Sunday, December 28, 2008

Viti historik dhe sfidat përpara

Loja pa fitues

Viti historik dhe sfidat përpara

Ndërtimi i vizionit dhe bashkimi i forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se mbetet sfida kryesore për Kosovën. Siguria, qeverisja e mirë, demokratizimi i shoqërisë, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik, ulja e varfërisë ekstreme dhe integrimet evropiane janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit 2009

Shkruan: Burim Ramadani

I
Viti 2008, pa dyshim, ka shënuar për Kosovën një vit historik, vendimtar dhe të mbushur me sfida të mëdha. Pavarësia e Kosovës, njohjet e shpejta nga shtetet e fuqishme demokratike, ftesa për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj nga Haga, fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi janë disa nga zhvillimet kryesore pozitive për Kosovën dhe shqiptarët. 2008-a ka shënuar një hap të fuqishëm përpara për kombin shqiptar, në kuptimin e integrimit të shtetit shqiptar në strukturat evro-atlantike. Integrimi brenda-shqiptar ka vazhduar edhe më tutje të thellohet, duke i dhënë një aspekt edhe më praktik të bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, politike, kulturore, shoqërore dhe sportive midis Kosovës dhe Shqipërisë. Pozicioni i kombit shqiptar ka arritur nivel më të përparuar në Ballkan dhe në raport me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Po ashtu, zhvillimi i marrëdhënieve dhe miqësisë më Perëndimin ka marrë një stad dhe drejtim tjetër, atë të partneritetit. Jo pak lëvizje pozitive kanë ndodhur në aspektin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale, kryesisht duke pasur parasysh avancimin e raporteve me Maqedoninë dhe Malin eZi, si pjesë e rëndësishme e fqinjve të Kosovës, të cilët kanë njohur pavarësinë e vendit. Historia e rajonit Ballkanik nuk ka njohur deri më tash stad më të lartë të zhvillimit dhe përmirësimit të raporteve me Perëndimin, shtetet me demokraci të konsoliduar dhe fuqinë më të madhe ushtarake botërore. Ajo që nuk u arrit as gjatë këtij viti mbetet sfida më e madhe e Ballkanit, Serbia dhe politika izoluese e saj, e cila ka vazhduar të luajë rol dekonstruktiv gjatë dekadave të tëra të historisë moderne.

II
Bashkë me fillimin e vitit 2008, qartësia e procesit pothuaj kishte marrë formën përfundimtare sa i përket hapave të mëtutjeshëm mbi statusin e Kosovës. Viti 2008 filloi me formimin e koalicionit të ri qeverisës, pas një procesi zgjedhor të fundvitit 2007, proces ky që ngriti një valë dyshimesh rreth rregullsisë së tij dhe orientimit real të shoqërisë kosovare. Sidoqoftë, transferi i qetë dhe pa probleme i pushtetit, ndërrimi i ekipeve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal tregoi pjekuri politike dhe një hap para në aspektin e konsolidimit të demokracisë. Kosova, më pas, shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke vendosur në të njëjtën ditë edhe për flamurin shtetëror. Tri-ngjyrëshi me hartën e Kosovës në mes, megjithatë, ende nuk është bërë simbol i fuqishëm i kosovarëve edhe pas gati një viti të shpalljes së tij, kryesisht për shkak të zhvillimeve të mjegullta politike rreth Kosovës. Dosido, njohja e shpejtë e pavarësisë së vendit nga shtetet e fuqishme demokratike të globit i dhanë një mbështetje të madhe zhvillimit të shpresës për shtetin e ri, shpresë e cila dukshëm u zbeh gjatë muajve të fundit të këtij viti, pas përpjekjeve të reja të Serbisë dhe OKB-së për aranzhmane të pavolitshme për Kosovën. Festimi i qetë dhe pa asnjë incident në rrugët e Kosovës i ka mundësuar paraqitje të një imazhi të civilizuar të shqiptarëve të Kosovës në mediat botërore, të cilat kishin prezencë të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në qytetet tjera të vendit gjatë ditëve të ftohta të shkurtit. Historia e bë më 17 shkurt 2008 dhe ajo mbeti të ndërtohet edhe në aspektin tjetër të zhvillimit politik, qeverisës, ekonomik e shoqëror. Ndërtimi i një shoqërie demokratike është interesi më vital i kosovarëve në vitet e ardhshme.

III
Vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sfidat e mëdha filluan të formësohen, kryesisht në veri të vendit. Djegia e dy pikave doganore me Serbinë në veri të Kosovës shfaqi thellësinë e problemeve që do të ketë edhe më tutje Prishtina zyrtare me komunitetin serb të Kosovës. Kjo dëshmoi se konflikti midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe në Kosovë do të vazhdojë, duke vënë shumë herë në pikëpyetje arritjen e funksionalitetit të duhur të modelit qytetar të shtetit të ri. Modeli mbi të cilin Kosova shpalli mëvehtësinë e saj është model që nuk vë në rend të parë gjakun dhe përkatësinë etnike, por barazon të gjithë shtetasit e Kosovës nën konceptin e ‘kosovarit’, duke identifikuar qytetarët me shtetin dhe vendit të lindjes, jo bashkësinë grupore të gjakut në të cilën lind njeriu. Porse, ky koncept (sado që është gjithëpërfshirës) nuk është pranuar edhe më tutje nga komuniteti serb i Kosovës, i cili sikurse edhe shqiptarët do të duhej që dalngadal të largonin tendencën e forcimit të identifikimit me ‘shtetin amë’ apo ‘sistemin e përkatësisë së gjakut’. Kjo, në fakt, është sfida më e madhe e mentalitetit ballkanik të kosovarëve dhe në mënyrë specifike me komunitetin serb, që vazhdon të jetë i ndikuar plotësisht nga politika izoluese e Beogradit zyrtar. Në anën tjetër, muajt e fundit të këtij viti kanë nxjerrë në pah përpjekjet koncept-shkatërruese për aranzhmane të reja në Kosovë, të njohura si Plani 6 pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Megjithëse, publikisht ky Plan është kundështuar nga Prishtina zyrtare, gjatë dhjetorit 2008 janë parë të jenë realizuar elemente të caktuara të këtij Plani, sikurse është Posta e Serbisë në qendër të Kosovës apo funksionimi i mjegullt i transportit hekurudhor të Serbisë në veri të Kosovës.

IV
Bashkimi i vizionit dhe forcave për ndërtimin e një shoqërie të konsoliduar demokratike duket se është, megjithatë, sfida kryesore për Kosovën. Gati një vit pas pavarësisë, Kosova është ballafaquar me rritje të dukurive negative në shoqëri, derisa krimi i origanizuar dhe korrupsioni mbeten edhe më tutje tema të cilat nuk janë prekur. Për këto defekte të organizimit politik dhe shoqëror, Kosova ka marrë vërejtje të qarta raportet gjithëpërfshirëse të së paku tri organizatave ndërkombëtare dhe think-tankeve të shquara. Komisioni Evropian, OSBE-ja dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave kanë alarmuar gjatë këtij viti për nivelin e ulët të progresit të shtetit të ri, duke vënë po ashtu në dyshim orientimin e shoqërisë kosovare, në kuptimin e qartësimit të cakut se ku dëshiron të arrijë Kosova gjatë viteve të ardhshme. Qeverisja, demokratizimi i shoqërisë, ngritja e nivelit të sistemit arsimor, zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë ekstreme janë sfidat tjera me të cilat Kosova ka nevojë të fokusohet gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të mos-përmirësimit të këtyre fushave gjatë vitit 2008. Lufta e brendshme politike nuk ka arritur të koncentrohet ende në fusha konkrete të qeverisjes dhe zhvillimit të shoqërisë, duke shtruar kështu nevojën që kjo të konceptualizohet gjatë vitit të ardhshëm. Prandaj, është e qartë se viti i ardhshëm do të jetë vit i sfidave në rrugën e zhvillimit të demokracisë. Koncepti civil i qeverisjes është mëse i domosdoshëm për Kosovën e re, duke vendosur në këtë pikë zhvillimin e pavarësisë reale të institucioneve dhe agjencive të pavarura, respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ngritjen e strukturave të sigurisë së Kosovës, integrimin e komuniteteve në sistemin e ri dhe përmbushjen e standareve për integrimet evropiane.
Botuar në "Zëri", më 29 dhjetor 2008, fq. 8

No comments: