Thursday, April 3, 2014

SHPËLARJA E TRURIT PRODHOI KAMIKAZIN E PARË SHQIPTAR

SHPËLARJA E TRURIT PRODHOI KAMIKAZIN E PARË SHQIPTAR

Shpëlarja e trurit prodhoi kamikazin e parë shqiptar. Ky është kulmi i ndikimit të gjuhës së urrejtjes tek një person. Por, edhe më tutje, ndikimi i gjuhës së urrejtjes mund të pasohet me raste tjera të këtilla. Për më keq, mund të ndodhin edhe në Kosovë! Mendojeni pak, një djalë i ri nga Ferizaj, shqiptar i Kosovës, merr rrugë për në Irak, që të eksplodojë veten për të vrarë njerëz të pafajshëm! A keni menduar se do të vijë kjo ditë? 


BURIM RAMADANI

Është arritur niveli më i lartë i deritashëm në projektin ekstremist islamist për shpërlarjen e trurit. Fatkeqësisht, Kosova ka marrë lajmin tronditës që një ri - shqiptar i Kosovës - ka bërë sulm vetëvrasës kundër civilëve të pafajshëm në Irak, duke vrarë 52 njerëz të pafajshëm.
Kush nga ju do të besonte se kaq shpejt do të ndodhë një zhvillim kaq negativ?

Gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e panumërta

Shpëlarja e trurit prodhoi kamikazin e parë shqiptar. Ky është kulmi i ndikimit të gjuhës së urrejtjes tek një person. Por, edhe më tutje, ndikimi i gjuhës së urrejtjes mund të pasohet me reste tjera të këtilla. Për më keq, mund të ndodhin edhe në Kosovë! 
Mendojeni pak, një djalë i ri nga Ferizaj, shqiptar i Kosovës, merr rrugë për në Irak, që të eksplodojë veten për të vrarë njerëz të pafajshëm!
A keni menduar se do të vijë kjo ditë? 
Rreth 7 (shtatë) vjet më parë, në vitin 2007, kam filluar të ngre zërin publikisht kundër një dukurie të keqe: rrymave ekstremiste fundamentaliste islamiste.
Këto rryma nuk kanë asgjë të përbashkët me misionin paqësor dhe të dashurisë që ka feja Islame. Nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalët e Zotit në Kur'an dhe as me mësimet e Profetit Muhamet.
Këto rryma janë thjesht rryma ideologjike politike, që kanë qëllime të dhunshme politike afat-gjata.
Këto rryma synojnë të ndajnë njerëzit, jo të bashkojnë.
Synojnë të mbjellin urrejtje, jo dashuri.
Synojnë të mbyllin mendjen e njeriut, jo të zhvillojnë.
Synojnë të ndalin përparimin e njerëzimit, jo të avancojnë.
Këto rryma të këqija po luftohen sot edhe në vendet që me Kushtetutë janë vende Islame dhe sistemin juridik e kanë të bazuar mbi Sheriatin.
Këto rryma luftohet sot edhe në shtetet e fuqishme të Lindjes së Mesme, edhe në ato më të varfra në Afrikë.
Këto rryma të këqija duhet të luftohen aktivisht edhe në Kosovë, edhe brenda kombit shqiptar.
Këtë e kam ngritur publikisht për vite me radhë.
Fatkeqësisht, shpesh kam ndier “kryqëzimin” në opinionin publik. Vetëm pse kam thënë të vërtetën për një kërcënim të sigurisë kombëtare.
Menjëherë patën filluar gjuha e urrejtjes, etiketimet dhe akuzat nga më të ulëtat.
"Islamofob”, “Kryqali i Serbisë”, “Jahudi”, “Me komplekse inferioriteti”, “I paguar kundër Myslimanëve”, “Anti-96 për qindëshit të popullatës”, “Ateist”, “Urrejtës i Islamit”, “Kriminel”, e gjithçka tjetër më është thënë për të paktën tri (3) vjet me radhë. Në televizione, radio, gazeta, portale dhe rrjete sociale.
E vërteta e atëhershme dhe e tashme është se unë nuk jam i tillë.
As “Islamofob”. As “Kryqali i Serbisë”. As “Jahudi”. As “Me komplekse inferioriteti”. As  “I paguar kundër Myslimanëve”. As “Anti-96 për qindëshit të popullatës”. As “Ateist”. As “Urrejtës i Islamit”. As “Kriminel”.
Përkundrazi, jam:
Shqiptar. Mysliman. Krenar që jam shqiptar. I paguar për punën e deputetit dhe ligjëruesit në ISPE (pra, këto janë të ardhurat e mia). E dua kombin tim shqiptar dhe shtetin tim Kosovën. Besoj në Zot. Nuk urrej asnjë njeri, asnjë komb dhe asnjë fe. Nuk kam pasur asnjëherë dhe nuk kam bash asnjë aferë korrupsioni apo krimi. Larg qofshin!
Por, për dallim nga shumë të tjerë, nuk jam injorant! As nuk jam frikacak!
Të numëruara deri më tash, vetëm gjatë këtyre tri viteve të fundit, kam pasur 963 kërcënime me jetë apo në kuptim fizik. Shumica prej tyre më janë drejtuar direkt, ndërsa pjesa më e madhe kanë qenë me emra të rrejshëm. Mos të flas për sharje, fyerje dhe ofendime.
I kam marrë me shqetësim. Por, shqetësimi im nuk ka qenë asnjëherë aspekti i sigurisë.
Shqetësimi im ka qenë injoranca e opinionit publik. Rehatia përballë një të keqe të vërtetë. Jam shqetësuar përse të tjerët në opinionin publik nuk po e vërejnë këtë të keqe.
Më ka shqetësuar injorimi që i është bërë kësaj teme për vite me radhë. Dikur më vonë, kryesisht gjatë vitit 2013, ka filluar të bëhet temë e opinionistëve dhe disa politikanëve të caktuar në parti të caktuara.
Por, normalisht, më mirë vonë se kurrë!
Më kujtohet kur krejt vonë, në javën e parë të vitit 2013, në një intervistë televizive, gazetari më akuzonte dhe më kritikonte direkt përse unë thosha që të rinjtë e Kosovës nuk duhet të shkojnë që të luftojnë për motive fetare në Siri.
“Kryengritësit po i përkrah Amerika, ti qenke me Asadin”, më thoshte njëri prej gazetarëve më të njohur në Kosovë.
U desh të kalojnë muaj të tërë, në të vërtetë  më shumë se një vit, që të vijë koha kur Kosova harton Ligj për të ndaluar bashkimin në luftërat tjera, duke u bazuar në luftën e Sirisë.

Siguria Kombëtare mbi të gjitha

Vizioni për sigurinë kombëtare është një prej shtyllave të domosdoshme të partive politike dhe institucioneve shtetërore. Unë i takoj shkollës së mendimit që Siguria Kombëtare është mbi të gjitha, në secilën situatë dhe në secilin variant. Vetëm pas largimit të kërcënimeve të sigurisë kombëtare mund të flitet për elemente tjera, që në parim janë krejt demokratike. 
Ky vizion për sigurinë kombëtare duhet të jetë themeli i politikës shtetërore të Kosovës, të të gjitha institucioneve dhe të gjithë spektrit politik në vend. 
Nuk ka asgjë të keqe nëse një parti politike regjistrohet dhe synon të veprojë në skenën politike për të promovuar vlerat fetare të një feje të caktuar. Kjo është demokratike dhe vetëm në këto suaza duhet të funksionojë. Gjuha e urrejtjes dhe tendencat tjera duhet të ndalohen dhe të luftohen aktivisht me fuqinë e ligjit dhe institucioneve. 
Partia të cilës i takoj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po ashtu ka qenë në cak të sulmeve të këtilla të ulëta dhe me motive të ndryshme jo-kombëtare. Por, e vërteta e atëhershme dhe e tashme është se për AAK-në Siguria Kombëtare është e pa-disktueshme dhe e pa-kompromis. 
Ndoshta shumë njerëz në Kosovë sot i kuptojnë më saktë shqetësimet tona përgjatë këtyre viteve. Por, pse është dashur që të kuptohet kjo vetëm asi që një i ri nga Kosova të bëhet kamikaz në Irak, duke vrarë 52 njerëz të pafajshëm? Pse opinioni publik në Kosovë nuk është më i vëmendshëm dhe më i kujdesshëm?
Për këtë, vazhdoj të shqetësohem.  



Botuar në Koha DITORE, më 3 prill 2014, fq. 12

Wednesday, April 2, 2014

Tri sfidat e Kosovës

Tri sfidat e Kosovës


BURIM RAMADANI

Shumë probleme janë grumbulluar. Me shumë halle ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Të gjitha këto probleme, telashe e halle janë shumëzuar viteve të fundit. Në vend se të ndodh e kundërta, pra të ketë zhvillim apo ecje përpara, gjatë këtyre viteve të fundit Kosova fillimisht ka stagnuar e më pas është kthyer e shpejtësi mbrapa.
Janë tri sfida të cilat kërkojnë përgjigjje të fuqishme, të përkushtuar, profesionale dhe të drejtë. Tri sfida të cilat assesi nuk po e lënë popullin e Kosovës të ngrejë kokën sa i përket përmirësimit të standardit jetësor dhe hapjes së perspektives individuale apo grupore. Pesë sfida me të cilat zgjohemi në mëngjes dhe shtrihemi në mbrëmje. Që na përcjellin njëzetekatër orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Sfida numër një: Qeverisja e keqe. Tashmë nuk është lajm po t’u thuhet qytetarëve se ne kemi një qeverisje të keqe, e cila as për së afërmi nuk po arrin të përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vet. Një qeverisje e cila mbërthehet për çdo ditë nga skandalet e ndryshme. Skandale të lloj-llojshme. Deri në ç’nivel mund të arrijë një kastë politikanësh e politikanesh të hyjnë në dallavere, korrupsion, haraç, zhvatje, kërcënime, shantazhe e çka jo tjetër. Një udhëheqje e cila definitivisht nuk po arrin të sjellë përgjegjësinë në vendin e punës. Një papërgjegjësi totale që nga roja i objektit e deri te niveli më i lartë. Domosdo, ka shembuj që dëshmojnë të kundërtën, por fatkeqësisht shembuj të tillë mbeten simbolik. Qeverisja e mirë nënkupton shërbimin për qytetarin dhe jo anasjelltas. Nënkupton një qeverisje që fondet publike i orienton kah përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo varfërimi i tyre. Nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve të luksit dhe jo rritjen e këtyre shpenzimeve.
Sfida numër dy: Mungesa e Sundimit të Ligjit. Kosova është ngulfatur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, derisa institucionet e zbatimit të ligjit dhe organet e drejtësisë mbeten të brishta dhe të pasuskesshme. Kosova është kthyer në vendin rekord për krim të organizuar dhe korrupsion në rajon, e të mos krahasohemi me shtetet Perëndimore. Si në nivelin qendror, po ashtu edhe në nivelin lokal të qeverisjes është e pashmangshme dukuria e korrupsionit. Zyrtarë që brenda natës bëhen milionerë. Ndërmarrjet publike vetëm sa janë thelluar në korrpsion e hajni, ndërsa gjykatat dhe policia assesi të jenë imune ndaj kësaj të keqeje. Kjo sfidë duhet të adresohet me dije dhe me guxim. Me vendosmëri të plotë. Pa shikuar se për kënd bëhet fjalë. Pa u kujdesur se çka apo kush fshihet pas rasteve. Duhet veprim ligjor.
Sfida numër tre: ekonomia, arsimi e shëndetësia. Në asnjërën prej tyre nuk kemi arritur të kthjellemi. Kosova e sotme përballet me krizë ekonomike, me rënie drastike të cilësisë së arsimit dhe me shëndetësi plotësisht të sëmurë. Vetëm me qasje serioze në rritjen ekonomike, rritjen e buxhetit të Kosovës, luftimin e informalitetit ekonomik, luftimin e kontrabandës dhe investime të huaja direkte mund të arrihet zhvillimi i nevojshëm i ekonomisë. Vetëm me kontroll të cilësisë së arsimit, investim në dije e jo vetëm në objekte, reforma thelbësore dhe ngritje të dinjitetit të mësimdhënësve mund të kthejmë edukimin në një shtyllë të rëndësishme të shtetit. Dhe, vetëm me rindërtimin e plotë të sistemit shëndetësor në Kosovë mund të shërohemi nga sëmundja e rëndë që ka kapur shëndetësinë.
Të tri këto sfida duhet të adresohen. Më seriozisht se asnjëherë deri më tash. Nuk ka vend për kompromis. Nuk ka vend për neglizhencë. Duhet veprime të shpejta, të vendosura, të fuqishme, ligjore.
Porse, është e qartë se këto sfida nuk do të adresohen para zgjedhjeve. Qeveria e ardhshme duhet të merret me këto. Shkaktarët e kësaj gjendjeje të keqe nuk mund të jenë edhe përmirësuesit. Shkaktarët duhet të përgjigjen për këtë, por paraprakisht të largohen nga qeverisja.


Botuar në TRIBUNA, 3 prill 2014

Gramozi


Gramozi 


Gramozi e tha ashtu sikurse e mendojnë pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës në vitin 2014. Jemi në gjysmë të rrugës. Nuk kemi pritur që kjo ditë të jetë e përgjysmuar. Shpresa e këtij populli dhe këtij vendi mbetet tek motivi ynë i përbashkët për mos t’u dorëzuar. Për t’u ballafaquar me të vërtetën. Gramozi dhe gjenerata e re në Kosovë nuk do të ndalet.


BURIM RAMADANI

I ri, i vendosur dhe i fuqishëm. Pavarësisht emocionit të madh që i kishte dalë përpara. Ky emocion kishte të bënte me momentin kur duhej t’i thoshte disa fjalë publike para gjysmës së familjarëve të tij të kthyer në arkivole dhe para një turme të madhe të të gjallëve.
Të mërkurën në Therandë, më 26 mars 2014, u kthyen eshtrat e një pjese të anëtarëve të familjes së madhe Berisha dhe disa të tjerëve Bytyçi dhe Krasniqi. Që të gjithë këta u vranë 15 vjet më parë. Në një mëngjes të hershëm që nuk harrohet asnjëherë. Që u kthye në plagë të thellë dhe të dhimbshme për të gjithë. Familjarët, Therandën dhe Kosovën.
I vetmi mashkull që i mbijetoi masakrës të vitit 1999, Gramozi, të mërkurën dëshmoi traditën e familjes: mençurinë, pjekurinë dhe intelegjencën. Tha pak fjalë, por dha shumë mesazhe. Konstatoi gjendjen dhe ripërsëriti vizionin që kishte familja e tij dhe populli i Kosovë.
“Jemi në gjysmë të rrugës...drejtësia do të vijë...nuk duhet të ligështohemi...të përballemi me fatin...”. Këto janë mesazhet që dha Gramozi. Para mijëra njerëzve dhe para gjysmës së familjes të kthyer në arkivole.
Në të vërtetë, gjithçka që do t’i shtohej fjalimit të Gramozit nuk do të ishte diçka e veçantë. Ky vërtetë qenka fati ynë, porse në të njëjtën kohë ne duhet të ballafaqohemi me të. Nuk duhet të dorëzohemi, sepse dorëzimi në cilindo variant është humbje. Është shkatërrim për ne.
Nuk ishin dorëzuar asnjëherë as Berishët, as therandasit, as populli i Kosovës. Kontributi i Berishëve për dekada të tëra ishte drejtuar në vlerat më të mëdha që ka secili popull në botë: arsim, ekonomi dhe qëndrueshmëri. Sikur të dorëzoheshin atëherë, Kosova nuk do të ishte sot. Do t’i takonte vetëm historisë së dhimbshme të kombit shqiptar.
Gramozi qartësisht dukej i vetëdijshëm për traditën e familjes së tij të madhe. Mijëra njerëz të pranishëm të mërkurën në Therandë kishin të njëjtën njohuri, po ashtu. Lotët dhe emocionet ishin shumë. Nuk mund të fshiheshin.
Gjysma e rrugës, që Gramozi përmendi, vërtetë ka qenë me vështirësi, sfida të shumta dhe probleme të pandalshme. Dorën në zemër, politika kosovare ka hisen e vet edhe në shtimin e këtyre problemeve. Edhe pse, normalisht, disa sfida e probleme janë tejkaluar tashmë.
Kosova, në 15 vjetorin e vrasjes makabre të Berishëve dhe shqiptarëve të tjerë, është e pavarur. Shtet për të cilin gjenerata të tëra kanë derdhur gjak, kanë lënë gjymtyrët apo shëndetin në luftë, burgje e sakrificë.
Por, a është kjo e tëra? Ekzistimi i shtetit të pavarur nuk është se ka përmbushur aspiratën e popullit shqiptar të Kosovës dhe qytetarëve në tërësi. Çka po ndodh në këtë shtet? Sa njerëz jetojnë mirë? Sa njerëz janë të lumtur?
Lumturia e qytetarëve ndërlidhet me elementet kryesore të jetës: punësim, barazi, prosperitet, siguri, arsimin, shëndetësi. Të gjitha këto janë kthyer në sfida të vështira për qytetarin dhe shtetin e Kosovës. Të gjitha këto zbehin çfarëdo të arritur historike.
Gramozi e tha. Ashtu sikurse e mendojnë pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës në vitin 2014.
Jemi në gjysmë të rrugës. Nuk kemi pritur që kjo ditë të jetë e përgjysmuar.
Shpresa e këtij populli dhe këtij vendi mbetet tek motivi ynë i përbashkët për mos t’u dorëzuar. Për t’u ballafaquar me të vërtetën.
Gramozi dhe gjenerata e re në Kosovë nuk do të ndalet.
“Ata që e shkaktuan padrejtësinë duhet t'i frikësohen të ardhmes. Ne duhet t`i gëzohemi të ardhmes.”, tha ai të mërkurën në Therandë.
Vërtetë, duhet t’i gëzohemi të ardhmes secili prej nesh që nuk ka shkaktuar padrejtësi. Ky është momenti i kthesës.

www.gazetaexpress.com
www.indeksonline.net
www.telegrafi.com
26 mars 2014

Qeverisje me duar të pastra

Qeverisje me duar të pastra


BURIM RAMADANI

Është momenti i kthesës. Nuk mund të vonohemi edhe më shumë. Pasojat e vonesave do të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Duhet filluar për së mbari. Duhet filluar drejtimin me duar të pastra. 
Qeverisje me duar të pastra duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Mjaft më me vjedhje, afera korruptuese, skandale, abuzime, keqpërdorime, keqmenaxhime, manipulime, mashtrime e degradime të institucioneve. Ky është fundi.

Fillimi i ri, së shpejti, do të mund të nxjerr Kosovën nga ky cikël keq-menaxhimi dhe keq-qeverisje që po ndodh tash e disa vjet. Fillimi i ri, së shpejti, do të mund të drejtojë përgjegjësinë e atyre që shkatërruan shpresën, manipuluan paranë e popullit dhe orientuan pothuajse gjithçka tek interesat personale, grupore apo klanore. Këta duhet të japin përgjegjësi ligjore. Nuk mund të mbyllen sytë para këtyre abuzimeve.

Një fazë e re po troket në vetëdijen e qytetarëve dhe partive serioze politike në Kosovë. Një nisje e re për politikën, qeverisjen dhe logjikën e të menduarit politik në Kosovë duhet të ndërtohet së shpejti. Përndryshe, na mori Drini.
Kjo nisje e re lidhet e ndërlidhet vetëm me një koncept fundamental dhe të padilemë: Qeverisjen me duar të pastra.
Shumë herë është dëgjuar ky koncept. Por, është thënë dhe dëgjuar kryesisht për të mbuluar qëllimet e këqija të politikanëve të caktuar joseriozë, të cilët gjithçka kanë bërë dhe po bëjnë për t’u pasuruar në kurriz të popullit të Kosovës.

Një qeverisje me duar të pastra mund të bëhet në Kosovë. Ka aq kapacitete intelektuale dhe njerëzore sa për të mos vazhduar së rrokullisuri edhe më tutje në këtë humnerë të cilës i është drejtuar Kosova. Humnerës së jofunksionalitetit për shkak të nivelit tepër të lartë të korrupsionit dhe krimit.
Por, çka duhet bërë për të vendosur qeverisje me duar të pastra?
Së pari, duhet vendosur parime themelore. Një ekip politik (qoftë parti, qoftë koalicion) që është serioz në pretendimet për të udhëhequr Kosovën nuk ka sesi të mos vendos parimet prijëse.
“Asnjë kandidat për deputet, asnjë ministër, zëvendësministër, këshilltar politik apo drejtor i agjencive dhe departamenteve qeveritare nuk do të pranohet nëse është nën hetime apo përflitet me dyshime të bazuara për afera korruptuese dhe krim”, duhet të jetë parimi i parë dhe fundamental.

Nëse partitë politike nuk janë në gjendje të bëjnë këtë, atëherë nuk do të jenë në gjendje as të qeverisin si duhet dhe të menaxhojnë mirë paratë e popullit.
Respektimi i plotë i këtij parimi themelor do të ndërtojë rrugën dhe mundësinë për qeverisje me duar të pastra.
Të paktën dhjetë (10) qëllime duhet të vendosen për këtë koncept të ri të qeverisjes në Kosovë. Pra, me një qeverisje me duar të pastra: 1) Sundimi i ligjit është bazë për zhvillim; 2) Korrupsioni dhe krimi i organizuar luftohen pa kompromis; 3) Policia e Kosovës - lidere në rajon; 4) Qytetarët janë të sigurt për jetën dhe pronën; 5) Fëmijët nuk frikësohen që të shkojnë në shkollë; 6) Drogat nuk prodhohen dhe nuk sillen nëpër Kosovë; 7) Afaristët nuk frikësohen nga grupet kriminale; 8) Siguria në trafik rritet maksimalisht; 9) Emergjencat nuk vonojnë në raste të fatkeqësive; 10) Armët ilegale hiqen nga duart e qytetarëve.

Këto nuk janë të paarritshme. Por, duhet patjetër dhe pa asnjë dilemë që qeverisja të jetë nga njerëzit e pastër dhe të pazhytur në korrupsion e krim.
Ky është momenti i kthesës. Ndryshe nuk bën.

Botuar në TRIBUNA, më 27 mars 2013