Saturday, July 10, 2010

Një pasqyre për kryeministrin


Një pasqyre për kryeministrin

Kur të shohësh veten në pasqyrë, para teje janë dy opsione: të kuptosh dhe të bindesh se je i gatshëm, ke virtytet, aftësitë, bindjen dhe karakteristikat për t’u vënë në krye të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; ose të shtiresh se je i duhuri dhe si pasojë të tentosh t’i mashtrosh të tjerët

BURIM RAMADANI

Të jesh në krye të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për kushtet e Kosovës së sotme, do të thotë të jesh misionar i së mirës. Jo vetëm kaq, kjo do të thotë edhe të udhëheqësh projektin e këndelljes së shtetit më të ri të botës. Kjo nënkupton identifikimin e plotë me konceptin e zhvillimit të pastër të qeverisjes dhe jetës institucionale. Do të thotë të kesh guxim, vendosmëri të palëkundshme, vullnet të pamatshëm, aftësi për të dalluar të keqen nga e mira, bindje të thellë të nevojës për demokratizim, qëndrueshmëri, kredibilitet personal e familjar, pastërti të dëshmuar, orientim të drejtë, të duash vendin, popullin tënd, dhe të punosh drejt dhe fort për të.
Edhe më shumë, të udhëheqësh vendin drejt pastrimit nga të korruptuarit dhe bosët e krimit të organizuar do të thotë të jesh i bindur se nuk do të bësh asnjëherë pazare me ta. Të mos futesh në kornizat e mënyrës së punës së tyre. Të mos biesh pre e kurtheve të tyre. Të mos jesh mik i ngushtë i tyre. Të kesh shpinën e pakërrusur. Të jesh me popullin dhe për popullin. Të jesh nga populli. Të jetosh me popullin dhe jo në kurriz të tij.
Mbase, kjo mund të jetë vetëm pjesa hyrëse për përshkrimin e atij që mendon të shpall veten (apo e bën këtë) udhëheqës i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovës e këtyre ditëve. Këto karakterisika janë vetëm për të qenë i bindur se mund të jesh në krye të kësaj lufte tepër të nevojshme në Kosovë. Elemente të këtilla të duhen për të shikuar veten para pasqyrës. Pastaj, të vendosësh se çfarë do të bësh.
Dhe, kur të shohësh veten në pasqyrë, para teje janë dy opsione: të kuptosh dhe të bindesh se je i gatshëm, ke këto virtyte, këto aftësi, këto bindje dhe këto karakteristika për t’u vënë në krye të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; ose të shtiresh se je i duhuri dhe si pasojë të tentosh t’i mashtrosh të tjerët.


NËSE JE I DUHURI, shumë punë të pret. Angazhim të pandalshëm ke përpara, sfida, probleme, vështirësi. Por, nuk do të ndalesh. Nuk do të zbrapsesh. Sepse, je i duhuri. Ke për të filluar nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Prej atyre që ke kaluar shumë kohë me ta, të gëzueshme e të rënda. Porse, ata kanë vënë interesin dhe lakminë e tyre në prioritet pasi kanë marrë pushtet! Këtu kërkohet të kesh vendosmërinë që po e proklamon. Për më tepër, dukuritë negative i vëren që në fillim. Në muajt e parë të punës aty ku je. E vëren kush po e ngatërron të mirën me të keqen. Kush po vendos të keqen si standard. Kush po merr në qafë të tjerët, por edhe ty bashkë me ta. Edhe nëse janë shumë të afërt, nuk do të ndalesh së vepruari. Madje, do të kesh fuqinë për të mos-ndalur veprimet e duhura. Nëse je i duhuri, nuk do të mbetesh asnjëherë pa mbështetje. Nga të gjitha anët. Njerëzit e duan të mirën, por ngatërrojnë atë në situata të ndryshme. Nganjëherë janë të hutuar për shkaqe të shumta. Nëse je i duhuri, me ty janë të gjithë. Nëse je i pandalshëm, me ty do të vijnë. Nëse je i palëkundur, ty do të të forcojnë. Nëse dora e pastër që ke do të godas secilin që dëmton Kosovën tonë, dora e Kosovës është e zgjatur për ty. Nëse je i duhuri, ti e di fare mirë se në gjendjen që është sot Kosova, atdhedashuria e ka emrin: anti-korrupsion. Dashuria ndaj atdheut sot tregohet edhe me luftën kundër krimit të organizuar, strukturave të ndryshme ilegale, dëmtuesve të shtetit.


NËSE SHTIRESH SE JE I DUHURI, atëherë je një gënjeshtar ordiner. Je një mashtrues i përditshëm. Je dëmtuesi më i madh i të sotshmes dhe të ardhmes së popullit tënd. Ke dalë nga ky popull, mos e harro asnjëherë! Je në detyrë për të udhëhequr këtë popull drejt zhvillimit, jo drejt shkatërrimit. Je i thirrur për të mbrojtur interesat e popullit tënd, jo interesat e njerëzve tu kundër popullit. Nëse shtiresh se je i duhuri, gabon rëndë. Kjo kuptohet nga të gjithë. Ndoshta dikush afër teje nuk ta thotë të vërtetën. Njerëzit të lexojnë. Edhe në fytyrë, edhe në lëvizje, edhe në diskutim, edhe në veprime. Nuk mund të mashtrosh. Populli e di kë e ke shok, me kë punon, me kë shëtitesh jashtë vendit. Ata supozojnë edhe pse shëtitesh. A ka kush ta thotë? Sigurisht se po. Nëse nuk ta thonë të afërmit, ta thotë populli. Në mënyrën e vet. Nëse shtiresh se je i duhuri, nuk dallon të mirën prej të keqes. Në fakt, vendos të keqen mbi të mirën. Nuk i sheh të tjerët derisa dëmtojnë popullin tënd. Nuk ke se si t’i shohësh. Edhe vetë je dëmtues i popullit tënd. Për më shumë, të tjerët po të imitojnë ty. Ata po bëjnë të njëjtën gjë që po bën ti. Ti dëmton, ata dëmtojnë. Ti mashtron, ata mashtrojnë. Nuk do të kesh fuqi. Je i luhatshëm dhe nuk do të forcohesh më tutje. Nëse shtiresh se je i duhuri, do të thotë se nuk je i pastër, prandaj edhe nuk mund të godasësh. Si i tillë, lejon dhe zhvillon dukuritë negative në vend, dëmtimin e shtetit dhe popullit tënd.
Prandaj, kur të shkosh te pasqyra, mendo: a je i duhuri dhe a ke këto virtyte? Bëj shumë pyetje dhe kërko përgjigjet prej vetes. Por, mos thyej pasqyrën për shkak të asaj që kupton. Nuk duhet fajësuar pasqyrën. Je vetë fajtor. Je shtirë dhe po shtiresh se je i duhuri.
Sot, në vitin 2010, thua se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fuqizuar për 11 vjet, dhe se këto nuk janë luftuar asnjëherë! Por, për 11 vjet që nga çlirimi i Kosovës, vetëm 3 vjet ke qenë në opozitë. Në të tjerat, ke udhëhequr vendin. Në Qeverinë e Përkohshme ke qenë kryeministër. Në koalicionin e gjerë, ke pasur në dorë Qeverinë. Nga viti 2008 je kryeministër. Mos harro, kur të shkosh para pasqyrës, pyet kush është përgjegjës për këtë. Pyet pse po të kritikojnë! Nuk të mban askush inat pse udhëheq vendin. Njerëzit nuk pajtohen se si po e udhëheq vendin. Bëj sa më shumë pyetje, dëshmoja vetes të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
A do ta bësh këtë kryeministër?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 11 korrik 2010, fq. 14.