Monday, September 20, 2010

Pensionimi politik

Pensionimi politik

Ka filluar periudha e fundit më e përshtatshme për të parë ‘pensionime’ të figurave të ndryshme që kanë mbajtur nën ankth skenën politike kosovare. Dikush duhet të kuptoj se i ka ardhur momenti të thotë: “Zonja dhe zotërinj, unë shkova!”

BURIM RAMADANI

Kush ka menduar se skena politike kosovare do të sillet e pështillet nga të njëjtin emra për një kohë kaq të gjatë rreth 20 vjeçare? Për më keq, disa prej këtyre emrave kërkojnë edhe më tutje të marrin përgjegjësi të reja. Normalisht, stili pothaujse i vetëm që përdorin është: përçarja e elitave, drejtimi i gishtit për fajësi, luajtja e rolit të të shenjtit dhe dhënia e sinjaleve për përshtatje sipas ofertës.
Ndoshta pak kohë më parë qytetarët e Kosovës kanë filluar të shohin qartë se diçka nuk po funksionon në jetën tonë politike. E tashmë, është e vërejtjshme kërkesa për ndërrime esenciale. Nuk besoj se dikush në vend e konteston nevojën për koncept të ri të të bërit politikë në shtetin e pavarur. Por, e tërë dilema mbetet se si të bëhet kjo.
Zhvillimet e brendshme të partive politike kryesore të vendit domosdoshmërisht se kanë ndikim në rrjedhat e përgjithshme politike. Madje, ndikimi i proceseve në secilën parti veç e veç ka shtrirje edhe në partitë tjera. Patjetër se subjektet politike serioze bëjnë llogaritë e tyre jo vetëm sa i përket ndodhive dhe gjendjes në strukturën e vet, por edhe mbi ngjarjet që zhvillohen në subjektet tjera. Tek e fundit, në politikë është e pafalshme të mos bësh llogaritë për të gjitha proceset që ndodhin brenda vendit, e në shumë raste edhe më gjerë.
Kështu, javëve të fundit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është kthyer në arenën e re të zhvillimeve të brendshme, temë kjo e cila nuk mund të kalojë pa u ndier në të gjitha anët e Kosovës. Dikush mund të argumentojë se proceset demokratike kanë filluar aty, e dikush tjetër se LDK-ja po hyn edhe në një fazë tepër të rëndë të saj. Sido që të jetë, askush nuk mund të qëndrojë indiferent për atë që shohim gati për çdo ditë në LDK.
Por, si mund të konstatohet kjo që është parë deri më sot? Kandidimi i Bujar Bukoshit apo mbetja pezull e qartësisë së pozicionit të presidentit Fatmir Sejdiu? Tashmë është e kuptueshme se Gjykata Kushtetutese mund të ndikojë direkt në atë që do të ndodh më tutje në procesin e brendshëm zgjedhor të LDK-së.
Ta marrin si shembull për shkak të analizës se Gjykata Kushtetuese nuk ekziston! Çfarë po i serviret anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së që të zgjedhin për katër vjetët e ardhshme?
Ajo që presidenti Sejdiu ka bërë dhe po bën është e dukshme. Është provuar. Janë vetë anëtarësia dhe strukturat e LDK-së që duhet të vlerësojnë nëse konsiderojnë se kanë pasur përfitime apo humbje si subjekt politik gjatë kohës së udhëheqjes së tyre nga presidenti Sejdiu. LDK-ja ka rënë në nivel të partisë së dytë në vend dhe ka vazhduar të jetë në koalicion qeverisës, tashmë me ish-konkurrentin “jetësor” të saj, Partinë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Hashim Rahoveci (zyrtarisht ende me mbiemrin Thaçi).
E gllabëruar në një formë brenda koalicionit me PDK-në, LDK-ja ka vazhduar debatet e brendshme (por publike) për rrugën që duhet ndjekur dhe rolin që duhet luajtur. Fushata për zgjedhjet komunale të vitit 2009 ka vënë në pah pakënaqësinë e elektoratit të LDK-së me këtë formë të pozicionimit të udhëheqjes së saj. Madje, ata që kritikuan më së shumti qeverisjen e Hashim Rahovecit, morën më shumë vota. Kështu u krijua momentumi politik brenda LDK-së. Prandaj, opsioni i vendosjes së një polizioci ekstrem ndaj PDK-së u mbajt i hapur. Për më shumë, disa figura politike në dhe rreth LDK-së morën flamurin në “luftën” kundër PDK-së.
Por, çka ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve lokale? Të tillët filluan të tregojnë se vërtetë kanë luajtur me emocionet e anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së. Disa u bënë ministra menjëherë. Disa vazhduan punën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Disa të tjerë mbetën pa fjalë e pa vesh. Dhe, kjo dëshmon mentalitetin e rëndë politik të tyre. Mentalitetin: “Shfrytëzo momentin, shfrytëzo trendin”. Thjesht, panë se kjo po kërkohej nga elektorati i LDK-së dhe e bënë. Kur kaluan zgjedhjet, u kthyen në qëllimin e vet: “Ministër? Po, menjëherë!”.
Kjo zgjedhje i është ofruar deri më tash anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së, si alternativë ndaj presidentit Sejdiu. Ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ka shpallë kandidaturën e vet në publik dhe menjëherë ka filluar të saktësojë se kush është me të e kush kundër tij. Element shumë i rëndësishëm që spjegon formën e të menduarit politik.
Fuqizimi i Bukoshit mund të thuhet se është bërë për shkak të një pozicioni kundërshtues që ka mbajtur ndaj partnerit të LDK-së në qeverisje, PDK-së, gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet komunale 2009. Porse, ai ka dëshmuar menjëherë “fleksibilitetin” e tij politik për t’u përshtatur për shkak të ofertës. Dhe, oferta ishte të bëhet Ministër. U bë. Tha se do ta luftojë korrupsionin, por tash brenda Qeverisë. Dhe, vazhdoi shkeljet e Ligjit, njëjtë sikur kolegët-et e tij në Qeveri. Rezultati i parë është i dukshëm. Ai është Ali Sadria.
Edhe tash, ministri Bukoshi bën politikën e tij me të njëjtën armë: kundërshtimin. Vërtetë është e vështirë të kuptohet se çka kundërshton ai. Njihet si kundërshtar i fortë! E vetmja pyetje që duhet shtruar menjëherë është: çka kundërshton ministri Bukoshi? Ka kundërshtuar fuqishëm presidentin Ibrahim Rugova për vite të tëra. Pas luftës në Kosovë, Bukoshi tingëllonte sikurse urrente Rugovën. Ka kundërshtuar partitë e udhëhequra nga komandatët e UÇK-së. Ka kundërshtuar qeverisjen e kaluar. Ka kundështuar qeverisjen e tashme. Kundërshton çdo gjë dhe çdo kënd. Por, përballë ofertës, ndërron kursin.
A është kjo fytyra dhe koncepti i LDK-së? Të jetë kundërshtuese e fuqishme dhe për një moment fleksibile nëse ka ofertë. Kjo sigurisht është në dorën e anëtarësisë dhe strukturave të LDK-së. Nuk duhet ndërhyrë.
Sidoqoftë, diçka do të duhej të ndodh menjëherë pas zgjedhjeve të brendshme të LDK-së. Ka filluar periudha e fundit më e përshtatshme për të parë ‘pensionime’ të figurave të ndryshme që kanë mbajtur nën ankth skenën politike kosovare. Dikush duhet të kuptoj se i ka ardhur momenti të thotë: “Zonja dhe zotërinj, unë shkova!” Pse mos ta bëjë këtë Bujar Bukoshi?

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Qëndrimet janë personale.

Botuar në Koha DITORE, më 20 shtator 2010, fq. 14.

No comments: