Tuesday, April 28, 2009

Serbia t’i kërkojë falje Kosovës

Loja pa fitues
Serbia t’i kërkojë falje Kosovës
Elita politike serbe duhet t’i tregojë popullit të vërtetën për ngjarjet në Kosovë. Nxënësit serb duhet të mësojnë për politikën hegjemone dhe gjenocidiale të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit. Të rinjtë serbë duhet të kuptojnë se qëllimet e Serbisë për të shkatërruar kombe tjera gjatë dekadës së kaluar kanë qenë për pushtim territoresh. Historia botërore njeh raste tepër të vlefshme të përballjes me të kaluarën. Gjermania është shembull i rëndësishëm
Shkruan: Burim Ramadani
I
Viktimat e luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-99, janë ofenduar edhe njëherë gjatë javës së kaluar nga po të njëjtat struktura institucionale të Serbisë. Në Beograd, gjykata serbe ka liruar si të pafajshëm tre nga shtatë të akuzuarit për masakrën makabre të kryer në Suharekë ndaj familjes Berisha në mars të vitit 1999. Pa dyshim se një vendim i tillë i gjykatës në Beograd në të vërtetë nuk ka dhënë elemente të ndonjë vullneti politik, njerëzor dhe ndërkombëtar të institucioneve dhe popullit serb për të pranuar krimet e kryera në Kosovë, sikurse edhe për të dënuar fajtorët politikë dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave dhe vrasjeve. Në të njëjtën kohë, Serbia duhet që në mënyrë definitive të gjejë forcën dhe nevojën për të kërkuar falje ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës për vrasjet masive, dhunën, shkatërrimet dhe gjenocidin e tentuar në Kosovë. Dhjetë vjet pas luftës në Kosovë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, pozicioni i Serbisë dhe politikës së atjeshme nuk ka ndërruar në themelin e saj, pavarësisht se tashmë kemi mundur të shohim ndonjë deklaratë që është dukur të jetë më e moderuar. Sidoqoftë, jo rrallë herë është konstatuar me të drejtë për drejtimin e njëjtë të politikës serbe sa i përket Kosovës, duke pasur parasysh këtu qëllimin për mos-njohjen e tërë aktiviteteve të dhunës të shkatuar nga ajo politikë.
II
Vendimet politike të gjykatave në të vërtetë fyejnë në shumë drejtime. Jo vetëm viktimat dhe familjet e tyre në Kosovë, por po ashtu edhe shtetin e Kosovës, rajonit dhe institucionet e organizatat ndërkombëtare që kanë ndërhyrë dhe janë aktivizuar në proceset në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO-ja, OSBE-ja, OKB-ja dhe institucione e organizata të ndryshme botërore kanë qenë dëshmitarë të fuqishëm dhe të besueshëm për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve dhe dekadave me radhë. Prandaj, secili veprim i Serbisë dhe institucioneve të saja për të fshehur, mos-pranuar dhe hedhur poshtë faktet për dhunën, vrasjet dhe tentimin e gjenocidit në Kosovë, do të thotë veprim për të forcuar edhe më tutje mentalitetin politik dhe hegjemonik të politikës së kohës së Millosheviqit. Politika e këtillë pati shkaktuar dhunë dhe luftëra të përgjakshme në pothuaj tërë territorin e ish-Jugosllavisë, duke filluar që nga Republikat e Sllovenisë e Kroacisë deri në Bosnjë dhe Kosovë. Një politikë e këtillë, e bazuar në idenë e Serbisë së Madhe dhe superioritetin e kombit serb mbi kombet tjera të rajonit, është dëshmuar të jetë shkatërrimtare, e dhunshme, e padobishme, jocivilizuese dhe e dënueshme. Për rreth dhjetë vjet me radhë, luftërat që kapluan ish-Jugosllavinë shkaktuar qindra mijëra të vrarë dhe si të tilla tronditën botën.
III
Bota dhe mentaliteti demokratik ndërkombëtar funksionon mbi bazën e parimeve të shëndosha të bashkëpunimit, respektimit të ndërsjellë, përballjes me të kaluarën dhe integrimeve rajonale e ndërkombëtare. Kjo në të vërtetë duhet të jetë politika që duhet të ndjek elita politike në Serbi. Vetëm në këtë formë, politika, shteti dhe populli serb mund të bëhet faktor stabiliteti dhe integrimi në rajonin e trazuar të Ballkanit. Për të bërë këtë, elementi më i rëndësishëm është përballja e dinjitetshme me të kaluarën. Historia botërore njeh raste tepër të vlefshme dhe të rëndësishme të përballjes me të kaluarën, menjëherë pas dhunës kolektive apo luftërave të përgjakshme botërore. Gjermania e pas-Luftës së Dytë Botërore është shembulli më i mirë që mund të merret në analizën se si duhet të veprojë elita politike dhe populli serb. Ky shembull demonstron në mënyrë të fuqishme ndjesën që populli dhe shteti gjerman shfaq për politikën naziste që kishte ndjekur shteti i tyre gjatë viteve të 1930-ta dhe fillimvitet e 1940-ta, kur Evropa dhe bota ishin përfshirë në luftën e madhe. Kampet e përqendrimit, sikurse ai në Dachau, tashmë 60 vjet janë kthyer në muze, ku fëmijët gjermanë që në shkollë fillore dhe të mesme mësojnë se çfarë kanë bërë gjyshërit tyre dhe çfarë vuajtje i kanë sjellur ata kombeve të tjera të botës, me qëllimin e vetëm që këto ngjarje të mos përsëriten më nga populli gjerman.
IV
Bashkëpunimi i Serbisë me vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën, tashmë të pavarur, është një qëllim i mundshëm dhe i rëndësishëm për integrimin e përgjithshëm të rajonit ballkanik. Por, kjo nuk nënkupton se ky bashkëpunim duhet të bëhet me çdo kusht dhe për këtë shkak duhet lënë prapa faktet mbi të kaluarën. Elita politike serbe duhet të ketë guximin që popullit serb t’i tregojë të vërtetën për ngjarjet në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Studentët dhe nxënësit serb duhet të mësojnë në librat e historisë për politikën hegjemone dhe gjenocidiale të udhëhequr nga regjimi i Millosheviqit dhe strukturave të tij të krijuara prej vitesh. Të rinjtë serbë duhet të kuptojnë se qëllimi i Serbisë për të shkatërruar kombe tjera gjatë dekadës së kaluar ka qenë kryekëput i lidhur me ambicient nacionaliste të saja për pushtim territoresh dhe ndikim hegjemonik. Ky veprim duhet të përcillet me kërkim-fajlen zyrtare dhe publike të Serbisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës për luftën, shkatërrimin, vrasjet dhe tentim-gjenocidin. Vetëm në këtë formë, politika e Serbisë tregon elementet e vërteta të vullnetit të saj për t’u drejtuar kah e ardhmja e integruar dhe paqësore e rajonit. Porse, rasti i gjykimit të të akuzuarve për masakrën ndaj familjes Berisha në Suharekë, tregoi se ky vullnet ende nuk ekziston. Gjykimet e tilla farse nuk i ndihmojnë bashkëpunimit të mundshëm me Serbinë.
Botuar në "Zëri" më 27 prill 2009, fq. 11.

No comments: