Thursday, January 21, 2010

“Titanik” Qeveria

“Titanik” Qeveria

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shumë njerëz janë konfuzuar me zhvillimet që patën ndodhur në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të asaj vjeshte, partitë politike në Kosovë patën hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve. Skena politike e përçarë me vite të tëra që prej përfundimit të luftës, më 1999, ishte rikonfiguruar, duke vënë kështu për herë të parë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) të kryesuar nga Hashim Thaçi në pozitën e partisë më të madhe në vend. Kjo ndodhi kryesisht për faktin se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte humbur liderin e saj, Ibrahim Rugova, dhe ishte ndarë në dysh pas Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të saj, në dhjetor të vitit 2006, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ekzistonte në një periudhë të rëndë pas shkuarjes në Hagë të liderit të saj, Ramush Haradinaj. Por, kjo situatë solli për herë të parë mundësinë që në Kosovë të ketë një afrim midis dy partive që kanë qenë rivale ekstreme për vite të tëra. Megjithatë, elektorati i tyre nuk i është bindur pothuajse asnjëherë kësaj mundësie. E tillë ishte situata në mbrëmjen e 17 nëntorit 2007, kur përkrahësit e PDK-së i bënë thirrje udhëheqjes së partisë së tyre që të mos bëjë koalicion me LDK-në. Por, ujdia që kishin bërë krerët e dy partive politike tashmë kishte marrë formën e vet dhe ashtu u materializua/formalizua në fillim të vitit 2008, pavarësisht se disa muaj më parë një mundësi e tillë ishte cilësuar edhe si “partitokraci” në Kosovë.

II
Koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së ndodhi për herë të parë, në janar të vitit 2008 dhe si i tillë mori një shumicë të avancuar në Kuvendin e Kosovës. Partitë që mbetën jashtë koalicionit e quajtën këtë koalicion si të panatyrshëm për shkak të ndasive të thella që ishin (dhe janë) prezentë midis këtyre partive. Sidoqoftë, procesi i pavarësimit të Kosovës ishte në përmbyllje e sipër dhe në këtë formë shumë analistë e cilësuan koalicionin e tillë si të nevojshëm për shkak të ruajtjes së stabilitetit të përgjithshëm në vend. Megjithëse ky konstatim kontestohet me argumente të ndryshme, “koalicioni për shtetin” tashmë kishte marrë drejtimin e vendit. Qytetarët e rëndomtë të Kosovës kanë pritur se bashkimi i dy partive më të mëdha në një koalicion mund t’i ofrojë Kosovës një orientim të ri, sidomos pas humbjes së legjitimitetit që kishte pësuar qeveria e kaluar e udhëhequr pas shkuarjes në Hagë të Ramush Haradinajt. Por, që në nisje të punës së vet, koalicioni PDK-LDK filloi të shfaqte një logjikë jo të favorshme për shtetin e Kosovës. Të dy partitë startuan me pakënaqësi ndaj njëra-tjetrës, kryesisht për shkak të ndjenjës se është shkelur nga partia tjetër në koalicion. Kjo normalisht se ka ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të punës dhe angazhimeve që duhej të kishte Qeveria Thaçi, madje duke pasur efekt negativ edhe përbrenda partive si pasojë e ekzistimit të mendimeve të ndryshme në kuadër të strukturave partiake.

III
Organizimi i punës brenda koalicionit qeverisës u tregua i dëmshëm për të dy partitë. Në realitet, duket se problemi më i madh ka qenë pikërisht në pa-aftësinë e organizimit të duhur të punës brenda këtyre dy partive. Edhe PDK, edhe LDK kanë vazhduar inatet e vjetra mes vete dhe në këtë mënyrë janë munduar tërë kohën që t’i zënë hapësirën e “partnerit”. Udhëheqja e lartë e LDK-së që prej fillimit ka qenë e ndarë në dysh, në pjesën që mbështeste koalicionin dhe në pjesën që ishte kundër këtij koalicioni. Por, e përbashkëta e këtyre dy pjesëve/mendimeve ishte fakti se zyrtarët e LDK-së ishin të pakënaqur me rëndësinë e Ministrive që i ishin ndarë kësaj partie. Në anën tjetër, PDK-ja, si partia kryesore në qeverisje, përballej me bindjen e brendshme të saj se LDK-ja ka marrë shumë Ministri dhe se ishte vetë ajo parti që u dëmtua në koalicion. Normalisht se këtu kanë ndikuar edhe aktivistët partiakë, të cilët kanë pritur akomodim më të mirë brenda institucioneve shtetërore. Edhe më tepër kjo ka qenë e dukshme tek elektorati i të dy partive. Sidomos elektorati i LDK-së anekënd Kosovës është zhgënjyer gjithnjë e më shumë me faktin e vazhdimit të koalicionit me PDK-në, derisa elektorati i partisë udhëheqëse dukej se ishte i pakënaqur me faktin se partner i tyre u bë kundërshtari kryesor i deri-atëhershëm.

IV
Intensiteti i zhvillimeve politike të Kosovës la mbrapa aftësitë e koalicionit qeveritar për të zgjidhur apo ofruar zgjidhje për problemet e Kosovës dhe qytetarëve të vendit. Përkundrazi, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Hashim Thaçi mori drejtimin tjetër, që çdo herë është drejtimi më i gabuar në politikë: drejtimin e korrupsionit, përfitimeve personale dhe grupore. Pothuajse i tërë potenciali qeverisës u orientua kah shfrytëzimi i mundësive korruptive të pushtetit, duke u larguar dukshëm nga problemet e qytetarëve të vendit apo problemet brenda-partiake. Pavarësisht se në shikim të parë dukej stabil, i madh, i fuqishëm dhe i qëndrueshëm, koalicioni qeveritar midis PDK-së dhe LDK-së doli të ketë fatin e Titanikut të vitit 1912. Rruga nëpër të cilën u nis dhe kaloi “Titaniku” i Kosovës që nga krijimi në janar të vitit 2008, doli të jetë rrugë e vështirë me shumë “ajsbergë” dhe me kapiten të keq. Në secilën sfidë që përballohet një ekip, roli i udhëheqësit është tejet i rëndësishëm dhe vendimtar. Por, rasti i koalicionit qeveritar PDK-LDK është tipik rast që mund të përshkruhet si dështim i plotë i udhëheqësit, përkatësisht kryeministrit Thaçi. Sidoqoftë, anija qeveritare është duke u fundosur në mënyrë të dukshme dhe përgjegjësia ka adresë të qartë: kapiteni i anijes. Zhytja e këtij koalicioni është e pashmangshme dhe kjo do të ndodh definitivisht gjatë javëve të ardhshme. Koalicioni PDK-LDK, i prirë nga Hashim Thaçi, mund të mbahet mend edhe si “Titanik Qeveria”.


Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”


Botuar në "Zëri" më janar 2010, fq. 24.

No comments: