Monday, April 21, 2008

Nevoja për profilizim ideologjik

Loja pa fitues

Nevoja për profilizim ideologjik

Tashmë është koha e duhur për fillimin e profilizimit ideologjik të partive politike në Kosovë. Sidoqoftë, mungojnë shumë elemente paraprake që do të rregullonin ambientin e përgjithshëm. Për këtë shkak, identifikimi me liderin si më shumë sesa bartës i zgjedhur për të gjitha fushat e zhvillimit të partisë politike nuk është tejkaluar ende

Shkruan: Burim Ramadani

I
Disa muaj pas pavarësimit të Kosovës, sikurse edhe rikonfigurimit të skenës politike në Kosovë, duhet të fillojë faza më e rëndësishme për partitë politike kosovare. Ajo ka të bëjë me fillimin e vërtetë të profilizimit të ideologjisë politike që këto parti do të avokojnë apo përfaqësojnë në sistemin politik vendor. Duke qenë e qartë se ky zhvillim nuk mund të perceptohet si i lehtë, debati shoqëror në këtë drejtim është mëse i domosdoshëm. Në fakt, ideologjia si një koncept vërtetë kompleks, në vende të ndryshme të botës ka dëshmuar të jetë një nxitës i përhershëm për debate të nxehta politike, intelektuale dhe filozofike. Ndikimi i këtyre debate patjetër se ka shtrirje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë edhe tek qytetarët, për faktin e thjeshtë se ideologjia politike përfaqëson një bashkësi vlerash që drejtojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Megjithëse shumë shoqëri deri më tash kanë kaluar këtë fazë, debati mbetet prezent edhe në aspektin teorik, kryesisht duke definuar ideologjinë si një kornizë parimesh mbi të cilat zhvillohen politikat qeverisëse që përcaktojnë formën e zhvillimit.

II
Dominimi i liderit kundrejt partisë politike apo iniciativave të ndryshme është treguar të jetë i fuqishëm në të kaluarën jo të largët. Që prej fillimit të jetës politike plurale në Kosovën e pas vitit 1989, secili grup politik është ngritur, ka mbijetuar apo është ndëshkuar mbi bazën e liderit. Ai ambient është karakterizuar me luftën politike ndërmjet liderëve, disponimi i të cilëve ka ndikuar thellësisht në përcaktimin e disponimit të përgjithshëm midis elektoratit dhe anëtarësisë së partive politike. Rreth nëntë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shoqëria kosovare vazhdon të jetë e karakterizuar nga një popullizëm i liderëve kryesorë. Megjithëse karizma njihet si element përcaktues për fuqinë e udhëheqjes, shmangia e mbështetjes së plotë dhe të përhershme e grupit politik në një person të vetëm është sfidë që duhet të tejkalohet në shoqërinë kosovare. Kjo mund të bëhet përmes qartësimit të profilit ideologjik të grupeve politike, duke investuar shumë në përfaqësimin ekipor të parimeve të caktuara ideologjike në politikë. E kaluara populiste nuk duhet të jetë synim i vazhdueshëm.

III
Ditët e sotme paraqesin një paqartësi të zbehtë midis popullizmit të liderit dhe orientimit krejt fillestar të disponimit të opinionit publik kah profili i bazuar partiak. E tashmja konfuze mund të vazhdojë edhe një kohë relativisht të shkurtër, për shkak se mund të vlerësohet se dëshira për të nisur punën mbi profilizim ekziston. Sidoqoftë, mungojnë shumë elemente paraprake që do të duhej të rregullonin ambientin e përgjithshëm për profilizimin e vërtetë dhe praktiko-programor të partive politike në Kosovë. Për këtë shkak, identifikimi me liderin si më shumë sesa bartës i zgjedhur për të gjitha fushat e zhvillimit të partisë politike nuk është tejkaluar ende. Sigurisht se kjo situatë mund të zgjas edhe për një periudhë të caktuar në nivel të tillë sikurse është tash, porse domosdoshmëria e zhvillimit programor është rritur në nivel vërtetë të lartë. Kjo domosdoshmëri ka të bëjë edhe me fillimin e debatit parimor mbi bazën ideologjike që përfaqësojnë grupimet politike në Kosovë. Roli i intelektualëve, studiuesve dhe vetë politikanëve në këtë proces është i pakrahasueshëm.

IV
Dilemat e mundshme rreth zhvillimeve të shoqërisë kosovare deri në një masë mund të jenë reale, nëse këtu merren për bazë elemente krejt specifike të qeverisjes dhe mentalitetit të menaxhimit në përgjithësi tek ne. Porse, shoqëritë janë të paragjykuara për t’u zhvilluar. Roli i udhëheqësve mbetet plotësisht në mundësinë e përshpejtimit apo të ngadalësimit të zhvillimit shoqëror. Në kohën e globalizmit, udhëheqësit nuk kanë fuqinë e ndaljes së ecjes shoqërore edhe nëse synojnë këtë. Shoqëritë kanë ligjshmëritë e veta që funksionojnë. Ato nuk janë norma të shkruara apo të ratifikuara në shumicën e rasteve. Frymëmarrja e shoqërive nuk është proces statik, mirëpo i përhershëm. Ajo vetëm gjen mënyrat e përshtatshme për të drejtuar gjërat përpara. Përplasjet e mundshme gjatë kohës janë në të vërtetë ngacmuese për rrugët alternative të domosdoshme. Prandaj, duke u nisur qoftë vetëm nga ky konstatim, e ardhmja e profilizuar programore e skenës politike kosovare nuk është në interes të vetëm ndonjë grupi të caktuar njerëzish që mundohen të investojnë në objektiva të përgjithshme shoqërore.

Botuar në “Zëri” më 21 prill 2008, fq.

No comments: