Friday, February 27, 2009

Mediat (me 27/02/2009) për Promovimin e Librit "Shteti i Komuniteteve: Ne zbatim te modelit Ahtisaari"















http://alsat-m.tv/Lajme-nga-rajoni/11646.html

Promovohet libri për Planin e Ahtisarit

Promovohet libri për Planin e Ahtisarit
“Shteti i Komuniteteve- Në Zbatim të Modelit Ahtisaari” është libri i politologut kosovar Burim Ramadani, i pari i botuar në Kosovë për dokumentin e Marti Ahtisarit në bazë të cilit Kosovës iu lejua ta shpallë pavarësinë e vet. Autori në këtë libër ka bërë përpjekje të shpjegojë në mënyrë teorike konceptin mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
Sipas Ramadanit, Ahtisaari, në këtë dokument, ka përdorur modelin e “konsociocializmit”, i praktikuar në shumë vende ku ndarjet e shoqërisë në baza etnike kanë qenë të thella pas konflikteve në ato vende.“Qëllimi i librit është një shqyrtim i detajuar teorik dhe praktik i këtyre masave se pse duhet të ketë këto masa një shoqëri çfarë është Kosova ose pse nuk duhet të ketë. Plani i Ahtisarit është baza e kësaj analize, ose e këtij libri që është bërë”, tha autori i librit, Burim Ramadani.
Recenzenti i librit Blerim Shala, që ka qenë pjesëmarrës në bisedimet në procesin e statusit të drejtuar nga Marti Ahtisari, thotë se alternativë tjetër të këtij plani për Kosovën nuk ka, pavarësisht vështirësive që dalin në implementimin e tij.“Duhet thënë hapur që suksesi i këtij modeli në Kosovë varet shumë nga rrjedhat politike në Kosovë, por edhe nga përkrahja që ai do të marrë nga faktori ndërkombëtar, që sidomos ka punë me udhëheqësinë e Serbisë e cila po bën gjithçka për ta futur pakon e Ahtisarit në pakon e dështimit”, tha recenzenti Blerim Shala.
“Tendencat që shkojnë kah ajo që të implementohet në mënyrë selektive qoftë në kualitetin apo në implementimin e saj territorial është shumë e rrezikshme”, vlerësoi ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
“I preokupuar në çështjen e shtetndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit të pavarur të Kosovës, autori në këtë studim ekspediton dokumentin e Ahtisarit në bazë të parimeve konsociocionale dhe përvojës së aplikimit të saj në vende të ndryshme të botës me probleme të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me ato të Kosovës”, theksoi recenzuesi, Skënder Zogaj.
Në këtë libër, Burim Ramadani prek sfidat nëpër të cilat pritet të kalojë Kosova gjatë periudhës së implementimit të pakos së Ahtisarit dhe kohën e parashikuar për implementimin e këtij plani. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Zëri”.
Përparim Isufi

Sunday, February 22, 2009

Shqiptarët dhe miku i fuqishëm

Loja pa fitues
Shqiptarët dhe miku i fuqishëm
Është një shtet i cili padyshim ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo madhështi ka ardhur nga ky shtet, çdo zgjidhje është sponzoruar nga ky shtet. Shqiptarët janë treguar më të afërm si në traditë, po ashtu edhe në orientim. Prandaj, shqiptarët janë komb me fat historik
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm miku i mirë të qëndron afër dhe të gjendet në momentet e vështira. Kjo fjali e vjetër popullore është dëshmuar tashmë saherë në rastin e zhvillimeve për Kosovën. Për më tepër, kjo është parë të ketë ndodhur në mënyrë të fuqishme edhe për shtetin shqiptar, nga po i njëjti mik. Kombi shqiptar, si në shtetin amë, po ashtu edhe në pjesët tjera të territoreve etnike, ka pasur dhe vazhdon të ketë fatin historik për mikun që ka. Një popull i fuqishëm, me sistem të zhvilluar demokratik, me vlera të pamohueshme individuale dhe kolektive, me të kaluar dhe të ardhme të përbashkët, si dhe me fuqinë e padiskutueshme mbi boëtn e tashme ka treguar tashmë shumë herë miqësinë e fortë me kombin shqiptar. A nuk është ky një fat historik për shqiptarët? Porse, mbi të gjitha, kjo pyetje kërkon edhe kundër-pyetjen që shqiptarët duhet t’i bëjnë gjithnjë vetes: Çka po bëjnë shqiptarët për të ndihmuar këtë miqësi? Apo, a po bëjnë të gjithën e mundshme për të forcuar këtë miqësi? Përgjigja direkte është: pa dyshim. Tek e fundit, shqiptarët janë kombi më pro-amerikan në Evropë dhe botë. Nuk ka dilemë se kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje, madje të forcohet dhe formalizohet më tepër dhe më konkretisht.
II
Bashkësia ndërkombëtare e shekullit në të cilin po jetojmë është një grumbull shtetesh me interesa të ndryshme individuale dhe me shumë pika të përbashkëta në global. Unipolariteti është më i theksuar në krahasim me shekullin e kaluar, shekull i cili ishte ballafaquar me luftëra të rënda gjithëpërfshirëse, dhunë, gjenocid dhe tmerre të pakrahasueshme. Pavarësisht kësaj, autorët e famshëm botëror argumentojnë rritjen në ardhje të një fuqie të vjetër në formë të re në botën moderne. Në fakt, zhvillimi i hovshëm dhe i gjerë i Kinës në aspektin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mund të krijojë një pol të ri të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kohës së ardhshme. Sido që të jetë, fuqia e tashme e padiskutueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian (si bllok i përbashkët demokratik) është ndodhia më e mirë që i ka ngjarë njerëzimit në disa mijëra vjet të ekzistencës në formën e organizuar ose më mirë të organizuar. Në realitet, në botën e sotme është një forcë vërtetë pozitive dhe e moderuar e cila i jep, zhvillon dhe mbron shpresën e secilit njeri, komb dhe rajon për ndërtimin e paqes, ardhmërisë së sigurt dhe konsolidimit të demokracisë.
III
Veçoria e shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë është evidente. Kombi shqiptar ps vjetërsisë, identitetit të qartë dhe vlerës së madhërishme të tolerancës, karakterizohet edhe nga tradita e fuqishme e organizimit kolektiv, pavarësisht formës së bërë deri më tash. Kjo sqaron edhe orientimin e padiskutueshëm të kombit shqiptar (pavarësisht kufizimeve adminstrative) drejt Perëndimit si vlerë, traditë dhe e ardhme. Shqiptarët janë kombi më me fat historik në Ballkan, kombi i të ardhmes paqësore ballkanike. Shqipëria është duke bërë hapa gjigantë drejt integrimeve evro-atlantike. Jo shumë javë e ndajnë Shqipërinë nga anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, apo krenarinë botërore. Kosova ka festuar njëvjetorin e shtetësisë së saj, rezultat i një përkushtimi vetë-flijues disa-dekadësh për të drejta, liri dhe më vonë shtet sovran dhe të pavarur. Shqiptarët në Maqedoni kanë arritur rolin më të fuqishëm që kanë pasur ndonjëherë në shtet. Nëse lidershipi shqiptar atje do të mund të tejkalojë ndarjet joparimore, ata do të përbëjnë shtyllën kryesore të stabilitetit shtetëror. Shqiptarët në Mal të Zi kanë thelluar bashkëpunimin me shtetin dhe e vetmja kërkesë drejtuar atyre është forcimi i identitetit kombëtar. Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, janë pjesa e fundit e kombit që kanë nevojë të qartë për shpëtim nga tendencat dhe veprimet kundër të drejtave dhe lirive të tyre themelore.
IV
Barazpesha në mes kombeve në Ballkan është duke u arritur dita-ditës dhe për këtë i gjithë Ballkani duhet të jetë i interesuar. Sa më shpejtë që kjo të arrihet, do të mund të flasim për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të fuqishme ndër-shtetërore. Është një shtet i cili padyshim ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo madhështi ka ardhur nga ky shtet, çdo zgjidhje është sponzoruar nga ky shtet. Shqiptarët janë treguar më të afërm si në traditë, po ashtu edhe në orientim. Prandaj, shqiptarët janë komb me fat historik. Kosova, si pjesë e madhe e këtij kombi, duhet edhe më tutje të fuqizojë miqësinë me SHBA-të. Tashmë, pos aspekteve parimore dhe kërkuese, Kosova duhet të fillojë përpjekjet për të dhënë kontribut në angazhimet demokratike të SHBA-ve në pjesë të ndryshme të botës. Nëse Kosova ende nuk ka ushtri të konsoliduar dhe të fuqishme, Policia e Kosovës është plotësisht e aftë për misione ndërkombëtare në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Kosovarët kanë aftësinë dhe vullnetin për t’u angazhuar kudo që SHBA-të kërkojnë dhe vlerësojnë të nevojshme. Qoftë në Irak, Afganistan, apo gjetiu, Policia e Kosovës mund të llogaritet në trupat e tilla që janë të nevojshme. Kjo gatishmëri duhet të formalizohet si e tillë, sa më shpejt që është e mundur.
Botuar në "Zëri" më 23 shkurt 2009, fq. 10

Saturday, February 7, 2009

Parandalimi i islamizmit në Kosovë

Loja pa fitues

Parandalimi i "islamizmit" në Kosovë


Krijimi i një adrese të veçantë apo një Zyre për Luftimin e Ekstremizmit Fetar është një prej strategjive politike të nevojshme për të ruajtur qetësinë, tolerancën, të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve të të gjitha llojeve, sigurinë publike, sigurinë e përgjithshme dhe jetën normale të qytetarëve të Kosovës. Incidentet e fundit të lidhura me lëvizjen vahabiste janë shqetësuese për shoqërinë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vërtetë, në Mileniumin e ri bota është duke u përballur me një kërcënim ndërkombëtar siç është terrozmi islamik, përkatësisht "Islamizmi". Konceptet duhet të jenë të ndara dhe përceptimet nuk duhet të ngërthehen në një sa i përket Islamit dhe Islamizmit. Islami është religjion i cili udhëhiqet nga libri i shenjtë Kur’ani, ndërsa Islamizmi është intrumentalizimi përmes dhunës i këtij religjionit nga grupe të caktuara fundamentaliste dhe ekstremiste për të arritur qëllime të caktuara politike. Pas 11 shtatorit të vitit 2001, rendi botëror është tronditor dhe disa vlerësojnë se ka pësuar ndryshime sa i përket sfidave dhe kërcinimeve me të cilat përballen shtetet dhe shoqëritë në tërë globin. Sulmet terroriste të asaj date në Nju Jork dhe Uashington, të marra përsipër nga organizata terroriste islamike Al-Qaeda dhe udhëheqësi i saj, Osama Bin Laden, kanë kthyer botën në përballje me një realitet të ri, atë të nevojës për luftimin e terrorizmit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar hapur për Luftën kundër Terrorizmit. Për këtë, SHBA-të kanë luftuar regjimin Taleban në Afganistan dhe regjimin e Saddam Husein-it në Irak. Porse, Bin Laden-i ende nuk është raportuar të jetë zënë apo të jetë vrarë, ndërsa aktet terroriste janë pothuaj të përditshme. SHBA-të, si superfuqia e vetme në sistemin ndërkombëtar, vlerësojnë terrorizmin islamik si kërcënimin kryesor për vendin e tyre dhe për botën. Në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-ve, të marsit 2006, thuhet: “Amerika është në luftë...Mbrojtja ndaj terrorizmit kërkon një strategji afat-gjate dhe ndalje (pushim v.j) të çështjeve tjera më të hershme...Për të pasur sukses në përpjekjet tona, na duhet mbështetja dhe veprime konkrete të miqve dhe aleatëve tanë...”. Koncentrimi i udhëheqësve të organizatave të ndryshme terroriste islamike vlerësohet se është në vendet e arabe dhe rreth atyre të Lindjes së Mesme, sikurse është Afganistani, Libani, Iraku, Irani, Siria, Egjipti, Arabia Saudite, Pakistani, si dhe disa shtete afrikane, sikurse Sudani. Ndërkaq, veprimi i këtyre organizatave është global dhe përfshinë më së shumti Perëndimin. Kjo do të thotë se terrorizmi është kërcënim global. Ideologjia që përçojnë organizatat e ndryshme terroriste islamike janë ideologji që thërrasin për dhunë, terror, vrasje, madje edhe Jihad (‘Luftë të Shenjtë’ tek besimtarët e Islamit). Sidoqoftë, përgatitja e njerëzve për të arritur në këtë shkallë ka marrë një kohë të gjatë të shkollimit në këtë ideologji përmes Medreseve dhe formave klanore të funksionimit të këtyre vendeve arabe.

II
Varësisht nga hapësirat e veprimit, debati për qëllimet përfundimtare të lëvizjeve dhe organizatave të ndryshme terroriste islamike vazhdon edhe në aspektin politik, edhe në atë ushtarak, edhe në atë teorik. Qëllimet që janë deklaruar deri më tash nga përfaqësues të ndryshëm të këtyre organizatave nuk janë plotësisht të unifikuara, por megjithatë kanë disa pika të përbashkëta. Lëvizjet fundamentaliste dhe organizatat e ndryshme terroriste islamike në përgjithësi kanë për qëllim: (1) Ruajtjen e tokave të popullara nga popullata e besimit Islam nga Perëndimi; (2) Tërheqjen/largimin e misioneve civile e ushtarake të vendeve Perëndimore që ekzistojnë në vendet arabe; (3) Kundërshtimin dhe pamundësimin e vazhdimit të trendeve të zhvillimit të demokracisë në vendet arabe dhe vendet tjera botërore; (4) Interpretimin e Kur’ani-it dhe fesë Islame në nivelin më strikt/të ashpër të mundshëm, duke mos shkelur madje edhe të drejtat fundamentale të njeriut; (5) Ndalimin e zgjerimit dhe zhvillimit të procesit të globalizimit; (6) Luftimin kundër shtetit të Izraelit; (7) Zgjerimin e ideologjive fundamentaliste në vendet dhe popullatat tjera të cilat i përkasin besimit Islam. Këto dhe qëllime të tjera, sidoqoftë, po përcillen me dhunë, luftë, vrasje dhe sulme të shpeshta terroriste. Sulme të tilla kanë ndodhur në shumë vende përfshirë këtu SHBA-të, Britaninë e Madhe, Spanjën, Afganistanin, Egjiptin, Turqinë, Indonezinë, Irakun, Izraelin, Jordanin, Marokon, Pakistanin, Rusinë, Arabinë Saudite, Keninë, Etiopinë dhe Tunizinë. Disa dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë deri më tash në tërë botën nga sulme të tilla terroriste.

III
Vendi që Kosova i jep këtij aspekti kompleksiv të zhvillimeve destruktive dhe kërcënuese për sigurinë globale duhet të ketë trajtim të veçantë dhe të vendosur. Jemi të vetëdijshëm se gjatë historisë është vërejtur një unitet njerëzor dhe veprues në mesin e shqiptarëve të religjioneve të ndryshme. Në kontekstin e tashëm, identiteti fetar i shumicës së shqiptarëve të Kosovës nuk ka pasur prioritet dhe theksim ndaj identitetit kombëtar. Sidoqoftë, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, vendi u hap për shumë organizata të ndryshme qeveritare e jo-qeveritare ndërkombëtare. Ndihmat humanitare dhe rindërtuese kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë këtu edhe Perëndimin edhe Lindjen. Porse, qëllimi i këtyre organizatave mundet të mos ketë qenë plotësisht i fokusuar në ndihmat humanitare dhe rindërtuese në Kosovë. Sipas të dhënave që janë publikuar gjatë viteve të fundit, në Kosovë ka ndodhur përhapja e ideologjisë së lëvizjes Vahabi, që është një lëvizje e cila ka filluar 200 vjet më parë për të kthyer shoqëritë islamike në praktikat kulturore dhe interpretimet që janë bërë shumë shekuj më parë. Ministria e Punëve të Brendshme më herët gjatë vitit 2007 pati prezantuar të dhëna lidhur me lëvzijen Vahabi para Kuvendit të Kosovës. Në raportin në fjalë, është theksuar se lëvizja Vahabi në Kosovë është përhapur përmes organizatave humanitare. Kjo lëvizje ka filluar të përhapet në përmasa të vogla menjëherë pas luftës, ndërkaq është vërejtur një përhapje më e madhe e saj pas vitit 2001. Metodologjia e kësaj lëvizjeje vahabiste në Kosovë, sipas raportit të paraqitur në Kosovës, është aplikuar përmes organizatave të ndryshme joqeveritare humanitare, të cilat kanë proklamuar ta ndihmojnë popullatën civile në rindërtim e çështje të tjera. Ndërkaq, në raport thuhej se qëllimi i këtyre organizatave humanitare, ishte përhapja e ideve vahabiste.

