Friday, October 29, 2010

Mos u kthefshi më!

Mos u kthefshi më!

Për gati tri vjet, Kosova nuk u qeveris. Ajo u dëmtua skajshmërisht. Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk arriti të përfundojë as një mandat si kryemistër. Futi vendin në kriza të njëpasnjëshme, duke kulmuar me shkatërrim faktik të institucioneve. A është ky një tregues sa i dobët ka qenë Thaçi në menaxhim të Qeverisë së tij? Sigurisht që po.

BURIM RAMADANI


Qeveria Thaçi përfundoi. Nuk mundi të bëjë as tri vjet. Doli të jetë Qeveria më jostabile e dekadës. Që prej çlirimit të Kosovës, vendi nuk ka pasur qeveri më të dobët. Më të brishtë!
Nëse krahasohet me qeveritë tjera, kjo e Thaçit ishte për t’u dhimbsur. Filloi me megalomani të paparë. Me fjalë të mëdha. U pa që në fillim se do të ketë probleme të dukshme. Pas dy vjetësh, gati gjysma e ministrave u ndërruan. U riformatizua për shkak të korrupsionit. Kështu të paktën pati thënë Hashim Thaçi. Por, nuk u kurua. Edhe më tutje vazhdoi të lëngojë nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe jostabiliteti. Në fund të vitit të tretë të mandatit, kolapsoi.
Edhe Qeveria pas zgjedhjeve të para demokratike të pas-luftës kishte jetëgjatësi më të madhe. Të paktën, Qeveria e Bajram Rexhepit të PDK-së e kompletoi mandatin e vet. Me shumë sfida dhe pak punë, por e përmbushi mandatin kohor. Më pas Qeveria LDK-AAK bëri tri vjet. Një mandat të plotë, sipas kornizës së atëhershme kushtetuese. Me shumë vështirësi, pas shkuarjes në Hagë të Kryeministrit Ramush Haradinaj! Bajram Kosumi e Agim Çeku arritën të përfundojnë mandatin sipas periudhës kohore të përcaktuar ligjërisht. Nuk humbën mbështetjen në Kuvendin e Kosovës. Nuk çuan vendin në zgjedhje të parakohshme e as të jashtëzakonshme.
Por, e kundërta ndodhi me Hashim Thaçin, kreun e PDK-së. Ai nuk arriti të përfundojë një katër-vjeçar, sikurse është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligjet për funksionimin e institucioneve të vendit. A është ky një tregues sa i dobët ka qenë kryeministri Thaçi në menaxhim të Qeverisë së tij? Sigurisht që po. Për më shumë, kjo tregon se puna në udhëheqjen e institucioneve është shumë më serioze se sa dikush mund ta mendojë.
Mund t’i fitosh apo t’i manipulosh votat e qytetarëve, por kjo nuk nënkupton se mund edhe të menaxhosh shtetin dhe qeverisjen. Kjo është dëshmuar. Edhe Thaçi mund ta ketë kuptuar këtë. Të paktën, duhet të shpresojmë se e ka kuptuar. Qeverisja nuk është fushatë parazgjedhore. Nuk është qasje për premtime. Është Ekzekutiv. Është menaxhim. Është zhvillim.
Për gati tri vjet, Kosova nuk u qeveris. Ajo u dëmtua skajshmërisht. Edhe imazhi i saj, edhe buxheti i saj. Edhe e tashmja, edhe perspektiva. Kosova mbeti vendi i vetëm në rajon që nuk u përfshi fare në procesin e liberalizimit të vizave. Ndoshta Bajram Rexhepi (si i “gjithëdijshmi” i Qeverisë në shkuarje) mund të akuzojë Komisionin Evropian. Ai, në fakt, e ka bërë këtë disa herë. Ka thënë se evropianët e kanë fajin. Por, e vërteta është ndryshe. Kosovarët nuk përmbushën detyrat. Qeveria e shefit të tij ishte e paorganizuar në përmbushjen e detyrave. Ministria e tij më shumë interesohej për t’u korruptuar me tenderët e pasaportave apo targave të veturave.
Sidoqoftë, duhet të jemi realë. Ta themi hapur. Nga shokët e Nazim Bllacës nuk pritej ndonjë e mirë për Kosovën. Një Qeveri e “Zanzibarit” tregoi se gjithçka mund të shohim prej saj janë krizat. Kosova u katandis në kriza të njëpasnjëshme. Gjatë tërë këtyre muajve, populli i Kosovës u trondit shumë herë. Kishte një qeveri që “vizitohej” nga organet e drejtësisë. Kishte kryeministër dhe ministra që bënë pasuri të pamatshme brenda vitit të parë të mandatit. Kishte udhëheqje që akuzohej për urdhër-dhënie për vrasje, maltretim dhe torturim.
Për të shkuar edhe më tej, të gjithë e panë Kosovën si shembull të keq. Edhe Komisioni Evropian, edhe Departamentit Amerikan i Shtetit, edhe Freedom House, edhe Transparency International, edhe Reporterët pa Kufinj, edhe shumë e shumë organizata e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë kritikuan Kosovën. Së fundi, këto ditë, eurodeputetët vetëm sa nuk na shanë me nënë. Na thanë se krimi i organizuar bën çfarë të dojë në Kosovë. Vjedhja e dhomës së dëshmive në Policinë e Kosovës është një tregues i qartë për këtë.
Nuk ishte e lehtë kjo situatë për popullin e Kosovës. Besimi në qeverisje ra në nivel kulminant. Për herë të parë që nga pas-lufta, Qeveria e Kosovës nuk gëzonte as një të tretën e besimit të qytetarëve. Qeveria Thaçi ra më poshtë se sa Qeveria Kosumi. Kjo u evidentua në matjet e opinionit publik që ka bërë UNDP-ja në Kosovë.
Pas gjitha këtyre, Gjykata Kushtetuese konstatoi edhe shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit Sejdiu. Kriza e përditshme u thellua. Pas dorëheqjes së presidentit, LDK-ja kontribuoi në kalimin në krizë institucionale. PDK-ja filloi fushatën parazgjedhore. Mbajti Kongresin e partisë, pas presionit opozitar. Edhe atë e mbajti në stilin Enverian. Kryeministri në shkuarje, Thaçi, filloi premtimet e reja. Tashmë universitetet do të bëhen pothuaj në secilin qytet të vendit? Ndoshta, edhe në Shtimje. Atje Instituti ekzistues mund të kthehet në Universitet Publik. Pse jo!
E tash, duhet të jemi të zëshëm. Populli i Kosovës nuk meriton qeverisje të tillë. Shkollë të tillë të qeverisjes së keqe. Dëmtuese. Shkatërruese. Nuk ka nevojë as për ata që i përkrahën vazhdimisht. Që morën tendera nga kjo Qeveri në shkëmbim të përkrahjes në Kuvend. Kosova ka nevojë për një Qeveri krijuese. Elita politike e vendit duhet të jetë e vetëdijshme se katër vjetët e ardhshëm janë vërtetë përcaktues për rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së. Nuk guxojmë të kthehemi mbrapa. Duhet shumë punë. Shumë angazhim. Punë 24 orëshe. Jo shëtitje në Portorozh, Shkup e Selanik.
Para se të përcaktohemi për zhvillimet e ardhshme, ne të gjithë mund të pajtohemi të paktën në një pikë fillestare: qeverisja e këtillë mos u ktheftë më kurrë!

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 30 tetor 2010, fq.
11

Tuesday, October 5, 2010

Regjimi që po përfundon

Regjimi që po përfundon

Nëse dikush mendon se duke vjedhur votën e qytetarit mund të ndërtojë sistemin institucional, le ta harrojë. Është thjesht një komunist i papërmirësueshëm! Kujt po i ngutet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pikërisht tash dhe me shpejtësi? Të pa-përgatitur dhe me liderin e opozitës jashtë vendit. Pra, zgjedhje pa opozitë!

BURIM RAMADANI

Secili tashmë e ka të qartë. Koalicioni PDK-LDK solli edhe një krizë të re në Kosovë. Kush më shumë e kush më pak, gjatë kësaj periudhe shkeli Kushtetutën, ligjet, rregulloret dhe parimet demokratike.
Gati tri vjet, vendi u qeveris si mos më keq. Me afera të panumërta të korrupsionit. Me bashkë-jetesë të qeverisë me krimin e organizuar. Me raportet tepër të tendosura ndaj secilit njeri apo subjekt që kritikoi qeverisjen e keqe. Me EULEX-in nëpër kabinetet, zyrat dhe serverat e Qeverisë.
Këta njerëz që manipuluan me paratë e popullit të Kosovës që në ditët e para të qeverisjes së tyre, edhe po e përfundojnë mandatin në formë të turpshme. Të gjithëve na kujtohet se si kjo Qeveri manipuloi madje edhe me fondin për festimin e shpalljes së pavarësisë. Dhe, atë jo më vonë se rreth një muaj prej kur mori mandatin.
Ndërsa, tash pikërisht njerëzit që proklamonin se qeveria është stabile, dëshmojnë të kundërtën. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe kjo është dashur të ndodhte qysh para dy vjetësh. Kur kjo kërkohej nga shumë njerëz në vend, refuzohej me këmbëngulësi nga krerët e qeverisë. Tash, pa një pa dy, ata panë se diçka s’po funksionon.
E tëra po ndodh me shpejtësi. E tëra po ndodh me urgjencë. Por, të kujt? Kujt po i ngutet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pikërisht tash? Të pa-përgatitur dhe me liderin e opozitës jashtë vendit! Pra, zgjedhje pa opozitë!
Nuk është dehja në “Zanzibar” arsyeja! Vitin e kaluar udhëheqja e ngushtë e Partisë Demokratike të Kosovës (parti e pezulluar sipas ligjit), ishte dehur keq në klubin në bodrum afër selisë së partisë. I dhanë një shokim opinionit publik se si dhe ku bëhet politika në Kosovë. Edhe ata që nuk besuan, e panë qartë se cila është nëntoka e bërjes së politikës qeveritare gjatë kësaj kohe.
Tash më shumë se çdo gjë tjetër, Kosovës i duhen mendjet e qeta. Duhet analizuar situatën në tërësinë e saj. Janë katër momente që duhet patjetër të adresohen për të parë se cila është situata e tashme në skenën politike.
Së pari, Kosova është në krizë politike. Nuk ka arritur shkallën e krizës institucionale, por dorëheqja e presidentit të vendit dhe mos-marrëveshjet mes koalicionit kanë shkaktuar krizë politike. Pra, përgjegjësia është tepër e qartë: koalicioni. Nuk e ka shkaktuar opozita këtë krizë politike!
Së dyti, çka po i mungon skenës politike të Kosovës? Definitivisht, lideri i opozitës. Ramush Haradinaj është duke u përballë sfidën e Tribunalit të Hagës, porse bindja e secilit shqiptar në Kosovë është se Haradinaj do të kthehet shumë shpejt në vend për të vazhduar punën. Çdo logjikë për të shfrytëzuar këtë hapësirë për të mbajtur zgjedhje të shpejta parlamentare është jo tjetër, por e sëmurë. Është paranoja që dikë e ka kapur. Dhe, kanë të drejtë, sepse kthimi i Haradinajt nënkupton fundin e kësaj qeverisje të keqe. Këtij mentaliteti komunist të udhëheqjes së Qeverisë. Dhe, kjo do të ndodh.
Së treti, përgatitjet për zgjedhje duhet të jetë serioze. Në situatën e tashme, zgjedhjet e papërgatitura kthejnë Kosovës disa dekada mbrapa. Jo të mira ishin zgjedhjet e vitit 2007, ndërsa edhe më të rënda dolën zgjedhjet e vitit 2009. Nëse futemi në zgjedhje të papërgatitura në muajt e ardhshëm, Kosova do të përballet me shumë rreziqe. Tek e fundit, kjo nuk është rruga jonë për integrime evro-atlantike. Nëse dikush mendon se duke vjedhur votën e qytetarit mund të ndërtojë sistemin institucional, le ta harrojë. Është thjesht një komunist i papërmirësueshëm! Nuk guxojmë të lejojmë përsëritjen e Klinës, Vushtrrisë e Kaçanikut të vitit 2009. Apo edhe shumë komunave tjera.
Së katërti, askush nuk duhet të ketë iluzion se duke shkaktuar krizë politike mund t’i shmangen veprimeve të drejtësisë për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe EULEX-i nuk duhet të ndikohet fare nga improvizime të këtilla. Bastisjet e Qeverisë dhe komunave duhet të japin rezultatet e pritura. Tërë ky grumbull i keq-përdorimeve duhet të ndëshkohet qartë dhe fuqishëm. Të mashtruar janë ata që mendojnë se në situatë zgjedhore, drejtësia duhet të heshtë. Drejtësia ka punën e vet dhe duhet të veprojë në secilin rast dhe në çdo kohë.
Të përballur me shumë skandale të llojeve të papara në historinë demokratike të Kosovës, si dhe me frikën nga ajo që mund të ndodh së shpejti, PDK-ja ngutet të shfrytëzojë secilën sekondë për të ruajtur atë që ka grumbulluar. Pa përgatitje a me përgatitje, dëshiron të futet në zgjedhje. Normalisht, këto do të ishin zgjedhje të improvizuara. Sepse, nuk ka zgjedhje fer, të lira dhe demokratike pa përgatitje të mira.
Klubi i Thaçit brenda PDK-së dëshiron t’i shpëtojë edhe një procesi brenda partisë së tij. Zgjedhjeve të brendshme. Pakënaqësitë e shumta aty dëshmojnë për një gjendje të rëndë të mungesës së demokracisë së brendshme. Disa kryetarë komunash mbahen me imponim në postet e tyre, derisa një numër i aktivistëve të kësaj partie po tërhiqen për çdo ditë. Edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës të kësaj partie po largohen. Prandaj, një situate të rëndë të brendshme, udhëheqja e ngushtë e kësaj partie tenton ta vendos në tërë Kosovën.
Por, llogaria e klubit të Thaçit është e gabuar! Partia e tij është ligjërisht e pezulluar. Rregulla e KQZ-së 01/2008, Neni 6, pika 1 (a) çon në mos-certifikimin e PDK-së për pjesëmarrje në zgjedhje. Nuk ka mbajtur zgjedhjet e brendshme gjatë 36 muajve të fundit. Për më keq, kjo parti nuk po i bën pesë (5) vjet që nuk ka mbajtur zgjedhje. Thejshtë, nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Kosova nuk mund të mbetet peng i problemeve brenda një partie të caktuar. As proceset në Kosovë nuk mund të bëhen urgjente dhe të improvizuara për shkak të një partie politike. Zgjidhja e situatës së tashme bëhet me maturi dhe përgatitje serioze. Procesi zgjedhor pret të gjitha afatet kushtetuese dhe pranvera është periudha e duhur.
Zgjedhjet do të presin përfundimin e procesit në Hagë dhe ky mentalitet i qeverisjes së tashme do t’i takojë historisë. Ky është fundi. Sikurse ka thënë Haradinaj, “çdo regjim shkon për të mos u kthyer më kurrë. Edhe ky regjim do të shkojë shpejt dhe s’do të kthehet më”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 4 tetor 2010, fq. 11.