Monday, March 31, 2008

Ngathtësia e diplomacisë kosovare

Loja pa fitues
Ngathtësia e diplomacisë kosovare
Cili është pozicioni i palës kosovare në negociatat për demarkacionin e kufirit? Me çfarë statusi dhe çfarë simbole do të paraqiten negociatorët nga Kosova e panjohur si shtet nga homologët maqedonas? Kjo tregon papërvojën dhe nënshtrimin dilpomatik të Kosovës, si dhe paaftësinë e lidershipit aktual për të mbrojtur interesin e qytetarëve të vetë në raport me presionet e ndryshme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen
Shkruan: Burim Ramadani
I
Kur ndërmjetësi ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, filloi të punonte në hartimin e propozimit të tij pas negociatave të udhëhequra nga ai, kemi dëgjuar deklarata nga më të ndryshmet rreth qëndrimit të palës kosovare ndaj përmbajtjes së atij propozimi. Në kohën kur ky dokument pritej me ankth nga opinioni publik kosovar dhe mbarë-shqiptar, në pjesën e fundit të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007, një shtet ynë fqinj pati deklaruar interesimin e vet për të ndikuar në përmbajtjen e propozimit. Maqedonia filloi të kërkojë që rasti i marrëvshjes së tyre me ish-Republikën Federative të Jugosllavisë në vitin 2001 për kalimin e mbi dy mijë hektarëve të Kosovës nën territorin e Maqedonisë të përfshihej edhe në propozimin e Ahtisarit. Kjo u kundërshtua nga faktori politik në Kosovë dhe për më shumë pothuaj të gjithë thanë edhe që kjo është plotësisht e papranueshme. Mbi dy mijë hektarë të tokave të shqiptarëve të Kosovës në kufi me Maqedoninë i ishin falur me lehtësi shtetit tonë fqinj dhe kjo ishte bërë pa kurrfarë konsultimi me sovranin legjitim të Kosovës, përkatësisht popullatën dhe liderët përfaqësues të saj në Kosovë. Porse, në atë kohë, mendohej se Kosova është këmbëngulëse që të mos lejojë në asnjë mënyrë zbatimin e saj.
II
Kundërshtimi i marrëveshjes mes Serbisë dhe Maqedonisë për faljen e këtyre hektarëve të asaj pjese të Kosovës ishte i fuqishëm nga ana e Kosovës. Kuvendi kosovar pati nxjerr një Rezolutë për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, ndërsa partitë dhe liderët politikë filluan të tregojnë muskujt e fuqisë përmes deklarimeve të karakterizuar nga një patriotizëm i thellë anti-sllav. Edhe shoqëria civile ishte aktive në reagimet e ashpëra kundër këtij precedenti të shkeljes së vullnetit të popullit të Kosovës. Reagimet e tilla vazhduan edhe në vitet tjera deri në shpalljen e pavarësisë së vendit. Madje, kryeministri i kaluar i Kosovës, i gjendur nën presionin e brendshëm të opinionit publik, pati vizituar banorët e Debëlldesë dhe u zotua se marrëveshja nuk do të mund të ndodh në praktikë. Banorët, në anën tjetër, duke thënë se nuk duan të shesin tokat e tyre edhe pas ofertave voluminoze nga Maqedonia, u shprehën se do të mbrojnë edhe me armë atë pjesë të territorit. E tërë kjo ishte publike dhe deklaratat e tilla ndikonin në forcimin e pozicioneve të vetë liderëve politikë, që mundoheshin të vazhdojnë të luajnë me kartën e patriotizmit për të fituar përkrahjen e qytetarëve. Në anën tjetër, UNMIK-u i relaksuar nuk merrej me këto deklarata.
III
Kufiri i Kosovës me Maqedoninë, sidoqoftë, u përfshi në propozimin e Ahtisarit dhe sipas përkufizimit në të, kjo çështje duhet zgjidhur përmes negociatave midis Prishtinës dhe Shkupit, brenda një afati njëvjeçar që prej hyrjes në fuqi të propozimit. Porse, tashmë po ndodh e kundërta. Ende pa filluar implementimi i këtij propozimi, qeveria e Kosovës ka vendosur të pranojë kushtin e Maqedonisë për të filluar negociatat për demarkacionin e kufirit. Qeveria ka krijuar ekipin e ekspertëve për këtë çështje, duke i dhënë përparësinë absolute Maqedonisë në këto negociata, për të përfunduar në pranimin definitiv të marrëveshjes që kishte me ish-RFJ-në. Përndyshe, cili është pozicioni i palës kosovare në këto negociata? Me çfarë statusi dhe çfarë simbole do të paraqiten negociatorët nga Kosova e panjohur si shtet nga homologët maqedonas? Kjo do të duhej të jetë shumë e qartë para se dikush të vendoste fillimin e këtij procesi. Tek e fundit, kjo tregon papërvojën dilpomatike të Kosovës, sikurse edhe paaftësinë e lidershipit aktual për të mbrojtur interesin e qytetarëve të vetë në raport me presionet e ndryshme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen. Mbështetja që i është dhënë Kosovës gjatë procesit të statusit, do të duhej të ishte mësim për të tashmen.
IV
Kushtëzimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë me fillimin e negociatave për demarkacionin e kufirit nuk do të duhej të pranohej. Megjithëse kështu ishte deklaruar tërë kohën, ndodhi e kundërta. Në fakt, kjo paraqet një fillim tejet të ngathtë të raporteve diplomatike bilaterale të Kosovës me ndonjë vend tjetër. Dhe, për më keq, kjo ngathtësi u tregua në raport me Maqedoninë fqinje, që në fakt është shtet i brishtë, pa identitet të qartë, pa fuqi rajonale apo ndërkombëtare, pa ekonomi të fuqishme, me politikë konfuze, pa aftësi ndikimi në politikën botërore dhe me një numër të madh të qytetarëve të etnisë shqiptare. Ky nënshtrim politik i Kosovës i është bërë një shteti që nuk e ka të definuar madje as emrin e vet kushtetues, duke qenë nën presionin e një shteti tjetër fqinj. Ky koncept i ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet e rajonit është koncept i politikës së ngurtësimit në vetvete, i pafuqisë, fillimit të keq diplomatik dhe nënshtrimit ndaj presionit të huaj. Pafuqia e qeverisë për mbrojtjen e interesit të qytetarëve të vet në raport me Maqedoninë tregon qartë se çka do të mund të ndodhte në raste tjera kur do të negociohej me shtete të fuqishme botërore. Qartë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të pambrojtur.
Botuar në "Zëri" më 31 mars 2008, fq. 11

No comments: