Tuesday, September 8, 2009

Policia – simboli i suksesit të Kosovës

Loja pa fitues
Policia – simboli i suksesit të Kosovës
Policia e Kosovës është institucioni që simbolizon suksesin e Kosovës dhe pikërisht për fakt ne të gjithë duhet të jemi plotësisht të kujdesshëm në raport me të. Nuk duhet ndërhyrë politikisht, sikurse po ndodh në qeverinë aktuale, dhe duhet mbështetur sa më shumë financiarisht, gjë që nuk po ndodh në qeverinë aktuale. Rrezikimi që po i ndodh tash Policisë së Kosovës, nuk është mundur të mendohet pak vjet më parë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Këtë të diel u bënë dhjetë (10) vjet prej se është themeluar Policia e Kosovës. Nuk ka ndonjë dyshim se për të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi dhe këtij populli Policia e Kosovës është një prej institucioneve shtyllë të shtetit të Kosovës. Të paktën kështu do të duhej të ishte për udhëheqjen e tashme institucionale të vendit, por edhe për të gjithë të tjerët që synojnë të prinë proceset në Kosovë. Si qytetarë të Kosovës duhet të urojmë të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës për këtë ditë të shënuar. Për ta është vërtetë e nevojshme të shprehet në vazhdimësi mbështetja jonë qytetare e plotë për rrugën drejt profesionalizimit të mëtejshëm dhe zhvillimit të Policisë. Jemi të vetëdijshëm për detyrën specifike që ka për të kryer secili pjesëtar i Policisë së Kosovës, sikurse jemi të vetëdijshëm për shumë probleme me të cilat përballen pjesëtarët e Policisë. Prandaj, ne të gjithë duhet të jemi të përkushtuar që të zhvillojmë Policinë e Kosovës në të gjitha aspektet, sidomos aspektin profesional, atë financiar dhe mirëqenien e oficerëve policorë. Policia e Kosovës është institucioni që simbolizon suksesin e Kosovës dhe pikërisht për fakt ne të gjithë duhet të jemi plotësisht të kujdesshëm në raport me të. Nuk duhet ndërhyrë politikisht, sikurse po ndodh në qeverinë aktuale, dhe duhet mbështetur sa më shumë financiarisht, gjë që nuk po ndodh në qeverinë aktuale.
II
Si shoqëri që mëtojmë të zhvillojmë demokracinë dhe të ndërtojmë shtet funksional, duhet të ngrejmë zërin të gjithë së bashku kundër gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike në të cilën gjenden pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht e pakënaqur me qasjen që institucionet e vendit i kanë dhënë deri më tash Policisë së Kosovës. Duke lënë pagën mesatare të pjesëtarëve të Policisë në rreth 240 euro, shteti i Kosovës po dëmton mundësitë e motivimit më të madh të tyre për luftën e rëndësishëm kundër krimit të organizuar dhe detyrës për vendosjen e rendit dhe ligjit. Qeveria e Kosovës po vazhdon të shkel Ligjin mbi Policinë, i cili përcakton në mënyrë të qartë se cilat cili duhet të jetë trajtimi financiar për pjesëtarët e Policisë, jo vetëm sa i përket pagave, por edhe duke ndërhyrë në çështjet operative. Ne jemi të përkushtuar të zbatojë Ligjin për Policinë e Kosovës, sipas të cilit janë të përcaktuar mjaft qartë obligimet e shtetit ndaj oficerëve policorë. Po ashtu, në qeverisjen e ardhshme pa vështirësi të mëdha do të arrihet që të dyfishohen të ardhurat e oficerëve policorë, pra të ketë një rritje të dukshme dhe të dinjitetshme. Është e qartë se pa kthimin e dinjitetin të oficerëve policorë dhe të Policisë së Kosovës si institucion, shteti i Kosovës nuk mund të funksionalizohet dhe të zhvillohet në mënyrë demokratike.
III
Por, cila është gjendja reale me të cilën përballen sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës? A kjo gjendje ndonjë bazament i fuqishëm për të ruajtur dhe zhvilluar dinjitetin e secilit që është i përfshirë në këtë detyrë tejet specifike? Në të vërtetë, policët e Kosovës përballen me vështirësi të mëdha financiare-ekonomike familjare. Policët e Kosovës kanë paga vërtetë të ulëta dhe të pamjaftueshme për të zhvilluar një standard normal të jetës së Kosovë. Paga mesatare e oficerëve të Policisë është rreth 240 euro. Në krahasim me pagën e një ministr, ajo e policiit të Kosovës është të paktën pesë (5) herë më e vogël. Puna e policiit është shumë herë më e rrezikshme, dhe rezultati material për standard jetësor është shumë më i mangët. Tek e fundit, paga e një oficeri të Policisë së Kosovës shpenzohet gati në gjysmë për udhëtimin e tij për punë, ushqim gjatë orarit dhe kujdes shëndetësor, derisa paga e një ministri mbetet e paprekur, sepse ata nënshkruajnë kudo që shkojnë. A ka gjendje më të rëndë se fakti se policët e Kosovës detyrohet të punojnë edhe punë shtesë, disa si kamerierë, disa si roje nate, por edhe punë të tjera jashtë orarit të punës për të mundësuar bukën, shkollimin dhe zhvillimin e fëmijëve të tyre. Kjo tregon se policët e Kosovës gjatë orarit të punës mendojnë nëse familja e tyre do të mund të kalojë muajin pa ndonjë problem të madh financiar.
IV
Ne kemi planin konkret dhe të detajuar për dyfishimin e të ardhurave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, menjëherë në herën e parë që ne do të buxhetojmë Buxhetin e Kosovës gjatë mandatit tonë qeverisës. Pos pagës themelore, plani i detajuar i AAK-së përcakton se për pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet të realizojmë edhe shtesat, kompensimet dhe beneficionet. Tek shtesat për pjesëtarët e Policisë së Kosovës përfshihen shtesat për detyrat e rrezikshme, punën jashtë orarit, orarin e punës me ndërrime, punën gjatë festave ose ditëve tjera që janë ditë pushimi, caktimin në punë të veçanta, dhe për shkathtësi të veçanta. Ndërsa, tek kompensimet dhe benificionet për pjesëtarët e Policisë së Kosovës duhet të përfshihen edhe shpenzimet mjekësore dhe shëndetësore, shpenzimet për trajnimet profesionale dhe teknike, shpenzimet jetësore për transferim të përkohshëm, pushim me pagesë, kompensimet në rastet e vdekjes, stazhin e benificuar, dhe beneficionet e pensionit. Po ashtu, në qeverisjen e ardhshme do të ketë kujdes të formës së veçantë për familjet e pjesëtarëve të Policisë të rënë në detyrë. Të gjitha këto janë të realizueshme dhe për këtë rreth 15 milionë euro, të cilat qeveria e tashme i shpenzon për më pak se pesë (5) km rrugë të standardit tejet të ulët.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 7 shtator 2009, fq. 11

No comments: