Sunday, September 13, 2009

No Pasaran!

Loja pa fitues
No Pasaran!
Askush s’guxon të luajë me kartën e folklorit patriotik për përfitime të ngushta personale ose partiake. Thaçi e Sejdiu duhet të kuptojnë se me këto veprime po pengojnë zhvillimin e Kosovës. As raportet me partnerët strategjik, as fqinjësia e mirë, as integrimet ndërkombëtare, as demokratizimi, as zhvillimi ekonomik, as siguria, as arsimi e shëndetësia, as kultura e sporti nuk funksionalizohen me këtë mentalitet. Të gjitha këtyre u duhet thënë qartë: No pasaran!
Shkruan: Burim Ramadani
I
Netë të tëra gjatë këtyre javëve qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për protokollin e famshëm tashmë midis EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Lloj-lloj vlerësimesh u dëgjuan gjatë këtyre ditëve e netëve të gjata për kosovarët, të cilët nu e patën të lehtë të kuptojnë se çfarë në të vërtetë është duke ndodhur gjatë kësaj kohe. Pavarësisht se asnjëherë nuk u qartësuan saktësisht arritjet dhe pasojat nga ajo që ishte shkruar në draftin e protokoll-marrëveshjes, një gjë që u tha fuqishëm nga liderët e institucioneve ishte se ata nuk do të pranonin asnjëherë diçka të tillë. Çka ishte ajo ‘diçka e tillë’, zor se e kuptuan qytetarët e vendit, të cilët janë zhytyr në një situatë të rëndë të social-ekonomike. Sidoqoftë, duke ndjekur lajmet dhe lexuar gazetat, një pjesë e madhe e qytetarëve të vendit filluan ndoshta edhe të binden se liderët institucionalë janë të paluhatur në qëndrimet e tyre burrërore, në mbrojtje të nderit dhe atdheut, në mbrojtje të të drejtës dhe popullit, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të pacenueshëm të Republikës së Kosovës. Barrikadimi i liderëve të institucioneve tashmë kishte marrë formë të ngurtë (sipas të gjitha gjasave, vetëm para kamerave televizive!) dhe situata e krijuar u perceptua të jetë rrezikuese për shumë procese në vend.
II
Duke parë deklaratat të zjarrta patriotike të kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, dhe shefit të tij, kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, qytetarët shumë lehtë mund të konkludonin se protokolli qenka gjëja më e keqe që po i kërcënohet Kosovës. Madje, fare qartë në hapësira të ndryshme diskutimi në qytetet dhe fshatrat e Kosovës konstatohej me nervozizëm që nëse nënshkruhet ky protokoll, çdo gjë mund të rrokulliset në Kosovë tonë shtet të posaformuar. Ndërtimi i një perceptimi të tillë duket se ka pasur qëllim të qartë nga liderët e institucioneve, me qëllimin e vetëm të përfitimeve personale dhe partiake në tërë këtë rrëmujë ngjarjesh para zgjedhjeve lokale në Kosovë. Këto zgjedhje do të mbahen më 15 nëntor 2009 dhe do të shkaktojnë rikonfigurim të skenës politike partiake në vend, duke treguar për ndryshim të fuqishëm të mbështetjes së qytetarëve të Kosovës për partitë, liderët dhe projektet e tyre. Edhe Protokolli u përfshi në luftën për pushtet të liderëve të tashëm të institucioneve, të cilët ndoshta kanë dilluar të shohin se mungesa e vizionit për të ardhmen dënohet nga qytetarët. Vlerësimi publik që Thaçi e Sejdiu i kanë bërë këtij Protokolli, nëse mund të përmblidhet me një fjali të shkurtër, do të ishte ky: “Kosova rrezikohet nga Protokolli, ne do ta shpëtojmë Kosovën!”
III
Rrezikimi i Kosovës dhe popullit të saj, në realitet, vjen nga brenda e jo nga jashtë. Qytetarët e Kosovës e kanë tashmë të qartë se situata e krijuar dhe situatat e reja që mund të krijohen gjatë kësaj kohe kanë përgjegjësi të qarta dhe adresa direkte të fushëveprimit. Liderët e institucioneve të Kosovës nuk mund t’i shmangen këtyre përgjegjësive, të cilat i shfrytëzojnë sa herë që mendojnë për vota. Ata nuk mund të shpallin veten ‘shpëtimtarë’ të Kosovës, kur e dinë fare qartë se ky lloj koncepti nuk ndërtohet në këtë mënyrë të veprimeve që bëjnë. Kosova ka nevojë për politikë aktive, të qartë, ofensive në kuptimin e promovimit të vendit, dhe po ashtu zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Që nga 17 shkurti 2009, kur është shpall pavarësia e Kosovës, fatkeqësisht nuk kemi parë poitikë pro-aktive të institucioneve të vendit dhe as qartësi të vizionit për rrugën përpara. Në vend të kësaj, kemi parë Kosovën vetëm duke u mbrojtur gjatë kësaj periudhe. Edhe mbrojtja ndaj gjashtë pikëshit, edhe në Gjykatën Ndëkombëtare të Drejtësisë, edhe ndaj Protokollit, edhe ndaj raporteve ndërkombëtare që tregojnë gjendjen reale në Kosovë, dëshmon për një politikë të pakokë. Kështu nuk ndërtohet e ardhmja e një shteti, sikurse nuk sigurohen qytetarët e atij shteti se do të kenë perspektivë konkurrente.
IV
Opinioni publik në Kosovë nuk mund të manipulohet me fraza të viteve të paraluftës. Kjo është tentuar të ndodh gjatë kësaj periudhe të rëndë për qytetarët e vendit dhe të ardhmen e tyre. Kjo, njëkohësisht, duhet të jetë hera e fundit që liderët institucionalë përpiqen të luajnë me elementet më të ndjeshme të një populli, sikurse është edhe ndjenja kombëtare ose nxitja e armiqësisë publike ndaj popujve të tjerë në Perëndim. Sot në Kosovë, të gjithë duhet të kuptojnë qartë se nuk guxojnë të luajnë me kartën e folklorit patriotik për përfitime të ngushta personale ose partiake. Thaçi e Sejdiu duhet ta kenë të qartë se duke bërë veprime të kësaj logjike, realisht janë duke penguar zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në Kosovë. Nuk mund të zhvillohet Kosova dhe as të ndërtohet perspektiva e popullit të saj bazuar në këtë mentalitet të mungesës së politikave dhe agjendave afat-gjate të evndit. Interesi nacional i Kosovës nuk mbrohet bazuar në interesat e ngusht personal apo partiak të personave të caktuar. As raportet me partnerët strategjik, as fqinjësia e mirë, as integrimet ndërkombëtare, as demokratizimi, as siguria, as zhvillimi ekonomik, as arsimi e shëndetësia, as kultura e sporti nuk funksionalizohen me këtë mentalitet. Të gjitha këtyre u duhet thënë qartë: No pasaran!

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 14 shtator 2009, fq.

No comments: