Monday, December 28, 2009

2009 – vit me vlerësim negativ

2009 – vit me vlerësim negativ
Burim Ramadani
Janë një varg argumentesh që të çojnë në vlerësim negativ për vitin 2009. Të gjitha këto arsye kanë adresë të qartë, përgjegjësi të përcaktuar, shkaqe dhe qëllime, si dhe ka pasur mundësi reale për t’u shmangur. Për 2 deri në 4 minuta, mund të renditen 24 argumentet kryesore të vlerësimit negativ për vitin 2009
Viti që po lëmë pas mund të vlerësohet si vit i rëndë. Për shumë arsye, Kosova, institucionet shtetërore, qytetarët e saj dhe partnerët ndërkombëtarë nuk mund të krenohen me atë që kaloi. Rrjedha e zhvillimeve ishte shumë më e keqe sesa edhe më pesimistët kanë pritur. Ky vlerësim negativ është i pakontestueshëm sa i përket rolit që kanë luajtur institucionet e shtetit gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve. Përkatësisht, dëmit që i është shkaktuar Kosovës gjatë kësaj periudhe nga vetë ata që do të duhej të ruanin dhe promovimin interesin e vendit.
Por, tjetër vlerësim duhet të jepet për popullin e Kosovës, që tregoi edhe njëherë e mirë për nivelin e lartë të durimit dhe qetësisë së dëshmuar karshi problemeve të mëdha me të cilat ballafaqohet për çdo ditë. Qytetarët e Kosovës edhe gjatë vitit 2009 nuk vendosën emocionin përpara proceseve politike, edhe pse (dorën në zemër) nuk ka qenë e lehtë të ruhet qetësia.
Jo shumë lajme të mira kanë dalë nga Kosova apo janë dhënë brenda Kosovës gjatë këtij viti. Ky konstatim mund të jetë i përbashkët si në sytë e qytetarëve, po ashtu edhe në sytë e botës. Kosova ka pasur një vit me plotë dëmtim, harxhim dhe kthim prapa.
Janë një varg argumentesh që të çojnë në vlerësime të këtilla negative. Të gjitha këto arsye kanë adresë të qartë, përgjegjësi të përcaktuar, shkaqe dhe qëllime, si dhe ka pasur mundësi reale për t’u shmangur. Për 2 deri në 4 minuta, mund të renditen 24 argumentet kryesore të vlerësimit negativ për vitin 2009:
1. Shteti nuk është funksionalizuar. Qytetarët e Kosovës nuk kanë arritur të shohin atë që quhet “dora e shtetit” në asnjërën prej fushave të jetës së përditshme, në kuptimin e përmirësimit të kushteve të jetesës. Thjesht, shteti i Kosovës është shpallur në shkurt të vitit 2008, por ai nuk është ndërtuar përbrenda. Kosova ka vazhduar të ketë probleme të njëjta (por të thelluara tashmë) edhe dy vjet pas pavarësisë. Populli i Kosovës nuk është ndier më krenar as gjatë vitit 2009, përkundër është turpëruar nga niveli i lartë i zhvillimeve negative që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe të rëndë për jetën dhe xhepin e tyre.
2. Institucionet jostabile. Kosova është ballafaquar me probleme në stabilitetin e institucioneve të veta shtetërore. Qeveria e Kosovës ka vazhduar të kontrollojë plotësisht Kuvendin e Kosovës, duke bërë kështu që mekanizmat ndërkombëtarë të kritikojnë pandalshëm humbjen e pavarësisë së degëve të qeverisjes në demokraci. Edhe gjyqësori është ndikuar nga politika e qeverisë, ndërsa mekanizmat e rinj shtetëror (shumë të nevojshëm) nuk janë krijuar fare. Para së gjithash, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe mekanizmat tjerë kanë mbetur nën fatin e kohës dhe individëve të caktuar.
3. Njohjet e shtetit kanë ngecur. Gjatë vitit 2009 Kosova nuk është ‘vërshuar’ nga njohjet ndërkombëtare të shtetit ashtu sikurse ishte premtuar dhe parashikuar nga qeveria e Kosovës. Numri nuk ka arritur ende 65-shin, edhe përkundër faktit se kryeministri i Kosovës, Thaçi, thoshte se shtetet e botës po bëjnë garë kush ta njeh e para Kosovën. Mirëpo, si për inati, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë lobimet dhe as strategjitë e nevojshme për të lobuar për njohjen e shtetit të Kosovës. As gjatë vitit 2009 nuk kemi parë ndonjë ofensivë diplomatike të Kosovës nëpër botë, edhe pse Serbia nuk është ndalur pothuajse asnjë ditë.
4. Siguria e brishtë. Nuk është arritur që vitit 2009 të përmbyllë edhe problemet e shumta të sigurisë që ka Kosova. Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është shkelur për çdo ditë, ndërsa qeveria e Kosovës ka qëndruar indiferente ndaj kësaj. Veriu i Kosovës ka mbetur plotësisht jashtë kontrollit ligjor të shtetit, derisa qytetarët shqiptarë të asaj pjese janë detyruar edhe më tutje të lëshojnë apo të shesin shtëpitë e veta. Siguria publike është keqësuar, sidomos me vjedhjen e shumë bankave në qendër të kryeqytetit.
5. Autoriteti i shtetit i cunguar. Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës nuk mund të qëndrojnë, vizitojnë apo të punojnë qoftë për pak minuta në rreth 30 për qind të territorit të vendit. Qytetarët e komunitetit serb vazhdojnë jetën me ‘targa’ të Serbisë dhe shteti i Kosovës nuk ekziston për këto pjesë të territorit. Gjithçka është Serbi sapo të kalosh Urën e Ibrit në mes të Mitrovicës.
6. Strukturat paralele vazhdojnë qetësisht. Askush nga institucionet kompetente të shtetit të Kosovës nuk ka tentuar, planifikuar apo shkatërruar strukturat paralele të shtetit të Serbisë në Kosovë as gjatë vitit 2009. Madje, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar financiarisht rindërtimin e një ambulance të menaxhuar nga strukturat paralele serbe në rrethinën e Dardanës. Dokumentet e Serbisë lëshohen edhe më tutje në mes të Prishtinës.
7. Kufijtë më të pasigurtit në rajon. Kosova nuk ka arritur që gjatë vitit 2009 të ndërtojë sistemin e vetë të rregullt të menaxhimit të kufirit të saj. Kufijtë e Kosovës janë cilësuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kufijtë më të pasigurt në rajon. Bordi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit nuk është funksionalizuar pothuaj fare gjatë këtij viti, derisa ky është një prej kushteve kryesore për integrimet evropiane.
8. Veriu pa pika kufitare dhe pa dogana. Kosova ka vazhduar të humbë miliona e miliona euro për çdo javë për shkak të moskthimit të pikave kufitare dhe pikave doganore në veri të vendit. Që nga shkurti i vitit 2008, policët kosovarë dhe doganierët e Kosovës nuk kanë mundur të kryejnë detyrën e tyre në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit. Madje, as prezenca e EULEX-it nuk është shfrytëzuar për të arritur përmirësim dhe sundim të ligjit në këtë aspekt.
9. EULEX-i jofunksional. Gjatë vitit 2009 është parë vetëm vendosja fizike e misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovës (EULEX), por jo edhe funksionalizimin e plotë të tij. Apo thënë më ndryshe, nuk është parë asnjë rezultat i punës së policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it as në veri të Kosovës, as në pjesët tjera të vendit. As në Mitrovicë, as të Prishtinë, përkundër nevojës së pakontestueshme për veprime të shpejta dhe energjike të ndërkombëtarëve përgjegjës për sundim të ligjit.