IV
Vahabizmi prezent në Kosovë, mund të supozohet se, nuk është në fazën e konsoliduar të tij. Sidoqoftë, janë një varg elementesh dhe faktorësh që duhet të shtynë institucionet përgjegjëse, në rend të parë Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të ndërmarrin hapat konkret për krijimin e një adrese të veçantë që do të merrej me këtë çështje, përkatësisht të krijojë një Zyre për Luftimin e Ekstremizmit Fetar në Kosovë. Kjo do të ishte një prej strategjive politike të nevojshme dhe të rëndësishme për të ruajtur qetësinë, tolerancën, të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve të të gjitha llojeve, sigurinë publike, rendin publik, sigurinë e përgjithshme dhe jetën normale të qytetarëve të Kosovës. Incidentet e fundit që lidhen me prezencën e lëvizjes vahabiste në Kosovë janë vërtetë shqetësuese për shoqërinë. Duke pasur parasysh shumë faktorë të rëndësishëm, sikurse: gjendja politike, gjeografike dhe politikat ndërkombëtare, mund të vlerësohet se tendencat për shtrirjen edhe në Kosovë të rrjeteve të organizatave të ndryshme që i takojnë ekstremizmit/fundamentalizmit në interpretim të Islamit janë të një niveli më të lartë se disa vjet më parë. Si të tilla, këto tendenca tashmë duket se po veprojnë në një ambient të hapur dhe të pakontrolluar deri më tash në këtë aspekt nga institucionet vendore të sigurisë dhe të politikës. Duke u pasur parasysh faktorët socialë, ekonomikë dhe kulturorë, duket se popullata e Kosovës ka filluar të gjejë mirëkuptim për shtrirjen, prezencës dhe punën e një numri më të madh të organizatave të ndryshme ndërkombëtare Islamike, të cilat janë paraqitur në baza të ndihmave humanitare për popullatën e këtushme. Pa dashur të paragjykohet në secilën prej tyre, aktiviteti i këtyre organizatave megjithatë duket të mos jetë vetëm humanitar dhe si të tilla ato kanë ndikuar edhe në kulturën, sjelljen dhe paraqitjen e shtresave të caktuara të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa, duke pasur parasysh politikën dhe qëllimet globale të Islamizmit, Kosova megjithëse përbën një hapësirë të vogël në krahasim me kontinentin e Evropës, megjithatë është i një rëndësie të veçantë për depërtimin, shtrirjen dhe funksionalizimin e rrjetit të këtyre organizatave edhe në rajonin e Ballkanit. Duke qenë në kufi me Bashkimin Evropian, Kosova dhe rajoni Ballkanit mund të llogaritet se është territor strategjik për lidhjet mes Lindjes së Mesme dhe Evropës Perëndimore.

Botuar në “Zëri” më 9 shkurt 2009, fq. 12.

Monday, February 2, 2009

Beogradi të largohet nga loja

Loja pa fitues

Beogradi të largohet nga loja

Nëse ëndrra e gjeneratave të tëra ka qenë liria, ëndrra e gjeneratës sime është demokratizimi i shoqërisë, shteti funksional dhe integrimet ndërkombëtare. Ne kemi shumë nevojë për të arritur stadin e të qenit shoqëri e konsoliduar, po aq sa kishim nevojë të krijojmë shtet. Kjo është vështirë të mund të arrihet para se Beogradi të largohet nga loja. Politika destruktive e Beogradit ende ndikon zhvillimet në Kosovë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vetëm pas ndaljes së ndikimit kaq të madh të politikës destruktive të Beogradit, mund të hapet rruga për krijimin e lidershipit politik të serbëve të Kosovës që do të ishte në gjendje të përfaqësojë në mënyrë të plotë interesin e komunitetit serb. Kjo mund të jetë e përbashkëta e të gjitha deklarimeve kryesore të kosovarëve, ndërkobëtarëve dhe organizatave të ndryshme saherë që diskutohet për mundësinë e integrimit të plotë apo të fuqishëm të serbëve lokalë në jetën sistemin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Dhe, ky do të duhej të jetë, në të njëjtën kohë, edhe qëllimi i të gjitha përpjekjeve dhe angazhimeve nga secili faktor vendor dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet pjesëmarrja e komunitetit serb në jetën politike dhe publike në Kosovë. Kështu, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare duhet të qartësojnë linjën e tyre dhe politikën e tyre ndaj Republikës së Serbisë në konteskt të ndryshimit të politikës destruktive të saj ndaj Kosovës. Zhvillimet në Kosovë, fatkqeësisht, ende ndikohen nga Serbia, e cila nuk është fare e interesuar për stabilitet dhe fqinjësi të mirë.

II
Beogardi që prej vitit 1999 pavarësisht zhvillimeve të brendshme, pothuaj në asnjë detaj nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës. Në vitin 2001 Qeveria e Serbisë i dha lejen serbëve lokalë kosovarë për pjesëmarrje në jetën politike të vendit dhe kjo ndodhi vetëm pas një marrëveshje midis shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Hakerup, dhe përfaqësuesit të Beogradit, Çoviq. Në atë kohë, komuniteti serb në Kosovë mori pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe koalicioni i quajtuar Povratak (Kthimi) u bë pjesë e institucioneve qendrore, përkatësisht Parlamentit dhe Qeverisë. Por, pas tri vjetësh ndryshimi i qëndrimit të Beogradit (pas trazirave të marsit 204) shkaktoi edhe largimin e komunitetit serb nga institucionet qendrore dhe zgjedhjet e mëpastajshme. Sikurse po vërehet, politika e Beogradit ka qenë ajo që ka vendosur për vendimet që kanë marrë serbët lokalë, qoftë për apo kundër pjesëmarrjes. Prandaj, është e qartë më shumë se kurdoherë se cila është adresa ku duhet zhvilluar presionin normal me qëllim për të arritur pjesëmarrjen e serbëve lokalë në institucionet kosovare.

III
Varfërimi dhe zbehja e zhvillimeve demokratike në Kosovë gjatë këtyre viteve, që nga çlirimi i vendit, ka ndodhur në masë të madhe edhe për shkak të pamundësisë së tejkalimit të ndarjeve midis komuniteteve kryesore politike, shqiptarëve dhe serbëve. Edhe në përvjetorin e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si përfundim i një procesi të gjatë ndërkombëtar të bisedimeve për vendosjen e statusit final, Kosova vazhdon të përballet, ndër të tjera, me dilemën e funksionalitetit të sistemit të saj demokratik pasi që ka fituar subjektivitetin ndërkombëtar si shtet. Shoqëria kosovare mbetet një bashkësi e grupeve të ndryshme etnike, komunikimi i të cilave grupe nuk tejkalon nivelet individuale. Përkundër investimit të madh që është bërë nga bashkësia ndërkombëtare për më shumë se nëëntë vjet pas luftës në Kosovë, sikurse edhe investimi politik e qytetar nga elita politike e shumicës shqiptare në Kosovë, komunikimi ndër-etnik ka mbetur në nivel jo të kënaqshëm.

IV
Bashkë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ne duam që vendin tonë ta shoh funksional, të orientuar drejt, të zhvilluar dhe me demokraci të konsoliduar. Nëse ëndrra e gjeneratave të tëra ka qenë liria, ëndrra e gjeneratës sime është demokratizimi i shoqërisë, shteti funksional dhe integrimet ndërkombëtare. Ne kemi shumë nevojë për të arritur stadin e të qenit shoqëri e konsoliduar, po aq sa kishim nevojë të krijojmë shtet. Rolin kryesor këtu e ka politika, krahas segmenteve tjera. Politika nuk duhet të trajtohet si një lojë, por si një punë serioze. Angazhimi i secilit për zhvillimin e shoqërisë i bën nder të ardhmen sonë të përbashkët në shtetin e ri. Ne nuk kemi ndërtuar shtet nacional dhe as qytetar. Kosova është shtet i komuniteteve që jetojnë dhe kanë jetuar një kohë të gjatë këtu. Prandaj, përpjekjet dhe angazhimet në kohën në vijim sigurisht se do të duhej të jenë të orientuar definitivisht kah tejkalimi i ndarjeve në Kosovë, sikurse edhe kah presioni ndërkombëtar mbi Beogradin. Ndalja e ndikimit destruktiv të politikës së Beogradit mbi zhvillimet në Kosovës.

Botuar në “Zëri” më 2 shkurt 2009, fq. 12.