep argumentin e tij “se rrjedhat politike dhe përcaktimet kushtetuese në Kosovën e passhpalljes se pavarësisë paraqesin një demokraci konsociacionale ose pushtetndarëse” dhe me përkushtim studimor thekson nevojat, mundësitë politike e ligjore dhe vështirësitë për zbatimin e konsociacionalizmit në shtetndërtimin e Kosovës, të bazuar në të drejtat dhe garancitë kushtetuese e politike: me kushtetutën si strategji për “ujdi etnike” në ndarjen e pushtetit, ne sistemin elektoral, në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve, që do të trajtësoheshin me implementimin e nje decentralizimi të gjerë dhe pakashum te vecantë sikurse edhe vet pavarësia e Kosovës.Libri ka lëndë të pasur dhe të ngjeshur përmbajtësore, shtrirje të rrjedhshme dhe të sinkronizuara mirë të gjymtyrëvë tematike, që zhvillohen përmes analizës sintetike të gërshetimit të argumenteve teorike, që reflektojnë dhe supozimeve konkrete të një varianti të mundshëm në zbatimit të modeslit të Ahtisarit në Kosovë. Aparatura adekuate metodologjiko-shkencore, e shquan dhe e bën këtë libër një doracak me vlera të shumëfishta për të gjitha kategoritë e lexuesve, sidomos për ata që pretendojnë një fokusim më serioz në problemin shumë kompleks dhe çështjet shumë të ndjeshme të shtetbërjes së Kosovës sot. Pa fije dyshimi aventura e guximshme në këtë libër është dëshmi e mirëfilltë se Burim Ramadani me shuymë sukses, ndër të parët në Kosovë që del me një kontribut konkret për t’i dhënë mundësi gjetjes së zgjidhjeve adekuate dhe të qëndrueshme pavarësisë së Kosovës.

Monday, March 16, 2009

Krimi i organizuar rrezikon demokracinë

Loja pa fitues

Krimi i organizuar rrezikon demokracinë

A është Kosova një vend i preferuar për krimin e organizuar nga grupe vendore apo edhe të jashtme? A është Kosova hapësirë e mirë për zhvillimin e Krimit të Organizuar Trans-Nacional? Këto të gjitha janë aktivitete që rrezikojnë demokracinë, tregun e lirë, asetet shtetërore, stabilitetin e shoqërisë dhe të ardhmen. Prandaj, tashmë është mëse i domosdoshëm angazhimi serioz dhe i përkushtuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tilla kriminale

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendet që nuk kanë qeveri, shoqëri civile dhe mekanizmat shetëror funksional paraqesin ambient më të mirë për zhvillimin e krimit të organizuar. Ky është një ndër parakushtet kryesore për ekzistimin në faza të zhvilluara të njërës prej sfidave kryesore të shtetit dhe rajoneve të tëra në botën e sotme sa i përket sigurisë shtetërore dhe rajonale. Kjo është pjesë e definimeve më të mira të tashme për krimin e organizuar, që të vërtetë është sfidë po ashtu shumë e madhe edhe për Kosovën tashmë një vit pas shpalljes së pavarësisë. Shteti më i ri i Ballkanit ballafaqohet me një varg sfidash të rëndësishme, të cilat në fakt kanë karakter përcaktues në funksionalizimin e shtetit dhe shoqërisë, ndërtimin e të ardhmes prosperuese, sikurse edhe integrimet ndërkombëtare, përkatësisht ato euro-atlantike. Tashmë më shumë se kurrë, luftimi i krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative është një prej parakushteve politike dhe juridike më të rëndësishme që i parashtrohen shteteve individuale në rrugën e tyre për Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Nëse kjo do të vlente për Kosovën, me gjasë do të duhej të prisnim edhe një kohë relativisht të gjatë për të arritur sukses të dukshëm në aspektin e luftës së këtyre dukurive.

