Sunday, February 14, 2010

Një mijë e një pyetje për veriun

Vështrim

Një mijë e një pyetje për veriun

“Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovës i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, tha këto ditë kryeministri Thaçi. Megjithëse duhet përshëndetur konstatimin e saktë, pyetjet që lindin janë të shumta. Mbi të gjitha, çka është bërë dhe pse nuk është bërë asgjë deri më tash?

BURIM RAMADANI

Veriu i Kosovës ka sjellë dëm të vazhdueshëm pas pavarësisë. Ndërsa, mundësitë për marrjen e masave për të rregulluar këtë çështje kanë ekzistuar edhe më herët. Këto dolën të jenë fjalitë që konstatojnë një gjendje të rëndë në atë pjesë të territorit të Kosovës, sikurse edhe që marrin përsipër përgjegjësitë për mos-zgjidhjen e saj.
Fillimisht, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe më pas edhe Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thyen më në fund akullin dhe pranuan në një formë përgjegjësinë për atë që nuk është bërë në zgjidhjen e problemit të veriut. Thaçi madje tha se Kosova ka pësuar humbje të mëdha pikërisht për shkak të mos-vënies së ligjit në atë pjesë të territorit. “Mungesa e ligjshmërisë në veri shtetit të Kosovë i ka kushtuar humbje të mëdha, si në aspektin politik dhe atë financiar”, deklaroi kryeministri Thaçi gjatë ditëve të para të shkurtit të këtij viti. Pra, pak ditë para se të shënohet dyvjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit, Kryeministri kosovar konstaton zhvillimet negative që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në veriun e Kosovës.
Ndërkaq, Kryetari i Kosovës shkoi edhe më larg gjatë këtyre ditëve, duke thënë se për të intervenuar në veriun e vendit ka pasur mundësi dhe hapësirë edhe më herët. “Ka pasur hapësirë dhe mundësi që të veprohet edhe më herët… Kemi kaluar dhjetë vjetë të plota dhe sidomos në periudhën e administrimit të Kombeve të Bashkuara…E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX me të gjitha kapacitetet në veri të Kosovës. Por, them se veprimet e tashmë janë inkurajuese…për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Kryetari Sejdiu.
Të dy këto deklarata janë të guximshme, të linjës së udhëheqësve serioz të një shteti, sikurse edhe të bazuara në atë që po ndodh në të vërtetë. Këto konstatime duhet të vlerësohen lartë nga opinion publik, akterët e ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, e po ashtu edhe nga opozita dhe shoqëria civile. Dhe, kjo për shkak se duket që liderët institucionalë të Kosovës kanë vendosur që të paktën në mënyrë deklarative të ngrisin problemet dhe vështirësitë më të mëdha të Kosovës. Realisht, kur Kosova ishte në situatat e rënda të para-shpalljes së pavarësisë, pothuajse askush nuk kishte dyshime se sfidat nëpër të cilat do të duhej kaluar janë të mëdha. Madje, ato dolën shumë më të mëdha se sa që ishte menduar në opinionin publik apo konstatuar nga udhëheqja institucionale.
Por, janë një mijë e një pyetje që mund dhe duhet patjetër të ngriten në situatën e sotme, kur kryeministri dhe kryetari i vendit kanë konstatuar dëmin që i është shkaktuar Kosovës gjatë këtyre dy vjetëve. Këto pyetje kanë karakterin e përgjegjësisë shtetëore dhe qytetare për atë që ka përcjellë Kosovën gjatë këtyre dy vjetëve. Tek e fundit, secili prej nesh ka pasur në mendje këto pyetje në momentin e parë kur ka dëgjuar apo lexuar deklaratat e tilla të kryetarit dhe kryeministrit të Kosovës.
Ku ishin kryetari dhe kryeministri i Kosovës gjatë kësaj periudhe? Çka kanë thënë këta dy liderë për gjendjen në veri të vendit për dy vjet rresht? Cilat kanë qenë informatat që kanë pasur të dy liderët për atë që po ndodh në veri? Pse deklaratat e deritashme të tyre për gjendjen në veri të vendit janë plotësisht të ndryshme me realitetin atje? Përse është lejuar kjo gjendje e rëndë jashtë-ligjore të ndodhte pa ndonjë ndërhyrje për dy vjet me radhë? Kush është përgjegjës për mos-shtrirjen e autoritetit shtetëror në veri? Cilat kanë qenë përgjigjet e institucioneve saherë që është ngritur në opinion çështja e veriut të vendit? Mbi çfarë motive shqetësimet e vazhdueshme të opozitës dhe shoqërisë civile për çështjen e veriut janë klasifikuar si “akuza qesharake dhe të pabaza”? Cilat kanë qenë dhe janë arsyet reale të mungesës së interesimit shtetëror për të shtrirë autoritetin ligjor në atë pjesë të territorit? Çfarë kanë qenë qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë veç e veç? Përse është lejuar që krimi i organizuar dhe kontrabanda të gjejnë ‘parajsën’ e veprimit në atë pjesë të territorit? Cilat kanë qenë përgjigjet e autoriteteve shtetërore ndaj shqetësimeve të vazhdueshme të bizneseve vendore, posaçërisht prodhuesve vendorë të cilët janë dëmtuar skajshmërisht nga kontrabanda atje? Sa herë kanë vizituar kryetari dhe kryeministri i Kosovës atë pjesë të territorit dhe çka kanë parë atje? Deri kur kanë menduar liderët shtetërorë se kjo gjendje mund të jetë e pranueshme dhe në këtë mënyrë të mos veprohet për të zgjidhur problemin? Çfarë përgjegjësie ndiejnë këta dy liderë sa herë që u kujtohet se në Kosovë ka një Kushtetutë dhe ligje? Përse është dashur të pritet iniciativa e Zyrës Ndërkombëtare Civile për të hartuar strategjinë e veçantë për veriun e Kosovës? Pse nuk është marrë asnjëherë seriozisht kërkesa e opozitës për hartimin e kësaj strategjie të posaçme për të zgjidhur situatën e jashtë-ligjshme në veri?
Këto dhe shumë e shumë pyetje të tjera meritojnë të adresohen qartë dhe direkt tek liderët e institucioneve të Kosovës. Dhe, qytetarët e Kosovës nuk mund të shmangen nga debatet e këtilla. Përgjigjet në këto dhe shumë pyetje tjera duhet të jenë publike, sikurse edhe veprimet që duhet ndërmarrë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Botuar në KOHA DITORE, më 14 shkurt 2010, fq. 11.