Tuesday, April 29, 2008

Sfida e rëndë e zgjedhjeve

Loja pa fitues

Sfida e rëndë e zgjedhjeve

Arsyetimet e ndryshme për zgjedhjen e reagimit të butë si strategji nuk janë të bazuara në një analizë të mirëfilltë për veprimet që do të mund të merrte Kosova në mënyrë që këto zgjedhje të paktën të deligjitimohen, diskreditohen, të dekodohen dhe të dobësohet efekti praktik i tyre. Në fakt, kahja që do të merr Serbia pas këtyre zgjedhjeve do të mund të ndikojë në ndryshimin e përgjithshëm të politikave në rajon

Shkruan: Burim Ramadani

I
Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë ka nxjerrë vendimet përgatitore për administrimin e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë. Kosova përfshihet brenda këtij procesi. Nga ana e Serbisë, territori i Kosovës fqinje, tashmë shtet i pavarur, vazhdon të llogaritet brenda kufijve të saj shtetëror. Pak ditë para se të mbush tre muaj jetë si shtet i pavarur dhe i njohur nga një numër shtetesh me fuqi botërore, Kosova do të ketë ballafaqimin më të rëndë dhe më sfidues në raport me agresionin politik dhe kushtetues të Serbisë: zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Politika kosovare do të mund të tregojë dhëmbët apo të heshtë para kësaj situate, sidoqoftë, e vërteta është se procesi elektoral i Serbisë në Kosovës do të mund të ndërrojë në masë tejet të madhe gjendjen e përgjithshme në terren. Sikurse aspekti politik, edhe ai i sigurisë dhe kahjet për zhvillimet e mëtutjeshme në Kosovë do të mund të pësojnë një goditje të fuqishme, që do të kishte pasoja vërtetë negative. Zhvillimet e pas 11 majit në asnjë mënyrë nuk do të mund të jenë të lehta dhe në fakt ato do të rëndohen në masë shumë më të madhe.

II
Kosova ka deklaruar pavarësinë e vet më 17 shkurt (rreth tre muaj më parë) dhe politika kosovare duhet të sillet në raport të plotë me këtë shpallje. Arsyetimet e ndryshme për zgjedhjen e heshtjes si strategji nuk janë të bazuara në një analizë të mirëfilltë për veprimet që do të mund të merrte Kosova në mënyrë që këto zgjedhje të paktën të deligjitimohen, diskreditohen, të dekodohen dhe të dobësohet efekti praktik i tyre. Tek e fundit, kush mund të kundërshtojë implementimin e një kërkese të përkushtuar dhe të vendosur të Kosovës që të ndalohet hyrja e politikanëve të Serbisë për të zhvilluar fushatën e egër parazgjedhore në Kosovë. Ka fakte të mjaftueshme për të bërë një kërkesë të tillë. Manipulimi i ndjenjave të qytetarëve të Kosovës me elemente të politikës naciste është dhe duhet të jetë i patolerueshëm për shtetin e Kosovës. Me vetë shpalljen e shtetësisë, politika duhet të sillet si shtet. Përndryshe, askush në botë nuk do të kishte shtetin e vetë për t’u sjellë si të pashtet. Revolta e mundshme e qytetarëve të shumicës shqiptare do të mund të sjellte pasoja edhe më të mëdha për të ardhmen politike.

III
Konkurrenca e partive politike në Serbi për zgjedhjet aq shumë të përfolura të 11 majit nuk ka të bëjë pothuaj aspak me atë që në shtetet demokratike quhet ofertë për lehtësimin dhe zhvillimit e jetës së votuesit – qytetarit. Duke përcjellë fushatën parazgjedhore të grupimeve politike në Serbi, vështirë se mund të flitet për plane të rëndësishme ekonomike, sociale apo drejt demokratizimit. Debati i atjeshëm është mbuluar i pothuaj tëri me çështjen e Kosovës, përkatësisht me atë se kush do të mund ta kthejë Kosovën brenda Serbisë dhe se kush është duke penguar më shumë njohjen e shtetit të ri nga vendet sovrane në botë. Vetëm çështja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, për shembull, vë në pah shumë elemente ultra-nacionale të skenës politike në Serbi. E gjithë kjo situatë është e reflektuar ekstremisht tek një numër i madh i serbëve të Kosovës, të cilët tashmë gjenden në një konfuzitet të nivelit të lartë sa i përket të ardhmes së tyre. Oferta e institucioneve të Kosovës për të rritur cilësinë e jetës së tyre duhet të jetë e theksuar, e përcjellë me veprime dhe kështu do të mund që sadopak të ketë ndikim.

IV
Kahja që do të merr Serbia pas këtyre zgjedhjeve do të mund të ndikojë në ndryshimin e përgjithshëm të politikave në rajon, sikurse edhe në ato midis rajonit dhe botës. Pozicioni i serbëve të Kosovës në këtë kuadër duhet të jetë i mbikëqyrur dhe i shtyrë për të kontribuar në stabilitet drejt demokratizimit. Pikërisht ky është një prej fakteve tejet të rëndësishme për të argumentuar kundërshtimin e plotë të agresionit kushtetues, politik dhe praktik të Serbisë ndaj Kosovës. Edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare që Serbia ka zhvilluar në Kosovë është dëshmuar se një shumicë e avancuar e votave të serbëve kosovarë kanë shkuar në favor të forcave politike radikale apo nacionaliste të Serbisë. Me këtë fakt rrëzohet edhe argumenti se Perëndimi është i interesuar t’i ndihmojë forcave demokratike të Serbisë për të fituar zgjedhjet e 11 majit. Votat e serbëve kosovarë nuk janë pjesë e kësaj ndihme të pretenduar. Ato janë e kundërta e demokratizimit të Serbisë. Veprimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejt i Kosovës dhe demokracive Perëndimore është nevojë e pashmangshme. Mallkimi i këtyre zgjedhjeve prek rajonin.

Botuar në “Zëri” më 28 prill 2008, fq. 10.

No comments: