Tri sfidat e Kosovës
BURIM RAMADANI
Shumë probleme janë grumbulluar. Me shumë halle ballafaqohen qytetarët e
Kosovës. Të gjitha këto probleme, telashe e halle janë shumëzuar viteve të
fundit. Në vend se të ndodh e kundërta, pra të ketë zhvillim apo ecje përpara,
gjatë këtyre viteve të fundit Kosova fillimisht ka stagnuar e më pas është
kthyer e shpejtësi mbrapa.
Janë tri sfida të cilat kërkojnë përgjigjje të fuqishme, të përkushtuar,
profesionale dhe të drejtë. Tri sfida të cilat assesi nuk po e lënë popullin e
Kosovës të ngrejë kokën sa i përket përmirësimit të standardit jetësor dhe
hapjes së perspektives individuale apo grupore. Pesë sfida me të cilat zgjohemi
në mëngjes dhe shtrihemi në mbrëmje. Që na përcjellin njëzetekatër orë në ditë,
shtatë ditë në javë.
Sfida numër një: Qeverisja e keqe. Tashmë nuk është lajm po t’u thuhet
qytetarëve se ne kemi një qeverisje të keqe, e cila as për së afërmi nuk po
arrin të përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vet. Një qeverisje e
cila mbërthehet për çdo ditë nga skandalet e ndryshme. Skandale të
lloj-llojshme. Deri në ç’nivel mund të arrijë një kastë politikanësh e
politikanesh të hyjnë në dallavere, korrupsion, haraç, zhvatje, kërcënime,
shantazhe e çka jo tjetër. Një udhëheqje e cila definitivisht nuk po arrin të
sjellë përgjegjësinë në vendin e punës. Një papërgjegjësi totale që nga roja i
objektit e deri te niveli më i lartë. Domosdo, ka shembuj që dëshmojnë të kundërtën,
por fatkeqësisht shembuj të tillë mbeten simbolik. Qeverisja e mirë nënkupton
shërbimin për qytetarin dhe jo anasjelltas. Nënkupton një qeverisje që fondet
publike i orienton kah përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe jo varfërimi i
tyre. Nënkupton zvogëlimin e shpenzimeve të luksit dhe jo rritjen e këtyre
shpenzimeve.
Sfida numër dy: Mungesa e Sundimit të Ligjit. Kosova është ngulfatur nga
krimi i organizuar dhe korrupsioni, derisa institucionet e zbatimit të ligjit
dhe organet e drejtësisë mbeten të brishta dhe të pasuskesshme. Kosova është
kthyer në vendin rekord për krim të organizuar dhe korrupsion në rajon, e të
mos krahasohemi me shtetet Perëndimore. Si në nivelin qendror, po ashtu edhe në
nivelin lokal të qeverisjes është e pashmangshme dukuria e korrupsionit. Zyrtarë
që brenda natës bëhen milionerë. Ndërmarrjet publike vetëm sa janë thelluar në
korrpsion e hajni, ndërsa gjykatat dhe policia assesi të jenë imune ndaj kësaj
të keqeje. Kjo sfidë duhet të adresohet me dije dhe me guxim. Me vendosmëri të
plotë. Pa shikuar se për kënd bëhet fjalë. Pa u kujdesur se çka apo kush fshihet
pas rasteve. Duhet veprim ligjor.
Sfida numër tre: ekonomia, arsimi e shëndetësia. Në asnjërën prej tyre nuk
kemi arritur të kthjellemi. Kosova e sotme përballet me krizë ekonomike, me rënie
drastike të cilësisë së arsimit dhe me shëndetësi plotësisht të sëmurë. Vetëm
me qasje serioze në rritjen ekonomike, rritjen e buxhetit të Kosovës, luftimin
e informalitetit ekonomik, luftimin e kontrabandës dhe investime të huaja
direkte mund të arrihet zhvillimi i nevojshëm i ekonomisë. Vetëm me kontroll të
cilësisë së arsimit, investim në dije e jo vetëm në objekte, reforma thelbësore
dhe ngritje të dinjitetit të mësimdhënësve mund të kthejmë edukimin në një
shtyllë të rëndësishme të shtetit. Dhe, vetëm me rindërtimin e plotë të
sistemit shëndetësor në Kosovë mund të shërohemi nga sëmundja e rëndë që ka
kapur shëndetësinë.
Të tri këto sfida duhet të adresohen. Më seriozisht se asnjëherë deri më
tash. Nuk ka vend për kompromis. Nuk ka vend për neglizhencë. Duhet veprime të
shpejta, të vendosura, të fuqishme, ligjore.
Porse, është e qartë se këto sfida nuk do të adresohen para zgjedhjeve.
Qeveria e ardhshme duhet të merret me këto. Shkaktarët e kësaj gjendjeje të
keqe nuk mund të jenë edhe përmirësuesit. Shkaktarët duhet të përgjigjen për këtë,
por paraprakisht të largohen nga qeverisja.
Botuar në TRIBUNA, 3 prill 2014
No comments:
Post a Comment