II
Baza kryesore mbi të cilën strukturohet dhe zhvillohet krimi i organizuar, është brishtësia e shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi, pozita gjeografike e shtetit, sikurse edhe brishtësia e vullnetit politik të shtetit për të luftuar në mënyrë të fuqishme këtë dukuri. Megjithëse definimet për krimin e organizuar varijojnë nga perspektiva të ndryshme, definimi përgjithsisht i pranuar është ai se krimi i organizuar paraqet grupe ose veprime të bëra nga kriminelët në të shumtën e rasteve me qëllim të përfitimit apo grumbullimit të të hollave. Pra, nga vet ky definim është e qartë se krimi i organizuar nuk është i drejtuar vetëm në aspektin e grumbullimit të parave, por edhe të mirave tjera materiale, shërbimeve, favoreve apo të ngjashme. Sidoqoftë, Akti i Kontrollit të Krimit të Organizuar (SHBA, 1970) definon krimin e organizuar si “aktivitete të paligjshme të grupeve shumë mirë të organizuara dhe të disiplinuara”. Kështu, është e qartë se krimi i organizuar kërkon grupim të organizuar dhe të disiplinuar, që do të thotë se kanë shefin apo shefat e grupit, njerëzit e afërt me udhëheqjen, mbrojtësit e udhëheqjes, njerëzit aktivë në terren, si dhe bashkëpunëtorët. Kjo tregon për një organizim të plotë, derisa disiplina ka të bëjë edhe me lojalitetin e fuqishëm të detyruar që anëtarët e grupit kanë për udhëheqjen.

III
Vendosja në praktikë e këtij definimi dhe kësaj analize të elementeve përbërëse të grupeve të krimit të organizuar sigurisht se është çështje kërkon kohë, angazhim dhe mundësi. Porse, në rastet kur shteti dhe mekanizmat e tij janë të brishtë, shoqëria civile është e paorganizuar dhe në përgjithësi shteti nuk arrin nivel të kënaqshëm të funksionalitetit, mundësia për të zhvilluar krimin e organizuar është më e madhe. Për më tepër, nëse kufijtë e shtetit nuk janë të siguruar ashtu siç duhet, atëherë kjo bën edhe më te lehtë zhvillimin e aktiviteteve të tilla kriminale. Por, si përkthehet e tërë kjo në rastin e Kosovës? A është Kosova një vend i preferuar për krimin e organizuar nga grupe vendore apo edhe të jashtme? Këto, sigurisht, janë ndër pyetjet më të rëndësishme që parashtrohen saherë që përmendet krimi i organizuar dhe aktivitetet e tilla joligjore. A është Kosova hapësirë e mirë për zhvillimin e Krimit të Organizuar Trans-Nacional, që është koordinim i aktiviteteve kriminale përtej kufijve shtetëror? Tek e fundit, a është rajoni Ballkanik pjesë në të cilën krimi i organizuar mund të zhvillohet? Të gjitha këto janë sfida dhe kërcënime të dukshme të sigurisë së përgjithshme të Kosovës dhe kërcënime për të ardhmen prosperuese të shoqërisë kosovare në përgjithësi.

IV
Bashkë me rrugën që ka bërë deri më tash Kosova, është rritur edhe nevoja për funksionalizimin e mekanizmave ligjor, politik dhe shtetëror për luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative. Tash për tash, kjo duket të jetë larg nivelit të kënaqshëm. Në të vërtetë, zaten për këtë arsye janë bërë edhe vërejtje të rënda të institucioneve ndërkombëtare, sikurse ishte ai i Komisionit Evropian në Raportin Vjetor të Progresit, që u bë në muajt e fundit të vitit të kaluar. Mungesa e strategjisë për luftimin e krimit të organizuar, mos-fuqizimi i mekanzimave të kontrollit dhe luftës në këtë drejtim, mungesa e vullnetit politik të qartë, brishtësia dhe neglizhenca e sistemit të drejtësisë, mosprofesionalizimi i njësiteve të specializuara të Policisë së shtetit, moszhvillimi i bashkëpunimit të thellë me mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtar dhe, përfundimisht, mungesa e Ligjit për Luftën kundër Krimit të Organizuar janë elementet kryesore që tregojnë qasjen jo serioze aktuale që kemi parë deri tash. Dhe, në këtë mes përfshihen të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale që futen nën definimin e ‘krimit të organizuar’. Këto të gjitha janë aktivitete që rrezikojnë demokracinë, tregun e lirë, asetet shtetërore dhe stabilitetin e shoqërisë. Po ashtu, rrezikon të ardhmen e integrimeve ndërkombëtare. Prandaj, tashmë është mëse i domosdoshëm angazhimi serioz dhe i përkushtuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tilla kriminale.

Botuar në “Zëri” më 16 mars 2009, fq. 13.

Sunday, March 8, 2009

Çoroditja e Universitetit të Prishtinës

Loja pa fitues

Çoroditja e Universitetit të Prishtinës

UP-ja e ndodhur në një kohë ngërçi menaxherial dhe krize identiteti, ku e ka futur udhëheqja e tashme, duket se do të ketë nevojë për disa vjet që të këndellet në mënyrë të plotë dhe të arrijë standard të nivelit të rajonit. Përgjegjësia për këtë gjendje duhet të kërkohet dhe ‘metrat e shtuara katrore’ nuk janë të padukshme
Shkruan: Burim Ramadani

I
Veçantitë e Kosovës nuk kanë të përfunduar. Ashtu sikurse nuk kanë të përfunduar edhe nevojat e mëdha të Kosovës për të ecur përpara, zhvilluar sistemin e përgjithshëm, konsoliduar demokracinë dhe arritur integrimet ndërkombëtare. Por, ajo që po shohim gjatë këtyre viteve është pikërisht e kundërta e asaj që do të duhej të shihnin. Arsimi i lartë është njëra prej fushave ku gjendja nuk është më e mira dhe Universiteti i Prishtinës është institucioni që të vë në pozitë për të qarë me zë. Gjendja e rëndë që ka kapluar Universitetin e Prishtinës nuk është e re, por viteve të fundit ajo ka degraduar në shkallë të jashtëzakonshme, duke bërë kështu shembullin e radhës se si nuk duhet punuar në Kosovë. Udhëheqja e viteve të fundit e UP-së jo vetëm se nuk ka treguar aftësi për të zhvilluar një sistem bashkëkohor edhe në Kosovë, por është futur edhe më thellë se paraardhësit e tyre në frenimin, bllokimin dhe shkatërrimin e çfarëdolloj nisme, ndryshimi, ecje përpara apo zhvillimi. Kjo udhëheqje e korruptuar e viteve të fundit është dashur të jetë subjekt i ndëshikimit ligjor dhe politik, nëse dikush ka menduar të ndalë tatëpjetën që ka marrë UP-ja.

II
Bllokimi i secilës nismë normale dhe legjitime, kontrolli i çfarëdo gjëje nga lart dhe plotësimi i interesave personale të udhëheqjes kanë qenë karakteristikat kryesore të mënyrës së menaxhimit të UP-së në vitet e fundit. Kur kësaj i shtojmë edhe korrupsionin e sistematizuar aty, atëherë është e qartë se si është “zhvilluar” UP-ja këtyre viteve. Byfetë e Fakulteteve kanë qenë dhe kanë mbetur aksioni i vetëm i “reformës” në UP dhe kjo fatkeqësisht nuk është përcjell as edhe me një element të vetëm domethënës. Çdo gjë ka vazhduar sikurse më herët, madje edhe shumë më keq. Por, cilat janë karakteristikat kryesore të mosndryshimit? Ligjëruesit dhe asistentët janë pranuar vetëm në bazë të njohjes dhe interesit personal të udhëheqjes (një kohë të gjatë edhe të partisë udhëheqëse politike të tashme); listat e studentëve janë “plotësuar” sipas qejfit, interesit personal të udhëheqjes dhe sipas intervenimeve partiake; bursat e ofruara nga universitetet e jashtme janë ndarë sipas lidhjeve të udhëheqjes dhe familjarëve të udhëheqësve politik; notat kanë vazhduar të jepen nëpër kabinete; etj. Kjo është gjendje e mjerueshme.

III
Veç këtyre karakteristikave, studentët nuk kanë gëzuar fare mbështetjen e universitetit të tyre. Ka pasur raste gjatë këtyre viteve kur studentët janë bllokuar të bashkëpunojnë me profesorë apo universitete të famshme botërore. Dhe, kjo bie ndesh plotësisht me proklamimin e udhëheqjes së tashme se është e moderuar dhe bashkëkohore. Nëse është dashur një letër e thjeshtë konfirmimi nga ana e udhëheqjes së UP-së për një profesor akademik të njohur ndërkombëtar që ai të angazhohet për mentor ose bashkë-mentor të punimeve diplomuese të studentëve, kjo nuk ka ndodhur dhe në këtë formë është bllokuar mundësia e tillë. Për më tepër, është plotësisht e çuditshme kur profesori i njohur ndërkombëtar nuk kërkonte as edhe një obligim nga Universiteti i Prishtinës. Krejt çka duhej ishte një letër e thjeshtë konfirmimi se UP-ja i mundëson atij të angazhohet sipas marrëveshjes që ai ka bërë me studentin në fjalë. Kjo nuk ka ndodhur. Kjo, në fakt, është bllokuar pikërisht nga njerëz që e kanë gojën përplot me reforma, shiten si të dijshëm dhe të moderuar në opinionin publik, por që në realitet i kanë shkaktuar dëme tejet të mëdha Universitetit të Prishtinës, studentëve dhe të ardhmes së shoqërisë.

IV
Bazuar në gjendjen e paprecendentë të krijuar viteve të fundit, Universiteti i Prishtinës është tepër larg të qenit një institucion kredibil. Janë shuar të gjitha shpresat që gjatë kësaj kohe të ketë pasur ndonjëherë ide të mira për të zhvilluar universitetin. Ide të “mira” duket se ka pasur vetëm në raste personale, kur udhëheqjes i është dashur rritja e metrave katrore dhe të tilla drejtime. Numri i studentëve, cilësia e ligjërimit dhe procesit mësimor, institutet shkencore apo hulumtuese, shkëmbimi i përvojave të stafit akademik dhe studentëve, revistat akademike, angazhimet profesionale dhe zhvillime të këtilla do të mbeten të shihen nëse mund të realizohen nga udhëheqja e ardhshme e UP-së. E tashmja, asgjë nga këto nuk i bërë, e duket se as që i ka menduar në të vërtetë. Sidoqoftë, UP-ja e ndodhur në një kohë ngërçi menaxherial dhe krize identiteti, ku e ka futur udhëheqja e tashme, duket se do të ketë nevojë për disa vjet që të këndellet në mënyrë të plotë dhe të arrijë standard të nivelit të rajonit. Në të njëjtën kohë, shoqëria kosovare duhet të kërkojë përgjegjësi për këtë gjendje të rëndë në UP. Përgjegjësia nuk është e pamatshme në këtë rast. ‘Metrat e shtuara katrore’ nuk janë të padukshme.
Botuar në “Zëri” më 9 mars 2009, fq. 10.

Sunday, March 1, 2009

Promovimi i Librit (Book Promotion), 26.02.2009




















































































































































































Cili është modeli i shtetit tim?

Loja pa fitues

Cili është modeli i shtetit tim?

Cili është shteti i Kosovës? Cili është koncepti mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës? Çka përfaqëson shteti i ri i Kosovës? Cili është orientimi i tij? Çfarë sistemi ka ndërtuar dhe mëton ta funksionalizojë? Bërja e shteti të Kosovës lidhet drejtpërdrejt me një dokument që quhet Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, apo “Plani i Ahtisarit”


Shkruan: Burim Ramadani

I
Vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sikurse në aspektin akademik, po ashtu edhe në atë politik dhe qytetar, me të drejtë parashtrohet dhe ngriten pyetje legjitime dhe interesime të rëndësishme mbi atë se: Cili është ky shtet? Cili është koncepti mbi të cilin u ndërtua shteti i Kosovës? Çka përfaqëson shteti i ri i Kosovës? Cili është orientimi i tij? Çfarë sistemi ka ndërtuar dhe mëton ta funksionalizojë? Këto dhe shumë pyetje apo dilema të tjera janë sa të rëndësishme, po aq edhe të domosdoshme për secilin që mundohet të reflektojë për situatën, rrethin, vendin dhe kohën ku jeton. Të tilla pyetje janë ngritur shumë herë në Kosovë, qoftë nga grupe të ngushta, qoftë nga organizime të strukturuara, por edhe nga vëzhgues dhe studiues ndërkombëtarë të interesuar për shtet-ndërtimet dhe zhvillimet politike globale. Kjo sigurisht se është një fushë interesante e studiuesve të ndryshëm të cilët vendosin Kosovën dhe zhvillimet brenda saj asaj që quhet kategoria e shoqërive me përçarje të thella midis komuniteteve apo edhe shoqëri post-konfliktuoze.

II
Bërja e shteti të Kosovës, përkatësisht pavarësimi i vendit një vit më parë lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me një dokument që quhet Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, të hartuar nga ish-kryendërmjetësi Marti Ahtisari. Ky dokument njihet si “Plani i Ahtisarit”. Të gjithë kemi dëgjuar për Planin e Ahtisarit, Kosova ka kontribuuar në hartimin e tij, shumë e kanë lexuar dhe pak e kanë analizuar këtë Plan. Dhe, kuptueshëm, shpesh ngriten pyetje të rëndësishme: Nga erdhi Plani i Ahtisarit? Çka është ky Plan? Kush e zbuloi? A e bëri Ahtisari nga mendja tij (dhe ekipit të tij) apo nga presionet politike? Apo, Ahtisari mori një model të konsoliduar dhe e përshtati për Kosovë? Këto dhe shumë dilema tjera duhet të qartësohen sa më shumë që është e mundur. Ahtisari nuk ka përmendur asnjëherë ndonjë bazë teorike apo model mbi të cilin e ka ndërtuar Planin e vet, por i takon studiuesve ta identifikojnë këtë. Duke identifikuar këtë model apo bazë teorike, mundësohet automatikisht të shihen edhe pengesat kryesore që mund të shkaktojnë dështimin e një modeli të tillë.

III
Veçanërisht, në këtë grumbull dilemash, moskuptiesh dhe dyshimesh ndaj Planit të Ahtisarit, janë katër pyetje kryesore të cilave kemi nevojë t’i japim shpjegime teorike dhe praktike. Së pari, a paraqesin një eksperiment në Kosovë aranzhmanet e parapara me Planin Ahtisaari? Apo, a janë të provuara në Kosovë politika të tilla? Së dyti, a ekziston ndonjë bazë teorike, e cila mundohet të shpjegojë këso lloj përcaktimesh? A ka raste të ngjashme në pjesë të ndryshme të botës ku janë aplikuar parime të modelit të tillë? Së treti, a mund të funksionojnë, në rastin e Kosovës, aranzhmane dhe institucione të këtilla të vendosura? Dhe, së katërti, por jo më pak e rëndësishmja, a duhet të ketë përcaktim kohor për aplikimin e këtyre parimeve? Sa duhet të jetë kjo kohë, duke ditur se zhvillimet shoqërore dhe politike mund të jenë më të shpejta, konstante apo më të ngadalshme? Çka ndikon në përcaktimet kohore dhe cilat janë mundësitë e reja të rregullimeve shoqërore e politike? Sa kohë nevojitet për të vlerësuar nëse këto parime kanë dështuar apo kanë pasur sukses? Të gjitha këto pyetje dhe dilema na mundojnë të gjithëve sot, edhe pas një viti që kemi shpallur shtetin tonë të pavarur.

IV
Baza e padiskutueshme e Planit të Ahtisarit është një model i demokracisë së ndërtuar mbi ‘pushtet-ndarjen’ ose ‘konsociacionalizmin’. Në këtë lloj demokracie të gjitha grupet (komunitetet në rastin e Kosovës) janë të përfaqësuara në të gjitha nivelet e jetës politike dhe publike, me qëllimin e shmangies së ndjenjës së armiqësisë ndaj shtetit. Obligimet që merr Kosova sipas Planit të Ahtisarit në mënyrë të qartë janë në përputhje me teorinë e konsociacionalizmit, të themeluar nga politologu holandez Arend Lijphart, në vitin 1968. Si model për rregullimin e konflikteve etnike, demokracia konsociacionale është një prej strategjive më shumë demokratike dhe largon çfarëdo përdorimi të dhunës në këtë aspekt. Teoria konsociacionale është duke u bërë një prej teorive më të rëndësishme në botën akademike, e cila merret me tejkalimin e përçarjeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme në shoqëritë postkonfliktuoze. Një shoqërie e këtillë, e karakterizuar me ndarje të thella është edhe shoqëria kosovare. Alternativat ndaj kësaj strategjie janë kryesisht më pak demokratike dhe variojnë nga kontrolli hegjemonik deri te federalizmi dhe ndarja. Alternativa të tilla nuk është koha të analizohen, pa parë nëse aranzhmanet e tashme vlerësohen si të dështuara.






Botuar në “Zëri” më 2 mars 2009, fq. 9.



si dhe në “Gazeta Shqip”, Tiranë, më 4 mars 2009, fq. 8.
http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=60001










02 March 2009
Kosovo News

Editorials & Opinion Pieces

· Which is the model of my state? (Zeri, an analysis by Burim Ramadani)



Which is the model of my state? (Zeri, an analysis by Burim Ramadani)


The writer Burim Ramadani [advisor to Minister of Local Governance and Administration, Sadri Ferati] in his essay raises the questions: Which is Kosovo’s state? Which is the concept upon which Kosovo’s state is built? What does the new state of Kosovo represent? What is Kosovo’s orientation?

· Such questions were raised may times in Kosovo, either from closed groups, or organized structures, but also international observers and analysts are also interested to know. This is of course an interesting field for different analysts who place Kosovo and its internal developments in the category which is called societies with deep clashes between communities or even post-conflict societies.
· Kosovo’s independence declared a year ago is directly related with a document that is called the Comprehensive Status Proposal drafted by Marti Ahtisaari. This document is known as the ‘Ahtisaari Plan”. We all heard about it and Kosovo contributed to the drafting of this document and many have read it and few have analyzed it. And therefore it is understandable that questions arise like: Where did this plan come from? What is this plan about? Did Ahtisaari draft this plan as he (and his group) wanted or due to political pressures? Or he took a consolidated model and made it suitable for Kosovo?
· These dilemmas need to be clarified as much as possible writes the author.
· Ahtisaari never mentioned a theoretical basis or model upon which he drafted his plan on Kosovo, it is up to the analysts top to identify this. Identifying these model or theoretical basis, one is automatically enabled to see the main objections that might cause the failure of such a model [plan].
· In this mass of questions, dilemmas, misunderstandings in regards to Ahtisaari’s plan, there are four main questions to which we have to give theoretical and practical explanations.
· First, do arrangements foreseen with Ahtsaari’s plan present an experiment in Kosovo? Or are/were such politics experienced in Kosovo?
· Second, is there a theoretical basis which enables to explain such arrangements? Are there similar situations in different parts of the world where such principles were applied?
· Third, Could such arrangements and such established institutions function in Kosovo?
· Fourth, (last but not least) should there be a time frame for these arrangements to be applied? How much time is needed to see whether these provisions failed or were successful?
· The undisputable basis of Ahtisaari’s plan is a democracy model built upon ‘power-sharing’ or ‘consociationalism’. In such democracy all groups (in Kosovo’s case: all communities) are represented in all levels of the political and public life, with the aim to avoid the feeling of hatred towards the state. The obligations that Kosovo took over from Ahtisaari’s plan are clearly in accordance with the ‘consociationalism’ theory, created by the Dutch political scientist in 1968. As a model to solve ethnic conflicts, the ‘consociationalism’ democracy is one of the most democratic strategies and it abandons any use of violence in this aspect.
· The ‘consociationalism’ theory is becoming one of the most important theories in the academic world, which deals with over-coming the clashes between different communities in post-conflict societies.
· Such a society, characterized with deep clashes is also the Kosovar society.