Wednesday, September 19, 2007

Lufta e nënkryetarëve

Loja pa fitues

Lufta e nënkryetarëve

Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit 2007 do të karakterizohet nga fuqia dhe ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në duar dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash

Shkruan: Burim Ramadani

I
A mund të imagjinoni se si do të duket fushata zgjedhore nëse përfundimisht vendoset që zgjedhjet qendrore dhe lokale të mbahen në këtë fundnëntor? Ndoshta vendimi për çështjen e zgjedhjeve do të merret së shpejti, por sidoqoftë mbetet krejtësisht e pakuptimtë një fushatë për kërkimin e votave të qytetarëve nga partitë apo subjektet politike të cilat as nuk kanë filluar përgatitjet për hartimin e strategjive të tyre elektorale. Tre muaj para se të dalin para kutive të votimit (nëse zgjedhjet mbahen), qytetarët kosovarë ose votuesit potencialë nuk kanë idenë se çka po ndodh dhe çka ofrojnë subjektet politike kryesore të vendit. Partitë kryesore të vendit janë bërë pothuaj të njëjta në organizim, funksionim, dinamikë dhe ruajtje të status kuos së brendshme. Për të qenë korrekt, disa lëvizje krejtësisht të margjinalizuara duken më të ndryshme se subjektet tjera politike, porse shtrirja e tyre në vota është dhe mbetet mëse e ngushtë. Megjithatë, shqetësimet e deritashme të paraqitura sa i përket unitetit politik kosovar duket se mund të zvogëlohen – nënkryetarët e partive politike do të marrin fushatën në duar.

II
Ashpërsia e debateve që karakterizojnë normalisht fushatat zgjedhore në vendet me orientim demokratik ka një koncept dhe bazë programore, megjithëse nuk mungojnë edhe aspektet personale. Në Kosovë, fatkeqësisht, koncepti dhe programi pothuaj nuk ekzistojnë. E vetmja gjë që mbetet për t’u futur në debatet e fushatës është aspekti personal i elitave. Edhe këtë vit do të dëgjojmë e shohim qëndrime dhe qasje të njëjta sikurse në katër palë zgjedhjet e deritashme. Niveli i debatit thuaja se nuk do të lëvizë nga vendi krahasuar me tre vjet më parë, kur partitë politike kryesore të vendit dolën nga bashkëqeverisja e shterpët për të krijuar një raport të ri të forcave në Kuvend. Një ndryshim i prekshëm në këtë fushatë është roli i nënkryetarëve dhe grupeve që do t’i mbështesin. Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit do të karakterizohet nga fuqia e ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në dorë dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash.

III
Aktivitetet do të mbeten në supet e nënkryetarëve, por rreth tyre sivjet do të shohim të moderuarit. Dorën në zemër, do të mund të jemi dëshmitarë të debateve interesante midis dyshave që më pak ose më shumë janë njësha të partive. Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, do të ketë përballë homologun e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fatmir Limajn. Të dy figurat njihen për ashpërsi politike. Derisa shefat do të përmbahet deri në një masë në mënyrë që të ruhet uniteti aq i nevojshëm politik dhe qytetar i Kosovës, nënkryetarët do të mbështeten nga ata që shihen në opinion si më të moderuar. Eqrem Kryeziu mund të llogaris në Nekibe Kelmendin, Fadil Feratin dhe Ramë Manajn, ndërsa Fatmir Limaj mund të llogaris në Hajredin Kuçin, Bajram Rexhepin e Enver Hoxhajn. Pavarësisht nëse paraqiten bashkë apo jo në fushatë zgjedhore, këto personalitete do të mbajnë barrën kryesore për të folur në emër të partisë përkatëse. Do të vërehet një fanatizëm i theksuar këtyre zyrtarëve ndaj partive politike, edhe pse njihen si më të moderuarit.

IV
Asnjëherë në historinë e varfër të demokracisë kosovare nuk ka pasur zgjedhje më të parëndësishme në kuptimin e interesit të qytetarëve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se ndryshimet që mund të ndodhin në raportin e forcave në institucionet vendore nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në jetën e qytetarit të thjeshtë. Po ashtu, nuk do të ketë pothuaj kurrfarë ndikimi as në procesin për pavarësimin e vendit. Tek e fundit, edhe vetë shefi i Ekipit Negociator do të mbetet i njëjti, duke pasur parasysh dispozitat e Kornizës Kushtetuese dhe parashikimet për rezultatet e zgjedhjeve. Nëse flasim nga prizmi i përbërjes së negociatorëve, mund të vërejmë se fushata mjaft shumë do të udhëhiqet nga njerëzit që kanë marrë pjesë në takimet e Vjenës. Kjo fuqizon qëndrimin e partitë kosovare nuk kanë kapacitete për të zhvilluar dy procese në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, me këto zgjedhjeve, koalicionet nuk janë të paparashikueshme, porse ndarja e posteve kryesore të institucioneve varet në masë të madhe nga përqindja e votave që marrin partitë. Nënkryetarët me bollëk të partive do të mbeten përsëri pjesa më e fuqishme e tyre.

Botuar në “Zëri” më 20 gusht 2007, fq. 8

Monday, August 13, 2007

Shterpësimi ndikues i procesit

Loja pa fitues

Shterpësimi ndikues i procesit

Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shterpësia politike dhe e kësaj faze të angazhimeve shtesë për gjetjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës nuk do ndonjë profeci duke u nisur nga fakti për pozicionet e palëkundura të palëve në konflikt. Qëndrimet e tyre mbeten të qarta dhe diametralisht të kundërta sa i përket vetë substancës apo statusit. Ndërsa, në të njëjtën kohë ekziston një kundërshtim i hapur midis dy fuqive më të mëdha në politikën ndërkombëtare, derisa qëndrimet e vendeve tjera, më shumë apo më pak dhe me pak përjashtime, variojnë dhe kryesisht sa i përket asaj se cilën rrugë duhet ndjekur për vendosjen dhe implementimin e zgjidhjes. Sidoqoftë, relacionet në politikën ndërkombëtare pamundësuan që gjatë verës së këtij viti Kosova të legalizojë pavarësinë e vet faktike, ndërsa fati i kësaj dhe çfarëdo ideje tjetër për procesin e statusit do të çojë në krijimin e një shteti të ri në Ballkan. Janë tri realitete të cilat tashmë më shumë se kurrë kanë ndikim të perceptueshëm dhe real mbi rrugën e shtetësisë. Në të tri këto nivele çështja kosovare ka nivelin e lartë të vëmendjes, edhe në nivelin ndërkomëbëtar, rajonal dhe vendor.

II
Shtyrja e legalizimit të realitetit politik dhe shoqëror në Kosovë, përkatësisht pavarësimit, nuk ka kontribuar në politikat e sigurisë dhe në gjendjen e sigurisë në përgjithësi. Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Angazhimet e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sjelljen dhe zhvillimin e paqes në pjesë të ndryshme të botës duhet kuptuar si një përpjekje e përkushtuar e administratës amerikane për krijimin e ambientit paqësor, prosperues dhe bashkëpunues në gjithë botën përmes përhapjes së demokracisë si sistem që është dëshmuar të ketë shmangur konflikte dhe luftëra midis shteteve. Në anën tjetër, angazhimet e Federatës Ruse, megjithëse mund të thuhet se nuk kanë qëllime plotësisht të kundërta ndaj kësaj, kryesisht fokusohen në ruajtjen e gjendjes së këtillë çfarë është sot në shumë vende apo regjione konfliktuoze në të gjitha pjesët e botës. E ballafaquar me një ekspanzion veprimesh amerikane, Rusia pretendon të ndikojë në mosndryshimin e gjendjes ekzistuese në disa vende të ndryshme të botës.

III
Shqiptarët të ndarë në mënyrë të pavullnetshme para rreth një shekulli, pa ndonjë rrahagjoksje tashmë kanë pozicionin më të mirë që kanë pasur ndonjëherë gjatë këtij qindvjeçari. Faktori shqiptar në Ballkan dhe rrjedhimisht në Evropë është kthyer në një faktor të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm stabiliteti, pa përkushtimin e të cilëve rajoni nuk do të arrinte qetësinë e shumëpritur. Pavarësimi i Kosovës krijon një realitet tjetër dhe kjo do të thotë fuqizon në shkallë shumë më të lartë rëndësinë e një kombi që është pothuaj i vetëm krejtësisht i dallueshëm nga të gjitha kombet tjera përrreth. Zhvillimi i partneritetit kosovaro-shqiptar në të gjitha fushat e jetës është një element që do të ndihmojë në ndryshimin e relacioneve dhe konstilacioneve në Ballkan. Ky në fakt është edhe shqetësimi më i madh i shumë vendeve fqinje. Madje, njerëz të këtyre vendeve e mendojnë dhe e thonë këtë privatisht. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë.

IV
Shpërfillja që Rusia i bën përpjekjeve ndërkombëtare për realizimin e zgjidhjes së vetme për Kosovës, pavarësisë së saj, nuk janë paqëllimta dhe si të tilla janë në bashkëpunim intelegjent me Beogradin. Gjendja në terren nuk do të duhej të goditej nga lëkundjet nxitëse që mund të vijnë nga faktorë dhe aktorë të ndryshëm nga brenda apo jashtë Kosove. Veprimet e mundshme brenda Kosovës që kanë për qëllim destabilizimin, duhet të kenë përgjigjje të qartë dhe të prerë të shumicës shqiptare. Kosova nuk është në pozicion të përshtatshëm politik gjatë këtyre negociatave apo angazhimeve shtesë, prandaj rrjedhimisht veprime të pamatura kanë ndikim në përkeqësimin e imazhit të Prishtinës në këtë proces. Një gjë nuk duhet vënë në dyshim se kthim mbrapa nën autoritetin e Beogradit, zgjidhje kundër vullnetit të popullit apo thënë më shkurt çdo gjë nën pavarësinë e Kosovës është e papranueshme, e parealizueshme dhe dhunërezultuese. Prishtina zyrtare dhe populli i Kosovës e kanë bërë këtë të qartë, sikurse edhe përkushtimin e tyre në procesin ndërkombëtar të pavarësisë.

Botuar në “Zëri” më 13 gusht 2007, fq. 11

Sunday, August 5, 2007

Ideja serbe për Hong-Kongizim

Loja pa fitues

Ideja serbe për Hong-Kongizim

Serbia ka kaluar në një fazë tjetër të politikës “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Tashmë ka marrë si shembull regjionin juglindor të Kinës për ta aplikuar për Kosovën. Kjo do të thotë “Hong-Kongizim i Kosovës”, i cili megjithëse argumentet kundër duhet parë si rrezik potencial gjatë 120 ditëve të ardhshme

Shkruan: Burim Ramadani

I
Rrallëherë në historinë kombëtare, shqiptarët kanë vepruar në baza të një politike qartësisht të shkruar, në rend të parë, për veten e tyre dhe më pas për të tjerët. Porse, pothuajse tërë kohën janë ballafaquar me politikë agresore të fqinjve të bazuar dhe duke respektuar aktet, rezolutat, memorandumet e politikat e përcaktuar për vite të tëra. Propozimi i fundit për një shkallë edhe më të gjerë të autonomisë për Kosovës, që doli ditë më parë nga ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, si ‘një hap më tujtje të Serbisë në kontributin e saj për arritjen e kompromisit me shqiptarët e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare’ nuk është asgjë tjetër pos një vazhdimësi e politikës serbe e bazuar tashmë në dokumentet prijëse të tyre për të ruajtur integritetin territorial serb dhe gjetur zgjidhjen në kuadër të Rezolutës 1244/99. Përmes këtij propozimi, Serbia ka kaluar në një fazë tjetër të politikës “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”. Tashmë ka marrë si shembull regjionin juglindor të Kinës për ta aplikuar për Kosovën. Kjo në një fjali të thjeshtë do të thotë “Hong-Kongizimi i Kosovës”, i cili duhet parë si rrezik potencial.

II
Regjioni Special Administrativ i Repulikës Popullore të Kinës, i njohur si Hong Kong, është një prej dy regjioneve speciale administrative të RP të Kinës, së bashku me Macaun. Hong Kongu ka qenë territor në varësi të Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 1842 deri në transferimin e sovranitetit të tij në Republikën Popullore të Kinës më 1 korrik të vitit 1997. Deklarata e Përbashkët Sino-Britanike të vitit 1984 dhe Ligji Themeltar i Hong Kongut sanksionojnë realitetin se Hong Kongu mund të veprojë në një shkallë të lartë të autonomisë deri në vitin 2047, përkatësisht për 50 vjet pas datës së transferimit që është bërë nga Mbretëria e Bashkuar në RP të Kinës. Nën politikën “një vend, dy sisteme”, qeveria qendrore e RP të Kinës është përgjegjëse për mbrojtjen e territorit dhe punët e jashtme, derisa Hong Kongu ruan sistemin e tij juridik, forcën policore, sistemin monetar, politikën doganore, politikën e imigrimit dhe përfaqësimin në organizatat dhe ngjarjet ndërkombëtare si “Hong Kong, Kina”. Ky Regjion ka raporte të mira me SHBA-të dhe merrë pjesë në mes tjerash edhe në luftën kundër terrorizmit.

III
Relacioni që Serbia mundohet të bëjë në politikën e saj mes Hong Kongut dhe Kosovës tashmë është mjaft lehtë i kuptueshëm dhe i vërejtshëm. Ministri i ri i jashtëm serb, një 32 vjeçar i shkolluar në Cambridge dhe Harvard, duket se përfaqëson fazën tjetër të strategjisë shtetërore serbe sa i përket statusit të Kosovës. Megjithëse të gjitha argumentet legale që Kosova mund të përdorë në tavolinë kundrështojnë idenë e re serbe, Hong-Kongizimi i vendit tonë tashmë po futet si pozicion i ri i Serbisë në negociatat shtesë 120 ditëshe. Derisa kjo datë e negociatave duket se do të kalojë shpejt dhe pa ndonjë rezultat të arritur mes dy palëve, bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se pozicioni i ri serb nuk është asgjë më shumë se një mjet për të minuar zhvillimin e demokracisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Prishtina nuk duhet lëvizur nga pozicioni që ka tash, sikurse që nuk duhet lëvizur as Perëndimi i udhëhequr nga SHBA-të. Realizimi i fjalisë së thënë në Tiranë nga presidenti Bush duhet të jetë përfundim real i këtij procesi nëse KS i OKB-së është i pafuqishëm për të vendosur.

IV
Radikalisht të ndryshme janë rrethanat, historia, përbërja e popullatës, e vërteta, mitet dhe realiteti i Kosovës në krahasim me Hong Kongun. Kosova është rast sui generis dhe si i tillë është pranuar të jetë edhe nga shumica e udhëheqësve të bashkësisë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Vendi ynë duhet të ketë zgjidhje unike dhe nuk duhet të merren shembujt e zgjidhjeve apo gjysmëzgjidhjeve në vendet tjera qoftë në rajon, Evropë apo edhe Kinë. Sidoqoftë, garancitë e Perëndimit dhe sidomos të SHBA-ve për mosndryshim të agjendës së paraparë për pavarësimin e Kosovës duhet të jenë temë e diskutimit bazik mes Prishtinës dhe udhëheqësve ndërkombëtarë. Kosova po hyn në fazën e negociatave shtesë e bazuar në Planin e presidentit Marti Ahtisaari, prandaj kundërshtimi ndaj ndryshimeve eventuale të këtij Plani duhet të jetë i fuqishëm. Duhet pranuar se ruajtja e Planit të Ahtisaarit, në formën që është propozuar nga ai, është një detyrë e vështirë për palën kosovare dhe se kërkon vendosmëri nga Perëndimi dhe SHBA-të. Ndryshimet mund të kenë pasoja, ndërsa pozicioni ynë është i papërshtatshëm.

Botuar në “Zëri” më 09 gusht 2007, fq. 12

Sunday, July 29, 2007

Strategjia e datave

Loja pa fitues

Strategjia e datave

Vendosja e afatit përfundimtar të pritjes për pavarësimin e vendit do të duhej të jetë në koordinim të plotë me SHBA-të dhe të paktën me disa vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Rreziku i veprimit të pambështetur është presioni për tërheqjen e këtij afati, gjë që do të ishte humbje definitive e brendshme dhe e jashtme e kredibilitetit politik të Prishtinës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Të caktosh apo të mos caktosh data për afatin përfundimtar të pritjes për deklarimin e pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës tashmë është kthyer në një mundim truri të elitës politike kosovare. Pritja për pavarësimin e vendit është bërë një ‘vlerë’ e shoqërisë dhe politikës vendore, ndërsa kjo në parim nuk do të duhej të na shoqëronte më tutje. Ekzistojnë dy qajse të cilat mundohen të japin përgjigjjen për pozicionin e Prishtinës zyrtare ndaj kësaj çështjeje. Pra, kemi të bëjmë me qasjen për mos përcaktim të datës në mënyrë që kjo të mos kuptohet si shantazh ndaj bashkësisë ndërkombëtare, dhe qajsa tjetër për përcaktimin e kësaj date në mënyrë që t’i bëhet e qartë të gjitha palëve se Kosova nuk mund të pres deri në infinit për përmbushjen e vullnetit të popullit. Sidoqoftë, janë shumë pikëpyetje rreth dy qasjeve që tashmë kanë marrë hov dhe që sigurisht do të prezantohen edhe në seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës, kur deputetët së bashku me Ekipin e Unitetit do të diskutojnë për procesin e statusit.

II
Tatëpjeta e fazës së fundit të pavarësimit të Kosovës përmes procesit ndërkombëtar të bazuar në negociatat në Vjenë duket se nuk do të ketë mundësi të ndalet përmes Këshillit të Sigurimit. Kjo ka ngritur dilemën e nevojës së besimit nga ana e kosovarëve në këtë proces. Kështu do të mund të përshkruhej në një mënyrë të thjeshtë proprozimet dhe angazhimet për caktimn e një date për deklarimin e shtetësisë. Pa dyshim se kjo qasje ka bazë dhe frustrimi i politikanëve të caktuar nuk është i papritur. Kur procesi kishte filluar shumë muaj më parë, rrugët alternative dukeshin se janë të panevojshme dhe besimi në procesin ndërkombëtar ishte i nivelit tejet të lartë. Porse, komplikimet e muajve të fundit janë aq të mëdha sa vështirë se dikush do të mund të mendonte se rruga përmes Këshillit të Sigurimit derisa në të njëjtën kohë procedimi në rrugë alternative duket të mos jetë afër. Kush më beson se ndoshta mund të ketë sukses rikthimi i çështjes së Kosovës në Këshill të Sigurimit? Prandaj, përcaktimi i datës do të pamundësonte këtë.

III
Tërësisht mbi një pamje të ndryshme formulohet qasja tjetër dhe pritjet e saj janë të bazuara më shumë në fuqinë reale të Kosovës. Përcaktimi i datave këtu shihet si shantazhim i pavend i bashkësisë ndërkombëtare dhe pikësëpari vendit më miqësor të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendosja e afatit përfundimtar të pritjes për deklarimin e pavarësisë së vendit do të duhej të jetë në koordinim të plotë dhe të fuqishëm me SHBA-të dhe të paktën me disa vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Përndryshe, çdo lëvizje e njëanshme e kosovarëve në këtë drejtim do të mund të kthehet në mossukses dhe, çka është më e keqja, do të mund të përballet me presionin për të tërhequr paralajmërimin e dhënë. Dhe, kjo në fakt do të shkaktonte humbjen definitive të brendshme e të jashtnme të kredibilitetit të politikës kosovare, edhe ashtu të dëmtuar imazhi për shkak të pafuqisë së ndikimin në komplikimet e procesit. Strategjia e pavarësimit mbetet përmes bashkëpunimit të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.

IV
Tema e strategjisë kosovare për arritjen e pavarësisë së vendit jo rrallë herë është diskutuar në qarqe të ndryshme, pose ajo pothuaj asnjëherë nuk ka marrë përgjigjje të saktë, të qartë dhe koncize. Pa një strategji të shkruar dhe të detajuar, Prishtina zyrtare është ballafaquar me debate në publik rreth ekzistimit apo mosekzistimit të alternativave. Strategjistët pohojnë se janë tri shtylla që mundësojnë hartimin e strategjisë kombëtare dhe ato kanë të bëjnë me objektivin, mënyrat dhe mjetet. Në bazë të kësaj, dy shtyllat e para të strategjisë për arritjen e pavarësisë së Kosovës janë të qarta, mirëpo duhet detajuar shtyllën e tretë. Objektivi është i qartë – pavarësia, mënyra është e qartë – në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. Porse, mjetet mbetet të detajohen, nëse ato nuk janë detajuar ende. Mjetet në prizmin e strategjistëve përfshijnë të gjitha lëvizjet, elemtetet dhe instrumentet që duhet të përdoren në mënyrën e përcaktuar për të arritur qëllimin. Qartësimi i kësaj shtylle është i domosdoshëm për ne.

Botuar në “Zëri” më 30 korrik 2007, fq. 11

Sunday, July 22, 2007

Konstruktivë në bisedime të panevojshme

Loja pa fitues

Konstruktivë në bisedime të panevojshme

Vazhdimi i bisedimeve nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit nuk do të ketë ndonjë vlerë praktike në kuptimin e gjetjes së ndonjë zgjidhje të përbashkët. Katër muajt e paraparë për bisedime do të mund të kalohet krejt kot. Qëllimi duhet të arrihet dhe duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet legjitime, prandaj Prishtina duhet të vazhdojë konstruktivitetin, pavarësisht se në bisedime të panevojshme

Shkruan: Burim Ramadani


I
Dështimi i Këshillit të Sigurimit për të nxjerrë një Rezolutë mbi hapjen e rrugës për pavarësinë e Kosovës ka shfaqur më së miri raportin ekzistues të forcave në sistemin e tashëm ndërkombëtar. Federata Ruse me fanatizëm të prerë dhe tipik sllav, edhe njëherë i ka mbyllur derën Kosovën për t’iu bashkuar në mënyrë të pakontestueshme familjes së shteteve botërore. Perëndimi, ndërkaq, megjithëse ka vazhduar përpjekjet dhe angazhimet serioze për të pavarësuar Kosovën përmes Këshillit të Sigurimit, është gjetur të jetë jo gjithaq unik sa i përket rrugëve tjera të veprimit, përkatësisht asaj që tashmë është bërë zakon të cilësohet si ‘shpallje dhe njohje e njëanshme e pavarësisë’ së Kosovës. Megjithëse si term nuk do të duhej të futet në fjalorin politik, të paktën në atë të politikës kosovare, ‘shpallja e njëanshme’ tashmë duket se ka filluar të merr formën dhe përcaktueshmërinë. Pavarësimi i Kosovës jashtë rrugës së Këshillit të Sigurimit do të jetë një sfidë për sigurinë në terren dhe për këtë institucionet kompetente duhet të përgatiten.

II
Delegacioni kosovar që ka marrë pjesë në bisedimet e deritashme nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari në fakt e ka kryer punën. Me një qasje të qartë, të konceptueshme mbi baza qytetare dhe kozmopolitane, të liruar nga ndjenja nacionaliste, të udhëhequr nga toleranca e jo nga urrejtja, Prishtina ka bërë të gjithën për t’i dhënë një fund të suksesshëm procesit. Nuk ka dyshim se qasja që Prishtina ka pasur në këto bisedime mund të debatohet nëse ka qenë e qëlluara, porse ajo që është parë është fakti se Prishtina ka qenë lineare në bisedimet e Vjenës. Dikush do të mund të argumentonte se një qasje më nacionaliste (dhe më reale e mbështetur në proporcionin e popullsisë) mund të ketë qenë më e efektshme pavarësisht riskut që do të mund të bartte me vete. Sidoqoftë, këto mbeten të debatohen në mesin e studiusëve nëse ata shohin si interes akademik punën në këtë fushë. Realiteti është se Prishtina ka qenë e përkushtuar dhe në fund të fundit ka ditur se çka po ofron në Vjenë, ndërsa kjo nuk është personale për pjesëmarrësit aty.

III
Deri më tash, Grupi i Kontaktit ka qenë pjesë aktive e procesit, sidomos në kohën para dhe gajtë bisedimeve në Vjenë. Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit të vendosura disa muaj para fillimit të bisedimeve janë elementet që kërkojnë mbrojtjen më fanatike nga ana e Kosovës, sikurse edhe garantimin nga bashkësia ndërkombëtare. Serbia pa dyshim është e interesuar për thyerjen e këtyre parimeve dhe kjo do të mund të shihet në fundin real të procesit. Vazhdimi i bisedimeve nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit nuk do të ketë ndonjë vlerë praktike në kuptimin e gjetjes së ndonjë zgjidhje të përbashkët. Katër muajt e paraparë për bisedime do të mund të kalohet krejt kot, ndërsa fundi i këtyre muajve do të duhej të nënkuptonte pavarësimin e menjëhershëm. Kosova nuk ka nevojë të merr pjesë në këto bisedime dhe as në ndonjë konferencë të tipit të Rambujesë në fund të këtyre muajve. Porse, qëllimi duhet të arrihet dhe për këtë duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme legjitime, prandaj Prishtina duhet të vazhdojë konstruktivitetin.

IV
Dominimi i logjikës së këtillë sikurse edhe tash në sistemin ndërkombëtar ka qenë thuaja shkaku kryesor i tekstit të një dokumenti tashmë famoz për aspektin politik dhe juridik të Kosovës, Rezolutën 1244/99. Raporti i forcave në qershor të vitit 1999 pati dhënë si rezultat një rezolutë të tillë, e cila për muse tetë vjet është alfa dhe omega jurídico-politike e Kosovës, është në fakt kushtetuta e vendit ose dikush e quan edhe si Rregullat e Sjelljes. Telashet që politika kosovare i ka gjetur gjatë ballafaqimit me këtë Rezolutë nuk kanë qenë të pakëta dhe kanë shkuar deri atje kur shefi i UNMIK-ut brenda pak minutash ka hedhur poshtë një Rezolutë të Kuvendit të Kosovës, organit përfaqësues të popullit. Problemi që mund të shfaqet në një Rezolutë tjetër mund të jetë pothuaj i ngjashëm dhe kjo nuk do të kontribuonte në situatën e pas-statusit. E tëra që duhet të ndodh, qoftë me apo pa Këshill të Sigurimit, është qartësia e statusit të ardhshëm të vendit dhe e përfundimit të procesit. Duhet ta dimë ku jemi dhe çfarë po bëjmë.

Botuar në “Zëri” më 23 korrik 2007, fq. 14

Sunday, July 15, 2007

Ndarja e Kosovës kthen Ballkanin në krizë

Loja pa fitues

Ndarja e Kosovës kthen Ballkanin në krizë

Preferenca e vjetër serbe në fakt është rifillim i problemeve dhe destabilizimit në Ballkan, është hapje e një procesi për ridefinimin e kufijve në regjion, madje edhe vënien në pikëpyetje të ekzistencës së një shteti tonë fqinj. Ndarja është opsioni që fare nuk i duhet jo vetëm Kosovës, por tërë Ballkanit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Opsioni i vjetër i preferuar për Serbinë tashmë vërehet se po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në media dhe analiza të ndryshme ndërkombëtare. Porse, ndarja e Kosovës, për shkak të mos arritjes së zgjidhjes që kënaq të dy palët duke i ruajtur kufijtë e Kosovës, nuk është zgjidhje. Ajo në fakt është rifillimi i problemeve dhe destabilizimit në Ballkan, është hapje e një procesi për ridefinimin e kufijve në regjion dhe madje edhe vënien në pikëpyetje të ekzistencës së një shteti tonë fqinj. Shqiptarët në Ballkan gjatë dekadave të fundit janë përballur me dhunë shtetërore në tri vende brenda ish-Jugosllavisë, derisa në një Republikë tjetër kanë qenë rrethana tjera. Janë bërë tri luftëra të shqiptarëve, Kosova, lugina e Preshevës dhe Maqedonia. Të gjitha këto kanë pasur arsye dhe motive të brendshme, për shkak të bërjes së jetës së pamundur për shqiptarët nga terrori shtetëror i këtyre dy republikave. Ato nuk kanë pasur bazë në ndonjë projekt nacionalist, gjë që ndoshta mund ta dëshmohet se nuk ka qenë gjithaq e qëlluar.

II
Orientimi i shqiptarëve në Ballkan asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë destabilizimi apo politikat shoveniste. Porse, e kundërta ka qenë përgjigjja e fqinjëve sllavë në ish-Jugosllavi. Shpërbërja e dhunshme e shtetit jugosllav ka treguar se Kosova ka qenë e vetmja njësi e federatës që ka tentuar dhe është angazhuar që të mos kontribuojë në valën e tmerrshme të dhunës. Për rreth tetë vjet lëvizja paqësore në dhe për Kosovën u përball me nevojën e luftës, si mjet i domosdoshëm për çlirimin e vendit. Ndihma e bashkësisë ndërkombatëtare në krye me SHBA-të doli të jetë vendimtare për të na mundësuar neve të jetojmë të lirë në Kosovës, megjithëse për tetë vjet të kësaj lirie është vështirë të flitet në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Pjesa veriore e vendit është dhe nuk është e lirë, koncentrimi i minoritetit serb në enklava sfdion pushtetit kosovar, ndërsa të drejtat e tyre janë një kohë të gjatë fokusi i punës së institucioneve vendore. Krejt kjo ka bërë që situata të jetë vërtetë specifike dhe sensitive në vitet e pasluftës.

III
Orvajtet për të vendosur ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje e problemit duhet parë si të pazbatueshme dhe destabilizimsjellëse. Edhe në praktikat tjera është dëshmuar se opsioni i ndarjes është opsion i dhimbjeve, vështirësive, deportimeve apo transferimeve, koncentrimeve, krizave humanitare dhe problemeve ligjore. Kjo është pjesa e parë e shpjegimit të problemit të ndarjes së Kosovës. Do të thotë, në një rast të tillë do të kemi krizë humanitare të shpërnguljes së popullatës shqiptare dhe serbe nga njëra pjesë në trjetrën, do të kishim probleme me pronat e tyre dhe probleme të ngjashme. Porse, ky problem është shumë i vogël në krahasim me atë që do të mund të përballeshim nëse opsioni i ndarjes arrin të fitojë përkrahje më të gjerë. Duke e parë si të rrezikshme këtë skenar të mundshëm të zhvillimeve të ngjarjeve, besoj se është kruciale për vetë bashkësinë ndërkombëtare refuzimi me forcë i ndarjes së Kosovës, madje edhe i tentimeve për të biseduar rreth saj në çfarëdo forme qoftë.

IV
Organizimi i shtetit të Kosovës vetëm në një pjesë të territorit të saj nuk ka kuptim. Po ashtu, nuk kanë kuptim më as tri parimet prijëse të Grupit të Kontaktit. Marrëveshja e Ohrit mund të humb kuptimin dhe Maqedonia në një situatë të tillë do të kolapsonte totalisht. Lugina e Preshevës me ndonjë lëvizje të re rezistuese do të jepte për pasojë spastrimin etnik të asaj pjese edhe deportimin e shqiptarëve në Kosovë. Kosova nuk do të mund të qetësonte frustrimin e qytetarëve që kanë humbur shumë në tërë këto dekada. Zërat për bashkimin në një shtet me Shqipërinë do të dilnin dita-ditës. Nuk do të mund ta ndërtonim asnjë njeri, madje as prej balte, që do të mund të argumentonte se shqiptarët në Ballkan nuk duhet të krijojnë një shtet të vetëm. Në një Ballkan të rivizituar kufijsh, stabiliteti ndoshta do të mund të arrihej, por çmimi për të do të ishte fatal. Fitore e Pirros do të mund të quhej kjo për të gjithë ballkanasit, përveç maqedonasve fqinj të cilët ndoshta do të mbeteshin në një territor tmerrësisht të vogël, duke e paguar këtë në mënyrë krejt më të veçantë.

Botuar në “Zëri” më 16 korrik 2007, fq. 12

Monday, July 9, 2007

Pse duhet apo nuk duhet mbajtur zgjedhjet?

Loja pa fitues

Pse duhet apo nuk duhet mbajtur zgjedhjet?

Ekzistojnë dy grumbuj argumentesh për dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin. Të gjitha argumentet kanë vlerë, porse duhet parë me kujdes zhvillimet e mëpasshme. Në situatën të cilën jemi, nuk duhet humbur kohë për të gjetur një mes, por duhet vendosur për njërën qasje. Ja disa nga argumentet pro dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve

Shkruan: Burim Ramadani

I
Para tri vjetësh është menduar se ky mandat i institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes do të jetë i fundit, bile edhe se nuk do të arrihet të skadojë si rezultat i vendimit për shtetësinë e Kosovës. Kjo do të krijonte hapësirën për krijimin e institucioneve pa përkohshmëri në përkufizim juridiko-kushtetues. Sidoqoftë, në mesin e vitit 2007 shoqëria dhe elita kosovare përballet me një sfidë jo të lehtë dhe vështirë të menaxhueshme: nevojën për mbajtjen apo mosmbajtjen e zgjedhjeve, para së gjithash nacionale, por duke mos zhvleftësuar ato lokale. Mosvendosja për pavarësimin e Kosovës shkakton një lëkundje të brendshëm, i cili nëse nuk menaxhohet mirë mund të arrijë shkallë të ndonjë tërmeti politik dhe/apo social. Shtyrja e dytë e madhe e procesit të statusit të vendit doemos i ka lënë (krijuar) hapësirë sfidës së zgjedhjeve. Ekzistojnë dy grumbuj argumentesh për dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin. Të gjitha kanë vlerë, porse duhet parë me kujdes zhvillimet e mëpasshme.

Pro zgjedhjeve
II
Institucionet qeverisëse të një vendi (që pretendon të jetë) demokratik duhet të kenë sistem të rregullt të zgjedhjeve, përmes së cilave ato marrin përkrahjen e qytetarëve. Në këtë rast, si sistem jo perfekt, por më i miri i parë në historinë e njerëzimit, demokracia ka zgjedhjet e lira dhe të drejta si një prej shtyllave kryesore të saj. Pse mbahen zgjedhjet? Cila është rëndësia e saj? Edhe pse këto në fakt janë pyetje që nuk të marrin përgjigje si të vetme dhe jashtë kontekstit, sidoqoftë vlera kryesore e zgjedhjeve është qeverisja e popullit përmes përfaqësuesve të zgjedhur për një afat të caktuar varësisht nga dhe në bazë të dispozitave në fuqi. Pra, mandati juridiko-kushtetues i institucioneve qeverisëse duhet të jetë i kufizuar dhe janë vërtetë të rralla mundësitë e zgjatjes së këtij afati. Sipas kësaj qasje, qeverisja në tërësi në Kosovë përballet me humbjen e mandatit juridiko-kushtetues. Në fakt ne kemi qeverisje lokale të zgjatur afati në bazë të një vendimi të shefit të UNMIK-ut, që nuk përfaqëson përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për përfaqësuesit e tyre.

III
Procesi i statusit megjithëse është interes yni nacional, nuk është pengesë vendimtare për mbajtjen e zgjedhjeve. Këto ditë që po qëndroj në Uashington DC, në kuadër të një vizite studimore për çështje të sigurisë, e kuptoj gjithnjë e më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë nivelin më të lartë të zhvillimit të demokracisë. Duke shikuar lajmet për rekordin e Obama-s në ngritjen e fondeve gjatë fazës së parë të fushatës për kandidim për president të SHBA-ve nga demokratët, mund të vërehet qartë se SHBA-të pavarësisht situatës në të cilën gjenden vazhdojnë të kultivojnë dhe respektojnë rregullat dhe normat demokratike. “Amerika në luftë”, thuhet në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-ve, të marsit 2006. Kjo ka të bëjë me gjendjen e luftës që SHBA-të i kanë shpallur çmendurisë së shekullit të ri, terrorizmit. Vendi ynë në asnjë dokument të vetëm nuk e ka të përcaktuar se është në luftë apo se është në situatë të jashtëzakonshme dhe ku nuk ka kushte për mbajtjen me rregull të zgjedhjeve. Prandaj, procesi i statusit si i tillë nuk mund të jetë vendimtar për shtyrjen e zgjedhjeve.

IV
Precendenca e shtyrjes së afatit të mandatit të institucioneve lokale mund të jetë edhe më e rrezikshme se sa që është nëse ajo aplikohet edhe për zgjedhjet nacionale. Në situatën e tanishme është shefi i UNMIK-ut ai që merr vendim, porse përkrahjen për këtë duhet arritur nga partitë kryesore politike të vendit. Edhe nëse kjo nuk do të shkaktonte ndonjë krizë në ditët e sotme, mundësia për përsëritjen e një vendimi të tillë në të ardhmen duhet marrë parasysh. Në një rast hipotetik, të themi se pas nëjzet vjetësh të gjitha partitë krysore të vendit do të ishin pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa udhëheqja e tyre do të ishte e interesuar të vazhdojë pa ndryshime. Shfrytëzimi i precendes për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve do të mund të lidhej me arsye nga më të ndryshmet, edhe pse në atë kohë ne të paktën do të duhej të ishim në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse kjo organizatë do të kishte qasje të njëjtë me të sotmen). Arsyet e shfrytëzimit të kësaj nuk mund të parashikohen, sikurse nuk mund të parashikohen sfidat me të cilat do të përballemi si shoqëri dhe si shtet.

Kundër zgjedhjeve
V
Në bazë të pikëpamjes që kundërshton mbajtjen e zgedhjeve para vendosjes për pavarësimin e Kosovës, janë disa elemente të rëndësishme që lejojnë interpretimin e kësaj situate si vazhdim të mandantit juridiko-kushtetues të institucioneve dhe jo si shtyrje të zgjedhjeve. Padyshim se pothuaj të gjitha argumentet lidhen me procesin e statusit të Kosovës dhe kjo nuk është larg mendësh. Tek e fundit, i tërë ky debat po bëhet për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi dhe jo rreth orientimit të qytetarëve dhe elitës drejt demokracisë. Sidoqoftë, në këtë aspekt duhet marrë parasysh zhvillimet e mëpasshme që rezultojnë nga zgjedhjet, sikurse në po të njëjtën masë edhe në zhvillimet para zgjedhjeve. Në fakt, argumentet që mbështesin tezën kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin, bazohen kryesisht në qasje praktike, derisa ato pro zgjedhjeve kanë më shumë qasje teorike dhe parimore. Në situatën të cilën jemi, nuk duhet humbur kohë për të gjetur një mes, por duhet vendosur qartë dhe pastër për njërën qasje.

VI
Në rend të parë të argumenteve kundër mbajtjes së zgjedhjeve padyshim se vëhet rrezikshmëria që mund të sjellë në procesin e pavarësimit të vendit fokusimi në politikën e brendshme para dhe pas zgjedhjeve. Partitë kryesore politike që përfaqësohen në Ekipin e Unitetit do të jenë kundërshtare të njëra-tjetrës në terren, derisa gjatë fushatës do të flitet edhe për çështje krejt personale që kanë ndodhur gjatë procesit të bisedimeve në Vjenë, sikurse edhe gjatë takimeve në Prishtinë. Mungesa e kapaciteteve njerëzore profesionale është një argumet tjetër që i bashkohet kësaj pike. Fatkeqësisht, partitë politike në vend janë jashtë mundësive për angazhim efektiv në të dy proceset, edhe në zgjedhje edhe në status. Tek e fundit, shoqëria kosovare është në krizë të kapaciteteve profesionale dhe kjo përfaqësohet edhe në partitë politike. Pastaj, të imagjinojmë situatën kur pas zgjedhjeve nuk mund të krijohet qeveria e re. Nëse vazhdon ky trendi i përqindjes së partive më të mëdha, debatet për krijimin e qeverisë së re mund të jenë të gjata dhe vështirë të suksesshme.

VII
Numri definitiv i komunave dhe obligimet që Kosova merr nga Plani i Ahtisarit formësojnë një argument tjetër kundër mbajtjes së zgjedhjeve para pavarësisë. Cili do të jetë territori i komunave që tashmë Kosova është pajtuar të pësojnë ndryshime? Në bazë të kësaj, zgjedhjet praktikisht nuk mund të mbahet para se të bëhet riorganizimi i brendshëm territorial i Kosovës, përkatësisht para se të krijohen komunat e reja, sikurse është paraparë në planin e Ahtisarit. Mbajtja e zgjedhjeve bazuar në organizimin e tashëm territorial nënkupton domosdoshmërinë e ri-mbajtjes së zgjedhjeve në një numër jo të vogël të komunave pas pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit. Pastaj, sfidë tjetër në këtë kontekts është edhe pjesëmarrja e minoritetit serb në zgjedhje, sikurse edhe obligimet kushtetuese që duhet të merr Kosova në bazë të planit të Ahtisarit. Këto obligime do të mund të jetësoheshin me shumë më pak probleme pas zgjidhjes së statusit sesa në situatën e tashme. Po ashtu, do të vazhdonin si të pazgjidhura problemet me votimet e qytetarëve të Kosovës që gjenden në mërgim.

VIII
Numërimi apo regjistrimi i popullatës dhe harxhimet e mëdha financiare gjatë kësaj kohe janë një argument tjetër në përkrahje të vazhdimit të mandatit të qeverisjes së tashme. Zgjedhjet e deritashme janë mbajtur pa regjistrim të popullatës, ndërsa kjo nuk do të duhej lejuar të ndodh sërish duke pasur parasysh problemet praktike me votimet sidomos të pjesëtarëve të minoritetit serb të Kosovës që jetojnë në vendet në regjion. Po ashtu, një grumbull i madh i të hollave të taksapaguesve kosovarë do të shpenzohej për një kohë të shkurtër. Kjo për shkak se menjëherë pas pavarësimit të vendit do të duhej të fillohej puna në organizimin e zgjedhjeve tjera, të paktën domosdoshmërisht në komunat e reja. Nëse në zgjedhjet e tashme do të aplikohej sistem tjetër i zgjedhjeve, atëherë ato do të duhej të rimbaheshin për nivel qendror dhe lokal në komunat e reja pas pavarësisë. Pos angazhimeve, mundit, fokusimit në politikë të brendshme, mundësisë së krizës parlamentare, mundësive të vogla për të nxitur serbët të marrin pjesë, zgjedhjet në këtë kohë do të kishin edhe kosto të lartë.

Botuar në “Zëri” më 9 korrik 2007, fq. 12

Kosova është ndryshe

Loja pa fitues

Kosova është ndryshe

Shpjegimi më i thjeshtë i imazheve që u panë të enjten në rrugë drejt Gazimestanit ka të bëjë me dy karakteristika: Kosova funksion ndryshe, dhe serbët e Serbisë duhet të respektojnë ligjet e Kosovës ashtu sikurse që ndodh saherë që ata udhëtojnë në një vend tjetër të botës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Të enjten në Gazimestan është shënuar përvjetori i 618-të i Betejës së Kosovës, përvojetor i cili pa kurrëfar dyshimi do të jetë i fundit në konditat e tashme apo të vjetra të situatës politike dhe praktike në Kosovë dhe Serbi. Një numër serbësh nga Serbia ia mësynë Kosovës për të treguar se i gjithë ky territor është ende një, porse ata u ballafaquan me realitetin në terren. Megjithëse këtë realitet e kanë ditur, serbët panë të enjten se Kosova është diçka tjetër dhe mund të jetë çdo gjë pos Serbi. Të veshur me fanella të të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit” fundërrimat e luftërave të Millosheviqit u detyruan në Kosovës që të zhvishen dhe të respektojnë rregulla e ligje tjera nga ato në vendin e tyre. Një vendim ekzekutiv i shefit të UNMIK-ut i mundësoi organeve të rendit në Kosovë që të mos lejojnë nxitje nacionaliste nga të huajt në vendin tonë. Shpjegimi më i thjeshtë i imazheve që u panë të enjten ka të bëjë me dy karakteristika: Kosova funksion vetë, dhe serbët e Serbisë duhet respektuar ligjet këtu.

II
Prej qershorit të vitit 1999, realiteti në Kosovë ka qenë ndryshe nga ajo që është paraqitur nga politika dhe mediat në Serbi. Shumë prej qytetarëve të Serbisë pa hezitim në biseda të rastit e thonë qartë se ata nuk kanë ide mbi atë që po ndodh vërtetë në Kosovë, përkatësisht se ata marrin informata të njëanshme nga qeveria e Beogradit. Pothuajse secili serb habitet me faktet tjera rreth zhvillimeve në Kosovën e pas 1999-ës, duke përfshirë këtu edhe aspektet legale edhe ato të jetës së përditshme. Sidoqoftë, një mësim që ata kanë marrë të enjten sigurisht se do t’i mbetet në mendje, sado që mund të tingëllojë habitshëm. Anëtarët e formacionit paramilitar, të cilët kanë mbështetje të fuqishme nga autoritetet e Beogradit, janë përballur me atë që quhet përkushtim për sundimin e ligjit dhe respektimin e ndjenjave të të tjerëve. Festimi i humbjes së para gjashtë shekujve të paktën mund të ketë pasur këtë të mirë për symbullirt në Serbi, pra të vërtetën e jetës ndryshe në Kosovë.

III
Tërë kjo ngjarje ka ndodhur në kohën më të ndjeshme që po kalon Kosova sa i përket vendosjes së mënyrës për njohjen e pavarësisë së vendit. Tashmë çështja e shtetësisë nuk vëhet në dilemë, porse diskutohet mënyra më e përshtatshme për të arritur këtë. Sikurse shumë herë gjatë historisë së fundit të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe njëherë kanë marrë timonin e zgjidhjes së problemit dhe përkushtimi i administratës së presidentit Bush nuk duhet vënë në pikëpyetje. Vetë kreu i SHBA-ve e ka thënë qartë se Kosova do të jetë e pavarur edhe nëse nuk do të arrihet të kalohet kundërshtimi nga të vendet jashtë botës demokratike. Tek e fundit, vetë fakti se cilat janë vendet që kundërshtojnë pavarësinë dhe çfarë sistemi të brendshëm politik kanë ato, tregon qartë se shtetësia nuk mund të bllokohet. Sikurse edhe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, vendet që kanë kundërshtuar ishin vende jodemokratike, anti-Perëndimore dhe disa vende Islamike. Të gjitha këto janë në kundërshti të hapur me SHBA-të.

IV
Takimet e nivelit të lartë sigurisht se do të vazhdojnë edhe për një kohë të caktuar për të diskutuar çështjen e pavarësimit të Kosovës. Por, mbi të gjitha takimi që po mbahet këto dy ditë në SHBA mes presidentëve Bush dhe Putin është shansë e mirë për të qartësuar mënyrën e ecjes përpara. Vazhdimi i negociatave, si kërkesë e mundshme direkte e kreut rus Putin, mund të përkthehet si kohë e nevojshme për Rusinë që të mos përdorë veton kundër pavarësimit të Kosovës. Kjo ndodh pasi që Rusia definitivisht është përballur me përkushtimin e SHBA-ve për vepruar edhe pa votimin e Rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Pritja nga takimi Bush-Putin nuk duhet të jetë e ekzagjeruar, porse padyshim ky takim do të përcaktojë në masë të madhe rrugën përpara. Nuk ka më kohë për të humbur pa ditur mënyrën e përfundimit të procesit. Kjo do të përcaktohet si rezultat i këtij takimi të nivelit më të lartë amerikan dhe rus, ndërsa në vijim do të shihet se shtatori është koha finale për të shtuar edhe me një numrin e shteteve në botë.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani
Botuar në "Zëri" më 2 korrik 2007, fq. 11

Sunday, June 24, 2007

Përballja me historinë në Dachau

Loja pa fitues

Përballja me historinë në Dachau

Ngjarjet që rrëfehen, fotografitë dhe gjërat që shihen me sy në Dachau të tmerrojnë dhe mund të shohësh fëmijë gjermanë 13-14 vjeçarë duke qajtur me zë. Ata qajnë nga tmerri që bënë gjyshërit e tyre dhe kjo është mënyrë e rrallë e përballjes me historinë - gjë që i mungon Serbisë dhe serbëve

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kur kishte ndërruar itinerarin e vizitës në Munich për dhjetë minuta largim me veturë tjetër, Adolf Hitleri i pati shpëtuar një atentati që do ta vriste atë pak javë pasi kishte filluar luftën me Poloninë në shtator të vitit 1939. Hitleri thjeshtë i kishte shpëtuar një sulmi me bombë më 8 nëntor 1939, duke u larguar papritur nga salla e mbledhjes. Tentues atentatori Johann Georg Elser ishte për kohë të gjatë kundërshtar i partisë së Hitlerit, ndërsa prej fillimit të luftës me Poloninë ai ishte i bindur se vetëm vdekja e Hitlerit mund të parandalojë ngjarjet më të këqija. Elser u arrestua të njëjtën mbrëmje derisa tentonte të kalonte kufurin e afërt me Zvicrën dhe u dërgua në kampin famëkeq të përqendrimit në Dachau. Aty u vra në vitin 1945, pak ditë para çlirimit të Gjermanisë dhe këtij kampi. Dachau ka qenë kampi i parë i përqendrimit që Hitleri, Himleri dhe Partia Nacional-Socialiste kishin hapur në vitin 1933 dhe ky vend u bë tmerr për dhjeta mijëra njerëz kundërshtar të Hitlerit, në mesin e të cilëve edhe 110 komunistë nga Shqipëria.

II
Kalimi nga një fazë historike në tjetër nuk ka qenë asnjëherë i lehtë pavarësisht nëse bëhet fjalë për agresorët apo luftëtarët e lirisë. Sidoqoftë, përballja me historinë është provuar të jetë elementi më i rëndësishëm për ngritjen dhe zhvillimin e kombeve. Gjermanët, edhe pas mbi 60 vjetësh të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nuk hezitojnë të tregojnë të gjitha gjeneratave atë që ka bërë Hitleri. Po të shkosh në Dachau në fillim të qershorit, do të shohësh pothuaj për çdo ditë grupe të mëdha të nxënësve fillorë apo të mesëm. Është e obligueshme për shkollat fillore dhe të mesme gjermane në Bavari që mësuesit e historisë t’i spjegojnë nxënësve në vendin e ngjarjes për të bëmat e Hitlerit dhe shtetit të tij. Derisa nuk ka dyshim se ngjarjet që rrëfehen, fotografitë e atyshme dhe gjërat që shihen me sy të tmerrojnë, mund të shohësh fëmijë gjermanë 13-14 vjeçarë duke qajtur me zë. Ata qajnë nga tmerri që kanë bërë gjyshërit e tyre dhe kjo është mënyrë e rrallë e përballjes me historinë, gjë që i mungon Serbisë dhe serbëve.

III
Kohë më parë, përkatësisht prej përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, Serbia humbi tërësisht sovranitetin mbi Kosovën dhe mënyra e vetme e ndikimit mbeti përmes enklavave që deshëm apo s’deshëm funksionuan për të shantazhuar të gjitha proceset e brendshme politike. Porse, askush asnjëherë në Beogradin zyrtar nuk mendoi se çka kishte ndodhur gjatë viteve të mëparshme në Kosovë. Dhe, kjo detyrimisht të çon në mungesë të vullnetit për përballje me historinë ose me atë që quhet ‘e kaluara’. Nëse Serbia nuk bëri kampe përqendrimi në Kosovës, njerëzit ishin të tillë në shtëpitë e tyre, duke mos guxuar të dilnin as në oborr e as në rrugë. Nëse ekzekutimet nga pjesëtarë të Al-Qaeda-s që i shohim në internet ndodhin këto ditë, jo shumë vjet më parë të njëta pamje ke mundur të shohësh edhe në Kosovë dhe ato janë bërë nga trupat e uniformuara të Serbisë. Nëse dikush mund të ketë pasur ideologji (të paktën) të ngjashme me Hitlerin në Ballkan, ai ishte Millosheviqi dhe në përgjithësi kishin të njëjta qëllime.

IV
Kthimi i kokës mbrapa për të parë se ç‘ndodhi është një domosdoshmëri. Përballja me historinë është pjesë e veçantë e shkencës politike, sociologjike apo asaj historike. Aq më parë që serbët e kuptojnë këtë domosdoshmëri, aq më shpejt ata do të arrijnë të kthjellen dhe të normalizohen si komb. Po të ndodhte kjo nga viti 1999, situata në Ballkan tashmë tetë vjet më pas do të ishte shumë më ndryshe. Kosova do të ishte e pavarur, Serbia do të mund të ishte kandidate për anëtarësim në BE dhe raportet mes nesh do të ishin normale. Serbët nuk duhet ende ta shohin kombin e tyre si viktimë, sepse nuk kanë qenë të tillë. Ata kanë qenë thjeshtë agresorë dhe tashmë janë humbës, pavarësisht politikave të proklamuar gjoja për mbrojtjen e të drejtave të serbëve në vendet tjera të ish-Jugosllavisë. Kujdesi për bashkëkombasit që janë minoritet në shtetet tjera ishte në fillim politika e Hitlerit, konsekuencat e së cilës edhe gjeneratat e tashmë më të reja obligohen t’i shohin nëpër kampe e vende të ndryshme. Përballja me historinë është zhvillim kombëtar.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 25 qershor 2007, fq. 11

Sunday, June 17, 2007

Bllokimi unilateral

Loja pa fitues

Bllokimi unilateral

Në rastin e pavarësimit të Kosovës edhe pa Rezolutë, nuk ka veprim unilateral për njohjen e pavarësisë nga vendet Perëndimore në krye me SHBA-të. Veprimi unilateral po ndodh nga Rusia, e cila me veton e saj në Këshillin e Sigurimit bllokon lëvizjet e vendeve demokratike për pavarësimin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tre burra të brengosur për gjendjen në të cilën tashmë ndodhet procesi për vendosjen e statusit të Kosovës bisedonin këto ditë me qasje të ndryshme ndaj ‘fajtorëve’. I pari thoshte se bashkësia ndërkombëtare ka qenë dashur ta zgjidh statusin e Kosovës në vitin 1999 kur NATO-ja kishte bombarduar Serbinë dhe OKB-ja vendosi administrim në vend. I dyti fajësonte liderët vendorë të para, gjatë dhe pas luftës për papërgjegjësi qytetare për shkak të mosarritjes së unitetit të brendshëm politik dhe patriotik dhe për këtë shkak faktori vendor pothuajse asnjëherë nuk është llogaritur si faktor i rëndësishëm për veprime më të shpejta në këtë proces. I treti bënte kombinimin e të dy qasjeve dhe thoshte se të dyja palët janë fajtore në nivel të njëjtë. Fakt është që të tre kishin të drejtë në aspektin që ata analizonin zhvillimet, porse e vërteta është se të tre ishin injorantë. Ata dhe shumë të tjerë simplifokojnë jetën politike dhe proceset e zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore. Nuk mund të kuptojnë funksionin e sistemit ndërkombëtar, vendimmarrjen në politikë dhe nuk janë në gjendje të shohin realitetin global e lokal të ngjarjeve.

II
Tetë vjet pas tërheqjes së forcave (ky është interpretimi i përfundimit të luftës në Kosovës sipas të Drejtës Ndërkombëtare) të Serbisë, lufta politike për Kosovën ka arritur në pikë shumë të lartë. Ndërsa, realiteti ndërkombëtar është krejt ndryshe nga ai i tetë vjetëve më parë. Vitet 2000 dhe 2001 kanë ndryshuar në shumë aspekte raportet e forcave dhe zhvillimet ndërkombëtare. Në natën e fundit të vitit 1999, detyrën e presidentit të Rusisë e mori Vladimir Putin, një ish-zyrtar i Shërbimit Sekret rus, i cili për më pak se tetë vjet e ka sjellë Federatën në një prej aktorëve kryesorë të sistemit ndërkombëtar. Studiuesit tashmë diskutojnë tezën e rifillimit të Luftës së Ftohtë, derisa shumë prej tyre mundohen të argumetojnë se kjo është ‘fazë e marrëdhënieve të tensionuara’. Në anën tjetër, SHBA-të të tronditura nga 11 shtatori 2001, po udhëheqin Luftën globale kundër Terrorizmit, porse kundërthëniet me Rusinë nuk janë të pakta dhe janë parimore. Raketat në Poloni e Çeki, Irani, terrorizmi, Iraku, energjia, Kaukazi etj. janë disa nga kundërthëniet e tashme SHBA-Rusi, të cilave i shtohet edhe pozicionimi i ngurtë ndaj çështjes së Kosovës.

III
Tentativa ruse për bllokimin e pavarësinë së Kosovës është akt unilateral dhe kjo duhet të largojë nga fjalori politik vendor fjalën veprim unilateral të shteteve Perëndimore për njohjen e shtetësisë sonë. Bllokimi që vjen nga Rusia është unilateral dhe nuk merr parasysh qëndrimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare relevante dhe shteteve tjera me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe pa Rezolutë nuk është skenar i veprimeve unilaterale, bllokimi nga vetëm një shtet është i tillë. Tek e fundit, propozimi për pavarësinë e Kosovës është dhënë nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtiaari, dhe atë e përkrahin të gjithë, pos Rusisë dhe natyrisht Serbisë. Vendet tjera me të drejtë veto kanë përkrahur pavarësinë, Kina nuk ka marrë ndonjë pozicion të qartë, ndëra vendet veç e veç tashmë kanë vënë Kosovën në prioritetet e politikave të tyre të jashtme dhe përkrahin pavarësinë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja mbështesin pavarësinë dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që do t’i kenë në të ardhmen.

IV
Tek e fundit, pse duhet të themi se njohja pa Rezolutë është veprim që shkel OKB-në? Po të dëgjojmë interpretimin e juristëve fanatikë, kjo do të kuptohej ashtu, mirëpo realiteti politik nuk është plotësisht realitet juridik dhe si i tillë ai duhet të shihet i kombinuar edhe me realitetin ekonomik, shoqëror, atë të fuqisë dhe të zhvillimit të procesit. Me një veto bllokuese Rusia po luan rolin e vepruesit sipas interesave të caktuara të brendshme apo të jashtme, porse jo ndërkombëtare – rol të cilin do të duhej ta kishte në mesin e priroiteteve të politikës së saj të jashtme. Sidoqoftë, Kosova duhet të pavarësohet më së largu deri në shtator të këtij viti, prandaj jemi duke hyrë në fazën kur shtetet Perëndimore nuk do të interesohen për Rezolutën si paraprirëse të pavarësisë, por do të kujdesen për pavarësinë si paraprirëse të një Rezolute të caktuar. Megjithatë, në rast të pavarësimit pa Rezolutë kujdesi në terren duhet të jetë vërtetë i shtuar dhe për këtë duhet ta marrin përgjegjësinë shtetet Perëndimore dhe kosovarët. Kosova duhet të njihet në kufijtë ekzistues dhe ata nuk do të duhet të jenë të prekshëm në asnjë mënyrë.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 18 qershor 2007, fq.