Tuesday, April 28, 2009

Serbia t’i kërkojë falje Kosovës

Loja pa fitues
Serbia t’i kërkojë falje Kosovës
Elita politike serbe duhet t’i tregojë popullit të vërtetën për ngjarjet në Kosovë. Nxënësit serb duhet të mësojnë për politikën hegjemone dhe gjenocidiale të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit. Të rinjtë serbë duhet të kuptojnë se qëllimet e Serbisë për të shkatërruar kombe tjera gjatë dekadës së kaluar kanë qenë për pushtim territoresh. Historia botërore njeh raste tepër të vlefshme të përballjes me të kaluarën. Gjermania është shembull i rëndësishëm
Shkruan: Burim Ramadani
I
Viktimat e luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-99, janë ofenduar edhe njëherë gjatë javës së kaluar nga po të njëjtat struktura institucionale të Serbisë. Në Beograd, gjykata serbe ka liruar si të pafajshëm tre nga shtatë të akuzuarit për masakrën makabre të kryer në Suharekë ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999. Pa dyshim se një vendim i tillë i gjykatës në Beograd në të vërtetë nuk ka dhënë elemente të ndonjë vullneti politik, njerëzor dhe ndërkombëtar të institucioneve dhe popullit serb për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, sikurse edhe për të dënuar fajtorët politikë dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave dhe vrasjeve. Në të njëjtën kohë, Serbia duhet që në mënyrë definitive të gjejë forcën dhe nevojën për të kërkuar falje ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës për vrasjet masive, dhunën, shkatërrimet dhe gjenocidin e tentuar në Kosovë. Dhjetë vjet pas luftës në Kosovë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, pozicioni i Serbisë dhe politikës së atjeshme nuk ka ndërruar në themelin e saj, pavarësisht se tashmë kemi mundur të shohim ndonjë deklaratë që është dukur të jetë më e moderuar. Sidoqoftë, jo rrallë herë është konstatuar me të drejtë për drejtimin e njëjtë të politikës serbe sa i përket Kosovës, duke pasur parasysh këtu qëllimin për mos-njohjen e tërë aktiviteteve të dhunës të shkatuar nga ajo politikë.
II
Vendimet politike të gjykatave në të vërtetë fyejnë në shumë drejtime. Jo vetëm viktimat dhe familjet e tyre në Kosovë, por po ashtu edhe shtetin e Kosovës, rajonit dhe institucionet e organizatat ndërkombëtare që kanë ndërhyrë dhe janë aktivizuar në proceset në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, OSBE-ja, OKB-ja dhe institucione e organizata të ndryshme botërore kanë qenë dëshmitarë të fuqishëm dhe të besueshëm për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve dhe dekadave me radhë. Prandaj, secili veprim i Serbisë dhe institucioneve të saja për të fshehur, mos-pranuar dhe hedhur poshtë faktet për dhunën, vrasjet dhe tentimin e gjenocidit në Kosovë, do të thotë veprim për të forcuar edhe më tutje mentalitetin politik dhe hegjemonik të politikës së kohës së Millosheviqit. Politika e këtillë pati shkaktuar dhunë dhe luftëra të përgjakshme në pothuaj tërë territorin e ish-Jugosllavisë, duke filluar që nga Republikat e Sllovenisë e Kroacisë deri në Bosnjë dhe Kosovë. Një politikë e këtillë, e bazuar në idenë e Serbisë së Madhe dhe superioritetin e kombit serb mbi kombet tjera të rajonit, është dëshmuar të jetë shkatërrimtare, e dhunshme, e padobishme, jocivilizuese dhe e dënueshme. Për rreth dhjetë vjet me radhë, luftërat që kapluan ish-Jugosllavinë shkaktuar qindra mijëra të vrarë dhe si të tilla tronditën botën.
III
Bota dhe mentaliteti demokratik ndërkombëtar funksionon mbi bazën e parimeve të shëndosha të bashkëpunimit, respektimit të ndërsjellë, përballjes me të kaluarën dhe integrimeve rajonale e ndërkombëtare. Kjo në të vërtetë duhet të jetë politika që duhet të ndjek elita politike në Serbi. Vetëm në këtë formë, politika, shteti dhe populli serb mund të bëhet faktor stabiliteti dhe integrimi në rajonin e trazuar të Ballkanit. Për të bërë këtë, elementi më i rëndësishëm është përballja e dinjitetshme me të kaluarën. Historia botërore njeh raste tepër të vlefshme dhe të rëndësishme të përballjes me të kaluarën, menjëherë pas dhunës kolektive apo luftërave të përgjakshme botërore. Gjermania e pas-Luftës së Dytë Botërore është shembulli më i mirë që mund të merret në analizën se si duhet të veprojë elita politike dhe populli serb. Ky shembull demonstron në mënyrë të fuqishme ndjesën që populli dhe shteti gjerman shfaq për politikën naziste që kishte ndjekur shteti i tyre gjatë viteve të 1930-ta dhe fillimvitet e 1940-ta, kur Evropa dhe bota ishin përfshirë në luftën e madhe. Kampet e përqendrimit, sikurse ai në Dachau, tashmë 60 vjet janë kthyer në muze, ku fëmijët gjermanë që në shkollë fillore dhe të mesme mësojnë se çfarë kanë bërë gjyshërit tyre dhe çfarë vuajtje i kanë sjellur ata kombeve të tjera të botës, me qëllimin e vetëm që këto ngjarje të mos përsëriten më nga populli gjerman.
IV
Bashkëpunimi i Serbisë me vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën, tashmë të pavarur, është një qëllim i mundshëm dhe i rëndësishëm për integrimin e përgjithshëm të rajonit ballkanik. Por, kjo nuk nënkupton se ky bashkëpunim duhet të bëhet me çdo kusht dhe për këtë shkak duhet lënë prapa faktet mbi të kaluarën. Elita politike serbe duhet të ketë guximin që popullit serb t’i tregojë të vërtetën për ngjarjet në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Studentët dhe nxënësit serb duhet të mësojnë në librat e historisë për politikën hegjemone dhe gjenocidiale të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit dhe strukturave të tij të krijuara prej vitesh. Të rinjtë serbë duhet të kuptojnë se qëllimi i Serbisë për të shkatërruar kombe tjera gjatë dekadës së kaluar ka qenë kryekëput i lidhur me ambicient nacionaliste të saja për pushtim territoresh dhe ndikim hegjemonik. Ky veprim duhet të përcillet me kërkim-fajlen zyrtare dhe publike të Serbisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës për luftën, shkatërrimin, vrasjet dhe tentim-gjenocidin. Vetëm në këtë formë, politika e Serbisë tregon elementet e vërteta të vullnetit të saj për t’u drejtuar kah e ardhmja e integruar dhe paqësore e rajonit. Porse, rasti i gjykimit të të akuzuarve për masakrën ndaj familjes Berisha në Suharekë, tregoi se ky vullnet ende nuk ekziston. Gjykimet e tilla farse nuk i ndihmojnë bashkëpunimit të mundshëm me Serbinë.
Botuar në "Zëri" më 27 prill 2009, fq. 11.