10. Korrupsioni në kulm. Gjatë vitit 2009, Kosova ka kaluar të gjitha nivelet e korrupsionit që është parë ndonjëherë në vend. Qeveria e Kosovës është kthyer në adresën kryesore të korrupsionit, derisa Komisioni Evropian në Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2009 se Kosova po afrohet “zaptimit të shtetit” nga ana e qeveritarëve të tashëm.
11. Krimi i organizuar në bashkë-jetesë me qeverinë. Kosova është kritikuar gjatë këtij viti edhe për mos-luftimin e krimit të organizuar në vend, që ka arritur të lulëzojë pa ndonjë pengesë nga Qeveria e vendit. Që nga trafiqet e ndryshme e deri te krimi i organizuar financiar, Kosova ka arritur të jetë ‘parajsë’ për bosët e mëdhenj që po fuqizohen tërë kohën. Si e tillë, Kosova është konstatuar se nuk përmbush kriteret e Bashkimit Evropian për luftën kundër krimit të organizuar.
12. Policia e vjedhur. Kosova është dëmtuar pothuajse në mënyrë të pandreqshme edhe në një institucion tjetër vital të shtetit: Policinë. Më 25 prill është njoftuar se Dhoma e Dëshmive e Policisë së Kosovës është vjedhur, ndërsa sot e asaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi as profesionale, as morale dhe as politike. Pengimi nga ana e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e rastit më të rëndë të vjedhjes në Kosovë ka shkaktuar humbjen e fuqishme të besimit të qytetarëve tek uniformat policore në vend.
13. ‘Reformat’ në institucione. Kosova ka vazhduar të sheh “reformat” në institucionet kryesore të shtetit, derisa me mentalitetin e tashëm qeverisë këto nënkuptojnë largimin e njerëzve të “papërshtatshëm” dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiakë, dajë, teze e halla të qeveritarëve. Kjo ka bërë që administrata e Kosovës të jetë jofunksionale, joprofesionale dhe e politizuar. Edhe për këtë, Komisioni Evropian ka hedhur një grumbull kritikash në drejtim të qeverisë.
14. Kosova e kritikuar. Gjatë vitit 2009, nuk ka lënë institucion apo organizatë ndërkombëtare që nuk ka kritikuar Kosovën për mënyrën e qeverisjes në vend. Të gjithë ata që janë marrë me hulumtime, vlerësime apo analiza të rajonit të Ballkanit, kanë vënë Kosovën në vendin e fundit sa i përket zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore, sikurse edhe të procesit të integrimeve evropiane.
15. Qytetarët e Kosovës të izoluar. Gjatë vitit 2009 ka ndodhur edhe izolimi më i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Kosovës në raport me vendet e rajonit. Derisa Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë arritur që t’i mundësojnë qytetarëve të tyre qarkullimin e lirë pa viza për në vendet e Bashkimit Evropian, dhe Shqipëria e Bosnja dhe Hercegovina do ta bëjnë këtë në vitin 2010, Kosova ka mbetur plotësisht mbrapa për shkak të padijenisë dhe neglizhencës së qeverisë së vetë.
16. Drejtësia e politizuar. Kosova nuk bërë ndonjë hap pozitiv gjatë vitit 2009 as në aspektin e zhvillimit të sistemit të drejtësisë. Prokuroritë dhe gjyqet e Kosovës mbeten edhe më tutje vrima të zeza sa i përket avancimit të shpejtë dhe të nevojshëm të zhvillimeve të përgjithshme në vend.
17. Ekonomia ka kolapsuar. Gjatë vitit 2009 ekonomia e Kosovë ka kaluar nga niveli i krizës në kolaps. Dhjetëra e qindra biznese në Kosovës mbyllen brenda muajit, derisa ekonomia joformale ka zënë frymën zhvillimit normal të bizneseve në vend. Në Kosovë, bilanci tregtar midis importit dhe eksportit nuk është përmirësuar fare gjatë vitit 2009, derisa CEFTA ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë sipërmarrësit dhe tregtarët vendorë.
18. Shëndetësia në koma. Vitit 2009 nuk ka sjellë pothuajse asnjë përmirësim në sistemin shëndetësore të Kosovës. Thjesht, shëndetësia në Kosovës nuk mund ta shërojë as veten, e lëre më qytetarin e Kosovës. Mungesa e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore të nevojshme, edhe më tutje shkel të gjitha limitet e mundshme për të arritur nivelin minimal të funksionimit të sistemit shëndetësor. Ndërsa, 44 eurot për punëtorët shëndetësorë duket se janë harruar fare nga Qeveria e Kosovës.
19. Arsimi i shkatërruar dhe arsimtarët e drekuar. Sistemi arsimor në Kosovës ka pësuar goditjet e radhës gjatë vitit 2009, derisa arsimtarët janë “qarrosur” me dreka e darka të Qeverisë. Reformat në arsim mbeten edhe më tutje vetëm një ëndërr për kosovarët, derisa MASHT-i është drejtuar i tëri në Zyrën e vet të Prokurimit për të vendosur për tenderët për ndërtimin e objekteve. Në Kosovë gjatë vitit 2009 ka pasur ndërtim të objekteve, por jo ndërtim të shkollave. Arsyet janë të dukshme, ato financiare. Shumë punë për EULEX-in dhe vendorët mund të ketë në dokumentacionin e kësaj Ministrie.
20. Asfalti i gropuar. Viti 2009 ka vënë në pah edhe prishjen totale të manipulimit me shtrimin e asfaltit në Kosovë. Qeveria që identifikonte veten si “Qeveri e Asfaltit” tash mund të identifikohet si “Qeveri e Gropave Milionëshe”. Asfalti në Kosovë kushton më shtrenjtë se në vendet Perëndimore, derisa qëndrueshmëria e tij nuk kalon periudhën dy-tre mujore. Kushdo që merr qeverinë e Kosovës, duhet të rishtrojë këto rrugë. Dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës nga Ministria e Asfaltit është jashtëzakonisht i madh.
21. Mediat e shkelura. Kosova gjatë këtij viti është ballafaquar me shkeljet më të rënda të lirisë së shprehjes që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Dhjetë vjet më vonë, media në Kosovës është vendosur nën trysni të paparë, përderisa kjo ka shkaktuar reagimin e shumë instancave ndërkombëtare.
22. Kultura e humbur. Gjatë vitit 2009 nuk mund të flitet fare për kulturën. As nuk pati buxhet, e as nuk pati kreativitet. Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtij viti, që në fakt do të thotë se ka ndodhur mbytja e jetës shpirtërore të kosovarëve.
23. Sporti i harruar. Qeveria e Kosovës duket se ka harruar fare ta fus sportin në ndonjërën prej prioriteteve të veta të punës. Gjatë vitit 2009 sporti i Kosovës ka vazhduar tatëpjetën. Madje, nuk është folur asnjëherë në nivele të larta politike çështja e ngritjes së cilësisë së sportit apo të ndërkombëtarizimit të tij.
24. “Zgjedhjet” për demokracinë e përmbytur. Kosova në fund të vitit 2009 ka përmbytur edhe demokracinë e vet. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe balotazhi më 13 dhjetor kanë treguar se Kosova nuk është as afër ndërtimit të demokracisë. Dy partitë në pushtet (PDK dhe LDK) detyrohen të përsërisin zgjedhjet në disa komuna, për shkak të vjedhjes së manipulimit të votës së lirë të qytetarit.
Ëh. Edhe kjo na u deshtë!
(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK)
Botuar më 25 dhjetor 2009, në

Saturday, December 19, 2009

Zanzibar demokraci, zanzibar zgjedhje

Vështrim

Zanzibar demokraci, zanzibar zgjedhje

Kosova po jeton në “zanzibar demokraci” dhe kështu ka mbajtur “zanzibar zgjedhje”. Larg standardeve, pa vullnet politik institucional, pa përgatitje të duhura, pa përgjegjësi shtetërore. Nga shantazhet e kryeministrit deri te importimi i modelit Edi Rama në Gjakovë, demokracia në Kosovë u dëmtuar sërish

Shkruan: BURIM RAMADANI

Procesi zgjedhor në Kosovë është përcjell i tëri me shumë dilema, dyshime të mëdha dhe mos-besim të fuqishëm. Kjo si pasojë e tri elementeve kryesore. Së pari, për shkak të mos-gatishmërisë politike institucionale të liderëve të vendit (presidentit dhe kryeministrit) për përgatitjet e duhura politike dhe teknike. Së dyti, për shkak të mungesës së madhe të transparencës kaq shumë të nevojshme në Kosovë. Dhe, së treti, për shkak të vendimmarrjes së papërgjegjshme gjatë këtyre mujave të fundit.

Presidenti dhe kryeministri talleshin me të tjerët, tash ata mbetën të tallurit

Në periudhën e përgatitjeve për zgjedhje është jashtëzakonisht e nevojshme transparenca dhe vendimmarrja e përgjegjshme. Kjo jo vetëm sa për të plotësuar një formalitet, por për të arritur vërtetë përmbushjen e standardeve të nevojshme për një proces të suksesshëm dhe të garantuar. Prej këtu mund të fillojmë analizën kur flasim për zgjedhjet e posapërfunduara në Kosovë. Kjo kërkohej edhe në Kosovë që nga muajt prill dhe maj të këtij viti. Por, assesi të ndodhte. Të gjithëve na kujtohet si partitë politike opozitare (dhe në veçanti AAK-ja) është dashur të bëjnë presion të madh publik madje vetëm për të filluar konsultimet e para për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në muajt e parë të pranverës 2009 nuk ka pasur gatishmëria politike për përgatitjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, derisa në të njëjtën kohë, sikurse ju kujtohet, Komisioni Qendror Zgjedhor ishte plotësisht jo-funksional. Për më tepër, kryesuesi i KQZ-së kishte dhënë dorëheqje dhe kryeshefi ekzekutiv nuk ishte zgjedhur ende.
Në fund të pranverës, askush nuk dinte se si do të organizoheshin zgjedhjet. Të gjithë (ndoshta jo bash të gjithë) ishin të frikësuar dhe shqetësuar me atë që do të mund të ndodhte në këto zgjedhje për shkak të mos-përgatitjes së duhur teknike dhe politike. Kjo ka qenë një prej elementeve përse procesi është përcjellë tërë kohën me dilema të shumta, gjë që vazhdon të ndodh edhe më tutje.
Sidoqoftë, në muajt e para-verës disa takime konsultative u mbajtën. Nuk pati mirëkuptim as për datën e zgjedhjeve. Opozita dhe shoqëria civile kërkoi zgjedhje në tetor dhe nëntor, por PDK dhe LDK vendosën që ato të mbahen në nëntor dhe dhjetor. Madje, tallën mendimin e kundërt. Pra, edhe vendimi për datën e zgjedhjeve ishte i njëanshëm. Lëre më të tjerat.
Aspekti politik kishte adresë të qartë (Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës) dhe kjo ndikonte edhe në aspektin e përgatitjeve teknike, përkatësisht në KQZ dhe Sekretariatin e KQ-së. As kërkesa për kamera në vendvotime nuk u pranua. Madje, opinioni publik u mashtrua disa herë. Të gjitha partitë dolën se janë pro vendosjes së kamerave, por PDK-ja bashkë me minoritetet dhe kryesuesen e KQZ-së votoi kundër, ndërsa AKR-ja në votimin e parë nuk u paraqit fare.
Sido që të jetë, mesi i tetorit, sipas vendimit të kryetarit të shtetit, ishte periudha kur do të duhej të fillonte fushata për zgjedhjet lokale. Por, deri atëherë edhe kryetari dhe kryeministri ishin përfshirë në fushatë. Njëri duke inauguruar parqe në kryeqytet e tjetri duke kaluar secilën ditë në terren.
Edhe për çështjen e kohëzgjatjes së fushatës pati mospajtime. Derisa vetë patën filluar fushatën, dy udhëheqësit e shtetit (dhe partive në koalicion qeveritar) kërkonin dhe insistonin që fushata të zgjaste 21 ditë në vend të 30 ditëve që është paraparë me ligj. Me qëndrimin e qartë të dy partive opozitare, kjo tentativë për shkelje ligji u anulua.
