Tuesday, April 8, 2008

Tregimi për luftëtarin

Loja pa fitues
Tregimi për luftëtarin
Luftëtari si i vetëm apo si lider ekipi, përballet me pothuaj gjithçka. Që nga më e lehta deri tek më e vështira, ballafaqimet e luftëtarit janë histori në vete. Valëzimi i arritjeve shfaq ndikimin e ndryshuar të tij gjatë kohës në shoqëri. Suksesi në rrugën që po lufton, varet nga shumë faktorë, por vetë luftëtari është më kryesori
Shkruan: Burim Ramadani
I
Fitorja e çdo beteje për luftëtarin është motivim për të vazhduar tutje. Motivimi i dalë nga sfida është shtyllë vullneti për të shtyrë proceset përpara, derisa nga ky vullnet në qendër të ekipit vihet vetë luftëtari. Betejat nuk përfundojnë asnjëherë dhe paraqesin sfida të vazhdueshme. Luftëtari si i vetëm apo si lider ekipi, përballet me pothuaj gjithçka. Që nga më e lehta deri tek më e vështira, ballafaqimet e luftëtarit janë histori në vete. Valëzimi i arritjeve shfaq ndikimin e ndryshuar të tij gjatë kohës në shoqëri. Suksesi në rrugën që po lufton, varet nga shumë faktorë, por vetë luftëtari është më kryesori. Ky mbase mund të jetë tregimi për Ramush Haradinajn, ish-komandant i Dukagjinit gjatë luftës në Kosovë, i cili dorëzoi mandatin e kryeministrit në vitin 2005 për të nisur pa dëshirën e tij betejën me Prokurorinë e Tribunalit të Hagës, duke triumfuar tri vjet më pas për t’u kthyer në atë që meritonte dhe për të cilën luftonte – Kosovën e pavarur. I kthyer në një situatë krejt të re të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri vlerësohet të jetë një prej figurave më shpresëdhënëse të paktën në dinamizimin e jetës politike, reformimin e mentalitetit aktual qeverisës, thellimin e nevojës për profilizimin e partive politike, forcimin e zërit opozitar, forcimin e debatit politik dhe ballafaqimin me anti-vlerat.
II
Fillimi i menjëhershëm i angazhimeve me agjendë të ngjeshur të luftëtarit ka dhënë sinjalet e para për vazhdimin e dinamikës politike të ndërprerë në rrugë tri vjet më parë. Sido që të jetë, ish-kryeministri ka gjetur partinë e tij politike në opozitë, duke humbur kështu pjesëmarrjen e dukshme kështu pushtetin që kishte fituar pas marrëveshjes së tij me ish-presidentin e ndjerë Rugova në fund të vitit 2004. Ministrat që përfaqësonin partinë e Haradinajt në qeverinë e kaluar të Kosovës janë gjendur pa lider dhe përballë akuzave të rënda (e që shpeshherë nuk u kurseheshin as në aspektet familjare). Pothuaj të gjithë nga ta, sikurse edhe të partnerit në koalicion, kanë qenë në qendër të etiketimeve dhe sulmeve të pareshtura për gati tri vjet, duke ndikuar pa dyshim në uljen e besimit dhe perceptimit publik për ta dhe partinë. Sfida e parë për luftëtarin është pikërisht përballja me këtë situatë në ekipin e tij. Rregullimi i perceptimit publik dhe hapësira për njerëz të botës akademike dhe jetës publike do të duhej të jetë rruga e zgjedhur për të tejkaluar dhe kthyer në sukses perceptimin e përgjithshëm të krijuar përmes sharjeve dhe fyerjeve të pandalshme rreth tri vjeçare. Shkathtësitë e luftëtarit fillimisht duhet drejtuar në ndryshimin dhe përforcimin e qetë të ekipit, sikurse edhe promovimin e tij të duhur.
III
Fakti i prezencës së plotë dhe të lirë të ish-kryeministrit Haradinaj në jetën politike kosovare dhe rajonale pa dyshim se ka ndikim në zhvillimin e proceseve të përgjithshme dhe specifike politike. Prandaj, edhe opozita në Kosovë mund të ketë një shtytje të re për përforcim pas javës së kaluar. Në të vërtetë, që prej formimin të koalicionit aktual qeverisës, zëri opozitar ka qenë i mbytur, në rend të parë për shkak të mos-koordinimit të vetë partive që kanë mbetur të pa-përfshira në qeveri. I vetmi organizim opozitar ka qenë në zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, e cila padyshim se nuk mundte të arrinte ndonjë befasi. Sidoqoftë, pozicioni i partisë së ish-kryeministrit sikurse edhe partive tjera opozitare deri më tash është tejet i heshtur, pa ndonjë strategji të qartë të transmetimit të shqetësimeve të veta. Dhe, sikur edhe në praktikat e vendeve tjera, duke mos u përballur me opozitë të fortë, koalicioni qeveritar është ndier komod në punën e vet të ngadalshme. Madje, edhe instalimi i anti-vlerave dhe promovimi i tyre si vlera të reja ka qenë vërtetë i lehtë për t’u bërë, në mungesë të një opozite aktive. Porse, jemi dëshmitarë të instalimit të politikës së tillë qeverisëse, ku njerëzit shprehen në emër të luftës apo ndonjë aktivizmi tjetër vetëm për të ndikuar në vendim-marrje pavarësisht drejtimit që i japin më pas.
IV
Formulimi i politikave të qarta dhe precize për luftimin e dukurive negative në shoqërinë dhe institucionet kosovare mbetet një prej detyrave më kryesore të elitës politike vendore. Përkundër deklarimeve të shpeshta dhe të ndryshme publike rreth asaj që është bërë klishe “zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit”, efekti i ndryshimit të pushtetit gjatë këtij tremuajshi është vërejtur për të keq. Keqpërdorimi dhe korrupsioni është rritur me të madhe dhe kështu është e kundërta e gjithçkaje të propaganduar deri më tash. Infiltrimi i udhëheqjes politike në secilin konkurs dhe tender në Ministritë e qeverisë së Kosovës tashmë është instaluar si normë e pashkruar, por e mirë-praktikuar. Prandaj, duhet gjetur mënyrën më të mirë për t’u përballë me këtë dukuri negative që po thellohet dita-ditës. Prandaj, duhet gjetur kush mund ta bëjë këtë. I ballafaquar me beteja nga më të ndryshmet, akuza dhe lloj-lloj konstruksionesh, luftëtari tashmë mund të kthehet në protagonist të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zhvillimi i një politike për qeverisje të pastër dhe kundërshtim me forcën e ligjit të dukurive negative është prioritet për Kosovën në rrugën e re drejt integrimit evropian. Rruga e proceseve nuk ka të ndalur, ashtu siç nuk ndalet jeta. Luftëtari krahas të tjerëve është protagonist.
Botuar në "Zëri" më 7 prill 2008, fq. 13.
si dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 9 prill 2008, fq. 9

1 comment:

Anonymous said...

Xixe a, ja vlen per shkru keshtu per nje burre te madh si ai