Sunday, April 19, 2009

Thyerja e traditës së gjithëpërfshirjes

Loja pa fitues

Thyerja e traditës së gjithëpërfshirjes

Institucionet e Kosovës, përkatësisht partitë politike në pushtet, në mënyrën më të papërgjeshme ndërprenë traditën e bashkë-rendimit të aktiviteteve dhe kontributeve të të gjithëve në situatat e rënda me të cilat përballet Kosova. Tradita e deritashme e bashkimit të kapaciteteve të përgjithshme është dashur të vazhdojë edhe në rastin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo që po ndodh me këtë proces, sqaron një politikë të tkurrjes dhe izolimit të vendim-marrjes në rrethe fare të ngushta

Shkruan: Burim Ramadani

I

Bashkëpunimi i të gjithë faktorëve në proceset e mëdha të Kosovës është dëshmuar shumë herë deri më tash se ka qenë i domosdoshëm dhe i dobishëm për vendin. Në mënyrë të tillë është punuar me vite të tëra për të përballur vështirësitë dhe ndjeshmëritë që i janë paraqitur përpara popullit të Kosovës. Nëse analizohet tash mënyra se si janë zhvilluar pozicionet e Kosovës gjatë situatave të ndryshme, është fare e qartë se, megjithë ndarjet, ka ekzistuar një vetëdije e padiskutueshme për t’u bashkuar në ato që quhen vendime të mëdha. Kështu ka ndodhur disa herë gjatë kohës së rezistencës paqësore të viteve të 1990-ta, kur janë krijuar Grupe gjithëpërfshirëse për çështje të ndryshme. Ato grupe përbëheshin nga pothuaj të gjitha partitë politike në Kosovë, nga institucionet e atëhershme paralele, si dhe nga personalitete të rëndësishme jashtë organizimeve partiake, si ekspertë, persona publikë apo akademikë. E njëjta gjë pati ndodhur edhe në kohën më të vështirë të Kosovës, gjatë periudhës së luftës, kur në Konferencën e Rambujesë u arrit përfaqësimi gjithëpërfshirës i popullit. Pavarësisht se shpjegimet e pjesëmarrësve në këtë Konferencë kanë dhënë orientime të ndryshme rreth asaj se sa homogjen ka qenë delegacioni kosovar, ajo që është e rëndësishme në këtë kontekst është parimi i përfshirjes të të gjithë aktorëve në përgatitjen e procesit dhe në vendim-marrje. Kjo ka qenë sa e rëndësishme, po aq edhe e domosdoshme me qëllim të sigurimit të përfaqësimit më të denjë në proceset e mëdha.

II

Vendosja e një parimi të tillë të gjithëpërfshirjes në proceset e mëdha me të cilat përballet vendi dhe populli, ishte një prej politikave më të qëlluara të prira nga udhëheqja politike. Në të njëjtën frymë, Kosova është përgatitur edhe ndaj sfidave dhe proceseve tjera të pas vitit 1999. Mjafton të kujtohet në këtë kuadër funksionimi gjithëpërfshirës i partive politike në mekanzimat e krijuar menjëherë pas luftës në Kosovë, që kishin për qëllim zhvillimin e mundësive për krijimin dhe forcimin e institucioneve qendrore dhe lokale të vendit. Por, edhe procesi i definimit të statusit të Kosovës, përkatësisht pavarësimit të Kosovës, është përballur me parimin e drejtë të inkuadrimit të të gjithë faktorëve vendim-marrës në vend. Në shtator të vitit 2005, Presidenti Rugova pati themeluar Ekipin e Unitetit, ku u përfshin pos tij edhe kryetari i Kuvendit, Kryeministri, dy liderët e partive opozitare dhe personalitete nga jeta publike. Ky solucion i ofruar nga Presidenti Rugova pati të njëjtën qasje të respektimit të aftësive kontribuese të të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë, mundësinë dhe aftësinë për të përgatitur vendin në përballje me procese të mëdha. Kjo në fakt krijoi edhe një lloj tradite të fuqishme të Kosovës për bashkim të të gjitha forcave në rastet dhe situatat e rëndësishme dhe të ndjeshme për vendin. Institucionet e Kosovës në atë kohë kanë mundur të futen në proces të statusit edhe në kapacitetet e brendshme institucionale, porse kjo do të thyente parimin e gjithëpërfshirjes në ballafaqimet me situatat e tilla.

III

Bashkimi i kapaciteteve të përgjithshme në të vërtetë është edhe më tutje nevojë dhe kërkesë e patejkalueshme për vendin. Mirëpo, kjo nevojë dhe, mbi të gjitha, kjo traditë e krijuar deri më tash, u thye në mënyrë arbitrare gjatë muajve të fundit. Institucionet shtetërore dhe partite politike në pushtet në mënyrën më të papërgjeshme ndërprenë traditën e bashkë-rendimit të aktiviteteve dhe kontributeve të të gjithëve në situatat e rënda me të cilat përballet Kosova. Një situatë e tillë e rëndë sigurisht se është paraqitja e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe përgatitja e Kosovës për të argumentuar të drejtën e vetë për të shpallur pavarësinë. Megjithëse është angazhuar një ekip i ekspertëve ndërkombëtar të drejtësisë, institucionet e Kosovës kanë mbyllur në formë të pashpjegueshme procesin e përgatitjes së vendit për këtë situatë të krijuar. Tashmë disa muaj, partitë politike në opozitë, sikurse edhe ekspertë të ndryshëm vendorë, kanë shfaqur vullnetin e tyre të plotë për të dhënë kontributin brenda këtij procesi. E tërë kjo është injoruar. Duke bërë kështu, institucionet dhe partitë politike në pushtet kanë hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e shumëkohshme të Presidentit Rugova dhe udhëheqjes politike për të qenë bashkë përballë sfidave të mëdha. Madje, kjo është edhe më e rëndë kur udhëheqës institucionesh thirren në traditën dhe vlerën e krijuar në Kosovë për vite të tëra. Është e qartë se deklarimi i këtillë i tyre, sikurse presidentit Sejdiu, nuk është në realitet një përcaktim dhe orientim politik.

IV

Vërtetësia e të drejtës për shpalljes e pavarësisë së Kosovës është e padiskutueshme dhe reale. Por, proceset juridike nuk janë procese politike dhe si të tilla dallojnë në nuanca të gjëra dokumentuese. Për këtë është i nevojshëm kontributi i të gjithëve pavarësisht pozicioneve aktuale të raporteve pozitë-opozitë. Prandaj, me të drejtë shfaqet edhe shqetësimi i thellë për përgatitjen reale të Kosovës në mbrojtje të të drejtës për shpalljen e pavarësisë në institucionet vendore më 17 shkurt 2008. Ajo që po ndodh me procesin vendor për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sqaron me të vërtetë një politikë të tkurrjes dhe izolimit të fuqisë vendim-marrëse në rrethe fare të ngushta të individëve të caktuar në pushtet. Edhe sikur ata të ishin njohësit më të mirë të aspekteve juridike dhe aspekteve tjera, rasti nuk do të mund të besohej në vetëm disa duar për shkak të kompleksitetit të tij. Duhet thënë qartë se çfarëdo rezultati jopozitiv nga procesi në GJND dëmton tërë Kosovën dhe jo vetëm një strukturë të ngushtë të njerëzve në udhëheqje. Dhe, në anën tjetër, çfarëdo rezultati pozitiv nga ky proces do të jetë sukses për tërë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Kështu që, përgjegjësia politike, qytetare dhe kombëtare është e jashtëzakonshme dhe si e tillë ajo do të duhej të shoqërohej me një proces gjithëpërfshirës të përgatitjes së vendit. Edhe pozita edhe opozita duhet të kenë një qëllim: zhvillimin dhe perspektivën për vendin dhe qytetarët. Tradita e bashkëpunimit të deritashëm është thyer në mënyrë të paarsyeshme. Kjo nuk i bën nder askujt dhe nuk është e dobishme për Kosovën.