Më tutje, kemi parë një fushatë tejet interesante, me akuza të rënda midis partnerëve të koalicionit qendror dhe në njëjtën kohë edhe fushatë paradoksale. Kryeministri Thaçi u akuzua nga partneri i vet në koalicion për logjikë dhe veprime komuniste, për diktaturë në miniaturë, për të qenit karikaturë në atë logjikë, për korrupsion, për krim të organizuar, për veprimtarinë negative të shërbimit të tij privat SHIK, për terrorizimin e qytetarëve të Prishtinës, e për çka jo. Por, kryeministri kishte filluar një logjikë tjetër: atë të premtimit të shumave tepër të mëdha për komunat, nëse aty do të fitonin kandidatët e partisë së tij. Për më shumë, ai kërcënonte dhe shantazhonte qytetarët dhe bizneset nëpër komuna të ndryshme nëse nuk do të fitonin të përzgjedhurit e tij për ato komuna. Një rast i këtillë i rëndë ishte në Suharekë, ku kryeministri Thaçi shprehte hapur këtë logjikë dhe mentalitet shantazhi.

Sovrani dhe verdiktin e vet. MOS PREK!

Sovrani dha verdiktin e vet. Këtë fjali jemi mësuar ta dëgjojmë secilën herë që ka zgjedhje. Por, kësaj duhet t’i shtojmë edhe dy fjalë: Sovrani dha verdiktin e vet. MOS PREK! Mirëpo, ky nuk është rasti i Kosovës. Shumë e shumë keqpërdorime të ndryshme morën hov. Ku më shumë e ku më pak, vota e qytetarit ishte në mëshirën e njerëzve ‘vullnetarë’ të grupeve të caktuara brenda partive politike.
Sidoqoftë, janë disa elemente negative kanë përcjellë këtë proces zgjedhor në Kosovë. Madje, këto elemente mbesin gjurmë të kqija edhe për periudhat e ardhshme zgjedhore.
Së pari, procesi ishte i papërgatitur mirë dhe me shumë dilema. Edhe vetë partitë politike dhe garuesit në këto zgjedhje nuk kanë besuar në proces. Certifikimi i zgjedhjeve nuk është mundësuar të bëhet në përputhje me Planin e Ahtisaarit dhe për këtë adresa kryesore është presidenti dhe kryeministri i vendit. Po ashtu, edhe në këto zgjedhje pastrimi i listave ka qenë një prej të metave kryesore.
Së dyti, është përdorë dhunë në periudhën e zgjedhjeve. Kandidati për kryetar të Mitrovicës është sulmuar me armë, derisa objekti i Komunës së Gjakovës është sulmuar me armë automatike nga një person i cili ishte pjesë e ekipit elektoral të kundër-kandidates. Dhuna në Deçan është një tjetër rast i rëndë gjatë kësaj periudhe.
Së treti, gjatë këtyre zgjedhjeve është futur “në lojë” edhe kërcënimi dhe shantazhimi i bizneseve dhe qytetarëve. Kryeministri ka kërcënuar dhe shantazhuar bizneset dhe qytetarët në komuna të ndryshme me mos-investim të ndonjë centi nëse nuk fitojnë kandidatët e partisë së tij, sikurse është rasti në Suharekë.
Së katërti, në këtë proces është parë tentimi për të importuar modelin e Edi Ramës, që u tentua të aplikohet në Gjakovë. Rasti i kësaj komune ishte një konspiracion i ndërtuar qartë midis Thaçit, Pacollit dhe SHIK-ut, ndërsa protesta e qytetarëve e “vetëorganizuar” kishte me motot e njëjta sikurse të Edi Ramës në kohën kur Behgjet Pacolli qëndronte në protestën e Ramës në Tiranë.
Së pesti, involvimi i Policisë në zgjedhje. Edhe uniformat e policisë janë involvuar në dëmitimin e procesit dhe kjo është dëmi më i madh që i ka shkaktuar kjo logjikë qeverisëse Policisë së Kosovës.
Së gjashti, zgjedhjet me “ushtri” për mbrojtjen e votës. UMV (Ushtria për Mbrojtjen e Votës) është nevojitur secilit garues për të ruajtur vullnetin e qytetarëve nga manipulimi i votave dhe nga presioni i madh ndaj votuesve.
Së shtati, jostabiliteti institucional gjatë periudhës së zgjedhjeve. Menjëherë pas rundit të parë, më 19 nëntor nga Zanzibari u njoftua opinioni publik se Qeveria e Kosovës është prishur.
Të gjitha këto tregojnë për dëmtimin e madh që i është bërë demokracisë në Kosovë. Të gjitha këto tregojnë se Kosova po jeton në “Zanzibar demokraci”, prandaj edhe ka pasur “Zanzibar zgjedhje”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Kohën Ditore”

