Saturday, March 8, 2008

Liberalizmi, liria dhe përgjegjësitë e shtetit

Loja pa fitues
Liberalizmi, liria dhe përgjegjësitë e shtetit
Lëvizjet e aty-këtushme për të nxitur ‘shtrydhje truri’ mbi orientimet e partive politike të Kosovës po duket se janë të pamjaftueshme për të arritur nivelin e debatit. Intervenimi i shtetit në shumicën e aspekteve të jetës në Kosovë nuk është i dallueshëm në koncept apo nivel sipas programeve të partive politike kosovare. Sipas liberalëve evropianë, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë, megjithëse merren parasysh disa role të dobishme të shtetit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Liria e individit që në mënyrë autonome të merr vendime individuale ka qenë dhe mbetet çështje me interes të veçantë debati dhe studimi, si në nivel teorik, po ashtu edhe në atë të përditshëm dhe praktik. Kjo temë është sa filozofike aq edhe politike, ndërsa varësisht nga qëndrimet e caktuara politike janë formuar dhe ndërtuar edhe orientimet e ndryshme në kompasin politik dhe spektrin partiak në botë. Zhvillimi i sistemit dhe kulturës politike në vendet që synojnë të arrijnë nivelin e përparuar të demokracisë, në fakt duket të jetë i varur nga niveli i debatit politik të shoqërisë dhe elitës së këtyre vendeve. Vendet e Evropës Perëndimore kanë kaluar nivele të shumta të debateve rreth orientimeve politike të partive përfaqësuese dhe në përgjithësi pak shekuj më parë ishin vërtetë fillimi i gjithë asaj që do të mund të konsiderohet si bazë ideologjike dhe programore e partive politike moderne. Rajoni Ballkanik, ndërkaq, ka tentim-zigzaget e veta sa i përket kësaj çështjeje, porse shekulli i kaluar u kalua kryesisht me sistem monist e të ‘pacenuar’ nga debatet mbi orientimet bazë politike. Kosova, në këtë rast, ende nuk ka filluar konkretisht dhe seriozisht debatin mbi vendin e partive në skemë. Parakusht ishte liria. Liria asocion me liberalizmin. Por, a është liberalizmi vetëm liri? Cili është roli i shtetit?

II
Liberalët evropianë theksojnë rëndësinë e lirisë individuale në secilin aspekt të jetës. Në aspektin ekonomik, kjo çon në preferencën e fuqishme për treg të lirë vendor dhe ndërkombëtar. Por, liberalët evropianë përkrahin ‘tregun e lirë’ edhe më çështje morale. Ata duan që edhe zgjedhjet për çështjet si aborti dhe divorci t’ia lënë individit, që duhet të merr edhe përgjegjësinë personale. Ata nuk duan që shteti dhe burokratët e tij të ndërhynë në jetët private të qytetarëve. Vendimet e lira dhe autonome të individit janë në zemër të mendimit liberal. Organizatat e mëdha shihet me skepticizëm, sepse liberalët besojnë se ato kanë për qëllim të kufizojnë lirinë individuale. Kjo nuk është vetëm për shtetin, por edhe për organizatat tjera të mëdha, siç janë sindikatat dhe kishat. Tek e fundit, pyetja që gjithmonë ka qenë me interes të posaçëm është ajo rreth të drejtës së organizatës mbi pjesëtarët apo pjesëtarëve mbi veten dhe organizatën? Këtu qëndrojnë edhe dallimet më të mëdha midis konservatorëve dhe liberalëve. Kjo ka të bëjë me konceptin e lirisë. Në fakt, vetë termi liberal ka prejardhjen prej fjalës latine libertas – që nënkupton lirinë. Dhe, është normale që në disa vende evropiane liberalët të përfshijnë në ermin e tyre zyrtarë edhe termin i Lirë. Në Gjermani, për shembull, liberalët quhen Demokratët e Lirë.

III
Liberalët evropianë janë më shumë të orientuar kah tregu i lirë në mesin e partive politike evropiane, derisa në spektrin politik amerikan liberalët janë më shumë kritikë të tregut të lirë. Është ndoshta edhe befasuese për një amerikan të mësojë se në Evropën Perëndimore ka parti politike që quhen Liberale, porse në aspektet më të rëndësishme janë shumë të kundërta me Liberalët Amerikanë. Në SHBA ‘liberal’ përcakton pozitën në të Majtë dhe liria pozitën në të Djathtë - për shembull, Organizata Konservatore ‘Amerikanët e Rinj për Liri’. Në Evropë, ‘liberal’ dhe ‘të lirë’ përdoren si sinonime. Sidoqoftë, rrënjët e liberalizmit evropian janë në Evropën e hershme moderne – shekujt e shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë. Në kohën e Mesjetës, individi është parë si pjesëtar i grupit apo komunitetit. Njerëzit ishin fuqimisht të ngulitur në qytetet, shoqëritë, manastiret, universitet e tyre apo të tilla. Ata e definonin veten në një shkallë shumë të lartë si pjesëtarë të grupeve të tilla. Në Evropën e hershme moderne, individi ka filluar të qëndrojë për veten e tij apo të saj. Individi në këtë kohë është lejuar madje edhe inkurajuar të mendojë për veten e tij apo të saj dhe që të bëjë plane të jetës. Ky kuptim i individit ishte i lidhur me daljen në shesh të kapitalizmit industrial dhe komercial, i cili ka shkaktuar ngritjen e mëtejshme të individit.

IV
Lëvizjet e aty-këtushme për të nxitur ‘shtrydhje truri’ mbi orientimet e partive politike të Kosovës janë të pamjaftueshme për të arritur nivelin e debatit. Intervenimi i shtetit në shumicën e aspekteve të jetës në Kosovë nuk është i dallueshëm për nga niveli sipas programeve të partive politike kosovare. Por, sipas mendimit liberal në kuptimin evropian, sa më pak intervenim të shtetit aq më mirë. Kjo nuk nënkupton se liberalët nuk marrin parasysh disa role të dobishme të shtetin. Kështu, liberalët evropianë besojnë se shteti ka përgjegjësi të caktuara për ndihmesën ndaj të papunësuarve, të hendikepuarve dhe të moshuarve, edhe pse programet sociale të liberalëve janë më të kufizuara sesa ato që avokohen nga socialistët. Liberalët në Evropë po ashtu pranojnë se janë të domosdoshme disa rregulla të sjelljes morale, në veçanti për adoleshentët. Ata po ashtu përkrahin programet qeveritare për luftimin e abuzimit të drogës, edhe pse shumë liberalë janë të vullnetshëm të legalizojnë drogat e ‘lehta’. Porse, në përgjithësi, partitë liberale në Evropën Perëndimore theksojnë autonominë individuale dhe lirinë individuale para së gjithash në aspektin ekonomik dhe moral. Individi, sipas këtij mendimi, duhet të bëjë zgjedhjet e tij ose saj dhe të jetojë me pasojat, për të mirë ose për të keq.

Botuar në “Zëri” më 10 mars 2008, fq. 12.

No comments: