Monday, March 31, 2008

Ngathtësia e diplomacisë kosovare

Loja pa fitues
Ngathtësia e diplomacisë kosovare
Cili është pozicioni i palës kosovare në negociatat për demarkacionin e kufirit? Me çfarë statusi dhe çfarë simbole do të paraqiten negociatorët nga Kosova e panjohur si shtet nga homologët maqedonas? Kjo tregon papërvojën dhe nënshtrimin dilpomatik të Kosovës, si dhe paaftësinë e lidershipit aktual për të mbrojtur interesin e qytetarëve të vetë në raport me presionet e ndryshme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen
Shkruan: Burim Ramadani
I
Kur ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, filloi të punonte në hartimin e propozimit të tij pas negociatave të udhëhequra nga ai, kemi dëgjuar deklarata nga më të ndryshmet rreth qëndrimit të palës kosovare ndaj përmbajtjes së atij propozimi. Në kohën kur ky dokument pritej me ankth nga opinioni publik kosovar dhe mbarë-shqiptar, në pjesën e fundit të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007, një shtet ynë fqinj pati deklaruar interesimin e vet për të ndikuar në përmbajtjen e propozimit. Maqedonia filloi të kërkojë që rasti i marrëvshjes së tyre me ish-Republikën Federative të Jugosllavisë në vitin 2001 për kalimin e mbi dy mijë hektarëve të Kosovës nën territorin e Maqedonisë të përfshihej edhe në propozimin e Ahtisarit. Kjo u kundërshtua nga faktori politik në Kosovë dhe për më shumë pothuaj të gjithë thanë edhe që kjo është plotësisht e papranueshme. Mbi dy mijë hektarë të tokave të shqiptarëve të Kosovës në kufi me Maqedoninë i ishin falur me lehtësi shtetit tonë fqinj dhe kjo ishte bërë pa kurrfarë konsultimi me sovranin legjitim të Kosovës, përkatësisht popullatën dhe liderët përfaqësues të saj në Kosovë. Porse, në atë kohë, mendohej se Kosova është këmbëngulëse që të mos lejojë në asnjë mënyrë zbatimin e saj.
II
Kundërshtimi i marrëveshjes mes Serbisë dhe Maqedonisë për faljen e këtyre hektarëve të asaj pjese të Kosovës ishte i fuqishëm nga ana e Kosovës. Kuvendi kosovar pati nxjerr një Rezolutë për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, ndërsa partitë dhe liderët politikë filluan të tregojnë muskujt e fuqisë përmes deklarimeve të karakterizuar nga një patriotizëm i thellë anti-sllav. Edhe shoqëria civile ishte aktive në reagimet e ashpëra kundër këtij precedenti të shkeljes së vullnetit të popullit të Kosovës. Reagimet e tilla vazhduan edhe në vitet tjera deri në shpalljen e pavarësisë së vendit. Madje, kryeministri i kaluar i Kosovës, i gjendur nën presionin e brendshëm të opinionit publik, pati vizituar banorët e Debëlldesë dhe u zotua se marrëveshja nuk do të mund të ndodh në praktikë. Banorët, në anën tjetër, duke thënë se nuk duan të shesin tokat e tyre edhe pas ofertave voluminoze nga Maqedonia, u shprehën se do të mbrojnë edhe me armë atë pjesë të territorit. E tërë kjo ishte publike dhe deklaratat e tilla ndikonin në forcimin e pozicioneve të vetë liderëve politikë, që mundoheshin të vazhdojnë të luajnë me kartën e patriotizmit për të fituar përkrahjen e qytetarëve. Në anën tjetër, UNMIK-u i relaksuar nuk merrej me këto deklarata.
III
Kufiri i Kosovës me Maqedoninë, sidoqoftë, u përfshi në propozimin e Ahtisarit dhe sipas përkufizimit në të, kjo çështje duhet zgjidhur përmes negociatave midis Prishtinës dhe Shkupit, brenda një afati njëvjeçar që prej hyrjes në fuqi të propozimit. Porse, tashmë po ndodh e kundërta. Ende pa filluar implementimi i këtij propozimi, qeveria e Kosovës ka vendosur të pranojë kushtin e Maqedonisë për të filluar negociatat për demarkacionin e kufirit. Qeveria ka krijuar ekipin e ekspertëve për këtë çështje, duke i dhënë përparësinë absolute Maqedonisë në këto negociata, për të përfunduar në pranimin definitiv të marrëveshjes që kishte me ish-RFJ-në. Përndyshe, cili është pozicioni i palës kosovare në këto negociata? Me çfarë statusi dhe çfarë simbole do të paraqiten negociatorët nga Kosova e panjohur si shtet nga homologët maqedonas? Kjo do të duhej të jetë shumë e qartë para se dikush të vendoste fillimin e këtij procesi. Tek e fundit, kjo tregon papërvojën dilpomatike të Kosovës, sikurse edhe paaftësinë e lidershipit aktual për të mbrojtur interesin e qytetarëve të vetë në raport me presionet e ndryshme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen. Mbështetja që i është dhënë Kosovës gjatë procesit të statusit, do të duhej të ishte mësim për të tashmen.
IV
Kushtëzimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë me fillimin e negociatave për demarkacionin e kufirit nuk do të duhej të pranohej. Megjithëse kështu ishte deklaruar tërë kohën, ndodhi e kundërta. Në fakt, kjo paraqet një fillim tejet të ngathtë të raporteve diplomatike bilaterale të Kosovës me ndonjë vend tjetër. Dhe, për më keq, kjo ngathtësi u tregua në raport me Maqedoninë fqinje, që në fakt është shtet i brishtë, pa identitet të qartë, pa fuqi rajonale apo ndërkombëtare, pa ekonomi të fuqishme, me politikë konfuze, pa aftësi ndikimi në politikën botërore dhe me një numër të madh të qytetarëve të etnisë shqiptare. Ky nënshtrim politik i Kosovës i është bërë një shteti që nuk e ka të definuar madje as emrin e vet kushtetues, duke qenë nën presionin e një shteti tjetër fqinj. Ky koncept i ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet e rajonit është koncept i politikës së ngurtësimit në vetvete, i pafuqisë, fillimit të keq diplomatik dhe nënshtrimit ndaj presionit të huaj. Pafuqia e qeverisë për mbrojtjen e interesit të qytetarëve të vet në raport me Maqedoninë tregon qartë se çka do të mund të ndodhte në raste tjera kur do të negociohej me shtete të fuqishme botërore. Qartë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të pambrojtur.
Botuar në "Zëri" më 31 mars 2008, fq. 11