Botuar në “Koha DITORE” më 22 dhjetor 2009, fq. 11.

Wednesday, December 16, 2009

Çfarë zgjedhjesh patëm?

Loja pa fitues

Çfarë zgjedhjesh patëm?

Humbja e mundshme e PDK-së në Prizren dhe humbja e konstatuar e kandidatëve të LDK-së dhe PDK-së në Suharekë (edhe të bashkuar në rundin e dytë në atë komunë), është dëshmi e fuqishme për ndryshime të mëdha. Ndryshime këto që do të shpejtojnë në javët e ardhshme, për të rezultuar me zgjedhjet nacionale në vitin 2010.

Shkruan: Burim Ramadani

I
Transparenca dhe vendimmarrja e përgjegjshme në periudhën e përgatitjeve për zgjedhje është jashtëzakonisht e nevojshme. Kjo kërkohej edhe në Kosovë që nga muajt prill dhe maj të këtij viti. Por, assesi të ndodhte. Madje, duhej që partitë opozitare të shkruajnë letra zyrtare për të kërkuar fillimin e konsultimeve për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kështu mund të konstatohet gatishmëria politike e përgatitjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, derisa në të njëjtën kohë Komisioni Qendror Zgjedhor ishte plotësisht jo-funksional. Për më tepër, kryesuesi i KQZ-së kishte dhënë dorëheqje dhe kryeshefi ekzekutiv nuk ishte zgjedhur ende. Askush nuk dinte se si do të organizoheshin zgjedhjet në fund të pranverës së këtij viti. Të gjithë (ndoshta jo bash të gjithë) ishin të frikësuar dhe shqetësuar me atë që do të mund të ndodhte në këto zgjedhje për shkak të mos-përgatitjes së duhur teknike dhe politike. Aspekti politik kishte adresë të qartë dhe kjo ndikonte edhe në aspektin e përgatitjeve teknike. As kamerat në vendvotime nuk u lejuan. Madje, opinioni u mashtrua disa herë. Sidoqoftë, disa takime konusltative u mbajtën. Nuk pati mirëkuptim për datën e zgjedhjeve. Opozita dhe shoqëria civile kërkoi zgjedhje në tetor dhe nëntor, por PDK dhe LDK vendosën që ato të mbahen në nëntor dhe dhjetor. Madje, tallën mendimin e kundërt. Pra, edhe vendimi për datën e zgjedhjeve ishte i njëanshëm. Lëre më të tjerat.

II
Mesi i tetorit, sipas vendimit të kryetarit të shtetit, ishte periudha kur do të duhej të fillonte fushata për zgjedhjet lokale. Por, deri atëherë edhe kryetari dhe kryeministri ishin përfshirë në fushatë. Njëri duke inauguruar parqe të vogla në kryeqytet e tjetri duke kaluar secilën ditë në terren. Edhe për çështjen e kohëzgjatjes së fushatës pati mospajtime. Derisa vetë patën filluar fushatën, dy udhëheqësit e shtetit (dhe partive në koalicion qeveritar) kërkonin dhe insistonin që fushata të zgjaste 21 ditë në vend të 30 ditëve që është paraparë me ligj. Me qëndrimin e qartë të dy partive opozitare, kjo tentativë për shkelje ligji u anulua. Më tutje, kemi parë një fushatë tejet interesante, me akuza të rënda midis partnerëve të koalicionit qendror dhe në njëjtën kohë edhe fushatë paradoksale. Kryeministri Thaçi u akuzua nga partneri i vet në koalicion për logjikë dhe veprime komuniste, për diktaturë në miniaturë, për të qenit karikaturë në atë logjikë, për korrupsion, për krim të organizuar, për veprimtarinë negative të shërbimit të tij privat SHIK, për terrorizimin e qytetarëve të Prishtinës, e për çka jo. Por, kryeministri kishte filluar një logjikë tjetër: atë të premtimit të shumave tepër të mëdha për komunat, nëse aty do të fitonin kandidatët e partisë së tij. Për më shumë, ai kërcënonte dhe shantazhonte qytetarët dhe bizneset nëpër komuna të ndryshme nëse nuk do të fitonin të përzgjedhurit e tij për ato komuna. Një rast i këtillë i rëndë ishte në Suharekë, ku kryeministri Thaçi shprehte hapur këtë logjikë dhe mentalitet shantazhi.

III
E tëra që kishte ndodhur deri më 15 nëntor rezultoi me ndryshim të skenës politike në Kosovë. Vota e qytetarëve të Kosovës tregoi një drejtim të ri që ka marrë vullneti politik në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arriti një nivel që nuk ishte parë deri në këto zgjedhje në Kosovë. Numri i përgjithshëm i votave për AAK-në është dyfishuar, sikurse është dyfishuar edhe përqindja dhe numri i komunave nën qeverisjen e kandidatëve të AAK-së. Ndërsa, dy partitë politike që qeverisin Kosovën në nivel qendror kanë marrë goditje të fuqishme në numër të caktuar të komunave. Përderisa kanë ruajtur apo kanë rritur në një masë numrin e përgjithshëm të votave në nivel të Kosovës, PDK dhe LDK janë goditur në Prizren dhe Suharekë, në Kamenicë dhe Klinë, Pejë dhe Gjakovë, Obiliq dhe Mitrovicë e në komuna të tjera. Ndërsa, zgjedhjet e 15 nëntorit i kanë dhënë një goditje të fuqishme AKR-së së Pacollit dhe LDD-së së Dacit, parti këto të cilat arritën një marrëveshje/koalicion duke pasur një numër të kandidatëve të përbashkët për kryetarë komunash. Sidoqoftë, menjëherë pas rundit të parë të këtyre zgjedhjeve, kemi parë një zhgënjim dhe mos-arritje të suksesit të planifikuar në bazë të një konspiracioni të ndërtuar nga kryeministri Thaçi, Behgjet Pacolli dhe SHIK-u në Gjakovë. Ky zhgënjim u manifestua edhe me protesta në rrugë, duke sjellë kështu modelin e “demokracisë së Edi Ramës” nga Tirana në Gjakovë. Për më shumë, Pacolli kishte marrë pjesë po ato ditë në protestën e Ramës në Tiranë.

IV
Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash erdhi pas një konstatimi të ndryshimit të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Tri partitë kryesore në vend u futën në rundin e dytë me shumicën e komunën, derisa koalicioni AKR-LDD kishte tri kandidatura të tilla në balotazh. Edhe përgatitjet teknike dhe politike vazhduan të jenë të papërshtatshme për këtë periudhë. Qysh më parë ishte qartësuar nevoja që balotazhi të mbahej më shpejt dhe të mos kërkonte një periudhë një mujore, sikurse që ndodhi. Kryeministri Thaçi pothuajse nuk u kthye fare në zyrën e tij në Kryeministri, derisa në Prishtinë ligjin e ‘bënte’ dhe ‘tallej me të’ Nazim Bllaca, një ish-agjent i shërbimit privat të kryeministrit, i njohur si Shërbimi Informativ i Kosovës. Rritja e tensioneve në radhët e qytetarëve të Kosovës ishte e jashtëzakonshme dhe është nevojitur një investim tepër i madh i partive të përgjegjshme politike në mënyrë që të ruhet qetësia, pjekuria dhe maturia e qytetarëve të vendit. Kështu është ruajtur stabiliteti i vendit, derisa normalisht në periudhën e ardhshme këto tema të rënda duhet të vazhdohen para drejtësisë për t’i dhënë përgjegjësinë secilit individ për veprimet që ka bërë. Sidoqoftë, rezultatet e rundit të dytë karakterizohen sërish me Prizrenin dhe Suharekën. Humbja e mundshme e PDK-së në Prizren dhe humbja e konstatuar e LDK-së dhe PDK-së në Suharekë (deri në një masë të bashkuara në rundin e dytë në atë komunë), është dëshmi e fuqishme për ndryshime të mëdha. Ndryshime këto që do të shpejtojnë në javët e ardhshme, për të rezultuar me zgjedhjet nacionale në vitin 2010.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”


Botuar në “Zëri” më 18 dhjetor 2009, fq. 25

Monday, December 7, 2009

Sa shumë punë për EULEX-in!

Loja pa fitues

Sa shumë punë për EULEX-in!

“The Young Europeans” duket se dinë të prodhojnë kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik, korrupsion dhe krim të organizuar. Me mungesën e vullnetit politik të qeverisë së vendit, EULEX-i duhet të merr rol shumë të fuqishëm. Si misioni më i madh në historinë e BE-së, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej në Kosovë, por as në Bruksel

Shkruan: Burim Ramadani

I

Lajmet e fundit që dalin nga Kosova nuk janë pozitive. Vendet e rajonit, vendet mike Perëndimore, opinioni publik ndërkombëtar, sikurse edhe institucionet e organizatat ndërkombëtare janë ‘bombarduar’ nga lajmet negative nga Kosova. “The Young Europeans” (“Evropianët e rinj”) duket se dinë të prodhojnë këto kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik dhe pamundësi zhvillimi. Vetëm po të analizohet periudha e shkurtër pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit të këtij viti, mund të konstatohet për sinjale tejet shqetësuese që Kosova dërgon tek opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar. Brenda më pak se tri javësh, nga shteti i ri kanë ardhur tri lajme negative. Së pari, Qeveria e Kosovës prishet në gjysmë të natës për shkak se udhëheqja e partisë prirëse të koalicionit është emocionuar pas ndonjë gote alkool dhe është mbushur me inat ndaj partnerit qeverisës. Më pas, të nesërmen në mëngjes, çdo gjë u ‘rregullua’, porse askush nuk mori vesh si dhe përse. Së dyti, një ish-agjent i Shërbimit (privat) Informativ të PDK-së deklaron për përfshirjen e figuarave të rëndësishme politike të Qeverisë në urdhërdhënien për vrasjen e kundërshtarëve politik. Së treti, Kosova nuk është bashkëpunuese sikurse duhet me misionin EULEX dhe për këtë shkak Këshilli i Ministrave të BE-së duhet të ndërhyjë publikisht.

II

E vërteta e popullit të Kosovës është ndryshe nga ajo që është e vërteta për Qeverinë e Kosovës. Derisa qytetarët e Kosovës janë njerëz bashkëpunues dhe mirënjohës për ndihmën e madhe ndërkombëtare që është dëshmuar gjatë këtyre viteve, Qeveria e Kosovës kritikohet pikërisht në këtë aspekt. Mirënjohja që populli i Kosovës i ka bërë gjatë kësaj periudhe figurave të mëdha ndërkombëtare është e vërejtshme në tërë vendin. Shtatore dhe buste janë ndërtuar për burrështetas të vendeve Perëndimore, sikurse rrugë dhe shkolla janë emërtuar me emra të tjerë. Madje, edhe fëmijët kosovarë mbajnë emrat sikurse Bill Klinton, Medlin Ollbrajt apo Toni Bler. Kjo e vërtetë ndryshon edhe sa i përket vullnetit politik për të ndërtuar shtet të fuqishëm të bazuar në rend dhe ligj, ekonomi të zhvilluar, liri, të drejta të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe integrimet evropiane. Të gjitha këto fusha janë pikërisht ato për të cilat Kosova ka nevojë më së shumti, derisa për fat të keq aty është shënuar regresi më i madh. Qeveria aktuale e Kosovës ka shënuar rekord të mungesës së vullnetit politik për të luftuar dukuritë negative, duke u kthyer kështu në stimulues dhe lehtësues të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

III

Shpërputhja e madhe midis vullnetit politik të institucioneve qeveritare të Kosovës, përkatësisht mungesës së këtij vullneti, dhe problemeve tejet të mëdha sa i përket sundimit të ligjit në vend, tregon për nevojën e padiskutueshme për ndryshim të qartë të drejtimit. Dhe, për këtë duhet të merr rol shumë të fuqishëm EULEX-i. Si misioni më i madh në historinë e Bashkimit Evropian, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej as në Bruksel, por as në Kosovë. Tek e fundit, zotërimi i kapaciteteve profesionale të EULEX-it duhet të drejtohet kah zgjidhja e probleme të mëdha në fushën të cilën misioni e mbulon. I tillë është edhe rasti i fundit i hapjes së “Kutisë së Pandorës” rreth atyre që quhen krime politike në Kosovën e pasluftës. EULEX-i duhet të jetë vërtetë i shpejtë, profesional, i guximshëm dhe i përkushtuar në mënyrë që situata të mund të menaxhohet në mënyrën më të mirë. Destabiliteti politik dhe qytetar i Kosovës është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit gjatë kësaj faze të ndjeshme, kur Kosova përballet me padinë e Serbisë neo-Millosheviqiane në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

IV

Interesi i Kosovës nuk mbrohet vetëm në rastet e rënda të zhvillimeve të fundit që u paraqitën në opinionin publik. Kosova ka edhe shumë probleme dhe vështirësi të mëdha për të cilat është i nevojshëm përkushtimi dhe angazhimi i fuqishëm profesional i EULEX-it. Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë vërejtur vendosmërinë e EULEX-it në vendosjen e kontrollit ligjor në një pjesë të madhe të territorit shtetëror. Veriu i Kosovës edhe më tutje mbetet jashtë çfarëdo mekanizmi ligjor, ndërsa situata atje është duke u keqësuar edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, kontrabanda është rritur pa ndonjë pengesë gjatë këtyre dy vjetëve, derisa krimi i organizuar rajonal gjen në Kosovë strehim të pandëshkueshëm. Kosova mbetet edhe më tej çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore, edhe pse për këtë vendi ka marrë kritika të fuqishme nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit. Korrupsioni është bërë dukuri ‘normale’ në qeverisjen e vendit, ku një kilometër asfalt kushton deri në disa miliona euro. Të gjitha këto, por edhe probleme tjera, kanë nevojë për zgjidhje që mund të vijë nga vendosmëria e EULEX-it. Francezi Iv de Kermabo, shefi i këtij misioni, do të kthehej hero të Kosovës nëse do të tregonte përkushtim dhe guxim për t’u përballë me këto zhvillime negative. Dhe, ai nuk e ka të vështirë: vetëm duhet të veprojë ashtu sikurse do të vepronte në shtetin e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në "Zëri" më 8 dhjetor 2009, fq. 24.

Qeveria “Bllaca”

Qeveria “Bllaca”

Pavarësisht nëse e besojmë apo jo vërtetësinë e rrëfimeve të një ish-agjenti të SHIK-ut, Nazim Bllaca, kjo nuk e ndryshon themelimin e asaj që është duke e thënë ai: Ekzistencën e SHIK-ut, pjesën e veprimtarisë kriminale të SHIK-ut dhe dëmtimin e njerëzve të Kosovës gjatë këtyre viteve

BURIM RAMADANI

Tronditja ende nuk ka kaluar. Nazim Bllaca shokoi të gjithë. Qytetarët e Kosovës kanë mbetur këto javë të tronditur, të shokuar dhe të shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend. Madje, shumë njerëz kanë qëndruar zgjuar deri në orët e vona pas mesnatës për të parë nëse do të publikohen edhe ndonjë CD tjetër që dëshmon apo pretendon të dëshmojë krime tjera.

E tërë kjo që po ndodh mund të konstatohet se paraqet situatën më të rëndë në Kosovën e pasluftës. Ëshë hapur tema më e rëndë, më e ndjeshme dhe më e dhimbshme e Kosovës së pas-vitit 1999. Populli i Kosovës e ka të qartë se kjo situatë nuk është as humor i zi, as tendencë për të arritur qëllime politike të ndokujt. Por, kjo na kujton edhe njëherë se në çfarë periudhash të rënda ka kaluar populli i Kosovës gjatë këtyre vjetëve. Rruga e Kosovës për të arritur shtetësinë ka kaluar nëpër shumë sfida të mëdha, ka kërkuar shumë mund, shumë ndjersë, shumë sakrificië, shumë gjak, shumë njerëz.

Populli i Kosovës nuk ka kaluar si është më së miri as pas vitit 1999, kur situata politike kishte marrë dimensione të reja. Kundërshtitë politike që kishin filluar menjëherë pas luftës nuk kanë qenë të lehta për ndjenjat e qytetarëve të Kosovës. Ishte investuar shumë për të përçarë popullin e Kosovës në bazë të grupimeve politike, duke mos kursyer as konstatimet për vërtetësinë kombëtare të liderëve të partive konkurruese.

Porse, pavarësisht nëse ne e besojmë apo nuk e besojmë vërtetësinë e rrëfimeve që po bën një ish-agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca, kjo nuk e ndryshon themelimin e asaj që është duke e thënë ai: Ekzistencën e SHIK-ut, veprimtarinë kriminale të SHIK-ut dhe dëmtimin e njerëzve të Kosovës gjatë këtyre viteve.

Qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se një grup i caktuar i njerëzve të Kosovës, që u bashkuan në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), patën themeluar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), si një shërbim intelegjent ‘privat’, duke shkelur kështu të gjitha normat e funksionimit normal të demokacisë. Ky shërbim ka vazhduar të punojë për interesat e udhëheqjes së lartë të PDK-së, derisa nuk kanë paraqitur asnjëherë ndonjë raport publik për punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve. Për më tepër, një numër jo i vogël i qytetarëve të Kosovës nuk kanë pasur fare idenë e kush janë këta njerëz, çka bëjnë, me kë punojnë, për kë punojnë, kur kanë filluar të punojnë, ku i kanë marrë burimet financiare dhe çka i kanë ndihmuar Kosovës këta njerëz? Këto dhe shumë e shumë pyetje tjera ngriten sa herë që është folur dhe flitet për SHIK-ut dhe rolin e këtij shërbimi në zhvillimet në Kosovë.

Rasti i Nazim Bllacës ka ofruar informata të reja për qytetarët e Kosovës. Ata tashmë të tronditur dhe të shokuar, nuk kanë sesi të mirëkuptojnë atë që ka ndodhur apo pretendohet të ketë ndodhur. Ka dëshmuar se Qeveria e tashme është e udhëhequr nga njerëzit e SHIK-ut, roli i të cilëve në Kosovë nuk duket të ketë pasur vetëm tregime pozitive. Institucionet e Kosovës janë vërshuar nga njerëzit e këtij shërbimi menjëherë pas gjysmës së vitit të kaluar. Madje, edhe institucionet tejet vitale për shtetin, sikurse është Këshilli i Sigurisë së Kosovës, është mbushur me njerëz të këtillë, të cilët vazhdojnë të ruajnë strukturën e shërbimit të tyre privat, ilegal.

Por, çka është e rëndësishme në këto momente të vështira për Kosovën?

Së pari, është vendimtare se si do të menaxhohet në vazhdimësi kjo situatë e rëndë dhe jostabile në të cilën është vënë Kosova nga ky mentalitet qeverisës. Zhvillimet e fundit kanë treguar se institucionet e Kosovës nuk paraqesin adresën se ku do të mbështetej dhe besohej menaxhimi i një situate të këtillë. Sepse, vetë njerëzit që udhëheqin këto institucione janë po ashtu të dyshuar, të akuzuar publikisht apo të prekur nga ajo që deklarohet nga Nazim Bllaca. Si mund të menaxhojë një situatë të këtillë ku akuzohet SHIK-u për vepra të caktuara kriminale dhe krim të organizuar, derisa një numër ministrash, zëvendës-ministra, këshilltarësh e punëtorësh kanë qenë dhe janë në shërbim të SHIK-ut? Madje, ka të atillë që edhe e kanë konfirmuar publikisht këtë. Prandaj, roli i EULEX-it është vendimtar dhe i pakontestueshëm sa i përket mundësisësë menaxhimit të situatës. Veprimet e shpejta që duhet të ndërmerren nga misioni i EULEX-it janë të domosdoshme.

Së dyti, qytetarët e Kosovës nuk duhet të lëndohen dhe të dëmtohen për shkak të tërë këtyre zhvillimeve të fundit. Kosova duhet të ruajë sigurinë e qytetarëve të vet. Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e njeriut dhe si e tillë kjo nuk guxon të vihet në pikëpyetje apo rrezikim. Qytetarët e Kosovës kaë dhënë shumë për vendin, për qëllimin tonë të përbashkët, shtetin e Kosovës.

Në vlugun e zhvillimeve të këtilla apo daljes së mundshme në sipërfaqe të zhvillimeve të mëhershme në Kosovë, qytetarët e Kosovës duhet të ruajnë maturinë, pjekurinë politike dhe qetësinë. Institucionet e Kosovës dhe partitë politike duhet të jenë tepër të kujdesshme për të mos nxitur përçarje midis popullit dhe mos politizuar këto çështje të rënda për vendin.

Ndërsa, përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi pjesën kryesore e qeverisë së tashme, disa prej të cilëve nuk hezitojnë të konfirmojnë lidhjet dhe shërbimin që kanë bërë në SHIK. Pos skandaleve të shumta që e kanë përcjellë gjatë këtyre dy vjetëve, Qeverisë së Kosovës populli i ka dhënë edhe një epitet tjetër: Qeveria Bllaca.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)


Botuar në "Koha DITORE" më 7 dhjetor 2009, fq. 12