Tuesday, June 15, 2010

Kushtetuta, a mendon kush për të?

Kushtetuta, a mendon kush për të?

Me dhjetëra fakte të çështjeve të ndjeshme mund të listohen dhe të forcohet argumenti se Kushtetuta e Kosovës është larg zbatimit të saj. Kështu shënohet dyvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës. S’ka se si më keq! Prandaj, nëse dikush atje lartë në institucione fillon të paktën një proces të të menduarit për këtë, do të fillonte një “epokë” e re në sjelljen e tyre

BURIM RAMADANI


Në dy vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, secili duhet të ndalet të mendojë të paktën disa minuta. Të mendoj për atë se çfarë na solli Kushtetuta jonë dhe për atë se si u sollëm ne në raport me Kushtetutën. Tek e fundit, nuk është ndonjë gjë e papërballueshme. Nevojitet vetëm të mendohet, si fazë fillestare.
Nuk duhet të jetë e habitshme për askënd pse kërkesa e këtillë është kaq modeste dhe direkte. Është një kërkesë krejt e përzemërt, e thjeshtë, por e domosdoshme. Në fakt, nuk do të duhej fare as të diskutohej kjo. Porse, “siç është vendi, bëhet kuvendi”. Kur merret parasysh sa pak mendohet në politikën institucionale kosovare dhe për çfarë mendohet (në rastet kur megjithatë ka një proces të të menduarit!), nuk ka sesi të mos bëhen kërkesa të tilla. Ndoshta edhe qesharake, ndoshta shumë të avancuara!
Shteti i Kosovës, katër muaj pas shpalljes së mëvehtësisë së mbikëqyrur, shënoi hyrjen në fuqi të aktit më të lartë politik dhe juridik vendor, përkatësisht Kushtetutën e Republikës. Si dokument me vlerë të pakontestueshme për secilin shtet dhe si grumbullim rregullash për ndarjen e pushtetit, Kushtetuta e Republikës është (apo duhet të jetë) pikënisja dhe përfundimi i secilës politikë institucionale, secilit veprim institucional apo secilës agjendë institucionale.
Por, si po e gjen Kosovën shënimi i dy-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re dhe çfarë e karakterizoi vendin gjatë kësaj kohe në raport me Kushtetutën e parë pas shpalljes së pavarësisë? Nëse analizohen shkurtimisht tri fakte të rëndësishme, është e qartë rruga të cilën duhet ndjekur gjatë periudhës së ardhshme, nëse duam që rendi Kushtetues i Kosovës të jetë funksional dhe të mos vihet në pikëpyetje. Ajo është rruga e ndryshimit të sjelljes institucionale e politike ndaj Kushtetutës, sigurimit të zbatimit të plotë të saj, respektimit të secilës dispozitë dhe rritjes së nivelit të kulturës politike për Kushtetutshmërinë dhe Ligjshmërinë në shtetin e ri.
Më 14 qershor 2008, shefi i të ashtuquajturit Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, bëri të ditur se ky Shërbim po e mbyll misionin e tij kombëtar. Sipas fjalëve të tij, SHIK-u ka qenë legal dhe transparent. Nejse! Dy vjet pas kësaj paraqitjeje, është e qartë për të gjithë se ky Shërbim i një grupi të caktuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së) vazhdon të funksionojë. Në të vërtetë, vetëm sa është fuqizuar, rritur dhe zhvilluar. Madje, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, në raportin e tij të 1 majit 2010, konstatoi se “shërbimi i nëntokës i PDK-së merr 200 milionë dollarë në vit përmes ryshfetit, zhvatjes, reketimit dhe shërbimeve mbrojtëse”. Sa keq!
Kryetari i Republikës, si simbol uniteti i kosovarëve, nuk arriti që gjatë këtyre dy vjetëve të luajë rolin e tij kushtetues. Për më shumë, ai u bë shkelësi i parë i Kushtetutës dhe si i tillë do të ruhet në kujtesën institucionale të Kosovës. Megjithëse Kushtetuta i ndalon kryetarit të shtetit ushtrimin e çfarëdo funksioni tjetër publik, kryetari i tashëm herë u “ngri” e herë u “shkri” në detyrën e tij të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Emëroi e shkarkoi zyrtarë në pozita të ndryshme brenda LDK-së, emëroi e shkarkoi Ministra në Qeverinë e Kosovës, bëri fushatë në vende të caktuara dhe për kandidatë të caktuar të partisë së tij, u përzi shpesh në debatet partiake duke mbrojtur dhe promovuar partinë që udhëheq, sikurse u kujdes që kabinetin e tij ta LDK-izoj plotësisht. Madje, edhe t’i bëjë vend zyrtarëve që nuk mund të gjendeshin mirë në situatën e re të krijuar brenda LDK-së.
Integriteti territorial është një fakt tjetër që karakterizon analizën për zbatimin e Kushtetutës së Republikës. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës së pavarur nuk kanë vend në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës dhe gjendja më e rëndë është në veri të shtetit. Qytetarët e Kosovës në atë pjesë nuk duan fare të dinë se çka shkruan në Kushtetutën e Kosovës dhe për këtë ndihen dukshëm në komoditet. Shteti nuk ekziston atje. Kushtetuta e Kosovës është term i panjohur në mesin e tyre. Institucionet e shtetit kosovar nuk kanë shtrirje atje. Një Strategji që u bë në fund të vitit 2009 për të integruar veriun e Kosovës në sistemin politik dhe autoritetin kosovar, duket se do të zbatohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale. Dhe, atë me kushtin e ndërrimit të qeverisë së tashme. Përndryshe, edhe kjo Strategji do të mbetet në letër, si një dokument për analiza të instituteve dhe OJQ-ve të ndryshme.
Normalisht se me dhjetëra fakte të çështjeve të ndjeshme mund të gjenden dhe kështu të forcohet argumenti se Kushtetuta e Kosovës është larg zbatimit të saj. Kështu shënohet dyvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës. S’ka se si më keq!
Prandaj, të paktën nëse dikush atje lartë në institucione mendon për këtë, do të fillonte një “epokë” e re në sjelljen e tyre.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE më 15 qershor 2010, fq. 10.

Monday, June 14, 2010

Mjerimi i shtetit tek ura

Mjerimi i shtetit tek ura
Pamjet që karakterizuan të dielën Mitrovcën në dy anët e urës kryesore të qytetit treguan për mjerimin institucional të shtetit të Kosovës. Dallimi më paradoksal është se grupi i atyre të veriut e bëjnë ligjin në atë pjesë të Kosovës, ndërsa këta në jug nuk po mund të bindin qeveritarët e tyre (“shokët” e tyre të luftës) të zbatojnë një ligj për familjet e tyre të përvuajtura!
BURIM RAMADANI
Kosova e këtyre ditëve vazhdon të dëshmojë të kundërtën e asaj që qeveria ka thënë dhe po thotë për dy vjet me radhë. Nuk janë të pakta ngjarjet e rënda që po ndodhin në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
E këtillë ishte situata këtë të diel, më 30 maj 2010, në qytetin e paralizuar të Mitrovicës. Në fakt, kjo ngjarje tejet negative nuk ishte shenjë e keqe vetëm për Mitrovicën dhe mitrovicasit në të dy anët e Ibrit, por për Kosovën dhe kosovarët në tërë territorin e vendin. Ishte, tek e fundit, një tregues tejet i qartë se shteti i Kosovës nuk ekziston në një pjesë të territorit të vetë, nuk shtrin ligjin tek një pjesë e shtetasve të vet, nuk ka kapacitet për të të plotësuar standardet e kërkuara për shtet funksional, dhe mbi të gjitha ka një kastë politike udhëheqëse të institucioneve që nuk e dinë as vetë se çfarë duhet bërë apo kur duhet bërë diçka.
Pamjet që karakterizuan të dielën Mitrovicën në dy anët e urës kryesore të qytetit treguan mjerimin institucional të Kosovës. Ato pamje treguan sa mbrapa ka mbetur Kosova gjatë kësaj periudhe. Treguan çfarë nuk është bërë deri më tash. Treguan sa të paskrupulltë janë udhëheqësit e institucioneve qendrore në raport me qytetarët e vendit dhe më të ‘vërtetën’ e gjendjes në Kosovë. Sa e sa herë deri në ditët e sotme kemi dëgjuar udhëheqësit e shtetit të thonë se situata në veriun e Kosovës është më e mirë se asnjëherë më parë. Sa e sa herë deri në ditët e sotme kemi dëgjuar premtime të lloj-llojshme për të ardhmen e sigurt “dumuraktike” edhe të veriut të vendit. Madje, dëgjuam edhe premtime 120 milionëshe për Mitrovicën. Nejse, kjo ishte më 18 tetor 2009, gjatë fushatës elektorale të kryeministrit aktual.
Kishte deklarata edhe më të pamatura, më naive dhe më të pavërteta. Rreth dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, kryeministri aktual pati thënë se “çdo pjesë e Kosovës është nën kontroll të plotë”. Ndoshta edhe ka pasur të drejtë apo jo? Nën kontroll është, por të kujt se? Të Prishtinës apo Beogradit? Të misioneve ndërkombëtare apo të grupeve ekstreme serbe? Kjo, megjithatë, nuk kërkon ndonjë koment të veçantë.
Veriu i Kosovës është nën kontroll të plotë të krimit të organizuar, Serbisë dhe miqve të saj në udhëheqjen e Kosovës. Megjithë shpalljen e pavarësisë, Kosova është sovrane vetëm në mënyrë të kufizuar dhe është faktikisht e ndarë në veriun e banuar me serbë dhe jugun e dominuar nga shqiptarët. Pavarësia nuk ka ndryshuar asgjë në situatën katastrofale ekonomike dhe sociale dhe në faktin se shoqëria kosovare vuan nga korrupsioni i rëndë dhe krimi i organizuar.
Rrjetet e krimit të organizuar kanë ekzistuar ne Kosovë edhe para vitit 1999 dhe ato kanë shënuar rritje gjatë periudhës fillestare të zhvillimit të Kosovës pas konfliktit. Përveç kësaj, tensionet etnike që përshkojnë jetën politike në Kosovë nuk pengojnë fare aktivitetin e krimeve. Elementet kriminale të serbëve dhe të shqiptarëve të Kosovës punojnë lirshëm njëri me tjetrin edhe përkundër ndarjeve etnike. Për më keq, këto elemente kriminale arrinë nivele tejet të larta qeverisëse në Kosovë. Rrjetet e krimit të organizuar të Kosovës kalojnë përgjatë vijave të “Linjës se Ballkanit”, e cila paraqet një linjë tradicionale për kontrabandën e heroinës, dhe ky rrjet shtrihet prej Afganistanit nëpër Pakistan e deri brenda në Ballkan e më pastaj tutje në Evropë.
Por, kjo nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë fare në agjendën e tkurrur politike të kryeministrit aktual Thaçi. Agjenda dhe prioritetet e tij janë tkurrur vetëm në përfitime sa më të mëdha materiale dhe aspak në luftimin e dukurive negative dhe shtrirjen e autoritetit kushtetutes të shtetit të Kosovës në tërë territorin. Qëllimi i tij i vetëm duket sheshazi të jetë mashtrimi publik për të vërtetën në Kosovë. Kështu, pak ditë para përfundimit të vitit të kaluar, më 5 dhjetor 2009, ai ka thënë se “veriu i Kosovës tashmë është më e sigurt”. Ëhë, bash!
E diela tregoi një pamje krejt tjetër prej asaj që po na thotë kryeministri aktual. Në njërën anë të urës ishin ish-ushtarët e UÇK-së të cilët me të drejtën e tyre qytetare kërkuan të ndalet shkelja e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Në anën tjetër të urës ishin disa grupe ekstremistësh serbë të kohës së Millosheviqit. Nuk mund të numërohen dallimet e mëdha edhe konceptuale midis këtyre dy masave të njerëzve të mbledhur të dielën në dy anët e Mitrovicës. Por, dallimi më paradoksal është se ata të veriut e bëjnë ligjin në atë pjesë të Kosovës, ndërsa këta në jug nuk po mund të bindin qeveritarët e tyre të zbatojnë një ligj për familjet e tyre të përvuajtura! Çfarë mjerimi po e përcjell vendin.
Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Botuar në KOHA Ditore, më 2 qershor 2010, fq. 11.