Botuar në "Zëri" më 20 prill 2009, fq. 9


Tuesday, April 14, 2009

Kushtetuta dhe mungesa e vullnetit politik

Loja pa fitues
Kushtetuta dhe mungesa e vullnetit politik
Problemet dhe vështirësitë e tashme që pengojnë zbatimin e Kushtetutës së Republikës kanë të bëjnë kryekëput me mungesën e vullnetit politik. Sikurse në secilin shtet të botës, vullneti politik duhet t’i nënshtrohet dispozitave kushtetuese në fuqi dhe jo anasjelltas, sikurse ndodh në raste të ndryshme në Kosovë. Është papërgjegjësi politike, qytetare dhe kombëtare shkelja e Kushtetutës apo edhe mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm një vit më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan dokumentin themelor të shtetit të ri, Kushtetutën e Republikës. Mund të supozohet se në mendjen e secilit prej tyre ka qenë synimi për zbatimin e plotë të këtij dokumenti, derisa në publik kjo është parë me kurreshtje. Në të vërtetë, kurreshtja për mundësinë e zbatimit të Kushtetutës në të gjithë përmbajtjen e saj nuk ka qenë për ndonjë qëllim dashakeq apo fërkim duarsh për zhvillime jo të mira. Por, kanë qenë në realitet dy elemente kryesore për të cilat publiku dhe qytetarët e Kosovës kanë dashur të shohin nëse Kushtetuta do të zbatohet. Së pari, shtrirja e autoritetit kushtetues në tërë territorin e Kosovës, që ishte dhe mbetet një prej sfidave kryesore të shtetit të ri, i cili qysh në fillimet e veta si shtet i pavarur përballet me një problematikë tejet serioze dhe vullnet-kërkuese. Së dyti, respektimi i plotë i Kushtetutës nga vetë miratuesit dhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, të cilët qysh në kohën kur Kushtetuta ishte duke u draftuar, e kanë pasur të qartë se cila duhet të jetë realisht rruga që duhet të ndjekin saherë që interesat e tyre të ngushta personale apo partiake biejnë ndesh me dispozitat kushtetuese. Këto dy elemente apo fusha interesi dolën të jenë problematike sa i përket mundësisë së zbatimit të plotë të Kushtetutës së Republikës. Dhe po të analizohen thellë pengesat në këtë drejtim, është evident fakti se mungesa e vullnetit politik është vështirësia më e madhe për zbatueshmërinë e Kushtetutës.
II
Bashkë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, vendi filloi të ballafaqohej me një shmangie të madhe të kontrollit shtetëror dhe autoritetit qeverisës në një pjesë të konsiderueshme të territorit. Në fakt, problemi i zbatimit të Kushtetutës së Kosovës në pjesën e veriut të vendit nuk është çështje që kërkon kohë për zgjidhje apo se duhet lënë që zgjidhja të vijë nga koha. Përkundrazi, me kalimin e kohës, gjendja në terren vetëm sa vështirësohet dhe si pasojë e kësaj mundësohet një lloj përshtatshmërie me realitetin. Tashmë më shumë se një vit prej shpalljes së pavarësisë dhe më pak se një vit prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, gjendja në pjesën e veriut është keqësuar dhe dukuritë negative janë zgjeruar në masë të madhe. Krimi i organizuar dhe kontrabanda ka arritur shkallën më të lartë të deritashmë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Mos-vendosja e pikave doganore apo autoritetit doganor, sikurse edhe mungesa e sundimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës, është duke i kushtuar miliona euro Buxhetit të shtetit, si dhe është duke ngritur edhe më tutje ambicien politike nacionaliste të qarqeve të ndryshme të udhëheqjes së komunitetit serb në Kosovë për gjoja mundësinë e ndonjë ri-bisedimi për statusin e asaj pjese. Për më tepër, deri më tash, të paktën nga analistë dhe organizata të ndryshme, janë dhënë në publik edhe opsione për ‘neutralitetin’ e pjesës veriore, që s’do mend se është një opsion fare i papranueshëm, jologjik dhe jofunksional.
III
Varësia e të gjitha rregullimeve tjera ndaj Kushtetutës së Republikës është një çështje tjetër, e cila në parim as që duhet të merret në diskutim. Është plotësisht e qartë se akti më i lartë i shtetit është Kushtetuta dhe ky dokument në të vërtetë bën ndarjen e pushteteve në të gjitha nivelet e organizimit shtetëror, politik dhe qytetar. Si e tillë, Kushtetuta ka përcaktuar dukshëm, qartë dhe në precizitet të plotë se cilat janë rregullimet për funksionimin normal të vendit. Porse, kjo duket se nuk i është përshtatur një pjese të caktuar të elitës politike vendore, edhe pse ishin vetë ata që kanë marrë pjesë në mënyrë gjithëpërfshirëse në procesin e hartimit të saj. E tillë është situata e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovës, e cila ka përcaktuar nevojën për mbajtjen e tyre pak kohë pas hyrjes së Kushtetutës në fuqi. Shtyrja e zgjedhjeve parlamentare, ashtu sikurse ishte bërë në mënyrë arbitrare, ishte një shkelje evidente e Kushtetutës së Republikës, qysh në javët e para të hyrjes së saj në fuqi. Kjo tek e fundit është sa e dëmshme, po aq e rrezikshme për ndërtimin e një shteti funksional e të orientuar drejt. Shkelje tjera të Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë kanë ndodhur gjatë këtyre muajve në vazhdimësi, si në emërimin e shefit të stafit të kryeministrit, po ashtu edhe në dhënien në tenderim të objekteve të ndryshme, siç ishte rasti i Pallatit të Mediave, që më parë ishte refuzuar nga Kuvendi i Kosovës.
IV
Bashkërendimi i vullnetit politik, nevojave dhe obligimeve që ka elita politike, institucionale dhe partiake në Kosovës është një domosdoshmëri e patejkalueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet drejtimi i duhur i shtetit të ri dhe më pas të mund të mendohet për një perspektivë të pastër evropiane dhe zhvillim ekonomik. Problemet dhe vështirësitë e tashme që pengojnë zbatimin e Kushtetutës së Republikës kanë të bëjnë kryekëput me mungesën e vullnetit politik. Sikurse në secilin shtet të botës, vullneti politik duhet t’i nënshtrohet dispozitave kushtetuese në fuqi, të cilat po ashtu me vullnet politik dhe qytetar mund të ndërrohen nëse janë të pazbatueshme. Por, derisa nuk ka përcaktim për ndryshimin e Kushtetutës, ajo duhet të zbatohet në plotësinë e saj ashtu siç është e shkruar dhe siç interpretohet nga organet kompetente. Përndryshe, është papërgjegjësi politike, qytetare dhe kombëtare shkelja e Kushtetutës apo edhe mungesa e vullnetit për ta zbatuar atë në mënyrë të plotë dhe të padiskutueshme. Kosova ka vuajtur me vite të tëra dhune, apartheidi dhe lufte për të arritur në një kohë të realizimit të idealit të pavarësisë. Dhe, pas tërë këtyre ngjarjeve, është e papranueshme të mendohet se Kushtetuta nuk është obliguese për udhëheqjen politike institucionale. Në të vërtetë, ajo është jo vetëm obliguese, por edhe më shumë. Ajo është përcaktuese për të ardhmen politike, ekonomike e shoqërore të shtetit.
Botuar në "Zëri", më 13 prill 2009, fq. 11.

Monday, April 6, 2009

Integrimi historik

Loja pa fitues
Integrimi historik
Bashkë me shtetin dhe qytetarët e Shqipërisë, në këto ditë gëzimi dhe suksesi, festa do të duhej të zgjerohej edhe në Kosovë. Një festim institucional do të duhej të ishte organizuar gjatë këtyre ditëve. Por, kjo nuk ndodhi në Prishtinë dhe vetëm sa fuqizon bindjen se Qeveria e Kosovës është totalisht e izoluar ndaj zhvillimeve që ndodhin në Kosovë dhe në rajon.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm me integrimin e tërë vendeve të Ballkanit në organizmat evro-atlantik do të stabilizohet në mënyrë të plotë ky rajon. Këso lloj qëndrimesh janë mjaft të shpeshta nga nivele të ndryshme politike dhe akademike saherë që analizohen mundësitë për paqe dhe perspektiva e rajonit ballkanik, rajon ky që i solli shumë tensione e probleme Perëndimit gjatë këtyre dy dekadave të kaluara. Deri në një masë, analiza e tillë është e përgjegjshme dhe politikisht korrekt. Një vlerësim i këtillë ka për bazë qasjen gjithëpërfshirëse të aktorëve dhe subjekteve ndërkombëtare në synimin e fuqishëm për sigurinë kolektive të një rajoni apo edhe më gjerë. Sipas kësaj qasjeje, anëtarësimet në organizatat si Bashkimi Evropian dhe NATO do të bëheshin kryesisht në bllok-rajone apo bllok-shtete, duke i dhënë një mundësi po ashtu edhe zgjidhjes së problemeve eventuale të mbetura midis atyre shteteve brenda rajonit. Nëse përkthehet qasja e tillë në rastin e Ballkanit, do të duhej që shtetet si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia të anëtarësohen në bllok në të njëjtën ditë në BE dhe NATO. Megjithëse në shikim të parë një qasje e tillë duket se është produktive, ajo në realitet ndikon në zgjatjen e kohës së anëtarësimit, për shkak se shtetet e këtilla duhet të zgjidhin një mori elementesh konfliktuale mes vete (në rastin e Kosovës me Serbinë) dhe me fqinjët (në rastin e Maqedonisë). Prandaj, kjo strategji nuk i ndihmon në mënyrë esenciale rrugëtimit të secilit shtet në mënyrën e vet dhe drejt interesit të vet nacional.
II
Bazuar në një tjetër pikëvështrim, ekziston qasja që mund të vlerësohet edhe si më praktike dhe më reale, duke i dhënë kështu përparësi të ndjeshme shteteve që janë pro integrimeve evro-atlantike ndaj atyre që kanë hezitime të caktuara drejt këtij shtegu. Kështu, vendet të cilat janë të gatshme politikisht për t’u anëtarësuar dhe integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë përparësi të vërejtshme në rrugën e tyre drejt plotësimit të kritereve të domosdoshme sa i përket integrimeve. Kjo qasje lehtë mund të vlerësohet edhe si më pragmatike dhe e bazuar në relacionin e njohur të tregtisë së lirë, atë të kërkesës dhe ofertës. Sipas këtij pikëvështrimi, zgjerimi i organizatave të tillë evro-atlantike do të mund të ishte më domethënëse, më e koordinuar dhe më e dobishme. Në këtë mënyrë, organizatat ndërkombëtare do të fokusoheshin më shumë në shtetet ku interesimi politik dhe qytetar është më i madh, mirë i artikuluar dhe i ‘përkthyer’ në ligje e veprime të sakta shtetërore. Në të vërtetë, anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO gjatë këtyre ditëve mund të shpjegohet bazuar pikërisht në këtë qasje, e cila i nxit shtetet dhe popujt që të jenë më të qartë në perceptimin e tyre ndaj NATO-s, në interesat e tyre dhe veprimet konkrete të nevojshme. Shqipëria dhe Kroacia, në këtë kontekst, kanë dëshmuar lojalitet dhe përkushtim shtetëror e qytetar për anëtarësim në NATO apo, me një fjalë, e kanë merituar atë gjithsesi.
III
Vërtetë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike për shtetin shqiptar. E tillë është edhe për kombin shqiptar në tërësinë e vet, pavarësisht kufijve në Ballkan. Kjo është ngjarja më e rëndësishme që i ka ndodhur shqiptarëve që nga themelimi apo shpallja e shtetit më 1912, shtet ky i cili u ballafaqua me shumë probleme, të meta dhe kriza të rënda. Mjafton të kujtohen vitet e rënda të regjimit komunist në Shqipëri dhe trazirat shtet-rrëzuese të vitit 1997 për të vlerësuar rëniet e mëdha që kanë tronditur popullin dhe shtetin shqiptar. Porse, anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë është një sinjal i madhërishëm se shtetet të cilat përkushtohen në orientimin dhe veprimet pro-Perëndimore e kanë edhe derën e hapur nga ana tjetër. Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit është zhvilluar në mënyrë të fuqishme, ashtu sikurse është arritur që shteti të ri-organizohet nga kolapsi i para dhjetë vjetëve. Ushtria shqiptare mori pjesë në një mori aktivitetesh dhe operacionesh të NATO-s si në Ballkan e po ashtu edhe në Azi. Në të njëjtën kohë, organizimi i ushtrisë shqiptare u bazua plotësisht në modelin e vendeve të zhvilluara Perëndimore, edhe pse Shqipëria do të mund të vendoste edhe për një ushtri profesionale sikurse e kanë një numër shtetet në Perëndim. Sidoqoftë, tashmë Shqipëria është bërë bashkë me aleancën e të mirës dhe sigurisë globale, gjë që ndikon pa shmangshëm edhe në sigurinë rajonale në Ballkan.
IV
Bashkë me shtetin dhe qytetarët e Shqipërisë, në këto ditë gëzimi dhe suksesi, festa do të duhej të zgjerohej edhe në Kosovë. Një festim institucional do të duhej të ishte organizuar gjatë këtyre ditëve, në shenjë gëzimi dhe respekti për të arriturat e shtetit shqiptar e po ashtu edhe të Kroacisë. Por, kjo nuk ndodhi në Prishtinë dhe vetëm sa fuqizon bindjen se Qeveria e Kosovës është totalisht e izoluar ndaj zhvillimeve që ndodhin në Kosovë dhe në rajon. Institucionet janë mjaftuar me telegrame urimi dhe me ‘pamje arkiv’, por nuk kanë menduar t’i bashkohen sikurse duhet festës së shtetit shqiptar për anëtarësim në NATO. Në një rast të këtillë, Kosova nuk po arrin të kthejë respektin dhe gëzimin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës dhe për shënimin e njëvjetorit të saj. Kosova do të duhej të festonte institucionalisht këtë ngjarje, madje edhe në pozitën e një shteti fqinj, pavarësisht lidhjeve etnike dhe emociale të ndërsjella. Tek e fundit, shteti shqiptar ka merituar nderim më të madh nga ana e institucioneve të Kosovës në këto ditë të mrekullueshme të historisë së tij dhe të rajonit ballkanik. Shqipëria ka qenë afër Kosovës në ditët më të vështira, sikurse edhe në zhvillimet tjera që kanë shënuar rritjen apo ndërtimin e Kosovës. Por, kjo nuk paraqet ndonjë habi. Institucionet e Kosovës nuk kanë organizuar ende asnjë ceremoni pritëse për miqtë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Botuar në "Zëri" më 6 prill 2009, fq. 13.