Monday, May 16, 2011

Politika dhe pasioni

Politika dhe pasioni

Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij do të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë, thotë Maks Ueber

BURIM RAMADANI

Demokracia ofron mbi të gjitha mundësinë për pjesëmarrje të të gjitha shtresave në politikë dhe proceset publike. Nëse kjo do të ishte madje edhe e vetmja e mirë e demokracisë, mund të besohet se do të vlerësohej shumë më lartë se të gjitha sistemet qeverisëse që ka parë njerëzimi deri më tash. Njeriu, qoftë si kafshë politike, qoftë si mbizotërues i tokës, apo edhe si misionar drejt të mirës, ka nevojë dhe të drejtë për të qenë pjesë e asaj që ndodh rreth tij dhe për të. Kjo ndoshta është një prej elementeve kryesore për të cilat njerëzimi ekziston.
Tek e fundit, për çfarë lumturie njerëzore mund të bëhet fjalë në rast kur një autoritet (në këtë rast shtetëror) vendos, zhvillon politika dhe përcakton ardhmërinë e njerëzve pa pjesëmarrjen e tyre në këtë proces. Derisa pjesëmarrja publike është njëra anë e medaljes, ana tjetër ka të bëjë me nivelin e zhvillimit shpirtëror dhe njerëzor të politikanëve (lexo: udhëheqjes), të cilët kanë përgjegjësinë për jetën dhe zhvillimin e qytetarëve të shtetit.
Kosova si shtet i ri dhe shoqëri në zhvillim, ka nevojë para së gjithash njohjen e koncepteve themelore të jetës politikës, pjesëmarrjes dhe zhvillimit shoqëror.
Deri në ngritjen e nivelit të pjesëmarrjes së gjerë në proceset politike në Kosovë janë bërë përpjekje të ndryshme, kryesisht nga shoqëria e pjesshme civile. Porse, ka mbetur jo pak punë drejt ndryshimit të mentalitetit politik dhe përmirësimit të aftësisë së ndarjes së pushtetit midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve.
Kur flitet për të zgjedhurit, përkatësisht elitën qeverisëse, është mëse i nevojshëm qartësimi i bazës së duhur për të qenë pjesë e politikës ose për t’u futur aktivisht në politikë. Apo, siç thotë Maks Ueber në “Politika si profesion”, janë dy mënyra për ta kthyer politikën në profesion: ose jeton “për” politikën ose jeton “prej” politikës. Siç vëren Ueber, ai që jeton “për” politikën e shndërron atë në jetën e tij, në një kuptim të brendshëm, e ushqen ekuilibrin e tij të brendshëm me ndërgjegjjen që jeta e tij ka kuptim në shërbim të një “çështjeje” dhe dallimi këtu i referohet aspektit ekonomik.
Autori është i prerë në konstatimin e tij se ai që përpiqet ta bëjë politikën një burim të përhershëm të ardhurash jeton “prej” politikës si profesion, ndërsa ai që nuk e bën këtë jeton “për” politikën. Nëse kjo do të futej në praktikë në Kosovë, kushedi sa i zgjedhuri do të binte në kategorinë ‘prej’.
Domosdoshmëria për qëndrueshmëri ekonomike të politikanit është pjesë e shtjellimit të Ueberit. Ai është i qartë në konkludimin e tij se në kushte normale, politikani duhet të jetë ekonomikisht i pavarur nga të ardhurat që mund t’i sjell politika dhe kjo do të thotë se politikani duhet të ketë një pozitë personale në jetë që i siguron të ardhura të mjaftueshme. Megjithatë, Ueber është i vetëdijshëm për mungesën e ekzistimit të ndonjë shtrese mbizotëruese që nuk ka jetuar “prej” politikës. Ai e thotë shkoçur se nuk ka ekzistuar kurrë një shtresë e tillë, që në një mënyrë apo në një tjetër, nuk ka jetuar kurrë “prej” politikës, porse nënkuptohet vetëm kjo: politikani profesionist nuk duhet të kërkojë shpërblim të drejtpërdrejt për punën e tij politike, ndërsa çdo politikan që nuk ka mjete për qëndrueshmëri të pavarur ekonomike duhet patjetër të pretendojë një gjë të tillë.
Fatkeqësisht, përvoja e shkurtër e demokracisë në Kosovë ka treguar për trende të zhvillimeve jopozitive në këtë aspekt. Ndoshta, jo për shkak të mungesës së ligjeve, por mungesa e presionit edhe social ka çuar këtu. Sidoqoftë, natyra e politikanëve profesionistë ka ndërruar dhe sot ndryshon shumë nga një rast tek tjetri.
Duke ndarë në pesë lloje shtresash politikanët profesionistë, Ueber përmend kerikët; të shkolluarit humanistë; fisnikërinë e oborrit; institucionin anglez të aristokratëve e fisnikë të vegjël rentierë qytetarë që quhet “zotërinjtë”, dhe si shtresë të pestë juristin me arsim universitar, që është karakteristikë për Perëndimin, veçanërisht për kontinentin evropian. Ndërsa, duke folur për mënyrat e bindjes apo sundimit, Ueber përmend tri baza kryesore: tradicionalen (patriarku, princi), karizmën dhe ligjshmërinë ose besimin në vlefshmërine e statusit ligjor.
Përfundimisht, politika, sipas Ueberit, i ngjan një shpuesi të fuqishëm dhe të ngadaltë të pjesëve të forta të drurit. Në të përfshihet edhe pasioni edhe e ardhmja... Thirrjen për politikë e ka vetëm ai që është i sigurt se nuk do të shembet kur bota nga pikëpamja e tij të jetë shumë budallaqe ose shumë e rëndomtë për atë që ai dëshiron të ofrojë. Vetëm ai që përballë gjithë kësaj mund të thotë “S’prish punë, le të vazhdojmë!” zotëron thirrjen për politikë. Niveli i politikanit të tillë në Kosovë mund të përmblidhet në pak numra dhe kjo është fillesa drejt demokratizimit të shoqërisë. Mbi të gjitha, Politika është pasion dhe mision drejt të ardhmes.

Botuar në Koha DITORE, më 16 maj 2011, fq. 11