Friday, January 8, 2010

Riformatizimi - ikje nga zgjedhjet parlamentare

Riformatizimi - ikje nga zgjedhjet parlamentare
Shkruan: Burim Ramadani
I
Menjëherë pas festës së Vitit të Ri në Kosovë rifilloi tema e të ashtuquajturit riformatizim i Qeverisë. Kjo ndoshta është “dhurata” e vetme që Kryeministri atual, Hashim Thaçi, mund t’i jep qytetarëve të Kosovës dhe anatërave të PDK-së. Kjo është e kuptueshme për secilin që përcjell zhvillimet politike dhe qeverisëse në Kosovë. Nëse imagjinohet kryeministri Thaçi si babadimër i Kosovës, atëherë çfarë do të mund t’i sillte ai qytetarëve të vendit dhe anëtarëve të partisë së tij? Gjatë një viti të kaluar nën qeverisjen e tij, Kosova është dëmtuar në shumë drejtime, si në atë ekonomik, sundimin e ligjit, demokracinë e brendshme, tolerancën politike etj. Mbi të gjitha, kosovarët janë dëmtuar në xhepin e tyre. Jeta e secilit qytetar të rregullt të Kosovës është shumë më e vështirë dita-ditës. Derisa nevoja për shpenzime është rritur, qytetarët e Kosovës nuk kanë të hyra më të mëdha apo më shumë vende pune. Thesi i babadimrit Thaçi është i zbraztë dhe nuk mund të sjell asgjë që kënaq “fëmijët” e lodhur në Kosovë. Prandaj, e vetmja dhuratë që i mbetet babadimrit kosovar Thaçi është ajo e tregimit të ndonjë “përrallë” të re politike apo tentimi për bërjen e një loje të re që nxit të qeshurat e “fëmijëve” të mërzitur kosovarë. Kjo “përallë” mbase duket e domosdoshme për Thaçin për shumë arsye, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me pamundësinë e bashkë-jetesës së këtillë të partnerëve të koalicionin qeveritar, pas zgjedhjeve lokale të cilat assesi nuk po përfundojnë.
II
Uniteti dhe stabiliteti i koalicionit qeverisës ishte njëri prej formulimeve më të shpeshta që është dëgjuar për gati dy vjet me radhë të kësaj qeverisjeje. Sikur është e njohur në popull, secili përmend pikërisht atë që nuk e ka. Dhe, e tillë është situata reale. Siç dihet, koalicioni qeveritar aktual përbëhet nga PDK, LDK dhe disa parti të vogla të minoriteteve. Porse, brishtësia, mungesa e unitetit, stabilitetit dhe e mundësisë për bashkë-jetesë midis të dy partive më të mëdha në koalicion është vërejtur qysh më herët. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe rundi i dytë për kryetarë të komunave ka vënë në pah raportin e vërtetë midis këtyre partive. Për më tepër, është vërejtur qartë se elektorati i të dy partive është i padurueshëm mes vete dhe kjo është vazhdimësi e raporteve tradicionale mes tyre. Tek e fundit, mund të konstatohet se secili kandidat i LDK-së që ka akuzuar PDK-në dhe kryeministrin Thaçi gjatë fushatës zgjedhore, ka arritur një rritje apo sukses të konsiderueshëm në zgjedhje. Por, përsëritja e balotazhit në dy (apo tri?) komuna ku garojnë PDK-ja dhe LDK-ja ka shkaktuar edhe një goditje, sipas të gjitha gjasave të patejkalueshme, midis këtyre dy partive. Dorën në zemër, si mund të vazhdojnë “martesën” këto dy parti kur nuk kanë aspak besim në njëra-tjetrën dhe janë munduar t’ia vjedhin votat? Këto zhvillime mund të çojnë në zgjedhje parlamentare.
III
Tentativat për ndryshimet e tashme në Qeverinë e Kosovës janë kryekëput përpjekje për t’i ikur zgjedhjeve parlamentare. Por, kjo ka edhe një qëllim tjetër të kryeministrit aktual, Thaçi: definimi i qartë dhe preciz i raporteve me partnerin e koalicionit qeverisës, LDK. Kjo duket të jetë shumë e nevojshme për PDK-në e Thaçit për shkak se shumë zhvillime të deritashme brenda LDK-së kanë dridhur dhe lëkundur qëndrueshmërinë e koalicionit qeveritar. Madje, deklaratat e shumë zyrtarëve të lartë të LDK-së kanë shkaktuar një irritim pothuaj të papërmirësueshëm brenda anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së anëkënd Kosovës. Akuzimi nga ana e udhëheqësve të lartë të LDK-së se kryeministri Thaçi është “diktator në miniaturë” apo formulimet se “qeveria e tashme nuk e ka jetën e gjatë” sigurisht se kanë ndikuar në qasjen e re që PDK-ja ka formuar në raport me partnerin e ‘vogël’. Por, mbi të gjitha duket se kryeministri Thaçi dëshiron t’i ikë mbajtjes së mundshme të zgjedhjeve parlamentare në pranverë apo vjeshtë të këtij viti. Realisht, nuk është interesi i PDK-së që këto zgjedhje të mbahen para proceseve të rëndësishme të privatizimit që pritet të ndodhin këtë vit, sikurse është KEK-u, PTK-ja apo dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Logjika që udhëheq këtë qeveri është ajo e korrupsionit, prandaj PDK-ja nuk është e interesuar që t’i “lëshojë këto mundësi” të pasurimit, pavarësisht se qytetarët kanë tjera halle.
IV
Interesi i qytetarëve të Kosovës nuk është ai që përfaqësohet në formën e tashme nga qeveria e koalicionit që disa herë u quajt edhe si “guns and roses”. Tash më shumë se tre muaj, udhëheqja e qeverisë së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin edhe një numër të madh të ministrave, janë fokusuar plotësisht në zgjedhjet, në zhvillimet e brendshme partiake dhe në ruajtjen e pozitës së partisë së tyre në qeveri. Përkundrazi. Interesi i qytetarëve të Kosovës nuk lidhet me atë se çka po ndodh brenda një partie të caktuar, cili ministër do të ndërrohet, a është i nevojshëm riformatizimi i Qeverisë apo cili ministër do të bëhet më i rëndësishëm se kolegët e tij në qeveri. Kjo është logjikë e mbrapshtë e udhëhequr nga kjo Qeveri dhe ky kryeministër. Qytetarët e Kosovës kanë interes të paluhatshëm sa i përket rritjes ekonomike, zhvillimit të përgjithshëm, hapjes së vendeve të reja të punës, zbutjes së papunësisë, zhdukjes së varfërisë ekstreme, zbutjes së varfërisë, arsimimit më cilësor, sistemin shëndetësor më të përparuar, sundimit të ligjit, lëvizjes së lirë, investimit në bujqësi, rritjes së të ardhurave, e shumë e shumë kërkesa tjera me qëllim të përmirësimit të jetesës së përditshme. Por, këto tema as që diskutohen sot në Qeverinë e Kosovës. E tëra që diskutohet është: a do të jem edhe më tutje ministër?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 8 janar 2010, fq. 24

No comments: