Tuesday, October 5, 2010

Regjimi që po përfundon

Regjimi që po përfundon

Nëse dikush mendon se duke vjedhur votën e qytetarit mund të ndërtojë sistemin institucional, le ta harrojë. Është thjesht një komunist i papërmirësueshëm! Kujt po i ngutet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pikërisht tash dhe me shpejtësi? Të pa-përgatitur dhe me liderin e opozitës jashtë vendit. Pra, zgjedhje pa opozitë!

BURIM RAMADANI

Secili tashmë e ka të qartë. Koalicioni PDK-LDK solli edhe një krizë të re në Kosovë. Kush më shumë e kush më pak, gjatë kësaj periudhe shkeli Kushtetutën, ligjet, rregulloret dhe parimet demokratike.
Gati tri vjet, vendi u qeveris si mos më keq. Me afera të panumërta të korrupsionit. Me bashkë-jetesë të qeverisë me krimin e organizuar. Me raportet tepër të tendosura ndaj secilit njeri apo subjekt që kritikoi qeverisjen e keqe. Me EULEX-in nëpër kabinetet, zyrat dhe serverat e Qeverisë.
Këta njerëz që manipuluan me paratë e popullit të Kosovës që në ditët e para të qeverisjes së tyre, edhe po e përfundojnë mandatin në formë të turpshme. Të gjithëve na kujtohet se si kjo Qeveri manipuloi madje edhe me fondin për festimin e shpalljes së pavarësisë. Dhe, atë jo më vonë se rreth një muaj prej kur mori mandatin.
Ndërsa, tash pikërisht njerëzit që proklamonin se qeveria është stabile, dëshmojnë të kundërtën. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe kjo është dashur të ndodhte qysh para dy vjetësh. Kur kjo kërkohej nga shumë njerëz në vend, refuzohej me këmbëngulësi nga krerët e qeverisë. Tash, pa një pa dy, ata panë se diçka s’po funksionon.
E tëra po ndodh me shpejtësi. E tëra po ndodh me urgjencë. Por, të kujt? Kujt po i ngutet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet e parakohshme pikërisht tash? Të pa-përgatitur dhe me liderin e opozitës jashtë vendit! Pra, zgjedhje pa opozitë!
Nuk është dehja në “Zanzibar” arsyeja! Vitin e kaluar udhëheqja e ngushtë e Partisë Demokratike të Kosovës (parti e pezulluar sipas ligjit), ishte dehur keq në klubin në bodrum afër selisë së partisë. I dhanë një shokim opinionit publik se si dhe ku bëhet politika në Kosovë. Edhe ata që nuk besuan, e panë qartë se cila është nëntoka e bërjes së politikës qeveritare gjatë kësaj kohe.
Tash më shumë se çdo gjë tjetër, Kosovës i duhen mendjet e qeta. Duhet analizuar situatën në tërësinë e saj. Janë katër momente që duhet patjetër të adresohen për të parë se cila është situata e tashme në skenën politike.
Së pari, Kosova është në krizë politike. Nuk ka arritur shkallën e krizës institucionale, por dorëheqja e presidentit të vendit dhe mos-marrëveshjet mes koalicionit kanë shkaktuar krizë politike. Pra, përgjegjësia është tepër e qartë: koalicioni. Nuk e ka shkaktuar opozita këtë krizë politike!
Së dyti, çka po i mungon skenës politike të Kosovës? Definitivisht, lideri i opozitës. Ramush Haradinaj është duke u përballë sfidën e Tribunalit të Hagës, porse bindja e secilit shqiptar në Kosovë është se Haradinaj do të kthehet shumë shpejt në vend për të vazhduar punën. Çdo logjikë për të shfrytëzuar këtë hapësirë për të mbajtur zgjedhje të shpejta parlamentare është jo tjetër, por e sëmurë. Është paranoja që dikë e ka kapur. Dhe, kanë të drejtë, sepse kthimi i Haradinajt nënkupton fundin e kësaj qeverisje të keqe. Këtij mentaliteti komunist të udhëheqjes së Qeverisë. Dhe, kjo do të ndodh.
Së treti, përgatitjet për zgjedhje duhet të jetë serioze. Në situatën e tashme, zgjedhjet e papërgatitura kthejnë Kosovës disa dekada mbrapa. Jo të mira ishin zgjedhjet e vitit 2007, ndërsa edhe më të rënda dolën zgjedhjet e vitit 2009. Nëse futemi në zgjedhje të papërgatitura në muajt e ardhshëm, Kosova do të përballet me shumë rreziqe. Tek e fundit, kjo nuk është rruga jonë për integrime evro-atlantike. Nëse dikush mendon se duke vjedhur votën e qytetarit mund të ndërtojë sistemin institucional, le ta harrojë. Është thjesht një komunist i papërmirësueshëm! Nuk guxojmë të lejojmë përsëritjen e Klinës, Vushtrrisë e Kaçanikut të vitit 2009. Apo edhe shumë komunave tjera.
Së katërti, askush nuk duhet të ketë iluzion se duke shkaktuar krizë politike mund t’i shmangen veprimeve të drejtësisë për korrupsion dhe krim të organizuar. Edhe EULEX-i nuk duhet të ndikohet fare nga improvizime të këtilla. Bastisjet e Qeverisë dhe komunave duhet të japin rezultatet e pritura. Tërë ky grumbull i keq-përdorimeve duhet të ndëshkohet qartë dhe fuqishëm. Të mashtruar janë ata që mendojnë se në situatë zgjedhore, drejtësia duhet të heshtë. Drejtësia ka punën e vet dhe duhet të veprojë në secilin rast dhe në çdo kohë.
Të përballur me shumë skandale të llojeve të papara në historinë demokratike të Kosovës, si dhe me frikën nga ajo që mund të ndodh së shpejti, PDK-ja ngutet të shfrytëzojë secilën sekondë për të ruajtur atë që ka grumbulluar. Pa përgatitje a me përgatitje, dëshiron të futet në zgjedhje. Normalisht, këto do të ishin zgjedhje të improvizuara. Sepse, nuk ka zgjedhje fer, të lira dhe demokratike pa përgatitje të mira.
Klubi i Thaçit brenda PDK-së dëshiron t’i shpëtojë edhe një procesi brenda partisë së tij. Zgjedhjeve të brendshme. Pakënaqësitë e shumta aty dëshmojnë për një gjendje të rëndë të mungesës së demokracisë së brendshme. Disa kryetarë komunash mbahen me imponim në postet e tyre, derisa një numër i aktivistëve të kësaj partie po tërhiqen për çdo ditë. Edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës të kësaj partie po largohen. Prandaj, një situate të rëndë të brendshme, udhëheqja e ngushtë e kësaj partie tenton ta vendos në tërë Kosovën.
Por, llogaria e klubit të Thaçit është e gabuar! Partia e tij është ligjërisht e pezulluar. Rregulla e KQZ-së 01/2008, Neni 6, pika 1 (a) çon në mos-certifikimin e PDK-së për pjesëmarrje në zgjedhje. Nuk ka mbajtur zgjedhjet e brendshme gjatë 36 muajve të fundit. Për më keq, kjo parti nuk po i bën pesë (5) vjet që nuk ka mbajtur zgjedhje. Thejshtë, nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Kosova nuk mund të mbetet peng i problemeve brenda një partie të caktuar. As proceset në Kosovë nuk mund të bëhen urgjente dhe të improvizuara për shkak të një partie politike. Zgjidhja e situatës së tashme bëhet me maturi dhe përgatitje serioze. Procesi zgjedhor pret të gjitha afatet kushtetuese dhe pranvera është periudha e duhur.
Zgjedhjet do të presin përfundimin e procesit në Hagë dhe ky mentalitet i qeverisjes së tashme do t’i takojë historisë. Ky është fundi. Sikurse ka thënë Haradinaj, “çdo regjim shkon për të mos u kthyer më kurrë. Edhe ky regjim do të shkojë shpejt dhe s’do të kthehet më”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 4 tetor 2010, fq. 11.

No comments: