Sunday, April 19, 2009

Thyerja e traditës së gjithëpërfshirjes

Loja pa fitues

Thyerja e traditës së gjithëpërfshirjes

Institucionet e Kosovës, përkatësisht partitë politike në pushtet, në mënyrën më të papërgjeshme ndërprenë traditën e bashkë-rendimit të aktiviteteve dhe kontributeve të të gjithëve në situatat e rënda me të cilat përballet Kosova. Tradita e deritashme e bashkimit të kapaciteteve të përgjithshme është dashur të vazhdojë edhe në rastin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ajo që po ndodh me këtë proces, sqaron një politikë të tkurrjes dhe izolimit të vendim-marrjes në rrethe fare të ngushta

Shkruan: Burim Ramadani

I

Bashkëpunimi i të gjithë faktorëve në proceset e mëdha të Kosovës është dëshmuar shumë herë deri më tash se ka qenë i domosdoshëm dhe i dobishëm për vendin. Në mënyrë të tillë është punuar me vite të tëra për të përballur vështirësitë dhe ndjeshmëritë që i janë paraqitur përpara popullit të Kosovës. Nëse analizohet tash mënyra se si janë zhvilluar pozicionet e Kosovës gjatë situatave të ndryshme, është fare e qartë se, megjithë ndarjet, ka ekzistuar një vetëdije e padiskutueshme për t’u bashkuar në ato që quhen vendime të mëdha. Kështu ka ndodhur disa herë gjatë kohës së rezistencës paqësore të viteve të 1990-ta, kur janë krijuar Grupe gjithëpërfshirëse për çështje të ndryshme. Ato grupe përbëheshin nga pothuaj të gjitha partitë politike në Kosovë, nga institucionet e atëhershme paralele, si dhe nga personalitete të rëndësishme jashtë organizimeve partiake, si ekspertë, persona publikë apo akademikë. E njëjta gjë pati ndodhur edhe në kohën më të vështirë të Kosovës, gjatë periudhës së luftës, kur në Konferencën e Rambujesë u arrit përfaqësimi gjithëpërfshirës i popullit. Pavarësisht se shpjegimet e pjesëmarrësve në këtë Konferencë kanë dhënë orientime të ndryshme rreth asaj se sa homogjen ka qenë delegacioni kosovar, ajo që është e rëndësishme në këtë kontekst është parimi i përfshirjes të të gjithë aktorëve në përgatitjen e procesit dhe në vendim-marrje. Kjo ka qenë sa e rëndësishme, po aq edhe e domosdoshme me qëllim të sigurimit të përfaqësimit më të denjë në proceset e mëdha.

II

Vendosja e një parimi të tillë të gjithëpërfshirjes në proceset e mëdha me të cilat përballet vendi dhe populli, ishte një prej politikave më të qëlluara të prira nga udhëheqja politike. Në të njëjtën frymë, Kosova është përgatitur edhe ndaj sfidave dhe proceseve tjera të pas vitit 1999. Mjafton të kujtohet në këtë kuadër funksionimi gjithëpërfshirës i partive politike në mekanzimat e krijuar menjëherë pas luftës në Kosovë, që kishin për qëllim zhvillimin e mundësive për krijimin dhe forcimin e institucioneve qendrore dhe lokale të vendit. Por, edhe procesi i definimit të statusit të Kosovës, përkatësisht pavarësimit të Kosovës, është përballur me parimin e drejtë të inkuadrimit të të gjithë faktorëve vendim-marrës në vend. Në shtator të vitit 2005, Presidenti Rugova pati themeluar Ekipin e Unitetit, ku u përfshin pos tij edhe kryetari i Kuvendit, Kryeministri, dy liderët e partive opozitare dhe personalitete nga jeta publike. Ky solucion i ofruar nga Presidenti Rugova pati të njëjtën qasje të respektimit të aftësive kontribuese të të gjithë atyre që kanë përgjegjësinë, mundësinë dhe aftësinë për të përgatitur vendin në përballje me procese të mëdha. Kjo në fakt krijoi edhe një lloj tradite të fuqishme të Kosovës për bashkim të të gjitha forcave në rastet dhe situatat e rëndësishme dhe të ndjeshme për vendin. Institucionet e Kosovës në atë kohë kanë mundur të futen në proces të statusit edhe në kapacitetet e brendshme institucionale, porse kjo do të thyente parimin e gjithëpërfshirjes në ballafaqimet me situatat e tilla.

III

Bashkimi i kapaciteteve të përgjithshme në të vërtetë është edhe më tutje nevojë dhe kërkesë e patejkalueshme për vendin. Mirëpo, kjo nevojë dhe, mbi të gjitha, kjo traditë e krijuar deri më tash, u thye në mënyrë arbitrare gjatë muajve të fundit. Institucionet shtetërore dhe partite politike në pushtet në mënyrën më të papërgjeshme ndërprenë traditën e bashkë-rendimit të aktiviteteve dhe kontributeve të të gjithëve në situatat e rënda me të cilat përballet Kosova. Një situatë e tillë e rëndë sigurisht se është paraqitja e rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe përgatitja e Kosovës për të argumentuar të drejtën e vetë për të shpallur pavarësinë. Megjithëse është angazhuar një ekip i ekspertëve ndërkombëtar të drejtësisë, institucionet e Kosovës kanë mbyllur në formë të pashpjegueshme procesin e përgatitjes së vendit për këtë situatë të krijuar. Tashmë disa muaj, partitë politike në opozitë, sikurse edhe ekspertë të ndryshëm vendorë, kanë shfaqur vullnetin e tyre të plotë për të dhënë kontributin brenda këtij procesi. E tërë kjo është injoruar. Duke bërë kështu, institucionet dhe partitë politike në pushtet kanë hedhur poshtë të gjitha përpjekjet e shumëkohshme të Presidentit Rugova dhe udhëheqjes politike për të qenë bashkë përballë sfidave të mëdha. Madje, kjo është edhe më e rëndë kur udhëheqës institucionesh thirren në traditën dhe vlerën e krijuar në Kosovë për vite të tëra. Është e qartë se deklarimi i këtillë i tyre, sikurse presidentit Sejdiu, nuk është në realitet një përcaktim dhe orientim politik.

IV

Vërtetësia e të drejtës për shpalljes e pavarësisë së Kosovës është e padiskutueshme dhe reale. Por, proceset juridike nuk janë procese politike dhe si të tilla dallojnë në nuanca të gjëra dokumentuese. Për këtë është i nevojshëm kontributi i të gjithëve pavarësisht pozicioneve aktuale të raporteve pozitë-opozitë. Prandaj, me të drejtë shfaqet edhe shqetësimi i thellë për përgatitjen reale të Kosovës në mbrojtje të të drejtës për shpalljen e pavarësisë në institucionet vendore më 17 shkurt 2008. Ajo që po ndodh me procesin vendor për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sqaron me të vërtetë një politikë të tkurrjes dhe izolimit të fuqisë vendim-marrëse në rrethe fare të ngushta të individëve të caktuar në pushtet. Edhe sikur ata të ishin njohësit më të mirë të aspekteve juridike dhe aspekteve tjera, rasti nuk do të mund të besohej në vetëm disa duar për shkak të kompleksitetit të tij. Duhet thënë qartë se çfarëdo rezultati jopozitiv nga procesi në GJND dëmton tërë Kosovën dhe jo vetëm një strukturë të ngushtë të njerëzve në udhëheqje. Dhe, në anën tjetër, çfarëdo rezultati pozitiv nga ky proces do të jetë sukses për tërë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Kështu që, përgjegjësia politike, qytetare dhe kombëtare është e jashtëzakonshme dhe si e tillë ajo do të duhej të shoqërohej me një proces gjithëpërfshirës të përgatitjes së vendit. Edhe pozita edhe opozita duhet të kenë një qëllim: zhvillimin dhe perspektivën për vendin dhe qytetarët. Tradita e bashkëpunimit të deritashëm është thyer në mënyrë të paarsyeshme. Kjo nuk i bën nder askujt dhe nuk është e dobishme për Kosovën.

Botuar në "Zëri" më 20 prill 2009, fq. 9


No comments: