Thursday, March 11, 2010

Qeveria demanton vetveten për veri

Vështrim
Qeveria demanton vetveten për veri
BURIM RAMADANI
Gjatë këtyre ditëve, kryeministri Hashim Thaçi qartësisht po vazhdon lojën politike mbi të vërtetën për çështjen e veriut të Kosovës. Qysh prej daljes në opinion lajmi për hartimin e një strategjie të veçantë për të kthyer kontrollin ligjor në komunat veriore të Kosovës dhe deri më tash, çdo gjë ka mbetur vetëm në letër. Kjo kohë nuk është shkurtër. Tashmë po bëhet tre muaj prej kur u bë publike në mënyrë ‘klandestine’ strategjia. Dhe, asgjë. Vetëm formulime të deklaratave të ndryshme politike, por pa veprime, pa agjendë të qartë dhe pa nisje të zbatimit.
Katër gabimet e logjikës jashtë-institucionale
Para pak ditësh, kryeministri Thaçi ka emëruar një koordinator për zbatimin e Strategjisë për vendosjen e ligjit në Veri të Kosovës. Pavarësisht njohjeve dhe ekspertizës që personi në fjalë i ka apo mund t’i ketë, duhet thënë qartë se kjo logjikë e punës së institucioneve të Kosovës është logjikë e tejkaluar, e gabueshme dhe e padinjitetshme. Realisht thënë, ky është një veprim plotësisht i gabuar i Kryeministrit Thaçi dhe si i tillë është i papranueshëm.
Në argumentim të kësaj duhet ngritur dhe thënë publikisht katër gabime të mëdha strategjike, që kryeministri (sigurisht në konsultim me Presidentin) kanë bërë. Dhe, këto katër gabime janë të pafalshme për të ardhmen institucionale të Kosovës.
Së pari, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, institucionet e vendit janë ato që kanë për obligim të ruajnë sovranitetin e shtetit, të vendosin rendin dhe ligjin, përkatësisht sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Në Nenin 2 të Kushtetutës, pika 2, thuhet shprehimisht se “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute”. Në Nenin 4, pika 4, thuhet shprehimisht se “Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve e politikave shtetërore dhe i nënshtrohet kontrollit parlamentar”. Pra, shihet qartë, se Kryeministri ka shkelur Kushtetutën e Kosovës kur ka vendosur që dikush nga jashtë institucioneve të vendit të koordinojë punën dhe angazhimet institucionale për rivendosjen e ligjit në veri të Kosovës.
Së dyti, duke bërë këtë, liderët institucional të Kosovës realisht janë duke u munduar të heqin përgjegjësinë nga vetja për dështimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë këtyre dy vjetëve rresht sa i përket zbatimit të ligjit. Ose thënë më mirë, nëse dështon zbatimi i strategjisë, ka dështuar koordinatori apo ekipi i tij i mundshëm, por jo liderët institucionalë. Kjo logjikë e të vepruarit është qartësisht e dallueshme nga secili njeri që përcjellë zhvillimet politike në vend. Por, sigurisht se është logjikë plotësisht e gabuar, sepse askush nuk mund të heq përgjegjësinë për të cilën obligohet me Kushtetutën e Republikës.
Së treti, qysh në javët e para pas hartimit të kësaj Strategjie, liderët instutuiconalë kanë dëshmuar në fakt se kjo Strategji nuk do të zbatohet fare. Ata kanë larguar veten nga përkushtimi për të punuar në drejtim të zbatimit të strategjisë, prandaj për këtë kanë autorizuar një njeri pa kurrfarë ndikimi dhe përgjegjësie politike. Kjo do të mund të interpretohej se si shenjë e qartë dhe direkte se liderët institucionalë nuk janë fare të interesuar që kjo Strategji të zbatohet dhe që territori verior i Kosovës të normalizohet, demokratizohet dhe që atje të sundojë ligji.
Së katërti, kanë tradhëtuar votat dhe besimin e qytetarëve të Kosovës (ata të cilët i kanë votuar), duke i dhënë përgjegjësinë këtyre për të qeverisur Kosovën në të gjitha pjesët, si shtet unik dhe i pandashëm, ashtu sikurse përcaktohet shprehimisht në Nenin 1, pika 1 e Kushtetutës së Republikës. Pra, askush nuk i ka dhënë votat që Thaçi dhe Sejdiu t’ia lënë çështjen e veriut një njeriu tjetër, pavarësisht se kush mund të jetë ai apo ajo.
Qeveria demanton vetveten: Çka paska ekzistuar në veri deri më tash?
Dhe, këtë të hënë, Qeveria e Republikës vendosi të formojë gjashtë (6) grupe punuese për zbatimin e strategjisë së veriut. Përkatësisht, Grupin për sundimin e ligjit; Grupin për kthim, dialog dhe pajtim ndëretnik; Grupin për zhvillim ekonomik; Grupin për rivendosjen e sistemit të reformimit të pushtetit lokal; Grupin për shtrirjen e shërbimeve publike; si dhe Grupin e komunikimit. Po të hënën, kryeministri Thaçi tha se do të ketë “angazhime konkrete për rivendosjen e pikave kufitare 1 dhe 31, ruajtjen e zinxhirit komandues, funksionalizimin e gjyqësorit në veri, kthimin e pjesëtarëve në gjithë pronat dhe banesat, nxitjen e pajtimit ndëretnik, zhvillimin ekonomik dhe social, nxitjen e hapjes së vendeve të reja të punës, themelimin e Universitetit Evropian, identifikimin e projekteve zhvillimore për gjithë komunitetet”.
Por, pyetja që shtrohet menjëherë pas këtij vendimi për formimin e gjashtë grupeve dhe pas kësaj deklarate të Kryeministrit është: E çka paska ekzistuar deri më tash në pjesën veriore të Kosovës?
Përgjigjja e Kryeministrit Thaçi më 25 shkurt 2008 ishte “çdo pjesë e Kosovës është nën kontroll të plotë”. Më 12 maj 2008, Kryeministri Thaçi pas një takimi me një delegacion të OJQ-së “Bregu i Veriut” kishte “shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit, për lirinë e qytetarëve, si dhe për t’iu siguruar kushte për jetë dhe biznes të gjithë qytetarëve në Kosovë”. Ndërsa, gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, më 18 tetor 2009, ai u shpreh “Dje unë premtova më shumë se 120 milionë euro investime për Mitrovicën. Sot jam këtu që t’ju bëjmë me dije përkushtimin që kemi për të kthyer të gjithë banorët e kësaj ane, në pronat e tyre’, tha kryeministri Thaçi. Në muajin e fundit të vitit të kaluar, më 5 dhjetor 2009, ai ka thënë se “veriu i Kosovës tashmë është më e sigurt”.
Por, si doli të jetë e vërteta? Nëse deklaratat e mëparshme të Kryeministrit kanë qenë të vërteta, përse duhet të krijohen këto grupe punuese? Kjo tregon qartë se Kryeministri dhe Qeveria e kanë demantuar veten plotësisht. Është e dukshme se Kryeministri Thaçi nuk është dhe nuk shihet si partner serioz i vendorëve dhe ndërkombëtarëve për të qeverisur Kosovën. Kjo logjikë duhet ndërruar. Nuk ka përse të manipulohet populli. Tek e fundit, populli e di të vërtetën.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Botuar në "Koha DITORE" më 9 mars 2010, fq. 11

No comments: