Monday, May 24, 2010

Transicioni deri në zgjedhjet parlamentare

Transicioni deri në zgjedhjet parlamentare

Kjo situatë e tillë ku është futur politika kosovare përcillet me krizë të koncepteve politike, krizë të krijimit të ekipeve që mund të zbatojnë koncepte politike dhe krizë të përfaqësimit politik të qytetarëve të vendit. Të gjithë duhet të kujtojmë një fakt: Kosova është shumë më e madhe sa sa interesat personale apo grupore! Prandaj, duhet ta shpëtojmë vendin nga krizat e njëpasnjëshme



BURIM RAMADANI

Pse Kosova ka nevojë të ketë një qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Kjo ndoshta është pyetja që më së shpeshti bëhet menjëherë pasi që fillon diskutimi rreth mundësisë së krijimit të një qeverie teknike, të unitetit apo të përfaqësimit të gjerë politik. Normalisht, se një përgjigje e thjeshtë është vështirë të pranohet si e argumentuar nëse nuk merren në konsiderim të gjitha zhvillimet e proceseve të shumta që kanë ndodhur gjatë periudhës dy-vjeçare të kësaj qeverisjeje.

Politika kosovare ka hyrë në një stad kur ka humbur në masë tepër të madhe moralin politik, shtetëror dhe qytetar, derisa aferat dhe skandalet e ndryshme nuk kanë ndikim direkt në vendimmarrjen e përgjegjshme të qeverisë, që nënkupton mundësinë e dorëheqjeve morale apo politike të individëve të caktuar. Kjo situatë e tillë ku është futur politika kosovare përcillet me krizë të koncepteve politike, krizë të krijimit të ekipeve që mund të zbatojnë koncepte politike dhe krizë të përfaqësimit politik të qytetarëve të vendit. Sigurisht, kjo gjendje e tashme është ndër më të rëndat në aspektin politik, ndërsa studiuesve të teorive politike dhe praktikave qeverisëse do t’u nevojitej një mund i madh për të reflektuar në aspektin akademik këtë që po zhvillohet në Kosovë.

Niveli i qeverisjes në Kosovë ka rënë dukshëm në krahasim me nevojat e qytetarëve të vendit. Kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit që udhëheqin apo punojnë në nivele të ndryshme të qeverisë janë të pazotë. Përkundrazi. Njerëz me përgatitje intelektuale e akademike duket qartë se përballen me pamundësi të shtyrjes së agjendave pozitive përpara. Politikanët me bagazh akademik në qeverinë aktuale të Kosovës janë njerëz që, megjithatë, në situata të ndryshme kanë treguar vullnet për të punuar me korrektësi, përkushtim dhe vizion, por strukturat e ndryshme brenda partive të tyre dhe brenda klubeve të caktuara vendimmarrëse normalisht se pengojnë këtë. Dhe, kjo është e qartë për secilin qytetar të vendit, të cilët të lodhur nga ky mentalitet i tashëm politik shpresojnë të shohin ‘gotën gjysmë të mbushur’.

Prandaj, edhe iniciativat iniciale publike të kohës së fundit për të krijuar një qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të shqyrtohen seriozisht nga akterët politik, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtar.

Janë katër argumente kryesore përse Kosova duhet të qeveriset nga një qeveri gjithëpërfshirëse deri në vitin e ardhshëm kur do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare.

Së pari, me një qeveri gjithëpërfshirëse do të ndalej trendi i zhvillimeve negative dhe bllokimit të të gjitha proceseve që po ndodh gjatë kësaj kohe në vendin tonë. Nuk është se një qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse do të mund të zbatonte programe zhvillimore afat-mesme apo afat-gjate për vendin, por të paktën do të konservonte gjendjen aktuale të përgjithshme për të mos rënë edhe më poshtë se ku jemi si qeverisje, si shtet dhe si shoqëri. Përmirësimi i dukshëm do të mund të vërehej në ndaljen e korrupsionit në institucionet qeverisëse, për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e tyre, sikur edhe në tendencën e të gjitha partive politike pjesëmarrëse në këtë lloj qeverie për të treguar vlerat e veta dhe përkushtimin për të mos zhytur në korrupsion (të paktën deri në zgjedhjet nacionale).

Së dyti, krijimi i një qeverie teknike apo gjithëpërfshirëse do të krijonte një klimë tjetër politike në raporteve mes subjekteve të ndryshme, të cilat gjatë kësaj peridhe kanë arritur shkallë të lartë të kundërshtive herë parimore e herë personale. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dy apo tri parti politike, por për një numër më të madh të aktorëve në skenën politike vendore. Aktorët vendimmarrës në skenën politike kosovare duket se janë shumë më gjerë se sa organizimet partiake, koalicionit, iniciativat apo kandidatët e pavarur.

Së treti, do të mund të përfshinte dhe krijonte hapësirën e nevojshme për figura të reja politike që vijnë qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga bota akademike. Duke ofruar në qeverisje të këtillë njerëz të papërfshirë deri më tash në strukturat partiake, politika kosovare do të mund të përfitonte edhe një strukturë të re të politikanëve-politikaneve, që do të angazhoheshin në vitet e ardhshme për të drejtuar vendin kah funksionalizimi i shtetit, zhvillimi i gjithmbarshëm dhe integrimet evro-atlantike. Dhe, të tillë ka sa të duash në Kosovë, porse duhet t’u jepet mundësia, e cila është e domosdoshme për rastet e krijimit të qeverive teknike. Normalisht se në raste të këtilla do të kërkohej edhe eksperienca profesionale politike që kanë personalitete të ndryshme të shquara që kanë qenë në qeverisjet e kaluara, të cilët tash udhëheqin subjekte të vogla politike apo janë pjesë e shoqërisë civile.

Së katërti, të gjitha partitë kryesore, shoqëria civile dhe bota akademike do të mund të ketë proporcionin e vet në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Është e qartë tashmë se zgjedhjet lokale të vitit 2009 u organizuar keq, patën shumë probleme dhe treguan një fytyrë të errët të demokracisë në Kosovë. Nuk guxojmë më të lejojmë zgjedhje në Kosovë me përgatitje të njëjta. Përndryshe, qysh tash mund të flasim për rezultatet pothuajse të sakta që marrin secili subjekt politik. Në të njëjtën kohë, do të mund të ketë kontestime shumë më të fuqishme të rezultateve të zgjedhjeve, për të futur kështu Kosovën në një situatë krejt tjetër të paprecedent në të gjitha proceset zgjedhore, ku subjektet politike nuk pranojnë zgjedhjet dhe vendi futet në rrugë të pashpresë.

Normalisht se ka argumente të tjera që kundërshtojnë nevojën për krijimin e një qeverie teknike apo gjithpërfshirëse dhe këto argumente kryesisht lidhen me domosdoshmërinë për identifikimin dhe ndëshikimin politik e përgjegjësve për situatën e krijuar. Sido që të jetë, për shkak të situatës së ndjeshme, akterët politikë në Kosovë duhet të marrin pozicion të qartë dhe këtë ta bëjnë publike sikurse në raport me partnerët ndërkombëtarë, po ashtu edhe me institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Pra, me qëllim të arritjes së objektivit për të normalizuar gjendjen në Kosovë dhe mundësuar zhvillimin adekuat të proceseve pozitive në vend, politika kosovare (në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë) është e nevojshme të ulët në një tryezë të përbashkët për të diskutuar temat kryesore të vendit. Kryetari i shtetit në këtë rast ka përgjegjësinë për të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të sigurojë pjesëmarrjen e faktorëve politikë vendorë, në mënyrë që të përgatitet një proces i suksesshëm i ‘tranzicionit’ nga qeveria aktuale deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një tryezë të tillë të përbashkët, qysh tash do të mund të supozoheshin konkluzionet parimore me të cilat do të dakordoheshin aktorët e politikës kosovare. Dhe, në bazë të këtyre konkluzioneve do të mund të punohej me përkushtim në ndërtimin dhe avancimin e kornizës qeverisëse, ligjore dhe politike për të arritur stadin e domosdoshëm që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të lira, fer dhe demokratike.

Duhet thënë qartë dhe me zë të lartë se të gjithë jemi të brengosur me gjendjen politike dhe ekonomike në të cilën gjendet Kosova më shumë se dy vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Duhet vlerësuar si të pavolitshëm pozicionin në të cilën gjendet shteti i Kosovës në raportet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe me numrin jo të kënaqshëm të njohjeve të shtetit të Kosovës.

Duhet konstatuar pa-zotësinë e udhëheqjes së tashme të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet e saj në tërë territorin e Kosovës, sikurse edhe me nivelin tejet të lartë të dukurive negative apo për të ndalur trendin e këtyre zhvillimeve negative.Duhet rikonfirmuar shqetësimin për nivelin tejet të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e Kosovës, të cilat po dëmtojnë Buxhetin e Kosovës, standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmen demokratike të vendit.

Duhet konstatuar publikisht se përgjegjëse për gjendjen e këtillë të rëndë në të cilën gjendet Kosova është udhëheqja e tashme e shtetit të Kosovës, për shkak të keq-qeverisjes gjatë kësaj periudhe.

Duhet vlerësuar se udhëqeja e tashme nuk ka kapacitete për të nxjerrë vendin nga gjendja e krijuar dhe se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.

Duhet arritur përkushtim i përbashkët për ruajtjen e stabilitet politik dhe qytetar të Kosovës, zhvillimin e mekanizmave shtetëror, zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, proceset integruese, fqinjësinë e mirë dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Pavarësisht se nivele të ndryshme do të mund të mendojnë një gjë të tillë si të pamundshme pët t’u realizuar, një gjë duhet ta dimë dhe ta kemi parasysh të gjithë: Kosova është shumë më e madhe se sa interesat personale apo grupore! Prandaj, duhet ta shpëtojmë vendin nga krizat e njëpasnjëshme.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 22 maj 2010, fq. 12.

No comments: