Monday, January 5, 2009

Për shtetin dhe shoqërinë




Loja pa fitues

Për shtetin dhe shoqërinë

“Metoda më bindëse në dorë të një qeverie është fjala e njeriut të ndershëm”, ka thënë Jules Cambon. Kosovarët kanë humbur afinitetin e të qenit mikoberian, prandaj qetësia sociale mund të mos blihet me premtime. Viti 2009 ka përpara shumë punë për t’u bërë. E tërë kjo, vetëm për shtetin dhe shoqërinë kosovare

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti 2009 që nga fillimi i tij do të duhej të karakterizohet me vizion të qartë sa i përket aspekteve kryesore të konsolidimit të shtetit dhe shoqërisë demokratike në Kosovë. Pavarësisht se si vlerësohet i kaluari, viti në të cilin kemi hyrë definitivisht do të jetë përcaktues për shumë zhvillime brenda dhe rreth vendit, zhvillime këto që do të kenë ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e afërt të qytetarëve të Kosovës. Shteti dhe shoqëria kosovare kanë shumë punë për të bërë, prandaj mund të konstatohet se në vitin 2009 faktikisht gjithçka do të nis prej fillimit për shkak të nivelit jo të kënaqshëm të arritjeve të deritashme pas pavarësisë së Kosovës. Politikat e domosdoshme të Kosovës gjatë këtij viti kryesisht do të duhej të fokusohen në rregullimin dhe vëninen e rrugës së mirë drejt demokracisë, largimin e kërcënimeve ndaj sovranitetit shtetëror, ngritjen e mekanizmave Kushtetues të sigurisë, respektimin e Kushtetutës dhe Ligjeve, forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ngritjen e imazhit të shtetit në bashkësinë ndërkombëtare, përmirësimin e standardit jetësor të qytetarit, fillimin e luftës kundër krimit të organizuar, vënien e strategjisë kundër korrupsionit, depolitizimin dhe funksionalizimin e institucioneve të pavarura shtetërore e publike, zhvillimin e nivelit arsimor dhe rrugës drejt ‘Bolonjës’, zhvillimin dhe profilizimin e partive politike, si dhe fuqizimin e profilizimin e aktorëve të shoqërisë civile në Kosovë, si një prej parakushteve të rëndësishme.

II
Vëmendja kryesore fillestare duhet, pa dyshim, t’i kushtohet konsolidimit të shtetit, mekanzimave kryesor të tij, respektimit të plotë të Kushtetutës, përmirësimit të pozitës së Kosovës në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare, si dhe vendosjen e një strategjie të qartë dhe të mjaftueshme për fillimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në fakt, janë katër pika kryesore të këtij aspekti të cilat duhet përmbushur nëse secili prej nesh mendon dhe dëshiron diçka të mirë për vendin. Shteti, Kushtetuta e Ligjet, njohjet, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të duhej të jenë baza e padiskutueshme për Kosovën gjatë këtij viti, në mënyrë që të hapet rruga për politikat tjera shtetërore drejt përmirësimit dhe zhvillimit të standardit të ‘lodhur’ jetësor të qytetarëve të shtetit të ri. Këto katër elemente kanë rëndësinë vitale për të mundësuar jetë të denjë për qytetarin e Kosovës, sikurse edhe për të trasuar të ardhmen evropiane për të gjithë. Në të vërtetë, sa herë që flitet për të ardhmen, duhet të mendohet për sfidat dhe kërcënimet e tashme ndaj perspektivës dhe në këtë mënyrë të zhvillohen politikat adekuate shtetërore. Tek e fundit, për çfarë të ardhme apo perspektive mund të flasim kur e tashmja është e mbushur me pamundësi ushtrimi të sovranitetit, pozicion të pavërejtshëm në rajon e botë, me rrjete të gjera të krimit të organizuar dhe me korrupsion që po i shkakton çdo ditë e më shumë humbje të mëdha jetës së qytetarit?

III
Baza e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale domosdo ndikon në mënyrë të posaçme në nivelin e aspekteve tjera të shtetit dhe shoqërisë. Gjatë vitit 2008, varfëria në Kosovë fatkeqësisht është thelluar edhe më shumë. Madje, kemi parë edhe ‘spektakël’ fatkeq të një qytetari të moshës rinore i cili i dëshpëruar skajshmërisht nga gjendja e rëndë ekonomike e familjes së tij deshi të vritej duke tentuar të kërcente nga kulmi i një ndërtese në Prishtinë. Tmerrimi i tij dhe qindra-mijëra qytetarëve të tjerë me këtë gjendje të pashpresë ekonomike është një sinjal i fuqishëm për politikë-bërësit që të qartësojnë dhe zhvillojnë politikat e tyre në këtë drejtim. Në fakt, dëshpërimi i kosovarëve tregon edhe për humbjen e afinitetit të të qenit mikoberian (personazh i krijuar nga Çarl Dikseni për njeriun që është optimisht i përhershëm), prandaj qetësia sociale nuk mund të blihet me premtime të njëpasnjëshme. Pothuaj në të njëjtën gjendje të rëndë dhe dëshpëruese gjendet edhe arsimi i të gjitha niveleve në Kosovë. Reforma aty thuaja as që ka filluar, derisa komunitetit serb është plotësisht jashtë sistemit kosovar. Nëse analizohet Universiteti i Prishtinës, lehtë mund të konstatohet se aty mbretëron një gjendje zhgënjyese dhe e paperspektivë. Mbyllja e byfeve dhe punësimi i milantëve të partive politike kanë qenë veprimet e vetme që janë bërë gjatë këtyre viteve, derisa korrupsioni ka mbuluar nivelet për më të lartë të udhëheqjes së tij.

IV
Bashkë me zhvillimet tjera të nevojshme, partitë politike dhe shoqëria civile në Kosovë domosdoshmërisht duhet të gjejnë veten në një kohë dhe realitet të ri. Organizimet politike gjatë këtij viti duhet të qartësojnë misionin dhe vizionin e tyre, duke reformuar kështu jo vetëm përmbajtjen, por edhe mënyrën e strukturalizimit të tyre. Të gjitha partitë politike përballen me pyetjen e njëjtë: Përse ekzistojnë dhe çfarë përfaqësojnë këto parti politike? Dhe, secila në formën dhe qëllimin e vet duhet t’i japin përgjigje vetes dhe qytetarëve të vendit, në mënyrë që të fillohet krijimi i traditës zhvillimit të një kompasi politik në Kosovë, ku të gjitha orientimet do të mund të mbuloheshin. Në të njëjtën kohë, elektorati do të fillonte të mësohej që të mos votojë për një njeri apo një tjetër, por për një program apo një tjetër. Kjo shkallë e zhvillimit është e domosdoshme nëse shoqëria kosovare është drejtuar kah Perëndimi. Në të kundërtën, politika e mëhallave do të ishte përgjigja e vetme. Ngjashëm duhet të prezantohen edhe aktorët e shoqërisë civile, të cilët më në fund do të duhej të kuptojnë se nuk paraqesin përgjigjen e duhur ndaj secilës çështje të mundshme në Kosovë. Profilimi i aktorëve të shoqërisë civile është një parakusht i domosdoshëm për profilizimin e partive politike. E tërë kjo mund të fillojë të bëhet në vitin 2009 ose të paktën të fuqizohet ndershmëria në politikë. Jules Cambon ka thënë se “metoda më bindëse në dorë të një qeverie është fjala e njeriut të ndershëm”.

Botuar në “Zëri”, më 5 janar 2008, fq. 11.


dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 6 janar 2008, fq. 9.

No comments: