Thursday, May 15, 2014

Pa kompromis ndaj të keqes

Pa kompromis ndaj të keqes



BURIM RAMADANI

Asnjë zyrtar nuk duhet të mbetet në pozitë nëse ndaj tij apo saj fillojnë hetimet. Pavarësisht se në cilin nivel është ai apo ajo. Duhet ndalur logjika e qeverisë së deritashme. Duhet të ndërtojmë shtet ligjor, bazuar në vlerat, standardet dhe praktikat evropiane. Zbatimi i ligjit nuk duhet të bazohet mbi emrat dhe mbiemrat konkretë, as rreth ndikimit të pushtetarëve. Shteti ligjor nuk dorëzohet para shkelësve të ligjit, të korruptuarve dhe kriminelëve.

Korrupsioni, që ka kapluar sistemin e qeverisjes në Kosovë, mund të luftohet vetëm nga njerëzit me duar të pastra, me dije, vullnet, guxim dhe vendosmëri. Tenderomania duhet të marrë fund. Prokurimi publik është kthyer në një mundësi të madhe të keqpërdorimit dhe korrupsionit, prandaj duhet të shtrihet në të gjitha nivelet prokurimin elektronik (online). Deri atëherë, duhet të shtohet transparencën në të gjitha nivelet vendimmarrëse dhe shpenzuese të buxhetit të Kosovës, edhe përmes pjesëmarrjes së medieve dhe shoqërisë civile në procesin e prokurimit publik në të gjitha nivelet. Kosova duhet të jetë modeli i luftimit të korrupsionit për rajonin.

Shteti ligjor ka mbetur vetëm një synim i qytetarëve të Kosovës. Respektimi i vendimeve gjyqësore, barazia para ligjit, pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe funksionaliteti kushtetues i institucioneve udhëheqëse mbeten jashtëzakonisht larg standardeve evropiane. Si pasojë e kësaj logjike udhëheqëse, në Kosovë, gjatë këtyre viteve, është vendosur sundimi i korrupsionit dhe jo sundimi i ligjit. Abuzimi me pushtetin, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, keqmenaxhimi financiar, nepotizmi dhe klientelizmi janë kthyer në metodat e vetme të udhëheqjes së kësaj qeverisjeje në të gjitha nivelet.

Synim i pakompromis yni duhet të jetë funksionalizimi i plotë i prokurorisë, fuqizimi i prokurorisë speciale dhe krijimi i kushteve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të fuqizohen agjencitë e pavarura kundër korrupsionit dhe duhet të përmirësohen kushtet ligjore, infrastruktura dhe buxheti për këta mekanizma.

Kosova duhet të jetë prijëse në iniciativat rajonale në luftën kundër krimit të organizuar. Duhet rritur buxheti për të ardhurat e punëtorëve dhe të profesionistëve brenda mekanizmave të zbatimit të ligjit. Duhet investuar fuqishëm në pajisjet teknike profesionale të nevojshme, në mënyrë që shteti i Kosovës të jetë plotësisht veprues me fuqinë e tij ndaj çfarëdo grupi kriminal brenda apo jashtë vendit.

Kosova duhet të mbërrijë nivelin e qeverisjes ku: 
1) Sundimi i Ligjit është bazë për zhvillim; 
2) Korrupsioni dhe krimi i organizuar luftohen pa kompromis; 
3) Policia e Kosovës është lidere në rajon; 
4) Qytetarët janë të sigurt për jetën dhe pronën; 
5) Fëmijët nuk frikësohen që të shkojnë në shkollë; 
6) Drogat nuk prodhohen dhe nuk sillen nëpër Kosovë; 
7) Afaristët nuk frikësohen nga grupet kriminale; 
8) Siguria në trafik rritet maksimalisht; 
9) Emergjencat nuk vonojnë në raste të fatkeqësive; 
10) Armët ilegale hiqen nga duart e qytetarëve.
Të gjitha këto janë jashtëzakonisht elementare për jetën e mirë të qytetarit dhe të popullit. Për këto duhet angazhim i pandalshëm i qeverisjes së mirë, efektive dhe me duar të pastra. Nuk guxojmë të hamendësohemi në rrugën e Kosovës përpara. Askush nuk ka të drejtë t’i humb Kosovës edhe katër vjet të tëra, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre shtatë vjetëve të kaluara.
Shumë kohë ka shkuar huq. Me gabime të mëdha, me drejtim të keq të Kosovës. Guximi për veprim energjik dhe me vendosmëri është përcaktues për periudhën e ardhshme. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës gjatë këtyre viteve mund të riparohet vetëm dhe vetëm me vendime të mëdha, të fuqishme, të vendosura dhe të pastra.
Kështu mund të bëjmë shtetin funksional. Assesi ndryshe.


Botuar në gazetën Tribuna, më 15 maj 2014, fq. 6