Monday, March 24, 2008

Lobimi për njohje

Loja pa fitues

Lobimi për njohje
Mungesa e lobimit për Kosovën në botë është e vërejtshme. Fqinjët kanë dhënë qëndrime kundërthënëse. Qëndrimi i qeverisë së Kosovës ende nuk është i qartë në lidhje me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë, nëse do të pranojë kushtëzimin e tillë nga Maqedonia apo jo. Madje edhe agjensët tjerë shoqëror i janë shmangur debatit rreth kësaj teme. Një ekip lobistësh do të duhej të fillonte angazhimin nëpër botë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Pas më shumë se një muaj që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, një numër relativisht i madh i vendeve ka njohur barabartësinë e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, duke bërë hapin qëllimor për të thelemuar marrëdhënie bilaterale diplomatike. Mbi 30 vende, kryesisht të fuqishme në politikën ndërkombëtare, kanë njohur të drejtën e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit më të ri në botë, duke shprehur po ashtu edhe gatishmërinë e tyre për ndihmën në zhvillimin ekonomik aq të nevojshëm për popullatën e këtushme. Porse, në të njëjtën kohë, një numër i madh i shteteve tjera kanë mbetur kundërshtuese ose hezituese ndaj këtij zhvillimi. Prej tyre në fakt janë disa shtete që kanë ndikim të fuqishëm në sistemin ndërkombëtar, megjithëse shumë prej këtyre shteteve kryesisht karakterizohen nga jodemokracia, shkelja e të drejtave të njeriut, mungesa e shtetit të së drejtës dhe konfliktet etnike. Sidoqoftë, pavarësisht nga niveli i zhvillimit të demokracisë së brendshme tek ato shtete, arritja e ndryshimit të qasjes së tyre ndaj Kosovës është shumë e rëndësishme dhe mjaft vendimtare për stabilitetin e rajonit dhe prosperitetin e Kosovës. Ndër to, pa dyshim, roli i Rusisë, Kinës, Greqisë, Spanjës, Indonezisë, Egjiptit dhe Arabisë Saudite.
II
Pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga të gjithë fqinjët, po ashtu. Dy prej vendeve fqinje të cilat kufizohen me Kosovën dhe Serbinë nuk kanë vendosur në mënyrë definitive të njohin shtetin e ri. Megjithëse publikisht deri më tash është spekuluar disa herë rreth datës së njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Maqedonisë, kjo nuk është përcjellë me procedurën formale për të lidhur marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve të pavarura fqinje. Madje, janë dhënë qëndrime të ndryshme rreth kohës kur Maqedonia do të njeh shtetin e Kosovës, si dhe kushtëzimit të kësaj njohjeje me procesin e demarkacionit të kufirit. Ndërkaq, qëndrimi i qeverisë së Kosovës ende nuk është i qartë në lidhje me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë. Asnjëherë deri më tash nuk kemi parë një pozicion të qartë të qeverisë kosovare nëse do të pranojë kushtëzimin e tillë nga Maqedonia apo jo. Madje edhe mediat dhe shoqëria civile i janë shmangur debatit rreth kësaj teme. Do të supozoja se sikurse kjo t’i kishte ndodhur qeverisë së kaluar, pozicioni i tillë i hutuar do të ishte bërë skandal deri më tash. Po ashtu, Mali i Zi mbetet i pavendosur në marrjen e vendimit të shumëpritur nga shqiptarët e Kosovës për themelimin e marrëdhënieve në nivel të barabartë shtetëror. Madje, kjo nuk dihet se kur do të ndodh.
III
Procesi i njohjes së shtetit të Kosovës ka nevojë për një shtytje të fuqishme jo vetëm nga vendet mike të Kosovës, por edhe nga niveli përfaqësues i Kosovës dhe miqtë individual ndërkombëtar. Kjo shtytje bëhet përmes asaj që quhet lobim. Edhe pse si koncept ka mbetur nga të interesuarit për të kontaktuar me një ish-president amerikan në lobin e një hoteli ku ai pinte kafen e mëngjesit me cigare, lobimi në kohët moderne është një prej mënyrave më të fuqishme për të ndikuar në zhvillimin e politikave të caktuara. Këtij aspekti do të duhej t’i kishte hyrë që moti Kosova, por deri më tash nuk kemi parë ndonjë zhvillim të tij. Madje, edhe formimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për habi ka ngecur dhe nuk është bërë asnjë hap konkret pos miratimit të Ligjit. Kjo Ministri do të duhej të kishte një rol tejet të madh në përfaqësimin e politikës së Kosovës në vende të ndryshme të botës, krijimin e kontakteve me nivelet përfaqësuese të shteteve të ndryshme, sikurse edhe lobimin zyrtar për ndryshimin e qasjes së kundërshtuesve apo hezituesve. Në të njëjtën kohë, me faktin se kjo Ministri nuk ka arritur të themelohet, do të duhej krijuar një ekip lobistësh që do të mund të fillonin deri më tash lobimin. Në këtë ekip duhet të përfshihen njerëzit që kanë përvojë, përgatitje dhe aftësi diplomatike të dëshmuar.
IV
Parimet për krijimin e ekipit lobues duhet të jenë universale dhe unike, duke kombinuar përvojat e vendeve tjera dhe interesin e Kosovës për përfaqësim të tillë. Ky ekpi do të duhje të kushte një emisar në kuptimin e të parit në mesin e të barabartëve, ndërsa kjo nuk do të duhej që domosdoshmërisht të përcaktonte zhvillimet për krijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky ekip do të duhej të ishte në gjendje të prezantojë zhvillimet e politikës dhe shoqërisë kosovare, sidomos në angazhimet për përmbushjen e planit te Ahtisarit, si pjesë e rëndësishme për të ngritur besimin e funksionimit të Kosoves si shtet i pavarur. Gjatë procesit të lobimit do të duhej të përfshinte një qasje alternative ndaj pikave të influencës dhe të opinion-bërësve në shtetet e ndryshme që kanë hezitime apo kundërshtime ndaj shtetësisë së Kosovës. Lobimi duhet bërë edhe në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht në ato që kanë rëndësi praktike për funksionimin e shtetit të Kosovës, sikurse janë organizmat për dhënien e Kodit telefonik apo të ngjashme. Një qasje e veçantë duhet praktikuar në shtetin e Vatikanit, si pikë e rëndëishme ndikuese sidomos në disa vende që po hezitojnë rreth Kosovës. Një lobim duhet të ndodh po ashtu edhe nga ana e partive politike në partitë e tyre simotra në shtetet e jashtme.
Botuar në "Zëri" më 24 mars 2008, fq. 11.

Wednesday, March 19, 2008

Krizat qeveritare në Ballkan – jorastësi!

Analizë

Krizat qeveritare në Ballkan – jorastësi!


Serbia është pa qeveri, Maqedonia me qeveri minore, Shqipëria me qeveri nën presion, Mali i Zi me qeveri të re, ndërsa Kosova me konfuzion kompetencash për shtrirjen e autoritetit dhe me qeveri të mendësisë së fukarallëkut. Në asnjërin shtet (përveç Malit të Zi deri në një masë), nuk mund të llogaritet në ata që udhëheqin. Kjo tregon jo-stabilitetin rajonal. Si ndikon kjo në Kosovë?

Blerim Kuçi dhe Burim Ramadani
Vendet e Ballkanit që karakterizohen me brishtësi në sistemin politik dhe në organizimin shtetëror, këtyre ditëve kanë hyrë në një fazë të re të jo-stabilitetit politik e institucional. Të ballafaquara me raste dhe sfida të veçanta, por me efekt përafërsisht të njëjtë, shumë shtete Ballkanike tashmë janë në një stad paqëndrueshmërie, paaftësie dhe për më tepër pazotësie institucionale për të qenë në krye të obligimeve dhe angazhimeve që kanë në politikën rajonale dhe atë të fqinjësisë së mirë. Javët e fundit që kanë pasuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, për shkaqe të ditura kanë rezultuar me dorëheqjen e qeverisë në Serbi, shkatërrimin faktik të qeverisë në Maqedoni, ndërrimin e qeverisë së Malit të Zi, presionin e madh mbi qeverinë me gjasë para rrëzimit në Shqipëri pas ngjarjes tragjike atje, me konfuzionin e lartë të ngritur sa i përket misioneve ndërkombëtare dhe kompetencave për shtrirjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës, si dhe dhuna e ditëve të fundit në pjesën veriore të Mitrovicës.
Paqëndrueshmëria e rajonit
Ballkani ka qenë arenë e konflikteve etnike dhe luftërave të përgjakshme për më shumë se dhjetë vjet gjatë historisë më të re. Pas vitit 2001 (me përfundimin e luftës në Maqedoni), konfliktet etnike kanë kaluar në terrenin politik duke u karakterizuar me politika diametralisht të kundërta mes palëve. Në të njëjtën kohë, vendet e brishta të Ballkanit janë shoqëruar me politikë të brendshme dukshëm të përçarë midis partive politike jo vetëm të etnive të ndryshme, por edhe brenda një etnie të vetme.
Në Serbi, përfundimi i luftës në terren me UÇK-në dhe NATO-n ka shkaktuar rrëzimin e Millosheviqit, por ndasia midis pro-Perëndimorëve dhe nacionalistëve ekstremë ka mbetur e thellë. Fatkeqësisht për Serbinë dhe rajonin, forcat nacionaliste përfaqësojnë shumicën e elektoratit serb dhe kanë ndikim tejet të madh në politikën shtetërore serbe. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me raportet e Serbisë me Kosovën, por edhe me rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare, në rend të parë me SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Zgjedhjet e ardhshme atje janë një shans i ‘mrekullueshëm’ për fitoren e atyre që duan të kthejnë Serbinë në izolim, të rrisin raportet konkrete me Federatën Ruse dhe të varrosin shpresat e evropianëve për një Serbi bashkëpunuese e të orientuar kah Bashkimi Evropian. Në këtë kohë, përgjegjësia politike për veprimet e Serbisë është vështirë të drejtohet në një pikë të vetme. Ndërsa, pakica shqiptare në Luginën e Preshevës ndodhet në pozitë kritike, duke mos pasur të qartë të ardhmen politike dhe nivelin e respektimit të të Drejtave të Njeriut dhe komunitetit.
Maqedonia, në anën tjetër, tashmë ka hyrë në një situatë të ndjeshme. Largimi i Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria ka vënë Qeverinë e Gruevskit në pozitë të Qeverisë së pakicës, derisa raportet etnike atje nuk kanë arritur asnjëherë nivelin e kënaqshëm. Qëndrimi që qeveritarët maqedonas etnikë mbajnë në raport me Kosovën është i përshtatshëm për t’u keqpërdorur për interesa të ndryshme jo vetëm të brendshme, por edhe të jashtme, në rend të parë të Serbisë. Ndikimi i grupeve të ndryshme brenda Maqedonisë është në rritje, duke sjellë një situatë edhe më të brishtë deri në zgjedhjet me gjasë të pashmangshme të parakohshme parlamentare. Tërë kësaj i shtohet edhe relacioni i pa-përmirësuar me Greqinë rreth emrit të shtetit të Maqedonisë, derisa koha në të cilën zhvillohen të gjitha këto zhvillime është tejet e rëndësishme për rajonin për shkak se Maqedonia pret që të merr ftesën për anëtarësim në NATO në fillim të prillit.
Shqipëria po ashtu gjendet në një situatë të pavolitshme pas ngjarjes tragjike të shpërthimit të municionit në fshatin Gërdec, ku mbi 15 persona vdiqën dhe mbi 200 u plagosën. Dorëheqja e Ministrit të Mbrojtjes atje duket se nuk do të mbyll tensionit midis partive politike thellë të përçara në Shqipëri, derisa koalicionet në të dy krahët karakterizohen nga mos-uniteti i veprimit politik. Mundësia e veprimeve të shërbimeve të huaja, në rend të parë të Serbisë dhe Rusisë, në Shqipëri nuk është diçka e papritur dhe në këtë rast mund të lidhet edhe qëllimi për shkaktim të jo-stabilitetit në shtetet rreth Kosovës. Thjesht, duket se qeveria shqiptare nuk është në momentin më të mirë të përgjegjësisë politike dhe aftësisë së veprimit përfaqësues në politikën rajonale në kohën kur pothuaj të gjitha shtetet e rajonit ballafaqohen me probleme përafërsisht të njëjta të legjitimitetit qeverisës.
Ndërsa, Mali i Zi dallon deri në një masë sa i përket politikës së brendshme, por pothuaj aspak sa i përket politikës rajonale. Duke u detyruar të ndërrojë qeverinë dhe të ri-sjellë në krye të saj liderin Gjukanoviq, Mali i Zi ndodhet nën një presion të fuqishëm të brendshëm dhe të jashtëm sa i përket raporteve me Kosovën. Megjithëse orientimet duken deri në një masë të qarta për njohjen e shtetit të Kosovës, qeveria e Malit të Zi duket se nuk do të jetë në gjendje të bëjë një hap të tillë edhe për një kohë të pacaktuar si pasojë e ndikimit të presionit serb dhe rus. Thënë shkurt, qeveria e Malit të Zi nuk është në gjendje të merr vendimin që duket se do të dëshironte.

Konfuzioni i politikës dhe autoritetit në Kosovë
Kosova pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 ka hyrë në një fazë tjetër që në fakt dëshmon për një konfuzion të përgjithshëm politik në rend të parë mbi kompetencat për shtrirjen e autoritetit në tërë territorin e Kosovës. Element tjetër është edhe funksionimi shumë-aktorësh i pushtetit/pushteteve në Kosovë. Tashmë në drejtim të Kosovës dhe situatës në terren këtu janë UNMIK-u, Misioni i BE-së (ICO dhe EULEX), institucionet e Kosovës dhe strukturat paralele të Serbisë. Kur kësaj i shtohet edhe KFOR-i si përgjegjës për sigurinë e përgjithshme dhe mandatin e derivuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vërehet një shpërputhje mandatesh dhe qëllimesh në Kosovë. Duke i bërë një analizë funksionimit të tillë të pushtetit/pushteteve në vend, mund të konstatohet se përgjegjës në Kosovë janë ‘të gjithë dhe asnjëri’. Kjo ka shkaktuar një huti të përgjithshme mbi atë se si duhet të veprojnë institucionet, mekanizmat dhe misionet veç e veç, derisa qëllimi primar i të gjithave së bashku është ruajtja e stabilitetit të brendshëm.
Qëllimi i Serbisë duket të jetë qartësisht i drejtuar kah destabilizimi i brendshëm i Kosovës, nxitja e dhunës ndër-etnike dhe arritja e një gjendje të re në terren. Ky qëllim i synuar, megjithëse deri më tash nuk është arritur, nuk duhet hedhur poshtë si mundësi e realizueshme. Për këtë kontribuojnë elemente dhe faktorë të ndryshëm kryesisht të brendshëm. Deri më tash kemi parë reagime dhe përleshje të dhunshme në veri, derisa një polic ndërkombëtar ka vdekur këtë javë. Po ashtu, kanë ndodhur incidente të shumta që prej shpalljes së pavarësisë, derisa ato mund të shpeshtohen në të ardhmen. Janë djegur dy porta kufitare, është larguar një pjesë e serbëve të SHPK-së, janë larguar një pjesë e serbëve nga institucionet e Kosovës, është larguar dogana nga kufiri me Serbinë, gjykata nuk funksionon në veri, zyra e ICO-s ështrë larguar nga veriu i Mitrovicës, kanë ndodhur shpërthime të ndryshme, është tentuar uzurpimi i një pjese të hekurudhave të Kosovës, protestat janë të vazhdueshme në vendbanime të serbëve, sikurse edhe politikanët e Serbisë vijnë në Kosovë saherë që duan sikurse para 17 shkurtit. Ndërkohë, politika qeverisëse ka instaluar një qeveri të mendësisë së fukarallëkut, duke mos stimuluar njerëzit që do të mund të kontribuonin profesionalisht, derisa pakënaqësia e qytetarëve me mos-fillimin e implementimit të premtimeve gjatë fushatës parazgjedhore është duke u rritur me të madhe. Kur kësaj i shtohet konfuzioni rreth autorizimeve të pushteteve, mos-kontrollimi i territorit, mungesa e doganave në veri, kontrabanda, stagnimi i njohjes së shtetit të Kosovë, paqartësia praktike e anëtarësimit në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në territorin e Kosovës më 11 maj 2008, si dhe revolta në rritje e qytetarëve për standard të pa-përmirësuar të jetesës edhe pas pavarësisë, konstatimi më i saktë është ai i një situate tejet të brishtë, të vlueshme dhe me potencial eskalimi.
Ndikimi i jo-stabilitetit rajonal në Kosovë – çka duhet bërë?
Politika e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme për implikimet e brendshme nga jo-stabiliteti rajonal. Kriza qeveritare në Serbi është pjesë e Planit Aksional të Serbisë në mënyrë që bashkësisë ndërkombëtare t’i pamundësohet drejtimi me gisht kah përgjegjësia e Qeverisë serbe. Një anarkizëm i planifikuar.
Gjendja në Maqedoni së paku është krijuar për t’i ikur presioneve të ndryshme për pranimin e shtetit të ri të Kosovës. Kjo është një sinjal që Maqedonia megjithatë ka përpjekje të jetë pjesërisht pjesë e planit serbo-rus për rajonin.
Mali i Zi duke qenë i paranjoftuar me këtë plan, vendosi në krye të qeverisë liderin e tyre të stabilitetit për të menaxhuar në favor të Malit të Zi me këtë situatë të krijuar në rajon.
Sa i përket Shqipërisë, duke pasur parasysh gjendjen në rajon dhe ndikimin serbo-rus në implementimin e planit të tyre, do të ishte naivitet të mendohet se tragjedia në Gërdec ishte një rastësi.
Në Kosovë kemi një përzierje të çuditshme të kompetencave dhe përgjegjësive. Çuditërisht misioni i BE-së ende nuk ka bërë asnjë hap në marrjen e kompetencave. Kjo gemishte e kompetencave, si dhe tërheqja e pushtetit civil nga veriu i Kosovës nuk është e rastësishme.
Gjendja në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë ka një emërues të përbashkët dhe ai është Plani i Veprimit serbo-rus për rajonin. Por, duhet cekur se ky është vetëm një Plan, ekziston edhe kundër-plani që është SHBA-NATO-BE dhe përpjekjet tona për t’iu kundërvënë këtyre planeve me mençuri.
Prandaj, përveç angazhimeve zyrtare që ka presidenti dhe kryeministri i Kosovës, ata duhet të kërkojnë ndihmën e opozitës për të treguar unitet që është mëse i domosdoshëm. Ky unitet duhet të jetë në harmoni me angazhimet për stabilitet të rajonit dhe për t’iu kundërvënë planit serbo-rus për destabilitet. Kjo duhet t’i afrohet po ashtu Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Sa i përket veriut të Kosovës, duhet që pa kurrfarë hezitimi, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të ndërmarrin veprimet e domosdoshme, duke filluar me sigurimin e plotë të kufirit nga KFOR-i dhe SHPK-ja, qoftë edhe me mbylljen e përkohshme (rreth tremujore) të kufirit me Serbinë. Duhet vendosur sa më shpejt Shërbimi Doganor në veri me kapacitet të plotë. Kontrabanda në atë pjesë financon edhe strukturat paralele serbe dhe pse jo edhe i mbajnë gjallë protestuesit në atë pjesë nën dirigjimin e Beogradit.

(Blerim Kuçi, ish-Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e kaluar të Kosovës, ndërsa Burim Ramadani - i specializuar në Studimet e Sigurisë)
Botuar më 20 mars 2008, në "Zëri" në Prishtinë më 20 mars 2008, fq. 17,
në gazetën "Rilindja Demokratike" në Tiranë më 20 mars 2008 (shih: http://www.rilindjademokratike.com/RD%2020%20mars/koment.htm),
si dhe në "Gazeta 55 në Tiranë më 22 mars 2008, http://www.gazeta55.net/index.php?v=op&art=3957&fview=t
si dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë më 23 mars 2008 (shih:

