Wednesday, March 26, 2014

Testi për partitë politike

Testi për partitë politike




Mos i besoni kujtdo që flet për demokraci dhe zhvillim, nëse në listën për deputetë do të sjellë njerëz nën hetime apo përfolur me dyshime të bazuara për korrupsion dhe krim. Nëse partitë guxojnë të heqin këdo që është nën hetime, atëherë diçka po lëviz së mbari. Ky është vetëm hapi i parë


BURIM RAMADANI

Mos i besoni fjalëve. Politikanët kanë mashtruar shumë. Tërë kohën. Pa u ndalë asnjëherë. Jo vetëm pse kanë dashur t’ju mashtrojnë, por për diçka më thelbësore: ata nuk kuptojnë se po ju shkelin besimin tuaj! Nuk kanë as nivel të tillë minimal të dijes për të kuptuar se çka do të thotë që dikush të të besojë!

Historitë janë të bollshme: Ju kanë premtuar pothuajse gjithçka. Veç që nuk ju kanë treguar përralla. Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit, për shembull. 24 orë në ditë rrymë elektrike. Punësime. Lugina e Silikonit. Paga të larta, pensione të dinjitetshme. Qeverisje pa luks, me shpenzime të vogla, pa ndërtesa me qira. Gjithçka dhe gjithkund.

Të vërtetat janë të matshme: Korrupsioni është rritur, krimi është shpeshtuar. Tashmë nuk je i sigurt as në shtëpi, as në rrugë, as në zyre, as në trafik, as në shkollë. Rryma është shtrenjtuar dhe po vazhdojnë reduktimet. Dy herë po e paguajmë. Edhe si konsumatorë, edhe si taksapagues. Lugina e Silikonit nuk u mor vesh kush për çka ishte menduar, ku dhe si? Mbeti veç hajgare. Pagat s’po e zënë fundin e muajit. Pensionet kanë mbetur lëmoshë. Luksi është rritur, por vetëm për qeveritarët. Shpenzimet janë dhjetëfishuar dhe objektet qeveritare me qira vazhdojnë të jenë të tilla.


Bilanci është i dukshëm: Jo njëherë jeni mashtruar! Shumë herë me radhë keni menduar se po zgjidhni të vërtetin, alternativën më të mirë, mundësinë më të shpejtë për të rregulluar jetën në Kosovë. I keni besuar fjalës së dikujt. Nuk keni menduar sa para po shpenzon ai “dikushi” që ju ta merrni fjalën e tij si të besueshme. Pavarësisht se ka shpenzuar me qindra mijëra euro për t’ju mashtruar!

Normalisht, se tashmë shumë prej jush ndiheni të zhgënjyer. Besoj se edhe të tjerë politikanë duhet të ndihen të zhgënjyer. Dështimi i partive tjera politike, tashmë për disa vjet në opozitë, kryesisht ndërlidhet me pazotësinë e tyre për të dëshmuar alternativë të plotë, konkrete dhe të detajuar.

Por, kjo të paktën nuk mund të ndërlidhet me elementet thelbësore të partive politike. Esenca është e ndryshme, struktura është e ndryshme, qëllimi është i ndryshëm. Mbi të gjitha, logjika është e ndryshme.
Sidoqoftë, tashmë shumë shpejt keni sërish në duart tuaja mundësinë për të vendosur. Për vitet e ardhshme.

Testi është afër: zgjedhjet parlamentare! Janë afruar aq shumë sa që pothuajse askush nuk e di kur saktësisht do të mbahen. Mund të jenë 30 ditë nga sot! Ndoshta pakëz më larg, apo edhe më larg se aq.

Testi është edhe më i thjeshtë: lista për deputetë! Ose, oferta e kuadrit që partitë politike do të sjellin para jush, së shpejti! Do të jenë publike, sepse nuk mund të jenë ndryshe. Do të jenë emra që kryesisht i njihni, sepse jemi vend i vogël dhe popullatë e vogël.

Do t’ia gjeni fijen lehtë se kush janë, prej nga janë, çka kanë dhe çka nuk kanë. Të paktën, për shumicën prej tyre do të keni lehtë të dini më shumë sesa minimalja.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së dhe deputet në Kuvendin e Kosovës


Botuar në Koha Ditore, 26 mars 2014, fq. 11

Tuesday, March 25, 2014

Dështimet e qeverisjes së keqe

Dështimet e qeverisjes së keqe


BURIM RAMADANI

U bënë gati shtatë vjet të qeverisjes së keqe. Për afër një dekadë, qytetarët e Kosovës morën teposhëzen, u varfëruan dhe humbën shpresën se dita e nesërme do të jetë më e mirë.
U mashtruan dhe u keq-përdorën skajshëm. Paratë e qytetarëve, përmes Buxhetit të Kosovës, u kthyen në elemente kusuritje të Qeverisjes më të keqe në historinë e pas-çlirimit në Kosovë. Qeverisje pa asnjë karakter demokratik, që synoi gjatë tërë kohës zaptimin e shtetit, rritjen e korrupsionit dhe bashkëjetesën me krimin e organizuar.
Shumë dështime e përcollën këtë qeverisje të keqe. Shumë mashtrime u bënë nga qeveritarët.
A ju kujtohen premtimet kryesore me të cilat PDK dhe Hashim Thaçi erdhën në pushtet? Sa prej tyre janë realizuar? Sa prej tyre janë në rrugë të mbarë për t’u realizuar?
Të shohim vetëm dhjetë (10) prej këtyre premtimeve kryesore të fushatës manipuluese të Thaçit dhe PDK-së.
1.    Rrymë 24 orë. Premtim i rremë. Jo vetëm që rryma po vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore të qytetarëve të Kosovës, por edhe më keq. Qytetarët e Kosovës po paguajnë rrymën më të shtrenjë në rajon. Qeveria e Kosovës po blen rrymë nga Serbia, ndërsa tenderët në KEK janë kthyer në bollëk për qeveritarët dhe familjarët e tyre.
2.   Ulje të shpenzimeve qeveritare. Premtim i rremë. Shpenzimet dhe luksi i qeveritarëve të korruptuar u rrit skajshëm. Nuk ka asnjë qeveri më të madhe në rajon dhe as në Evropë. Nuk ka asnjë qeveri që shpenzon më shumë se këta qeveritarët tanë të padijshëm. Më shumë se 60 persona të qeverisë kanë shoferë, vetura, reprezentacion, këshilltarë, asistente, zyra e çka jo tjetër.
3.  Zero tolerancë ndaj korrupsionit. Premtim i rremë. Në të vërtetë, plotësisht e kundërta ka ndodhur gjatë këtyre vjetëve. Këta qeveritarë të korruptuar duket se kanë vendosur standard negativ që “nëse nuk je i korruptuar, nuk mund të jesh me ne!”. Kjo është logjika e korruptuar e këtyre.
4.     Depolitizim i arsimit. Premtim i rremë. E tërë logjika e kësaj qeverisjeje të keqe u kthye në ndërtimin e disa objekteve shkollore, të cilat fatkeqësisht nuk arritën as minimunim për të mundësuar arsimimin kompetent. Por, ndërtimi i shkollave kishte të bënte me tenderë dhe këtu kjo qeverisje e keqe kishte synimin. Tenderët. Në anën tjetër, politizuan skajshëm arsimin. Shkelën çfarëdo profesionaliteti dhe neutraliteti politik në arsim. E bënë edhe më keq se që ishte.
5.      Konsolidimin e sistemit shëndetësor. Premtim i rremë. Këta njerëz e sëmurën keq edhe mjekësinë. E shkatërruan deri më masën që për katër vjet me radhë shëndetësia në Kosovë realisht ra në komë. Vetëm si shembull mund ta shohim QKUK-në. Për katër vjet me radhë nuk kanë mundur të zgjedhin drejtorët e klinikave. Vazhdojnë me Ushtrues Detyre. Kjo tregon çka duan dhe çka po bëjnë këta qeveritarë të korruptuar.
6.    Zhvillim ekonomik. Premtim i rremë. Qytetarët e Kosovës jetojnë sot në kushte shumë më të rënda. Varfëria po rritet për çdo ditë, ndërsa prodhimi vendor është sakatuar në secilën mundësi dhe në secilin variant.
7.     Liberalizimi i vizave. Premtim i rremë. Madje, premtim i pësëritur gjatë tërë kohës, pa asnjë pikë turpi në fytyrë. “Për 15 muaj do të heqim vizat”, thoshte Kryeministri Thaçi në vitin 2010. U bënë katër (4) vjet dhe asgjë. Madje, nuk duket se do të ndodh shpejtë dhe nuk do të ndodh assesi përderisa Kosova ka këtë qeverisje të keqe.
8.   Lugina e Silikonit. Premtim i rremë. A e mban mend kush çka ishte ajo? Çka synonte ky premtim të përmirësojë jetën e qytetarëve? Ka mbetur e harruar, pa asnjë lëvizje të vetme për të realizuar këtë.
9.    Zhvillim të demokracisë. Premtim i rremë. Për gjatë këtyre vitesh të qeverisjes së keqe, Kosova shënoi rënie në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave. Linçuan secilin qytetar të Kosovës që hapur dhe me kurajo adresoi dështimet dhe keq-qeverisjen. Sot, Kosova ka probleme serioze me nivelin e saj të demokratizimit, pikërisht për shkak të logjikës së keqe të qeverisjes.
10. Largimi i nepotizimit. Premtim i rremë. Stërmbushën administratën me familjarë, militantë partiak, të afërm, kushërinjë, dajë e teze. Për më keq, vendosën standardin më të ulët të efikasitetit në institucionet publike. Kanë bërë çmos për të degraduar secilin institucion, përmes futjes së njerëzve të “tyre” në secilën skutë dhe në secilën mundësi.
Jo vetëm këto dhjetë dështime janë substanciale. Ka edhe plotë të tjera.
Prandaj, këta qeveritarë të korruptuar meritojnë të shkojnë në opozitë dhe të përgjigjen edhe në aspektin ligjor për gjithë këtë keq-përdorim të pandalshëm të buxhetit të popullit të Kosovës.


 http://ditapress.com/deshtimet-e-qeverisjes-se-keqe/ 

Wednesday, March 19, 2014

MJEGULLA E TRIBUNALIT

Mjegulla e Tribunalit


BURIM RAMADANI


Gjithçka e mjegullt. Nuk ka qartësi dhe nuk ka saktësi. Shumë përfolje, spekulime dhe thashetheme. Por, pothuajse askush nuk i ka përgjigjet e domosdoshme për zhvillimet e shpejta që mund të ndodhin në Kosovë.

Fjala është për të ashtuquajturin Tribunali për krimet e ndodhura në Kosovë gjatë periudhës 1998-2000. Tribunali që mund të vendoset jashtë Kosovës dhe që do të mund të ketë për subjekt hetimin e thashethemeve të ngritura në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Derisa spekulimet dhe thashethemet e kanë kapluar Kosovën, koluaret janë të vetmet adresa ku njerëzit spekulojnë me të vërtetën e mundshme. Vetëm koluaristët pretendojnë të kenë përgjigjet në shumëçka për apo rreth kësaj ideje për të ashtuquajturin Tribunal. Zyrtarët dhe diplomatët thonë të kenë mangësi të mëdha të informatave rreth kësaj. Politikanët seriozë janë të shqetësuar thellësisht ndikimin e keq të kësaj ideje në raport me shtetin e Kosovës, ndërsa qytetarët janë të mërzitur me këtë sistem të hedhjes në ajër të “proceseve” të panjohura dhe të pazbërthyera.

Sikurse pyetjet themelore në gazetari, po ashtu pyetje themelore duhet të ngritën edhe rreth kësaj ideje, për mua të çmendur: Tribunalit për Kosovën.

Çka? Pse? Ku? Kur? Dhe, Kush?

ÇKA po duan të arrijnë me këtë Tribunal? Ndëshkimin e Kosovës që ka luftuar për të drejtat e veta dhe për lirinë e popullit apo çmimin që duhet ta paguajë Kosova për projektet e ardhshme të cilat edhe më tutje mbesin të pazbërthyera? Në cilindo version, nuk ka përgjigje në pyetjen Çka? Pastrimin me të kaluarën? Nuk e besoj. Kosova ka pastruar të kaluarën e vet, madje e ka të pastër dhe pa dilema. Populli i Kosovës, i udhëhequr nga UÇK-ja, ka luftuar për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të arritur lirinë, që është vlerë themelore e njeriut dhe e popujve.

PSE po duan të krijojnë këtë Tribunal? Çfarë nevoje ekziston që populli i Kosovës të mbetet në rrethana lufte edhe 15 vjet pasi ka përfunduar lufta çlirimtare? Kujt i konvenon kjo dhe pse po bëhet? Në asnjë rrethanë dhe në asnjë përgjigje serioze nuk del as edhe një argument i vetëm që Kosova duhet të kalojë nëpër një situatë të këtillë të rëndë, të padrejtë dhe të ndjeshme. Sepse, Serbia apo Rusia po e kërkojnë këtë apo sepse partnerët perëndimorë përballen me akuza për “fshehje” të së vërtetës në Kosovë? Kjo e fundit nuk ekziston fare. E vërteta në Kosovë është dëshmuar në Tribunalin e Hagës, ku udhëheqës të Qeverisë së Serbisë dhe ish-Jugosllavisë janë dënuar për dhunën dhe krimet që kanë bërë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Vetëm kjo është e vërteta. Asgjë tjetër. Në anën tjetër, Serbia dhe Rusia mund të kenë kërkuar në vazhdimësi gjëra të tilla të çmendura, por kjo mbeten vetëm e tillë: çmenduri.

KU do të vendoset një mekanizëm i tillë? Spekulimet vazhdojnë dhe thellohen çdo ditë e më tepër. Jashtë apo brenda Kosovës? Aty apo këtu? Së pari, asnjë argument nuk qëndron se një mekanizëm i tillë duhet të bëhet jashtë Kosovës. Tek e fundit, këtu është EULEX-i, këtu është KFOR-i. A nuk ka dërguar BE-ja një Mision të veçantë, më të madhin në historinë e vet, për Sundim të Ligjit? A nuk është ky Mision një ndihmë e madhe me ekspertizë dhe neutralitet profesional për institucionet e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit në Kosovë? Është e qartë se EULEX-i nuk ka arritur pritjet e qytetarëve të Kosovës në krim të organizuar dhe korrupsion, por nuk është Kosova fajtore për këtë!

KUR do të qartësohet gjithçka rreth këtij të ashtuquajturit Tribunal? A ka afat? Deri kur do të mbahet situata e tensionuar brenda Kosovës për diçka që të gjithë jemi të bindur se nuk është asgjë më shumë se sa një çmenduri. Kjo çmenduri duhet të kalojë sa më shpejtë. 

KUSH do të merr vendimin për të gjithë këtë? Kuvendi i Kosovës? Nuk e besoj se mund ta bëjë këtë! Nuk e besoj se dëshiron ta bëjë këtë! Tek e fundit, askush nuk besoj se është i vullnetshëm të hyjë në këtë “matematikë”.

Thjesht, mjegulla duhet të hiqet. Qartësia në situatë të këtilla është e domosdoshme. Nuk mund të lëvizet në terr dhe mjegull. Kështu nuk i ndihmohet Kosovës.  


(Autori është Sekretar i Përgjithshëm dhe deputet i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)
Botuar në TRIBUNA, më 20 mars 2014

Thursday, March 13, 2014

RUTINA DËMTON

Rutina dëmton


BURIM RAMADANI

Shteti nuk është mirë. 
Qeverisja është e keqe. 
Qytetari është në hall.

Të tri këto elemente, një nga një dhe kur të bëhen bashkë, dëshmojnë të vërtetën e saktë të aktualitetit politik, ekonomik dhe shoqëror që mbizotëron në Kosovë. Të keqes në tri perspektiva. Të aktualitetit të vështirë me të cilin po përballen për çdo ditë qytetarët e Kosovës. Të zhytur në kredi bankare, me të ardhura jo stabile, sikurse edhe me rritjen e çmimeve në mënyrë të vazhdueshme.

Zhvatja nuk ka të ndalur. Këtë e bën Qeveria, këtë e bëjnë sekserët e qeveritarëve, e bën administrata, e bëjnë Bankat, po vazhdojnë ta bëjnë pothuajse të gjithë. I madh e i vogël. Si t’u jepet mundësia që të jenë “dikushi” në këtë shtetin tonë! Nuk kanë peshore fare!

Kanë humbur ndjenjën e realitetit se ku po jetojnë. Kolluqet, lluksi qeveritar, veturat e shtrenjta, telefonat me mbulesë pa kufij, drekat e darkat në faturë të shtetit, mëditjet e pandalshme për çdo lëvizje që bëjnë, aty-këtu edhe ndonjë shoqërues apo shoqëruese me karakteristika të veçanta nga partneri apo partnerja që kanë në shtëpi.

Duket se në diskutimet e tyre “shoqërore”, kanë humbur po ashtu ndjenjën e vlerës së parasë. Zerot pas numrave tjerë rendor duket se nuk i kanë fort problem. Nëse diçka është me një zero më shumë apo një zero më pak. Sikur të flisnin për kunguj apo për gurë të mëhalles.

Afaristët ankohen se po ua “nxjerrin shpirtin”, qeveritarët lavdohen sa të zotët janë në “negociim” të tenderëve, punësimeve apo favoreve të ndryshme. Bankat ankohen për kredi të këqija, ndërsa qytetarët qajnë hallin për kushte mbijetese. Të punësuarit kritikojnë “ngarkesat” në punë, ndërsa të papunësuarit luten për një vend të thjeshtë pune. Mësimdhënësit mezi lidhin financiarisht muajin me muaj, ndërsa studentët përtojnë të lexojnë një libër për një provim, por falsifikojnë notat dhe blejnë diplomat. Drejtorët e shkollave ndërtojnë rutinë në zyre, prindërit “harrojnë” të kujdesen për fëmijët e tyre në shkollë, ndërsa nxënësit rrahen, therren e vriten për tema të tyre “të mëdha” fëmijërore. Pacientët duhet të përgatiten mirë me para saherë që “duan” të sëmuren, ndërsa mjekët “kujdesen” që asgjë të mos kalojë pa “tarifën” e vet.

Ky është aktualiteti i kthyer në rutinën tonë ditore. Fatkeqësisht! Rutinë që është vendosur kryekëput për shkak të qeverisjes së keqe. Për shkak të mungesës së plotë të vullnetit për të ndërtuar qeverisje të mirë. Për më keq, kjo rutinë dëmtuese ka arritur në këtë shkallë edhe për shkak të mungesës së dijes.

Qeveritarët e tashëm nuk kanë pasur as dije dhe as vullnet për të ndërtuar qeverisje të mirë. Nuk ka pasur as guximin që të distancohen, të paktën, individualisht nga keq-qeverisja, keq-përdorimi i skajshëm dhe manipulimet e panumërta gjatë këtyre viteve. Nuk kemi dëgjuar madje asnjërin prej tyre të jetë distancuar me këmbëngulje dhe të ketë kërkuar llogari pa asnjë kompromis për skandalet e panumërta, aferat korruptive, shpenzimet enorme, lluksin totalisht të panevojshëm, familjarizmin, klientalizmin e çka jo tjetër. 

Prandaj, rutina duhet të ndalet. Sipas Fjalorit të Oksfordit, fjala “rutinë” do të thotë “sekuencë e veprimeve të rregullta apo zakonshme që përcillen”. A dëshiron dikush që rutina të jetë përgjigjja për qeverisjen e ardhshme? A dëshiron dikush që menaxhimi i parasë publike të bëhet në këtë formë rutine?

Qeverisja e ardhshme ka për detyrë themelore të dalë nga kjo rutinë! Të gjitha këto praktika të ndërtuara deri më tash duhet të thyhen. Të hudhen në plehra.
Një moment i ri duhet të ndërtohet. Rutina dëmton!


Botuar në TRIBUNA, 13 mars 2014, fq. 6

Thursday, March 6, 2014

Për ndryshim rrënjësor

Për ndryshim rrënjësor


BURIM RAMADANI

Nuk duhet improvizuar. Gjendja e tashme kërkon përgjigje të qartë. Të fuqishme. Logjika e improvizimit na ka sjellë deri këtu. Në krizë. Në jo-funksionalitet. Të papunë dhe të pashpresë. Improvizimi që shkatërron qeverisjen.
Nuk duhet qeverisje rutinë. Kosova nuk është në situatën ku qeverisja mund të ndodh vetvetiu. Në mënyrë të ngadalshme. Me dinamikë rutinore. Rutinat e ndërtuara gjatë këtyre viteve vetëm sa e kanë thelluar krizën dhe e kanë dëmtuar mundësinë që qytetarët të jetojnë më mirë. Rutina nuk ndryshon asgjë.
Nuk duhen trazira. Dhimbjet e trazirave zgjasin shumë, dëmtojnë stabilitetin dhe humbin parashikueshmërinë e rrjedhave të shtet-ndërtimit. Qytetarët nuk fitojnë asgjë në afat-shkurtër dhe ndëshkohen në afat-gjatë. Trazira lëkund pothuajse gjithçka.
Kosova ka nevojë për ndryshim rrënjësor. Logjikë tjetër të qeverisjes, mënyrë tjetër të politikë-bërjes. Ka nevojë për ndryshim rrënjësor në dinamikën e angazhimeve, përkushtim të fuqishëm dhe jo-kompromis ndaj të këqijave.
Nevoja për ndryshim rrënjësor nuk lidhet vetëm me një adresë. Lidhet me mentalitetin e politikave. Ndërlidhet fort me qeverisjen qendrore, por shpërndahet pastaj edhe në institucionet tjera publike.
Ku duhet prekur? Çka duhet ndryshuar? Si duhet ndërruar menatalitetin qeverisës? Janë tri parakushte, që kthehen në parime të domosodoshme për të filluar ndryshimin rrënjësor në logjikën e qeverisjes:
E para dhe e padiskutueshmja është Qeveria me duar të pastra. Parakushti i tillë është parim që nuk mund, nuk duhet dhe nuk guxon të mëdyshet.
Qeveria e ardhshme duhet të jetë e larë me deterxhent të fortë. Pa të kaluar korruptive dhe pa të kaluar të krimit të organizuar. Ky është minimumi, pa të cilin nuk duhet menduar se mund të zhvillohet një mentalitet tjetër qeverisës. Përpos që Qeveria me duar të pastra është një kundër-reagim i domosdoshëm ndaj Qeverisë aktuale, ky parim ka të bëjë edhe me fillimin e një standardi normal të qeverisjes në Kosovë. Ky standard do të jetë bazë për shumë e shumë zhvillime politike dhe institucionale për dekada të tëra në Kosovë, nëse jo edhe më shumë.
E dyta dhe e domosdoshmja është Qeveria me ekspertizë. Parakushti i këtillë është parim që vendos themelet për një qeverisje kompetente, të padiskretuar qysh në ditën e parë dhe të besueshme për kapacitetet për të ndryshuar gjendjen.
Qeveria e ardhshme duhet të përfaqësojë dije, ekspertizë, kapacitet, zotësi dhe kompetencë. Përpos pastërtësisë së kabinetit qeveritar, Qeveria e ardhshme duhet të karakterizohet nga përgatitja profesionale dhe jetësore për fushat veç e veç. Kosova ka kapacitete të këtilla. Partitë politike mund të ndërtojnë qeverisje kompetente. Normalisht, edhe ky parim është pothuajse plotësisht i kundërt me Qeverinë aktuale, që është jokompetente dhe me mungesë profesionaliteti.
E treta dhe funksionalja është Qeveria me program të detajuar. Parakushti i këtillë është parim që mundëson nisjen e punës efektive qysh në ditën e parë të përgjegjësive qeverisëse. Ky parakusht as që do të duhej të përmendej fare, porse, fatkeqësisht, kjo është e vërteta që ka ndodhur në vitin 2007 dhe në vitin 2010. Kur Qeveritë pas atyre zgjedhjeve as që kanë pasur një letër të shkruar rreth programit të punës. Një Qeveri me program të qartë e të detajuar nuk do të humb kohë, nuk do të shpenzojë kot.
Thjesht, tri parakushtet për ndryshimin rrënjësor të mentalitetit qeverisës janë në fakt parime pa të cilat nuk mund dhe nuk guxon të ndërtohet Qeveria e ardhshme.
Një Qeveri e pastër, kompetente dhe me program të detajuar e fillon ndryshimin e madh në Kosovë qysh nga dita e parë e qeverisjes.

Botuar në Gazetën TRIBUNA, më 6 mars 2014, fq. 6

Wednesday, March 5, 2014

Kosova, shteti ynë!

Kosova, shteti ynë!





Ekzistenca e shtetit të Kosovës nuk rrezikon askënd. Nuk shkatërron asnjë lloj përkatësie. Nuk dëmton integrimet brendakombëtare. Nuk vë në mëdyshje të qenit shqiptar, për shembull. Por, e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës me përkatësi tjetër kombëtare 



Shteti im është Kosova. Flamuri im shtetëror është flamuri i Kosovës. Me hartën e vendit tim dhe me gjashtë yjet mbi të. Himni i shtetit tim quhet “Evropa” dhe është kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Kompozitor vendës. Po, është e vërtetë se është pa tekst. Kemi simbolet shtetërore, sistemin politik të veçantë, ambasadat në shtetet më të largëta dhe në rajon. Edhe vendet e tjera kanë akredituar ambasada këtu dhe respektojnë subjektivitetin tonë shtetëror. 

Shoqëria e shtetit tim është multietnike. Respekton vlerat, traditën, identitetin dhe kulturën e secilit grup etnik që jeton bashkë me mua. I jep mundësi secilit të përparojë, pavarësisht nëse është shqiptar, serb, boshnjak, turk, egjiptas, rom, ashkali, malazias apo kroat. Problemet po vazhdojnë të jenë të pranishme. Por, kjo nuk është arsye që të ndalim përpjekjet tona për të tejkaluar ato. Përkundrazi, duhet të fuqizojmë angazhimet që vështirësitë e tashme të mos na e nxijnë të nesërmen.

E ardhmja e sigurisë nacionale është NATO. Aleanca Veriatlantike, e cila në vitin 1999 u bë faktori vendimtar për çlirimin e kësaj Kosove. Kosovës së të gjithë qytetarëve të saj. Ushtria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë krah për krah me atë amerikane, gjermane e angleze. Ushtri profesionale, që përbëhet prej pjesëtarëve nga secili komunitet që jeton këtu. Që i bën të ndihen të sigurt të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht cilës fe i përkasin apo cila është gjuha e tyre amtare.

E ardhmja politike është Bashkimi Evropian. Integrimi në familjen e shteteve evropiane, të cilat e kanë vendosur paqen mbi të gjitha. Që kanë kthyer në model primar largimin e armiqësive që rrjedhin nga identitetet ndarëse apo përçarëse. Bashkim, i cili ka vënë në qendër të politikave bashkimin e vlerave të ndryshme në një qëllim të përbashkët: jetesën e lumtur të qytetarëve të të gjitha vendeve evropiane. Pa luftëra, pa dëmtime, pa dhunë.

Baza e të tashmes dhe e të ardhmes së shtetit tim është demokracia. Sistem jo perfekt, por dukshëm më i miri në krahasim me sistemet e tjera qeverisëse që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Demokracia dhe vlerat e saj janë themeli i Bashkimit Evropian dhe themeli i bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane. Për më tepër, demokracia është garancia e vetme që ne mund të jetojmë mirë në shtetin tonë, në Kosovën tonë. Që askush nuk do të na i shkel liritë dhe të drejtat, që askush nuk do të mund të na e ndalojë prosperitetin individual dhe kolektiv. Garanci që askush nuk do të na kthejë në komunizëm, apo të na çojë në fashizëm.  

Nuk dua që kjo të shkatërrohet. Për asnjë çmim. Kosova duhet të jetojë sa të ketë njerëz në të. Si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. Si shtet i konsoliduar, me sundim të ligjit, me Kushtetutë të pakontestuar nga asnjë grup etnik, fetar apo politik, me zhvillim ekonomik, me arsim modern, me sistem të zhvilluar shëndetësor, me identitet kulturor, me sport konkurrues në botë, me arkitekturë të re dhe me kushte shumë të mira jetese për të gjithë qytetarët.

Dua që Kosova, shteti im, të konkurrojë jo vetëm me rajonin, por edhe me vendet e zhvilluara evropiane. Madje, edhe studentët gjermanë apo francezë të aplikojnë për të studiuar në universitetet e Kosovës. Ku do të marrin dije dhe ku do të konkurrojnë me brezin e vet kudo nëpër botë. Dua që futbollistët italianë, gjermanë, brazilianë dhe argjentinas të vijnë për të luajtur në klubet profesionale të futbollit në Kosovë. Qoftë te Prishtina, te Trepça e Mitrovicës, Liria e Prizrenit apo Ballkani i Suharekës.  

Dua që Kosova, shteti im, të ketë përfaqësinë kryesore për rajonin tonë të prodhimit të BMW-së, të Mercedesit apo të Volvosë. Të jetë qendra rajonale e energjetikës dhe të prijë në listat për minierat e mineralet. Të arrijë nivelin më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për kokë banori dhe që këtu të punësohen me dhjetëra mijëra qytetarë të vendeve të tjera, qoftë të Botës së Tretë apo edhe të vendeve të zhvilluara. Që turizmi të jetë atraktiv për amerikanët e për evropianët. 

Ekzistenca e shtetit të Kosovës nuk rrezikon askënd. Nuk shkatërron asnjë lloj përkatësie. Nuk dëmton integrimet brendakombëtare. Nuk vë në mëdyshje të qenit shqiptar, për shembull. Por, e njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës me përkatësi tjetër kombëtare. 

Secili njeri ka identitet të shumëfishtë. Cilido prej identiteteve nuk duhet përdorur për të përçarë. Përkundrazi, njerëzit kanë shumë identitete të përbashkëta.

Një njeri mund të jetë në të njëjtën kohë shqiptar: shqiptar i Kosovës, dukagjinas, pejan, baranas, prishtinas, mashkull, katolik, luftëtar, profesor, bletar, baba dhe vëlla. Kjo nuk do të thotë se njëri prej identiteteve duhet t’i shkatërrojë të tjerët. Të gjitha këto shtresa të identitetit e përbëjnë një njeri.

Tekefundit, identiteti ka dy pjesë: si ndihesh vetë dhe si të shohin të tjerët. Mund të ndihesh mashkull, por të tjerët të të shohin si femër. Mund të ndihesh kosmopolitan, por të tjerët mund të të shohin si një provincialist të pandreqshëm.
Identiteti ynë kombëtar nuk është rrezikuar nga shteti i Kosovës. Përkundrazi, shteti i Kosovës forcon dukshëm edhe identitetin tonë kombëtar.

Nuk ka nevojë të mënjanosh përkatësinë kombëtare shqiptare, që të punosh për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Që të angazhohesh që në Kosovë të mos ketë korrupsion dhe krim të organizuar. Apo, që të kesh një plan konkret dhe të detajuar për të vendosur sundimin e ligjit në agjendë prioritare qeverisëse.

Nuk ka nevojë të mënjanosh përkatësinë kombëtare shqiptare, që të ndërtosh një Kosovë konkurruese me rajonin dhe me Evropën. Që të rinjtë e Kosovës të arsimohen mirë dhe të jenë më të përgatitur profesionalisht se brezi i tyre në Spanjë apo në Austri.
Prandaj, debatet që tentojnë të trajtojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës si rrezik për identitetin kombëtar shqiptar, janë artificiale, të pasakta dhe jozhvillimore. Janë edhe injorante. Synojnë të ndalojnë çdo përpjekje për dashurinë ndaj Kosovës, shtetit tonë. Pasojnë me mungesë angazhimi të sinqertë për të ndërtuar dhe për të konsoliduar vendin tonë, për të vendosur rend e ligj dhe lojalitet ndaj shtetit. Ndikojnë në thellimin e përçarjes, në kohën kur më së shumti na duhet tejkalimi i armiqësive ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike. 

Nuk janë tradhtarë ata që e duan shtetin e Kosovës. Ata që përpiqen ta fuqizojnë shtetin e Kosovës. Ta bëjnë shtetin më të mirë e më të zhvilluar në botë.

Nuk janë tradhtarë ata që luftojnë armiqtë e Kosovës. Që ndërtojnë argumentet politike për të zmbrapsur çfarëdo tentimi të Serbisë për shuarjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Mbi të gjitha, shteti i Kosovës ka nevojë për dashurinë e njerëzve për të. Për vullnetin që ta bëjmë shtetin ku të gjithë mund të jetojmë të lumtur. 



(“Zëri”, 13 dhjetor 2012)

Së shpejti.... TRANSIT

Së shpejti...
Libri

TRANSIT

Autor: Burim R. Ramadani

Recensent: Beqë Cufaj

Lektura dhe korrektura: Behxhet Haliti

Kopertina: Blerim Gjoci dhe Bujar Kabashi

Realizimi: Gani Halili

Botues: Zero Print

Shtypi: Dukagjini

Prishtinë, 2014





Kriza para syve

Kriza para syve


BURIM RAMADANI

Nuk mund të shkojë gjatë kështu. Diçka do të mund të ndryshojë. Njerëzit janë lodhur, qeveritarëve u është rritur lluksi, politikanëve në përgjithësi u janë rritur ambiciet. Duke qenë të dëshpruar në aspektin fiancaniar dhe për shkak të mungesës së perspektives, qytetari i Kosovës ka mbetur në mes të rrugës. I pashpresë!

Një situatë e tillë mund të komplikohet edhe më shumë. Mungesa e qeverisjes, kriza e kriëz, domosdoshmëria për qeverisje të vendosur dhe të përkushtuar, sikurse edhe ngërçi institucional që po ndodh herë pas here, mund të komplikohet edhe me procese tjera të mëdha e të rënda. Me këso zhvillimesh, institucionet e Kosovës duket se e kanë të papërballueshme mundësinë e funksionalitetit.

Kërkesa për zgjedhje të reja të shpejta parlamentare nuk është një çështje e ngushtë partiake. Është domosdoshmëri. Është e patejkalueshme. Në fakt, nuk ka opsion tjetër për të ndalur krizën përveç zgjedhjeve parlamentare. Përndryshe, Kosova bashkë me institucionet e saj qeverisëse dhe legjislativin do të mund të përshkallëzohet në një krizë shumë më të thellë dhe shumë më të komplikuar.

Në anën tjetër, qytetari i Kosovës përballet me lloj-lloj problemesh e vështirësish, të cilat dalin si pasojë e mungesës së qeverisjes. Gjatë javës së kaluar kemi parë një situatë jashtëzakonisht të rëndë rreth Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Ishte aq e keqe qasja rreth atyre zhvillimeve, sa që rrezikoheshin jetëra njerëzish për shkak të çështjeve dhe ambicieve politike. Normalisht se dihej qartë dhe pastër se e vetmja mundësi për të hapur rrugën për fillimin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara në UP ishte largimi i udhëhehësit të UP-së. Në fakt, rektori i dorëhequr Gashi nuk është përgjegjësi kryesor për krejt ato që kanë ndodhur ndër vite në UP. Por, sikurse thuhet në popull, “i kërciti në dorë situata” dhe nuk kishte zgjidhje tjetër përveç dorëheqjes.

Kjo, sikurse edhe shumë probleme tjera të jetës së përditshme, duket qartë se ka ngritur edhe më shumë nivelin e pakënaqësisë së qytetarëve të Kosovës. Sot kriza e madhe është para syve tanë. Kushdo që i mbyll sytë, nuk ka për t’i hapur normalisht! Kushdo që i ka hapur sytë, mund të gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Është e padiskutueshme nevoja për reflektimin personal, profesional dhe politik në këtë situatë. Edhe qeveritarët do të duhej që të paktën njëherë (pasi që nuk e kanë bërë deri më tash) të reflektojnë për gjendjen që gjendet vendi. Nuk e kanë shumicën në parlament dhe krejt çka po tentojnë të bëjnë aty është të bllokojnë nismat e opozitës. Kjo situatë nuk meriton shumë koment. E kanë nisur prej tash rrugën e bërjes së opozitës, anipse janë në pushtet.

Kjo strukturë politike në pushtet e ka vendin në opozitë për vitet e ardhshme. Nuk ka asnjë dilemë se Kosovës i nevojitet një ndryshim rrënjësor i mënyrës së qeverisjes. Nuk ka hapësirë politike për një qeverisje të këtillë. Tashmë, ndoshta më shumë se asnjëherë më parë, qeverisja në Kosovës duhet të ketë dy elemente tepër të dallueshme: vendosmërinë e padilemë dhe kreativitetin zhvillimor.

Kjo mundësohet me veprime të analizuara politike, porse domosdoshmërisht kërkon vullnetin për ndryshimin rrënjësor. Ky ndryshim po vjen! Kriza para syve tanë nuk guxon të injorohet. Mbyllja e syve në këto zhvillime negative mund të sjellë pasoja të padëshirueshme dhe të pamatshme. Nuk na duhen ato! Na duhen zgjedhjet!



Botuar në TRIBUNA, më 13 shkurt 2014, fq. 6

Agoni dhe dëshpërim

Agoni dhe dëshpërim


BURIM RAMADANI

Paqëndrueshmëri. 
Jostabilitet. 
Krizë e gjithëmbarshme.

Këto janë tri karakteristikat kryesore që përbëjnë situatën e sotme në Kosovë. Tri elementet thelbësore mbi të cilat duhet të ndërtohen politikat për të tejkaluar në hapin tjetër politik. Tre faktorët bazik përse duhet të zhvillohen zgjedhjet e shpejta dhe të menjëhershme për të nxjerr Kosovën nga një nivel jashtëzakonisht negativ të zhvillimeve.
I papjekur politik duhet të jesh dhe të mbyllësh sytë para një situate të tillë. Ndryshe është vështirë të shpjegohet.

I udhëhequr fort nga interesat personale ose grupore duhet të jesh dhe të sillesh sikurse gjithçka duhet të ndodh përmes një rutine normale, e cila karakterizohet me rrjedha të rregullta dhe të pangutshme.
I lidhur fuqishëm me përfitime të caktuara duhet të jesh dhe të barrikadohesh për të mbajtur pushtetin edhe pse ke humbur shumicën mbështetëse.

Barrikadimi në situata të këtilla të rënda dhe të pashpresa definitivisht mund të prodhojë situata të rënda dhe të paparashikuara qartë. Qytetarët e Kosovës në ditët e sotme janë aq të dëshpëruar saqë reagimi i tyre nuk mund të parashikohet me saktësi.

Mjafton të shpërthejë një rast i caktuar dhe të mobilizohet pothuajse e tërë kategoria e njerëzve të dëshpëruar rëndë me ngecjet e gjithëmbarshme. Askush nuk besoj se duhet të jetë i sigurt se situatat që mund të vijnë në të ardhmen e afërt mund të jetë krejtësisht të rregullta.

Ky do të duhej të merrej edhe si alarm për institucionet shtetërore, por mbi të gjitha për partitë politike, të cilat e kanë për obligim gjetjen e zgjidhjeve progresive dhe zhvillimore. Nuk duhet të anashkalohet pakënaqësia enrome që karakterizon sot qytetarët e Kosovës. Nuk mund të injorohen sinjalet, për mua, shumë të qarta për nivelin tejet të lartë të pakënaqësisë dhe dëshprimit të përgjithshëm që ka kapluar qytetarët e Kosovës.

Të rritur të situata emergjente dhe kriza të njëpasnjëshme për dekada me radhë, qytetarët e Kosovës e kanë dëshmura jo vetëm një herë se mund të reagojnë në mënyrë të pakontrolluar në situata të caktuara si pasojë e dëshpërimit në gjendje të caktuara. Të gjithë na kujtohet marsi i vitit 2004, që ka paraqitur një reagim të pakontrolluar të njerëzve nëpër Kosovë si pasojë e ngërçit politik që kishte kapur Kosovën. Dëshpërimi në atë kohë ishte i përmasave të mëdha, sikurse edhe fakti se politika kosovare nuk mund të gjente një rrugë normale për të kanalizuar pritjet dhe aspiratat e popullit të Kosovës.

Situata të tilla apo të ngjashme kanë ndodhur edhe në vitin 2007, kur të paktën dy qytetarë të Kosovës u vranë në sheshin “Nënë Tereza”, pavarësisht se për këtë ka pasur dhe ende ka spjegime të ndryshme politike.

Nuk duhet injoruar këto fakte dhe nuk duhet injoruar faktorët e rëndësishëm: dëshpërimin dhe pakënaqësinë. Në rrethana të këtilla, të krijuar edhe së voni, institucionet qeveritare dhe partitë politike e kanë për obligim qytetar, kombëtar dhe njerëzor të gjejnë zgjidhjet më të mira dhe zgjidhjet për efektive. Barrikadimi në interesa të ngushta personale, grupore apo partiake nuk është zgjidhja. Në fakt, vetëm sa e rëndon situatën e përgjithshme politike dhe shoqërore.

Sot është e qartë se institucionet e Kosovës janë të degraduara në nivelet më të ulëta që ka ndodhur ndonjëherë.

Sot është e qartë se Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend, prandaj ka humbur çfarëdo argumenti se mund dhe duhet të vazhdojë.

Sot është e qartë se zgjedhjet e shpejta dhe të menjëhershme do të drejtojnë energjitë e qytetarëve drejt ndryshimit të gjendjes përmes procesit zgjedhor, e jo përmes mënyrave tjera.

 Botuar në TRIBUNA, 20 shkurt 2014, fq. 6