Monday, May 16, 2011

Politika dhe pasioni

Politika dhe pasioni

Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij do të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë, thotë Maks Ueber

BURIM RAMADANI

Demokracia ofron mbi të gjitha mundësinë për pjesëmarrje të të gjitha shtresave në politikë dhe proceset publike. Nëse kjo do të ishte madje edhe e vetmja e mirë e demokracisë, mund të besohet se do të vlerësohej shumë më lartë se të gjitha sistemet qeverisëse që ka parë njerëzimi deri më tash. Njeriu, qoftë si kafshë politike, qoftë si mbizotërues i tokës, apo edhe si misionar drejt të mirës, ka nevojë dhe të drejtë për të qenë pjesë e asaj që ndodh rreth tij dhe për të. Kjo ndoshta është një prej elementeve kryesore për të cilat njerëzimi ekziston.
Tek e fundit, për çfarë lumturie njerëzore mund të bëhet fjalë në rast kur një autoritet (në këtë rast shtetëror) vendos, zhvillon politika dhe përcakton ardhmërinë e njerëzve pa pjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Derisa pjesëmarrja publike është njëra anë e medaljes, ana tjetër ka të bëjë me nivelin e zhvillimit shpirtëror dhe njerëzor të politikanëve (lexo: udhëheqjes), të cilët kanë përgjegjësinë për jetën dhe zhvillimin e qytetarëve të shtetit.
Kosova si shtet i ri dhe shoqëri në zhvillim, ka nevojë para së gjithash njohjen e koncepteve themelore të jetës politikës, pjesëmarrjes dhe zhvillimit shoqëror.
Deri në ngritjen e nivelit të pjesëmarrjes së gjerë në proceset politike në Kosovë janë bërë përpjekje të ndryshme, kryesisht nga shoqëria e pjesshme civile. Porse, ka mbetur jo pak punë drejt ndryshimit të mentalitetit politik dhe përmirësimit të aftësisë së ndarjes së pushtetit midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve.
Kur flitet për të zgjedhurit, përkatësisht elitën qeverisëse, është mëse i nevojshëm qartësimi i bazës së duhur për të qenë pjesë e politikës ose për t’u futur aktivisht në politikë. Apo, siç thotë Maks Ueber në “Politika si profesion”, janë dy mënyra për ta kthyer politikën në profesion: ose jeton “për” politikën ose jeton “prej” politikës. Siç vëren Ueber, ai që jeton “për” politikën e shndërron atë në jetën e tij, në një kuptim të brendshëm, e ushqen ekuilibrin e tij të brendshëm me ndërgjegjjen që jeta e tij ka kuptim në shërbim të një “çështjeje” dhe dallimi këtu i referohet aspektit ekonomik.
Autori është i prerë në konstatimin e tij se ai që përpiqet ta bëjë politikën një burim të përhershëm të ardhurash jeton “prej” politikës si profesion, ndërsa ai që nuk e bën këtë jeton “për” politikën. Nëse kjo do të futej në praktikë në Kosovë, kushedi sa i zgjedhuri do të binte në kategorinë ‘prej’.
Domosdoshmëria për qëndrueshmëri ekonomike të politikanit është pjesë e shtjellimit të Ueberit. Ai është i qartë në konkludimin e tij se në kushte normale, politikani duhet të jetë ekonomikisht i pavarur nga të ardhurat që mund t’i sjell politika dhe kjo do të thotë se politikani duhet të ketë një pozitë personale në jetë që i siguron të ardhura të mjaftueshme. Megjithatë, Ueber është i vetëdijshëm për mungesën e ekzistimit të ndonjë shtrese mbizotëruese që nuk ka jetuar “prej” politikës. Ai e thotë shkoçur se nuk ka ekzistuar kurrë një shtresë e tillë, që në një mënyrë apo në një tjetër, nuk ka jetuar kurrë “prej” politikës, porse nënkuptohet vetëm kjo: politikani profesionist nuk duhet të kërkojë shpërblim të drejtpërdrejt për punën e tij politike, ndërsa çdo politikan që nuk ka mjete për qëndrueshmëri të pavarur ekonomike duhet patjetër të pretendojë një gjë të tillë.
Fatkeqësisht, përvoja e shkurtër e demokracisë në Kosovë ka treguar për trende të zhvillimeve jopozitive në këtë aspekt. Ndoshta, jo për shkak të mungesës së ligjeve, por mungesa e presionit edhe social ka çuar këtu. Sidoqoftë, natyra e politikanëve profesionistë ka ndërruar dhe sot ndryshon shumë nga një rast tek tjetri.
Duke ndarë në pesë lloje shtresash politikanët profesionistë, Ueber përmend kerikët; të shkolluarit humanistë; fisnikërinë e oborrit; institucionin anglez të aristokratëve e fisnikë të vegjël rentierë qytetarë që quhet “zotërinjtë”, dhe si shtresë të pestë juristin me arsim universitar, që është karakteristikë për Perëndimin, veçanërisht për kontinentin evropian. Ndërsa, duke folur për mënyrat e bindjes apo sundimit, Ueber përmend tri baza kryesore: tradicionalen (patriarku, princi), karizmën dhe ligjshmërinë ose besimin në vlefshmërine e statusit ligjor.
Përfundimisht, politika, sipas Ueberit, i ngjan një shpuesi të fuqishëm dhe të ngadaltë të pjesëve të forta të drurit. Në të përfshihet edhe pasioni edhe e ardhmja... Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë. Niveli i politikanit të tillë në Kosovë mund të përmblidhet në pak numra dhe kjo është fillesa drejt demokratizimit të shoqërisë. Mbi të gjitha, Politika është pasion dhe mision drejt të ardhmes.

Botuar në Koha DITORE, më 16 maj 2011, fq. 11

Wednesday, March 16, 2011

Komploti, shteti dhe shoqëria civile

Komploti, shteti dhe shoqëria civile

E vërteta e tërë këtyre paranojave për gjoja komplotin e shoqërisë civile ndaj institucioneve të Kosovës është komploti i udhëheqësve të shtetit kundër shoqërisë civile dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe.


BURIM RAMADANI

“Komplot. Puç. Rrëzim i shtetit. Mendime destruktive. Marrje e pushtetit me dhunë. Shoqëria civile deshi të rrëzojë Presidentin dhe Qeverinë”.
Kështu mund të përmblidhen përgjithësisht reagimet qesharake, të marra, të tmerrshme dhe paranoike të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe të mediave të tyre gjatë këtyre ditëve, pasi gjoja zbuluan një plan sekret për rrëzimin e qeverisë.
Paranoja e Thaçit nuk ka të ndalur. Kësaj paranoje i është bashkuar edhe Pacolli. Normalisht, duke përdorur mediat që shërbejnë për ta, Thaçi e Pacolli iu vërsulen tashmë shoqërisë civile për të denigruar edhe këta qytetarë e qytetare që duan të kenë një shtet normal dhe demokratik.
Thaçi tha se “pushteti nuk merret me dhunë”, ndërsa Pacolli tha se këto janë “destruktive”. Të dyja këto elemente i përshkruajnë më së miri këta dy liderë partiakë e institucionalë. I pari përdori të gjitha format, pra edhe dhunën, që të merr pushtetin, ndërsa i dyti është personaliteti më destruktiv që ka udhëhequr ndonjëherë institucionet e pas-luftës në Kosovë.

Mungesa e kredibilitetit të institucioneve dhe rreziqet ndaj shtetit

Gjatë këtyre ditëve, nëpër media ka qarkulluar një nismë e tentuar e disa organizatave jo-qeveritare për të shprehur pakënaqësitë për atë që po ndodh në Kosovës, sikurse edhe për të mbrojtur kredibilitetin e institucioneve të Kosovës. Një nismë e qëlluar, e nevojshme dhe, tek e fundit, plotësisht në kuadër të parimeve dhe formave demokratike për të mbrojtur e promovuar vlerat Perëndimore.
Por kur ka pasur Kosova institucione më pak kredibile se sa këto që janë ndërtuar në fund të shkurtit? Që nga zgjedhjet e para pas çlirimit të vendit, institucionet e Kosovës kanë pasur mbështetjen e nevojshme të popullatës, duke i siguruar kështu legjitimitetin e duhur për qeverisje, krahas legalitetit që i siguron sistemi. Ndërsa, tashmë kemi për herë të parë rastin kur pakica e udhëheq shumicën Dhe, kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të ambicieve të papërmirësueshme të dy individëve që të kenë pushtetin në duart e tyre.
Popullata shumicë në Kosovë, shqiptarët, janë në opozitë, ndërsa Thaçi ka bërë koalicion me të gjithë të tjerët vetëm që të mbetet në pushtet. Madje, për herë të parë në Kosovë, minoriteteve i është dhënë pushtet shumë më i madh se sa që i takon me Kushtetutë dhe me Planin e Ahtisaarit. Kështu, për shembull, serbët e Kosovës kanë marrë në udhëheqje tri ministri dhe postin e zëvendës-kryeministrit, duke shkaktuar një precedent të pamohueshëm. Në nën tjetër, postet janë ndarë sikur të ishte pazari i veturave, ku shitësit dhe blerësit shtyhen me orë të tëra për të nxjerrë një euro më shumë apo më pak.
Dhe, çka po bëjnë gjatë kësaj kohe këto institucione që u formuan kështu? Qysh në mbledhjen e parë të Qeverisë së Kosovës, Thaçi emëroi njërin prej pesë zëvendësve të tij, Edita Tahirin, për të biseduar me Serbinë. Menjëherë dëshmoi se kjo është një Qeveri e Bisedimeve. Në kohën kur shteti i Kosovës nuk është funksional, kur autoriteti i shtetit nuk është shtrirë në rreth 20 për qind të territorit, kur strukturat paralele të Serbisë vazhdojnë të funksionojnë të papenguara, kur Qeveria e Serbisë i “investon” në Kosovë 250 milionë euro në vit, kur sundimi i ligjit mbetet peng i krimit të organizuar shqiptaro-serb, kur çmimet kanë arritur kulminacionin dhe standardi jetësor i qytetarëve është rrëzuar për tokë, kjo Qeveri e Bisedimeve fillon aventurën e dëmshme për të rehabilituar Serbinë në qëllimet e saj drejt Bashkimit Evropian.
Dhe, në këtë krejt situatë, Thaçi e Pacolli, duke përdorë fuqinë kontrolluese mbi media të caktuara, i vërsulen shoqërisë civile. Pra, atyre që më herët i quajtën edhe pro-sllavë, bijë e bija të komunistëve dhe anti-kombëtarë. Në momentin kur Kosova ka një President të kontestuar në të gjitha aspektet, pra edhe institucional edhe individual, tashmë na dolën aktivistët e shoqërisë civile ata të rrezikshmit për shtetin e Kosovës.
E vërteta është tjetër. Janë pesë rreziqe kryesore ndaj Kosovës gjatë kësaj periudhe, të cilat që të gjitha janë të dukshme, të ditura dhe të qarta.
Së pari, rreziku kryesor i jashtëm ndaj shtetit të Kosovës është Serbia, e cila ka pretendime të qarta dhe publike territoriale ndaj Kosovës. Serbia është rrezik për ekzistencën e shtetit të Kosovës, lirisë së njerëzve këtu dhe të ardhmes së Kosovës.
Së dyti, rreziku i brendshëm më i rëndësishëm përbëhet nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, të cilat edhe më tutje po vazhdojnë të ngjallin urrejtje ndër-etnike, të pengojnë funksionimin e shtetit dhe normalizimin e jetës në Kosovë.
Së treti, rreziku që po rritet ndaj shtetit të Kosovës është krimi i organizuar rajonal i narkotikëve dhe i trafikimit me qenie njerëzore. Brenda këtij rreziku, hyn edhe funksionimi i organizatave kriminale të tipit të SHIK-ut që punojnë për Thaçin, sikurse edhe tendencat e Pacollit për të krijuar sistem të ngjashëm ilegal të intelegjencës.
Së katërti, lëvizjet e fuqizuara fundamentaliste fetare, kryesisht islamiste, të cilat tashmë identifikohen edhe me qeverinë e Kosovës. Strukturimi i këtyre lëvizjeve është zhvilluar gjatë kësaj periudhe dhe Kosova mund të jetë një vatër e re e këtyre njerëzve të prishur, të vërbuar dhe të drejtuar kundër vlerave themelore njerëzore.
Së pesti, kriza ekonomike që ka kapluar vendin, duke bërë që jeta e qytetarëve të Kosovës të jetë shumëherë më e rënduar se sa ka qenë pak vjet më parë. Për shkak të mungesës së vizionit për zhvillim ekonomik, rritjes së shpenzimeve qeveritare, rritjes së korrupsionit, sikurse edhe për shak të qëllimeve të qarta për pasurim të qeveritarëve, Kosova rrezikohet nga shpërthimi i problemeve sociale.
Mbi të gjitha, unifikuesi i të gjitha këtyre rreziqeve del vetë Qeveria e Kosovës, e cila ka zgjedhur formën më të papranueshme për të orientuar politikat e veta. Pra, kundër të gjithëve brenda vendit, por pa ndonjë projekt për të luftuar rreziqet e jashtme dhe për të zhvilluar e forcuar Kosovën.

Paranoja dhe viktimizimi

Në tërë këtë situatë, Thaçi e Pacolli kërkojnë fajtorë kujdestarë. Ata “gjetën” shoqërinë civile për të drejtuar gishtin. Madje, mediat e afërta me ta, konkretizuan edhe më shumë këtë “komplot”. Klubi për Politikë të Jashtme dhe Veton Surroi “u gjetën” të jenë ata që duan të rrezikojnë shtetin.
E vërteta është se ne të gjithë (besoj!) duam që Kosova të zhvillohet në dy segmente të rëndësishme: në skenën politike dhe në shoqërinë civile. Megjithëse jo në nivel të ngjashëm, të dyja këto segmente edhe më tutje mbeten të brishta, të pa-organizuara mirë dhe me shumë e shumë probleme brenda llojit. Dhe, në rastet kur shoqëria civile synon të luajë rolin e vet, qoftë edhe përmes aksioneve të tubimeve apo protestave, janë institucionet e Kosovës ato që i shpallën të dhunshëm e destruktivë.
Që të dy, pra edhe Thaçi edhe Pacolli, me deklaratat e tyre shkelën Kushtetutën e Kosovës dhe normat ndërkombëtare të Lirive Themelore të Njeriut. Në Kushtetutën e Kosovës, Neni 43, ku përkufizohet Liria e Tubimit, thuhet saktësisht se “Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to. Këto të drejta mund të kufizohen me ligj, nëse është e domosdoshme për të siguruar rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare, ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.”
E pra, cili është rrezikimi i rendit publik, shëndetin publik apo sigurisë kombëtare në qëllimet e disa organizatave jo-qeveritare për të protestuar?
Kjo tregon qartë dy elemente që i karakterizojnë Thaçin e Pacollin, të cilët tashmë duket se janë të vetëdijshëm për rrugën e keqe që kanë nisur së bashku.
Elementi i parë është paranoja. Të dy duket se janë bërë paranoik dhe kanë përshtypjen se të gjithë të tjerët janë të rrezikshëm për ta. Kjo fare nuk është e vërtetë dhe këtë paranojë duhet hequr përgjithmonë. Njerëzit që kundërshtojnë apo nuk pajtohen me politikat e udhëhequra prej Thaçit e Pacollit nuk kanë çështje personale për të zgjidhur me ta. Në politikë nuk duhet personalizuar gjërat.
Eelementi i dytë është tendenca e tyre për t’u paraqitur si viktimë para popullit të Kosovës. Duke ditur se tradicionalisht shqiptarët si komb janë solidarizuar me viktimën, këta të dy duan që të rrisin mbështetjen e popullatës për ta pikërisht duke u paraqitur viktimë. Por, realiteti është i kundërt. Qytetarët e Kosovës janë viktimë sa i përket standardit jetësor dhe të ardhmes së prosperuar pikërisht nga këta dy njerëz, si politikanë dhe si udhëheqës të institucioneve.

Botuar në Koha DITORE, më 16 mars 2011, fq. 14.

Wednesday, February 23, 2011

Zotërinj, a mund të fleni natën?

Zotërinj, a mund të fleni natën?

Thaçi e Pacolli po bëjnë komplot. Komplot kundër Kosovës. Dehja në “Zanzibar” ishte vetëm nisja e komplotit. Dhe, goditja më e fuqishme kundër Kosovës ishin zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe të janarit 2011. Normalisht se prej këtyre zgjedhjeve, dalin edhe Presidenti dhe Kryeministri i këtij niveli. Këta që shesin shtetin për pushtetin.

BURIM RAMADANI

Saherë që vë hapin në hyrje të institucioneve të Kosovës, më bien ndërmend sa shumë sakrifica kanë bërë shqiptarët e Kosovës për këtë ditë. I përkulem me nderim atyre që dhanë jetën, gjakun, gjymtyrët për të arritur lirinë. I respektoj të gjithë ata që kontribuan për të ndërtuar shtetin tonë. Ndërsa, sot, shqiptarët janë opozitë.
Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, tashmë secili tashmë e ka të qartë. Qeveria e kaluar solli një krizë të madhe në Kosovë. Për më shumë se shtatë (7) muaj, Kosova nuk po mund të del nga kriza.
Një pyetje që duhet t’i drejtohet për çdo moment Thaçit dhe klubit të tij: a e ndjeni veten të qetë? Thjeshtë, a mund të fleni natën prej asaj që i keni bërë Kosovës?
Gati tri vjet, ju qeverisët vendin si mos më keq. Me afera të panumërta të korrupsionit. Në bashkë-jetesë me krimin e organizuar. Tendosët skajshëm raportet me secilin njeri apo subjekt që kritikoi qeverisjen tuaj të keqe. Me hetuesit nëpër kabinetet, zyrat dhe serverat e Qeverisë.
Ju që manipuluat me paratë e popullit të Kosovës që në ditët e para të qeverisjes suaj, edhe e përfunduat mandatin në formë të turpshme.
Të gjithëve na kujtohet se si Qeveria e kaluar manipuloi madje edhe fondin për festimin e shpalljes së pavarësisë. Dhe, atë jo më vonë se rreth një muaj prej kur ju morët mandatin. Ka qenë e qartë për secilin që ka sy e vesh, se Kosova duhet të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kjo është dashur të ndodhte qysh para dy vjetësh.
Ndërsa, gjatë vitit të kaluar, vitit 2010, e tëra ndodhi me shpejtësi. E tëra ndodhi me urgjencë. Por, urgjencë të kujt? Kujt i ngutej që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pikërisht në fund të vitit 2010? Të pa-përgatitur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe me liderin e opozitës jashtë vendit!
Një gjë është e qartë: nuk është dehja në “Zanzibar” arsyeja! Dehja në “Zanzibar” ishte vetëm nisja e komplotit. Komplotit kundër Kosovës.
Dhe, goditja më e fuqishme kundër Kosovës ishin zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe të janarit 2011. Në këtë proces u shkelën të gjitha parimet. Normalisht se prej këtyre zgjedhjeve, dalin edhe Presidenti dhe Kryeministri i këtij niveli. Këta që shesin shtetin për pushtetin.
Dhe, çka po ndodh tash? Po e rrezikoni shtetin. Dhe, po rrezikohet për shkak se disa po e harrojnë shtetin për pushtetin.
Kjo nuk është rruga për të realizuar vizionin tonë që shtetin ta shohim funksional, të orientuar drejt kah Perëndimi e jo nga Lindja, të zhvilluar dhe me demokraci të konsoliduar.
Ne kemi shumë nevojë për të arritur konsolidimin, po aq sa kishim nevojë të krijojmë shtet.
Por, shteti ynë, fatkeqësisht, për shkak të udhëheqësisë së saj të këtyre tri vjetëve: Nuk është shtet ku ka ligj, rregull dhe demokraci. Nuk është shtet ku veriu është Kosovë dhe vetëm Kosovë. Nuk është shtet ku polici, gjykatësi e prokurori mund të kryejnë punën e vet profesionale dhe me pagën e tyre të mbajnë familjen. Nuk është shtet ku mësimdhënësi ka dinjitet, pagë të mirë dhe shkolla të mira. Nuk është shtet ku pensionitët nuk ndihen barrë për familjen. Nuk është shtet ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë, pa viza. Nuk është shtet ku kompanitë e biznesit nuk shantazhohen, këcënohen apo reketohen. Nuk është shtet që nuk shkel mbi ekonominë e lirë, iniciativën e lirë dhe të drejtat e njeriut. Nuk është shtet ku nuk ka korrupsion dhe krim. Nuk është shtet ku Policia dhe Ushtria janë të fuqishme dhe profesionale. Nuk është shtet ku Kultura e Sporti janë ambasadorë të mirëfilltë. Nuk është shtet ku populli është i lumtur, i lirë për të punuar dhe zhvilluar veten. Thejsht, nuk është shtet që na ka lakmi ndokush.
Të gjitha këto janë të kapërcyeshme. Mund të zgjidhen. Por, duhet ndershmëri për shtetin dhe popullin. Dhe, pikërisht këtë, pra ndershmërinë për shtetin dhe popullin, nuk e keni ju zotërinj që po bëni çmos vetëm për ta shkatërruar Kosovën.
Një gjë për fund: Zgjedhjet do të vijnë shpejtë. Muajt e ardhshëm përbëjnë fundin e Thaçit dhe klubit të tij. Kosova do ta kalojë edhe këtë komplot kundër saj. Ka kaluar edhe shumë të tjerë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Botuar në KOHA Ditore, 24 shkurt 2011, fq. 12.