Monday, March 17, 2008

Social-demokracia në kushtet e Kosovës

Loja pa fitues
Social-demokracia në kushtet e Kosovës
Në Kosovë mund të thuhet se ekziston një përshtypje se vetë termi ‘socialist’ dhe/apo ‘social-demokrat’ asocion me sistemin komunist, prandaj shpjegimi i parimeve sociale ka rëndësi të posaçme në profilizimin e partive politike. Kush është socialist dhe/apo social-demokrat në Kosovë? Një filozofi e tillë politike vështirë se mund të jetë e suksesshme në një vend të varfër dhe ku rreth gjysma e popullatës janë të papunë siç është Kosova
Shkruan: Burim Ramadani
I
Ndër orientimet kryesore të partive politike sa i përket vendit të tyre në kompasin politik, pa dyshim se është orientimi social, që i takon pjesës së majtë të kompasit duke bërë kështu që partitë e tilla të quhen në përgjithësi si parti ‘të majta’ dhe anëtarët e tyre si ‘majtistë’. Derisa këto parti në rajonin Ballkanik nuk kanë gjithaq identitet të qartë, partitë simotra në vendet Perëndimore tashmë kanë nivel të thellë të fokusit dhe përmbajtjes, ndërsa kohëve të fundit këto parti kanë ndikim të gjerë sidomos në Evropën Perëndimore. Sidoqoftë, edhe në këtë aspekt Kosova ka mungesa të thella programore të partive politike, megjithëse disa parti të caktuara kanë dhënë shenja për orientim social-demokrat. Në Kosovë mund të thuhet se ekziston një përshtypje se vetë termi ‘socialist’ apo social-demokrat asocion me sistemin komunist, pjesë e të cilit ka qenë Kosova nën sundimin e ish-Jugosllavisë. Në fakt edhe nbë SHBA autorët vlerësojnë se ka konatcional të tillë për shkak të Luftës së Ftohtë me ish-BRSS-në. Prandaj, shpjegimi i parimeve sociale që mbrojnë këto parti ka rëndësi të posaçme në profilizimin e partive politike. Kush është socialist dhe/apo social-demokrat në Kosovë? A ekzistojnë rrethanat lehtësuese për të implementuar politika të tilla? Një filozofi e tillë politike vështirë se mund të jetë e suksesshme në një vend të varfër dhe ku rreth gjysma e popullatës janë të papunë siç është Kosova.
II
Një përshkrim shumë i përgjithshëm dhe i lehtë për të krahasuar socialistët në Evropën Perëndimore, autorë të ndryshëm e japin duke thënë se ata korrespondojnë shumë ngushtë me liberalët në SHBA. Të dy palët, edhe socialistët në Evropë edhe liberalët në SHBA shprehin përgjegjësinë sociale për mirëqenien e të tjerëve. Termi ‘socialist’ derivon nga fjala me prejardhje latine ‘socius’ – që do të thotë partner ose shoqërues. Socialistët deklarojnë se ata duan të zgjerojnë ndihmën për të gjithë anëtarët që kanë nevojë në shoqëri sikurse ata të jenë partnerët apo shoqëruesit e tyre. Në demokracitë perëndimore evropiane partitë politike socialiste janë vendosmërisht të përkushtuara në demokraci. Megjithatë, pasi që Bashkimin Sovjetik filloi të shkatërrohet, liderët politikë socialistë ishin të brengosur se emri i partive të tyre do të mund të prishej. Që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, Partitë Komuniste edhe në Evropën Perëndimore edhe në atë Lindore kanë ndryshuar shumë. Ato tashmë deklarojnë të jenë socialiste në orientim. Me qëllim të theksimit të kësaj, shumë prej partive të vjetra komuniste kanë ndryshuar emrin dhe Partia Komuniste Italiane, për shembull, tashmë quan veten si Partia Demokratike e së Majtës. Edhe në Kosovë vërehet një hezitim i përgjithshëm i partive të mëdha për të bërë identifikim të tillë, megjithëse zyrtarë partish të ndryshme kanë përdorur elemente të këtij orientimi.
III
Orientimi social, përkatësisht partitë socialiste dhe/apo social-demokrate shohin hendekun midis të pasurve dhe të varfërve si shumë të madh. Njëri nga qëllimet kryesore të socialistëve është që të pakësojnë/kufizojnë këtë hendek. Socialistët pohojnë se frytet e demokracisë mund të shijohen vetëm nga njerëzit të cilët kanë nivel të mjaftueshëm të sigurisë ekonomike. Sikurse dramaturgu gjerman Bertolt Brecht ka shkruar në të famshmen ‘Threepenny Opera’, njerëzit së pari duhet të hanë. Njerëzit që duhet të brengosen në mënyrë konstante çka të hanë, ku të gjejnë strehim dhe çka të bëjnë në rast të sëmundjes dhe në vitet e pleqërisë nuk janë me të vërtetë të lirë. Ata nuk janë në gjendje të marrin pjesë në jetën politike, e cila kështu do të jetë e dominuar nga më të pasurit dhe, si rezultat, nuk është vërtetë demokratike. Sipas mendimit socialist, shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi në mënyrë që të arrihet më shumë barazi në shoqëri. Nëse forcat e tregut kanë lojë të lirë për të luajtur, atëherë hendeku midis të pasurve dhe të varfërve do të jetë më e gjerë. Është vetëm shteti ai që ka autoritetin e domosdoshëm për të rishpërndarë të ardhurat nga të pasurit tek të varfrit. Për socialistët, intervenimi i shtetit në shoqëri nuk është një pengesë, por një parakusht për një demokraci efektive. Nga perspektiva socialiste, demokracia mund të funksionojë vetëm nëse shteti rregullon shpërndarjen e pasurisë të realizohet nga forcat e tregut.
IV
Por, autorët shpeshherë ngritin pyetjen se a ka dallim midis socialistëve dhe socialdemokratëve? Përgjigjja e tyre është Po dhe Jo. Emërtimi i partive varet nga vendi në vend dhe është relativisht aksidental. Në Francë quhet Parti Socialiste, ndërsa në Gjermani quhet Partia Social-Demokrate, por dallimi në emërtim nuk do të thotë se partia në Francë mbështet parimet demokratike më pak se ajo në Gjermani. Rrethana të caktuara kombëtare shpjegojnë përse, për shembull, në Britani të Madhe dhe Holandë Partia Socialiste quhet Partia Laburiste. Një dallueshmëri midis socialistëve dhe socialdemokratëve në disa raste është bërë në diskutimet e brendshme partiake midis të majtëve dhe të moderuarve. Në Spanjë, për shembull, majtistët disa herë kritikuan ish-kryeministrin, Filipe González për marrjen e linjës Social-Demokrate, përmes së cilës ata nënkuptonin se ai ishte duke u akomoduar ndaj interesave të komunitetit të biznesit. Brezi i ri i socialistëve e sheh jetën politike më pak në kuptimin e së Majtës dhe së Djathtës. Për ata, çështja e rëndësishme është nëse dikush pa kurrfarë kritike mbështet rritjen ekonomike apo dikush ka vullnet të merr në rikonsiderim konceptin e rritjes ekonomike dhe kërkon alternativa të stileve të jetës. Ndërsa, përgjithësisht në mënyrë të kuptueshme, socialistët marrin mbështetjen nga njerëzit që punojnë në arsim, kujdes shëndetësor, punë sociale, komunikim dhe arte.
Botuar në "Zëri" më 17 mars 2008, fq. 13.

Saturday, March 8, 2008

Liberalizmi, liria dhe përgjegjësitë e shtetit

Loja pa fitues
Liberalizmi, liria dhe përgjegjësitë e shtetit
Lëvizjet e aty-këtushme për të nxitur ‘shtrydhje truri’ mbi orientimet e partive politike të Kosovës po duket se janë të pamjaftueshme për të arritur nivelin e debatit. Intervenimi i shtetit në shumicën e aspekteve të jetës në Kosovë nuk është i dallueshëm në koncept apo nivel sipas programeve të partive politike kosovare. Sipas liberalëve evropianë, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë, megjithëse merren parasysh disa role të dobishme të shtetit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Liria e individit që në mënyrë autonome të merr vendime individuale ka qenë dhe mbetet çështje me interes të veçantë debati dhe studimi, si në nivel teorik, po ashtu edhe në atë të përditshëm dhe praktik. Kjo temë është sa filozofike aq edhe politike, ndërsa varësisht nga qëndrimet e caktuara politike janë formuar dhe ndërtuar edhe orientimet e ndryshme në kompasin politik dhe spektrin partiak në botë. Zhvillimi i sistemit dhe kulturës politike në vendet që synojnë të arrijnë nivelin e përparuar të demokracisë, në fakt duket të jetë i varur nga niveli i debatit politik të shoqërisë dhe elitës së këtyre vendeve. Vendet e Evropës Perëndimore kanë kaluar nivele të shumta të debateve rreth orientimeve politike të partive përfaqësuese dhe në përgjithësi pak shekuj më parë ishin vërtetë fillimi i gjithë asaj që do të mund të konsiderohet si bazë ideologjike dhe programore e partive politike moderne. Rajoni Ballkanik, ndërkaq, ka tentim-zigzaget e veta sa i përket kësaj çështjeje, porse shekulli i kaluar u kalua kryesisht me sistem monist e të ‘pacenuar’ nga debatet mbi orientimet bazë politike. Kosova, në këtë rast, ende nuk ka filluar konkretisht dhe seriozisht debatin mbi vendin e partive në skemë. Parakusht ishte liria. Liria asocion me liberalizmin. Por, a është liberalizmi vetëm liri? Cili është roli i shtetit?

II
Liberalët evropianë theksojnë rëndësinë e lirisë individuale në secilin aspekt të jetës. Në aspektin ekonomik, kjo çon në preferencën e fuqishme për treg të lirë vendor dhe ndërkombëtar. Por, liberalët evropianë përkrahin ‘tregun e lirë’ edhe më çështje morale. Ata duan që edhe zgjedhjet për çështjet si aborti dhe divorci t’ia lënë individit, që duhet të merr edhe përgjegjësinë personale. Ata nuk duan që shteti dhe burokratët e tij të ndërhynë në jetët private të qytetarëve. Vendimet e lira dhe autonome të individit janë në zemër të mendimit liberal. Organizatat e mëdha shihet me skepticizëm, sepse liberalët besojnë se ato kanë për qëllim të kufizojnë lirinë individuale. Kjo nuk është vetëm për shtetin, por edhe për organizatat tjera të mëdha, siç janë sindikatat dhe kishat. Tek e fundit, pyetja që gjithmonë ka qenë me interes të posaçëm është ajo rreth të drejtës së organizatës mbi pjesëtarët apo pjesëtarëve mbi veten dhe organizatën? Këtu qëndrojnë edhe dallimet më të mëdha midis konservatorëve dhe liberalëve. Kjo ka të bëjë me konceptin e lirisë. Në fakt, vetë termi liberal ka prejardhjen prej fjalës latine libertas – që nënkupton lirinë. Dhe, është normale që në disa vende evropiane liberalët të përfshijnë në ermin e tyre zyrtarë edhe termin i Lirë. Në Gjermani, për shembull, liberalët quhen Demokratët e Lirë.

III
Liberalët evropianë janë më shumë të orientuar kah tregu i lirë në mesin e partive politike evropiane, derisa në spektrin politik amerikan liberalët janë më shumë kritikë të tregut të lirë. Është ndoshta edhe befasuese për një amerikan të mësojë se në Evropën Perëndimore ka parti politike që quhen Liberale, porse në aspektet më të rëndësishme janë shumë të kundërta me Liberalët Amerikanë. Në SHBA ‘liberal’ përcakton pozitën në të Majtë dhe liria pozitën në të Djathtë - për shembull, Organizata Konservatore ‘Amerikanët e Rinj për Liri’. Në Evropë, ‘liberal’ dhe ‘të lirë’ përdoren si sinonime. Sidoqoftë, rrënjët e liberalizmit evropian janë në Evropën e hershme moderne – shekujt e shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë. Në kohën e Mesjetës, individi është parë si pjesëtar i grupit apo komunitetit. Njerëzit ishin fuqimisht të ngulitur në qytetet, shoqëritë, manastiret, universitet e tyre apo të tilla. Ata e definonin veten në një shkallë shumë të lartë si pjesëtarë të grupeve të tilla. Në Evropën e hershme moderne, individi ka filluar të qëndrojë për veten e tij apo të saj. Individi në këtë kohë është lejuar madje edhe inkurajuar të mendojë për veten e tij apo të saj dhe që të bëjë plane të jetës. Ky kuptim i individit ishte i lidhur me daljen në shesh të kapitalizmit industrial dhe komercial, i cili ka shkaktuar ngritjen e mëtejshme të individit.

IV
Lëvizjet e aty-këtushme për të nxitur ‘shtrydhje truri’ mbi orientimet e partive politike të Kosovës janë të pamjaftueshme për të arritur nivelin e debatit. Intervenimi i shtetit në shumicën e aspekteve të jetës në Kosovë nuk është i dallueshëm për nga niveli sipas programeve të partive politike kosovare. Por, sipas mendimit liberal në kuptimin evropian, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë. Kjo nuk nënkupton se liberalët nuk marrin parasysh disa role të dobishme të shtetin. Kështu, liberalët evropianë besojnë se shteti ka përgjegjësi të caktuara për ndihmesën ndaj të papunësuarve, të hendikepuarve dhe të moshuarve, edhe pse programet sociale të liberalëve janë më të kufizuara sesa ato që avokohen nga socialistët. Liberalët në Evropë po ashtu pranojnë se janë të domosdoshme disa rregulla të sjelljes morale, në veçanti për adoleshentët. Ata po ashtu përkrahin programet qeveritare për luftimin e abuzimit të drogës, edhe pse shumë liberalë janë të vullnetshëm të legalizojnë drogat e ‘lehta’. Porse, në përgjithësi, partitë liberale në Evropën Perëndimore theksojnë autonominë individuale dhe lirinë individuale para së gjithash në aspektin ekonomik dhe moral. Individi, sipas këtij mendimi, duhet të bëjë zgjedhjet e tij ose saj dhe të jetojë me pasojat, për të mirë ose për të keq.

Botuar në “Zëri” më 10 mars 2008, fq. 12.

Friday, March 7, 2008

Mbi orientimin konservator

Loja pa fitues

Mbi orientimin konservator

A janë partitë politike kosovare të bazuara në ndonjërën prej orientimeve në ‘kompasin politik’ apo të paktën mbi disa prej parimeve të cilësdo prej tyre? Kjo ndoshta është pyetja që është bërë shumë herë, porse kryesisht vetëm gjatë fushatës parazgjedhore dhe më pas është harruar fare si e tillë. Çka do të thotë orientimi konservator?

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tashmë pas pavarësimit të Kosovës, në aspektin e zhvillimit politik dhe të kulturës politike të Kosovës është mëse e nevojshme të ketë debat krejt fillestar mbi atë që partitë politike vendore pretendojnë të përfaqësojnë. Nevoja për debatin profesional dhe përmbajtësor mbi orientimet e partive politike dhe vendin e tyre në atë që quhet ‘kompas politik’ është e padiskutueshme. Në përgjithësi, në fillim të këtyre debateve do të duhej të bëheshin përkufizime pak a shumë teorike mbi dy apo tri orientimet kryesore mbi të cilat duket se partitë kosovare duan të bazohen. Është mëse e nevojshme që të shihen se cilat janë parimet e konservatorëve, liberalëve, social-demokratëve dhe socialistëve. A janë partitë politike kosovare të bazuara në ndonjërën prej këtyre orientimeve apo të paktën mbi disa prej parimeve të cilësdo prej tyre? Kjo ndoshta është pyetja që është bërë shumë herë, porse kryesisht vetëm gjatë fushatës parazgjedhore dhe më pas është harruar fare si e tillë. Asnjëherë deri më tash, që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, nuk është ngritur një debat i tillë mbi politikat e udhëhequra nga Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës. Prandaj, le të shohim se çka nënkupton të qenit konservator?

II
Termi konservator rrjedh prej fjalës to conserve, që sipas Oxford English Dictionary do të thotë “ruajtja nga kalbja ose ndryshimi ose shkatërrimi”. Çka duan konservatorët të ruajnë nga kalbja ose ndryshimi ose shkatërrimi? Mbi të gjitha, strukturën e autoritetit në shoqëri. Konservatorët besojnë se individi është i humbur nëse nuk futet në një strukturë të autoritetit. Konservatorët kanë pamje pak më të ndryshme rreth individit në krahasim me liberalët. Sipas mendimit konservator, individët janë për nga natyra të dobët dhe kanë nevojë për udhëheqje. Nëse lihen vet, ata është e pritshme të çrregullohen. Ata duhen të udhëhiqen nga autoritetet siç është shteti, kisha, familja dhe të ngjashme. Konservatorët brengosen se këto autoritete mund të prishen. Prandaj, qëllimi primar i konservatorëve është të ruajnë strukturën e autoritetit në shoqëri. Konservatorët mbështesin masat për fuqizimin e shtetit dhe familjes. Ata pohojnë se shteti ka nevojë për simbole të fuqishme për të mbajtur autoritetin. Sipas këtij mendimit, shteti duhet të jetë i bazuar jo vetëm në dobinë racionale, por edhe mbi emocione. Prandaj, konservatorët i nderojnë simbolet shtetërore dhe ofendohen kur të tjetër nuk e bëjnë të njëjtën.

III
Tek ekonomia, konservatorët si edhe liberalët kanë preferencë për tregun e lirë dhe kështu janë aleatë natyror në këtë aspekt. Nëse ka dallime midis dy palëve, atëherë kjo është për shkak se liberalët mbrojnë këtë parim edhe më shumë se sa konservatorët. Për liberalët, konkurrenca e tregut të lirë inkurajon individët të zhvillojnë potencialin e tyre deri në masën më të plotë. Kështu që, tregu i lirë gjen arsyetimin në nevojat e individëve. Konservatorët pajtohen me këtë deri në një masë të madhe, por ata gjithashtu i referohen rendit natyror të shoqërisë për të arsyetuar tregun e lirë. Sipas mendimit të konservatorëve, struktura hierarkike e shoqërisë korrespondon me ligjin e natyrës. Sikurse në botën shtazore, në mesin e qenies njerëzore ka gjithnjë të atillë që në mënyrë natyrore janë më të fuqishëm dhe më të suksesshëm se sa të tjerët. Por, nëse bankrotimi i një kompanie të madhe kërcënon stabilitetin ekonomik dhe politik të një regjioni të tërë, konservatorët janë më të vullnetshëm sesa liberalët që atë kompani ta nxjerrin nga balta me para të qeverisë. Porse, siç shihet, kjo do të mund të ndodhte në situatat vëretët jo të zakonshme, kur dëmi nga mos-ndërhyrja do të ishte më i madh se sa vetë ndërhyrja.

IV
Termi i konservatorëve në Kosovë është vështirë të përshkruajë në mënyrë të saktë ndonjërën prej partive politike. Edhe në vendet tjera, emri i partisë së këtillë është i ndryshëm. Në Britani të Madhe partia me orientin konservator quhet thjeshtë Partia Konservatore. Në vendet tjera të Evropës Perëndimore, ato kanë emërtime të ndryshme; në Zvicër ata quhen Parti e Moderuar e Unitetit; në Greqi quhen Demokracia e Re; në Spanjë quhen Aleanca Popullore. Për nga vetë natyra e tyre, konservatorët shprehin rëndësinë e identitetit kombëtar. Si pasojë, secila parti e tillë shfaqet nga konteksti kombëtar pa ndikim të madh ndërkombëtar. Socialistët dhe liberalët, në anën tjetër, kanë një mesazh më universal, kështu që për ta është më e lehtë të bashkëpunojnë në nivel ndërkombëtar. Mungesa e unifikimit ndërkombëtar në mesin e konservatorëve është e shfaqur edhe me vështirësinë e tyre të organizohen si një pari e vetme në Parlamentin Evropian. Sidoqoftë, në Kosovë asnjëra parti nuk është e anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare që grumbullon partitë e orientimit konservator. Plotësimi i parakushteve për anëtarësim është i domosdoshëm dhe duhet filluar menjëherë.
Botuar në “Zëri” më 3 mars 2008, fq. 13.

Hezitimi i vazhdueshëm në veri

Loja pa fitues

Hezitimi i vazhdueshëm në veri

Vendimi për tërheqjen e misionit të BE-së nga veriu i Kosovës është shenjë drejt pamundësisë së shtrirjes së autoritetit në tërë territorin e Kosovës. Kështu pati ndodhur edhe me UNMIK-un, mision ky që bënte llogari të mëdha politike edhe sa i përket mandatit të vetë. Institucionet e Kosovës nuk janë të afta ta bëjnë këtë, prandaj BE-ja nuk duhet hezituar në asnjë moment

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ashtu sikurse ishte parashikuar qysh kohë më parë, situata e sigurisë dhe ajo politike në pjesë të caktuara të Kosovës, përkatësisht në veriun e vendit, është sfida e parë mjaft e rëndë për institucionet e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare. Duke filluar qysh në ditët para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovë, serbët kosovarë kanë treguar seriozitetin e përkushtimit të tyre për të mospranuar shtetin e ri dhe në të njëjtën kohë për të mos-pranuar po ashtu edhe misionin e ri të Bashkimit Evropian për sferën e sundimit të ligjit dhe të drejta të njeriut, përkatësisht në polici, drejtësi dhe implementim të pakos së Ahtisarit. Provokimet e rënda që pakica serbe i ka bërë shtetit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare prezente këtu kanë për qëllim nxitjen e reagimit të njëjtë të popullatës shqiptare, për të arritur kështu të realizojnë planet e përgjithshme për ndarjen e Kosovës. Kjo së pari do të mund të arrihej përmes asaj që quhet ‘fakt i kryer’, duke kaluar më pas në formalizimin e gjendjes. Djegia e portave kufitare dhe shpërthimet kundër misionit të BE-së kanë për qëllim zbrapsjen e autoritetit legjitim dhe ndërkombëtar të Kosovës në pjesën e veriut të vendit, duke vënë në pikëpyetje të thellë të ardhmen e përbashkët.

II
Bashkimi Evropia ka filluar dërgimin e misionit të vet më të madh në historinë mbi gjysmëshekulli prejse është krijuar. Ky mision do të ketë sfida të përafërta me ato që kishte për mëse tetë vjet administrata e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto sfida, të cilat madje mund të jenë edhe më të ndjeshme në javët dhe muajt e parë, kryesisht kanë të bëjnë me disa elemente të lidhura me shtrimin e pushtetit/autoritetit në tërë territorin e Kosovës, aplikimin e pushtetit në mënyrë jo-selektive, marrëdhëniet ndër-etnike, marrëdhëniet rajonale, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, efikasitetin në luftën që duhet të nis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sikurse edhe sfidën e përfitimit të bashkëpunimit të plotë dhe korrekt me institucionet vendore përfaqësuese të vullnetit të popullit. Derisa shumica e këtyre elementeve-sfida janë më afat-gjate, ato që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës do të jenë vërtetë të rëndësishme dhe suskes-përcaktuese për vetë misionin, por edhe për Kosovën. Të shtrihet autoriteti në tërë territorin nuk duket se do të jetë e lehtë as për evropianët dhe shenja e parë e tërheqjes së përkohshme nga veriu u dha sinjal serbëve për vazhdim të kundërshtimeve.

III
Celulat e MUP-it të Serbisë ekzistojnë në disa pjesë të Kosovës dhe veçanërisht në pjesën e veriore të vendit. Tek e fundit, këto struktura paralele kanë filluar jetesën e vetë që prej pjesës së fundit të vitit 1999, kur Kosova veçmë ishte vendosur nën administrimin ndërkombëtar. UNMIK-u nuk ka tentuar asnjëherë në mënyrë të vendosur që të zbatojë një pjesë të mandatit të vetë të dhënë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Administrata ndërkombëtare, sipas kësaj Rezolute, merr mbi vete autoritetin e vetëm legjistativ, ekzekutiv dhe të drejtësisë në Kosovë. Porse, kjo nuk është parë të jetë implementuar në rajone dhe vendbanime të caktuara në Kosovë, kryesisht ku kanë banuar pjesëtarët e komunitetit pakicë serb. Vazhdimësia e lejimit të funksionimit të strukturave paralele në Kosovë ka qenë një prej dështimeve tepër të mëdha të UNMIK-ut në Kosovë dhe për këtë misioni i BE-së nuk duhet të ketë hezitim në zbatimin e mandatit që ka marrë. Porse, lajmi i dy ditëve më parë nuk duket të jetë shpresues për këtë aspekt. Vetë përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Piter Feith, tha në Prizren se misioni i ij tërhiqet përkohshisht nga veriu, duke dhënë kështu dritën e gjelbër për vazhdimësinë e gjendjes.

IV
Çelësi i suksesit politik dhe institucional i Kosovës është dhe mbetet edhe për një kohë të caktuar rajoni i Mitrovicës. Për këtë, nevojitet qasje tejet serioze në rend të parë nga të zgjedhurit e Kosovës dhe më pas edhe nga bashkësia ndërkombëtare e përfaqësuar përmes BE-së dhe NATO-s. Porse, as vendorët e as ndërkombëtarët duket të mos kenë përkushtimin e duhur. Fatkeqësisht, angazhimi i qeverisë Thaçi duket se është krejt deklarativ, duke mos u ballafaquar asnjëherë brenda më shumë se një muaji me atë që po ndodh dhe atë që mund të ndodh. Deri më tash, asnjëherë nga qeveria nuk kemi dëgjuar se çka është duke ndodhur në veriun e Kosovë, çka mund të ndodh në javët dhe muajt në vijim, cilat janë veprimet e saj konkrete, çfarë duhet bërë populli, çfarë duhet bërë policia, KFOR-i dhe TMK-ja. Në të njëjtën kohë, vendimi për tërheqjen e misionit të BE-së nga veriu i Kosovës është shenjë drejt pamundësisë së shtrirjes së autoritetit në tërë territorin e Kosovës. Kështu pati ndodhur edhe me UNMIK-un, mision ky që bënte llogari të mëdha politike edhe sa i përket mandatit të vetë. Institucionet e Kosovës nuk janë të afta ta bëjnë këtë, prandaj BE-ja nuk duhet hezituar në asnjë moment.

Botuar në “Zëri” më 25 shkurt 2008, fq. 16.

Për jetë të re

Loja pa fitues

Për jetë të re

Nderim për të gjithë ata që kontribuan që kjo ditë të bëhet realitet. Tashmë, fillon jeta e re për Kosovën. Jeta e zhvillimit të gjithmbarshëm dhe integrimeve evro-atlantike. Kosova tashmë menjëherë pas festës ka nevojë për punë dhe aktivitet. Përfundimi i kësaj feste duhet të shënohet me kthimin e Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, në sfidën e tyre për mbrojtjen e Kosovës edhe kaq vjet pas lufte

Shkruan: Burim Ramadani

I
Përmbyllja politike e një kaptine të tërë historike për Kosovën dhe aspiratave të qytetarëve shumicë në vend ka ndodhur pardje gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës me shpalljen e pavarësisë. Po të ndalesh për të menduar rrugën prejse është nisur ky projekt politik, nuk mjafton një koment i përmasave të ngushta për ta rrumbullakuar atë. Sidoqoftë, ajo që duhet analizuar më së shumti është momenti dhe realiteti në të cilën ndodhet shoqëria kosovare, sikurse edhe në sfidat dhe interesat që ka ajo përpara në vitet dhe dekadat e ardhshme. Obligimet për të arritur objektivat politike të qytetarëve të Kosovës janë të mëdha dhe si për t’i përmbushur ato duhet punuar tashmë me intensitet edhe më të shtuar. Pikërisht ajo që ish-kryeministri Haradinaj thoshe se “duhet shtrënguar rripat për të punuar pas pavarësisë”. Edhe festa për pavarësimin e vendit, që ka filluar të paktën prej të shtunës mbrëma, duhet të kthehet në elan për punë dhe sukses në të gjitha sferat e jetës.

II
Projekti politik për bërjen e shtetit të pavarur të Kosovës është disa dekadash, derisa një dekadë më herët shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur nga pushteti agresor dhe sundues i Serbisë së prirë nga Millosheviqi. Vitet e 90-ta shënuan dhimbje, varfëri, gjak dhe mund për shqiptarët e Kosovës, sikurse që fundi i asaj dekade shënoi largimin e forcave policore e ushtarake sunduese serbe. Rezistenca paqësore e udhëhequr nga presidenti Rugova, mbajtja në jetë e arsimit dhe shëndetësisë nga lëvizja kombëtare gjithë-popullore e organizuar në LDK, lufta e armatosur dhe lufta atdhetare e Jasharajve, Haradinajve e të tjerëve ktheu bashkësinë ndërkombëtare në krah të Kosovës, për të ndërhyrë edhe ushtarakisht dhe larguar Serbinë njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Përmirësimi i jetës në Kosovë pati shënuar një zhvillim të hovshëm menjëherë pas vitit 1999, derisa u realizua liria e munguar për popullin e Kosovës.

III
Prezenca ndërkombëtare në Kosovë gjatë më shumë se tetë vjet ka arritur të përmbyll suksesshëm mandatin e saj, në kuptimin e orientimeve dhe objektivave ndërkombëtare që i janë paraqitur kësaj administrate. UNMIK-u për tetë vjet ka kaluar tri faza, ashtu sikurse ishte paracaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Faza e parë ishte ajo emergjente, përkatësisht e nxjerrjes së Kosovës nga katastrofa ekonomiko-financiare. Rindërtimet e shpejta dhe masive, si dhe kthimi i refugjatëve, kanë qenë të dukshme dhe madje kanë demantuar një pjesë të opinionit ndërkombëtar për të kundërtën. Faza e dytë ishte ajo e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Kjo periudhë ndoshta ishte më e gjata e mandatit të UNMIK-ut, duke krijuar së pari trupa të përbashkëta të subjekteve politike të Kosovës në ato që njiheshin si Këshilli i Përbashkët Administrativ dhe Këshilli Tranzitor i Kosovës. Më pas, zgjedhjet e lira përcaktuan krijimin e institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat tashmë kanë filluar mandatin e tretë. Faza e tretë ishte ajo e përgatitjes së Kosovës për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Megjithëse filloi me konfuzion, standardet për Kosovën paraqitën strategjinë dalëse të misionit.

IV
Për të ardhmen e Kosovës së pavarur mbetet shumë për t’u punuar, prandaj pavarësimi përfundon një kaptinë, duke hapur kështu kaptinën tjetër të zhvillimit të demokracisë, ekonomisë, standardit jetësor dhe marrëdhënieve rajonale e ndërkombëtare. Janë një sërë sfidash me të cilat do të përballet Kosova qysh në ditët e para të shtetësisë. Në këtë mes, patjetër, duhet futur edhe obligimet që Kosova ka marrë në bazë të Pakos së Ahtisarit. Më konkretisht, decentralizimi është një prej detyrave kryesore që ka Prishtina zyrtare. Puna në këtë proces duhet të fillojë qysh në javët e ardhshme, duke i sqaruar së pari në përpikmëri qytetarëve të Kosovës rreth rrjedhave të mëtejshme të këtij procesi. Qytetarët e Kosovës, ndërkaq, presin edhe zhvillimin ekonomik të vendit, perspektivën evropiane të arsimimit, kulturës dhe sportit. Përmirësimi i marrëdhënieve ndër-etnike, në anën tjetër, mbetet përkushtim i shoqërisë dhe elitës politike kosovare për vitet e ardhshëm.

Botuar në “Zëri” më 19 shkurt 2008, fq. 19.